Me zjarr diskutimesh, deputetët e PD-së kërkuan që të hiqej nga lista emri i Endri Shabanit, i cili bashkë me pesë të tjerë, është propozuar për tu zgjedhur në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Çdo fjalë e thënë opozitare ishte një shfaqje tallëse, jo në raport me kundërshtarin politik, por me mbështetësit e saj.
Opozita minimalisht sot në Parlament kohën e diskutimeve duhet ta kishte shfrytëzuar për të kërkuar një ndjesë të madhe publike, sesi me ndërgjegje të plotë, u bë pjesë e kësaj skeme të cilën publikisht tentojnë ta zhbëjnë.
Fakti është që Endri Shabani, deri pak javë më parë drejtues i Partisë Nisma Thurje, një kritik i madh i opozinës dhe mbrojtës i butë i mazhorancës, mblodhi plot 35 firma mbështetesë pikërisht nga deputetët e PD-së, që sot thonë se tërhiqen nga mbështetja. Asnjë vlerë juridike, e mbi të gjitha një hendek i madh të moralit politik të opozitës, e cila tashmë noton në ujërat e ndotura që e mbushi vetë në kazanin e pushtetit.
“…ne tërhoqëm firmat. Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit (shënim: i referohet Endri Shabanit), nuk merr dot asnjë firmë. Jo, nuk i merr dot”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha.
Po çfarë vlere ka tërheqja në një kohë kur gjithë kjo skemë e rëndë zhbëri një proces normal, ku opozita mund të dilte me një emër të saj?! Ajo u tall keq edhe me pesë kandidatët e tjerë të cilët u “përzgjodhën” bashkë me “xholin” Shabani. Tashmë pesë të përzgjedhurit e tjerë; Ardiana Kalaja, Aranita Brahja, Besim Ndregjoni, Skënder Haluca dhe Tartar Bazaj, për turpin e opozitës parlamentare janë thjesht dekor i emrit Endri Shabani. Në të vërtetë “Lepuri i Surrelit”, fjeti me jo pak, por 35 deputetë të PD-së. Tani zoti Berisha êshtë koha të hapni krahun nëse sju dëgjojnë dhe ju kanë dalë nga kontrrolli ose të kërkoni falje i pari nëse ju kanë dalë nga kontrrolli pa leje. Zakonisht stë dalin nga kontrrolli pa leje as Gaz Bardhi as Flamuri, as Alimehmeti dhe as Saliani, thjesht bëjnë sikur.