VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bill Clinton pritet të dalë nga spitali sot

By | October 17, 2021
blank

Komentet

blank

Blinken paralajmëron Rusinë

VOA

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi sot Rusinë të mos ndërmarrë ndonjë “hap përshkallëzues” ndaj Ukrainës, duke theksuar se “një agresion i ri do të shoqërohej me pasoja serioze”.

Duke folur me gazetarët përkah Ministrit të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics gjatë një vizite në Rigë, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga dërgimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Shqetësimet rreth shtimit të trupave ruse do të diskutohen në takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Rigë.

Para takimit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet në rajon, duke shtuar se shtimi i pranisë ushtarake është “i paprovokuar dhe i pashpjegueshëm”.

Një sulm i mundshëm i Rusisë kundër Ukrainës, do të kishte një çmim të lartë dhe pasoja politike dhe ekonomike serioze për Rusinë”, tha dje zoti Stoltenberg.

Takimi i NATO-s në Rigë vjen në një kohë që vendet anëtare të NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia ndeshen me një krizë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.

Bashkimi Evropian e akuzon presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për tërheqjen e mijëra imigrantëve nga Lindja e Mesme në vendin e tij, që prej andej të kalojnë në Letoni, Lituani dhe Poloni me synimin për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Brukseli thotë se Presidenti Lukashenko po hakmerret për sanksionet që BE-ja ka vënë ndaj Bjellorusisë.

Një tjetër synim i takimit të NATO-s do të jetë përditësimi i asaj, që grupi e quan, Koncepti Strategjik, i ndryshuar për herë të fundit para një dekade.

Zoti Stoltenberg tha se është e rëndësishme të rishikohet dokumenti për shkak të ndryshimit të kërcënimeve me të cilat ndeshet aleanca, në një botë, që ai e quajti “më të rrezikshme”.

“Sjellja e Rusisë, sulmet kibernetike, kërcënimet terroriste, përhapja e armëve bërthamore dhe pasojat për sigurinë nga Kina, e cila po bëhet gjithnjë e më shumë një fuqi globale”, janë disa prej tyre, tha zoti Stoltenberg.

blank

Vatranët e Michiganit distancohen nga vizita e Edi Ramës në Detroid dhe axhenda e fshehtë e Ambasadores Floreta Faber

DEKLARATE

Komuniteti shqiptar në Michigan është njoftuar në mënyra të ndryshme jo publike për ardhjen e Kryeministrit Rama në Michigan.

Federata Vatra, dega Michigan sqaron publikun se nuk ka asnjë lidhje apo përfshirje të Vatres në këtë ardhje të Kryeministrit Shqiptar. Një pasqyrë e saktë e kësaj është shtjelluar me poshtë:

Pak kohë më parë, Ambasadorja e Shqipërisë Floreta Faber i ka bërë kërkesë anëtarit të kryesisë së Vatrës, z. Valentin Lumaj që të mundsojë një takim me Kongresisten Republikane Lisa McClain, kjo mbas dijenisë së saj të njojes dhe ndimesës së z. Lumaj për kongresisten gjatë fushatës së saj. Kjo kërkesë dhe i gjithë procesi i komunikimit për të mundësuar këtë takim është i dokumentuar. Arsyeja e paraqitur nga Ambasadorja Faber për këtë takim ka qenë krejtesisht e ndryshme nga tema e ardhes së Kryeministrit Rama në Michigan. Z. Lumaj i ka kërkuar një takim zyrës së protokollit të Kongresistes Lisa McClain, në mes Kongresistes, Ambasadores Faber të shoqëruar nga Konsulli i nderit Ekrem Bardha, Kryetarit te Vatrës Michigan Mondi Rakaj dhe z. Valentin Lumaj. Mbasi eshte dakortesuar për kohen dhe vendin e takimit dhe teknalitete te tjera, zyra e Kongresistes McClain ia ka konfirmuar kete takim z. Valentin Lumaj.

Ditën e takimit, në pritje të Kongresistes McClain, Ambasadorja Faber, z. Rakaj dhe z.Lumaj kane biseduar për tema të ndryshme dhe gjendjen në Shqipëri, por në asnjë rast Ambasadorja nuk ka përmendur ardhjen e Kryeministrit Shqiptar në Michigan.

Edhe gjatë takimit me Kongresisten McClain, ambasadorja Faber nuk ka përmendur asnjëherë ne grup ardhjen e kryeministrit shqiptar. Ambasadorja Faber, edhe mund të ketë folur në menyrë të kamufluar me kongresisten McClain, por në asnjë rast përfaqesuasit shqiptarë në ate takim nuk janë njoftuar për këtë vizitë të Kryeministrit Rama në Michigan. I vetmi moment që është përmendur Kryeministri Rama në ate takim është kur z. Lumaj i ka sqaruar gjerë dhe gjatë Kongresistes McClain situatën e vështirë të shkatërrimit të së djathtës politike në Shqipëri si pasojë e influencës së George Soros në bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe se e djathta në Shqipëri, është duke bërë përpjekje të fuqishme për të rindërtuar një parti konservatore në përngjasim të Partise Republikane Amerikane. Gjatë fjalës së z. Lumaj, ambasadorja Faber, dukshëm e pakënaqur nga fjalët e tij e ka nderprerë z. Lumaj dukë thënë: “too much politics for me” dhe është ngritur dhe është larguar duke e braktisur takimin ne mes. Takimi dhe biseda ka vazhduar edhe mbas largimit të ambasadores Faber. Kryetari i Vatres, Mondi Rakaj i ka shprehur kongresistes McClain mbështetjen e tij, te grupimit “Albanians for Trump” dhe të komunitetit republikan shqiptar në Michigan. Z. Lumaj e ka ftuar Kongresisten Lisa McClain në festimet e komunitetit shqiptar te Festes së Pavaresisë së Shqipërisë, ftesë të cilën kongresistja e ka pranuar me kënaqësi dhe aktualisht ka marrë pjesë në këto festime.

Kjo ishte panorama e takimit te treanshëm në mes Kongresistes Lisa McClain, ambasadores Faber dhe perfaqësisë së Vatrës. Dukshem qëllimi i ambasadores Floreta Faber ka qenë shtrimi i rruges se ardhjes se Kryeministrit Rama, por gjithmonë në mënyrë të fshehtë, të padrejtë dhe te pandershme, duke mos e shprehur në asnjë rast qëllimin e vertetë të saj ardhjes në Michigan. Një ambasadore e aftë dhe e përgjegjshme duhet që të njftojë publikisht ardhjen e Kryeministrit shqiptar në Michigan. Vatra Michigan distancohet nga kjo axhendë dhe e cilëson si një miopi ambasadoriale mënyrat e shëmtuara dhe metodave shfrytëzimit të pandersëm të situatave të Ambasadores Floreta Faber në shërbim ndaj Kryeministrit Shqiptar. Koha do të tregojë se dhe gjithçka e bërë në errësirë do të dalë në dritë dhe e vërtëta do të prevalojë.

Dega e Vatrës, Michigan, 29 Nëntor 2021.

blank

blank

Blinken uron shqiptarët në Ditën e Pavarësisë

VOA

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken uroi sot (e dielë) në emër të Shteteve të Bashkuara popullin e Shqipërisë me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Zoti Blinken kujton rrënjët e thella të miqësisë mes dy vendeve që datojnë më shumë se një shekull më parë, që nga koha kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti me forcë pavarësinë e Shqipërisë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919.

Që nga ajo kohë, thuhet në mesazhin e zotit Blinken, shqiptarët kanë demonstruar forcë e qëndrueshmëri të madhe, duke u çliruar nga shtypja prej diktaturës komuniste e duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.

Si dëshmi të kësaj qasjeje zoti Blinken përmend vendimin e Shqipërisë për t’i hapur dyert afganëve në nevojë.

Shqiptarët vazhdojnë të ofrojnë një strehë të sigurt, sikurse bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore e grupe të tjera që largoheshin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit”, thuhet në mesazhin e sekretarit të Shtetit.

Për zotin Blinken 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së këtë vit, është një rast për të reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991.

Sot ne jemi aleatë në NATO dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, shkruante ai.

Mesazhin e tij të urimit zoti Blinken e përfundonte duke shprehur përkushtimin e Shtetet e Bashkuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ato ekonomike, si dhe të ardhmen e vendit drejt Bashkimit Evropian.

blank

SHBA: Të gjitha alternativat mbi tryezë lidhur me reagimin ndaj grumbullimit të trupave të ruse

VOA

Shtetet e Bashkuara thotë se gjitha alternativat janë mbi tryezë lidhur me reagimin ndaj grumbullimit të “të madh dhe të pazakontë” të trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës dhe aleanca e NATO-s do të vendosë se cili do të jepë hapi i mëtejshëm pas konsultimeve javën e ardhshme.

Komentet i bëri të premten ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

“Siç mund ta kuptoni, të gjitha opsionet janë në tryezë”, u tha gazetarëve zonja Donfried.

“Tani i takon aleancës të vendosë se çfarë hapash të mëtejshme do të ndërmarrë,” tha ajo, duke folur në prag të një vizite të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Letoni dhe Suedi javën e ardhshme për të marrë pjesë në takime të NATO-s dhe OSBE-së ku ajo tha se grumbullimi “i madh dhe i pazakontë” i trupave nga ana e Moskës do të ishte tema kryesore.

Zyrtarët e SHBA-së, NATO-s dhe të Ukrainës kanë ngritur alarmin javët e fundit për ato që ata thonë se janë lëvizje të pazakonta të trupave ruse pranë Ukrainës, duke sugjeruar se Moska mund të jetë e gatshme të nisë një sulm ndaj fqinjit të saj, akuza që Rusia i ka hedhur poshtë.

E pyetur nëse zoti Blinken do të takohej me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Stokholm, zonja Donfried tha se nuk kishte ndonjë njoftim për të bërë për një takim të tillë dypalësh, por la të kuptohej se ekzistonte mundësia që gjërat të ndryshonin.

blank

Wilson: Ndikimi rus dhe kinez në Ballkan – në rritje

Milena Djurdic

Damon Wilson nga National Endowment for Democracy, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se ende ka punë të papërfunduar për jetësimin e reformave që sigurojnë se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e botës së lirë dhe institucioneve demokratike.

“Nëse mendoni se ku ishin Franca dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore dhe e krahasoni konfliktin ballkanik, atëherë e shihni se, dakord, kemi paqe, por kjo nuk është e mjaftueshme për aspiratat dhe kërkesat e qytetarëve. Ju shihni se fshatrat po zbrazen sepse nuk ka mundësi ekonomike. Ju shihni mediat e pavarura duke u shtypur në disa vende. Ju e shihni ndikimin rus dhe kinez në rritje. Kjo nuk është e ardhmja për këtë rajon dhe i shoh njerëzit që kërkojnë më shumë”, tha ai.

Zoti Wilson shpreson për një angazhim më konstruktiv transatlantik në Ballkanin Perëndimor, ndërsa vuri theksin tek reformat në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, të cilat u ndeshën më pas më bllokadë në Bashkimin Evropian, ndërsa prisnin fillimin e negociatave për anëtarësim.

Ai vlerësoi emërimet e reja të diplomatëve amerikanë në rajon, por tërhoqi vërejtjen se me problemet në botë, Ballkani nuk mund të jetë përparësi e Uashingtonit, prandaj duhet punë e përbashkët me Bashkimin Evropian në rajon.

Zoti Wilson tha se nuk ka dyshim që Serbia është më afër Brukselit sesa Moskës, “por jo gjithmonë e ndjek këtë rrugë. Mendoj se presidenti (Aleksandër) Vuçiç e di se ku qëndron e ardhmja e Serbisë. E kam dëgjuar ta thotë këtë publikisht dhe prandaj quhet rreshtim. Dhe çështja është se si e harmonizoni pikëpamjen me një strategji që jep rezultate? Nëse keni një vizion që përfundimisht vendi juaj do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ka gjëra që rrjedhin nga ky vizion. Çfarë do të thotë kjo për demokracinë tuaj? Si i trajtoni gazetarët dhe shoqërinë civile, vendin tuaj, marrëdhëniet dhe politikën e jashtme që ndiqni në përputhje me demokracitë e tjera të Bashkimit Evropian? Dhe mendoj disa nuk e kuptojnë gjithmonë saktësisht qasjen e Beogradit”, tha zoti Wilson duke theksuar shqetësimet për peizazhin e medias në Serbi.

Presidenti Vuçiç, tha ai, e di se çështja e pazgjidhur e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë Serbinë prapa. Në fund të fundit, tha ai, “pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e historisë së integrimit evropian. Është pjesë e historisë së demokracive që pranojnë të kaluarën dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre”.

Duke folur për situatën në Malin e Zi, zoti Wilson, tha se është i shqetësuar me zërat në koalicionin qeverisës që shohin më shumë nga Moska sesa nga Brukseli dhe e shohin të ardhmen nëpërmjet këndvështrimit nacionalist në vend se nëpërmjet reformës dhe vullnetit të lirë demokratik.

“Populli malazez sapo ka festuar një ndryshim elektoral, një ndryshim në pushtet. Kjo qeveri është produkt i këtij ndryshimi. Çfarë ironie do të ishte nëse anëtarët e kësaj qeverie ose nëse anëtarët e koalicionit do të aspironin modelin e sjelljes autoritare të Kremlinit”, tha zoti Wilson.

Ai u shpreh ndërkaq shumë i brengosur me zhvillimet në Bosnjë. “Jam jam vërtet i shqetësuar për atë që ka qenë një trumbetim i vazhdueshëm i një tendence autoritare korruptive të ndërtuar mbi shtyllën kurrizore të retorikës secesioniste e nacionaliste me një flirt me Moskën”, tha ai, duke ju referuar veprimeve të udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Ai tha se sfida përcaktuese aktualisht është nëse demokracia apo autokracia janë ofertë me e mirë ne në mbarë botën. “Ne kemi parë një sfidë të vërtetë ndaj demokracisë dhe lirisë, të udhëhequr nga një ringjallje e autoritarizmit që është nxitur nga ngritja e Pekinit dhe qasja agresive e Moskës”, tha zoti Wilson.

blank

“Sindroma e Havanës”, CIA paralajmëron Rusinë

Marrë nga Reuters

Kremlini tha të enjten se Rusia nuk kishte të bënte me të ashtuquajturën “Sindroma e Havanës”, një sëmundje misterioze që ka prekur rreth 200 diplomatë amerikanë, zyrtarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që ndodhen jashtë vendit. Reagimi i Kremlinit erdhi në përgjigje të lajmit të publikuar nga Gazeta Washington Post sipas së cilës, shefi i CIA-s e kishte ngritur këtë shqetësim gjatë një takimi me zyrtarë të zbulimit rus.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kjo çështje nuk ishte diskutuar në takimet politike gjatë vizitës në Rusi të drejtorit të CIA-s, as gjatë takimit me Presidentin Vladimir Putin.

Por ai tha se nuk mund të komentonte mbi bisedat private të mbajtura me shërbimet e sigurisë ruse.

Drejtori i CIA-s, William J. Burns, ka paralajmëruar agjencitë kryesore të zbulimit rus se do të përballen me “pasoja” nëse qëndrojnë pas një sërë incidentesh misterioze që kanë prekur shëndetin e diplomatëve dhe agjentët amerikanë në mbarë botën, të njohura si “Sindroma e Havanës”. Lajmi u bë i ditur për Washington Post nga zyrtarë amerikanë në dijeni të kësaj çështjeje.

Gjatë një vizite në Moskë në fillim të këtij muaji, zoti Burns e ngriti gjatë takimit me drejtuesit e Shërbimit Federal rus të Sigurisë (FSB) dhe Shërbimit të Zbulimit të Jashtme të këtij vendi, (SVR). Sipas zyrtarëve amerikanë zoti Burns u tha zyrtarëve rusë se dëmtimet e rënda të trurit apo simptoma të tjera shqetësuese që ka pësuar personeli amerikan dhe anëtarët e familjeve së tyre ishte diçka që shkonte përtej kufijve të një sjelljeje të pranueshme për një “shërbim inteligjent profesional”. Zyrtarët amerikanë folën për gazetën në kushte anonimiteti.

Në paralajmërimin që zoti Burns u bëri zyrtarëve rusë ai nuk tha se kë mendonte Uashingtoni se mund të ishte përgjegjës për ato që zyrtarët amerikanë i quajnë “incidente anormale shëndetësore”.

Fakti që zoti Burns formuloi paralajmërimin duke thënë “nëse”, sugjeron se edhe pas katër vitesh hetime nga administrata të ndryshme amerikane Uashingtoni nuk ka arritur ende të përcaktojë shkakun e këtyre incidenteve të pazakonta. Megjithatë, vendimi i drejtorit të CIA-s për të ngritur si mundësi përfshirjen e Rusisë drejtpërdrejt tek homologët e tij në Moskë, nënvizoi dyshimin e thellë të CIA-s për përgjegjësitë e Kremlinit.

CIA nuk ka pranuar të komentojë mbi paralajmërimin e zotit Burns drejtuar zyrtarëve rusë.

Pamundësia për të përcaktuar shkakun e ketyre incidenteve shëndetësore ka shqetësuar ligjvënësit amerikanë e ka shkaktuar zemërim tek diplomatët dhe zyrtarët amerikanë të zbulimit, që janë prekur nga sindromi.

Administrata Biden është përpjekur të tregojë se po e merr seriozisht këtë çështje dhe ka inkurajuar punonjësit në të gjithë qeverinë federale të raportojnë çdo rast të mundshëm. Në muajt e fundit, dy zyrtarë të lartë amerikanë u zëvendësuan pasi u akuzuan se nuk i kishin marrë mjaft seriozisht incidentet: shefi i CIA-s në Vienë, ku dhjetra agjentë zbulimi e diplomatë amerikanë kanë raportuar të jenë prekur nga kjo sindromë, si dhe ambasadorja Pamela Spratlen, zyrtarja më e lartë e Departamentit të Shtetit që mbikëqyrte rastet me Sindromën e Havanës.

Pas largimit të zonjës Spratlen, Sekretari i Shtetit Antony Blinken emëroi Jonathan Moore, një diplomat karriere, në krye të një grupi pune lidhur me këto incidente që prekin shëndetin e diplomatëve apo agjentëve që operojnë jashtë vendit, si dhe një zyrtare tjetër të lartë të Shërbimit të Jashtëm, Margaret Uyehara, për të siguruar që të prekurit nga sëmundja të marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Zoti Burns i ka përshkruar publikisht incidentet si “sulme” dhe disa zyrtarë amerikanë dyshojnë se ato janë vepër e operativëve rusë. Zyrtarë të tjerë ia kanë atribuar ato një sëmundje psikogjene të përjetuar nga individë që punojnë në një mjedis me stres të lartë. Ata që fajësojnë Rusinë spekulojnë se ajo mund të jenë përdor armë me rreze, sikurse ato lazer të tjerë kanë vërejtur se ka prova të pakta që lidhin përdorimin e këtyre lloj armesh me simptomat e raportuara.

Në korrik, zoti Burns caktoi një oficer të lartë të CIA-s, që ka luajtur një rol udhëheqës në operacionin për gjetjen e Osama bin Laden-it, në krye të grupit të punës që po heton shkaqet e sëmundjes.

Në gusht, dy punonjës amerikanë në Hanoi raportuan simptoma pak përpara se Nënpresidentja Harris të mbërrinte në kryeqytetin vietnamez për një vizitë zyrtare. Diagnozat e shtynë me disa orë vizitën e saj.

blank

Letra e plotë- Kongresmeni Zeldin: Berisha është aleat i presidentëve Bush dhe armik i Sorosit

Kongresmeni amerikan, Lee Zeldin, një republikan që përfaqëson një rajon të Nju Jorkut, i ka dërguar një letër kreut të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, duke i kërkuar informacion të menjëhershëm për çështjen e Sali Berishës.

Në letër thuhet se prej 5 muajsh, DASH nuk po jep informacion për këtë çështje.

Kongresmeni nënvizon se kjo gjë pengon të drejtën e Kongresit për të kërkuar transparencë, duke e quajtur të papranueshme dhe të dyshimtë.

Ndërkohë në njoftimin për shtyp që shoqëron letrën, kongresmeni nënvizon se Berisha është aleat i presidentëve Bush dhe kundërshtar i aktivistit të majtë George Soros.

“Kongresmeni Lee Zeldin, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i dërgoi një letër Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në vazhdim të kërkesave të përsëritura të kongresmenit për të diskutuar në thellësi dhe për të rishikuar informacionin që flet për ‘korrupsion të rëndësishëm’ lidhur me procesin që Departamenti i Shtetit përdori për të sanksionuar Berishën.

Në një seancë dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në qershor, kongresmeni Zeldin pyeti Sekretarin Blinken në lidhje me sanksionimin nga administrata e Biden te ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, një aleat i dy presidentëve Bush dhe kundërshtar i donatorit kryesor të Partisë Demokratike dhe aktivistit progresist, George Soros. Në të njëjtën ditë me seancën dëgjimore, kongresmeni Zeldin i dërgoi një letër Departamentit të Shtetit duke kërkuar informacion në lidhje me vendimin për sanksionimin e Berishës.

Pasi mori një përgjigje të paqartë nga Departamenti i Shtetit, kongresmeni Zeldin dërgoi një tjetër letër më 27 gusht, duke kërkuar një përgjigje me shkrim dhe takim me zyrtarin përkatës të Departamentit të Shtetit për të shqyrtuar kriteret, informacionin dhe procesin që administrata përdori për të përcaktuar nëse do kishte apo jo sanksione ndaj Berishës. Kjo letër ka mbetur pa përgjigje nga Departamenti i Shtetit,” thuhet në njoftim.

Më poshtë letra e plotë e fundit:

LETRA E PLOTE

Po ju shkruaj sot në vazhdim të letrës time të datës 27 gusht 2021, duke kërkuar një përgjigje me shkrim dhe takim me zyrtarin e duhur të Departamentit të Shtetit për të diskutuar në thellësi dhe për të shqyrtuar informacionin që përshkruan “korrupsionin domethënëse” në lidhje me procesin që Departamenti i Shtetit ka përdorur për të sanksionuar Sali Berishën.

Kanë kaluar pesë muaj që kur kam bërë kërkesën time origjinale, e cila është në thelb më shumë se koha e mjaftueshme për t’u përgjigjur në mënyrë adekuate. Kjo është kërkesa ime e tretë për informacion shtesë që kur kam ngritur çështjen e sanksionimit të Sali Berishës gjatë seancës dëgjimore me Sekretarin Blinken në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve më 7 qershor 2021.

Kongresi luan një rol të jashtëzakonshëm mbikëqyrës për degën ekzekutive, duke përfshirë Departamentin e Shtetit, megjithatë zyra ime ka marrë në mënyrë alarmuese pak detaje në përgjigje të pyetjeve të mia. Është e papranueshme dhe e dyshimtë që Departamenti  i Shtetit nuk e ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacion shtesë në kohën e duhur dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të ngadalësojë një kërkesë të Kongresit për transparencë.

Duke pasur parasysh peshën e vendimit tuaj, ju kërkoj që t’i kushtoni kësaj çështjeje vëmendjen që meriton dhe pres përgjigjen tuaj të menjëhershme. syri.net

blank

Operohet Joe Biden, Shtëpia e Bardhë: Polipi që hoqi ishte beninj

Presidenti i SHBA Joe Biden ia transferoi shkurtimisht pushtetin Zëvendës Presidentit Kamala Harris të premten e kaluar, ndërsa ai iu nënshtrua një kolonoskopie.

Pas përfundimit të kontrollit, mjeku i shtëpisë së Bardhë në një letër të publikuar ditën e djeshme është shprehur:

‘Polipi që u hoq nga zorra e presidentit amerikan Joe Biden gjatë një kolonoskopie javën e kaluar është “beninj”, zhvillohet “ngadalë” dhe “konsiderohet prekancerozë”, pa kërkuar asnjë veprim të mëtejshëm’ .

Ai shtoi se monitorimi i gjendjes së Biden ishte i rekomanduar dhe se presidenti duhet t’i nënshtrohet një kolonoskopie të re gjatë shtatë deri në dhjetë vitet e ardhshme.

Përveç kolonoskopisë, zoti Biden iu nënshtrua ekzaminimeve të përgjithshme dhe Dr. Conor siguroi se presidenti, 79 vjeç, është “i shëndetshëm” dhe plotësisht i aftë për të kryer detyrat e tij. syri.net

 

blank

Letra – Kongresmeni Zeldin i shkruan Blinken: E papranueshme që nuk më jepni informacion për rastin e Berishës

Kongresmeni amerikan Lee Zeldin, republikani që përfaqëson një rajon të Nju Jorkut, i ka shkruar një letër Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, ku vazhdon të kërkojë informacione për rastin e liderit historik demokrat, Sali Berisha.

Në letër thuhet se janë bërë pesë muaj që kur ai ka bërë kërkesën për informacion, por nuk e ka marrë diçka të tillë. Zeldin i kujton Blinken se Kongresi e ka për detyrë të mbikëqyrë ekzekutivin, duke përfshirë edhe Departamentin e Shtetit.

Ai e akuzon Blinken se po ngadalëson një kërkesë të Kongresit për transparencë, duke theksuar se kjo është e papranueshme.

Në fund, Zeldin kërkon që kjo çështje të marrë vëmendjen e menjëhershme.

Kujtojmë se në një seancë të Kongresit në qershor, Zeldin ‘gozhdoi’ Blinken, duke kërkuar informacion specifik për vendimin ndaj Berishës.

Kongresmeni Lee Zeldin i kërkon fakte Sekretarit të Shtetit Blinken se përse e ka shpallur Sali Berishën non-grata

Megjithatë Blinken u shmang pa iu përgjigjur pyetjeve direkte.

LETRA E PLOTE

Po ju shkruaj sot në vazhdim të letrës time të datës 27 gusht 2021, duke kërkuar një përgjigje me shkrim dhe takim me zyrtarin e duhur të Departamentit të Shtetit për të diskutuar në thellësi dhe për të shqyrtuar informacionin që përshkruan “korrupsionin domethënëse” në lidhje me procesin që Departamenti i Shtetit ka përdorur për të sanksionuar Sali Berishën.

Kanë kaluar pesë muaj që kur kam bërë kërkesën time origjinale, e cila është në thelb më shumë se koha e mjaftueshme për t’u përgjigjur në mënyrë adekuate. Kjo është kërkesa ime e tretë për informacion shtesë që kur kam ngritur çështjen e sanksionimit të Sali Berishës gjatë seancës dëgjimore me Sekretarin Blinken në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve më 7 qershor 2021.

Kongresi luan një rol të jashtëzakonshëm mbikëqyrës për degën ekzekutive, duke përfshirë Departamentin e Shtetit, megjithatë zyra ime ka marrë jashtëzakonisht pak detaje në përgjigje të pyetjeve të mia. Është e papranueshme që Departamenti  i Shtetit nuk e ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacion shtesë në kohën e duhur dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të ngadalësojë një kërkesë të Kongresit për transparencë.

Duke pasur parasysh peshën e vendimit tuaj, ju kërkoj që t’i kushtoni kësaj çështjeje vëmendjen që meriton dhe pres përgjigjen tuaj të menjëhershme./Syri.net

blank

 

blank

Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk do të funksionojë pa përfshirjen e gjashtë shteteve

RFE/RL

Nëse në iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën më 24 nëntor.

Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të “Ballkanit të Hapur” mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.

“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.

Siç theksoi ai, në iniciativën rajonale duhet të ekzistojë barazi për të gjithë qytetarët dhe projektet dhe nuk duhet të ketë diskriminim në bazë të përkatësisë etnike.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor shtoi se SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë iniciativat rajonale, nëse ato nuk i pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të arrini standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha Escobar.

Është koha që të lirohet potenciali ekonomik i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane, theksoi gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve”, theksoi ai.

Rama: “Ballkani i Hapur” mund ta ndihmojë Serbinë dhe Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë adresimit të tij online ka thënë se nuk u takon anëtarëve të iniciativës të bindin këdo që “Ballkani i Hapur” është vërtet i hapur.

Ai theksoi se as supozimi që iniciativa nuk është e hapur për anëtarë të tjerë nuk është i vërtetë.

Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.

Edi Rama gjatë fjalimit në konferencën e nismës "Ballkani i Hapur".

Edi Rama gjatë fjalimit në konferencën e nismës “Ballkani i Hapur”.

Megjithatë, Rama shprehi pakënaqësi për faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë disa vjet presin nga Brukseli datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas vlerësimeve të Ramës, “Ballkani i Hapur” mund të ndihmojë që të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ‘problemet mund të adresohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë’.

Kryeministri i Shqipërisë tha se do të ishte shumë i lumtur kur të dy partnerët, BE-ja dhe SHBA-ja do të deklaronin që “Ballkani i Hapur” është ‘iniciativë e mirë’.

Bërnabiq: Rritja e BPV-së nëse gjithçka shkon sipas planit

Siç ka theksuar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dobia më e madhe e “Ballkanit të Hapur” është rajoni shumë më stabil dhe më i sigurt.

“Ne jemi rajon relativisht i vogël, çfarëdo destabiliteti në cilindo shtet do të ndikojë negativisht në të gjithë ne”, tha Bërnabiq.

Dobia ekonomike, sipas Bërnabiqit po ashtu është e rëndësishme sepse me hapjen e kufijve dhe krijimin e tregut të përbashkët vjen njëkohësisht edhe rritja të investimeve nga jashtë.

Sipas saj, parashikimet janë që shtetet anëtare të “Ballkanit të Hapur”, nëse realizojnë masat që synojnë, brenda dy-tre vjetësh do të kenë rritje të Bruto Prodhimit Vendor për 1 për qind.

“Për pesë deri në shtatë vjet, nëse zbatohet gjithçka që planifikojmë dhe nëse na bashkohet edhe ndonjë shtet tjetër mund të kemi rritje të BPV-së deri në 7 për qind”, tha kryeministrja serbe.

Dimitrov: Në të ardhmen s’mund të qëndrojmë larg

“Tepër gjatë ishim të larguar dhe kështu nuk mund të ndodhë edhe në të ardhmen, që të mos përfundojmë në qorrsokak të Bashkimit Evropian”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov gjatë adresimit të tij online në konferencën për “Ballkanin e Hapur”.

“Duhet të dërgojmë porosi të qartë që si rajon jemi stabil dhe po gjejmë zgjidhje, e jo probleme, që të jemi të drejtuar nga e ardhmja e të mos jemi të burgosurit e së shkuarës. ‘Balkani i Hapur’ është hapi kryesor në këtë drejtim”, vlerësoi Dimitrov.

Sipas tij, shtetet brenda iniciativës duhet të krijojnë tregun e përbashkët, bazuar në lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit, investimeve që do të ndihmojnë në tranzicionin e gjelbër.

“Kjo do të na ndihmojë në rrugën drejt BE-së. Shumica e rekomandimeve të Komisionit Evropian iu referohen këtyre. Kur jemi të afërt, kjo sjellë zhvillim, stabilitet, prosperitet dhe fuqizim”, theksoi Dimitrov.

Ai përmendi që me shkallën aktuale të zhvillimit, shtetet e rajonit mund të arrijnë shkallë mesatare të zhvillimit në BE për gjashtë dekada, ndërkaq të dhënat e Bankës Botërore nga viti 2016 tregojnë që 26 milionë orë në ditë u kaluan duke pritur brenda kufijve të rajonit.

“Pronarët e kompanive thonë se u mungon fuqia punëtore dhe se kjo zvogëlon zhvillimin ekonomik. Për të gjithë është me rëndësi që barrierat të largohen, gjë e cila do të përmirësojë pasqyrën e rajonit para investitorëve të huaj. Andaj bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë për euro-integrime, por është në përputhje me ato”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se qeveritë duhet ‘të mbajnë të rinjtë në shtëpi’ sepse kapitali njerëzor humbet me largimin e tyre.

“Ata largohen sepse duan mënyrë evropiane të jetës. Nëse duam të qëndrojnë, duhet që këtë t’ua mundësojmë në shtëpi”, tha Dimitrov.

Çfarë është “Ballkani i Hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini- Shengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.

blank

Shtëpia e Bardhë: Biden synon të garojë sërish më 2024

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden synon të garojë sërish për president më 2024.

Zëdhënësja, Jen Psaki, u ka thënë gazetarëve më 22 nëntor se rikandidimi është synim i tij.

Ajo i ka bërë këto komente në aeroplanin presidencial, teksa Biden është nisur për të marrë pjesë në një organizim me trupat amerikane për Festën e Falënderimeve.

Javën e kaluar, demokrati 79-vjeçar i është nënshtruar një ekzaminimi fizik, njëherësh të parin prej kur ka marrë detyrën e presidentit në janar të vitit 2021.

Mjekët kanë thënë se ai është i shëndetshëm për të kryer detyrat e tij.

Mbështetja ndaj Bidenit ka rënë në muajt e fundit, çka ka nxitur pyetje nëse ai është i gatshëm për të garuar për një mandat të dytë.

Një president amerikan mund të mbajë dy mandate katërvjeçare.

Republikani, Donald Trump, 75-vjeçar, i cili është mposhtur nga Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nuk është deklaruar publikisht nëse do të garojë sërish. rel

blank

Të vdekur dhe të plagosur nga incidenti në Uiskonsin të SHBA-së

RFE/RL

Pesë persona u vranë dhe të paktën 40 u plagosën, përfshirë shumë fëmijë, kur një veturë kaloi nëpër një paradë të Krishtlindjeve në shtetin amerikan të Uiskonsinit, tha policia.

Numri i viktimave dhe i të plagosurve mund të jetë më i lartë.

Shefi i policisë lokale, Dan Thompson, tha se një i dyshuar tashmë ishte vendosur në paraburgim pas incidentit në qytetin Uaukesha.

“Në këtë moment, ne mund të konfirmojmë se pesë persona kanë vdekur dhe mbi 40 janë lënduar”, tha Departamenti i Policisë në Facebook.

“Megjithatë, shifrat mund të ndryshojnë derisa po marrim më shumë informacione. Shumë njerëz janë vetëtransportuar në spitalet e rajonit”, tha policia.

Pamjet e postuara në internet treguan veturën e kuqe duke lëvizur nëpër paradën e Krishtlindjeve më 21 nëntor pasdite.

Videot treguan disa qytetarë që nxitonin për të ndihmuar viktimat e plagosura, ndërsa në sfond dëgjoheshin britma dhe të qara.

Thompson tha se nuk ishte e qartë nëse incidenti kishte “lidhje me terrorizmin”.

I dyshuari dukej se ishte duke ikur nga një vend tjetër kur u përplas me njerëzit në paradë, tha për CBS News një zyrtar i sigurisë i njohur me hetimet.

Policia ka qëlluar në drejtim të makinës në përpjekje për ta ndaluar atë.

Departamenti i policisë së qytetit më vonë tha se shkollat publike të Uaukesha do të mbylleshin të hënën.

Për kryebashkiakun e Uaukesha, Shawn Reilly, kjo është një kohë “traumatike” për qytetin.

“Zemra ime është për të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i pakuptimtë”, tha ai.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, është njoftuar menjëherë për incidentin.

“Shtëpia e Bardhë po monitoron nga afër situatën në Vaukesha dhe zemrat tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident i tmerrshëm. Ne kemi kontaktuar me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të ofruar çdo mbështetje dhe ndihmë sipas nevojës”, tha ky zyrtar.

Incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Në vitin 2015, katër persona u vranë dhe 46 u plagosën në Stilluater, të Oklahomas, pasi një grua hyri me makinë në një turmë ndërsa në vitin 2016, një kamion u fut qëllimisht në një treg Krishtlindjesh në Berlin, duke vrarë 12 persona.

Sulmi në Berlin ishte i lidhur me grupin terrorist Shtetin Islamik.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend