Nuk mbaheshin mend të tilla temperatura të ulëta atë ditë dimri kur mora udhën për Greqi.
Të thuash minus 20 gradë celsius nën zero, ishte pak. Nuk është gjë Groenlanda! As Poli i Veriut.Vetëm arinjtë polarë mungonin, atë ditë në rrugën Kakavie-Athinë, kur në vend të parë, dora vetë, kisha gjyshen time, gjyshe Marën aso kohe shtatëdhjet po sot. nëntëdhjet e nëntë vjeçe dhe akoma mbahet edhe me shëndetin dhe me humorin e krahinës malore të Bregdetit nga e ka origjinën.
Pas pesëmbëdhjetë viteve punë pa ndërprerë në ndërtim në kalluposj(e siç thuhej, pikërisht atë muaj unë sapo kisha plotësuar ëndrrën e parë që kisha në emigrim: të blija një makinë.
Kisha blerë një Wolkswagen të përdorur por të mbajtur mirë nga një doktor tek i cili po punonim për shtëpinë e dytë me skuadrën e ndërtimit në periferi të Athinës, diku në Kalivia. Ia kisha vënë syrin makinës kur mësova se i zoti do të blinte një të re në Gjermani.
Rrugën e parë në atdhe e bëra me një qëllim: të merrja gjyshen dhe të kalonte dimrin me familjen time të re në kryeqytetin helen. Mezi e shkula nga fshati duke i bërë rixha. Gjyshe Mara më ka rritur dhe i detyrohem tërë jetën ndaj, doja ta kënaqja medoemos. Dhe më në fund ia ktheva mendjen.
-Do të rish në vendin e parë i thash si anëtare e Komitetit Qëndor, si vetë shoqja Viko.
-More, lanet! Pse mos të rri edhe unë në vend të parë? Edhe unë i kam dhënë Luftës tok me të tjerët në fshatin tënë.
-Dale njëherë se do bëj ormitë gati. Si do të vij me duar thatë te të vogjlit e tu dhe nusja?
Përgatiti nga dy çanta të mëdha dhe nuk harroi që në njerën të vendosë vergje me fiq të thatë e bukëfiqe, një trastë me arra nga ajo kokërrmadhja e bahçes në Tisie që çahet me dorë, ca ftonj e ku di unë ç’tjetër.
Unë: po boll moj gjyshe se ka në Athinë plot edhe reçel edhe arra, edhe ç’të duash.
Ajo: Ka more ka, por jo si të fshatit tënë. Jo si të bahçes tënë!(sonë). Në fund, futi në çanta nga tri bidonë coca cole me raki rrushi. Deri vone, një jetë të tërë, e bënte vetë rakinë nga hardhia e madhe.Në fund, m’u kthye si triumfatore:
-Djalo, tani fol e qesh me gjyshen se unë ormitë i sosa dhe nesër, në ç’orë të duaç, më ke gati për udhë në vend të parë.
U gëzova. I lumtur se po plotësoja një ëndërr të dytë me gjyshen që më ka rritur, mora me gëzim udhën për Greqi.
Duke ngjitur Qafën e Muzinës i them:
-Do zoti edhe nuk ka radhë të gjatë me makina në Kakavije për kalimin kufitar dhe ne, për pesë, e shumta gjatë orë, pimë kafe në shtëpi në Athinë.
-Do i madhi Zot,-ma ktheu gjyshja. -Ti e di more nipçe. More, edhe këtej nga greku, me radha të gjata si tek na, kur vinte mishi te Helmidea, në dyqan të kooperativës?
-Si në mulli, gjyshe.
Por radhët nuk na u ndanë. Makinat varg e varg mezi lëviznin drejt sporteleve të policëve grekë dhe doganës. Ishin ditët afër Krishtlindjeve dhe doemos as që mund të mendohej se do kalonim lehtë e pa radhë.
-Diqa për një duhan.- më tha një çast gjyshja.
-M’u tha xhani!.(kup.mbarova)
-Ndize,- i them. -Kush të ndalon, polici grek?
Ndërkaq, nisi një suferinë me borë që po zbardhte pjesë-pjesë krejt xhamin e përparmë të makinës.
Ula pak xhamin anësor nga krahu i gjyshes sa për ajrim. Ajo e ndezi cigaren e parë si çibuk dhe pas kësaj edhe disa të tjera me radhë.
-More nipçe po mbylle more këtë të flamosur penxhere se na hyri tartakuti në palcë dhe do ngrimë si plakat e marsit, sikur jemi në mal të Bunaçes.
Bëra si më tha. Kaloi një orë. Makina nuk ishte me kondicioner. dhe të ftohtit sapo dilje jashë, të priste si në Siberi.
-More nipçe, kërremë 3) (më xire) pak një nga ata bidonat me raki të ngrohemi ca, se nuk është punë kjo. Të ngrohemi se vamë!4)(vdiqëm, cofëm)
Dola nga makina dhe po kërkoja në bagazh në cilën çantë e kish vendasur rakinë.
E mori cocca colën dhe e ktheu si ujë.
-Ashtu de!-tha. -Tani, çoç erdha në vete se diqa!
Unë qeshja.
-Do të zërë, gjyshe!
-E çë, pastaj? Këtu, do kumbisem. Si jatak 5)(shtropje,krevat) është kjo karrekëll.
Pastaj më pa me habi.
-More djalë, t’u nxi buza more xhan, të është bërë mellan nga të ftohtit, po ktheje njëherë, hë të keqen!Hë derman!
-Jo gjyshe nuk bëhet se mbaj erë e jam në timon.
-Hajde more, manar i gjyshes, qënke bërë edhe frikacak që kur erdhe ketej nga greku. Ktheje nje herë se nuk të shoh dot tek dridhe si purteka në ujë.
-Ja, do vesh triken e trashë nën xhup edhe do ngrohem.
Por gjyshja ime ishte këmbëngulëse., E ktheva edhe unë një gllënkë sa për t’i bërë qejfin.
Radha e makinavc ecte ngadalë.
– Kam ve të ziera,- tha.-Me rigon dhe djath fshati nipçe. Merri,- dhe më vuri ne prehër dy vezë të qëruara.
-Ktheje edhe një herë! Hë t’u bëfsha! Ja, për fëmijët e tu!-dhe më zgjati bidonin e madh të coca-colës.
Nuk ia prisha. E ktheva edhe një tjetër gllënkë me raki. Po që m’u duk e shkëlqyer? E ktheva për së dyti.
-Për ty gjyshe! Të të kemi me jetë të gjatë e të bardhë! E ke bërë të shkëlqyer fare, për eksport e ke bërë këtë raki.
-Më rrofsh! Ashtu, a të paça!
E kaluam edhe doganën e Kakavijes më në fund dhe nisi rruga e gjatë për kryeqytet.
-E paske xixë maqinën, biro! Ta gëzoç, e t’i shoç hairin për punë e për prokopi -më mburte gjyshja rrugës por coca colën me lëngun e bekuar shqiptar nuk e hiqte nga prehëri. E kishte bërë si një biberon gjigand.
-Ktheje edhe nji herë, hë dermën,6) (kup.xhan) -më thosh sa herë e kthente për vete nga një gllënkë nga bidoni.
Dhe kështu, pi gjyshja, pi unë. Pi gjyshja, pi unë, i kishim bërë nja 200 km kur në dalje të një qyteze greke dy uniforma policësh rrugorë me pelerina fluoreshente, më bënë shenjë të hapja krahun e të mbaja makinën.
U tremba se nuk ka shaka me policin grek.
Të dy policët rrugorë u larguan nga vetura e tyre ndanë rrugës dhe u afruan te Wolchvageni im.
-STOP! Hap krahun dhe ndalo! Kalimera!
-Kalimera!Na jep pak dokumentat. Ku po shkon kështu?
-Në Athinë. Në shtëpi. Vij nga Shqipëria.
-Atë e dimë ne nga vjen, po kë keni përpara?
-Kam një plakë, gjyshen time.-thash dhe sapo mbylla portën e makinës me dokumenta në dorë.
Kanë hije më të rëndë policat grekë!Jo si tanët.
-Ç’është kjo erë këtu? -thirri polici i parë, ai që mbante shenjën STOP në dorë si një sopatë të kuqe.
-Nuk e di….-belbëzova unë i hutuar.-Çfarë ere?
-NUk e di? Po kush e di? Mihali,-iu drejtua kolegut-Ela ligo!8) (eja pak). Ky ka pirë alkool. Të çan hundët, sill aparatmatësin!
Kolegu i tij u qas menjëherë dhe më zgjati gypin e aparatmatësit për alkoolin para gojës sime.
Zhiva e aparatit shkoi në majë.
Ndërkohë gjyshja doli ngadalë nga porta dhe u afrua tek ne.
-Si jeni more djem?
-Ti lei, ti lei, i jaja? 9)(cfar thot? Të hyjë brenda!)
-Thotë si jeni?
-Djaloshi ka pirë alkool dhe kjo është gabim i rëndë,-i tha polici me STOPI-n në dorë.
Ia përktheva gjyshes. Dhe desha të shtoja: ah ç’na bëre tani!
-Çfarë alkooli, more djem? Mos e keni gabim atë veglën tuaj?
Njëri nga policat pasi përktheva fjalët e gjyshes u hodh:
-Qënka e lezeçme jajaja!|(gjyshja)
Por gjyshja aty për aty, iu drejtua policit:
-Ja vendosmani mua atë veglën tuaj!
Njeri nga ata duke qeshur por edhe ca nervoz e afroi gypin e aparatit në gojën e gjyshes. Zhiva kërceu përpjetë më tepër se në rastin tim.
-Gamoto!-10)- (kup.dreq! )-tha polici i parë.
Të njejtin marifet matje bëri edhe i dyti te gjyshja. Po i njejti rezultat si të ishte i njejti ekuacion për zgjidhje me të njëjtin përfundim.
-Gamoto!-tha edhe i dyti.-Ç’bëhet kështu?
-E ka fajin vegla juaj, o djemtë e nënës. Unë ua thaçë po nuk më zutë besë. Për atë Allah! Këtë herë, ajo e ka fajin.
Dhe më pëshpëriti:
-Në na zënçin prapë, të na e ndreqin mirë samarin!
-Hajde, ikni edhe kujdes, se alkool ndoshta ka pirë edhe jajaja!
Edhe kujdes, entaksi*? (në rregull?) Shumë kujdees! -tha tjetri,- Sot të falëm për shkak të jajsë, more vesh?
Kështu kaluam në presë të briskut unë edhe gjyshja te policat grekë të policisë rrugore që qeshën me dyshimin se, që të dy ne ishim bërë xurxull nga rakia që tashmë vërtert ishte eksportuar deri në Greqi.///
—o0o—
Komentet