Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksander Vulin, në lidhje me projektin e bashkimit të serbëve kudo që janë, të cilët do të ruheshin nga Ushtria serbe në vendet e rajonit, është perceptuar si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe si paralajmërim i kthimit të politikës destruktive të Serbisë.
Bosnje dhe Hercegovina i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të distancohet nga agjenda politike e Vulinit. Ndërkaq nga Kosova vijnë vlerësimet që porositë kërcënuese të Vulinit pasqyrojnë politikën e Beogradit zyrtar. Nga Mali i Zi, Vulinin e mbështet Fronti Demokratik, parti kjo në pushtet.
Vulin: Më Vuçiqin drejt “Botës serbe”
Ideja e “Botës serbe”, të cilën tash e disa kohë është duke proklamuar ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin dhe të cilën ide ai e ka ripërsëritur më 18 korrik, e kthen Serbinë në vitet 90-të të shekullit të kaluar dhe është formë e kërcënimit për vendet e rajonit në përgjithësi, kanë vlerësuar zyrtarë të vendeve të rajonit dhe njohës të zhvillimeve politike.
Deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, se detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”, ka nxitur reagime të shumta në rajon.
Deklaratat e tilla Vulin i ka bërë në shënimin e 13-vjetorit të subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes Socialiste, në të cilën ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe.
“Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, Serbia duhet të udhëhiqet mirë, duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka që të vazhdohet politika e Aleksandar Vuçiqit. Vetëm ajo është fitore, vetëm ajo është një garanci për mbijetesën e popullit tonë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vulin.
Cilat vende të Ballkanit kanë investuar më së shumti në ushtri më 2020?
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte mysafir nderi në shënimin e 13-vjetorit të Lëvizjes Socialiste, ka thënë që këtë parti nuk e sheh “vetëm si partnere të koalicionit, por si bashkëluftëtare për Serbinë e fortë, moderne dhe të lirë”.
Kosova: Deklarata e Vulinit, vazhdim i diskursit nacionalist
Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, kanë theksuar se deklarata e ministrit serb Aleksandar Vulin, nuk paraqet befasi.
Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ministri serb Vulin “është i njohur për qëndrimet e tij ultra nacionaliste”.
“Kjo deklaratë nuk përbën asgjë të re. Deklaratat serbomëdha janë vetëm vazhdim i diskursit të viteve të 90-ta, të kohës të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, të cilat prodhuan luftëra dhe pasojat e të cilave ende po i bartim. Kjo retorikë duhet gjykuar edhe nga autoritetet e BE-së, pjesë e së cilës synon të bëhet Serbia. Një deklarim i tillë, gjithashtu është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e administratës së presidentit Biden për mosndryshimin e kufijve të shteteve në rajon”, ka thënë Kupina.
Ai ka shtuar se shteti që përfaqëson Vulini ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë, ndaj rikthimi i diskursit kërcënues me “bashkimin e serbëve”, është tregues se Serbia nuk po arrin as sot e kësaj dite të shkëputet nga politika gjenocidale e regjimit të Milosheviqit.
“Vulin në vend se ta projektojë Serbinë në BE, po e dëshiron ‘Serbinë e madhe’. Në real-politikë, e para e përjashton të dytën fuqishëm”, ka thënë këshilltari i presidentes së Kosovës.
Deklaratat e Vulinit janë bërë një ditë para se në Bruksel të takohej kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, proces ky i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti: Keqardhje që Vuçiqi nuk distancohet nga deklaratat e Vulinit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur të hënën, më 19 korrik, me presidentin e Serbisë, Vuçiq, ka deklaruar se gjatë takimit është prekur edhe çështja e deklaratës së Vulinit për “Botën serbe”.
Kryeministri Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me këtë çështje, ai ka theksuar se nga presidenti serb nuk është distancuar nga deklaratat e Vulinit.
“Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga (Ivica) Daçiqi, as nga (Slobodan) Milosheviqi e nga kushdo qoftë që ka qenë në pushtet gjatë viteve të 90-ta. Kjo është vërtetë për keqardhje. Fakti që kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel, pa një marrëveshje përfundimtare, është për shkak se ekziston kjo rezistenca problematike për t’u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kurti.
Bosnja e Hercegovina: Vuçiq të distancohet nga deklarata e Vulinit
Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se ajo priste që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të distancohej menjëherë nga deklaratat e ministrit Vulin, për bashkimin e “Botës serbe”.
Në qoftë se Vuçiq nuk e bën këtë, Turkoviq beson që kjo vetëm do të konfirmojë se politika zyrtare e tij dhe e Serbisë është përmbysja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe që synon të bashkojë me Serbisë pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Deklarata e Vulinit, në të cilën ai vendosmërisht tha se bashkimi i serbëve do të thotë një ‘shtet i unifikuar’, do të thotë shkeljen flagrante të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, destabilizim të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe një kërcënim ogurzi për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që mbroheshin nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë. Një retorikë e tillë i bën absolutisht të pakuptimta të gjitha deklaratat dhe politikat e presidentit serb, Vuçiq me të cilat ai pretendon se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnjën dhe Hercegovinën”, ka thënë Turkoviq.
Vulin: Deklaratat janë vetëm të miat
Vulin, më 19 korrik, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme të Bonjë e Hercegovinë, Bisera Turkoviq.
Ai theksoi se idetë dhe deklaratat e tij ishin vetëm të tijat.
“Aleksandar Vuçiq dhe unë jo gjithmonë kemi të njëjtin mendim për çdo çështje dhe nëse keni ndonjë pyetje lidhur me pikëpamjet e mia, ma dërgoni mua, do të merrni një përgjigje të zëshme që mund ta kuptoni. Për të hyrë në diskutim me Vuçiqin, ju megjithatë do të duhet të gjeni fjalët e tij dhe të provoni që t’i kontestoni. Por, paraprakisht, na tregoni se kush tentoi ta vriste Aleksandar Vuçiqin në Srebrenicë dhe pse nuk janë ende emra autorëve dhe urdhërdhënësve”, ka thënë Vulin, sipas një deklarate nga ministria që ai drejton.
Deklarata e tij i referohet ngjarjes nga viti 2015, kur Vuçiq, si kryeministër i Serbisë, mori pjesë në përkujtimin për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në Potoçari, ku disa pjesëmarrës, të pakënaqur me praninë e tij, filluan të hidhnin shishe plastike dhe sende të tjera ndaj tij.
Në vazhdim të deklaratës, Vulin përkujton se në deklaratën e tij më 18 korrik, ai ka thënë se “serbët do të bashkohen paqësisht, pa asnjë plumb kur të plotësohen kushtet për një gjë të tillë”.
“Nëse kanë mundur gjermanët, pse nuk munden edhe serbët, apo ju jeni edhe kundër një Gjermanie të bashkuar?”, ka pyetur Vulin, Bisera Turkoviqin.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Turkoviqit që të distancohej nga deklarata e anëtarit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, se Kosova është e pavarur dhe se ai do ta njihte Kosovën.
Përndryshe, siç deklaroi ai, “unë do të konsideroj që ju mbështesni copëtimin e Serbisë dhe se doni të shkëputni një pjesë të vendit tim”.
Në Mal të Zi, “për” dhe “kundër”
Mbështetja e parë për Vulinin lidhur me idenë e realizimit të projektit “Bota serbe”, ka ardhur nga përfaqësuesi pro-serb i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq.
Në televizionin N1, Mandiq ka deklaruar se ideja e “Botës serbe”, për të cilën ka folur ministri serb Vulin, u ka pëlqyer serbëve përtej kufirit të Serbisë. Ai ka theksuar se tashmë po punohet për realizimin e një ideje të tillë.
“Serbë nga Mali i Zi, serbë nga Republika Serbe, serbë nga Maqedonia (e Veriut), ata kufij që ekzistojnë mes nesh nuk duhet të ekzistojnë në kokën e tyre. Pastaj ne do të bashkëpunojmë më mirë, do të jemi më afër njëri-tjetrit, në fund të fundit ne jemi një popull”, tha Mandiq.
Lëvizja Qytetare URA vlerëson se të gjitha “projektet” që propozojnë shënjimin e kufijve të rinj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë projektin “Bota serbe”, janë të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit dhe ndikojnë në nacionalizmin në rritje.
Nënkryetarja e partisë, Jovana Maroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se është problematike që “projekti” u mbështet publikisht nga udhëheqësi i Frontit Demokratik, Andrija Mandiaq, por që pozicioni i tij nuk mund të interpretohet si pozicion i qeverisë.
“Qeveria u formua në bazë të parimeve të përcaktuara në marrëveshje nga shtatori i vitit të kaluar, dhe vetëm një qeveri që funksionon në përputhje me ato parime mund të ketë mbështetjen e lëvizjes qytetare URA, dhe jo projektet e bazuara në nacionalizëm”, theksoi Maroviq.
Gjukanoviq: Gabim i njëjti, sikurse i Milosheviqit
Dy ditë më parë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjokanoviq, kishte folur për rreziqet e idesë së një bote serbe.
Në konferencën “Ballkani Perëndimor: Një pjesë kryesore e enigmës së sigurisë evropiane”, që u mbajt në Bratislavë, më 16 korrik, Gjukanoviq tha se Serbia nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë e Malit të Zi dhe se ai e sheh Malin e Zi si pjesë të “Botës serbe”.
“Kur shihni qëndrimin e Serbisë në rajon, ai rol është potencialisht shkatërrues, sepse Serbia është kthyer në politikat e fillimit të viteve të 90-ta. Serbia është këtu për të ruajtur interesin e serbëve kudo që ata jetojnë në rajon. Ky është i njëjti gabim që kishte bërë Slobodan Milosheviq në vitet e 90-ta. E dimë se çfarë ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë”, vuri në dukje Gjukanoviq.
Ai tha se presidenti i Serbisë, Vuçiq po përpiqej të paraqiste mbrojtjen e interesave të popullit serb në Malin e Zi, si një qëllim të ligjshëm.
“Ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi nuk mund të jetë një qëllim legjitim. Më vjen keq që Serbia po përsërit gabimet dhe kam frikë se është një potencial real për krijimin e paqëndrueshmërisë në rajon. Serbia po e bën atë duke u bazuar në mbështetjen e Moskës”, theksoi Gjukanoviq.
Maliqi: Serbia në pikën zero të viteve të 90-ta
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që deklaratat e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, duhet parë në rajon si një formë kërcënimi dhe se ato e shpërfaqin më qartë dhe më drejtpërdrejtë atë që është politika e Serbisë në rajon.
Sipas tij, Vulin prej kohësh i artikulon në mënyrë më të drejtpërdrejtë ato që janë vërtetë qëndrimet e presidentit serb, Vuçiq. Siç thotë Maliqi, kjo vërtetohet edhe me faktin që vet Vulin e thotë që ideja e “Botës serbe”, e cila është një eufemizëm për “Serbinë e madhe”, mund të realizohet vetëm duke e ndjekur politikën e Vuçiqit. Ndërkaq, ky i fundit, sipas Maliqit, e ka komentuar deklaratën e Vulinit duke thënë se atë e ka “më shumë se partner të koalicionit”.
“Unë këtë e shoh si kërcënim, si konfirmim i faktit që Serbia jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është kthyer në pikën zero të viteve të 90-ta, me strategji dhe taktikë më ndryshe, duke e vënë theksin te ekonomia së pari. Por, duke e potencuar dhe duke e lënë gjithmonë të hapur opsionin militarist, që do të thotë të projektit të ‘Serbisë së madhe’ të rikonceptuar, por edhe duke e lënë gjithmonë të hapur rikthimin te luftërat”, tha Maliqi.
Ai shtoi se politika që po ndjekë Serbia, bazuar edhe në deklaratat e Vulinit, janë të rrezikshme dhe kërcënim real. Kjo sipas tij, vërehet nga fryma, të cilën regjimi në Serbi po e krijon në opinionin publik.
“Një shtet dhe një regjim i cili synon paqen, nuk i fryn luftës në opinionin publik dhe nuk militarizohet në masën në të cilën është militarizuar Serbia në vitet e fundit. Kështu që, padyshim që kërcënimi është real. Serbia, në mënyrë deklarative synon paqen, por paqen me kushtet e saj, të cilat kushte janë të papranueshme për fqinjët. Kështu që unë mendoj që Vuçiq, realisht, e lë hapur mundësinë për një luftë në këtë dekadë që jemi futur”, vlerësoi Maliqi.
Biserko: Të caktohen vijat e kuqe për Serbinë
Sonja Biserko, themeluese e organizatës joqeveritare Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklaratat e Vulinit nuk e befasojnë sepse, sipas saj, ai ka pasur edhe më herët deklarata të tilla. Ajo rikujton tekstin autorial të Vulinit, të vitit të kaluar, në të përjavshmen serbe “Peçat”, në të cilin për herë të parë ka thënë se detyrë e gjeneratës së tij të politikanëve, është që t’i bashkojnë të gjithë serbët.
“Tash, në përvjetorin e Lëvizjes së Socialistëve, i cili në njëfarë mënyre është fillim i fushatës për zgjedhjet presidenciale, ai i tha të gjitha ato porosi kërcënuese dhe të rrezikshme për të gjithë rajonin, gjë të cilën, për më shumë, e përkeqëson që presidenti Vuçiq ishte i ulur aty dhe nuk u distancua nga ato që u thanë”, theksoi Biserko.
Duke iu referuar pranisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kremtimin, në të cilin Vulin e quajti atë president i ardhshëm i të gjithë serbëve, Biserko shprehet se Vulin thotë atë që mendon Vuçiqi.
“Kjo është diçka me të cilën ata tundohen për çdo ditë, që të shohin se sa larg mund të shkojnë dhe sa do t’i tolerojë bashkësia ndërkombëtare. Natyrisht, kur të krijohet ai realitet, atëherë është shumë vështirë që ai të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha Biserko.
Themeluesja e Komitetit të Helsinkit shtoi se ky është fillimi i fushatës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm, por prekje e pulsit të bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën ajo thotë se shpreson që do t’i vendosë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për deklarata dhe aspirata të tilla.
“Duhet të caktohen vijat e kuqe për politikanë të tillë në rajon, marrë parasysh që kufijtë ndërkombëtarë në Ballkan tashmë janë të pranuar dhe që ata nuk ndryshojnë më. Por, gjithsesi që nxitjet e këtilla dhe në njëfarë mënyre edhe kontestimi i kufijve tashmë të pranuar në rajon, nënkupton destabilizim serioz të rajonit, sidomos sepse bëhet fjalë për vende të vogla dhe të pakonsoliduara në fqinjësi, mbi të cilat, Serbia, si një vend më i madh në rajon, shumë lehtë mund të ndikojë në kuptimin e destabilizimit”, u shpreh Biserko.
Vujoviq: Serbia po e imiton Rusinë
Zlatko Vujoviq, analist i çështjeve politike nga Mali i Zi, në një bisedë me Radion Evropa e lirë, vlerëson që kur bëhet fjalë për orientimin ideologjik, Serbia po shkon gjithnjë e më shumë drejt Rusisë.
“Serbia, nën presidentin Vuçiq, po përpiqet të imitojë sjelljen e Rusisë, si një fuqi rajonale që përfaqëson një fqinj të rrezikshëm për të gjithë ata që ndajnë kufijtë me të”, tha Vujoviq.
Por, siç shprehet ai, Serbia nuk ka burime si Rusia për të krijuar konflikte të ngrira, siç krijoi Rusia në Gjeorgji, Moldavi, Ukrainë, por të përpiqet të destabilizojë rajonin përmes luftës mediatike, duke përdorur komunitetet kombëtare të saj që jetojnë në vendet e tjera.
Kjo krijon konflikt midis Serbisë dhe Perëndimit, thotë Vujoviq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai pret reagimin e Bashkimit Evropian ndaj afirmimit të “Botës serbe”.
“Kjo është diçka që çon gjithnjë e më thellë në konflikt me politikën e SHBA-së, me presidentin (Joe) Biden, por gjithashtu edhe me atë që do të duhej të ishte politikë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, Bashkimi Evropian, në shtatë apo tetë vjetët e fundit, nuk ka politikë të qartë për Ballkanin Perëndimor. Për këtë shkak, presidentit Vuçiq i është hapur mjaft hapësirë”, tha Vujoviq.
Ai vlerëson se vetë Vuçiqi e përdor këtë situatë për të zbatuar politikën e tij rajonale.
“Ndonëse Vuçiq i bën disa lëvizje të mira taktike, ai po bën po bën gabime të mëdha strategjike. Duke krijuar një hendek me Shtetet e Bashkuara dhe duke thelluar ndikimin e Rusisë në Serbi, duke u bërë një instrument i politikës ruse në Ballkanin Perëndimor. Vuçiqi në terme afatgjata, afatmesme dhe kam frikë edhe në afatshkurta, po e shemb pozicioni mbi të cilin e ka ndërtuar sundimin në Serbi”, tha Vujoviq.
Prej kur përmendet termi “Bota serbe”?
Termi “Bota serbe” u përdor për herë të parë nga Aleksandar Vulin, më 26 shtator 2020, derisa ishte shef i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
“Vuçiq duhet të krijojë ‘Botën serbe’. Beogradi duhet të mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërkaq që presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, pati thënë Vulin.
Ai më vonë pati folur më hollësisht për atë që ai e konsideroi termin “Bota serbe”, duke aluduar në nevojën e bashkimit të popullit serb në një shtet të vetëm.
Serbia i thekson lidhjet e ngushta, duke financuar mjediset me popullsinë serbe në të gjitha vendet në rajon. Gjatë vitit 2017, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Republikës Serbe, entitet ky brenda Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, patën paralajmëruar gjithashtu Deklaratën për mbijetesën e popullit serb në rajon, por ajo nuk është miratuar deri më sot.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i ka falënderuar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai ka pretenduar se ka pasur presion ndaj tyre për të ndërruar qëndrim, por se ato kanë qëndruar konsistente.
“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit…Faleminderit që keni qenë konsistente. Që nuk e keni njohur pavarësinë e një pjese të territorit të Serbisë”, tha Vuçiç.
Në fjalimin e tij Vuçiqi ka kritikuar sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999.
“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha Vuçiç.
Ai po ashtu ka folur për Marrëveshjen e Brukselit.
“Dua të ju paralajmëroj të gjithë këtu, kujdes kur nënshkruani me fuqitë e mëdha. Kështu nënshkruam marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, duke tentuar të zgjidhim problemet mes serbëve e shqiptarëve nëpërmjet kompromisit. Gjitha obligimet e ndërmarra nga Serbia janë plotësuar. E vetmja që është dashur të plotësohet nga shqiptarët, asociacioni i komunave serbe, nuk është bërë deri tash. Është interesante që marrëveshja është bërë në prezencë të BE-së, por edhe është konfirmuar me nënshkrim nga BE-ja”, tha Vuçiç./ KOHA
Me këto fjalë, Marko Millosavleviq, nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), e vlerëson listën e përbashkët parazgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), që është në pushtet në Serbi, dhe Partisë Radikale Serbe (SRS), të cilën Sheshel e themeloi në fillim të viteve ‘90.
Sheshel është dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte, përkatësisht nxitje të përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.
Në listën e kandidatëve të propozuar për deputetë nga Partia Përparimtare Serbe, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, janë përfshirë disa anëtarë të SRS-së ultranacionaliste të Sheshelit.
Mes tyre është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në procedurën për shpërfillje të Tribunalit.
Mekanizmi Rezidual nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar bashkëpunimin parazgjedhor të SNS-së me radikalët dhe kandidimin e Radetës për deputete.
Dy partitë bashkëpunojnë prej vitesh në nivel lokal, por kjo është hera e parë që garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare që nga themelimi i Partisë Përparimtare Serbe më 2008, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve u largua nga partia e radikalëve të Sheshelit.
Radikalët sot janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian – gjë që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.
Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Çfarë thonë radikalët dhe përparimtarët?
Në fillim të shtatorit, radikalët njoftuan se organet e partisë kishin vendosur që SRS-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kuadër të listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar” dhe ta mbështesë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kryeministër të ardhshëm.
Sipas tyre, partia e mori këtë vendim e udhëhequr nga “politika shtetformuese, në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, si dhe të “ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”.
Kryetari i partisë në pushtet, Millosh Vuçeviq, e përshkroi këtë si “bashkim të të gjitha forcave atdhetare dhe patriotike në një listë” në një postim në rrjetin social X.
Ai shtoi se një veprim i tillë i SNS-së tregon “përgjegjësi maksimale ndaj shtetit në një kohë kur Serbia përballet me presione të paprecedenta gjeopolitike”.
Sa vota sjellin radikalët?
Dushan Vuçiqeviq, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e disa kandidatëve radikalë në listën zgjedhore të SNS-së nuk do t’i sjellë shumë vota partisë në pushtet.
“Radikalët kanë rënë në nivelin e një partie që nuk ka ndonjë ndikim të madh dhe që, praktikisht, nuk mund ta kalojë vetë pragun zgjedhor. Nga ky këndvështrim, nuk shoh ndonjë rezultat të madh nga ky veprim. Sikur SNS-ja të mos e kishte përfshirë në listë, dyshoj se Partia Radikale Serbe do të merrte pjesë në zgjedhje”, thotë Vuçiqeviq.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Partia Radikale Serbe fitoi më shumë se 55.000 vota, apo 1.50 për qind, dhe nuk arriti ta kalonte pragun zgjedhor prej 3%.
Nën prag mbeti edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, kur radikalët fituan 82.000 vota, përkatësisht 2.22%.
Përparimtarët dhe radikalët garuan në një listë të përbashkët edhe në zgjedhjet lokale në Beograd, në dhjetor të vitit 2023.
Megjithatë, në atë kohë, përparimtarët thoshin se dallimet politike mes tyre ishin tepër të mëdha për të garuar së bashku në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën po atë ditë.
“Me radikalët nuk do të formojmë qeveri, sepse kemi dallime të konsiderueshme në programet tona”, tha atëkohë Vuçiq.
Në pyetjen se çfarë ka ndryshuar ndërkohë që dallimet programore janë kapërcyer, REL-i nuk mori përgjigje as nga Partia Përparimtare Serbe, as nga Partia Radikale Serbe.
Sipas Vuçiqeviqit, Partia Përparimtare Serbe e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë “njerëz sadopak cilësorë dhe të njohur për t’i përfshirë në listën zgjedhore”.
“Nëse e krahasojmë Qeverinë e fundit të Gjuro Macutit me të mëparshmet, vërejmë se më herët kishim disa profesorë dhe njerëz të njohur në fushat e tyre, ndërsa në Qeverinë aktuale kemi emra të panjohur”, thotë Vuçiqeviq dhe shton:
“Në këtë kuptim, bashkëpunimi me SRS-në përputhet në masë të madhe me profilin e dobët të kandidatëve të SNS-së në këto zgjedhje”.
Në listë, djali i Sheshelit dhe e akuzuara në Hagë
Në vendin e 37-të në listën prej 250 kandidatëve për deputetë të propozuar nga SNS-ja është Aleksandar Sheshel, nënkryetar i Partisë Radikale Serbe, e cila që nga themelimi më 1991 udhëhiqet nga babai i tij, Vojisllav Sheshel.
Shesheli i ri, 32-vjeçar dhe absolvent i Fakultetit Juridik, publikoi më 12 shtator në profilin e tij në Instagram fotografi ku shihet duke dhënë nënshkrimin e mbështetjes për listën zgjedhore të Vuçiqit, në selinë e SRS-së në Beograd.
REL-i kontaktoi Aleksandar Sheshelin, por ai refuzoi të fliste.
Në mesin e emrave të njohur nga radhët e radikalëve është edhe Vjerica Radeta, nënkryetare e Partisë Radikale Serbe, e cila është renditur e 61-ta në listë.
Ekstradimin e Radetës dhe të kolegut të saj partiak, Petar Jojiq, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual në Hagë ia kërkon Serbisë prej më shumë se një dekade.
Tribunali i Hagës i akuzoi ata në tetor të vitit 2012 se kishin ndikuar te dëshmitarët në procesin kundër udhëheqësit të partisë së tyre, Vojisllav Sheshel.
Beogradi zyrtar vazhdon të refuzojë ekstradimin e tyre, me arsyetimin se “nuk ka bazë” për një gjë të tillë, pasi Ligji për bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës parashikon detyrimin për ekstradimin vetëm të personave të akuzuar për krime lufte, dhe jo edhe të atyre të akuzuar për shpërfillje të gjykatës.
Gjykata në Hagë e ka hedhur poshtë disa herë këtë interpretim.
Pse pikërisht tani?
Për Millosavleviqin nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, është domethënës fakti që përfshirja e radikalëve në listën e Partisë Përparimtare Serbe vjen në një kohë kur Serbia është përfshirë nga një valë e madhërimit të Ratko Mlladiqit – i dënuar për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte – para dhe gjatë funeralit të tij në Beograd në fillim të shtatorit.
“Kandidimi i Vjerica Radetës dhe aleanca e radikalëve me SNS-në nënkuptojnë se Partia Radikale Serbe është shpërblyer për gjuhën e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë të regjimit”, vlerëson Millosavleviq.
Ai kujton gjithashtu se nuk dihet se në çfarë faze ndodhet një tjetër rast kundër Vojisllav Sheshelit dhe katër radikalëve, të akuzuar për shkeljen e rregullave për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve dhe të dokumenteve konfidenciale në Hagë. Mekanizmi Rezidual ia ka kaluar këtë rast Serbisë.
Sipas Millosavleviqit, në nivel simbolik, ky bashkëpunim është një tregues i përfundimit formal të rrugës evropiane të Serbisë.
“Politika e SNS-së para 15 vjetësh, të paktën në nivel deklarativ, ishte e orientuar drejt Bashkimit Evropian. Ata vazhdojnë ta përsërisin këtë edhe sot, por kjo nuk është e sinqertë, duke pasur parasysh një sërë reformash të ngecura”, thotë Millosavleviq.
Vuçiqeviq, megjithatë, kujton se edhe në bashkëpunimet e deritashme të SNS-së me parti të tjera ka pasur forca me orientime të ndryshme politike.
Ai përmend Aleksandar Vulinin, ish-ministër dhe ish-zëvendëskryeministër me lidhje të forta politike në Moskë.
“Pjesëmarrja e Aleksandar Vulinit në atë koalicion nuk nënkuptoi ndaljen formale të negociatave me Bashkimin Evropian. Prandaj, mendoj se as në këtë fushatë nuk do të dalin me idenë se duhet ndalur procesi i negociatave me Brukselin”, thotë Vuçiqeviq.
Serbia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në mars të vitit 2012, katër muaj para se Partia Përparimtare Serbe ta merrte pushtetin.
Që atëherë, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapitujt e negociatave, ndërsa dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Të djathtët edhe në lista të tjera
Kandidati i dytë në listën “E djathta autentike” – një koalicion i udhëhequr nga Partia e Re Demokratike e Serbisë – është Aleksandar Paviq.
Paviq ka mohuar disa herë faktet e vërtetuara nga gjykatat se në Srebrenicë, më 1995, është kryer gjenocid ndaj popullsisë boshnjake.
Në publik njihet për kundërshtimin e integrimeve euroatlantike dhe për angazhimin e tij për bashkëpunim më të ngushtë të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Në listën “E djathta autentike” kandidon edhe historiani Bojan Dimitrijeviq.
Ai është autor i një libri për komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Dimitrijeviq e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se gjatë hulumtimeve të tij nuk ka gjetur të dhëna se Mlladiq ka urdhëruar personalisht ekzekutimet në Srebrenicë.
Dimitrijeviq ka dëshmuar gjithashtu në procesin për rehabilitimin e kryeministrit kolaboracionist, Millan Nediq, duke argumentuar se Nediq nuk ka pasur kompetenca lidhur me shfarosjen e hebrenjve.
Megjithatë, gjykata nuk e rehabilitoi Nediqin, nën administrimin e të cilit Beogradi ishte një nga qytetet e para në Evropën e pushtuar që u shpall “Judenfrei” – “i pastruar nga hebrenjtë”.
Në mesin e kandidatëve të “Listës Studentore” është edhe Fegja Dimoviq, avokat dhe anëtar i grupit rep “Beogradski sindikat”.
Grupi trajton në këngët e tij kryesisht tema nacional-konservatore.
Dimoviq dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij kanë marrë pjesë edhe në tribuna të organizuara më 2011 nga lëvizja e ekstremit të djathtë “Dveri”.
Greqia po zgjeron një program financiar për të nxitur banorët të vendosen në zona të largëta kufitare, siç janë ato në kufi me Shqipërinë dhe rajone që po përballen me rënie të popullsisë. Aplikimet për programin e përmirësuar “Zhvendosje” pritet të hapen në muajin tetor, ndërsa qeveria synon të frenojë shpopullimin dhe të forcojë komunitetet në zonat më të izoluara të vendit.
Ministrja e Kohezionit Social dhe Familjes, Domna Michailidou, ka bërë të ditur se programi do të zgjerohet edhe në zona të reja, përfshirë ishullin Kastellorizo. Sipas saj, mbështetja financiare duhet të shoqërohet edhe me shërbime publike, infrastrukturë dhe kushte më të mira jetese për banorët.
Programi parashikon një mbështetje financiare deri në 10 mijë euro për qytetarët dhe familjet që vendosin të zhvendosen përgjithmonë në zonat e përcaktuara. Gjithashtu, 50% e shumës do të mund të merret paraprakisht, për të ndihmuar familjet me shpenzimet fillestare të zhvendosjes. Një tjetër ndryshim lidhet me kriteret e përfitimit. Nuk do të jetë më e detyrueshme që aplikanti të ketë një kontratë pune të siguruar paraprakisht, duke e bërë programin të aksesueshëm edhe për të vetëpunësuarit, punonjësit në distancë dhe të diplomuarit e rinj.
Programi, i nisur fillimisht në zona si Evrosi, është zgjeruar në gjashtë njësi rajonale: Kastoria, Serres, Follorina, Kilkisi, Pella dhe Drama. Në skemë janë përfshirë gjithashtu disa komuna malore dhe rurale në Janinë, me përjashtim të bashkisë kryesore të Janinës, si dhe Filati dhe Suli në Thesproti. Për ishuj të veçantë si Kastellorizo parashikohet një skemë tjetër mbështetjeje, me 5 mijë euro në vit, ndërsa jepen edhe 1 mijë euro shtesë për çdo fëmijë. Kjo mbështetje mund të përfitohet si nga punonjësit e sektorit publik, ashtu edhe nga ata të sektorit privat. Ministrja Michailidou ka theksuar se subvencionet financiare, të vetme, nuk janë të mjaftueshme për të ndalur shpopullimin. Sipas saj, programi duhet të shoqërohet me bashkëpunim me komunitetet lokale, krijimin e çerdheve dhe shkollave, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Qeveria greke synon që përmes kësaj skeme të tërheqë banorë të rinj dhe familje drejt zonave që po humbasin popullsinë, duke e kthyer mbështetjen financiare në një nxitje për rigjallërimin ekonomik dhe demografik të tyre. bw
Mali i Zi synon një rritje të fortë të pagave duke nisur nga janari i vitit 2027. Qeveria ka miratuar paketën e ligjeve që i hap rrugën modelit të ri të pagave, të quajtur “Euro Model”, i prezantuar nga kryeministri Milojko Spajić.
Sipas skemës së njoftuar, paga minimale neto do të jetë 1,000 euro për vendet e punës me arsim bazë ose më të ulët, 1,250 euro për ato me arsim të mesëm dhe 1,400 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë.
Por reforma nuk parashikon rritje vetëm për punonjësit me pagë minimale. Qeveria synon të ulë më tej taksat dhe kontributet mbi punën, në mënyrë që një pjesë më e madhe e kostos që paguan biznesi të përfundojë në pagën neto të punonjësit.
Spajić dha edhe një shembull konkret. Për një punonjës që sot merr 1,600 euro neto, punëdhënësi shpenzon rreth 1,980 euro. Me modelin e ri, sipas përllogaritjeve të qeverisë, me të njëjtën kosto prej 1,980 eurosh, paga që merr punonjësi do të rritej në 1,870 euro neto.
Në total, qeveria përllogarit se nga ndryshimet do të përfitojnë më shumë se 250 mijë të punësuar, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Synimi është që rritja më e madhe në përqindje të shkojë te punonjësit me të ardhurat më të ulëta.
“Euro Model” prek edhe pensionet. Nga viti 2027 ato parashikohet të indeksohen katër herë në vit, ndërsa qeveria pret që pensioni mesatar të kalojë 600 euro dhe pensioni minimal të jetë mbi 500 euro. Përpara hyrjes në fuqi të skemës, në dhjetor 2026, qeveria ka njoftuar edhe një pagesë shtesë prej 100 eurosh për çdo pensionist.
Por rritja e fortë e pagave ngre edhe pyetjen se si do të financohet reforma. Qeveria argumenton se kostoja do të mbulohet nga rritja e konsumit dhe punësimit, lufta kundër ekonomisë informale, disiplina e shpenzimeve, kthimi i diasporës dhe masa të tjera fiskale.
Në këtë kuadër, Podgorica paralajmëron edhe një masë që prek tregun e pronave: rritjen e vëmendjes ndaj tatimit mbi banesat dhe shtëpitë e treta që mbahen bosh, me argumentin se një pjesë e stokut të banesave mbetet jashtë tregut ndërkohë që të rinjtë përballen me qira të larta.
Ambicia e Podgoricës është që efekti i reformës të mos ndalet te pagat minimale.
Reforma lidhet nga qeveria edhe me procesin e integrimit europian dhe përpjekjen për të frenuar emigracionin. Mesazhi i Spajić për malazezët që jetojnë jashtë vendit ishte i drejtpërdrejtë: “Kthehuni. Mali i Zi ju pret.” GSH
Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar ndaj vendimit dënues për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në llogarinë zyrtare në X, MPJ e Kroacisë theksoi se nuk do që ta paragjykojë epilogun e vendimit që është marrë në shkallë të parë.
“Ky vendim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë apo faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagim.
MPJ-ja kroate shtoi se përgjegjësia individuale e një personi “nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e atyre krimeve apo për vënien në dyshim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”. bw
Ngarkesa me trëndafila të freskët e ardhur nga Kolumbia, ka vënë në lëvizje autoritetet greke dhe agjentët amerikanë të DEA-s, pasi brenda saj u zbulua rreth 100 kilogramësh kokainë.
Një ngarkesë me trëndafila të freskët, e ardhur nga Kolumbia, ka vënë në lëvizje autoritetet greke dhe agjentët amerikanë të DEA-s, pasi brenda saj u zbulua një sasi prej rreth 100 kilogramësh kokainë.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në aeroportin e Athinës dhe rezultoi me arrestimin e gjashtë personave. Sipas informacioneve paraprake, të paktën 6 prej të ndaluarve dyshohet se janë shtetas shqiptarë.
Sipas gazetës greke, Ekathimerini Lënda narkotike ishte kamufluar mes ngarkesës me lule, në një përpjekje për ta futur atë në territorin grek pa u zbuluar.
100 kilogramë kokainë të fshehur në një dërgesë me trëndafila nga Kolumbia u zbuluan në Aeroportin e Athinës
Policia Greke dhe agjentët e DEA-s amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur aktivitetin e plotë të grupit të dyshuar kriminal.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që në këtë rrjet të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.
Pjesë e hetimit është edhe përcaktimi i destinacionit ku ishte planifikuar të dërgohej sasia e kokainës, si dhe identifikimi i të gjithë personave që mund të kenë pasur rol në transportin dhe shpërndarjen e saj.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas pamjeve nga varrimi i Ratko Mlladiqit, duke e cilësuar si dëshmi të ringjalljes së konceptit të ashtuquajtur “Bota serbe”.
“Një fantazmë e re po sillet mbi Ballkan, fantazma e ‘Botës serbe’”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, pamjet nga varrimi i Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, tregojnë se kjo ide “po materializohet në sytë e BE-së dhe mbarë botës”.
Kamberi ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e institucioneve shtetërore, kishës dhe elitës politike në Beograd në nderimet për Mlladiqin.
“Kur shteti, kisha dhe elita politike në Beograd bashkohen për t’i dhënë nderime ushtarake të dënuarit për gjenocid, mesazhi i dërguar nuk është thjesht një nostalgji e shëmtuar, por një kërcënim i hapur për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kamberi.*
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, në varrimin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, Beograd, 7 shtator 2026.
Jellena Jankoviq
Disa nga zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, djali i presidentit të Serbisë dhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe u mblodhën më 7 shtator në Beograd, ku Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, u varros me nderime shtetërore dhe ushtarake.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe mbajti shërbesën mortore, ndërsa në varrim mori pjesë edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, në varrimin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, Beograd, 7 shtator 2026.
Analiza e pamjeve dhe fotografive të disponueshme publikisht tregon se në mesin e të pranishmëve kishte edhe pjesëtarë të organizatave të shumta të veteranëve dhe të djathta, përfshirë individë të dënuar për krime lufte dhe për përhapje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.
Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim për miratimin publik, mohimin ose minimizimin e ndjeshëm të gjenocidit dhe krimeve të luftës, por kjo dispozitë vlen për krimet e përcaktuara me vendime të gjykatave në Serbi ose të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa Mlladiq u dënua nga Tribunali i Hagës.
Pamjet e kolonës së njerëzve që, së bashku me krerë shtetërorë dhe kishtarë, përcollën arkivolin e të dënuarit për krime lufte, nxitën reagime të shumta nga rajoni, Brukseli dhe Uashingtoni.
Ata paralajmëruan se, në këtë mënyrë, fyhen viktimat, minohet pajtimi dhe dëmtohet rruga evropiane e Serbisë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik do të tërhiqet nga Ambasada e këtij vendi në Serbi, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të të dënuarit për krime lufte.
Ministrat i bënë nderime të dënuarit për krime lufte
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët se nuk do të marrë pjesë në varrim, për shkak të një takimi të paralajmëruar më parë me presidentin e Uzbekistanit.
Djali i tij, Danillo Vuçiq, shkoi në kishë i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurimit, disa prej të cilëve mbanin bluza me portretin e Ratko Mlladiqit.
Danillo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, në varrimin e Ratko Mlladiqit, 7 shtator 2026.
Sipas fotografive të publikuara në media, në varrim morën pjesë edhe djemtë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe të të dënuarit nga Tribunali i Hagës, Vojisllav Sheshel.
Postimi i Aleksandar Sheshelit, djalit të të dënuarit nga Tribunali i Hagës, Vojisllav Sheshel.
Në varrim u shfaqën gjashtë ministra, përkatësisht një e pesta e përbërjes aktuale të Qeverisë së Serbisë.
Para dhe brenda kishës, gjatë varrimit të Mlladiqit, u panë ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiq.
Në varrim ishte edhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq, i njohur për qëndrimet proruse dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet politike dhe të biznesit me Moskën.
Aty ishte edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Senatit të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Ai është nën sanksione të SHBA-së për përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe për dyshime për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar, trafikim të narkotikëve dhe keqpërdorim të funksionit publik.
I pranishëm ishte edhe Marko Kriçak, shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, i njohur në publik për polemikat lidhur me përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesve antiqeveritarë në Serbi.
Në varrim mori pjesë edhe deputeti Millosh Jovanoviq, kryetar i DSS-së së Re, parti e opozitës nacional-konservatore, përkatësisht të djathtë, në Parlamentin e Serbisë.
Deputeti Millosh Jovanoviq, lider i partisë DSS-i i Ri, në varrimin e Ratko Mlladiqit, 7 shtator 2026.
Drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Jasmina Llazoviq, vlerëson se gjithçka që ndodhi gjatë varrimit, është tregues i qartë se pas tij qëndron shteti, ndonëse mediat proqeveritare promovuan narrativin se përfaqësuesit e lartë të pushtetit ishin të pranishëm si qytetarë dhe se varrimi ishte “popullor”.
“Vuçiqit i duhet kjo, në mënyrë që në sytë e zyrtarëve perëndimorë të mos shihet si dikush që organizoi një varrim shtetëror për një njeri të dënuar për krimet më të tmerrshme në territorin e ish-Jugosllavisë”, thotë Llazoviq për Radion Evropa e Lirë.
Krerët politikë të Republikës Sërpska në varrim
Në varrimin e Mlladiqit morën pjesë edhe krerët politikë të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Mes të tjerëve, në Beograd udhëtuan anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, dhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq.
Kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, pranë kishës ku qytetarët i bënë nderime Ratko Mlladiqit, 7 shtator 2026.
Nga Mali i Zi, të pranishëm ishin përfaqësues të partive proserbe – Partisë Popullore Demokratike të Millan Knezheviqit dhe Malit të Zi të Lirë të Vlladislav Dajkoviqit.
Kisha Ortodokse Serbe dhe të dënuarit nga Haga
Në varrim, krahas krerëve politikë, u mblodhën edhe përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
Shërbesën mortore e mbajti patriarku Porfirije, së bashku me peshkopë të tjerë.
Gjatë ceremonisë pranë arkivolit, i cili ishte mbuluar me flamujt e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, Porfirije tha se emri i të dënuarit nga Tribunali i Hagës “do të mbetet thellë i gdhendur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.
Një ditë para varrimit, në profilet e grupeve të djathta në Telegram u shpërnda edhe një thirrje për vullnetarë që të ndihmonin klerin në organizimin e ceremonisë, përkatësisht në shpërndarjen e qirinjve për të pranishmit.
Priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe gjatë ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiqit, 7 shtator 2026.
“Kisha Ortodokse Serbe, që nga vitet ‘90, ka qëndruar krah për krah me njerëzit që kanë planifikuar dhe kryer krime lufte, kështu që kjo është vetëm vazhdimësi e asaj politike zyrtare”, thotë Llazoviq.
Ajo shton se në këshillin organizativ për varrimin e Mlladiqit ishte Svetozar Andriq, deri vonë anëtar i Këshillit të Qytetit të Beogradit, ndaj të cilit Fondi për të Drejtën Humanitare, në vitin 2018, ngriti kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte, për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, konkretisht në lidhje me kampin Sushica në Vllasenicë.
Në varrim mori pjesë edhe Vesellin Shlivançanin, i dënuar nga Tribunali i Hagës, i cili vuajti një dënim prej dhjetë vjetësh burgim për krimet në Ovçara, në Kroaci.
Nga “Beretat e Kuqe” tek “Ujqit e Natës”
Rol të rëndësishëm në varrim kishin edhe veteranët e Ushtrisë së Republikës Sërpska, si dhe përfaqësues të organizatave të shumta të veteranëve nga Serbia, të cilët ndërroheshin pranë arkivolit.
Pjesëtarë të Shoqatës së Veteranëve “Beretat e Kuqe” në varrimin e Ratko Mlladiqit, 7 shtator 2026.
Në fotografitë e publikuara shihet se mes tyre kishte veteranë të Njësive të Posaçme të Policisë, pjesëtarë të shoqatës “Heronjtë e Koshares”, si dhe veteranë të “Beretave të Kuqe” – organizatë që mbledh ish-pjesëtarë të njësisë speciale tashmë të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror.
Pjesëtarë të saj kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Radios Evropa e Lirë, të gjitha këto organizata i financojnë aktivitetet e tyre përmes donacioneve nga autoritetet lokale ose qendrore.
Sipas postimeve në rrjetet sociale, të pranishëm ishin edhe anëtarë të organizatave të djathta “Aksioni Serb” dhe “Patrulla Popullore”, të cilat janë anëtare të Ligës Ndërkombëtare të Sovranizmit – Paladins (ISL Paladins), një rrjet ndërkombëtar i së djathtës ekstreme, i themeluar në Rusi në vitin 2025, me pjesëmarrjen e aktorëve të afërt me Kremlinin.
Në hyrje të kishës u panë edhe pjesëtarë të klubit rus të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, i cili është nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe mbështetjes për pushtimin e Ukrainës.
Misha Vaciq, lider i organizatës së ekstremit të djathtë “E djathta serbe”.
Në varrim u panë, gjithashtu, Misha Vaciq, lider i organizatës së ekstremit të djathtë “E djathta serbe”, dhe Goran Davidoviq Firer, udhëheqës i organizatës së ndaluar neonaziste “Makineria Kombëtare” dhe një nga themeluesit e Partisë së re ultradjathtiste të Nacionalistëve Serbë.
Davidoviq ishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim për nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare, pasi, së bashku me një grup neonazistësh, kishte ndërhyrë në një tribunë antifashiste në Novi Sad, më 2005.
Për çfarë u dënua Ratko Mlladiq?
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë – zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) – në verën e vitit 1995.
Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.
Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.
Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 – Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq.
Radio Evropa e Lirë
Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi të hënën se pothuajse i gjithë personeli diplomatik i Ambasadës së Bosnjës në Serbi do të tërhiqet, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Konakoviq tha se në Beograd mund të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi për emërimin dhe shkarkimin e tyre vendos Presidenca e Bosnjës, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të tërhiqet.
Sipas tij, shërbimet konsullore pritet të transferohen te ambasadat e Bosnje e Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë.
Ai e arsyetoi vendimin me zhvillimet në Serbi pas vdekjes së Mlladiqit, përfshirë varrimin, ceremoninë përkujtimore dhe mesazhet që janë shfaqur në publik.
“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, tha Konakoviq.
Ai tha se “nuk ishte befasuar” nga prania e zyrtarëve të Republikës Sërpska në varrimin e Mlladiqit në Beograd dhe paralajmëroi se do të kërkojë sanksione “në të gjitha adresat” ndaj individëve që morën pjesë në ceremoni, përfshirë anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq.
Shefi i diplomacisë boshnjake tha se “alarmi i fundit” ishte mesazhi “Drejt Potoçarit”, i shfaqur në ndeshjen e Crvena Zvezdës, duke vlerësuar se ngjarje të tilla përbëjnë vazhdim të glorifikimit të krimeve të luftës dhe autorëve të tyre.
Gjatë derbit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit më 6 shtator, tifozët në tribunën veriore të stadiumit “Rajko Mitiq” shfaqën një portret të madh të Mlladiqit me mbishkrimin: “Drejt Potoçarit”.
Portreti i tij qëndroi i ekspozuar në tribunën veriore gjatë gjithë ndeshjes.
Konakoviq paralajmëroi gjithashtu një ofensivë diplomatike ndaj Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai tha se do të dërgohen një sërë notash dhe letrash diplomatike, përmes të cilave do të kërkohet reagim i qartë ndaj qëndrimit të Serbisë ndaj krimeve të luftës të vërtetuara me vendime gjyqësore.
Sipas tij, Bosnja nuk do t’u përgjigjet më në mënyrë pasive përpjekjeve për rishikimin e fakteve për krimet e luftës dhe do t’i përdorë më intensivisht kanalet diplomatike për të paraqitur, siç tha ai, të vërtetën për ngjarjet e luftës së fundit.
Kush nga Bosnjea mori pjesë në varrimin e Mlladiqit?
Në ceremoninë e varrimit të Mlladiqit në Beograd morën pjesë zyrtarët më të lartë të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska.
Në mesin e tyre ishin anëtarja e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq; presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan; kryeministri Savo Miniq; kryetari i Kuvendit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq; si dhe disa ministra të Qeverisë së këtij entiteti.
Nderime për Mlladiqin bënë edhe Millorad Dodik, kryetar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Branko Blanusha dhe Marinko Bozhoviq.
Paralajmërime ndërkombëtare për glorifikimin e Mlladiqit
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë paralajmëroi më 7 shtator se “çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim”.
Për ceremoninë e varrimit me nderime ushtarake dhe shtetërore kishin reaguar më herët edhe senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self, të cilët u bënë thirrje autoriteteve në Serbi dhe Republikën Sërpska të distancohen nga ceremonia.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë”, thanë senatorët në një deklaratë të përbashkët.
Ata paralajmëruan se glorifikimi i tij do të përbënte përdhosje të kujtimit të viktimave dhe një test për gatishmërinë e Serbisë dhe Republikës Sërpska për t’u shkëputur nga trashëgimia e krimeve të luftës.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi ndërkohë një vizitë të planifikuar në Serbi, duke vlerësuar se glorifikimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga evropiane.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Mlladiq, të cilin Tribunali i Hagës e dënoi për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë, u varros në Beograd të hënën, më 7 shtator, me nderime ushtarake dhe shtetërore.
Më 5 shtator, në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd, për Mlladiqin u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore, ku morën pjesë, ndër të tjerë, ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan.
Në ditët pas vdekjes së Mlladiqit, në disa qytete të Serbisë dhe në entitetin Republika Sërpska u organizuan tubime në kujtim të tij.
Tubimi më i madh u mbajt në Banjallukë më 1 shtator.
Në narrativat e disa mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq është paraqitur si viktimë e Tribunalit, i cili, sipas tyre, nuk e lejoi të kurohej në Serbi, ndërsa vendimi gjyqësor ndaj tij dhe viktimat e krimeve për të cilat u dënua pothuajse nuk janë përmendur.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, do të varroset sot në Beograd me nderime të paralajmëruara shtetërore dhe ushtarake.
Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u ekspozua gjatë ditës në Kishën e Shën Lukës, ku ceremoninë mortore e udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë ceremonisë, ku pjesëtarë të gardës së nderit të Ushtrisë së Serbisë qëndronin në rojë, u bënë lutje që “gjeneralit Ratko t’i faleshin mëkatet e bëra me dashje dhe pa dashje”.
Porfirije tha se emri i tij “do të mbetet thellë i ngulitur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.
Ai, gjithashtu, tha se populli serb “ushqen mirënjohje të thellë” ndaj Mlladiqit, pasi e sheh atë si “ushtar dhe komandant që, në një kohë të vështirë, qëndroi në krye të ushtrisë së popullit të tij”.
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë – zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) – në verën e vitit 1995.
Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.
Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.
Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 – Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.
Mlladiqit i bënë homazhe zyrtarë të shumtë nga Serbia, Republika Sërpska dhe Mali i Zi.
Në të njëjtën kohë, mijëra njerëz pritën në radhë para kishës, për ta nderuar.
Disa prej tyre mbanin bluza me portretin e kriminelit të dënuar të luftës dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës.
Qindra njerëz tashmë janë mbledhur në varrezat e Topçiderit në Beograd, ku Mlladiq do të varroset.
Në varreza janë rreshtuar pjesëtarë të ushtrisë dhe është e pranishme edhe orkestra ushtarake, ndërsa shumë nga të pranishmit mbajnë bluza dhe simbole që madhërojnë Mlladiqin.
Pamje nga varrezat Topçider në Beograd, ku do të varroset Mlladiq, 7 shtator 2026.
Paralajmërime nga SHBA-ja dhe BE-ja
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska – entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës – dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Mlladiqit.
Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës – një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.
“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrjeje apo lidhjeje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiqin si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.
Dy kongresistë amerikanë, Greg Murphy dhe Marc Veasey, vizituan Potoçarin të hënën, për t’u bërë homazhe viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe për të riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e së vërtetës dhe promovimin e përgjegjësisë.
“U bëjmë homazhe atyre që nuk janë më dhe shprehim solidaritetin tonë me të mbijetuarit”, thuhet në një postim të Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë në platformën X.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë tha se madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe se për to nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.
Në mesin e zyrtarëve që i bënë homazhe Mlladiqit në kishën në Beograd, ishin edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, dhe anëtari i Senatit të Republikës Sërpska, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Uashingtoni për lidhjet e tij me Rusinë.
Në varrim nuk pritet të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë më herët se nuk mund të jetë i pranishëm, pasi presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, po qëndron për vizitë në Beograd.
Vuçiq ka thënë, gjithashtu, se ka “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohet në “mënyrë dinjitoze”, ndërsa ka hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore.
“Serbia humbi mundësinë të distancohej nga trashëgimia e Mlladiqit”
Jasmina Llazoviq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, tha se ajo që po ndodh në Beograd, duket si një mundësi e madhe e humbur që Serbia të distancohej zyrtarisht nga trashëgimia e Mlladiqit dhe përgjegjësia e tij për krimet e shumta të kryera në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Serbia e kishte mundësinë, ndonëse gjatë viteve të kaluara vazhdimisht ka qëndruar në anën e Mlladiqit dhe disa herë ka dhënë garanci në favor të tij, që tani të thoshte se ky është një njeri përgjegjës për krime të tmerrshme dhe se ky shtet dëshiron të distancohet prej tij”, tha Llazoviq.
Ajo vlerësoi se kjo është pasojë e politikës zyrtare të kulturës së kujtesës, e cila, sipas saj, “mbështetet në premisën se Serbia ka zhvilluar vetëm luftëra mbrojtëse”.
“… ku madhërohen kriminelët e luftës, ku mohohen krimet e luftës, ku për trashëgiminë e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë flitet nga perspektiva e vetëviktimizimit dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ku në asnjë rast nuk flitet për viktimat”, tha Llazoviq.
Sipas saj, është e qartë se shteti qëndron prapa gjithë kësaj – gjë që dëshmohet edhe nga fakti se Mlladiq po varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, ndërsa shërbesën mortore po e mbajnë krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
“Kisha Ortodokse Serbe, që nga vitet ’90, ka qëndruar krah për krah me njerëzit që kanë planifikuar dhe kryer krime lufte, kështu që kjo është vetëm vazhdimësi e asaj politike zyrtare të Kishës Ortodokse Serbe, e cila në asnjë moment nuk është distancuar nga krimet e luftës dhe nga të gjitha ato mizori që kanë kryer strukturat ushtarake dhe policore të këtij shteti”, tha Llazoviq.
Për Mlladiqin, të shtunën, më 5 shtator, u mbajt një ceremoni përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd.
Në të morën pjesë, mes të tjerëve, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi e dënoi atë që e cilësoi si “keqpërdorim të burimeve shtetërore” gjatë transportimit të trupit të Mlladiqit dhe paralajmërimit të ceremonisë shtetërore përkujtimore për të.
Ramet: Shumë serbë e kanë të vështirë ta pranojnë se Mlladiq ka kryer gjenocid
Politologia amerikane, Sabrina P. Ramet, thotë se madhërimi i Ratko Mlladiqit lidhet me mënyrën se si shoqëritë ndërtojnë dhe ruajnë narrativët për të kaluarën e tyre, edhe kur ata bien ndesh me faktet e vërtetuara nga gjykatat.
Sipas saj, tekstet shkollore të historisë në Serbi përcjellin narrativin se vendi ka vepruar drejt dhe ka qenë viktimë e padrejtësive të të tjerëve – një narrativ që, siç thotë ajo, përforcohet edhe nga mediat nën kontrollin e presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Nga ky këndvështrim, për shumë serbë – ndonëse, natyrisht, jo për të gjithë – është tepër e vështirë të pranojnë se Mlladiq kreu gjenocid apo se Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë i mori vendimet bazuar në prova”, thotë Ramet për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se drejtësia ndërkombëtare mund ta përcaktojë përgjegjësinë penale të një personi, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se do të ndryshojë edhe mënyrën se si ai kujtohet nga një pjesë e shoqërisë.
“Për njerëzit që janë lidhur me një narrativ të caktuar, shpesh është jashtëzakonisht e vështirë ta braktisin atë, edhe kur paraqiten prova të shumta që e rrëzojnë”, thotë Ramet, profesoreshë në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU) në Trondheim.
Sipas saj, narrativët e luftës mund të trashëgohen edhe nga brezat që nuk e kanë përjetuar konfliktin: studimet në vende të ndryshme kanë treguar se edhe nipërit e brezit që ka përjetuar luftën mund të trashëgojnë ndjenjën e vuajtjes dhe zemërimit.
Në ditët pas vdekjes së Mlladiqit, në disa qytete të Serbisë dhe në entitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, u mbajtën tubime në përkujtim të tij.
Tubimi më i madh u mbajt në Banjallukë më 1 shtator.
Në narrativët e mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq u paraqit si viktimë e Tribunalit të Hagës, i cili nuk e lejoi të shkonte për trajtim mjekësor në Serbi, ndërsa dënimi i tij dhe viktimat pothuajse nuk u përmendën.
Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë tha të hënën se është i shqetësuar për transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë përkujtimore për Mlladiqin nga Radio-Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), gjatë së cilës folësit e madhëruan atë disa herë.
OSBE-ja i bëri thirrje Agjencisë Rregullatore të Komunikimeve që ta vlerësojë pa vonesë këtë raportim dhe “të reagojë në mënyrë proporcionale ndaj çdo shkeljeje të konstatuar”.
“Respektimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat dhe i dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve është thelbësor për gazetarinë e përgjegjshme, pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në reagim.
Homazhet për Mlladiqin u mbajtën edhe pse ligji penal në Bosnje dhe Hercegovinë e ndalon dhe e ndëshkon mohimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të vërtetuara me vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe madhërimin e personave të dënuar përfundimisht për krime lufte.
Për këto vepra parashihet dënim deri në pesë vjet burgim.
Gjenerali Rahim Ademi, shqiptar nga Kosova, me veprimtari në Kroaci i cili gjatë Operacionit Stuhija mundi forcat e komanduara nga Ratko Mladić, komentoi vdekjen e Kasapit të Srebrenicës. “Ai nuk ishte aspak ushtar. Ai kurrë nuk demonstroi aftësi të vërteta ushtarake në luftë. Ai tregoi ‘guximin’ e tij vetëm kundër civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz të paarmatosur”, tha Ademi. Në gusht të vitit 1995, në Operacionin Stuhia gjenerali Rahim Ademi dhe forcat e tij mundën njësitë serbe të komanduara nga Ratko Mladić në luftimet pranë Shibenikut, duke e detyruar Mladić me forcat e tij të marrin ikën.
Operacioni Stuhia (i njohur ndërkombëtarisht si Operation Storm ose në gjuhën kroate si Operacija Oluja) ishte ofensiva vendimtare ushtarake e ndërmarrë nga Ushtria Kroate (HV) dhe policia speciale, në bashkëpunim me Ushtrinë e Bosnje-Hercegovinës (ARBiH), nga 4 deri më 7 gusht 1995. Ky operacion i dha fund Luftës Kroate për Pavarësi.
Sa për “Kasapin e Bosnjës”, Beogradi vazhdon ta trajtojë si hero pasi sipas njoftimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit serb ai “do të varroset me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore”. Beogradi vijon të mos heqë dorë as të distancohet nga krimet dhe kriminelët e dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit, që dikur i adresoheshin Milosheviçit.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka paralajmëruar publikisht për praninë e një aktiviteti të koordinuar hibrid që synon të destabilizojë vendin dhe të bllokojë avancimin e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Përmes një deklarate në rrjetin social X, Spajić bëri me dije se autoritetet malazeze disponojnë të dhëna serioze operative, sipas të cilave mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat me BE-në pritet të shoqërohet me sulme hibride ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.
Kreu i qeverisë malazeze nëlëviz se këto përpjekje synojnë destabilizimin e vendit përmes mbështetjes nga aktorë të caktuar politikë dhe një pjesë e skenës mediatike vendase. Megjithatë, Spajić siguroi se këto ndërhyrje nuk do të arrijnë të ndryshojnë kursin dhe as të ndalin integrimin evropian të Malit të Zi.
Ndonëse kryeministri Spajić zgjodhi të mos përmendte me emër shtetet e dyshuara, mediat lokale kanë zbardhur prapaskenat e deklaratës së tij. Gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar burimeve konfidenciale, raportoi se dy vendet e rajonit për të cilat fliste indirekt kryeministri lidhur me veprimtarinë hibride janë Serbia dhe Shqipëria. bw
Komentet