Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit të SHBA-së lidhur me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, raporton BBC.
Vendimi vjen vetëm disa ditë përpara një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve për të vendosur nëse çifti do të mbahej penalisht përgjegjës për shpërfillje të Kongresit, pasi për muaj me radhë kishin refuzuar të paraqiteshin përpara Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës.
Bill Clinton ka pranuar se ka pasur njohje me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar se kishte dijeni për veprimtarinë e tij kriminale, duke deklaruar se kishte ndërprerë kontaktet me të rreth dy dekada më parë.
Ende nuk dihet se kur do të zhvillohen seancat dëgjimore, por kjo do të shënojë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon përpara një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur dëshmoi Gerald Ford. Komiteti i Mbikëqyrjes, i drejtuar nga republikanët, miratoi muajin e kaluar masën për t’i mbajtur Clintonët në shpërfillje të Kongresit, me mbështetjen edhe të disa demokratëve.
Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Urena, konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social X se çifti do të paraqitet përpara komitetit. Panorama