VOAL

VOAL

Bushati-Gruevskit: Shqiptarët s’janë punëtorë sezonalë në trojet e tyre

February 27, 2017
blank

Komentet

blank

Mustafi: Serbia duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pastaj të kërkojë asociacionin

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv me moderatoren Armela Ferkon ishte Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi.

Mustafi është shprehur se ambasadori amerikan, Hill është duke zhvilluar një tur takimesh me drejtuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Ndër të tjera Mustafi ka kërkuar që nëse Serbia kërkon që të respektohen të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet që të ndodhë e kundërta edhe në Serbi me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ambasadori Hill është duke takuar liderët e Luginës së Preshevës dhe për tu sqaruar rreth zhvillimeve të fundit që janë të rëndësishme. Kjo është vizita e tij e parë e ambasadorit të akredituar në Beograd, zoti Hill duhet mirëkuptuar në kuptimin e detyrës që i është ngarkuar për të shkëputur Serbinë nga ndikimi rus.

Ambasadori ka treguar atë që ka ndodhur në Ohër, duke thënë se marrëveshja edhe pse e pa nënshkruar i referohen dy vendeve përkatëse dhe Lugina e Preshevës nuk ndodhet pjesë e asaj marrëveshje.

Që pas vitit 2001 që është nënshkruar marrëveshja për demilitarizimin e Luginës janë bërë tre marrëveshje, shqiptarët kanë treguar vullnet në proçesin e integrimit, ndërprerjes së diskriminimit në mënyrë që të krijojë një hapësirë të lirisë, barazisë dhe drejtësisë në kuadër të sistemeve aktuale që kanë qenë garancionet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo nuk është arritur.

 Ne e shohim të domsdoshme që të marrë siguresën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës sepse e konsiderojmë se Lugina është pjesë e këtij konteksti sepse Serbia kërkon të drejta për komunitetin në Kosovë ndërsa në anën tjetër të diskriminojë dhe mohojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në këtë kuptim ne konsiderojmë që kjo marrëveshje do të duhej të sigurojë që përmes normalizimit të marrëdhënieve të paqes mes Serbisë dhe Kosovës është e pamundur nëse nuk respekton të drejtat e komuniteteve njëlloj si në Kosovë për serbët dhe Serbi për Luginën e Preshevës.”

blank

Këlliçi s’e njeh kandidaturën e Bejkos: Kam përballë vetëm Veliajn!

Kandidati i dalë nga Primaret, që do të garojë për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi deklaroi se nuk ka rëndësi se kujt i përket vula apo sigla e partisë, por parimi dhe ideali.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Këlliçi theksoi se fakti që grupi Berishës do të jetë i regjistruar nën siglën e Partisë së Lirisë, është çështje teknikaliteti dhe se Meta nuk ka vënë asnjë kusht me marrëveshjen sa i takon dhe emrave të kandidatëve për Këshillat Bashkiakë.

“Hyjë te ata politikanë që kam bindjen se një forcë politike nuk e bën vula, apo sigla, por parimi dhe ideali. Jam kandidati i Primareve. Sot kam kënaqësinë që listën e këshilltarëve bashkiakë të Tiranës, të jetë në krye Alimehmeti. Jemi në koalicion me Partinë e Lirisë, PDBNJ dhe PDK dhe kanë tagër që të luftojnë qeverinë. Nuk na ka kushtëzuar zoti Meta për emrat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, jemi fokusuar te fitorja. PD ka pjesën më të madhe të kandidatëve.

S’ka qytetar që s’e njeh Këlliçin që nuk është demokrat. Është teknikalitet se si kam hyrë në zgjedhje, nuk e kam problem te fakti që jam futur nën siglën e Partisë së Lirisë. Do i japim një dorë qytetarëve që të përballojnë koston e jetesës. Kam bërë një premtim ditën e shtunë për transportin falas, me ekspertë që janë pjesë e ekipit tim. Ja vlen barra qiranë për të dhënë një shërbim pa pagesë, por që në fund të ditës paguhet nga qytetarët. Unë propozoj heqjen e biletës prej 400 lekësh. Kjo gjë ndikon te shëndeti i qytetarëve.”, tha Këlliçi.

Ndërkohë, Këlliçi teksa u pyet për kandidaturat e tjera, theksoi se ka përballë vetëm Veliajn, duke mos njohur fare rivalin e tij demokrat, Roland Bejko, që është kandidat i Alibeajt.

“Në këtë garë jam përballë Veliajt, që është kryebashkiaku aktual. Mendoj se në këto 8 vite kryebashkuaku aktual e ka pasur mundësinë që të bëjë punë.”, shtoi Këlliçi.

Mes të tjerash kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” tha se një prej problemeve më të mëdha për qytetarët sot është kostoja e lartë e jetesës. Lidhur me këtë, Këlliçi tha se ai ka një plan për zbutjen e këtij fenomeni, për të ndihmuar qytetarët e Tiranës.

“Transporti publik falas do të bëjë që një familje normale, të kursejë 86 mijë lekë të vjetra në muaj”, u shpreh Këlliçi. Ai shtoi se po ashtu, platforma e tij parashikon uljen e taksave e tarifave, që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat dhe cilësinë e jetës së banorëve.bw

blank

Konjufca: DASH-i na garantoi, nuk do të ketë Asociacion që cenon sovranitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca (në mes – ana e majtë) dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 28 mars 2023.

RFE/RL

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Departamenti amerikan i Shtetit e ka garantuar se nuk “mund të formohet kurrfarë Asociacioni [i komunave me shumicë serbe] apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Kështu tha ai pas takimit që pati me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konjufca shkroi në Facebook se në takim me Escobarin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është lidhur me përparimin e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Më 31 janar të këtij viti, pas një diskutimi të mbyllur për Asociacionin, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Por, kjo gjykat ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

blank

Gërvalla: Ende s’kemi marrëveshje, Serbia refuzoi nënshkrimin

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, që disa ditë ka qëndruar në Portugali, në një vizitë zyrtarë në këtë vend të gadishullit Iberik. E atje, zonja Gërvalla ka zgjedhur të thyejë heshtjen rreth marrëveshjen evropiane e takimit të Ohrit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në intervistën e gjatë për Diario de Noticias, Gërvalla ka folur rreth negociatave “të vështira” me Serbinë, statusin e pakicave, dëshirën për anëtarësim në BE e NATO e pengesat në rrugën drejt OKB-së.

Në intervistën që titullohet “Në Kosovë, duam që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve tona”, zonja Gërvalla e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për marrëveshjen e Ohrit. E pyetur se çfarë kuptimi ka marrëveshja e fundit me Serbinë, zonja Gërvalla ka bërë një deklaratë interesante, duke thënë se ende s’ka marrëveshje.

“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht, serbia nuk ishte gati për këtë. Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet nënshkrimi, refuzojnë. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”, tha zonja Gërvalla.

Tutje, shefja e MPJD-së u përball me deklaratën e Vuçiqit, i cili deklaroi se do ta respektojë marrëveshjen evropaine. Gërvalla deklaroi se është e nevojshme që Serbia të jetë serioze në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne kemi nevojë që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve tona. Normalizim do të thotë sjellje normale, respektim i fqinjit dhe mos kërcënim ndaj fqinjit me luftë dhe pasoja të tjera. Prandaj është kaq e vështirë me Serbinë, ata ulen në tryezën e bisedimeve dhe premtojnë dhe pastaj vjen një Serbi krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e premtimeve. Kësaj radhe Serbia as që nënshkroi, kështu që nuk jam optimist për të pritur ndryshime në javët apo muajt e ardhshëm”, theksoi zonja Gërvalla.

E para e diplomacisë kosovare foli edhe për çështjen e minoritetit serb në Kosovë, duke deklaruar se ata kanë të drejta si askund në Evropë.

“Mendoj se e dini se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë e re dhe është produkt i një përpjekjeje ndërkombëtare për të bërë një kushtetutë shumë moderne, pro-evropiane dhe shumë demokratike. Nuk do të gjeni në asnjë vend tjetër të Evropës të drejta kaq të thella dhe të gjera të minoriteteve të garantuara me kushtetutë. Sa për të dhënë një shembull: për pakicën serbe ka gjithmonë garanci se kanë vend në qeveri, pavarësisht nëse kanë marrë vota të mjaftueshme apo kanë qenë të suksesshëm në zgjedhje. Të gjitha qeveritë në Kosovë kanë një vend të garantuar për pakicat dhe njëra prej tyre është për minoritetin serb. Një shembull tjetër është se për 15 vjet ekziston një paketë e ligjeve bazë – ligje jetike, siç quhen – ku është p.sh. arsimi. Tash e 15 vjet serbët në parlament po bllokojnë, pasi kanë të drejtën e vetos në këtë paketë jetike të ligjeve, ligjin për arsimin e lartë. Ligji ka të bëjë me fëmijët tanë, jo për politikën. Prandaj, nuk ka nevojë për të drejta shtesë”, theksoi zonja Gërvalla. syri.net

blank

Mijëra ukrainas i bashkohen Gardës Ofensive

Në billbordin për rekrutimin e ushtarëve për Gardën Ofensive përdoret slogani “Kthejeni zemërimin tuaj në një armë”.

Aleksander Palikot

Më 10 mars, mijëra civilë dhe ushtarë marshuan së bashku nëpër rrugët qendrore të kryeqytetit, duke brohoritur “Lavdi Ukrainës” dhe “Lavdi heronjve” në një homazh për Dmytro Kotsyubaylo, komandantin më të ri që është dekoruar ndonjëherë si Hero i Ukrainës dhe luftëtari i parë vullnetar që u dekorua sa ishte ende gjallë. I njohur me nofkën Da Vinci, ai ishte vrarë duke luftuar kundër forcave ruse pranë Bahmutit, në Donbas, pesë ditë më parë.

Imazhet e liderëve të lartë, duke përfshirë komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, shefin e inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, dhe ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov të gjunjëzuar teksa i bënin nderimet e fundit ushtarit 27-vjeçar, janë zhytur me shpejtësi thellë në ndërgjegjen e publikut. Po kështu edhe lotët e partneres së tij, Alina Mykhaylova, e cila është një mjeke ndihmëse në njësinë e tij, Ujqërit e Da Vinçit dhe një anëtare e këshillit të qytetit të Kievit.

Në moshën 18-vjeçare, Kotsyubaylo luajti rol të rëndësishëm në protestat e Euromaidan-it , që e shtynë orientimin gjeopolitik të Ukrainës drejt Perëndimit – që detyruan presidentin pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, të largohet nga pushteti dhe të ikë në Rusi.

Vdekja e tij shënoi një moment transformues në rezistencën e Ukrainës kundër pushtimit rus dhe nënvizoi një realitet të zymtë: disa nga ushtarët më të përkushtuar po vdesin, duke krijuar një nevojë të madhe që të tjerët të mbushin vendet e tyre.

Derisa ofensiva ruse po vazhdon në lindje, duke shkaktuar humbje në rritje në ushtri, shumë ukrainas shpresojnë se një kundërofensivë që zyrtarët e lartë thonë se do të vijë së shpejti, do të jetë vendimtare në largimin përfundimtar të forcave ruse nga vendi.

Disa po i bashkohen Gardës Ofensive, një rrjet brigadash sulmuese që po formohet në Ministrinë e Brendshme, ndërsa Ukraina përgatitet për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia në lindje dhe jug.

Ministria ka nisur një fushatë të madhe rekrutimi. Në rrugë, sheshe dhe pika të tjera rreth Kievit, figura të ushtarëve të pajisur mirë, të aftë dhe të vendosur shikojnë janë vendosur në billbordet që mbajnë slogane të tilla si “Është koha për të rikthyer atë që është e jotja” dhe “Bashkohu”. Sipas ministrit të Brendshëm, Ihor Klymenko, më shumë se 28.000 njerëz kanë dalë vullnetarë për të shërbyer në këtë formacion.

Projekt me prioritet të lartë

Ideja e Gardës Ofensive u diskutua për herë të parë më shumë se gjashtë muaj më parë nga Ministria e Brendshme dhe zyra e presidentit të Volodymyr Zelenskyt, tha zëvendësministrja e Brendshme, Kateryna Pavlichenko për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, qëllimi i projektit është që të krijojë brigada sulmi që kombinojnë përvojën e ushtarëve me përvojë me vendosmërinë e vullnetarëve të rinj.

Njësitë e Ministrisë së Brendshme, veçanërisht Garda Kombëtare, kanë luftuar së bashku me forcat e armatosura të rregullta, të cilat janë nën Ministrinë e Mbrojtjes, që nga pushtimi i shkurtit 2022 – dhe në disa raste që nga shpërthimi i luftës në Donbas në vitin 2014.

Trupat e Brigadës Bureviy gjatë stërvitjeve në rajonin e Kievit.

Trupat e Brigadës Bureviy gjatë stërvitjeve në rajonin e Kievit.

“Përvoja e de-okupimit të rajoneve Harkiv dhe Herson tregoi se trupat tona janë të nevojshme në çdo fazë të armiqësive dhe pas tyre”, tha Pavlichenko, duke iu referuar kundërofensivës në të cilat forcat ukrainase rimorën pjesë të mëdha të territorit në lindje, më pas dhe jug, vitin e kaluar. Ajo tha se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të rinj të brigadave ishin punonjës të agjencive të Ministrisë së Brendshme që duan të bëhen pjesë e luftës.

Kjo gardë do të përbëhet nga dhjetëra mijëra trupa, tha ajo, dhe e para prej tyre do të jetë gati për të shkuar në betejë në fillim të prillit.

Garda Ofensive përbëhet nga gjashtë brigada brenda Gardës Kombëtare, duke përfshirë Brigadën Azov – dikur Regjimenti Azov – si dhe nga një brigadë secila nga Policia Kombëtare dhe Rojet Kufitare. Çdokush mund të aplikojë për tu bërë pjesë, online në internet ose personalisht në një zyrë.

Në trajnim

Në një terren stërvitor jashtë Kievit këtë muaj, të sapoardhurit në Brigadën Bureviy – ukrainas për “stuhinë”, megjithëse disa anëtarë thonë se është një akronim për Brigada për Eliminimin e Ushtarëve Rusë – po kalonin përmes një programi trajnimi gjithëpërfshirës të bazuar në standardet e NATO-s, fillimisht në nivel individual, pastaj grupor dhe në fund në nivel njësie, tha për Radion Evropa e Lirë Kostyantyn Vakhramyeev, komandant i një prej batalioneve të brigadës.

Tani duke u rimbushur me ushtarë të rinj, njësia u përfshi në luftimet vendimtare në rajonet e Kievit dhe Chernihivit në fillim të pushtimit, kur forcat ruse ndaluan shkurtimisht në kryeqytet. Disa nga anëtarët e saj aktualisht po mbrojnë Bahmutin.

Kostyantyn Vakhramyeyev

Kostyantyn Vakhramyeyev

Pas zotërimit të të shtënave me armë zjarri, mjekësisë luftarake dhe përdorimit të llojeve të ndryshme të pajisjeve, rekrutët praktikojnë operacione sulmuese afër vendit ku ka beteja. Disa nga komandantët dhe anëtarët e brigadës morën pjesë ose po marrin pjesë tani në programe stërvitore në Poloni, Gjermani apo Britani.

Brigada Bureviy ka në dispozicion artileri, transportues të blinduar të personelit dhe disa tanke. Por Vakhramyeev, i cili ka luftuar që nga viti 2014, tha se teksa personeli i ri do të jetë së shpejti “gati për punën”, njësisë do t’i duhet “më shumë pajisje të rënda, predha dhe mbështetje ajrore” për të kryer sulme të mëdha.

Pavarësisht sfidave të tilla, dy burra që u bashkuan një muaj më parë — Dmytro Horditsa, një piktor 41-vjeçar dhe Denys Irzhytskiy, një student mjekësie 21-vjeçar, thonë se besojnë se kundërofensiva ukrainase do të jetë një sukses.

“Mjaft të isha vëzhgues”, tha Horditsa gjatë një pushimi nga trajnimi. Ai thotë se iu bashkua Gardës Ofensive sepse ai beson se aty vijnë “më të mirët nga ata që janë ende në rezervë”.

Dmytro Horditsa

Dmytro Horditsa

Horditsa, i cili krijoi qindra vepra të artit fetar në stile të ndryshme gjatë gjithë karrierës së tij artistike, kishte zero përvojë ushtarake vetëm një muaj më parë. Më herët ai nuk u rekrutua për shkak të problemeve me shikimin. Tani këto kufizime janë hequr, thotë ai.

Ai thotë se është i kënaqur që komandantët e tij po i japin kohë për t’u stërvitur përpara se të shkojë në luftime, pasi “nuk ndodhë gjithmonë kështu”. Shumë nga miqtë e tij tashmë janë duke luftuar dhe disa janë vrarë, thotë ai.

Irzhytskiy thotë se ai u bashkua sepse “nuk dëshiron të bëjë një jetë boshe kur rusët po vrasin njerëz të pafajshëm” dhe dëshiron të jetë në gjendje të thotë se “mori pjesë në fitore pas përfundimit të luftës”.

Për disa muaj, ai ishte instruktor i ndihmës së parë në një njësi tjetër, por ai pranoi një ofertë për tu transferuar në Brigadën Bureviy, sepse ai beson se kjo do t’i mundësojë “të marrë pjesë në një luftë të vërtetë”. Brenda një jave, ai do të shkojë në Britani për stërvitje, dhe pas kësaj ai shpreson të vendoset në lindje të Ukrainës.

“Edhe nëse shpëtoj vetëm një person, do të jetë një fitore”, tha ai.

Denys Irzhytskiy

Denys Irzhytskiy

Rindërtimi i ushtrisë

Fushata e rekrutimit për Gardën Ofensive premton se anëtarët e saj do të marrin pjesë në çlirimin e territoreve të pushtuara nga Rusia, por roli që brigadat e saj do të luajnë gjatë kundërofensive është i paqartë.

Eksperti ushtarak, Mykhaylo Zhirokhov, i tha Radios Evropa e Lirë se formacioni ka të ngjarë të luajë një rol mbështetës, derisa forcat e armatosura të rregullta do të kryejnë aksionet kryesore të kundërofensivës. Rreth 50.000 ushtarë ukrainas po përgatiten për të në dhe jashtë vendit, tha ai.

Sipas Zhirokhov, ofensiva e Rusisë në lindje – ku trupat ruse janë përpjekur pa sukses të kapin Bahmutin për më shumë se shtatë muaj – ka treguar se “Moska dëshiron të imponojë logjikën e luftës së Luftës së Dytë Botërore, ku kushdo që ka më shumë ushtarë fiton”.

Garda Ofensive është kryesisht një “fushatë mediatike” sepse shumica e brigadave të saj “nuk janë krijuar përsëri, por thjesht janë riemërtuar”, tha ai.

Ata po forcohen gjithashtu me vullnetarë të rinj dhe burime të reja nga Ministria e Brendshme – një proces i domosdoshëm, pasi radhët e atyre që tashmë luftojnë janë varfëruar 13 muaj pas pushtimit.

Trupat e Brigadës Bureviy stërviten në rajonin e Kievit.

Trupat e Brigadës Bureviy stërviten në rajonin e Kievit.

“Por në fund, ne nuk mund të konkurrojmë me Rusinë në numër dhe pa një avantazh teknologjik, trupat tona [sulmuese] e gjejnë veten në pozicionin e ushtarëve të Wagnerit rreth Bahmutit”, tha ai, duke iu referuar luftëtarëve nga një grup rus mercenar që ka pësuar humbje masive.

Mykola Byelyeskov, një analist në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se krijimi i Gardës Ofensive përshtatet me një model historik të parë në shumë luftëra të kaluara, kur një ushtri duhet të rindërtohet pas një viti luftimesh. Krijimi i saj, shton ai, dërgon një sinjal të mirë për mbështetësit ndërkombëtarë të Ukrainës se “ka ende një segment të shoqërisë që dëshiron t’i bashkohet luftimeve”.

Për momentin, Ukraina është e detyruar të vendosë fuqinë e saj punëtore nën presion të vazhdueshëm për të mbajtur pozicionet e saj, dhe fushata e rekrutimit e Ministrisë së Brendshme mund të kompensojë disa nga humbjet, por suksesi i kundërofensivës bazohet në aftësinë e ushtrisë ukrainase për të depërtuar në thellësitë taktike të forcave ruse, thotë ai.

Sipas Byelyeskovit, shtytja e Ukrainës në fushëbetejë në muajt e ardhshëm ka më shumë gjasa të vijë në formën e presionit të vazhdueshëm ndaj objektivave ruse, të ngjashme me përparimet në rajonin e Hersonit vjeshtën e kaluar, sesa një kundërsulm rrufe si çlirimi i pjesëve të pushtuara të rajonit të Kharkiv në 2022.

blank

Gjermania i dorëzon Ukrainës 18 tanke Leopard 2

RFE/RL

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë marrë 18 tanke moderne luftarake Leopard 2A6 nga Gjermania, konfirmoi të hënën kancelari Olaf Scholz gjatë një konference për media me kryeministrin holandez, Mark Rutte, në Roterdam.

“I kemi dorëzuar, ashtu siç është paralajmëruar”, tha Scholz.

Për arsye sigurie, institucionet qeveritare gjermane nuk kishin bërë publike asgjë në lidhje me transportin e tankeve

Më 25 janar, pas një beteje të gjatë politike të brendshme, Qeveria e Gjermanisë u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Polonia ishte shteti i parë që në fillim të marsit dërgoi 4 tanket e para Leopard 2 në Ukrainë.

Kievi ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave

Përveç Polonisë dhe Gjermanisë, edhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket Leopard 2. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 13 mars në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.

blank

Ukrainasit neutralizojnë me dron dhjetëra ushtarë rusë, ju hedhin në erë edhe tanket

Dronët e ushtrisë ukrainase në një aksion kanë arritur të eliminojnë shumë ushtarë rusë, dhe të hedhin në erë tanket e tyre.

Pamjet nga ajri tregojnë ukrainasit duke u hedhur predha nga droni, rusëve që ishin në një fushë dhe po tentonin të fshiheshin dhe shtireshin sikur të vdekur, duke lëvizur ngadalë zvarrë.

Megjithatë kjo nuk i shpëtoi operatorëve të dronëve, që sapo i vërejtën duke lëvizur filluan t’i godasin me predha.

E në momentin që tanket u ofruan për t’ju dalë në ndihmë ushtarëve rusë, të njëjtin fat e patën edhe këto mjete të blinduara.

Ishte brigada e 79-të e ukrainasve që realizuan këtë operacion, në të cilin u shkatërruan shumë tanke ruse dhe dhjetëra ushtarë të Vladimir Putinit.

Operacioni i ukrainasve u realizua diku në lindje, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë së operacionit, Kievi ka refuzuar të zbulojë vendndodhjen e saktë. syri.net

blank

Zelensky viziton Zaporizhjën, takohet me Rafael Grossin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi. 23 mars 2023.

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një vizitë të papritur në pozicionet e vijës së parë të frontit në rajonin e Zaporizhjës, ku gjithashtu u takua me shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossin.

Zyra e Zelenskyt tha në një deklaratë të hënën se presidenti takoi trupat “në pozicionet e vijës së parë” në dhe i nderoi ata me medalje shtetërore, si dhe i informoi për “situatën aktuale në vijën e frontit”.

Më pas, Grossi shkroi në Twitter se ai gjendet gjithashtu në Zaporizhja, dhe atje takoi Zelenskyn, me të cilin diskutoi për mbrojtjen e centralit më të madh bërthamor të Evropës, i cili mbahet nga forcat ruse.

IAEA ka shprehur vazhdimisht shqetësime për sigurinë në Zaporizhja.

Ky central bërthamor – më i madhi në Evropë dhe ndër dhjetë më të mëdhenjtë në botë – ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar.

Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore.

Më herët gjatë ditës, Ukraina tha se trupat ushtarake janë duke vazhduar të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut.

Zelensky e ka vizituar Bahmutin gjithashtu javën e kaluar dhe u ka dhënë medalje trupave që janë duke luftuar për atë zonë.

blank

Ukraina: Kontrollimi i Bahmutit është “nevojë ushtarake”

Ushtarët ukrainas në Bahmut.

RFE/RL

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka thënë të hënën se trupat ushtarake janë duke vazhduar të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut, dhe se kontrollimi i këtij qyteti përbën “nevojë ushtarake”.

Ushtria ukrainase ka thënë se koloneli Syrskyi i ka bërë këto deklarata në një vizitë në linjën e frontit në lindje ku ka tentuar “të zgjidhë çështje problematike që parandalojnë ekzekutimin efektiv të detyrave ushtarake” dhe të marrë “vendime operacionale që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve për të luftuar dëmin e armikut”.

Në deklaratë nuk janë dhënë detaje për vendin e saktë të vizitës, mirëpo komentet e Syrskyit kanë dhënë shenja se Ukraina mëton të luftojë për Bahmutin, pavarësisht numrit të madh të trupave atje.

“Faza më intensive e betejës për Bahmutin është duke vazhduar. Situata vazhdon të jetë e vështirë. Armiku është duke u përballur me humbje të mëdha të burimeve njerëzore, armëve dhe pajisjeve ushtarake, mirëpo vazhdon të kryejë sulme”, ka thënë ai.

Duke e vlerësuar qëndrueshmërinë e forcave ukrainase në kushte “jashtëzakonisht të vështira”, ai ka thënë se “mbrojtja e Bahmutit është nevojë ushtarake”.

“Ne jemi duke kalkuluar të gjithë skenarët në të ardhmen dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate për situatën aktuale”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Bahmutin javën e kaluar dhe u ka dhënë medalje trupave që janë duke luftuar për atë zonë.

Të shtunën, komandanti i përgjithshëm, Valery Zaluzhniy, ka thënë se situata rreth Bahmutit është duke u “stabilizuar”.

Moska e konsideron zotërimin e këtij qyteti si pikë kyçe për kontrollim të rajonit lindor të Donbasit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

blank

Zelenskyy: Disfata e Moskës garanci kundër agresioneve dhe krizave të reja

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se disfata e Rusisë në shkallë të gjerë do të jetë garanci kundër agresioneve dhe krizave të tjera. Ndërkohë, pamjet filmike të publikuara nga ushtria ukrainase tregojnë shkatërrimet e mëdha në zonat e banuara të qytetit të rrethuar të Bakhmutit. Udhëheqësit ushtarakë ukrainas thonë se e kanë zbehur ofensivën ruse përreth qytetit. Të shtunën Presidenti Vladimir Putin njoftoi planet e Rusisë për të vëndosur armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se mundja e Rusisë do të ofronte garanci të besueshme kundër agresioneve dhe krizave të reja.

“Kremlini po humbet në përpjekjet e tij për të skllavëruar shpirtërisht popullin tonë”, tha Presidenti Zelenskyy.

Udhëheqësi ukrainas tha se në bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, drejtësia ukrainase po bën gjithçka për të siguruar mbajtjen përgjegjës të kriminelëve rusë të luftës, siç u shpreh ai.

Ndërkohë pamjet filmike të publikuara nga ushtria ukrainase tregojnë shkatërrimet masive të qytetit lindor Bakhmut. Gjenerali ukrainas Valery Zaluzhniy thotë se situata atje është stabilizuar. Agjencia e lajmeve Reuters ishte në gjendje të verifikonte vërtetësinë e pamjeve por jo kohën kur ishin regjistruar.

Gjenerali Valery Zaluzhniy tha se forcat ukrainase e kanë ulur ritmin e ofensivës ruse përreth qytetit Bakhmut, një objektiv i rëndësishëm i përpjekjeve të Moskës për të marrë plotësisht kontrollin e rajonit të industrializuar të Donbasit.

Ndërkohë Presidenti Vladimir Putin njoftoi të shtunën planet për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi. Udhëheqësi rus tha se masa vjen si reagim ndaj vendimit të Britanisë për t’i dhënë Ukrainës predha tankesh me përmbajtje uraniumi të varfëruar.

“Tashmë kemi transferuar në Bjellorusi sistemet tona të njohura, Iskander që janë shumë efikase. Më 3 prill fillojmë trajnimin e ekipeve dhe më 1 korrik do të përfundojë ndërtimi i objektit special ku do të mbahen armët taktike bërthamore”.

Armët taktike bërthamore përdoren në fushën e betejës dhe kanë një rreze të shkurtër veprimi dhe dëmet janë më të vogla krahasuar me mbushjet bërthamore shumë më të fuqishme që vëndosen në raketa me rreze të gjatë veprimi.

Presidenti Putin tha se duke vendosur armët e saj taktike bërthamore në Bjellorusi, Rusia po ndiqte shembullin e Shteteve të Bashkuara, duke aluduar se Shtetet e Bashkuara kanë armë bërthamore në disa vende evropiane dhe Turqi.

blank

Kurti në Tiranë, informon liderët shqiptarë për Marrëveshjen e Ohrit

Takimi në Tiranë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Jetmira Delia-Kaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Tiranë me krerët e shtetit të Shqipërisë, për t’i informuar lidhur me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

Kurti u takua me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e priti në vilën qeveritare numër 30 në zonën e ish-bllokut.

Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi në rrjetet sociale se e inkurajoi kryeministrin Kurti “në hedhjen e hapave të mëtejshëm si për garantimin e komunave serbëve në kornizën e Asociacionit, që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”.

Rama tha se në këtë proces, Kurti ka mbështetjen e tij të plotë.

Kreu i Qeverisë shqiptare po ashtu bëri të ditur se me homologun kosovar se mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në qershor.

Në takim me Begajn, sipas një njoftimi për media nga zyra e Kurtit, kryeministri kosovar tha se e ka njoftuar kreun e shtetit shqiptar për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut “dhe për qasjen konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit”.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, më 18 mars arritën marrëveshje për Aneksin e zbatimit të propozimit evropian.

Paraprakisht, më 27 shkurt palët arritën marrëveshje për propozimin evropian, apo siç njihet ndryshe edhe si Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.

Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.

Edhe presidenti Begaj ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”. Kreu i shtetit shqiptar ka kërkuar që të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Ndërkaq zyra e Kuvendit të Shqipërisë thanë se kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se “do të vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”.

Marrëveshja drejt normalizimit, e përbërë nga 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

blank

Krerët shtetërorë zotohen për vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë

RFE/RL

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës janë zotuar se kanë prioritet vendosjen e drejtësisë sa i përket krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga forcat ndaj shqiptarëve, teksa kanë kujtuar të vrarët në Krushë të Madhe 24 vjet më parë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ende fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe mbetet i pazbardhur, të cilët figurojnë në listën e personave e të zhdukurve me dhunë.

“Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësojë sikur edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar. Ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh, Ukshin Hoti dhe të gjithë krushianëve të tjerë të zbardhet”, tha ajo.

Sipas presidentes Osmani, Kosova ka bërë “luftë çlirimtare, ndërkaq Serbia kreu gjenocid mbi popullin tonë”.

“Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tenton të tjetërsohet dhe për ta vendosur drejtësinë”, theksoi ajo.

Memorialet në Krushë të Madhe dhe të Vogël i vizitoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se fati i të pagjeturve është prioritet për ekzekutivin që ai udhëheq.

Megjithatë, ai tha se Serbia po vazhdon të “mohojë krimet” e kryera në Kosovë.

“Ata nuk janë thjesht të pagjetur, ata janë të zhdukur me dhunë dhe dy janë preokupimet tona kryesore. E para është hapja e arkivave në Beograd, me qenë se atje është e vërteta për planet gjenocidale të Serbisë që rezultuan me qindra masakra në Kosovë. Dhe e dyta është zbulimi i varrezave të reja masive dhe dihet që një gjë e tillë ka hasur në shumë pengesa në Serbi, ku në pesë varreza masive në vitet e shkuara janë zbuluar afër 1.000 trupa të shqiptarëve. Por, natyrisht që ne dyshojmë se ka edhe të tjera, mirëpo asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, e ndihmuar kërkesa dhe hulumtimi për varreza të tjera”, tha Kurti.

Masakra në fshatin Krushë e Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë.

Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.

Në këtë masakër u vranë 241 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.


Send this to a friend