VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Botoi përgjime tronditëse për qeverinë e Ramës, çfarë përfaqëson në të vërtetë Bild?

By | June 6, 2019

Komentet

Beogradi alarmon për gjendjen në veri, Prishtina thotë se gjithçka është inskenim

Nadie Ahmeti

Komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, sipas autoriteteve në Beograd, po i vuajnë deri në përmasat e tragjedisë humanitare pasojat e taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina zyrtare për importet nga Serbia. Por, e gjithë kjo situatë, sipas Qeverisë së Kosovës është një inskenim i Beogradit që vjen si presion dhe përpjekje për pezullimin e vendimit për taksën 100 për qind.

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk ka krijuar krizë humanitare në pjesën veriore të Kosovës, pasi gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës janë të hapura për qarkullim të mallrave dhe tregtarët lejohen të furnizohen me produkte nga vendet të ndryshme, ka thënë të mërkurën ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala. Këto komente ai i bëri në një debat me temën “Efekti i Taksës 100 për qind”, të organizuar nga Kolegji Riinvest.

Shala ka shtuar se taksa 100 për qind e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, do të mbetet në fuqi derisa shteti i Serbisë të ndërrojë qasjen karshi shtetit të Kosovës.

“Vetëm në pjesën veriore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka të angazhuar mbi 30 inspektorë të tregut dhe shumica nga ta janë nga komuniteti serb, të cilët në baza ditore janë duke e përcjell tregun në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Dhe nga informatat që kemi nga inspektorët, nuk ka asnjë shqetësim dhe nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha ministri Shala.

Ai ka përsëritur qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se “në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen”. Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se Qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në pushtetin e saj, për të “siguruar që mallrat nga Serbia qendrore të arrijnë te të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Ajo tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të fillojë t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe se përveç thirrjes për heqjen e taksës, të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi do të bëjë çmos që të ndihmojë, siç ka thënë ai, popullatën serbe në veri të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë që populli ynë të vdes nga uria edhe pse këtë shumëkush do ta dëshironte”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se këtë dëshirë nuk e kanë vetëm udhëheqësit në Prishtinë, por edhe disa nga pjesë të ndryshme të botës, e madje edhe disa nga Serbia qendrore.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në rrjetin social Facebook ka shkruar se institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e të gjitha aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare në zonën e rripit të gjelbër, që kufizon në pjesën veriore Kosovën dhe Serbinë.

Ai ka thënë se “asnjë skenar mashtrues ose lajm i rremë nuk do të ndikojë që institucionet kredibile dhe të ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë zonën e rripit të gjelbër në veri ku edhe kufizohet Republika e Kosovës me Serbi”, ka shkruar Haradinaj.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të zyrtarëve në Beograd për mungesën e gjërave elementare për jetë në komunat veriore, ministri i Tregtisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala thotë se nuk do lejohet asnjë qytetarë i Republikës se Kosovës të përballet me mungesë të produkteve ushqimore.

“Disa pika shitëse tregtare në atë pjesë po mundohen të “stimulojnë kinse një krizë humanitare që nuk ka produkte. Kjo po bëhet me qëllim, që të sillet një reagim për një katastrofë të mundshme humanitare. Ne si Qeveri kemi pasur shumë me herët këtë informacion. I kemi marrë hapat e nevojshme dhe nuk do të lejojmë që asnjë cep të territorit të Republikës së Kosovës, asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës të ballafaqohet me mungesë të produkteve të nevojshme”, tha Shala.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.

Me gjithë insistimet nga Serbia që taksa të shfuqizohet, autoritetet e Prishtinës kanë përsëritur të mërkurën se taksa do të mbetet në fuqi. Sipas Qeverisë së Kosovës, zbatimi i kësaj takse, përveç efekteve politike që synojnë të ndëshkojnë qëndrimet lobuese të Serbisë karshi Kosovës, ka prodhuar edhe efekte ekonomike. Në emër të Qeverisë, ministri Shala thotë se taksa ka dhënë rezultate pozitive tek industria e prodhimit vendor, si në rritjen e sasisë, të kualitetit, rritjen e numrit të punëtorëve dhe përfitimin e një pjesë të madhe të tregut me produktet “Made in Kosova”.

(Video) Miss Serbia bën shqiponjën

Në një aktivitet të organizuar nga Kompani Petrol, Miss Serbia gjatë pasarelës bën me duart e saj simbolin e shqiponjës.

“E bëj për respekt” thotë vajze e bukur serbe!

Sikur të kihisn vizionin e kësaj të reje edhe krerët e shtetit serb, rajoni do të qe fokusuar në zhvillimin ekonomik që rinia pa dallim të ketë një perspektivë të bukur!

Babai, si edukator i fëmijëve në kulturat shqiptare dhe hebraike Nga Anila Bega Cohen, themeluese dhe CEO e Shalom Center Albania

Cili është roli i babait në zhvillimin psiko-emocional të fëmijëve të vegjël sipas dy kulturave shqiptare dhe hebraike? Këtij qëllimi i shërben përfshirja e baballarëve në kurikulat e kopshteve, si në aktivitete specifike ashtu dhe në rutinën ditore përmes teknikave te prinderimit.

Në të dyja kulturat, babai është pjesë e edukimit që në fëmijërinë e hershme. Kjo bën që fëmija të ndihet në paqe me veten, është miqësor, i besueshëm, aktiv në shoqëri dhe individ i shëndetshëm. Këtij qëllimi i shërben përfshirja e baballarëve në kurikulat e kopshteve, si në aktivitete specifike ashtu dhe në rutinën ditore permes teknikave te  prinderimit. Çfare janë teknikat e prinderimit? Teknikat e prindërimit janë një lloj pasqyre e vetvetes, qëllimeve, dëshirave dhe trashëgimisë kulturore dhe morale që secili prej nesh mbart. Një fushë e re në Shqipëri por shume e praktikuar ne Izrael. Teknikat e prinderimit jane tepër te domosdoshme në këndvështrimin social në ditët tona, pasi prindërit e rinj (babai në rastin konkret) duhet të përballen me dëshirën për të qenë një kryefamiljar, bashkëshort, prind i realizuar por dhe një profesionist i mirë njëherësh. Kjo shpeshherë konsiderohet si një sfidë. Teknikat e thjeshta të prindërimit, përfshirja e babait, aktivizimi i tyre në rutinën ditore të fëmijës si pjesë e programit të kopshtit e kthen këtë Sfidë në Kënaqësi.

Anila Bega Cohen, themeluese dhe CEO e Shalom Center Albania

Cili është roli i babait në zhvillimin psiko-emocional të fëmijëve të vegjël sipas dy kulturave shqiptare dhe hebraike?

Në të dy kulturat, baballarët janë aktivë. Ata transmetojnë siguri tek fëmijët e tyre që në periudhën e foshnjërisë e deri në vitet e adoleshencës se vonë. Kështu, kur këta fëmijë përballen me situata të reja ose fenomene të panjohura, janë të predispozuar të përshtaten më lehtë. Fëmijët/ adoleshentet , I kalojnë qetësisht situatat e tensionuara dhe janë më kuriozë për të zbuluar gjëra të panjohura, janë të lumtur, ndihen të përkrahur dhe rrjedhimisht kanë më shumë besim në vetvete. Përkujdesja e babait lidhet ngushtë me jetën sociale të pasur, me pjekurinë dhe sjelljen e fëmijës.

Si ndikon tek zhvillimi social i fëmijës një baba aktiv?

Fëmijët e baballarëve të përkushtuar janë më të shoqërueshëm, dhe janë pikërisht këta fëmijë, që kanë më tepër vëmendje në shoqëri. Kjo ndodh sepse këta fëmijë kanë më pak ndjenja negative, krijojnë më pak zënka, tregohen më tolerantë dhe janë më të ndjeshëm dhe të kuptueshëm. Vihet re se fëmijët që kanë një baba aktiv janë më pak gënjeshtarë,më pak depresivë dhe më pak hiperaktivë. Marrëdhëniet e mira mes prindërve ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e fëmijës. Në rastet kur atmosfera mes prindërve është e tensionuar, me debate të shumta, dhe jo e lumtur bëhet një faktor ndikues në sjelljen agresive të fëmijës. Në rastet kur jetohet në një harmoni familjare dhe marrëdhëniet mes prindërve shkojnë mirë, kjo atmosferë ndikon pozitivisht në karakterin e fëmijës. Baballarët e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj bashkëshortes , janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin atë si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme në familjen e tyre.

Ky rol është “i mbjellë” le të themi brenda çdo burri, në mënyrë spontane, mjafton të ketë një dashuri të sinqertë dhe ndjenjën e përgjegjësisë, në radhë të parë.

Nuk ka asgjë të vështirë

Gjërat bëhen të vështira vetëm kur mungon dashuria. Roli i babait bëhet shumë më i këndshëm kur fëmija fillon e rritet dhe komunikon.  Koha e kaluar me fëmijët është gjëja më e rëndësishme. Fëmija, më shumë se njohuritë dhe morali klasik la nevoje per shembuj konkret dhe për dashuri. Dashuria, jo vetëm ndaj fëmijës, por në përgjithësi në ambientin familjar, është faktori kryesor që e bën fëmijën të ndjejë siguri të plotë.

Për këtë siguri ka nevojë secili prej nesh, gjatë gjithë jetës. Nëse i japim siguri fëmijës që në vogëli, kjo do jetë baza e shëndoshë e një shoqërie që dëshirojmë në të ardhmen e afërt./IzrealiSot

Rama njoftoi padi ndaj gazetarit të Bild. Reagon Qendra Europiane

Ilirian Agolli

Kryeministri Edi Rama njoftoi të martën përmes rrjeteve sociale se autorizoi sot një avokat gjerman për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD.

“Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije” – njoftoi zoti Rama zyrtarizimin e një hapi, që e pati përmendur edhe më parë.

Vendimi i tij erdhi pak ditë pasi gazeta e njohur gjermane publikoi disa telefonata të përgjuara nga prokuroria shqiptare, ku dëgjohen kryeministri Rama, ministra dhe deputetë socialistë, që diskutojnë mbi zgjedhjet në një krahinë të vendit.

Sipas gazetës, bisedat provojnë abuzimet e socialistëve në zgjedhje, presione ndaj votuesve, blerje votash dhe kërcënime për votime familjare, për të maksimalizuar fitoren e të majtëve.

Gazetari Tiede replikoi menjëherë në rrjetet sociale: “Për çfarë më akuzoni? Për publikimin e audio-përgjimeve të vërteta?” – shkroi ai fillimisht. Më pas shtoi një status se kjo që bëri zoti Rama ishte një “çmenduri. Kryeministri i Shqipërisë Rama dëshiron të më padisë. Ai tashmë ka një nga avokatët më të shtrenjtë në Gjermani”.

Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF) tha te njoftimi i sotëm në rrjetet sociale për procesin gjyqësor të kryeministrit shqiptar kundër gazetarit Peter Tiede, se “vetëm një javë më parë zoti Rama i tha delegacionit tonë se nuk do të përdorë paditë penale kundër gazetarëve, por do të vazhdojë vetëm me padi civile kundër gazetarëve në “raste ekstreme”.

Këshilltarja ligjore e kësaj Qendre, Flutura Kusari, tha për “Zërin e Amerikës” të martën në mbrëmje se “gjatë misionit tonë ne zbuluam se liria e shtypit në Shqipëri është duke u përkeqësuar. Në vend që të paditë gazetarët, kryeministri Rama duhet të angazhohet në përmirësimin e lirisë së medias dhe në sigurinë e gazetarëve në vend, dhe të ndalojë së thirruri ata “kazanë”.

Një mision prej 7 organizatash ndërkombëtare të lirisë së shtypit sapo është larguar nga Tirana, ku publikoi raport kritik, sipas të cilit “liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë rregullisht përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë”.

Raporti përmend shprehimisht se “kryeministri Rama e mbrojti në takimin me delegacionin përdorimin e kësaj gjuhe sulmuese e propaganduese, por u angazhua të mos i thërrasë më gazetarët “kazanë” në të ardhmen”.

Edhe drejtuesi i opozitës Lulzim Basha, tha misioni, i referohet medias si “të kapur dhe të blerë”, pra me një gjuhë që denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se kryeministri Rama po e padit gazetarin gjerman, sepse publikoi vjedhjen e zgjedhjeve nga socialistët, sepse nxori lidhjet e tij me krimin.

Zoti Basha, i cili nga ana e tij po akuzon prej disa ditësh dy televizionet më të mëdha kombëtare privat për shërbime ndaj qeverisë socialiste, tha se “Edi Rama paska vendosur të paditë një gazetar perëndimor në emër të krimit, në emër të avdylajve, lalave, dakove, gjiknurëve, manjave”, të cilët dëgjohen të diskutojnë nëpër ato telefonata”.

Duke akuzuar gazetarin gjerman, kryeministri Rama, sipas zotit Basha, po mbron kriminelët dhe trafikantët, njëlloj si ka bërë edhe në shumë raste të tjera më parë.

“Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një Shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”. – Kështu thuhet në raportin e përbashkët nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), ARTIKULLI 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO).

Shqipëria e njohu zyrtarisht komunitetin hebre të saj në vitin 1937

Komuniteti i parë hebre në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga Qeveria, më 2 prill 1937. Popullsia e plotë hebreje në Shqipëri është 35 familje.

Nga Izraeli Sot


Duke parë arkivat e Agjencisë Telegrafike Hebraike (Jewish Telegraphic Agency) me qendër në SHBA, më 4 prill 1937 jepet edhe lajmi i “Regjistrimit të parë zyrtar të komunitetit hebre në Shqipëri”, ku jepet dhe numri i familjeve hebreje që jetonin në atë kohë në Shqipëri.

 

Lajmi i plotë

REGJISTRIMI I PARË I KOMUNITETIT HEBRE NË SHQIPËRI

Tiranë, Shqipëri (2 prill)

Komuniteti i parë hebre në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga Qeveria sot. Ai përfshin dhjetë familje në Vlorë – numri më i madh se në çdo vend tjetër në vend.

Popullsia e plotë hebreje në Shqipëri është 35 familje.

Pasi komuniteti u regjistrua zyrtarisht, në Vlorë filloi edhe ndërtimi sinagogës së parë parë në vend, i pasuar me grumbullimin e 350 napolonave të artë.

Linku: https://www.jta.org/1937/04/04/archive/first-jewish-community-registered-in-albania

(Foto nga lajmi)

Avokati i Ramës, Matthias Prinz, mbrojtës i gjakut blu dhe yjeve të ekranit!

Një lëvizje e paralajmëruar që me datë 17 qershor nga kryeministri Edi Rama, për gazetarin gjerman të “Bild”, Peter Tiede i cili publikoi audio-përgjimet për shitblerje votash në gazetën BILD.

Kryeministri Rama me një status në Twitter njoftoi sot se sapo i ka dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për të nisur procesin gjyqësor mbi publikimet e Bild!

Avokati I Rames 2

Statusi i plotë i Ramës:
“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije” Kush është avokati gjerman Matthias Prinz?

Matthias Prinz është një avokatë i njohur i mediave në Gjermani dhe në qytetin e tij në Hamburg. Ai është i preferuari i artistëve të famshëm.

Sipas Manager Magazin klientët e tij janë nga biznesi, por edhe të famshëm dhe fisnikë, apo aristokratë.

Në biografinë e tij zyrtare në website-in e studios ligjore Prof. Matthias Prinz ka studiuar në universitetin e Hamburgut e më pas në Harvard. Ai ka punuar avokat në New York nga vitin 1984 e më pas rikthehet për të punuar në Hamburg një vit më vonë.

Prof. Prinz ka ndikuar shumë sa i takon hartimit të ligjeve të medias dhe ka mbrojtur edhe raste të cilësuara historike në në Gjykatën Federale të Drejtësisë, në Gjykatën Kushtetuese federale gjermane si dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Që nga viti 1997 ai jep mësim në disa universitete të ndryshme. Është profesor i nderuar në FU Berlin që nga viti 2006 dhe bashkëthemelues i Berlin Media Professional School.
Gazetarët në Gjermani si dhe në qytetin e tij në Hamburg e kanë halë në sy. Media Welt shkruan në një artikull të viti 2016 se konsiderohet i vështirë për tu mposhtur dhe shpesh cilësohet si armik i shtypit të lirë.

“Përkundrazi, jam kundër gazetarisë së keqe. Jam kundër historive të sajuara. Artikujt e sajuar nuk kanë lidhje me gazetarinë, njerëzit e humbasin besimin tek media” shprehet ai gjatë një interviste në WELT.

Një kuriozitet tjetër është se avokati i njohur 62 vjeçar ka shkruar artikuj pikërisht në gazetën BILD në fillim të viteve 1980. Ai kishte një faqe ku shkruante për qytetin e Hamburgut.

(BalkanWeb)

Rama e paditi, gazetari gjerman reagon sërish: Ka kontraktuar një nga avokatët më të shtrenjtë të Gjermanisë

Gazetari gjerman i gazetës Bild, Peter Tiede thotë se kryeministri Edi Rama ka kontraktuar një nga avokatët më të shtrenjtë në Gjermani.

 

Në një postim në Facebook, ai shkruan se kryeministri i Shqipërisë bën fushatë për zgjedhje të anuluar dhe i mbrojtur nga 1000 oficerë policie.

“Oh, zoti Rama … Çmenduri: Kryeministri i Shqipërisë Rama dëshiron të më padisë mua. Ai tashmë ka të paktën një avokat – në fund të fundit, një nga ato më të shtrenjtët në Gjermani … por ai nuk ka më shumë …

Ndërkohë, ai ka bërë fushatë për zgjedhjet e anuluara – të mbrojtura nga më shumë se 1000 oficerë policie…”, shkruan Tiede në rrjetet sociale.

Më herët, gazetari Tiede, reagoi pasi kryeministri Rama njoftoi se e ka hedhur në gjyq atë për publikimin e përgjimeve.

Gazetari gjerman i është përgjigjur Ramës po në postimin në Twitter, ku kryeministri njoftoi rreth padisë, ndërsa i shkruan se po e padit për publikimin e audio-përgjimeve të vërteta.

“Dhe çfarë më akuzoni? Për publikimin e audio-përgjimeve të vërteta?”, ka shkruar ai.

Piktori i njohur Avni Delvina: Edhe unë nuk do të marrë pjesë dhe do ta pengoj këtë proces fals!

Nismës së artistit të njohur Bujar Kapexhiu, për të mos votuar me 30 qershor dhe për të bërë gjithçka për të penguar një proces fals, i janë bashkuar brenda ditës qindra intelektualë, njerëz të angazhuar dhe aktivistë të shoqërisë civile. Midis tyre edhe grafisti i njohur Avni Delvina, i cili sikur zakonisht e shpreh qendrimin e tij jo vetëm për të mos votuar ai, por duke i ftuar të gjithë bashkëkombasit!

“Edhe unë”, thotë Avni Delvina, nuk do të marrë pjesë në votime dhe do të bëj gjithçka për ta penguar këtë proces që e degradon atdheun tonë në një diktaturë mafioze.

“Teatri Kombëtar i kërcënuar”, shkrimi i revistës së Strasburgut

Fatmira Nikolli – Teatri Kombëtar i kërcënuar. Ky është mestitulli i një shkrimi që një revistë e botuar në Strasburg ka për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Revista News D’Ill është një organ shtypi i publikuar nga qendra për mësimdhënien e gazetarisë pranë Universitetit të Strasburgut në Francë dhe i kushtohet kryesisht përgatitjes së dosierëve tematikë.

Numri 124 i muajit qershor 2019 i kushtohet tërësisht Shqipërisë dhe etheve të së ardhmes që po rriten brenda saj dhe është shkruar në bashkëpunim edhe me studentë shqiptarë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Në faqen nr.37 një fragment i kushtohet Teatrit Kombëtar. Përshtatur në shqip (nga Lindita Komani) si vijon:
“Që prej njëzet vjetësh, Edi Rama, kryeministri aktual shqiptar kërkon ta rrafshojë për arsye sigurie. Ai mendon të rindërtojë një të ri, më modern. “Deri edhe komunistët nuk kishin guxuar ta shkatërronin”,-nënvizon Rudi Erebara. Poeti dhe përkthyesi shqiptar ka luftuar gjithmonë kundër shkatërrimit të ndërtesës. Bashkë me qindra qytetarë që e shoqërojnë në luftën e tij, ai ka protestuar çdo mbrëmje të verës së vitit 2018, atëherë kur shkatërrimi dukej fare i afërt. Dhe artisti shton: “Ne jemi dakord që të mund të rinovohet por është absurde ideja që të shkatërrohet një monument historik për të rindërtuar një ndërtesë të re” Tani për tani teatri është ende në këmbë”.
Në revistë, Rudi Erebara (shkrimtar dhe pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit) <<nuk heziton të flasë për pastrim parash dhe marrëveshje të paligjshme. Fusha, ndërmarrja për të cilën përflitet se i është dhënë projekti i ndërtesës së re, qenka zgjedhur pa bërë thirrje për oferta dhe në këmbim paska marrë të drejtën për të ndërtuar gjashtë ndërtesa në hapësirën e teatrit. Një pohim i vështirë për t’u provuar në vërtetësinë e tij por po ashtu i bërë edhe nga Partia Demokratike, forca kryesore opozitare>>.

Në vijim artikulli merret edhe me projekte e çështje të tjera për të cilat është debatuar gjatë dhe ka pasur akuza për korrupsion.

TEATRI NË NJË VIT

Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në muajin shkurt të vitit 2018 kur Robert Ndrenika në një mbledhje për ligjin e ri të artit, pyeti çfarë do bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar. Në mars të vitit 2018, artistëve iu prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, ku shihej një godinë trekatëshe. Prezantimi u bë në COD pranë Kryeministrisë. Më vonë doli që pas godinës trekatëshe, në truallin e teatrit do të kishte edhe të paktën katër kulla. Kjo solli përplasje të ashpër mes artistëve dhe qeverisë, derisa eksponentë të pushtetit nisën takimet ‘tete a tete’ me disa artistë duke i ndarë njerëzit e artit në dy kampe: ata që donin ruajtjen e godinave e ata që pranonin shembjen për një teatër të ri. Prej muajit shkurt 2018 dhe deri në qershor protesta për Teatrin ishte e përjavshme, çdo të hënë. Ndërsa prej qershorit 2018 deri në qershor 2019, ato janë të përnatshme. Kur në fund të prillit natën teatrit iu hoqën germat e emrit, Aleanca akuzoi dhe provoi me foto se germat i kishin hequr punonjës të Bashkisë së Tiranës. Muajin e kaluar shkronjat u rivunë privatisht.
E megjithatë, përpjekjet për të rivënë në jetë projektin, nuk kanë reshtur ndonëse tashmë kanë kaluar 365 ditë protesta të përnatshme.
Një vendim qeverie i miratuar në datë 4 prill 2019, hyri në fuqi me 4 qershor, pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i hap rrugë ngritjes së një komisioni që do përzgjedhë projektet për Teatrit Kombëtar dhe rrjedhimisht shembjes së dy teatrove kombëtarë ekzistues. Ai nënvizonte se qëllimi i tij është krijimi i komisionit për realizmin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.
Sipas Aleancës, projekti për Teatrin e ri ka “qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor”.

Votimet e para pluraliste në Pogradec

30 mars 1991- Nesër do të votojmë. Nga dhënia e mësimeve anglisht gjatë këtij muaji kam fituar: 2 kilogram qumësht pluhur, 200 gram kafe dhe 500 gram sallam. U gëzova se munda të gjej dhe të blej 2 kilogramë mish viçi cilësia e dytë. Rrugët janë të mbushura plot e përplot me uniforma të armatosura ngjyrë blu e të gjelbëra. Unë eci mespërmes tyre, syri nuk ma bën tërr, por zemra më rreh me ngut.

Në Tiranë u zhvillua mitingu tek sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti. Shumë bukur. Shumë entuziazëm.

Ramiz Alia mbajti konferencë shtypi me gazetarët e huaj, të cilët kanë ardhur për të marrë pjesë në votimet tona të para pluraliste. Ramiz Alia mundet t`i gënjejë gazetarët e huaj duke ua kaluar ujin nën rrogoz, por neve nuk na e hedh dot. Para disa ditësh Ramiz Alia vajti në zonën ku ka vënë kandidaturën për deputet, por populli nuk e pranoi, megjithatë ai nuk u tërhoq dhe bëri një takim tjetër në mënyrë shumë pompoze, pikërisht siç i takon personit numër një të Shqipërisë. Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit të mbushur plot e përplot me veteranë, të rinj e të reja, farefis e të tjerë, ishte një takim i organizuar me ftesa dhe me urdhër për të vajtur atje. Ramizit i dhuruan buqeta me lule dhe ai foli në mënyrë të tillë saqë e ktheu edhe njëherë timonin nga lindja, sipas këngës aq të njohur kineze: “Lindja është e kuqe”. Televizioni shqiptar e ritransmetoi dy herë fjalimin e tij, radioja po ashtu dhe besimi i njerëzve tek forca e re politike që po lind pësoi shumë lëkundje. Medet…

31.3.1991- U zgjova shumë herët, m`u bë në gjumë sikur dëgjova krisma armësh dhe sikur disa ushtarë që mbanin automatikë në duar më qëlluan me plumba prapa kokës. Për dreq sot u ndërrua edhe ora (u shty një orë para). Pra, kur u zgjova ishte ora katër e tridhjetë minuta e mëngjesit, nejse, u vesha, piva kafe dhe dola nëpër errësirë. Natën kishte rënë pakëz shi dhe moti ishte i butë. Unë u vesha si për pranverë duke menduar se gjatë ditës moti do të ngrohet, pra i hoqa ato rrobat e trasha të mërzitshme të dimrit.

Të parin që takova ishte një punonjës i Degës së Punëve të Brendshme, kur e pyeta: “Edhe ti je me komisionin zgjedhor?” “Po përse jo?” U përgjigj. Vajta tek zyrat e Partisë Demokratike, por nuk kishte ardhur asnjeri. Prita pak, erdhi Tiku, pastaj Vasili e më vonë kryetari, Gjergji Ilo. Po ashtu erdhi Arben Meçe, i deleguar nga Tirana për Pogradecin. Edhe unë jam e autorizuar si vëzhguese për të gjithë qytetin. Gjatë gjithë ditës, të dy me Arbenin, vajtëm qendër më qendër votimi. Arbeni është pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, por kudo që shkuam ai sillej pompoz e u thoshte të njëjtat fjalë anëtarëve të komisioneve të votimit, po ashtu edhe personave që do të votonin. Mua më vinte shumë zor sepse ngado shikoja fytyra të njohura, e di se më njeh pothuaj i gjithë qyteti. Pastaj këshillat dhe porositë që jepte ai ishin të përsëritura kudo pa asnjë ndryshim: “Mos rrini afër kutisë së votave. Mos u grumbulloni shumë njerëz”, e të tjera si këto.

Ndërsa ne të dy si të papërvojë në këtë punë kaq serioze, nuk i kontrolluam fare fletët e votimit, që mund të ishin më tepër sesa numri i votuesve, mund të ishin të pavulosura e plot mangësi të tjera me rëndësi si këto. Më vonë e kuptuam se gjithçka luhej me fletët e votimit të përgatitura që më parë e që dikush i kishte gati në xhep për t`i shpërndarë tek njerëzit e besuar.

Në orët e para votuan komunistët, të gatshëm si përherë: “Të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime!” Në rrugë u përshëndetëm me sekretarin e parë të rrethit e ca partiakë të lartë së toku me bashkëshortet e tyre. Ata fluturonin nga gazi sikur t`u kishte rënë llotaria. Aty nga ora nëntë e mëngjesit filloi që të fryjë një erë shumë e ftohtë dhe filluan pikat e para të rralla të shiut. U ktheva në shtëpi, vesha bluzën e leshit, mbatha çorapet e leshit dhe çizmet. Përsëri dimër.

Sot rrugëve nuk të sheh syri asnjeri të armatosur për be, patrullat e policëve e të ushtarëve që gëlonin ditëve të fundit në çdo tre a katër hapa sikur i paskërka përpirë dheu. Ndërsa shkonim nëpër qendrat e ndryshme të votimit, vija re një automobil të bardhë me targë të Tiranës, i cili do të ishte gjithnjë ose para nesh ose pas nesh diku fare pranë qendrave sa tek njëra tek tjetra. I ngulita në mendje numrat e saj dhe sipas tyre më thanë se ishte makinë e Sigurimit të Shtetit.

Afër orës njëmbëdhjetë vajta në qendrën e votimit në shkollën “Gjok Shqiptari” të takoja Silvanën, që ishte aty anëtare vëzhguese. Në ato çaste para shkollës u ndal një makinë e gjatë, e bukur, e zezë, e re fringo fare dhe prej asaj makine zbriti një burrë pak a shumë i moshuar, me syze, shumë i shëndoshë në trup, çalonte nga të dyja këmbët, ishte i veshur me kostum të zi, po për çudi kishte të lidhur në qafë një shirit të kuq të mëndafshtë (nuk ishte as shall as kravatë) dhe unë se çfarë ndjeva duke parë atë rrip të gjatë të kuq, m`u kujtuan gardistët kinezë. Ky burrë ishte anëtar i Parlamentit Europian. Shoqëruesi i këtij parlamentarit fliste gjermanisht, (pak më vonë e kuptova se ky shoqërues nuk ishte gjë tjetër veçse spiun i sigurimit). Fola anglisht me parlamentarin dhe i thashë për rastin e më se dyzetë personave simpatizantë të Partisë Demokratike që ishin lënë jashtë listave në qytet si edhe për fletët e votimit të fshatit Gështenjas (Zërvaskë) ku ishin parapërgatitur fletët që më parë duke i hequr vizë emrit të kandidatit të Partisë Demokratike. Më premtoi se do t`i verifikonte këto raste.

Shiu vijonte të binte tërë pasditen pik e pik i ftohtë, shumë i ftohtë, i zgjatur, i pamëshirshëm. Nëpër rrugë u krijuan pellgje uji dhe balte. Oxhaqet e shtëpive filluan të nxjerrin tym sepse sobat u ndezën përsëri. Rrugët janë krejtësisht të boshatisura. Njerëzit janë strukur nëpër shtëpira. Çfarë bën vallë pas mureve ky qytet enigmatik që kënaqet vetëm me bukë të zezë të thatë e me një kade turshi? E për kë ka votuar sot? Ishte një ditë tmerrsisht e gjatë, e lodhshme e mbushur plot ankth. Ndoqa edhe lajmet e fundit dhe u shtriva për të fjetur. Vallë çfarë do të sjellë mëngjesi?

1 prill 1991- Qyteti ynë gri i lagur në shi. Ka rënë dëborë në male. Dëbora ka zbritur fare pranë tek pylli me gështenja. Ka rënë dëborë e ftohtë përmbi bimën e brishtë – Demokraci. Humbëm në votime. Humbi e gjithë Shqipëria. Në rrethin tonë nuk fitoi asnjeri. Nuk i di lajmet me saktësi, por më duket se është një humbje e njëjtë si ajo e Bullgarisë, sepse krejt fshatrat kanë votuar për Partinë e Punës. Nuk e di përse ky vit po më duket kaq i mbrapshtë porsi viti i Haxhi Qamilit. E shiu nuk pushon i ftohtë, i mërzitshëm, monoton. Bie shi përmbi pikëllimin tonë. Lajmet e Radio-Tiranës janë shumë enigmatikë. “Zëri i Amerikës” ka thënë se Ramiz Alia, Muhamet Kapllani dhe Spiro Dede nuk kanë fituar, por edhe votimi për Fatos Nanon do të përsëritet.

Dola duke ecur vetëm rrugës nëpër shi. Befas përballë meje dy burra të rinj nën një çadër të madhe të zezë më kërcënuan duke më thënë: “Parti e Punës-shkëmb graniti!” Dhe ngritën grushtet lart.

2 prill 1991- Lajmet e mëngjesit nuk dhanë njoftim për votimet. Shiu nuk pushon e qielli është i ngrysur me ca re të mëdha të rënda e të hirta posi regjim komunist. Liqeni është i errët, i egërsuar e turfullon si i tërbuar duke shtyrë me forcë drejt bregut dallgët e tij të mëdha shkumëbardha. Pasdite shiu pushoi paksa. Lajmet janë të llahtarshme. Në Shkodër janë vrarë katër persona dhe janë plagosur pesëdhjetë e tetë të tjerë. Në lajmet e televizionit jugosllav, stacioni i Shkupit, tani sapo pashë djaloshin e vrarë Arben Broci. Tamam si vrasjet në Kosovë, por atje të vret serbi. A do të bëhet luftë civile? A do të ketë vëllavrasje?

4.4.1991- Shiu vazhdon. Dje gjithë ditën e përsëri sot ka rënë shi që po na gërryen kockat. Pasdite doli pakëz diell.

Në qytetin tonë po bëhet gati pë t`u hapur rishtas kisha e Shën Marisë, e cila ishte e kthyer në magazinë. Sot kishin vendosur përmbi kambanare llambat elektrike në formë kryqi. Njerëzit i patën fshehur ritet fetare për njëzet e katër vite me radhë në mendje e në zemër.

Sot e gjithë Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë janë në grevë në shenjë zie për të vrarët e Shkodrës. Sipas lajmërimit të gazetës “Rilindja Demokratike” dhe lajmërimit të vendosur në një mur këtu në Pogradec, sonte në ora nëntë të mbrëmjes i shojta dritat në shtëpi për pesë minuta dhe ndeza qirinj në kujtim të shpirtrave të të vrarëve.

Populli e ka pagëzuar ish-kryeministrin Adil Çarçani “Tao-Tao” sepse i ngjan shumë si portret atij arushit të përrallave. Ndërsa Ramiz Alinë e kanë mbiquajtur “Tano Karidi” sepse buzëqesh dhelpërak, por i thonë edhe “Liza në botën e çudirave” meqenëse po mundohet shumë të na hutojë e çudisë. Dhe për arsyen që Fatos Nano nuk po na ndahet nga televizori duke na shpjeguar të paqënin “Mekanizëm i ri ekonomik”, komshija ime e quajti “Nils Holgerson” me një fjalë politikanët tanë janë ata që plotësojnë programin televiziv të fëmijve.

Përsëri nëpër rrugë patrulla policësh. Unë u ndodha përballë katër uniformave blu dhe njëri prej tyre u tall duke më thënë: “Hë, tani thirr po të duash: “Liri-Demokraci!” E vështrova në heshtje, as që ia vlente t`i ktheja përgjigje.

5.4.1991 – E pesta ditë që gëdhihemi me shi, megjithëse gjatë ditës qielli u hap pakëz. Sot u rihap edhe kisha e qytetit tonë “Shën Mëria” nga ajo gjendje e tmerrshme e shkatërruar si magazinë u ribë kishë përsënjëzaj. Dje pashë ikonat. Janë më shumë se dyzetë të cilat iu rikthyen kishës, midis tyresh ka edhe nga kishat e fshatrave, por ka edhe ikona shumë të bukura me vlera të mirëfillta artistike. Sot është e Premtja e Zezë e Pashkëve. Pasdite aty nga ora gjashtë e tridhjetë minuta ra kambana pas gati një çerek shekulli. U grumbulluam në kishë, por kishte shumë njerëz dhe shumë fëmijë kureshtarë. Ne nuk dimë as sesi rrihet në kishë sepse jemi mësuar me mbledhje plot zhurmë dhe mitingje entusiazte. Lutjet e kishës i filloi Kostaq Llakmani, një burrë plak fisnik tetëdhjetëvjeçar, dikur ka qenë psallt i kishës. Ai lexonte Ungjillin me një zë madhështor dhe çfarë zëri kumbues. U mahnita. Ishin vendosur mikrofonë dhe fortafolës jashtë kishës. Këndoi Kori i Vajtimeve. Kameramani i PPSH-së filmonte me kameran televizive që dikur dërgonte lajme për korrjen e grurit, disa të tjerë fotografonin. Pashë gra duke vendosur qirinj nëpër shandanë. Ato janë me sy të trishtuar dhe e di se fëmijët e tyre janë arratisur përtej kufijve për të kërkuar një jetë më të mirë. Grumbulli i njerëzve ishte shumë i madh si brenda në kishë, në oborrin e saj edhe në rrugë. Ata rrinin sikur të prisnin se do të ndodhte ndonjë mrekulli e qëndronin ashtu të heshtur me qirinj të ndezur në duar.

6.4.1991- Nëpër muret e qytetit tim shkruhen parrulla. Diku: “Rroftë Partia Demokratike!”, diku “Liri-Demokraci!” Po tek hyrja e pallatit tim shkruhen vetëm gërmat PPSH që nga kati i parë deri tek i pesti. Tek muri afër Postës kishin shkruar me qymyr të zi: “PD KORRUPSIONI” pas disa orësh ia zgjatën bishtin D-së dhe mund të lexoje “PP KORRUPSIONI” Bëhet luftë gërmash.

Në orën njëmbëdhjetë pa dhjetë minuta të natës ra kambana dhe shkuam në kishë me Ilirin dhe Marianën. Kishte aq shumë njerëz sa gati na ra të fikët edhe nga era e temjanit dhe qirinjve që digjeshin. Këndohej “Krishti u ngjall së vdekurish”, përkthim i Fan Nolit. Të gjithë kishin shumë emocione. Djem të rinj e vajza të reja me kryqe të varur në qafë, që nuk u a kanë lejuar më parë, më duket se kjo turmë të rinjsh ka nevojë të besojë diku, të kapet pas diçkaje për t`u mbajtur fort pas jetës. një turmë hynte brenda në kishë e një tjetër turmë dilte prej saj. Kishin ardhur edhe përfaqësuesit islamikë të qytetit. Në emër të tyre përshëndeti një burrë i ri në moshë dhe foli shumë bukur me fjalë të mençura. Tek dera e kishës u shpërnda naforë me kanistra të mëdha. Përjashta ishte edhe më bukur. Rruga ndriçonte nga qirinjtë e ndezur, që i mbanin njerëzit në duar. Pashë djalin e një shoqes sime që ka bërë një vit burg për tentativë arratisje, ai kishte lënë pakëz mjekër dhe m`u duk si Jezu Krishti.

Shkëputur nga libri “Kapërcyell” botuar 1996

Besa, krijimi i një kulture paqeje Nga Dr. Cesar Chelala

Shkrim i revistës amerikane “The Counter Punch”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa hebrenjtë po persekutoheshin nga nazistët, ata gjetën strehim në Shqipëri. Më shumë se 2000 hebrenj u mbrojtën nga vendasit, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke bërë për t’i mbajtur të sigurt .

Intoleranca fetare është në thelb të shumë konflikteve aktuale në mbarë botën. Krijimi i një kulture paqeje kërkon respekt dhe bashkëpunim midis feve të ndryshme. A mund të arrihet një nivel mirëkuptimi, i cili do të mundësonte marrëdhëniet paqësore? Një episod pothuajse i harruar gjatë Luftës së Dytë Botërore ilustron këtë çështje.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa hebrenjtë po persekutoheshin nga nazistët, ata gjetën strehim në Shqipëri. Më shumë se 2000 hebrenj u mbrojtën nga vendasit, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke bërë për t’i mbajtur të sigurt .

Megjithëse gjermanët kërkuan që shqiptarët t’u jepnin atyre listat e emrave të hebrenjve që po qëndronin në territorin shqiptar, por këta të fundit refuzuan të respektonin dhe në vend të kësaj shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë nga nazistët. Sipas Shkollës Ndërkombëtare për Studimet e Holokaustit (International School for Holocaust Studies), shqiptarët nuk kthyen asnjë hebre tek gjermanët.

Ky episod u soll në dritë nga Norman H. Gershman, një fotograf amerikan, i cili ka përfshirë fotot e pasardhësve të shqiptarëve që ende jetojnë në vendin ku qëndruan hebrenjtë,në një libër të quajtur BESA ishte shkruar: Muslimanët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas Gershman, vetëm dy vende në Evropë, Danimarkë dhe Shqipëri refuzuan të bashkëpunonin me nazistët.

Besa është një koncept kulturor shqiptar që do të thotë “të mbajmë premtimin” dhe “fjalën e nderit”. Fjala ka origjinën e saj nga Kanunin e Lekë Dukagjinit, një kuvend i kodeve dhe traditave zakonore të përpiluara nga shefi i legjendës shqiptare të shekullit të 15-të dhe i transmetuar gojarisht mbi gjeneratat pasuese.

Besa do të thotë gjithashtu të kujdesesh për ata që janë në nevojë, duke i mbrojtur ata dhe duke qenë mikpritës. Kjo përpjekje bëri bashkë shqiptarët katolikë dhe muslimanë,duke marrë parasysh që 70% e shqiptarëve janë muslimanë, është e sigurt të supozohet se ata ishin primare në ndihmën ndaj hebrenjve. Në vend që t’i fshihnin në tavanet apo në pyll, shqiptarët u jepnin hebrenjve emra myslimanë, u siguronin rroba dhe i trajtonin si anëtarë të familjeve të tyre.

Gershman tregoi historinë e një tregtari shqiptar, Ali Pashkaj, i cili e priti vizitën në dyqan të një grupi të ushtarëve gjermanë që rrethonin 19 të burgosur shqiptarë. Ndër shqiptarët ishte një hebre i ri, të cilin gjermanët planifikonin të vrisnin.

Meqenëse Pashkaj foli gjermanisht shkëlqyeshëm, ai i ftoi ushtarët në dyqan dhe u dha atyre ushqim dhe verë. Ndërkohë që po i tërhoqi vëmendjen ushtarëve gjermanë, ai i dha djalit hebre një pjepër që përmbante një mesazh që e udhëzonte atë të dilte nga kamioni në një vend të caktuar dhe të vraponte dhe të fshihej në pyll. I riu ndoqi udhëzimet dhe ishte në gjendje të shpëtojë.

Ushtarët gjermanë ishin të zemëruar. Ata u kthyen në qytet dhe kërcënuan se do të vrisnin njeriun dhe do ta vinin zjarrin qytetit  nëse shqiptarët nuk do ta kthenin djalin hebre. Shqiptarët refuzuan dhe gjermanët më në fund u larguan nga qyteti. Pashkaj shkoi në pyll ku e gjeti djalin e ri dhe e solli atë në shtëpinë e tij dhe e mbronte. I riu, emri i të cilit është Yasha Bayuhovio më vonë shkoi në Meksikë dhe u bë dentist. Duke e mbrojtur atë, Ali Pashkaj po praktikonte Besën.

Gershman i tha “Jewish Chronicle”, “Shikoni, ju nuk jeni duke folur me dikë që është pro-arab. Është vërtet mjaft thjesht se ka njerëz të mirë në këtë botë. Kam gjetur muslimanë që shpëtuan hebrenjtë. Perceptimi i fesë islame si i çmendur është i pakuptimtë. Unë jam një hebre në zemrën time. Unë do të jap jetën time për Izraelin … Megjithatë, ne i kemi objektizuar muslimanët. Ata janë vetëm njerëz. Dhe në këtë popull të vogël prej shqiptarësh, ata kanë një mesazh për botën. Unë e sfidoj dikë që të shohë këta njerëz dhe të thotë se këto janë terroristë apo simpatizantë terroristë”.

Burimi: “The Counter Punch“/IzraeliSot

Kushdo që mohon krimet e luftës, mund të ketë problem me ligjin

Bekim Bislimi

Kushdo që mohon krimet e luftës në Kosovë, në të ardhmen do të mund të dënohet me ligj, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se një projektligji që e ndalon mohimin e krimeve të luftës, tashmë është në fazën e hartimit.

Më 11 prill të këtij viti, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, kishte prezantuar një nismën për hartimin e një ligji të tillë, e cila nismë ka marrë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën e zëvendëskryeministrit Hoxhaj dhe vendosi që Ministria e Drejtësisë, të cilën aktualisht e drejton ministri Abelard Tahiri, ta hartojë një ligj bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se nisma për Ligjin që dënon mohimin e krimeve të luftës, bazohet në përvojën e disa vendeve brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, të cilat në dekadat e fundit, çështjen e ngjashme e kanë rregulluar përmes kornizave të ndryshme ligjore.

“Fakti që, 20 vjet pas spastrimeve etnike në Kosovë, qytetarë të Kosovës me përkatësi serbe e mohojnë, ta zëmë Reçakun apo e lëndojnë dinjitetin e viktimave të luftës dhe dinjitetin e familjarëve, na ka shtyrë që të marrim një hap të tillë, i cili do të duhej të ishte edhe ligjor, por edhe moral dhe dinjitoz. Sipas ministrit (të Drejtësisë, Abelard) Tahiri, tashmë është krijuar një grup punues dhe besoj që është në hartim e sipër projektligji. Së shpejti mund të kemi një draft, i cili do të duhej t’i përmbledhë pritjet që i kemi pasur si Qeveri, kur kemi marrë vendim që çdokush që i mohon krimet e shtetit serb në Kosovë dhe krimet e luftës në Kosovë, do të duhej të sanksionohej me ligj”, theksoi Hoxhaj.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë në praktikat e rajonit të ish-Jugosllavisë, deri tash nuk ekziston një ligj që sanksionon mohimin e krimeve të luftës. Por, sipas tij, nisur nga situatat kur persona apo zyrtarë të caktuar edhe brenda institucioneve të Kosovës, kanë mohuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në vend, një ligj që do ta sanksiononte këtë mohim, është i mirëkuptuar. Por, sipas tij, marrë parasysh që aktualisht nuk ekziston një dokument apo regjistër zyrtar, që i numëron të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë dhe i cili është vërtetuar para gjykatave apo ndonjë komisioni shtetëror, atëherë ligji eventual do të mund të keqpërdorej apo të mos zbatohej.

“Para hyrjes në fuqi të një ligji të tillë, ishte dashur që të krijohet një komision, i cili do t’i vërtetonte të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë. Pastaj, kur të sillet ligji, ky dokument të futet si aneks i ligjit. Pra, në një nen të thuhet që ‘kushdo që i mohon krimet e kryera, të cilat janë listuar në këtë aneks, do të sanksionohet’. Vetëm kështu do të kishte kuptim, sepse nëse do të përmendeshin vetëm krimet e luftës, pa i specifikuar se cilat janë ato, atëherë secili i dyshuar i mundshëm, në të ardhmen, që i mohon krimet e luftës, do të thoshte se nuk ka pasur asnjë informacion se në vendin e caktuar janë kryer krime lufte”, tha Blakaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, thotë se Ligji për ndalimin e mohimit të krimeve të luftës do të duhej të bazohej në një analizë të gjendjes faktike, që të përcaktojë qartë atë se çfarë ka ndodhur në vendet e ndryshme brenda Kosovës, në raport me qytetarët e saj.

“Këtu, natyrisht që duhet të kenë rol edhe organizatat e ndryshme që janë marrë me këtë temë, por edhe agjencitë e vet shtetit të Kosovës. Mendoj që krimet e Serbisë janë dokumentuar gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe nuk është një problem i madh që të hartohet një listë e plotë dhe ajo listë të jetë më pas pjesë e ligjit. Por, ju takon juristëve që të ofrojnë zgjidhjen juridike, me qëllim që ligji të zbatohet dhe të jetë sa më efikas në përmbushjen e veprimeve të tij”, vlerësoi Hoxhaj.

Ndërkaq, Blakaj shpjegon që nisma për caktimin e fakteve për krimet e luftës, ka ekzistuar nisma që moti nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas tij, tash e disa vite, kjo organizatë, bashkë me partnerët e saj, janë duke insistuar që krijohet një komision rajonal për përcaktimin e fakteve për krimet e luftës, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë.

“Raporti i atij komisioni do të ishte një dokument zyrtar, i cili pastaj do t’i shërbente Kuvendit (të Kosovës) që kur ta sjellë ligjin, ta ndërlidhë me atë dokument. Përndryshe, ne jemi dëshmitarë që për krime të luftës, vetëm një numër krejtësisht i vogël, simbolik, i krimeve të luftës, janë gjykuar para gjykatave vendore apo ndërkombëtare. Çka me të tjerat?”, u shpreh Blakaj.

Më 9 prill, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq nga radhët e Listës Serbe, i cili gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, ka thënë se arsye për, siç e ka quajtur ai “agresionin e NATO-s, ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Kryeministri Haradinaj, më 25 mars, e pati liruar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, po ashtu nga Lista Serbe, për shkak se kjo e fundit kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.