Analisti Fatos Lubonja tha se Brukseli sheh si problem mosheqjen e imunitetit të Ballukut nga Rama dhe mazhoranca e tij në Parlament, si dhe mbrojtjen që i bëri kundër drejtësisë, duke tentuar që ta kapë atë.
“Në Bruksel problem është mosheqja e imunitetit të Ballukut që nuk u aprovua, ky është problem i madh. Në Gjykatën e Lartë mendoj se është influenca e po atij që nuk pranoi që të hiqej imuniteti i Ballukut. Kjo vjen nga reforma dhe interpretimi që i bënë këta për arrestimet e të korruptuarve në fillim. Në Bruksel kjo mendoj se do shihet si kontroll i drejtësisë”, tha Lubonja në studion e “Kjo Javë” në News 24 mbrëmjen e sotme.
Analisti dha mendimin e tij edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë, ecurinë e deritanishme dhe shkaqet e hapjes së grupkapitujve.
Lubonja theksoi se integrimi deri tani ka qenë më shumë çështje gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë dhe jo për standardet.
“Lidhur me integrimin, faktorët e futjes së Shqipërisë në Evropë mendoj se nuk kanë të bëjnë vetëm me standardet, por janë edhe faktorët gjeostrategjikë. Nëse ju kujtohet, disa vjet më herët, para luftës në Ukrainë, kanë qenë 3 shtete kritike, Gjermania, Holanda dhe Greqia, veçanërisht dy të parat, kërkonin shumëçka që Shqipëria s’kishte realizuar, ishte Basha kreu i opozitës. Në luftën në Ukrainë Gjermania dhe Holanda u bënë përkrahëse të idesë dhe shkaku ishte gjeostrategjik dhe jo standardet. Nuk e dimë nëse strategjia mbetet e njëjtë, koha ndryshon, lufta në Ukrainë nuk është e njëjta”, u shpreh ai.