Viti që lamë pas nuk ishte aspak i paqtë për shqiptarët. Që në ditën e dytë të vitit 2019 krimi i dyfishtë tronditi Ballshin ku burri vrau gruan dhe kunatën. Më pas kjo ngjarje u pasua me te tjera krime për drogë, hakmarrje, përplasje bandash e motive te dobëta.
68 persona humbën jetën si pasojë e krimit. Vetëm 2 vrasje janë cilësuar nga hetimet si të ndodhura nga pakujdesia ndërsa 57 të tjerat kanë ndodhur me dashje.
Krimi nuk kurseu as njerëzit e drejtësisë. Një avokat u ekzekutua në një lokal në Elbasan, një prokurori i bënë atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës ndërsa në Vlorë, një tjetër prokurori i hodhën makinën në erë ndërsa ishte e parkuar.
Më 22 mars të vitit që lamë pas në një lokal në Elbasan iu bë atentat avokatit të njohur Ravik Gurra, i cili humbi jetën në vend. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:35, në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e lokalit bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Pista kryesore mbi të cilën po heton policia dhe prokuroria është ajo e vrasjes për shkak të detyrës pasi avokati ka mbrojtur personazhe të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe anëtarë të familjes Çapja. 9 muaj pas kësaj ngjarje policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.
Më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës iu bë atentat makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe një personazh të njohur për konfliktet e tij me pronat në zonën e gjirit të Lalzit Pëllumb Muharremi, i cili njihet edhe me emrin Rrumi. Nga breshëritë e plumbave derdhur mbi makinën e prokurorit të 3 personat që udhëtonin me të mbetën të plagosur dhe disa ditë me vonë shoferi Andi Maloku humbi jetën. Për ngjarjen në pranga momentalisht është Redjan Raja i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në këtë ngjarje. Identifikimi i tij u arrit pas analizimit të provave të grumbulluara nga grupi i hetimit në mjetin e atentatorëve i cili u gjet i braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafane.
Më 21 dhjetor në Vlorë, shumë pranë qendrës së qytetit u hodh në erë me lëndë plasëse makina e prokurorit Albert Kuliçi, ndërkohë që ishte i parkuar në rrugë. Mjeti tip “Volkswagen” pësoi dëmtime të shumta. Pista kryesore ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Albert Kuliçi është prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë dhe njihet për hetimin e një sërë dosjeve të bujshme, si ajo për tokat në bregdetin e Zvërnecit. Lidhur me ngjarjen reagoi Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, teksa për kreun e Gjykatës së Vlorës kjo ngjarje ka për qellim presionin ndaj togave të zeza për ngjarje që kanë të bëjnë kryesisht me pronat.
Në ngjarjet kriminale të këtij viti spikatën edhe vrasjet të cilat vinin si rezultat i përplasjes së bandave në disa qytete si në Shkodër, Vlorë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë.
Vlora gjatë 2019 e humbi vëmendjen e qytetit bregdetar duke u përmendur më shumë për ngjarjet kriminale sesa për turizëm. Më 12 shkurt iu bë atentat me armë zjarri 42-vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si “Çipuri’, por plumbat i morën jetën kunatit dhe shokut të tij, përkatësisht Orest Rexho dhe Arian Hasani. “Çipuri” ngeli i plagosur nga atentati, ndërkohë që aktualisht ndodhet në burg, pasi ishte në kërkim nga policia si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.
Shkodra prej kohësh nuk po gjen paqe. Më 30 mars u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali, të dy vëllezër përkatësisht 61 dhe 59 vjeç. I dyshuar kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër është Ibrahim Lici, i cili është parë në ikje e sipër me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Të përfshirë në këtë vrasje ishin edhe Arsen Stojku dhe Myslim Rama të cilët aktualisht janë në burg. Plani për ekzekutimin e vëllezërve Bilali dyshohet të jetë bërë në familjen Lici, pasi i arrestuari Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici. Vrasja e tyre erdhi si vijim i një përplasjeje të gjatë. Në muajin shtator të vitit 2018, kur u vra mbi kalë biznesmeni Arjan Ferracaku, bashkë me të ishte edhe Asmer Bilali, djali i Astrit Bilalit. Asmeri, ish-kampion boksi është i arrestuar tashmë si pjesë e grupit Bajri për gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh. Pas vrasjes së Ferracakut, u pretendua se shënjestra e atentatit ishte Asmeri.
Ashpërsia e krimit ka arritur në atë nivel që nuk kursen as pragun e shtëpisë dhe as femrat. Më 21 shtator në mbrëmje kur i gjithë vendi ishte ende nën ethet e tërmetit të rënë atë pasdite, në Nikël në derë të shtëpisë iu bë atentat Mareglen Hakas, i njohur si “I forti i Niklës”. Nga breshëria e plumbave ai mbeti i plagosur ndërsa halla e tij Shpresa Basha humbi jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hasmëri, pasi Haka është arrestuar për vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2011 në Tiranë. Mareglen Haka njihet edhe për lidhjen me familjen Bami. Ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një nga eksponentët e fortë të krimit, ai që e shoqëroi për në Spitalin e Traumës pas plagosjes.
Edhe Lushnja e ka humbur qetësinë, pasi një seri vrasjesh kanë ngjallur konfliktet e bandave të dikurshme. Më 1 tetor 2019, u vra me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar në verandën e lokalit ku po pinte kafenë e mëngjesit, daja i Zamir Latifit, Besmir Hida. Menjëherë pas krimit të rëndë, dy autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet të vjedhur në Tiranë, i cili u gjet i djegur pak orë pas vrasjes. Ka dyshime se ekzekutimi është kryer nga të njëjtët persona që ekzekutuan nipin e Hidës. Për atë ngjarje ende në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të cilët janë pjesë e grupit rival të bandës së të fortit të Lushnjës, Aldo Bare.
3 muaj më vonë Lushnja do të tronditej nga një tjetër ekzekutim. Më 14 dhjetor u gjet i vrarë në lokalin e tij Enver Boriçi, 52-vjeç, ish-anëtari i bandës së Lushnjës, i njohur edhe si vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Arben Boriçi, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Vendi u trondit edhe nga një seri vrasjesh mafioze të cilat ndodhën në derë të shtëpisë dhe në ambiente të populluara.
Më 30 janar të 2019, kryeqyteti u trondit nga vrasja mafioze e ish-punonjësit të policisë Arben Bilali, në zonën e Selitës. Ai u ekzekutua me breshëri shumë pranë banesës ku jetonte me familjen e tij. 50-vjeçari, është i treti në familje që ekzekutohet në harkun e 20 viteve, pasi më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Familja Bilali është prej vitesh në hasmëri me një tjetër familje kriminale në zonë, gjë e cila ka prodhuar disa viktima. I vetmi person që ka mbetur në burg për vrasjen e Bilalit është Arben Xhetani i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen si edhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Në pranga ra edhe Gjergj Cukali, të cilin policia e arrestoi bazuar në ADN-në e gjetur në makinën e ekzekutorëve por i “forti i Myslym Shyrit”, mundi të rifitojë lirinë.
Më 18 mars zona pranë sheshit “Willson” në kryeqytet u tronditën nga breshëria e plumbave më cilët i morën jetën 26-vjeçarit Jurgen Kurti, në derën e pallatit të tij. Kurti ishtë një personazh shumë i përfolur si nga shoëbizi ashtu edhe nga konfliktet e tij me ligjin.
Për ngjarjen u arrestuan si autorë tre të rinjtë Olsi Qalliaj, Elsi Levendi dhe Alesio Berberi, të cilët u akuzuan se ishin paguar 250 mijë euro nga Klodian Bane i cili është në kërkim. Por pas zbardhjes së tabulateve, Qalliaj dhe Berberi u lanë të lirë, ndërsa Levendi vijon të jetë pas hekurave, pasi akuzohet të ketë qenë ai personi që ka luajtur rolin e informatorit dhe ka vëzhguar Kurtin.
Më 20 mars, në fshatin Grudë në Shkodër u ekzekutua në atentat Ferdinand Polia, 35 vjeç, i njohur si biznesmen dhe pronar i disa prej bujtinave turistike në Theth. Ai u ekzekutua me armë zjarri me silenciator, teksa ishte duke u kthyer nga servisi i makinave, ku kishte riparuar automjetin e tij fuoristradë dhe po udhëtonte bashkë me Xhovan Mirashin, punonjësin e servisit. Vetëm pesë ditë pas ngjarjes ranë në pranga Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini, të cilët janë lënë në burg nga gjykata. Dëshmia e tyre zbardhi emrin e autorit, Kristian Sulaj (Martini). Ai u ekstradua më 13 shtator nga Danimarka ku fshihej prej muajsh dhe tashmë ndodhet në burg. Motivi për ngjarjen e rëndë dyshohet të ketë qenë e kaluara e errët e Ferdinand Polisë, në Itali ku 35-vjeçari rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale, madje edhe i dënuar nga Gjykata në Itali.
Më 2 tetor në Zall Xhuxhë të Mirditës u gjet i vrarë Eri Zefi. 34-vjeçari ishte ngujuar prej një viti dhe i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme pasi i vëllai, Ndue Zefi në muajin shkurt të këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca. Në lidhje më këtë ngjarje, është arrestuar Mikel Alia, shok fëmijërie i viktimës i cili dyshohet se e ka nxjerrë në pritë.
Droga vijon të sjellë konflikte të ashpra që lenë pas shumë viktima. Edhe përgjatë këtij viti ka pasur shumë vrasje të cilat kanë ndodhur për prishje të pazareve të drogës në Shqipëri apo edhe jashtë saj.
13 ditë pasi ishte zhdukur, më 19 shkurt gjendet i vrarë brenda mjetit të tij, Sokol Rama. Prishja e pazareve të drogës dyshohet të jetë shkak i vrasjes së 32-vjeçarit nga bashkëpunëtori i tij në këtë aktivitet kriminal, Roland Milo, i cili tani ndodhet pas hekurave.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për atentatin e 27 majit në Poro të Vlorës ku iu bë atentat Eno (Aleksandër) Matës. Nga ky sulm ai mbeti i plagosur por plumbat i morën jetën shokut të tij Sotiraq Mëhilli.
Mbrëmje e 31 qershorit në Peqin iu bë atentat dy vëllezërve Baho ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vrarë ndërsa vëllai tjetër, Aldo Baho, u plagos rëndë. Shkak për ngjarjen dyshohet të jenë konfliktet për drogë.
Më 1 gusht në Durrës në derë të shtëpisë u ekzekutua Feriz Bardhi. 40-vjeçari rezulton se është i skeduar edhe më herët nga Policia e Shtetit pasi është arrestuar në vitin 2012 si pjesë e trafikut të drogës drejt Italisë.
Po në derë të shtëpisë u ekzekutua edhe 47-vjeçari Nikola Ikonomi, i njohur ndryshe nga banorët e zonës si Dilaver Tozaj më 7 gusht në fshatin Selenicë të Vlorës. Në vitin 2005 Ikonomi rezulton të jetë arrestuar për trafik drogë. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që po trafikonin 1145 kg kanabis nga Kakavija.
Më 12 gusht në Mirditë u ekzekutua në mjetin e tij Armando (Tonin) Gjini. 48-vjeçari që njihej edhe si ushtari i bandës së Met Kananit u ekzekutua në qendër të Rrëshenit teksa po priste bashkëshorten e tij të kthehej nga marketi. Dy pistat ku policia po heton për vrasjen e 48-vjeçarit janë prishja e pazareve të drogës dhe marrëdhënia me anëtarët e grupit të Kananit të cilët dyshohet se kishin filluar të dyshonin për viktimën, që u lirua shumë shpejt nga burgu. Ndërkohë ende nuk ka asnjë të arrestuar.
27 gushti nuk do të harrohet lehtë për banorët e rrugës “Xhanfize Keko” të cilët panë se si u ekzekutua në një atentat ish-polici Santiago Malko. Megjithëse rruga ishte me mjete dhe këmbësorë atentatorët e tij qëlluan me breshëri drejt mjetit “BMW X5” dhe u larguan nga zona vetëm kur u bindën se 26-vjeçari kishte ndërruar jetë. Malko njihej në botën e krimit si një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinaj. Pas këtij ekzekutimi mafioz dyshohet se janë anëtarë të “Klanit Duka”, të cilët tashmë janë të shpallur zyrtarisht në kërkim nga Policia e Shtetit. Leonard Duka; Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica janë ende në kërkim nga policia. Në pranga ka rënë vetëm Blendi Teta, i cili u identifikua nga filmimet e kamerave të bizneseve pranë vendit të krimit, ku shihej që mblidhte bishtat e cigareve për të mos lënë asnjë gjurmë.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për vrasjen e 10 tetorit në Kavajë ku humbi jetën Dritan Haxholli, i cili u ekzekutua nga shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit Bledar Toçi. Ngjarja u regjistrua në banesën e 30-vjeçares Marsida Qatja. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur si pasojë e xhelozisë, ndërsa hetimet zbuluan se pas çështjes fshiheshin pazaret e drogës. Për këtë krim pas hekurave janë Bledar Toçi dhe vëllai i tij Bernard Toçi.
Më 13 dhjetor në Peqin pranë rrugës nacionale iu bë atentat Andi Zylyfi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi për të festuar festat e fundivitit me familjarët e tij. Plumbat kapën edhe shokun e tij Ardit Uruçin, i cili mundi t’i shpëtojë atentatit. Viktima është djali i hallës së Endrit Alibeaj, bosit të drogës, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Bashkë me të u eliminuan edhe kushëriri i Alibeajt, 56-vjeçari Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, 51 vjeç.
Fatkeqësisht në raportimet për vrasjet e 2019 është dashur të raportohen edhe viktima të cilët e humbën jetën pa pasur asnjë faj. Dy persona, njeri në Kavajë e tjetri në Tiranë u vranë me armë zjarri pa pasur asnjë konflikt dhe asnjë precedent penal.
Më 4 korrik në Kavajë humbi jetën si pasojë e përplasjes mes 2 grupeve kalimtari i rastit Ramazan Hasanlliu, i cili u vra sapo kishte blerë bukë. Për këtë krim pas hekurave ndodhen Eraldo Hyka, Qazim Merkja, Ardian Dedej dhe Marjus Aliu, ndërsa në arrest shtëpie është Agron Kollçaku.
Më 22 gusht në Tiranë humbi jetën i riu Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri. Ai prej ditësh punonte në vilën e familjes Kusi dhe pas një mosmarrëveshjeje për cilësinë e punimeve u vra me plumb në kokë nga Griseldo dhe Alban Kusi, të cilët pas disa muajsh iu vetëdorëzuan drejtësisë.
Për ish-drejtuesin e policisë Arben Hajdarmatan situata e rendit në Shqipëri nuk është në kushtet optimale dhe sipas tij kjo vjen për disa arsye ku më kryesorja është përdorja e policisë për punë të institucioneve të tjera dhe inkriminimi i saj.
Por, pavarsisht se numri i vrasjeve të ndodhura gjatë 2019 është më i lartë se një vit me parë për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj treguesit e rendit janë në nivelet më të mira historike.
Krimit nuk i shpëtoi as qeliza bazë e shoqërisë, familja. Gjatë këtij viti ka pasur 14 vrasje në familje ku burri vrau gruan, djali nënën dhe nipi gjyshin. Ndër motivet më të hasura të krimit ka qenë xhelozia. Por nuk munguan as konfliktet për pronën dhe për paratë. Për sociologun Gezim Tushi një ndër arsyet është ndryshimi i tipologjisë së familjes shqiptare, si edhe problemet ekonomike dhe përdorimi i lëndëve psikotrope, pa anashkaluar dhe mentalitetin tradicional që sjell konflikte mes brezash.
Krimi ka lindur me njerëzimin dhe nuk pretendojmë që të jetojmë në një shoqëri ku vrasjet të jenë në nivel zero, por urojmë që në 2020 shqiptarët të arsyetojnë më shumë dhe zgjidhjen të mos e gjejnë tek thika, armët dhe tritoli por tek komunikimi dhe nëse ky është i pamundur në dyert e drejtësisë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi do të dorëzojë sot në orën 12:30 në Gjykatën Kushtetuese padinë për mandatin e Olta Xhaçkës.
Deputetët votuan në seancën e 11 prillit në Kuvend kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.bw
Investigimi për qeverinë Rama – Sulmi i Ramës ndaj RAI-3, i përgjigjet drejtuesi i ‘Report’: Gjithçka që thamë është në letra
Reagimit të kryeministrit shqiptar pas hetimit për qendrat e pritjes së emigrantëve, i është përgjigjur prezantuesi i programit ‘Report’ në RAI 3, Sigfrido Ranucci.
Ky i fundit, është shprehur se, gjithçka që është thënë në dokumentarin për qeverinë e Edi Ramës dhe marrëveshjen me Giorgia Melonin është mbi bazën e dokumenteve.
Në raportin e raportit Engjell Agaci, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, ‘konfirmoi me fakte atë që thamë’, shprehet prezantuesi Sigfrido Ranucci.
‘Në email-in e përgjigjes nga Agaci, të cilit i kishim kërkuar disa fakte, ai konfirmoi se ishte avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se kishte kontribuar që kur ishte këshilltar ligjor i Ramës, në zbatimin e protokollit’, tha gazetarin.
‘Në fund të fundit – shton ai – versioni që u përdor për konsulencë, gjeneral Lisi ua dha direkt mikrofonave tanë’. ‘Gjithçka që thamë është në letër dhe është nga një burim dokumentar’, përfundon Ranucci, duke bërë të ditur se të dielën e ardhshme programi do t’i rikthehet çështjes.
Gjatë ditës së sotme, Edi Rama me një reagim të një njeriu të dalë nga shinat, sulmoi RAI-3 dhe SYRI-n që e pasqyroi siç duhet.
‘Është shpifja më skandaloze për Shqipërinë’, me këto fjalë e përkufizon kryeministri shqiptar Edi Rama hetimin Report, të transmetuar të dielën në Rai 3, kushtuar marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës për ndërtimin e dy pritjeve për emigrantët’, tha gjatë ditës së sotme, Edi Rama.
Gazeta e madhe italiane, ‘La Repubblica’ ka zbuluar në një shkrim se kryeministri shqiptar, Edi Rama është tërbuar pas reportazhit investigues të rrjetit publik italian RAI.
Në një shkrim për drejtorin e RAI-t, Paolo Corsini, gazeta shkruan se sikur të mos mjaftonin hallet e tjera që kishte, dje është detyruar të dëgjonte kryeministrin e tërbuar shqiptar në telefon.
“Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai duhej të dëgjonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili u tërbua për episodin e Report për paktin mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët,” shkruan gazeta.
Kujtojmë se reportazhi i RAI-t ka bërë shumë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi zbuloi se pakti mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta.
Sipas Report, njeriu kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, njeriu që ka shërbyer si avokat i bosëve të rëndësishëm të krimit.
Po ashtu, media italiane raporton se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.sn
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, u shpreh se disa ndërkombëtarë vanitosë që na akuzojnë për dhunë, duhet ta ndajnë mirë se cila është dhunë: disa molotovë para bashkisë, apo është dhunë zjarrvënia që Edi Rama i ka bërë Shqipërisë.
Boçi tha se kur ne ngrihemi lëshohen lakenjtë e patronazhistëve online dhe ekstraline, lëshojnë mediat e tyre dhe na akuzojnë për dhunë.
“Dhunë është disa molotovë para Bashkisë së Tiranës apo shpopullimi i Shqipërisë?
Cila është dhunë heqja e rrethimit nga qytetarët apo qytetarët e rrethuar nga varfëria?
Kush është dhunuesi ai i riu që proteston me të drejtë, apo dhunues është Edi Rama e Erion Veliaj që i kanë vjedhur të ardhmen?
Kush janë dhunuesit anëtarët e FRPD, apo banda, grupi i strukturuar kriminal 5D?
Kush janë dhunuesit të rinjtë e FRPD apo banda e inceneratorëve?
Kush janë dhunuesit të rinjtë e FRPD apo banda e investitorëve strategjikë”, tha Boçi. sn
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës bëri të ditur se Agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings, ka dhënë vlerësim kreditor ‘BB-’ për Kosovën.
Vlerësimi kreditor mat aftësinë e Qeverisë për të shlyer borxhet e saj.
“Ky vlerësim kreditor do të shërbejë si një pasaportë për Kosovën për çdo investitor të huaj që është i interesuar që të shohë se a ia vlen të investohet në vendin tonë. Po ashtu do të ndikojë në uljen e kostos së financimit, që rrjedhimisht do të ketë mundësi më tepër për financim për bizneset tona”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një video-deklarate të publikuar në Facebook.
Kjo është hera e parë që është publikuar një vlerësim kreditor për Kosovën.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo po ashtu “merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera”.
Shkalla e vlerësimit të kredive sovrane: Ku qëndron rajoni?
Shkallët e vlerësimit të kredive nga Fitch bëhet duke përdorur kategoritë: AAA (Cilësia më e lartë e kredisë), AA (Cilësi shumë e lartë e kredisë), A (Cilësi e lartë e kredisë); BBB (Cilësi e mirë e kredisë), BB (Spekulative), B (Shumë spekulative), CCC (Rrezik i konsiderueshëm i kredisë), CC (Nivel shumë i lartë i rrezikut të kredisë), C (Pranë mospagesës), RD (Mospagim i kufizuar) dhe D (mospagim).
Një + dhe – shtesë nga kategoritë AA deri në CCC nënkupton dallimet relative të mundësisë së mospagimit ose rikuperimit.
Shqipëria ka nivelin e njëjtë sikurse Kosova, me vlerësim kreditor BB-, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë vlerësimin BB+, Bosnje e Hercegovina ka B+, ndërkaq Kroacia ka BBB+, Gjermania ka AAA, Italia BBB, Greqia BBB-, kurse Pakistani CCC+.
*Shënim: Vlerësimi i këtyre shteteve mund të jetë bërë nga agjenci të tjera të vlerësimit.
Në vlerësimin kreditor merren parasysh shumë faktorë ekonomikë, financiarë, institucionalë e politikë, andaj ai tregon nëse shteti ka qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare.
“Ky vlerësim kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare”, tha Ministria e Financave.
Vlerësimi Kreditor për Kosovën është mbështetur nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Radio Evropa e Lirë
Letër e Hapur drejtuar përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë, Parlamentit të BE, Këshillit të Europës dhe Senatit të SHBA.
Nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Ne, një grupim qytetar, që e gjejmë veten tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, si iniciatorë të protestave para Bashkisë Tiranë, kemi të drejtën e plotë morale t’u përgjigjemi shqetësimeve tuaja për “dhunën” e ushtruar në datën 19 prill.
Së pari, ajo që ju etiketoni si dhunë, nuk ishte asgjë në raport me ato çka ndodhin në vendet tuaja demokratike, prej të cilave ne kemi gjithmonë ç’të mësojmë dhe ku një pjesë prej nesh jemi edhe shtetas. Është e drejtë e qytetarëve të revoltohen në çdo vend të botës, kur shohin, se politikat dhe politikanët janë në kundërshtim me interesat e tyre.
Së dyti, duam të sjellim në kujtesën tuaj protestën tonë qytetare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Një protestë, ku qytetarët u përfshinë pavarësisht ngjyrimeve politike. Protestuam në mënyrë shembullore, në mënyrën më paqësore për dy vjet e gjysmë, gjë e rrallë edhe në vendet tuaja me demokraci të konsoliduar. Protestuam me kulturë e shfaqje, të mbështetur edhe nga qytetarët tuaj në të gjithë botën, të mbështetur edhe nga organizata e shoqata ndërkombëtare, të cilat e shpallën Teatrin Kombëtar pasuri të trashëgimisë kulturore europiane.
Cila ishte përgjigjja e pushtetit?
Shkatërrim e dhunë e paparë, duke shkelur të gjitha ligjet kombëtare e ndërkombëtare. Shkatërrim në 4.30 të mëngjesit, në kohë pandemie dhe me njerëzit ende brenda. U varrosën nën rrënoja arkivat, kostumet, rekuizita, të cilat ishin vlera të një rëndësie të veçantë për një vend si Shqipëria.
Nga ana juaj, jo vetëm që nuk u reagua, por përkundrazi, me heshtjen tuaj dhe në disa raste edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, ju u dhatë të drejtë dhunuesve shtetërorë, legjitimuat dhunën dhe ishit kundër protestuesve paqësorë.
Nuk bëzatë as kur reagoi Komisioneria e Komisionit Europian për Kulturën Marija Gabriel e cila, bashkë me Europarlamentarë të tjerë apeluan për dialog mes palëve deri në ardhjen e një delegacioni të PE, e as kur europarlamentarë dënuan ashpër ngjarjen barbare të datës 17 maj 2020.
Dhe pavarsisht kësaj, ju nuk reaguat as për aktin barbar të shembjes, as për fillimin e shembjes ndërkohë që brenda tij kishte artistë e qytetarë e as për dhunën që shoqëroi shembja e tij.
Po kështu, ju nuk reaguat as për dhunën ndaj Qëndrestarëve të AMT-së më datë 19.12.2020, çështje e cila është referuar në Organin e Akuzës, dhe për të cilën nuk kemi asnjë informacion edhe sot e kësaj dite.
Si rezultat, sot Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë pa Teatër Kombëtar, pa kinema, cirk, biblotekë, muze, teatër kukullash, me mungesa shkollash, kopshtesh, çerdhesh, kënde lojrash e sportive.
Së treti, kemi mbi shtatë vjet, që protestojmë duke zhvilluar edhe një betejë ligjore në organet e drejtësisë, “e reformuar” prej bashkësisë ndërkombëtare. Janë të dukshme shkeljet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e kësaj qeverie të korruptuar.
Ne nuk protestojmë për interesat tona vetijake, por për interesin publik, truallin publik, i cili, sikundër po del edhe tani së fundi, vidhet për t’ua falur të korruptuarve e mafiozëve. Korrupsioni dhe vjedhja në Bashkinë e Tiranës janë ulëritëse dhe padyshim përgjegjësi ka kryetari Erion Veliaj (jo më pak edhe shefi i tij Edi Rama), por ju me sa duket shihni vetëm “dhunën” e protestuesve dhe aspak dhunën dhe arrogancën e vjedhësve.
Kur ju është dashur, ju keni shkelur edhe konventat ndërkombëtare, duke ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit shqiptar, ndërsa në rastin e vjedhjeve skandaloze në Bashkinë e Tiranës, u dilni në mbrojtje vjedhësve.
Së katërti, besojmë se ju e dini, që Shqipëria është kthyer në një vend, ku paratë pastrohen sheshit, para syve tuaj, ku korrupsioni i pushtetarëve në bashkëpunim me mafien po e gërryen këtë vend. Ku ligjet shkelen haptazi, ku drejtësia është e drejtuar politikisht, ku lufta politike është e pandershme, ku vidhen zgjedhjet ditën për diell, ku krimi e droga bëjnë ligjin, ku fëmijët e pleqtë nxirren nga banesat e tyre me gaz në 5 të mëngjesit tek Astiri, 5 Maji, Bregu i Lumit, Shkozë dhe çuditërisht e gjithë kjo dhunë nuk ju bën përshtypje, por shqetësoheni për disa flakadanë (shumica përdoren çdo natë në festat e ditëlindjeve).
Kur qeveria shkel ligjet e rregullat, është e drejtë legjitime e qytetarëve të revoltohen e të reagojnë me çdo mjet për të mbrojtur interesat e tyre.
Reagimin tuaj e gjejmë jo vetëm të pavend, por edhe të nxituar nga ana diplomatike dhe dy janë konkluzionet: o jeni hipokritë, o jeni dakordësuar me pushtetarët mafiozë shqiptarë, të cilët nuk kanë skrupuj të korruptojnë të gjithë ata, që i pengojnë në rrugën e tyre të pasurimit të paligjshëm dhe të mosrespektimit të ligjit.
Së fundmi, ju garantojmë, se protestat do të vazhdojnë edhe më të ashpra, po qe nevoja, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e politikës dhe organeve të drejtësisë, për të vënë para përgjegjësisë vjedhësit e paskrupullt të pasurisë publike.
Ju ftojmë edhe ju të bëni presion mbi pushtetarët, që të reflektojnë, përpara se gjërat të përshkallëzohen më keq.
Ne jemi më të vendosur se kurrë për ta çuar Kauzën tonë deri në fund, si një Kauzë në favor të interesit publik dhe në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të protestojnë sërish para bashkisë së Tiranës.
Anëtari i Kryesisë së PD të Rithemelimit, Belind Këlliçi njofton përmes një reagimi në rrjetet sociale se protesta e radhës do të zhvillohet të premten e ardhshme, 26 prill, ora 11.00.
Ai shprehet se opozita nuk do të tërhiqet deri në largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Reagimi
Korrupsioni i Erion Veliajt, djeg çdo ditë ëndërrat e të rinjve dhe shpresën e kryeqytetasve për të jetuar në një metropol Europian. Tirana sot është një qytet i vjedhur, pa teatër, pa galeri, pa bibliotekë, pa cirk, pa mjedise argëtimi dhe edukimi, pa parqe, pa hapësira publike, me shkolla me 2 turne, pa çerdhe, me trafikun më të rënduar në Europë dhe me ajrin më të ndotur në botë. Ketë realitet, nuk e meriton asnjë qytetar i Tiranës, pa asnjë dallim politik. Ndaj për këto arsye, e shumë të tjera, ftojmë sërish qytetarët e Tiranës, javën tjetër, në protestën e rradhës, e premte, datë 26 prill, ora 11:00, përpara zyrës së pronarit faktik të inceneratorit Tiranë dhe 5D, Erion Veliaj. Ne nuk tërhiqemi pa larguar nga zyra kryebashkiakun dhe kryehajdutin e Tiranës. O sot, o kurrë ✌🏻 bw
Policë të veshur civilë kanë nisur reprezaljen ndaj protestuesve pas protestës së mbajtur nga shoqëria civile përpara bashkisë së Tiranës.
Në foto e siguruara nga SYRI TV shihen qartë policët të cilët kanë rrethuar një të ri i cili nuk dihet nëse ishte pjesë e protestës apo jo por ata mesa duket kishin për synim ta shoqëronin.
I menjëhershëm ishte dhe reagim i përfaqësuesve të opozitës të cilët fatmirësisht në disa raste të tentativës për të shoqëruar protestues i kanë ndalur civilët e policisë duke mos i lejuar.
Neritan Sejamini ka folur për aferën në Bashkinë e Tiranës, me kompaninë 5D të drejtorëve të Veliajt, të cilët sot janë në pranga.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se drejtorë dhe punonjës të bashkisë kanë ngritur kompani private për të devijuar fondet publike, ndaj pas këtyre skandaleve që po zbulohen, i gjithë ky institucion duhet shkrirë.
“Ka pasur edhe disa hetimet të tjera për kontrata nga Bashkia e Tiranës. Pothuajse çdo drejtues i Bashkisë ka patur edhe aktivitet privat dhe aktivitetin publik e çonin te aktiviteti privat.
Më bëri përshtypje një zonjë kishte person fizik dhe kishte marrë 600-700 mijë euro dhe punonte edhe në Bashki për 600 euro në muaj. Pra skema është kjo, punoj në shtet që paratë e shtetit ti çoj te kompania private.
Është zbatuar nga drejtorë dhe punonjës të bashkisë. E gjithë bashkia Tiranë duhet shkrirë. Ajo që ka ndodhur nuk është e rastësishme.
Jo natën, por ditën punonin për kompaninë private. Kanë përdorur paratë e shtetit për të furnizuar bizneset private. Bashkia Tiranë duhet hetuar nga fillimi deri në fund. Çdo vendim dhe kontratë që ka dalë nga Bashkia Tiranë, duhet të hetohet, kemi patur një organizatë të kalbur. Është krijuar organizatë kriminale për të zhvatur paratë publike”, tha Sejamini.
Gjyqtari Agron Zhukri duket se ka ‘ngecur’ në rrjetën e vettingut.
Sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin i Gjykatës së Tiranës, i cili ka qenë i pranishëm në sallë kur është marrë vendimi.
Kujtojmë se Zhukri është gjyqtari që vendosi pro ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i dhënë këtij të fundit vulën e Partisë Demokratike.
HETIMI I PASURISE
Sipas BIRN, gjatë seancës më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, magjistrati u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë. Hetimi administrativ për Zhukrin kishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë ndërsa gjatë seancës u tha se i ka kaluar barrë prove për burimet e pasurisë. Zhukri pretendoi se i kishte përmbysur gjetjet e KPK-së dhe kërkoi hapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.
Në seancë nuk munguan incidentet e batutat. Djali i Zhukrit, i cili ishte njëherazi edhe përfaqësues i tij ishte pozicionuar fillimisht në zonën ku qëndron publiku. Ai ndërhyri në një moment për të dhënë ndihmën e tij në mbrojtje, por iu tërhoq vëmendja nga punonjësit e Gardës. Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Zhukri po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi. Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Ajo ka deklaruar një shtëpi në Tiranë të ndërtuar në vitin 1968 dhe të rikonstruktuar në ’96-ën për shumën 2.8 milionë lekë, me burim nga shitja e një trualli në masën 2.6 milionë lekë dhe të ardhurat. KPK konstaton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë për investimet e kryera në vitin 1996.
Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar dhe ndërtimin e një shtese në vitet 2004-2006 me burim të ardhurat nga pagat, aktiviteti i saj privat, si dhe të ardhurat si ndërmjetëse për disa shoqëri që operojnë në fushën e sigurimeve. Sipas KPK-së, nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ edhe në këtë investim.
Shuli tha se subjekti nuk ka deklaruar pjesën e tij takuese në pasuritë e krijuara gjatë martesës. Gjyqtari Zhukri deklaroi se banesa në të cilën është kryer investime në vitin 1996 është trashëguar nga i ati dhe se në vitin 1996 ia ka dhuruar bashkëshortes. Ai theksoi se deri në 1995-ën nuk ishte bërë asnjë investim në këtë pronë dhe se në 96-ën është kryer gjithë volumi i punimeve të deklaruara. Lidhur me vlerën e përfituar nga shitja e truallit e deklaruar si burim, subjekti shpjegoi se ajo pasuri ishte e vjehrrit dhe e kishte shitur për 1.6 milionë lekë, të cilat bashkë me 1 milion lekë të tjera të kursyera ua kishte dhuruar me rastin e lindjes së djalit. Ai shpjegoi se vjehrri kishte ndërruar jetë në vitin 1997 dhe se e kishin pasur të vështirë të siguronin dokumentacion. Ndërkohë, Zhukri këmbënguli se kishin depozituar dokumentacion zyrtar të mjaftueshëm për të ardhurat nga puna në ambasadën në Romë. Sipas tij, KPK ka konsideruar shitje të truallit dhe jo dhurim nga vjehrri dhe nuk e ka konsideruar këtë vlerë në analizën financiare. “Është vërtetuar se vjehrri ka dhënë 2.6 milionë lekë”, theksoi Zhukri dhe kërkoi që kjo shumë të përfshihej në analizë.
Subjekti sqaroi ndër të tjera se e kishte transferuar këtë pasuri tek bashkëshortja për korrektësi dhe etikë profesionale. “Nuk ka tendencë për mosdeklarim, pasi e ka deklaruar bashkëshortja”, pohoi subjekti dhe këmbënguli se së bashku me të ardhurat e bashkëshortes nga angazhimi si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve, rezultonte me bilanc pozitiv për shpenzimet dhe investimet e kryera në atë periudhë. Në vijim, u konstatuan gjetjet për një investim të kryer nga bashkëshortja në vitin 2003, kur ka blerë së bashku me një shoqëri një pasuri banesë + truall në masën 4.4 milionë lekë ku pjesa e saj takuese ka qenë 2.2 milionë lekë. Kjo pasuri është dhënë për t’u zhvilluar në këmbim të 30% të vlerës ndërtimore, ose nëse vlera e ambienteve do t’i jepeshin do të ishte më pak se 240 mijë USD, atëherë do të kompensohej me vlerë monetare.
Administratori i shoqërisë ndërtuese ka denoncuar subjektin duke pretenduar se kontrata e nënshkruar ishte realizuar nga një ortak dhe jo prej tij. Po ashtu, administratori shoqërisë ka pretenduar se është shantazhuar nga subjekti duke vendosur në dispozicion edhe korrespodencën e kryer në disa emaile. Shuli tha se dukej e paqartë se si kontrata ishte lidhur për investimin e një shumë të vogël prej rreth 2.2 milionë lekësh dhe përfitimin e një vlere rreth 26 milionë lekë, 13 herë më të madhe. Sipas KPK, duket se nuk është deklaruar investimi real që sipas Shulit duhet të ketë qenë në masën 70 mijë USD, vlerë për të cilën është konstatuar pamundësi financiare. Subjekti deklaroi se kontrata ishte nënshkruar nga një prej ortakëve që përfaqësonte shoqërinë ndërtuese. Ai shtoi e kishte pasur konflikte mes administratorin dhe ortakun e asaj shoqërie, të cilët e kishin zgjidhur me pajtim.
Zhukri tha se bashkëshortja kishte pasur në vijim konflikte gjyqësore me denoncuesin, dhe këmbënguli se kjo situatë nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit të tij. Ai e cilësoi denoncimin si shfryrje të një mellfi dhe pretendoi se kishte qenë administratori i asaj shoqërie që e kishte intimiduar dhe jo e kundërta. “Nuk kam bërë denoncim ndaj tyre. Ata kanë bërë ndaj meje, dhe kanë kryer veprime të jashtëligjshme. Këta njerëz tentojnë të më intimidojnë në mënyrën më të keqe të mundshme dhe provat e tij janë kundër tij”, tha Zhukri duke e cilësuar emailin absurd. Lidhur me vlerën e pasurive të përfituara, Zhukri solli në vëmendje faktin se porositja ishte kryer në 2003-in duke investuar 2.2 milionë lekë, ndërkohë që pas 16 vitesh, kur kishte përfituar pasuritë, ato kishin një vlerë më të madhe për shkak të rritjes së çmimit të tyre. “Veprimi juridik është brenda logjikës ekonomike, duke konsideruar kohën e kryerjes së veprimeve”, tha ndër të tjera Zhukri dhe këmbënguli se vlera e investimit ishte 2.2 milionë lekë, shumë që sipas tij duhet të përfshihet në analizën financiare.
Nga analiza financiare paraprake e KPK ka rezultuar pamundësi edhe për pagesat e kryera në vitin 2003 nga bashkëshortja e subjektit për blerjen e një apartamenti në Qerret, kur ka rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 11 milionë lekë. Prenotimi është deklaruar në vitin 2004. Subjekti ka shpjeguar se për këtë pasuri është paguar shuma 43 mijë euro, ndërkohë që në kontratë përcaktohet shuma 55 mijë euro. Zhukri tha se këtë pasuri e kishte poseduar prej korrikut të vitit 2004 dhe se ishte e provuar se bashkëshortja kishte paguar shumën 43 mijë euro, vlerë për të cilën tha se duhet të konsiderohet si shpenzim në analizën financiare.
Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit është gjetur në pamundësi dhe për pagesën e një pjese të çmimit të dy apartamenteve të Tiranë, të blerë për 280 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar një kredi në vlerën 180 mijë euro dhe pjesa tjetër nga pagat e të ardhurat nga aktiviteti dhe bashkëpunimi me agjencitë e sigurimeve në cilësinë e ndërmjetëses. Sipas Komisionit, ka rezultuar balancë negative në analizën e kryer për shlyerjen e pjesës së pambuluar nga kredia. Relatorja Shuli vijoi se familja e subjektit ka rezultuar në pamundësi për një gjendje cash në shumën 7500 euro; për blerjen e një trualli 75 m2; për blerjen e një automjeti në vitin 2002 për çmimin 1.5 milionë lekë; për një makinë tjetër të blerë në 2006-ën.
Megjithëse bashkëshortja e gjyqtarit Zhukri ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat agjenci udhëtimesh në vlerën totale 35 milionë lekë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se qarkullimet e vërtetuara kanë qenë më masë më të vogël. Ndërsa për të ardhurat e petenduara nga ndërmjetësimi me kompanitë e sigurimit është konstatuar se nuk janë vërtetuar. Ndërkohë, janë konsideruar të ligjshme dhe janë përfshitë në analizën financiare të ardhurat nga dhënia me qira e një banese, bazuar në katër kontrata qiradhënieje.
Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim. Gjyqtari Zhukri i kundërshtoi konstatimet e Komisionit për gjithë pamundësitë financiare. Sipas tij, ishte vërtetuar se të ardhurat e bashkëshortes të deklaruara si të përfituara nga aktiviteti I saj privat dhe nga ndërmjetësimi me shoqëritë e sigurimeve, janë të ligjshme, si dhe kërkoi që të përfshihen në analizën financiare. Ai solli në vëmendje të Komisionit se vlerat nga aktiviteti privat kishin qarkulluar në llogaritë bankare të shoqërisë dhe ishin paguar tatimet përkatëse. Sipas tij, çdo vit kishin pasur bilanc pozitiv dhe tepricat përfaqësoheshin nga gjendja e llogarive bankare.
Zhukri pretendoi se bashkëshortja kishte përfituar mbi 10 milionë lekë të ardhura si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve. Sipas tij, pagesat e tatimit në burim bëheshin nga shoqëritë, në bllok për të gjithë agjentët me të cilët bashkëpunonte. Sipas subjektit, analiza financiare e KPK del me rezultate negative pasi është e parcelizuar dhe sipas tij, mbetet e paqartë se përse të ardhurat e gjeneruara në kohë nuk janë konsideruar. “Ju konstatoni pamundësi pa i konsideruar të gjitha provat. Nuk ka mosdeklarim të burimeve, por është i gabuar qëndrimi juaj,” -tha Zhukri dhe shpjegoi në vijim mbi shpenzimet e shkollimit të fëmijëve.
Ai konstatoi se pasuritë e familjes së tij janë në vlerën 61 milionë lekë, ndërsa të ardhurat kapin shifrën e 221 milionë lekëve. Sipas subjektit, duke konsideruar edhe gjithë shpenzimet në vite, bilanci pozitiv për gjithë vitet mbetet në vlerën e 28 milionë lekëve. Komisioni ka konstatuar se shoqëria e bashkëshortes së subjektit ka lidhur kontrata me instituciuonet publike, duke ngritur dyshimet për konflikt interesi në dukje. Po ashtu, Shuli vërejti se subjektit i është kërkuar të japë shpjegime nëse ka shqyrtuar çështje me palë shoqëritë e sigurimeve me të cilat është deklaruar se ka bashkëpunuar si ndërmjetëse bashkëshortja.
Zhukri këmbënguli se nuk mund të gjendej në kushtet e konfilktit të interesit për arsye të nënshkrimit të kontratave prej bashkëshortes me disa institucione publike. Ai konstatoi se çështjet administrative me palë institucionet publike gjykohen prej gjykatave administrative dhe jo asaj civile, ku ai ushtron detyrën. I pyetur nëse kishte gjykuar ndonjë çështje me palë shoqëritë e sigurimeve më të cilat kishte bashkëpunuar bashkëshortja në cilësinë e ndërmjetëses, subjekti tha se nuk i kujtohej për momentin, por ai shtoi se edhe nëse do të kishte gjykuar, nuk mund të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit. Ai argumentoi se bashkëshortja nuk ishte e punësuar në ato shoqëri, por ndërmjetësonte në gjetjen e klientëve të cilët dhe i mbronte, e rrjedhojë nuk mund të konsiderohej se kishte konflikt interesi. Në përfundim, subjekti kërkoi që të konsiderohen shpjegimet e tij pretendoi se arrin nivel të besueshëm për pasurinë dhe kërkoi hapjen e hetimit për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit. (BalkanWeb)
Kreu u grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga Kuvendi deklaroi se Kuvendi po shkel rregulloren, pasi sipas tij do të duhej të ishte futur në rend dite mocionin me debat për trafikun e drogës, duke u ndalur te hetimet për Xibrakën.
“Duhet të lejosh minutazhin deputetëve. Secili deputet e menaxhon vetë fjalën. Në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në konferencën e Kryetarëve, në kundërshtim me rregulloren keni vendosur që mos ta sillni në seancë plenare. Do të duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuar në Konferencë. Grupi parlamentar ka paraqitur kërkesë me debat sa i takon prodhimit dhe shitjes së lëndëve të trafikut të drogës në vendin tonë. Ne kemi sjellë shembullin e lëshimit nga policia, të bashkëpunimit të Olsi Ramës për rastin e Xibrakës. Ju keni vendosur që të bëheni palë dhe ta mbroni, të bëheni avokat të Olsi Ramës. Ju nuk e keni sjell këtë mocion në Kuvend. Nuk mund të mbyllni këtë rast se nuk është mbyllur hetimi për Xibrakën.”, tha ai.bw
Duke komentuar deklaratat e forta të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, analisti Arion Sulo i ftuar në “Open” në News 24, tha se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në Kryeministri dhe kreu i qeverisë, Edi Rama u ka mbyllur derën.
“Për herë të parë Meta përmendi fjalën burg. SPAK-ut i takon të mos shprehet pa mbaruar çështja. Të dhënat që vijnë është se ky tension i Metës është për shkak të hetimeve që po bëhen ndaj tij dhe bashkëshortes, çështja CEZ DIA, hetimi për lobimin e ish-LSI-së dhe çështja e operacioneve plastike të Kryemadhit. Gazetarit pranë SPAK, thonë se këto çështje janë bashkuar dhe kanë kaluar në hetim pasuror.
Dy prokurorë kanë pasur një lloj ngecje dhe ka ndërhyrë Dumani si drejtues prokurorie për të kontrolluar dosjen. Kjo ka prodhuar tensionin e ditëve të fundit. E reja është ajo që paralajmëroi Ilir Meta; çështja po shkon drejt fundit dhe mund të ketë një zhvillim final që mund të ketë arrest. Deduksion! Përveç gjuhës së papranueshme, ne duhet të kthehemi te shkaku.
Dje dhe sot Meta ka renditur 10 çështje. Arta Marku me 69 vota dhe ajo u kap KLP-ja. Pastaj, kemi dosje emblematike për zgjedhjet. Dibra dhe dosja e Shijakut, të dyja të hedhura në prokuroritë e rretheve. Të dyja nuk janë hetuar nga SPAK-u që heton Berishën 15 vjet përpara. Këtu është argumenti që SPAK-u ka ndikim politik. Duke mos hetuar paratë e vjedhura, duke mos përmendur emrin e Erion Velisë, duke i qëndruar larg Ramës.
I kanë shkuar oficerët e BKH-së në Kryeministri dhe i ka mbyllur derën dhe i ka çuar mesazh që mos i sjell më. Dhe në qeveri ka thënë asnjëri pa shkresa të rregullta të mos futet në qeveri. E kupton sa e rëndë është. Unë po them fakte. Për turpin e tyre ne mbajmë Ramën në pushtet pa u hetuar. Po them që kjo stepje e SPAK-ut, kjo ngrënie presioni dhe mos bërja e drejtësisë njësoj ne na jep koston që Rama sot rri në pushtet në mënyrë të padrejtë dhe në mënyrë jo demokratike sepse me paratë që vjedh, vjedh zgjedhjet dhe me zgjedhjet që vjedh, vjedh paratë”, tha midis të tjerash Sulo.
Komentet