VOAL

VOAL

Botuesit e VOAL ju urojnë nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2022! Çatia e përbashkët e shqiptarëve – Demokracia!

January 1, 2022
blank

Komentet

blank

UGSHPD i fton gazetarët të bojkotojnë Ramën, derisa ai të heqë masën ndëshkimore ndaj kolegut Muka

Reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës:

Edi Rama, në cilësinë e autokratit famëkeq të Shqipërisë, thelloi precedentet e mëparshme me sjelljen e tij të vrazhdë, pa minimumin e edukatës qytetare ndaj gazetarit Klevi Muka. Duke u ndodhur përballë një pyetjeje së cilës ministrja e tij Olta Xhaçka nuk i jepte dot përgjigje, Rama ia shqiptoi gazetarit ndëshkimin nëpërmjet “riedukimit”, një masë që ka ekzistuar vetëm gjatë diktaturës. Ashtu si kolegia Ambrozia Meta, edhe Klevi Muka do të jetë i përjashtuar nga e drejta për të marrë pjesë në takimet e kreut të qeverisë me mediat.

Rama u tregua i paduruar, kur gazetari i drejtoi një pyetje Olta Xhaçkës nëse ajo e ka zbatuar Kodin e ri Etik për Këshillin e Ministrave për të mos u takuar me biznesmenët pa praninë e dy punonjësve të administratës, shkelja e të cilit ka pasoja deri në largimin e saj nga detyra. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) e gjen shumë me vend pyetjen e drejtë që gazetari ia bën ministres Xhaçka në praninë e Ramës.

Reporterët Pa Kufij, siç është në dijeni edhe opinioni shqiptar, e kanë dënuar si të papranueshme sjelljen e tij të mëparshme ndaj gazetares Meta. Duke krijuar recidiv tjetër me gazetarin Muka, Rama tregon arrogancë jo vetëm ndaj gazetarëve shqiptarë, jo vetëm ndaj opinionit shqiptar, por edhe ndaj organizmave perëndimore që mbrojnë të drejtat e gazetarëve për të pasqyruar me profesionalizëm realitetin, por edhe të drejtën e shqiptarëve për të pasur një gazetari të lirë, të drejtë, të përgjegjshme dhe profesionale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) iu bashkohet të gjitha shqetësimeve që krijojnë në Shqipëri sjelljet sistematike të Edi Ramës ndaj gazetarëve dhe ngulmon që ai të reflektojë duke iu kërkuar falje gazetarit Klevi Muka, gazetares Ambrozia Meta, kolegëve të tyre shqiptarë dhe opinionit publik shqiptar.

Ne i ftojmë gazetarët që t’i bojkotojnë takimet e Edi Ramës me mediat deri sa ai të tërheqë masën e “riedukimit” ndaj kolegut Klevi Muka. I ftojmë të gjithë faktorët shqiptarë të interesuar për fjalën e lirë, për mendimin e lirë, për të drejtën e informimit profesional që të reagojnë me të gjitha format e mundshme demokratike ndaj arrogancës së shtuar të Ramës ndaj gazetarëve dhe mediave.

UGPSHD i bën thirrje dhe pronarëve të mediave, pavarësisht se shume prej tyre mund te jene te lidhur me interesa financiare me qeverine, te mbrojne te drejtat dhe dinjitetin e gazetareve.

 

 

 

 

blank

Skandali – Tërbohet prapë Rama: ‘Ndëshkohet’ edhe një tjetër gazetar me 3 muaj edukim, pas Ambrozia Metës edhe Klevi Muka

Kryeministri Edi Rama ka “futur në riedukim” një tjetër gazetar, Klevi Muka, pas pyetjes që ky i fundit i drejtoi ministres Olta Xhaçka.

Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju, në 29 prill ka hyrë në fuqi Kodi i ri Etik për Këshillin e Ministrave, i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjësve të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik në shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”.

Rama: Tani dëgjo, tani këtu përgjigjen do ta jap unë, do kalosh në rieduktim si Ambrozia në tre muajt e ardhshëm, nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.

Gazetari: Zbatimi i Kodit Etik për çfarë është bërë? Kodi Etik a do zbatohet apo jo, nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, ju e keni thënë që do ketë sanksione, e keni thënë kur keni prezantuar kabinetin e ri qeveritar.

Rama: Kjo është një tjetër shkelje e Kodit Etik të gazetarit në një konferencë shtypi, që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime, dhe po të them që siç e pe me Ambrozian, komunikimi ishte perfekt… për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet rieduktim, tre muaj, përgjigjen e radhës do ta marrësh pas tre muajsh, në konferencën e tetorit je i mirëpritur dhe shpresoj dhe i riedukuar për të marrë përgjigje.

blank

Njohjet e reja, flet ministrja Gërvalla

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur për punën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, raporton Express.

Gërvalla ka thënë se Greqia mund të jetë ndër të parat shtetet nga pesëshja e BE-së që do ta njohë Kosovën, derisa ka shtuar se nuk e përjashton edhe mundësinë që Greqia të mos e njohë e vetme Kosovën por që ta marrë vendimin për njohjen e Kosovës bashkë me një grup shtetesh të tjera.

Megjithatë Gërvalla s’ka dhënë ndonjë datë apo afat kohor se kur mund të ndodh një gjë e tillë.

“Unë mendoj që Greqia mund të jetë nga të parat na shtetet e BE-së që do të na njohë, por nuk e përjashtoj mundësinë që Greqia mos të na njohë vetë, por që Greqia bashkë me disa shtete të tjera të na njohin përnjëherë. Por s’mund të nxjerr data. ”, ka thënë Gërvalla në DPT te Fidani në T7.

Ajo tutje ka folur edhe për raportet ndërshtetërore me Greqinë dhe ka thënë se me Athinën zyrtare kanë raportet shumë të mira, madje më të mira se me disa shtete që e kanë njohur Kosovën por që  Prishtina zyrtare s’ka ndonjë raport.

“Me Greqinë i kemi raportet jashtëzakonisht të mira. Me Greqinë diskutojmë ndoshta më intensivisht sesa me shtetet që na kanë njohur. Greqia është në kërkim të një momenti të mirë për të bërë edhe hapin final. Aq më tepër që Kosova është dëshmuar si partner serioz evropian. Mendoj që me Greqinë , unë nuk dua të them data ose të parashikoj çfarë do të ndodh. Por raportet janë shumë të mira dhe diskutojmë shumë tema”, ka thënë ajo.

Ministrja e Jashtme ka thënë se në fillimet e pas pavarësisë ka qenë e rëndësishme që të siguroheshin njohje.

“A mund ta problematizojmë këtë çështjen e njohjeve. Ne kemi tejkaluar fazën e pavarësisë. Ka qenë shumë e rëndësishme në ditët e para të pavarësisë të bëhet një masë kritike e shteteve që na kanë njohur”, ka theksuar ndër të tjera.

blank

Presidentja Osmani: Themelet e shtetit janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me rastin e 32 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese theksoi se kjo shënon hapin vendimtar për realizimin e ëndrrës shekullore për shtetin e Kosovës.

Osmani shprehet se 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, atëkohë morën guximin që në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme nëpërmjet këtij akti heroik e juridik ta artikulojnë vullnetin e popullit të Kosovës për trajtim të barabartë.

“Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet.

Themelet e shtetit janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran!

Urime 2 Korriku!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!”, shkruan Osmani.

blank

Kryeministri mashtrues, hajduti i Shqipërisë dhe shoqëria fantazmë Voltalia Nga Av Kujtim Cakrani

Dje Kryeministri mashtrues dhe hajduti Shqipërisë, njoftoi se, një kompani e quajtur “Voltalia” do nisi nga puna për ndërtimin e një parku energjetikë në zonën e Karavastas, në një sipërfaqe toke prej afro 200 hektarë, natyrisht në tokën e pronarit legjitim.

KM Rama bërë edhe një rezyme të kësaj shoqërie duke reklamuar atë si shoqëri Framceze dhe profilizuar në prodhimin e energjisë diellore.

Për të sqaruar opinionn publik kush është shoqëria “Voltalia” dhe pse KM Rama mashtron?

Shoqëria “Voltalia” nuk ka lidhje fare me prodhimin e Energjisë Solare, ajo nuk është Frencaze, por është e regjistruar në Holland si kompani mëmë.

Sipas QKB shoqëria VOLTALIA në Shqipëri është regjistruar në vitin 2020 dhe kapitali saj është 100 mijë euro! Ndërkohë që ligji për Investimet Strategjike për të tilla investime kërkon që të kesh në llogarinë bankare kur aplikon një shumë prej 50 milion Euro. Gjë që tek kjo shoqëri nuk është!

Shoqëria VOLTALIA është një shoqëri fantazmë sepse nëse shohim emrat e administratorëve janë me prejardhje Latinë, pra është e kuptueshme se këtyre emrave fshihen persona me pushtet në Shqipëri një Ministër dhe zv. Ministër i qeverisë Rama.

Arsye kjo që javën e ardhshme do paraqesim në prokurorinë e posaçme SPAK një kallëzim penal për Shoqërinë Voltalia dhe KM Rama.

Fotot vërtetojnë se kush është Shoqëria Voltalia.

blank
blank

Presidentja Osmani në CNN për Serbinë: Nuk mund të ecësh në rrugë të Moskës dhe të BE-së

Në një intervistë të shkurtër dhënë për “CNN International”, Presidentja Vjosa Osmani ka folur për aspiratat e Kosovës që të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka shikuar të gjejë rrugë tjetër, pos asaj Euroatlantike.

Osmani ka folur edhe për pikëpamjet se Serbia po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk beson në diçka të tillë.

“Serbia provon të ecë edhe rrugës së Moskës edhe rrugës së së Evropës. S’mund të ecësh në të dy rrugët, në të njëjtën kohë”.

Për kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, Presidentja Osmani ka thënë se pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, “çdokush” e ka kuptuar se të jesh në NATO, do të thotë të jesh i sigurt.

“Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Kështu që, praktikisht, arsyeja kryesore pse populli i Kosovës dhe vizioni ynë si krerë të institucioneve të Kosovës është që të bëhemi anëtar i NATO-s, është për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes. Por, edhe se ne nuk e shohim NATO-n vetëm si një makineri ushtarake, por si një sistem bazë të vlerave”, ka thënë Osmani.

blank

Ambasadori Dugolli takohet me presidentin Biden

RFE/RL

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Twitter, ka bërë të ditur se është takuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Dogolli ka publikuar foton me presidentin amerikan Biden, në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se është “krenar për lidhjen unike mes dy vendeve”.

“Mirënjohës që miqësia e qëndrueshme mes popujve tanë përcaktohet dhe ushqehet nga vlera të përbashkëta”, ka shkruar Dugolli.

Ai ka shprehur përkushtimin për thellimin edhe më tej të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Ilir Dugolli është emëruar ambasador i Kosovës në SHBA, në nëntor të vitit 2021.

Në vitin 2019, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Turqi, ndërkaq më herët ishte ambasador në Belgjikë.

blank

 

blank

VOA- Shqipëri, koncesioni i laboratorëve mjekësorë nën hetim për korrupsion

VOA/Aleksandra Bogdani

Kontrata e kushtueshme e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë po hetohet për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, SPAK pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin. Zbatimi i kontratës ka sjellë gjithashtu pasojat e para për pacientët dhe sistemin shëndetësor. Materiali u përgatit në bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës

Në fund të muajit maj, në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë mbërriti një urdhër me mesazh, përmes së cilit u kërkohej që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente.

Po ju njoftoj se është ezauruar 100% e buxhetit të laboratorit. Ju lutem, njoftoni stafet mjekësore dhe specializantët, që deri më datë 1 qershor do të referohen vetëm urgjencat me Kod të Kuq,” shkruhet në mesazhin e publikuar në media.

Mesazhi në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Mesazhi në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Prej muajsh, lajmërime të ngjashme nuk janë të rralla edhe për mjekët e familjes, shërbimet ambulatore apo disa prej spitaleve rajonale të vendit.

Presioni mbi sistemin shëndetësor vjen si pasojë e kontratës koncesionare të laboratorëve mjekësorë, e cila përcakton tavane mujore buxhetore për spitalet referuese. Nëse numri i analizave tejkalohet, kostot për buxhetin e shtetit rriten.

Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë dhe parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.

Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Mbi bazën e materialit hetimor të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është regjistruar procedimi penal nr.18, datë 31.01.2022 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike,” tha SPAK.

SPAK ALBANIA

SPAK ALBANIA

Ekspertët e shëndetit publik e kritikojnë këtë skemë të partneritetit publik privat me argumentin se po kufizon mundësinë e pacientëve për të bërë analiza.

Në qoftë se i kufizon pacientit mundësinë për të kryer analiza, praktikisht e ke ekspozuar atë ndaj sëmundjeve kronike ose më sëmundje akute apo sëmundje tumorale, duke rrezikuar direkt jetën e një pacienti,” tha Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik që e ka ndërtuar karrierën në Gjermani.

Dëmton shëndetin dhe në raste të caktuara e dënon atë me vdekje,” shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk komentoi hetimet e nisura nga SPAK dhe deklaroi se kishte zbatuar ligjin në çdo fazë të procedurës koncesionare.

Edhe kompania koncesionare, Laboratory Networks tha se kishte respektuar kërkesat ligjore dhe nuk kishte kryer asnjë veprim, që të mund të sillte si pasojë veprat penale që po hetohen nga SPAK.

Shoqëria dhe shoqëritë zotëruese të saj janë përkujdesur dhe kanë qenë gjithmonë vigjilentë që përgjatë të gjithë procesit të garës si dhe përgjatë kohëzgjatjes së kontratës së partneritetit publik-privat të zbatojnë rreptësisht kërkesat ligjore dhe standartet më të larta të etikës,” deklaroi kompania.

Kompani “koracë’

Kontrolli i Lartë i Shtetit e përfundoi auditin mbi koncesionin e laboratorëve mjekësorë në tetor të vitit 2021 dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”.

Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.

Auditi i KLSH-së sjell në vëmendje faktin se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë injoruan shqetësimin e Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC, për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga konsorciumi, kjo kompani zotërohej nga “Pegasus”, një tjetër kompani shqiptare në pronësi të biznesmenit Janis Karathano.

KLSH vlerëson se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium.

..Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t’u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare,” thuhet në raportin e KLSH.

KLSH thekson gjithashtu se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë e kualifikuan këtë konsorcium në kundërshtim me dokumentet e procedurës konkurruese.

Laboratory Networks shprehu mosdakordësi me konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe theksoi se konsorciumi fitues kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar në përputhje dokumentet e garës.

Konsorciumi fitues, qartazi dhe në mënyrë evidente ka përmbushur në mënyrë strikte dhe ka tejkaluar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe ligjore dhe kriteret e garës në tërësi, dhe mbi të gjitha ajo është përzgjedhur pasi ka ofruar çmimin më të ulët në këtë garë krahasuar me kompetitorët e tjerë…,” tha Laboratory Networks përmes një përgjigje me shkrim.

“Kriteret teknike dhe financiare të garës janë përmbushur dhe tejkaluar veçmas dhe bashkarisht nga anëtari Exalab dhe Labopharma, shoqëri të cilat zotëronin në konsorcium jo më pak se 66.7% të interesave të konsorciumit,” shtoi kompania.

Presioni për analiza

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura lidhur me kufizimet periodike të testimeve, Ministria e Shëndetësisë pretendoi se garantonte shërbimin për pacientët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion buxhetin e nevojshëm për të garantuar shërbimin për pacientët në spitale, bazuar në protokollet dhe udhërrëfyesit përkatës të shërbimeve mjekësore në strukturat spitalore,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.

Por ndryshe nga ky qëndrim, mjekë të sistemit parësor dhe drejtues të spitaleve rajonale i thanë BIRN se po aplikonin lista pritjeje dhe se në disa raste, kishin kërkuar rialokim të fondeve për të plotësuar nevojat e pacientëve.

Drejtori i spitalit të Elbasanit, Agron Gaxho u shpreh i kënaqur me gamën e shtuar të analizave pas dhënies së shërbimit me koncesion. Por ai shtoi se “sa më shumë analiza të bëhen, aq më shumë rriten kostot”.

“Aktualisht ne jemi munduar të kollundrisemi, analizat e planifikuara mundohemi t’i shtyjmë për fillimin e muajit, ndërsa ato urgjentet nuk i shtyjmë dot, sepse shkelim ligjin,” tha Gaxho.

Ai shpresonte gjithashtu për një rishikim të fondit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për të shmangur problemet.

Në spitalin rajonal të Lezhës, drejtori Leon Kaza thotë gjithashtu se numri i analizave është dyfishuar, por njëherëzi mjekët janë bërë “më të lirshëm për të referuar analiza”.

Kaza tha gjithashtu se paratë në dispozicion janë të mjaftueshme për testimet e shërbimit të urgjencës dhe atë spitalor.

“Ndërsa shërbimi ambulatory, për rastet kur ekzaminimet nuk cenojnë shëndetin, kalojnë në listë pritje,” tha ai.

Në qytetet e Vlorës dhe Sarandës, stafet mjekësore po përgatiten për një fluks të shtuar pacientësh gjatë sezonit veror– çka pritet të ndikojë edhe numrin e analizave mjekësore.

“I kemi bërë kërkesë Fondit për rialokim të fondeve gjatë muajve të verës, që më pas do të ulen në muajt nëntor- dhjetor,” tha Arjan Kalcuni, drejtor i spitalit bashkiak të Sarandës.

Ndërsa në qytetin bregdetar të Durrësit, skema e partneritetit publik privat duket se po prek më shumë moshat e treta.

“Kur një pacient vjen për vizitë, nevojiten disa testime laboratorike për të përcaktuar diagnozën dhe mjekimin. Pra, nëse një person vuan nga diabeti, përveç analizës së diabetit nevojitet edhe ajo e gjakut. Por ne na kërkojnë që të referojmë vetëm analizën që ne e vlerësojmë si urgjente,” tha një mjeke familjeje në kushtet e anonimatit.

“Kur erdhi kontrolli, më gjeti me shkelje për referimin e analizave dhe më gjobiti,” përfundoi ajo.

blank

Deputeti shqiptar në parlamentin serb: Miqësia Rama-Vuçiç, nuk ka sjellë asgjë të mirë për shqiptarët

Shaip Kamberi është rizgjedhur sërish si deputet i shqiptarëve në parlamentin e Serbisë. Edhe pse pushteti serb, i përsëriti 5 herë zgjedhjet në Tërnoc, duke manipuluar votimet për të mos zgjedhur Kamberin si deputet, shqiptari sërish u zgjedh deputet.

Duke folur në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Kamberi është shprehur se Serbia donte që të shuante zërin e shqiptarëve.

‘Anulimi i disa herë zgjedhjeve, ishte një përpjekje e vazhdueshme. Ishte një përpjekje që shqiptarët të mos kishin zërin e tyre në parlament. Por më në fund, votuesit e zonës 6 në Tërnoc, mbështesin zgjedhjen e tyre, duke kundërshtuar edhe Beogradin.’, u shpreh Kamberi në SYRI TV.

I pyetur nëse ka marrë mbështetje nga politika shqiptare dhe ajo e Prishtinës, Shaip Kamberi ka treguar se ka marrë urime nga politika.

Ndërkaq i pyetur nëse e ka uruar Edi Rama, Kamberi u shpreh se e ka uruar shefi i grupit parlamentar të PS-së.

I pyetur për miqësinë mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, dhe trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, deputeti Shaip Kamberi është shprehur se nuk ka ndryshuar asgjë.

‘Në parim jemi për forcimin e raporteve mes Shqipërisë e Serbisë dhe gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Këto procese, besoj se do të reflektojnë edhe një trajtim tjetër të Beogradit ndaj Luginës së Preshevës.

Por ky proces zgjedhor po tregon se nuk po kemi një trajtim ndryshe të Luginës së Preshevës nga Serbia’, tha deputeti shqiptar Shaip Kamberi, gjatë një interviste në SYRI TV.

blank

Kurti: masat e reciprocitetit me Serbinë, ndihmojnë vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti vendimi i qeverisë së tij që makinave të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.

“Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dy mujore për të bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne”, tha zoti Kurti.

Qeveria vendosi të mërkurën po ashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.

Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.

Kryeministri Kurti, tha se Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel.

Zoti Lajçak, i cili është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, tha të enjten në Beograd se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.

“Edhe zoti Lajçak ka qenë, vazhdimisht është i njoftuar me veprimet tona. Unë e di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq, por ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja vendet skurse edhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha të premten se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane do të jenë përparësi gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia e cila nga sot pason kryesimin gjashtëmuajor të Francës.

blank

Sfidat e Mijëvjeçarit, mbi 200 milionë dollarë për fushën e energjisë në Kosovë

VOA

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) miratoi një program prej 202 milionë dollarësh me qeverinë e Kosovës. Në njoftimin e kësaj korporate thuhet se programi 5 vjeçar synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

“Vendimi i sotëm i Këshillit Drejtues paraqet fazën tjetër të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për afro 2 milionë qytetarë të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryeshefi ekzekutiv i MCC-së, Alice Albright.

Në njoftim thuhet se marrëveshja mes tjerash parasheh investime në infrastrukturën e energjisë, duke përfshirë bateritë akumuluese për të rritur efikasitetin dhe sigurinë energjetike, për të lehtësuar një tranzicion dhe integrim të energjisë së ripërtërishme në sistemin energjetik të vendit dhe të sigurojë një shteg drejt punësimit për të rinjtë dhe gratë në sektorin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh “mirënjohës për vendimin e bordit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për të miratuar marrëveshjen e Kompaktit me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot. Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të drejtë të energjisë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Marrëveshja u negociua gjatë pranverës dhe pasoi një periudhë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë së Kosovës për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të zvogëluar varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

blank

Ukraina bën bilancin: Kemi vrarë rreth 36 mijë rusë që nga fillimi i luftës

Rreth 35,600 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, sipas ushtrisë së Ukrainës, shkruan la repubblica.

blank

 

Në përditësimin e saj për humbjet e deritanishme të Moskës, ushtria ukrainase tha se kanë rrëzuar gjithashtu 185 helikopterë dhe 641 dronë. Për më tepër, forcat e Kievit pretendojnë se kanë shkatërruar 1,573 tanke ruse, 790 sisteme artilerie, 3,726 automjete të blinduara, 14 anije dhe 143 raketa.

blank

Gjithashtu Ukraina tha se 341 fëmijë janë vrarë dhe 631 janë plagosur që nga fillimi i luftës.


Send this to a friend