VOAL

VOAL

Bruno Mars “rrëmben” gjashtë çmime Grammy

January 29, 2018
blank

Komentet

blank

Në fazat e hershme të lidhjes! Dua Lipa me komedianin nga Afrika e Jugut

PANORAMA PLUS/ Dua Lipa ishte shumë e lumtur gjatë takimit me Trevor Noah në fillim të kësaj jave, ka mësuar “Page Six”.

 

Ylli i popit, 27 vjeçe dhe komediani nga Afrika e Jugut, 38 vjeç, u panë të mërkurën mbrëma duke ndarë një vakt intim në Miss Lily’s në East Village të Nju Jorkut, për të cilin një burim i brendshëm ka thënë se ishte një vend i zgjedhur nga Noah.

“Page Six” shkruan se Dua u “godit” në atë që ishte “padyshim një takim”, megjithëse thuhet se dyshja është në fazat “shumë të hershme” të romancës së tyre.

Fotot nga dalja e çiftit i tregojnë ata të ulur afër gjatë darkës, por shumë larg klientëve të tjerë, përpara se të nisen për një shëtitje më pas.

Dyshja u pa duke ecur, duke folur dhe duke u përqafuar, me Trevor që i dha një puthje Duas.

Noah ishte treguar “një zotëri” gjatë gjithë mbrëmjes dhe se të dy shkuan në shtëpi “veçmas”.  “Padyshim që ka interes në të dyja anët,” këmbëngul burimi i brendshëm për “Page Six”. Për takimin e tyre romantik, këngëtarja e “One Kiss” kishte veshur një xhaketë lëkure të zezë dhe xhinse, të cilat i kombinoi me taka me print leopardi, grim minimal dhe flokë të gjatë e të drejtë.

Prezantuesi i Grammy 2021 përputhej me atmosferën e takimit të tij, duke zgjedhur një xhaketë jeshile ulliri dhe pantallona të zeza.

Marrëdhënia e fundit publike e Lipës ishte me modelin Anwar Hadid, 23 vjeç. Ata u ndanë në dhjetor 2021 pas më shumë se dy vitesh lidhje.

Noah – i cili njoftoi të enjten se do të largohej nga “The Daily Show” pas shtatë vitesh, u nda me Minka Kelly majin e kaluar, pasi kishin qenë së bashku që nga viti 2020.

blank

Turqi: Pushteti po shtyp industrinë e argëtimit pak para zgjedhjeve

Këngëtarja turke, Gülşen

VOA/Dorian Jones

Ylli turk i muzikës “pop”, Gylshen (Gülşen )që konsiderohet si Madonna turke, përballet me burg, pasi pushteti në Turqi po bënë përpjekje në rritje të shtypë krijuesit e muzikës pop, që po popullarizohet. Goditja shihet nga disa si një përpjekje e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të tërhequr bazën e tij votuese fetare teksa zgjedhjet afrohen dhe të rinjtë shprehin pakënaqësi me ekonominë.

Një nga yjet më të mëdha të muzikës turke, Gylshen, për shkak të muzikës, veshjes dhe mbështetjes së saj për komunitetin LGBTQ, njihet gjerësisht si “Madonna turke”.

Por, Gylshen përfundoi në gjykatë dhe burg pas publikimit të një videoje private, ku ajo dëgjohet duke bërë shaka me shkollat fetare.

Gylshen është vënë në shënjestër nga islamistët jo vetëm për veshjet, por edhe mbështetjen e lëvizjes LGBTQ

“Gylshen është vënë në shënjestër nga islamistët për një kohë të gjatë, jo vetëm për mënyrën se si shfaqet në emisionet e saj, për veshjet, por edhe për mbështetjen e lëvizjes LGBTQ”, thotë për Zërin e Amerikës, Nazli Okten nga Universiteti Galatasaray.

Burgimi i Gylshenit shkaktoi zemërim dhe nxiti një fushatë kombëtare për lirimin e saj.

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për ndalimin e saj.

Ajo u lirua, por përballet me burg nëse dënohet nën akuzat për nxitje të urrejtjes fetare.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një fjalimi të kohëve të fundit, e mbështeti ndjekjen penale të Gylshenit. Me zgjedhjet më pak se një vit larg dhe Erdoganin që mbetet si kandidat, vëzhguesit thonë se ai mund të jetë duke kërkuar të fuqizojë mbështetjen nga votuesit fetarë.

Gjatë verës, autoritetet turke ndaluan shumë festivale muzikore duke i akuzuar ato për korruptim të të rinjve.

“Këto festivale sigurojnë para të mëdha për industrinë, jo vetëm për artistët, por edhe për njerëzit që punojnë në prapaskenë. E di që së fundmi janë anuluar 20 festivale. Për cfarë? Për identitetin etnik, pikëpamjen politike të artistes, apo për mënyrën e veshjes së një këngëtareje?” pyet Ipek Kocyigit, kryetare e Unionit të Muzikantëve

Festivalet e muzikës “pop”, duke u mbajtur shpesh para dhjetëra mijëra njerëzve, janë përhapur edhe në rajonet më konservatore të Turqisë.

“Këto tubime kthehen në simbol të një mënyre të ndryshme jetese, por në fund të koncerteve njerëzit nganjëherë dalin me parulla. Ka tubime të tilla që ndonëse nuk janë tubime opozitare, aty përhapet një lloj pakënaqësie”, thotë zonja Okten nga Universiteti Galatasaray

Me zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe me inflacionin afër njëqind për qind, ekspertët thonë se votuesit e rinj përbëjnë kërcënimin më të madh për presidentin turk.

Një shumicë dërrmuese e të rinjve në Turqi tani preferojnë një sistem demokratik

“Një shumicë dërrmuese e të rinjve në Turqi tani preferojnë një sistem demokratik shumëpartiak sesa një sistem autokrat, me një udhëheqës të fortë, kjo është një gjë e mirë. Lajmi i dytë i mirë është se mbi 80% i japin përparësi lirisë së shprehjes mbi të gjitha”, thotë për Zërin e Amerikës, Can Selcuk nga firma turke me seli në Stamboll për Studime dhe Këshilla Ekonomike

Gjykimi i Gylshenit fillon në tetor, ndërsa prokurorët kërkojnë burgosjen e saj. Ekspertët thonë se kjo do e rriste përkrahjen e bazës konservatore të presidentit turk, Erdogan, por rrezikon të izolojë më tej një rini gjithnjë e më të pakënaqur, ndërsa afrohen zgjedhjet.

blank

“Odet” për kombin dhe “shqiptarja” Irini Pappas – Nga Dimitris Christopoulos

 

Kur isha dhjetë vjeç, im atë më bleu diskun “Odet” të Vangelis Papathanasiou.

E dëgjonim vazhdimisht në shtëpi. Ishte një përpjekje për të interpretuar nëpërmjet tingullit elektronik këngët popullore greke. Ky disk, në periudhën që qarkulloi (1979), kontribuoi në normalizimin dhe pranimin e këngës së Rumelisë dhe Peloponezit, sidomos të klarinetës, e cila në perceptimin e shumë grekëve ishte shndërruar në sinonim të muzikës së juntës ushtarake. Në të njëjtën kohë rijetëzoi një zhanër muzikor që ishte përkufizimi i së vjetrës.

Fotoja sugjestive e Irini Pappasit në kopertinën e diskut dhe zëri i rreptë i saj, nëpërmjet të cilit interpretonte këngët popullore nën tingullin futuristik të Vangelisit, i jepte tjetër përmasë kulturës popullore greke. E modernizonte dhe bënte që njerëzit, të cilët më parë ishin indiferentë për interpretimet origjinale të këngëve, t’i shijonin ato tashmë me një dimension tjetër.

Pappas, me bukurinë e saj të papërsëritshme, me interpretimin e saj muzikor, kinematografik dhe teatral kreu një funksion shumë thelbësor për shndërrimin e “grekes” në “universale”. Ajo ishte një ndër të paktat artiste greke universale. Në të njëjtin nivel me Melina Mercouri, greken tjetër me famë botërore. Pappas dorike, Melina ndoshta pompoze. Megjithatë, të dyja, secila në mënyrën e vetë i shërbyen, pritshmërisë universale të helenizmit.

U informova nga miqtë e mi në Shqipëri se pas vdekjes së Irini Pappasit, disa media shqiptare vajtuan vdekjen e një shqiptareje. Dhe, kështu mësova se në Shqipëri ekziston bindja se Irini Pappas ka deklaruar se është shqiptare në kohën kur bashkë me aktorin e famshëm kosovar, Bekim Fehmiu (ndër aktorët më të njohur të Jugosllavisë) ishin protagonistë në serialin italian “Odisea”. Fehmiu ishte Odisea, kurse Pappas, Penelopa.

Thuhet se Penelopa dhe Odisea (Pappas dhe Fehmiu) gjatë xhirimeve të filmit flisnin shqip ndërmjet tyre. Megjithëse kërkova, nuk gjeta askund vërtetim të këtij lajmi.

Megjithatë, gjeta artikuj në mediat e vendit fqinj, të cilat shkruan për vdekjen e saj dhe bënë fjalë për vdekjen e “aktores shqiptare”. Le të supozojmë për një moment se Irini Pappas ishte arvanitase siç ishte Melina Mercouri, meqë e përmendëm më sipër. Mjafton kjo për të justifikuar një lloj zije të veçantë shqiptare për vdekjen e saj?

Do jap disa shembuj nga Evropa Veriore në mënyrë që të kuptohemi. Familja Eisenhower në mes të shekullit XVIII u zhvendos nga një qytezë gjermane e Rinit drejt Amerikës. Dy shekuj më vonë, në vitin 1943, pasardhësi i zgjedhur i kësaj familjeje, Dwight Eisenhower, u emërua komandant suprem i forcave aleate gjatë zbarkimit në Normandi, pozicion në të cilin qëndroi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke u ngritur në gradën e komandantit të përgjithshëm. Origjina e tij – jo edhe aq e largët – gjermane nuk e pengoi aspak Eisenhowerin të shkatërrojë trupat e Hitlerit, ngjarje që përbën edhe startin rrugëtimit që disa vite më vonë e çoi në presidencën e Shteteve të Bashkuara.

Do të ishte një naivitet i madh të mendohet që gjenerali Eisenhower ndjente se i përkiste kombit gjerman meqë, siç sugjeron mbiemri i tij gjermanik, stërgjyshi i tij gjermanofon protestant i la brigjet e Rinit me destinacion Kanzasin. Në fund të fundit, ai vetë, fituesi i Luftës, duke folur në Londër në dhjetor 1945, deklaroi me krenari: “I come from the very heart of America”.

Çështja është çfarë dëshiron dhe si ndihet secili dhe secila dhe jo se nga erdhën paraardhësit e tij gjatë shekullit XV. Ku qëndron “zemra” e tij dhe jo “gjaku” i tij. Nuk ekziston gjaku grek apo shqiptar. Ekziston shpirti. Eisenhower ishte amerikan. Dhe çfarë amerikani! E thënë ndryshe, rëndësi ka komponenti i vullnetit, pavarësisht nëse bazohet në një origjinë, gjuhë, fe, kulturë ose jo.

Nëse nuk ndjekim këtë kriter, atëherë jemi të dënuar të jetojmë në iluzione të përhershme: të zbulojmë shqiptarë në vend të arvanitasve në Mesogia të Atikës, gjermanë në Kanzas në vend të amerikanëve, francezë në Montreal dhe jo kanadezë, holandezë në Amvers, portugezë në Rio, italianë në Buenos Aires, bullgarë në Shkup në vend të maqedonasve etj. Dhe, sigurisht nuk do të mundnim kurrë të kuptonim ngjarje të tilla historike si lufta amerikane për pavarësi, meqë “gjaku” i të gjithëve ishte anglez. Shembujt janë të panumërt. Dhe, kuptohet që në këtë mënyrë nuk do të arrijmë të gjejmë askund amerikanë, zviceranë, belgë, ukrainas, pasi të gjithë do t’i konsiderojmë “krijime”. Kjo është ajo që Putini po u bën ukrainasve. Thotë se ata nuk ekzistojnë si komb dhe se janë rusë.

Nga ana tjetër, të gjitha kombet, e sidomos ato më të vegjlit dhe “të uriturit” për sukses, e ndjejnë fort nevojën për të zbuluar fëmijët e tyre kudo dhe gjithmonë në botë. Kur ata madje besojnë se janë edhe më të lashtët në botë, siç ndodh me kombin grek, por edhe me atë shqiptar, atëherë përpjekja për të përvetësuar kolektivisht sukseset individuale të artistëve, sportistëve apo të ndonjë njeriu tjetër të famshëm pushon së qeni thjesht një lapsus historik. Është patetike. Gregory Peck ishte gjysmë grek, thonë: Grigoris Peckios, me një prejardhje të humbur midis Greqisë dhe Irlandës në shekullin XVIII. Castro nuk është kubanez, por spanjoll. Familja Kennedy nuk është amerikane, por irlandeze. Ish-Presidentja braziliane Dilma Rousseff nuk është braziliane, por bullgare dhe lista nuk përfundon kurrë.
Reklama

Dhe, për ta mbyllur, le të themi që Irini Pappas nuk ishte as arvanitase. Fshati i saj, Hiliomodi në Korint si dhe Agionori nga erdhën banorët e Hiliomodit, nuk flisnin dialektin arvanitas për të paktën 150 vitet e fundit, ndryshe nga shumica e fshatrave në rajonin e tyre. Ata flisnin një dialekt të vjetër grek të Peloponezit, një fakt që ndoshta sugjeron një gjuhë shumë të vjetër greke. Siç kanë vënë në dukje studiuesit e arvanitasve dhe ekspertët e shkëlqyer të kësaj çështjeje, si Leonidas Empirikos dhe Lambros Baltsiotis, kemi të bëjmë me një “pykë” greqishtfolëse midis dy rajoneve të mëdha shqipfolëse.

Megjithatë, edhe sikur të ishte, nuk do ndryshonin shumë nga ato që shkrova me sipër. E thënë ndryshe, i duam mitet, por më shumë duam të vërtetën.

(Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Politike, Panteion University, Athinë, Greqi)

(Telegrafi)

blank

Ndërron jetë reperi Coolio i ‘Gangsta’s Paradise’, këngës së famshme fituese në Grammy

Coolio, reperi fitues i Grammy-t, më i njohur për këngën e vitit 1995 “Gangsta’s Paradise”, ka vdekur, konfirmoi menaxherja e tij të mërkurën. Ai ishte 59 vjeç.

“Jemi të pikëlluar nga humbja e mikut dhe klientit tonë të dashur, Coolio, i cili ndërroi jetë këtë pasdite”, tha Sheila Finegan në një deklaratë për The Times. “Ai preku botën me dhuntinë e talentit të tij dhe do t’i mungojë shumë.

“Faleminderit për të gjithë në mbarë botën që e kanë dëgjuar muzikën e tij dhe për të gjithë ata që kanë ndihmuar në lidhje me vdekjen e tij. Ju lutemi, mbajini të dashurit e Coolio në mendimet dhe lutjet tuaja.”

Muzikanti u gjet pa ndjenja pasditen e së mërkurës në dyshemenë e banjës në shtëpinë e një miku, tha menaxheri Jarez Posey për TMZ, i cili raportoi fillimisht lajmin. Asnjë shkak zyrtar i vdekjes nuk është përcaktuar, por dyshohet për arrest kardiak, tha Posey për faqen e internetit. syri.net

blank

Pas gati 10 vitesh histori dashurie, martohet sot Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha!

Me shumë kuriozitet pritet ceremonia e dasmës së ditës së sotme (e dielë) mes Armina Mevlanit dhe Shkëlzen Berishës. Pas gati 10 vitesh në një histori dashurie, çifti më në fund do të celebrohet sotme, duke nisur një etapë të re në jetën e tyre. Ishte vetë Armina ajo që e zbuloi lajmin, rreth dy javë më parë.

Panorama Plus mundi të zbuloi disa detaje nga kjo ceremoni që do të mbahet në prag të përvjetorit të tyre të 10-të. Ftesa u ka shkuar tashmë rreth 300 personave që do të jenë dëshmitarë të kësaj feste.

Dekori dhe të gjitha detajet e tjera janë përzgjedhur nga vetë çifti, duke i kushtuar një vëmendje të madhe, sidomos Armina, që njihet për shijen e saj të hollë.

Festa do të mbahet në një agroturizëm në Shijak dhe me aq sa kemi mundur të mësojmë, festa do të nis që në orën 17:00 me një kokteil, dhe më pas darka.

Vetë blogerja ka zbuluar disa detaje nga festa e dasmës së saj. Në fund të episodit të “Goca dhe Gra”, ku Armina është moderatore, ajo rrëfeu emocionet, ndërsa tha se më shumë do të flasë pas dasmës.

Gjatë bisedës, Dalina Buzi tha: “Javës tjetër do jesh si zonja Berisha, do na vish në studio”, ndërsa Armina u përgjigj duke thënë: “Jo, do të vij si zonja Mevlani. Do të vazhdoj të jem zonja Mevlani”.

Kështu ajo la të kuptohet se do të mbajë mbiemrin e saj edhe pas martesës. Gjatë emisionit, vajzat nuk kursyen komentet plot humor. Jerina e pyeti Dalinën nëse e ka vendosur sa lekë do t’i hedhë Arminës në dasmë.

“Do hedh që të bie në sy, ose nga zarfi, ose nga ajo brenda. Do bëj një zarf të madh dhe ta lë aty, se me para na e kalojnë të tjerët”, u përgjigj moderatorja. Më herët, Mevlani u shpreh se kanë zgjedhur pikërisht muajin shtator pasi u pëlqen vjeshta të dyve dhe ka mohuar se po bën një dasmë për arsye se po pret një fëmijë siç është përfolur.

“Muajin shtator e zgjodhëm për të bërë dasmën sepse na pëlqen vjeshta. Ne nuk e kemi planifikuar dasmën për të pritur një fëmijë. Gjithmonë kam dashur të kem dasmën para fëmijës, dua ta shijoj. Vjehrri im, Sali Berisha, është gjithmonë mbështetës dhe ka qenë në rregull me datën e dasmës. Menyja e dasmës do të jetë tradicionale. Në dasmë do të ketë të ftuar më pak se 300 persona, për disa detaje të dasmës më ka ndihmuar shumë edhe kunata, motra e Shkëlzenit, me të cilën kam marrëdhënie fantastike”, tha Mevlani.

Shkëlzeni dhe Armina kanë zgjedhur një dasmë tradicionale në çdo detaj të tyre. Menyja e përzgjedhur prej tyre është tradicionale shqiptare, madje edhe pijet do të jenë prodhim i vendit tonë. Është kjo mënyra që çifti ka zgjedhur për të promovuar edhe kulinarinë e vendit tonë në ditën e tyre më të rëndësishme.

Nga ajo çfarë kemi mundur të mësojmë, Armina dhe Shkëlzeni do të lidhin martesë në rreth 200 të ftuar. Natyrisht që shumë të ftuar VIP do të jenë në dasmën e tyre. Veç personazheve nga bota e artit, kulturës, në dasmën e dyshes nuk do të mungojnë as figura të politikës.

Moderatorja e njohur ka zgjedhur 3 fustane për dasmën e saj. Teksa njëri është një krijim i Vivienne Westwood enkas për të. Një krijim i personalizuar me stilin e blogurës, që me aq sa dimë, do të ketë disa detaje nga veshja e famshme që Armina Mevlani kishte në Festivalin e Kanës disa vite më parë. Në të njëjtën linjë do të jetë edhe fustani i saj i nusërisë.

Ndërkohë për 2 fustanet e tjerë, Armina ia ka besuar krijimit të stilistit shqiptar, duke vijuar kështu linjën e ‘Made in Albania’ në ceremoninë e saj. Ceremonia mes miqve dhe të afërmve do të mbahet në ambientet e jashtme të resortit, ku çifti ka përzgjedhur edhe muzikë shqiptare për të festuar, duke preferuar që në ditën e tyre më të lumtur çifti të personifikohet edhe me shijen edhe traditën shqiptare.

Dasma e blogeres dhe djali të kreut të Partisë Demokratike vjen në prag të 10-vjetorit të lidhjes së tyre. Në këtë marrëdhënie afatgjatë, ata kanë preferuar që t’i bëjnë të gjitha hapat tradicionalisht. Vite më parë, dyshja bëri edhe një ceremoni fejese me familjarët e afërt. Ndaj edhe dasma e tyre nuk kishte se si mos të kishte të njëjtën linjë.

E tashmë që dasma e çiftit është pak ditë larg, duket se planet e tyre shkojnë për zgjerimin e familjes. Armina Mevlani ka realizuar së fundmi një intervistë virtuale me ndjekësit e saj në “Instagram”.

Si çdo herë ndjekësit e modeles janë kuriozë të dinë detaje rreth jetës së saj personale, sidomos në lidhje me partnerin e saj Shkëlzen Berishën. Një ndjekës e ka pyetur moderatoren nëse është shtatzënë dhe Armina nuk ka ngurruar aspak t’i përgjigjet me sinqeritet ndjekësit.

“Akoma jo, së shpejti, do të doja ta përjetoja këtë eksperiencë në fakt”. Blogerja ka treguar disa ditë më parë detaje për lidhjen e saj gjatë, ku zbuloi edhe sekretin e lidhjes së saj disavjeçare.

“Që në momentin e parë që e kam parë, jam tërhequr pa e ditur fare kush ishte… më pas me kalimin e kohës tek ai gjeta shumë gjëra. Ndajmë të njëjtat këndvështrime për jetën, na pëlqejnë të njëjtat rutina, jemi romantikë, ëndërrimtarë, nëse na lë bashkë kemi gjithmonë diçka për të folur dhe koha kalon shumë shpejt. Plotësojmë njëri-tjetrin gjithmonë. Tek ai kam gjetur një partner në çdo gjë”, shkroi Armina në “Instastory”, krahas një fotoje të saj me djalin e Sali Berishës.

Një tjetër ndjekës e pyeti Arminën se cilat janë cilësitë që ajo vlerëson më shumë te partneri i saj.

“Është shumë me këmbë në tokë, shumë xhentil, me kulturë, i dashur dhe për më tepër i ndjeshëm, njëlloj si unë, për njerëzit dhe kafshët”, theksoi blogerja. Gjithashtu, Armina tregoi edhe ‘puthjen perfekte’ për të.

Duke zbuluar se është një vajzë romantike, Armina tha se puthja perfekte për të është në shi gjatë vjeshtës. Si gjithnjë e hapur për mediat, ajo ka përshkruar sesi do të ishte jeta e saj nëse nuk do të ishte njohur me Shkëlzenin. Sipas moderatores, ajo me shumë mundësi do të kishte vazhduar masterin jashtë në lidhje me modën apo filmin.

Gjithashtu, synimi i saj ishte dhe Londra ose Milano pasi i ishin ofruar shumë oferta pune në kohën e ‘Miss World’. Por ajo që mund të themi është se planet e afërta të Arminës tashmë vërtitet rreth jetës private, por natyrisht që kjo nuk do të thotë se karriera nuk është në fokus të sajin.

Çifti pas dasmës do të marrë pak kohë për të pushuar e për të kryer edhe muajin e tyre të mjaltit, ashtu si tradita e do. Por rikthimi në Tiranë do të jetë si gjithnjë i angazhuar me punë. Armina i është rikthyer sezonit të dytë të “Goca dhe Gra”, ku në rolin e saj si moderatorë shpesh ndan detaje nga jeta private./Panorama Plus

blank

PriFest hap dyert për festivalin ukrainas të filmit nga Odessa

VOA/Edlira Bllaca

“A day in Ukraine” apo në shqip “Një ditë në Ukrainë” titullohet filmi i parë i kinematografisë ukrainase i cili flet për agresionin që Rusia nisi në mars të këtij viti në Ukrainë. Ky film u shfaq të premten në mbrëmje në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë – PriFest.

Drejtori i këtij festivali, Fatos Berisha, i tha Zërit të Amerikës se filmi është pjesë e programit të festivalit ukrainas të filmit Odesa, që do të shfaqet këtë vit në kuadër të PriFestit, për shkak të pamundësisë për t’u mbajtur në Ukrainë.

“Ne kemi qenë miq që më përpara dhe duke e parë luftën në Ukrainë ka qenë e natyrshme që ne të bëjmë diçka për ta. Erdhi si natyrshëm nevoja për t’i ndihmuar dhe i kemi ftuar e kështu ka nisur gjithë ky bashkëpunim. Pra festivali i Odesës e mban një edicion të shkurtë brenda PriFestit dhe e kemi titulluar ‘Odesa beyond borders’ apo ‘Odesa përtej kufijve”, tha ai.

Këto dy ngjarje kulturore zakonisht janë zhvilluar në muajin korrik. Këtë vit të dyja ishin planifikuar te mbahen javën e fundit të korrikut, por drejtuesit e festivalit të filmit në Odesa u detyruan ta anulojnë edicionin për shkak të luftës, ndërsa festivali i filmit në Prishtinë u shty për shkak se drejtoresha e tij, Vjosa Berisha, ndërroi jetë në muajin qershor.

Zoti Berisha, thotë se nisma për të ftuar festivalin e Odesës në Prishtinë, ishte në fakt e ish drejtoreshës, njëherësh ish bashkëshortes së tij, Vjosa Berishës.

“Nuk ka qenë e lehtë të them të drejtën, si logjistikë ka qenë shumë e komplikuar, ata kanë qenë të shpërndarë gjithandej nëpër Evropë, pastaj ka qenë edhe problem të dilet nga Ukraina sepse duhet leje e posaçme, mos të flas që Kosova me Ukrainën nuk kanë as marrëdhënie dypalëshe. Por ia dolëm edhe falë mbështetjes nga komuna e Prishtinës, mos të harroj ta përmend meqë e ka mbështetur këtë nismë që nga dita e parë”, thotë ai.

Drejtoresha e festivalit të Odesës, Anna Machukh, i tha Zërit të Amerikës se pas Prishtinës, mbi 10 festivale të tjera kanë krijuar hapësirë për shfaqjen e programeve të ndryshme të festivalit ukrainas. Ajo vlerëson se zhvillimi i ngjarjeve kulturore në kohë lufte është sfidues por shumë i rëndësishëm.

“Deri në muajin maj unë po u thosha të gjithë miqve e njerëzve që po pyesnin nëse do të mbahej festivali në Ukrainë se ‘po do ta kemi festivalin sapo të fitojmë’. Por fatkeqësisht jemi në situatën ku lufta vazhdon në Ukrainë dhe është akoma e pamundur të zhvillojmë festivale ndërkombëtare të filmit, të kemi të ftuar ndërkombëtar, kështu që po zhvillojmë pjesë të ndryshme të programit të festivalit nëpër shtete të ndryshme”, tha ajo.

Nga të gjitha vendet ku ka udhëtuar si drejtuese e festivalit të Odesës, zonja Machukh veçon Prishtinën, për shkak të siç thotë historisë së ngjashme të saj me luftën në Ukrainë.

“Gjatë muajve të fundit kam vizituar shumë festivale nëpër vende të ndryshme. Por në Kosovë ne ndiejmë një mbështetje të tillë të madhe meqë njerëzit këtu kanë kaluar nëpër një situatë të ngjashme, kanë kaluar nëpër luftë, kanë ndier të gjitha ato që ne po ndiejmë tani. Prandaj Kosova na jep ndjesinë e kthimit në shtëpi edhe pse nuk është shtëpia jonë. Shpresoj që vitin tjetër do të kemi mundësinë të zhvillojmë një pjesë të PriFestit në Ukrainë dhe ndërkohë uroj që qeveria jonë të mos bëjë më gabime por ta njoh pavarësinë e Kosovës sa më parë”, thotë ajo.

Me moton “Për Të”, PriFest këtë vit i përkushtohet ish drejtueses së tij të ndjerë, Vjosa Berishës. Gjatë pesë ditëve sa zgjat festivali, do të shfaqen rreth 45 filma nga rajoni e bota, shumica prej të cilëve janë premierë në Kosovë.

blank

Në SHBA rekomandohen kontrolle rutinore për ankthin

RFE/RL

Associated Press

Mjekët amerikanë duhet të kontrollojnë rregullisht të gjithë të rriturit nën moshën 65-vjeçare, për të kuptuar nëse vuajnë nga ankthi, ka propozuar Task-forca për shërbime parandaluese në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është hera e parë që është rekomanduar diçka e tillë për të rriturit pa simptoma.

Propozimi është i hapur për diskutime publike deri më 17 tetor, mirëpo ky grup shpesh e ka të konfirmuar draft-udhëzimin.

Rekomandimet janë të bazuara në një hulumtim që ka nisur para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, i cili ka vënë në pah përfitimet dhe rreziqet nga kontrolle të tilla.

Duke marrë parasysh problemet në rritje të shëndetit mendor, të cilat janë të lidhura me izolimin dhe stresin e pandemisë, udhëzimet e reja kanë ardhur “në kohën e duhur”, ka thënë Lori Pbert, anëtare dhe bashkë-autore e dokumentit.

Pbert është hulumtuese për psikologji në Shkollën Mjekësore Chan, që funksionon në kuadër të Universitetit Masaçusets.

Task-forca ka thënë se të dhënat për përfitimet, duke përfshirë trajtimet efektive, tejkalojnë të gjitha rreziqet.

Çfarë është ankthi?

Sipas Institutit Kombëtar për Shëndetin Mendor në SHBA, ankthi i zakonshëm është pjesë normale e jetës.

Shumë njerëz brengosen për shëndetin, problemet familjare apo situatën financiare.

Mirëpo problemet me ankth janë më të gjata dhe më të rënda sesa shqetësimi i përkohshëm.

Niveli i tillë i ankthit nuk largohet pa trajtim, dhe madje mund të përkeqësohet pas një kohe.

Simptomat mund të ndikojnë në përditshmërinë e një individi, sikurse në punë, shkollë dhe marrëdhëniet me komunitetin.

Ekzistojnë disa lloje të ankthit: sulme paniku, shqetësim nga turmat dhe fobi të ndryshme.

Disa faktorë që mund të çojnë në shqetësime të tilla janë:

  • Ndjenja e nervozës kur një person përballet me situata të reja
  • Ekspozimi në ambiente negative dhe stresuese
  • Historiku i çrregullimeve të tilla në mesin e familjarëve

Problemet me stresin janë në mesin e ankesave më të shpeshta sa i përket shëndetit mendor, duke prekur 40 për qind të grave amerikane, të paktën një herë në jetën e tyre.

Probleme të ngjashme raportojnë edhe më shumë se një në katër burra, ka thënë Pbert.

Njerëzit me ngjyrë, ata që jetojnë në varfëri, njerëzit që kanë humbur partnerët, dhe ata që kanë probleme tjera mendore, janë në mesin e të rriturve që kanë më shumë mundësi të përballen me ankth, i cili mund të shpërfaqet si sulm paniku apo fobi të ndryshme.

Po ashtu, rreth një në 10 gra shtatzëna apo lehona përballen me ankth.

Kontrollet e zakonshme do të përfshinin pyetësorë të shpejtë rreth simptomave sikurse frika dhe shqetësimet që ndërlidhen me aktivitete të zakonshme.

Shërbime të tilla mund të ofrohen në qendrat për kujdes parësor, ka thënë task-forca, ndonëse nuk e ka specifikuar sa shpesh duhet të kryhen kontrolle të tilla.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet ditur është se një testim i tillë nuk është i mjaftueshëm për të diagnostikuar ankthin”, ka thënë Pbert.

Hapi i radhës përfshin një vlerësim më të thuktë nga një profesionist i shëndetit mendor, ndonëse Pbert e ka pranuar se sigurimi i një ndihme të tillë mund të bëhet proces i vështirë, duke marrë parasysh mungesën e profesionistëve.

Megan Whalen, 31-vjeçare, specialiste e marketingut, është diagnostikuar me ankth më 2013.

Ajo beson se kontrollet për shëndetin mendor duhet të bëhen po aq shpesh sa ato për shëndetin fizik.

“Shëndeti është shëndet, qoftë problem që shihet apo jo”, ka thënë Whalen, nga Nju Xhersi.

Asaj i kanë ndihmuar terapitë me ilaçe dhe konsultat tjera me mjekun, ndonëse simptomat i janë përkeqësuar përgjatë pandemisë së koronavirusit.

“Pandemia më ka bërë që të frikësohem nëse e lë shtëpinë, ankthi më ka bërë të mendoj se secili ambient jashtë shtëpisë së fëmijërisë time është i pasigurt”, ka thënë Whelan.

“Unë ende përballem me ndjenjën e frikës ndonjëherë. Është pjesë e jetës sime tani, edhe pse tentoj ta menaxhoj sa më mirë që mundem”.

Task-forca beson se ende nuk janë bërë hulumtime solide nëse duhet rekomanduar që të kryhen kontrolle të rregullta kundër ankthit te personat mbi moshën 65-vjeçare.

Ky grup vazhdon të rekomandojë që fëmijët dhe të rriturit të bëjnë kontrolle rreth simptomave të depresionit, mirëpo ka thënë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për të vlerësuar përfitimet dhe dëmet e kontrolleve të tilla te personat që nuk kanë simptoma shqetësuese për vetëvrasje.

Edhe më 2020, një grup i lidhur me Kolegjin amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve, ka rekomanduar kontrolle rutinore për vajzat mbi moshën 13-vjeçare dhe gratë, ashtu që të kontrollohen simptomat e ankthit.

Melissa Lewis-Duarte, instruktore për mirëqenie nga Arizona, ka thënë se frymëmarrja ritmike, meditimi dhe përpilimi i një liste – në baza ditore – me tri gjërat për të cilat jeni mirënjohës/e, i ka ndihmuar asaj në menaxhim të ankthit.

“Mjekët thonë ‘Sigurohuni që po flini mjaftueshëm, kontrolloni stresin tuaj’. Po, e kuptoj këtë gjë”, mirëpo jo secili di ta menaxhojë këtë situatë, ka thënë 42-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve.

“Është e vështirë që të bëni prioritet shëndetin ndaj vetvetes, mirëpo diçka e tillë është e domosdoshme”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

Kosova do të marrë pjesë në Oscars 2023 me filmin “Në kërkim të Venerës”

‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023.

“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, “Në kërkim të Venerës” përfaqëson autenticitetin por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë.” u shpreh komiteti selektues i Kosovës përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës.

Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi. “Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’ një jetë-botë e një adoleshente e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësoj Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë.” shtoi, Lum Çitaku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të komitetit selektues.

Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve e Oscars ishte e përbërë nga

kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban

Uka, Valmira Hyseni, dhe Enis Saraçi.

Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazher Stefan

Stabenow, skenograf Arben Shalën, zërin nga Risto Alchinov, kostumografe Desantila Lika, grimere Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut.

blank

Më 15 shtator 1940 lindi aktori i shquar Reshat Arbana

Reshat Arbana lindi më 15 shtator 1940 në Tiranë, Shqipëri. Ai është një aktor teatri dhe filmi. Një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963.

Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksander Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën Streha e të harruarve.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Më 26 nëntor 2011 në koncertin “Nëntori II” organizuar në kuadrin e javës së kulturës shqiptare me rastin e 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin “Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali” zotit Reshat Arbana të akorduar në emër të 24 shoqatave dhe subjekteve në Itali me motivacionin: Për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë. Çmimi ju dorëzua nga përgjegjesi i organizimit të shoqatës “Scanderbeg Parma” zoti Durim Lika.

Filmografia

Ada (2013)
Në kërkim të kujt (2009) – serial nga Top Channel, Asim Qani
Familja Moderne (2008) – serial nga Kosova, Gjergji
Kaskadori shqiptar (1998) (TV)
Vite të rëndësishme (1997)
Jeta në duart e tjetrit (1991) – Profesori
Balada e Kurbinit (1990) – Kuke Memini, kryezoti
Vetmi (1990) – Andri
Flutura në kabinën time (1988) – Xhaxhai
Rikonstruksioni (1988) (TV) – Shoku Emil, Kryeinxhinieri i kantierit
Binarët (1987) – Ali Morina
Kur hapen dyert e jetës (1986) – Kryetari i këshillit të fshatit
Hije që mbeten pas (1985) – Adnan Kodra
Të paftuarit (1985) – Mark Ukacjerra
Kush vdes në këmbë (1984) – Dajlan Beu
Shirat e vjeshtës (1984) – I deleguari i Ministrisë
Zambakët e bardhë (1984) – Pedagog Petriti
Dora e ngrohtë (1983)- Ahmeti
Fundi i një gjakmarrjeje (1983) – Komandanti i Xhandarmërisë
Gracka (1983) – Gjenerali Amerikan
Kohë e largët (1983)
Nëntori i dytë (1982) – Isa Boletini
Shokët (1982) – Nikolla
Gjurmë në kaltërsi (1981) – Komandanti
Intendenti (1980) – Kryetari i këshillit të fshatit
Liri a vdekje (1979) – Bimbashi
Nga mesi i errësirës – (1978) – Zoti Ugolini, Keshilltari
Gjeneral gramafoni (1978) – Prefekti
Kur hidheshin themelet (1978) (TV) – Beqir Aga
Fije që priten (1976) – Sami Ameni
Pylli i lirisë (1976) – Xha Kovi
Tinguj lufte (1976) – Mësues Naimi
Kapedani – (1972) – Një nga të rinjtë e fshatit
Plagë të vjetra (1968) – Pacienti
Duel i heshtur (1967), – Islami
Komisari i dritës (1966) – Nikoll Mustaqeziu

 

Wikipedia

blank

“Unë jam shqiptare nga Greqia”- Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare aktorja e njohur Irene Papas, talenti brilant që e adhuroi gjithë bota

Ka ndërruar jetë Irene Papas, një nga aktoret më të rëndësishme greke të brezit të saj. Aktorja dhe këngëtarja ka lindur pranë Korinthit dhe ka një karrierë që zgjat më shumë se 50 vjet, me mbi 70 filma. Në vitin 2018, u njoftua se Papas vuante nga sëmundja e Alzheimerit dhe jetonte larg syrit të publikut.

Irene Papas lindi në vitin 1926. Nëna e saj ishte mësuese dhe babai i saj jepte mësime për dramë klasike dhe vetë ka treguar se ishte magjepsur nga aktrimi që në moshë të vogël. U diplomua në Shkollën e Dramës të Teatrit Kombëtar të Athinës. Irene Papas shpejt u bë një emër i madh në takimet e producentëve të Hollivudit dhe luajti një numër të madh filmash që e bënë atë një emër të njohur ndërkombëtarisht.

Papas ishte një liberale e përjetshme dhe në vitin 1967, kur junta ushtarake greke erdhi në pushtet, ajo bëri thirrje për një “bojkot kulturor” kundër “Rajhut të Katërt”. Kur junta konsolidoi pushtetin e saj në 1967, Papas u dërgua në mërgim dhe u kthye Greqi në vitin 1974.
Pappas ka pranuar origjinën e saj shqiptare nga babai. Thuhet se gjatë xhirimeve të filmit “Odissea” në vitin 1968, në momente pushimi të dy aktorët bisedonin së bashku në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga trupa e filmit.

Kur gazetarët e kanë pyetur se cilin gjuhë flisnin dhe përgjigja e Irene Papas ka qenë: Flasim gjuhën shqipe. Unë jam shqiptare nga Greqia dhe Fehmiu është shqiptar nga Jugosllavia. Irene Pappas i kapërceu kufijtë e Greqisë dhe është ngjitur në piedestalin e yjeve të kinemasë botërore, duke u shndërruar në yll të kinemasë botërore.

 

Papas ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur, si: Antoni Kuin, Zhan Maria Volonte, Bekim Fehmiu, Marlon Brando, Katerinë Hepbërn, etj. Irene Pappas është nderuar me titullin e nderit, si “Gruaja e Evropës”, një titull që iu jepet grave të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë në civilizimin evropian.bw

blank

Babai i dinastisë së muzikës- Ndahet nga jeta “Mjeshtri i madh” i violinës Hetem Qerimaj

Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh” i violinës Hetem Qerimaj.

Qerimaj, i konsideruar si babai i dinastisë së muzikë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, muzikanti i njohur Fatos Qerimaj.

“Të nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jetë të babit tim të dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranoftë në parajsë”, ka njoftuar djali i tij, Fatos Qerimaj.

Hetem Qerimaj, shumë i dashur për publikun shqiptar mundi të ngrejë një dinasti artistësh, të trashëgojë artin e tij brez pas brezi. Janë 9 artistë nga tre breza të kësaj familjeje.bw

blank

Ndahet nga jeta papritur aktori i famshëm australian Jack Charles

Aktori i famshëm australian Jack Charles ka vdekur në moshën 79-vjeçare. Charles luajti në filma të shquar australianë në një karrierë që përfshin dekada dhe lavdërohet nga shumë si “gjyshi” i teatrit indigjen. Charles vdiq paqësisht të martën në një spital të Melburnit pasi pësoi një goditje në tru.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se Charles la “një trashëgimi të gëzueshme”. Charles bashkëthemeloi grupin e parë teatror të Australisë të udhëhequr nga aborigjenët në Melburn në 1971. Ai është shfaqur në filma duke përfshirë The Chant of Jimmie Blacksmith, Bedevil dhe Blackfellas.

Charles ishte katër muajsh kur e larguan nga e ëma si pjesë e politikave tashmë famëkeqe që synonin “asimilimin” e fëmijëve aborigjenë në familje të bardha. Charles i kaloi vitet e tij të hershme nën kujdesin shtetëror, ku u abuzua fizikisht dhe seksualisht, raporton BBC.

Në vitin 2019, ai i tha BBC-së se si trauma e fëmijërisë së tij e pa atë të kalonte pesë dekadat e ardhshme brenda dhe jashtë burgut. /abcnews.al

blank


Send this to a friend