Viti që lamë pas nuk ishte aspak i paqtë për shqiptarët. Që në ditën e dytë të vitit 2019 krimi i dyfishtë tronditi Ballshin ku burri vrau gruan dhe kunatën. Më pas kjo ngjarje u pasua me te tjera krime për drogë, hakmarrje, përplasje bandash e motive te dobëta.
68 persona humbën jetën si pasojë e krimit. Vetëm 2 vrasje janë cilësuar nga hetimet si të ndodhura nga pakujdesia ndërsa 57 të tjerat kanë ndodhur me dashje.
Krimi nuk kurseu as njerëzit e drejtësisë. Një avokat u ekzekutua në një lokal në Elbasan, një prokurori i bënë atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës ndërsa në Vlorë, një tjetër prokurori i hodhën makinën në erë ndërsa ishte e parkuar.
Më 22 mars të vitit që lamë pas në një lokal në Elbasan iu bë atentat avokatit të njohur Ravik Gurra, i cili humbi jetën në vend. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:35, në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e lokalit bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Pista kryesore mbi të cilën po heton policia dhe prokuroria është ajo e vrasjes për shkak të detyrës pasi avokati ka mbrojtur personazhe të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe anëtarë të familjes Çapja. 9 muaj pas kësaj ngjarje policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.
Më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës iu bë atentat makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe një personazh të njohur për konfliktet e tij me pronat në zonën e gjirit të Lalzit Pëllumb Muharremi, i cili njihet edhe me emrin Rrumi. Nga breshëritë e plumbave derdhur mbi makinën e prokurorit të 3 personat që udhëtonin me të mbetën të plagosur dhe disa ditë me vonë shoferi Andi Maloku humbi jetën. Për ngjarjen në pranga momentalisht është Redjan Raja i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në këtë ngjarje. Identifikimi i tij u arrit pas analizimit të provave të grumbulluara nga grupi i hetimit në mjetin e atentatorëve i cili u gjet i braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafane.
Më 21 dhjetor në Vlorë, shumë pranë qendrës së qytetit u hodh në erë me lëndë plasëse makina e prokurorit Albert Kuliçi, ndërkohë që ishte i parkuar në rrugë. Mjeti tip “Volkswagen” pësoi dëmtime të shumta. Pista kryesore ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Albert Kuliçi është prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë dhe njihet për hetimin e një sërë dosjeve të bujshme, si ajo për tokat në bregdetin e Zvërnecit. Lidhur me ngjarjen reagoi Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, teksa për kreun e Gjykatës së Vlorës kjo ngjarje ka për qellim presionin ndaj togave të zeza për ngjarje që kanë të bëjnë kryesisht me pronat.
Në ngjarjet kriminale të këtij viti spikatën edhe vrasjet të cilat vinin si rezultat i përplasjes së bandave në disa qytete si në Shkodër, Vlorë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë.
Vlora gjatë 2019 e humbi vëmendjen e qytetit bregdetar duke u përmendur më shumë për ngjarjet kriminale sesa për turizëm. Më 12 shkurt iu bë atentat me armë zjarri 42-vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si “Çipuri’, por plumbat i morën jetën kunatit dhe shokut të tij, përkatësisht Orest Rexho dhe Arian Hasani. “Çipuri” ngeli i plagosur nga atentati, ndërkohë që aktualisht ndodhet në burg, pasi ishte në kërkim nga policia si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.
Shkodra prej kohësh nuk po gjen paqe. Më 30 mars u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali, të dy vëllezër përkatësisht 61 dhe 59 vjeç. I dyshuar kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër është Ibrahim Lici, i cili është parë në ikje e sipër me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Të përfshirë në këtë vrasje ishin edhe Arsen Stojku dhe Myslim Rama të cilët aktualisht janë në burg. Plani për ekzekutimin e vëllezërve Bilali dyshohet të jetë bërë në familjen Lici, pasi i arrestuari Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici. Vrasja e tyre erdhi si vijim i një përplasjeje të gjatë. Në muajin shtator të vitit 2018, kur u vra mbi kalë biznesmeni Arjan Ferracaku, bashkë me të ishte edhe Asmer Bilali, djali i Astrit Bilalit. Asmeri, ish-kampion boksi është i arrestuar tashmë si pjesë e grupit Bajri për gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh. Pas vrasjes së Ferracakut, u pretendua se shënjestra e atentatit ishte Asmeri.
Ashpërsia e krimit ka arritur në atë nivel që nuk kursen as pragun e shtëpisë dhe as femrat. Më 21 shtator në mbrëmje kur i gjithë vendi ishte ende nën ethet e tërmetit të rënë atë pasdite, në Nikël në derë të shtëpisë iu bë atentat Mareglen Hakas, i njohur si “I forti i Niklës”. Nga breshëria e plumbave ai mbeti i plagosur ndërsa halla e tij Shpresa Basha humbi jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hasmëri, pasi Haka është arrestuar për vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2011 në Tiranë. Mareglen Haka njihet edhe për lidhjen me familjen Bami. Ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një nga eksponentët e fortë të krimit, ai që e shoqëroi për në Spitalin e Traumës pas plagosjes.
Edhe Lushnja e ka humbur qetësinë, pasi një seri vrasjesh kanë ngjallur konfliktet e bandave të dikurshme. Më 1 tetor 2019, u vra me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar në verandën e lokalit ku po pinte kafenë e mëngjesit, daja i Zamir Latifit, Besmir Hida. Menjëherë pas krimit të rëndë, dy autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet të vjedhur në Tiranë, i cili u gjet i djegur pak orë pas vrasjes. Ka dyshime se ekzekutimi është kryer nga të njëjtët persona që ekzekutuan nipin e Hidës. Për atë ngjarje ende në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të cilët janë pjesë e grupit rival të bandës së të fortit të Lushnjës, Aldo Bare.
3 muaj më vonë Lushnja do të tronditej nga një tjetër ekzekutim. Më 14 dhjetor u gjet i vrarë në lokalin e tij Enver Boriçi, 52-vjeç, ish-anëtari i bandës së Lushnjës, i njohur edhe si vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Arben Boriçi, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Vendi u trondit edhe nga një seri vrasjesh mafioze të cilat ndodhën në derë të shtëpisë dhe në ambiente të populluara.
Më 30 janar të 2019, kryeqyteti u trondit nga vrasja mafioze e ish-punonjësit të policisë Arben Bilali, në zonën e Selitës. Ai u ekzekutua me breshëri shumë pranë banesës ku jetonte me familjen e tij. 50-vjeçari, është i treti në familje që ekzekutohet në harkun e 20 viteve, pasi më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Familja Bilali është prej vitesh në hasmëri me një tjetër familje kriminale në zonë, gjë e cila ka prodhuar disa viktima. I vetmi person që ka mbetur në burg për vrasjen e Bilalit është Arben Xhetani i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen si edhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Në pranga ra edhe Gjergj Cukali, të cilin policia e arrestoi bazuar në ADN-në e gjetur në makinën e ekzekutorëve por i “forti i Myslym Shyrit”, mundi të rifitojë lirinë.
Më 18 mars zona pranë sheshit “Willson” në kryeqytet u tronditën nga breshëria e plumbave më cilët i morën jetën 26-vjeçarit Jurgen Kurti, në derën e pallatit të tij. Kurti ishtë një personazh shumë i përfolur si nga shoëbizi ashtu edhe nga konfliktet e tij me ligjin.
Për ngjarjen u arrestuan si autorë tre të rinjtë Olsi Qalliaj, Elsi Levendi dhe Alesio Berberi, të cilët u akuzuan se ishin paguar 250 mijë euro nga Klodian Bane i cili është në kërkim. Por pas zbardhjes së tabulateve, Qalliaj dhe Berberi u lanë të lirë, ndërsa Levendi vijon të jetë pas hekurave, pasi akuzohet të ketë qenë ai personi që ka luajtur rolin e informatorit dhe ka vëzhguar Kurtin.
Më 20 mars, në fshatin Grudë në Shkodër u ekzekutua në atentat Ferdinand Polia, 35 vjeç, i njohur si biznesmen dhe pronar i disa prej bujtinave turistike në Theth. Ai u ekzekutua me armë zjarri me silenciator, teksa ishte duke u kthyer nga servisi i makinave, ku kishte riparuar automjetin e tij fuoristradë dhe po udhëtonte bashkë me Xhovan Mirashin, punonjësin e servisit. Vetëm pesë ditë pas ngjarjes ranë në pranga Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini, të cilët janë lënë në burg nga gjykata. Dëshmia e tyre zbardhi emrin e autorit, Kristian Sulaj (Martini). Ai u ekstradua më 13 shtator nga Danimarka ku fshihej prej muajsh dhe tashmë ndodhet në burg. Motivi për ngjarjen e rëndë dyshohet të ketë qenë e kaluara e errët e Ferdinand Polisë, në Itali ku 35-vjeçari rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale, madje edhe i dënuar nga Gjykata në Itali.
Më 2 tetor në Zall Xhuxhë të Mirditës u gjet i vrarë Eri Zefi. 34-vjeçari ishte ngujuar prej një viti dhe i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme pasi i vëllai, Ndue Zefi në muajin shkurt të këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca. Në lidhje më këtë ngjarje, është arrestuar Mikel Alia, shok fëmijërie i viktimës i cili dyshohet se e ka nxjerrë në pritë.
Droga vijon të sjellë konflikte të ashpra që lenë pas shumë viktima. Edhe përgjatë këtij viti ka pasur shumë vrasje të cilat kanë ndodhur për prishje të pazareve të drogës në Shqipëri apo edhe jashtë saj.
13 ditë pasi ishte zhdukur, më 19 shkurt gjendet i vrarë brenda mjetit të tij, Sokol Rama. Prishja e pazareve të drogës dyshohet të jetë shkak i vrasjes së 32-vjeçarit nga bashkëpunëtori i tij në këtë aktivitet kriminal, Roland Milo, i cili tani ndodhet pas hekurave.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për atentatin e 27 majit në Poro të Vlorës ku iu bë atentat Eno (Aleksandër) Matës. Nga ky sulm ai mbeti i plagosur por plumbat i morën jetën shokut të tij Sotiraq Mëhilli.
Mbrëmje e 31 qershorit në Peqin iu bë atentat dy vëllezërve Baho ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vrarë ndërsa vëllai tjetër, Aldo Baho, u plagos rëndë. Shkak për ngjarjen dyshohet të jenë konfliktet për drogë.
Më 1 gusht në Durrës në derë të shtëpisë u ekzekutua Feriz Bardhi. 40-vjeçari rezulton se është i skeduar edhe më herët nga Policia e Shtetit pasi është arrestuar në vitin 2012 si pjesë e trafikut të drogës drejt Italisë.
Po në derë të shtëpisë u ekzekutua edhe 47-vjeçari Nikola Ikonomi, i njohur ndryshe nga banorët e zonës si Dilaver Tozaj më 7 gusht në fshatin Selenicë të Vlorës. Në vitin 2005 Ikonomi rezulton të jetë arrestuar për trafik drogë. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që po trafikonin 1145 kg kanabis nga Kakavija.
Më 12 gusht në Mirditë u ekzekutua në mjetin e tij Armando (Tonin) Gjini. 48-vjeçari që njihej edhe si ushtari i bandës së Met Kananit u ekzekutua në qendër të Rrëshenit teksa po priste bashkëshorten e tij të kthehej nga marketi. Dy pistat ku policia po heton për vrasjen e 48-vjeçarit janë prishja e pazareve të drogës dhe marrëdhënia me anëtarët e grupit të Kananit të cilët dyshohet se kishin filluar të dyshonin për viktimën, që u lirua shumë shpejt nga burgu. Ndërkohë ende nuk ka asnjë të arrestuar.
27 gushti nuk do të harrohet lehtë për banorët e rrugës “Xhanfize Keko” të cilët panë se si u ekzekutua në një atentat ish-polici Santiago Malko. Megjithëse rruga ishte me mjete dhe këmbësorë atentatorët e tij qëlluan me breshëri drejt mjetit “BMW X5” dhe u larguan nga zona vetëm kur u bindën se 26-vjeçari kishte ndërruar jetë. Malko njihej në botën e krimit si një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinaj. Pas këtij ekzekutimi mafioz dyshohet se janë anëtarë të “Klanit Duka”, të cilët tashmë janë të shpallur zyrtarisht në kërkim nga Policia e Shtetit. Leonard Duka; Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica janë ende në kërkim nga policia. Në pranga ka rënë vetëm Blendi Teta, i cili u identifikua nga filmimet e kamerave të bizneseve pranë vendit të krimit, ku shihej që mblidhte bishtat e cigareve për të mos lënë asnjë gjurmë.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për vrasjen e 10 tetorit në Kavajë ku humbi jetën Dritan Haxholli, i cili u ekzekutua nga shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit Bledar Toçi. Ngjarja u regjistrua në banesën e 30-vjeçares Marsida Qatja. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur si pasojë e xhelozisë, ndërsa hetimet zbuluan se pas çështjes fshiheshin pazaret e drogës. Për këtë krim pas hekurave janë Bledar Toçi dhe vëllai i tij Bernard Toçi.
Më 13 dhjetor në Peqin pranë rrugës nacionale iu bë atentat Andi Zylyfi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi për të festuar festat e fundivitit me familjarët e tij. Plumbat kapën edhe shokun e tij Ardit Uruçin, i cili mundi t’i shpëtojë atentatit. Viktima është djali i hallës së Endrit Alibeaj, bosit të drogës, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Bashkë me të u eliminuan edhe kushëriri i Alibeajt, 56-vjeçari Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, 51 vjeç.
Fatkeqësisht në raportimet për vrasjet e 2019 është dashur të raportohen edhe viktima të cilët e humbën jetën pa pasur asnjë faj. Dy persona, njeri në Kavajë e tjetri në Tiranë u vranë me armë zjarri pa pasur asnjë konflikt dhe asnjë precedent penal.
Më 4 korrik në Kavajë humbi jetën si pasojë e përplasjes mes 2 grupeve kalimtari i rastit Ramazan Hasanlliu, i cili u vra sapo kishte blerë bukë. Për këtë krim pas hekurave ndodhen Eraldo Hyka, Qazim Merkja, Ardian Dedej dhe Marjus Aliu, ndërsa në arrest shtëpie është Agron Kollçaku.
Më 22 gusht në Tiranë humbi jetën i riu Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri. Ai prej ditësh punonte në vilën e familjes Kusi dhe pas një mosmarrëveshjeje për cilësinë e punimeve u vra me plumb në kokë nga Griseldo dhe Alban Kusi, të cilët pas disa muajsh iu vetëdorëzuan drejtësisë.
Për ish-drejtuesin e policisë Arben Hajdarmatan situata e rendit në Shqipëri nuk është në kushtet optimale dhe sipas tij kjo vjen për disa arsye ku më kryesorja është përdorja e policisë për punë të institucioneve të tjera dhe inkriminimi i saj.
Por, pavarsisht se numri i vrasjeve të ndodhura gjatë 2019 është më i lartë se një vit me parë për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj treguesit e rendit janë në nivelet më të mira historike.
Krimit nuk i shpëtoi as qeliza bazë e shoqërisë, familja. Gjatë këtij viti ka pasur 14 vrasje në familje ku burri vrau gruan, djali nënën dhe nipi gjyshin. Ndër motivet më të hasura të krimit ka qenë xhelozia. Por nuk munguan as konfliktet për pronën dhe për paratë. Për sociologun Gezim Tushi një ndër arsyet është ndryshimi i tipologjisë së familjes shqiptare, si edhe problemet ekonomike dhe përdorimi i lëndëve psikotrope, pa anashkaluar dhe mentalitetin tradicional që sjell konflikte mes brezash.
Krimi ka lindur me njerëzimin dhe nuk pretendojmë që të jetojmë në një shoqëri ku vrasjet të jenë në nivel zero, por urojmë që në 2020 shqiptarët të arsyetojnë më shumë dhe zgjidhjen të mos e gjejnë tek thika, armët dhe tritoli por tek komunikimi dhe nëse ky është i pamundur në dyert e drejtësisë.
Një aventurë në malet e Valbonës u kthye në një situatë jetë a vdekjeje për vrapuesen australiane të shtigjeve, Amy Lecons, e cila më 22 qershor 2026 u kafshua nga një gjarpër helmues teksa po kryente një vrapim në një nga shtigjet e zonës.
Lecons, e cila jeton në Zelandën e Re, ndodhej në Valbonë dhe kishte planifikuar një vrapim rreth 90-minutësh. Por 90 minutat u kthyen në 3 ditë plot ankth dhe fikë, pasi u pickua nga një gjarpër helmues.
Lecon e gjeti veten të bllokuar në një shteg të largët, pa shpresë për shpëtim pasi sipas saj, nuk mund të kontaktonte urgjencën në numrin 112.
“E kuptova menjëherë se më kishte kafshuar një gjarpër, ndërsa ndjeva një dhimbje të fortë në kyçin e majtë të këmbës. Sikur në një film të ngadaltë, pashë gjarprin poshtë këmbëve të mia ndërsa u përplasa sipër dhe ngadalësova derisa u ndala.”– tha ajo në një intervistë për median britanike “Truth Times”.
Lecons arriti ta filmonte gjarprin me telefon, me shpresën që pamjet do të ndihmonin në identifikimin e tij. Më pas u ul në shteg dhe u përpoq të qëndronte sa më e palëvizshme.
Dy telefonata në 112 përfunduan pa zgjidhje
Në orën 10:20, Lecons telefonoi numrin shqiptar të emergjencës 112.
“Telefonata zgjati më pak se një minutë para se të më mbyllnin telefonin”, tregon ajo. Sipas saj, kërkoi të komunikonte me dikë që fliste anglisht, por nuk arriti të kuptonte se çfarë po i thuhej dhe telefonata përfundoi.
Vetëm dy minuta më vonë, në orën 10:22, ajo telefonoi të atin në Australi përmes ËhatsApp.
Babai i saj, Robert Lecons, është mjek familjeje në një zonë rurale të Australisë së Jugut. Ai e udhëzoi vajzën se çfarë duhet të bëntë në ato kushte. Amy i dërgoi gjithashtu vendndodhjen e saktë përmes aplikacionit Ëhat3Ëords.
Më pas babai kontaktoi shërbimet australiane të emergjencës, ndërsa Amy provoi sërish të telefononte 112. Edhe telefonata e dytë, sipas saj, përfundoi pas 53 sekondash.
“Jam shumë i shqetësuar nga mënyra se si u trajtuan telefonatat e Amy-t në 112. Ia kishin mbyllur telefonin dy herë”, tha Robert Lecons.
Pa pasur furnizime të duhura mjekësore në dispozicion, ajo improvizoi.
“Pa fashot e duhura kompresive, hoqa çorapet dhe bluzën pa mëngë dhe i lidha rreth zonës së kafshimit sa më mirë që munda për të imobilizuar gjymtyrën.”
Një tjetër problem që turistja shpreh është se në shtegun ku ishte bllokuar, ishte krejt e vetme.
“Gjatë gjithë kohës, kërkoja ndihmë nëpër luginë, por askush nuk më përgjigj dhe as nuk më gjeti në shteg.”
Kontakti me Interpolin
Pas rreth 15 minutash, ajo vendosi që një kontakt lokal mund të ishte më efektiv sesa linja e emergjencës dhe telefonoi pronarin e hotelit në Shkodër, ku kishte qëndruar së fundmi.
“Ai u përgjigj menjëherë, e kuptoi ashpërsinë e situatës dhe filloi të telefononte përreth. Nuk e kuptova deri disa javë më vonë se ishte ai që kishte njoftuar Klinikën Verore të Valbonës, pasi shërbimet australiane të emergjencës po lidheshin gjithashtu me Interpolin në të njëjtën kohë.”- tha ajo.
Sipas Lecons, një ambulancë u dërgua rreth 25 minuta pas kafshimit. Meqenëse ajo ndodhej në një shteg të largët, ekipit të ndihmës iu deshën edhe 30 minuta të tjera për ta arritur, të ndjekura nga një orë tjetër përpara se ajo të arrinte në spitalin në Bajram Curri, ku iu dha anti-helmi.
Kushtet ne spital
Lecons u ndal të fliste edhe për kushtet e spitalit në Bajram Curri, ku sipas saj kishte disa probleme.
“Siç u përmend në videot e mia, kaloi një ditë para se të më jepnin letër higjienike, pasi ata pretenduan se nuk kishin në dispozicion. Ditën e dytë, stafi tha se duhej të gjeja dikë që të më blinte furnizimin tim me akull, pasi spitalit i kishte mbaruar edhe ky furnizim”, tha ajo, duke vënë në dukje se spitali ndodhej në një qytet me qasje të lehtë në dyqane.
“Më duhej të bëja nevojat në shtrat. Nuk prisja të merrja të njëjtin trajtim si ai në Australi apo Zelandën e Re, por spitalet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë një shërbim të përshtatshëm dhe sigurisht, përpara se të nxjerrim një përfundim se sa i mirë ishte trajtimi që mora, duhet të ketë një diskutim rreth asaj pse spitaleve u mungojnë këto gjëra.”- shton më tej ajo.
Si u pasqyrua lajmi?
Më tej Lecons ndalet tek mbulimi që iu bë historisë së saj në mediat shqiptare, që sipas saj kanë raportuar mbi ngjarjen por pa e kontaktuar atë vetë.
“Ajo që më shqetësoi ishte se media kishte marrë fragmente nga pjesët më të mira të historisë sime dhe i kishte përdorur ato për të krijuar një narrativë shumë të plotë pa trajtuar disa nga çështjet e rëndësishme që ekzistojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor.”- shprehet ajo.
Ajo vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ndau historinë e saj, duke e përshkruar atë si një person që po shërohej plotësisht.
“Për fat të mirë, tani jam shëruar mrekullisht, por në atë kohë nuk isha në gjendje të ecja dhe e ardhmja ishte e paqartë pasi nuk më ishte dhënë asnjë këshillë shëndetësore kur dola nga spitali.”- tha ajo.
Mesazhi i turistes
Ajo e lidhi mbulimin e ngjarjeve me momentin më të gjerë politik të Shqipërisë. “Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë po zhvillohen protesta të vazhdueshme për qëndrueshmëri, anti-korrupsion dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve. Pasi zhvillova biseda me njerëzit përreth meje, mësova se mënyra më e mirë për të ndihmuar popullin e Shqipërisë nuk ishte thjesht të theksoja mikpritjen e shqiptarëve, por në fakt të thoja të vërtetën e përvojës sime në sistemin e kujdesit shëndetësor si turist.” Ajo shtoi: “Një vend nuk mund t’i mbështesë turistët nëse nuk mund t’i mbështesë më parë njerëzit e vet.”
Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka analizuar zhvillimet e fundit rreth hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë, duke u ndalur veçanërisht te dosja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe implikimi i mundshëm i kryeministrit Edi Rama.
Hoxha theksoi se akuza fillestare për pabarazi në tendera ishte vetëm maja e ajsbergut për të çmontuar të gjithë “rrjetën e merimangës”.
Sipas tij, përveç akuzave shtesë për lotet e rrugëve, SPAK e ka zgjeruar hetimin për korrupsion, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Gazetari u shpreh se nëse mblidhen të gjitha akuzat e ngritura nga prokurorët e posaçëm, dënimi për Ballukun mund të shkojë deri në 36 vite burg.
Më tej, Poli Hoxha zbuloi se dosja përmban një numër të madh letër-porosish ndërkombëtare për të gjurmuar lëvizjet financiare dhe tjetërsimin e parave të vjedhura në prona e llogari bankare jashtë vendit.
Ai nënvizoi se linjat e shumë hetimeve çojnë në mënyrë të natyrshme te kryeministri Edi Rama, emri i të cilit, sipas tij, del në shumë dokumente. Hoxha deklaroi se ka ardhur koha që Rama të thirret zyrtarisht në SPAK për të dhënë shpjegime, pavarësisht rezistencës dhe përpjekjeve politike për të penguar e bllokuar procedurat e drejtësisë.
Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e “News24”, ka analizuar qëndresën qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, e cila vijon prej më shumë se 80 ditësh radhazi.
Hoxha u shpreh se kjo lëvizje tejkaloi parashikimet e atyre që pretendonin se populli nuk do të dilte në shesh për shkak të konformizmit, largimeve jashtë vendit apo dështimeve të opozitës. Sipas tij, mashtrimet e qeverisë dhe perceptimi se kasta politike bëhet bashkë kur vjen puna te mirëqenia e qytetarëve, çuan në derdhjen e pikës së fundit të ujit.
Ai nënvizoi se protesta lindi “pa kokë” dhe është kthyer tashmë në një gjendje mendore për shumicën e shqiptarëve. Pavarësisht nëse temperaturat e larta ulin numrin e njerëzve në shesh, mbështetja mbetet masive në çdo shtëpi, punë e lagje.
Gazetari denoncoi përpjekjet e shumta për delegjitimimin e lëvizjes – që nga propaganda për t’i cilësuar protestuesit si “iranianë”, deri te futja e policëve me civilë, grupeve të interesit dhe incidenteve për të nxitur përçarje e debate gjatë marshimeve. Megjithatë, ai theksoi se 90% e pjesëmarrësve janë të qartë në kauzën e tyre dhe se protesta po piqet e po vetëpastrohet. Hoxha paralajmëroi se shtatori parashikohet “flakë”, jo vetëm nga rikthimi i njerëzve nga pushimet, por edhe nga ndërgjegjësimi në rritje.
Sipas Poli Hoxhës, kërkesat e protestuesve janë të qarta: dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike jo-partiake me mandat 12-mujor. Kjo qeveri do të merret me hartimin e rregullave të reja të lojës, përfshirë ndryshimin e kodit zgjedhor, ligjin për financimin e partive, kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe rikthimin e referendumeve, për të thyer status quo-në ku 100 nga 140 deputetë emërohen drejtpërdrejt nga Rama dhe Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se largimi i pushtetit lidhet me trinomim: protesta në mes, ndërkombëtarët në krah dhe veprimet e SPAK-ut. Ai vlerësoi se SPAK ka asistuar këtë lëvizje që nga dita e tretë me hetimet për Zvërnecin dhe sekuestrimin e mbi 1.5 milionë metrave katrorë pronash, kullash e resortesh të miratuara me firmën e kryeministrit, duke i treguar popullit se pushteti nuk po lëshohet vetë si në një vend normal.
Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke argumentuar se shoqëria koncesionare ka dështuar të përmbushë detyrimet dhe afatet e përcaktuara në kontratë.
Sipas shkresës që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar shoqërisë Vlora International Airport, ortakëve të saj dhe financuesit të projektit, Bankës Kombëtare Tregtare, vendimi mbështetet në një sërë shkeljesh kontraktore.
“Janë konstatuar një sërë shkeljesh kontraktore dhe problematikash, që lidhen me mosrealizimin e objektit të koncesionit brenda afateve kontraktore dhe me mospërmbushjen e detyrimeve nga Shoqëria Koncesionare”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Kapitali.
Qeveria i referohet nenit 15.4 të kontratës, i cili i jep Autoritetit Kontraktues të drejtën për zgjidhjen e parakohshme të saj nëse aeroporti nuk vihet në operim brenda 90 ditëve nga data e përcaktuar.
Afati fillestar për nisjen e operimit ishte 20 shkurt 2026, ndërsa periudha shtesë 90-ditore përfundoi më 20 maj. Aeroporti nuk ishte vënë në funksion as pas këtij afati.
Sipas Ministrisë, koncesionari ka ndryshuar vazhdimisht parashikimet për përfundimin e projektit: fillimisht afati u shty për në gusht 2026, më pas për 1 mars 2027 dhe, së fundmi, është paraqitur një periudhë zbatimi prej tetë muajsh pa një datë konkrete përfundimi.
“Ky ndryshim i vazhdueshëm i afateve dëshmon qartë pamundësinë e Shoqërisë Koncesionare për të deklaruar një afat të qëndrueshëm dhe të mbështetur për vënien në operim”, argumenton MIE.
Një nga shkaqet kryesore të ngërçit, sipas qeverisë, janë edhe konfliktet mes ortakëve të koncesionit, të cilat kanë përfunduar në përplasje gjyqësore dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve.
Në shkresë përmenden gjithashtu mosmarrëveshjet për transferimin e kuotave dhe marrëveshjen e huasë, përfshirë kredinë prej 100 milionë eurosh të marrë nga Mabco, të cilat, sipas Ministrisë, kanë krijuar “pengesa konkrete dhe të pakapërcyeshme” në funksionimin e shoqërisë.
Pas përpjekjeve për t’u dhënë ortakëve kohë për të zgjidhur konfliktet dhe për të garantuar vazhdimin e projektit, Ministria thotë se situata nuk është zgjidhur. Për këtë arsye, ajo vlerëson se zgjidhja e kontratës së koncesionit është tashmë e nevojshme për mbrojtjen e interesave të shtetit.
Procedura shënon praktikisht dështimin e deritanishëm të projektit koncesionar të Aeroportit të Vlorës, i cili duhej të kishte hyrë në operim që në shkurt të këtij viti. gsh
TIRANË- Mediat franceze duke zbuluar detaje nga negociatat për krijimin e shtetit Bektashi në Shqipëri shprehen se gjithçka do të jetë gati në shtator. Madje ndër të tjera theksohet se urdhri do të ketë pasaportën dhe paranë e emërtuar BEK. Gjithashtu për realizimin e gjithë procesit janë ngarkuar tre negociatorët kryesorë.
Dy vite pas hedhjes së idesë së krijimit të shtetit Bektashi në Shqipëri, palët duket se kanë nisur një fazë të re. Nga ideja në shkresa ku baza do të jetë krijimi i statutit, por dhe e pasaportave të veçanta e më tej dhe të parasë që në shkrim raportohet se do të quhet BEK.
Lajmin e ka dhënë media prestigjioze franceze Intelligence online, ku saktësohet se Kreshnik Grezda mban rolin e ambasadorit të përgjithshëm në përfaqësimin ndërkombëtar, ndërsa përfaqësuesi për Shtetet e Bashkuara është Christopher Hyland, themelues i një kompanie tekstilesh luksoze me bazë në Nju Jork.
Intelligence Online e përshkruan atë si një sipërmarrës aktiv në Ballkan, i cili në vitin 1992 ka qenë këshilltar i fushatës presidenciale të Bill Clintonit dhe zëvendësdrejtor kombëtar politik për elektoratet etnike.
Për Francën dhe Belgjikën, përfaqësues është emëruar Hazis Vardar, një sipërmarrës belg me origjinë shqiptare dhe aktiv në sektorin e kulturës.
Sipas Intelligence Online, projekti i shtetit bektashi nuk po kufizohet vetëm te krijimi i një statusi të veçantë territorial në Tiranë, duke e përshkruar dhe si një Vatikan mysliman dhe një shtet që pritet të jetë më i vogli në botë në një shtrirje prej 11 hektarësh.
Më tej theksohet se bisedimet po shoqërohen edhe me përgatitjen e strukturave simbolike, diplomatike dhe të përfaqësimit ndërkombëtar.
Gjithashtu edhe burimet pranë kryegjyshit botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj shtojnë se puna ka vijuar dhe se procesi ka hyrë në një tjetër etapë edhe pse miratimi në shtator i këtij shteti shihet me skepticizëm prej tyre.
Ndërkaq Intelligence Online thekson se Urdhri Bektashi promovon një formë të moderuar të Islamit dhe dialogun ndërfetar./Dosja.al
Profesori Lush Susaj, në protestën e 80-të para kryeministrisë, tha se qytetarët duhet të reagojnë ndaj asaj që e konsideron padrejtësi, ndërsa e cilësoi protestën si një “shkollë politike” dhe si një betejë për rikthimin e pluralizmit.
Ai gjithashtu, kërkoi ndihmoi nga ambasadori që do vijë në Shqipëri.
“Faik Konica thotë që zuzari çfarë i sheh syri, i do për vete. Respekt për secilin protestues. Nëse nuk reagojmë, jemi qyqarë. Kjo protestë është shkollë politike, na bën krenarë dhe na heq qafe zuzarët. Mbahuni sepse jemi në të drejtën tonë të historisë. Le të rikthejmë pluralizmin. Ambasadori i SHBA që do vijë në Shqipëri, le të na ndihmojë të rikthejmë demokracinë. Ambasador, jemi Shqipëria që krijoi president Willsoni. Ne i themi keq-bërësve që na provokojnë, ndaloni. Këta kanë marrë fund. Uroj që mos të na dërgojë te skenari i Mianmarit”, u shpreh ai. SH
Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin të gjithë në shesh për të kërkuar largimin e Edi Ramës.
Në mesazhin e tij, aktivisti theksoi se emancipimi i një shoqërie tregohet atëherë kur qytetarët nuk kanë më frikë dhe kanë kurajon që të mos ulin kokën përballë padrejtësive që iu janë bërë ndër vite nga pushteti.
Progni theksoi gjithashtu se ndryshimi i pushtetit nis nga qytetarët, kur ata thyejnë heshtjen dhe frikën për të kërkuar llogari nga tyre.
“Emancipimi i një shoqërie nuk matet me kullat që ndërton, kullat që lyen apo propagandën që prodhon. Matet sesa qytetarë kanë kurajon të mos ulin kokën përballë padrejtësisë. Për shumë vite na kanë mësuar të përsërisim të njëjtat fjali, çfarë do të ndryshojë, të gjithë janë njësoj, shiko punën tënde.
Dhe këtu fillon problemi. Sepse një shoqëri nuk mbahet peng nga ata që abuzojnë me pushtetin, mbahet peng edhe nga momenti kur njerëzit e mirë binden se nuk ia vlen të reagojnë, ndaj kjo protestë duhet të jetë më shumë sesa zemërim, por rizgjim kombëtar, Shqipëria po shitet. Të kërkosh institucione që të shërbejnë, drejtësi që të mos vonojë, shëndetësi ku nuk duhet të njihësh dikë, polici që të mbrojë, arsim ku fiton ai që meriton, një shtet ku ligji nuk ndryshon sipas emrit që ke. Këto nuk janë kërkesa luksi, por minimumi i një repblike normale.
Mos prisni gjithmonë që dikush tjetër të dalë përpara. Një demokraci e shëndetshme nuk ka nevojë për heronj, por ka nevojë për qytetarë që kërkojnë llogari, që nuk shitet, që nuk tremben nga pushteti. Sot thirrja ime është për atë që në dëgjon e shikon, ti je ndryshimi. Një protestë e madhe bëhet kur secili prej nesh vendos, sot do të jem edhe unë aty.
Ejani jo për mua. Ejani për veten tuaj, familjet, fëmijët tuaj, e dinjitetin tuaj. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për ndryshim pushteti, por ndryshim të standardit që ne qytetarët pranojmë nga pushteti. Ai ndryshim fillon nga ne, kur nuk heshtim, kur nuk kemi frikë të kërkojmë llogari. Fillon me secilin prej nesh.”, tha ai. Panorama
Gazetarja Klodiana Lala ka analizuar ecurinë e disa dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, afera e AKSHI-t, dhe dosja Aruba.
Gazetarja tha se pozita e Ballukut është rënduar për shkak se tashmë është marrë e pandehur për të gjitha lotet e tjera të Unazës së madhe, krahas Tunelit të Llogarasë, ndërsa po dyshohet gjithashtu për korrupsion e pastrim parash.
Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka dizenjuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.
Po ashtu, ajo bëri me dije se gjykata ka autorizuar kontrolle edhe në 53 telefona të tjerë, krahas të tjerëve që u kontrolluan më herët.
“Është rënduar ndjeshëm pozita e saj në raport me ligjin për shkak se nuk është më e pandehur vetëm për tunelin e Llogarasë, por janë ngritur akuza edhe për lotet e tjera të Unazës së Madhe. Ka pasur kontrolle, disa vila në jug të vendit, kompania që dyshohet se ka bërë dizajnin e brendshëm të këtyre vilave, që sipas prokurorëve ka dyshime se janë pasuri të fshehura të Ballukut. Nëse provohet dhe nëse shkohet drejt një sekuestrimi të mundshëm, kjo e rëndon ndjeshëm pozitën e saj. Po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash. Kontrollet e reja janë bërë edhe në një arkitekt në Vlorë dhe që duhet parë se çfarë janë të dhënat e reja. Janë marrë celularë, janë marrë dëshmitarë. Janë edhe 53 celularë që po kqyren aktualisht nga 80 e ca. Gjykata ka miratuar edhe pjesën tjetër të celularëve për kontroll.”, tha ajo.
Sa i përket dosjes Aruba ajo bëri me dije se priten zhvillime të tjera.
“Mendoj se dhe dosja Aruba do të ketë zhvillime se janë bërë vetëm goditjet e para. Bëhet fjalë për një sërë takimesh jo vetëm në Aruba, por edhe në Majorca e vende të tjera.”, shtoi gazetarja.
Ndërkohë sa i përket hetimeve për organizatën e Shpëtim Aliut, gazetarja tha se po verifikohet roli i një ish ministreje të PS-së në lidhje me disa transferta jashtë vendit.
“Në organizatën e Shpëtim Aliut, edhe aty po vijojnë hetimet për pastrim parash. Në radhët e zyrtarëve të lartë është një ish ministre e PS që po shikohet roli i saj për disa transferta jashtë vendit. Por për sa kohë nuk ka rezultat konkret ende nuk mund të flas me emër.”, shtoi Lala. Panorama
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon prej 79 ditësh, ndërsa pjesëmarrësit thonë se lëvizja po merr gjithnjë e më shumë mbështetje, veçanërisht nga të rinjtë.
I ftuar në News24, Ilir Xhemalaj foli për arsyet që kanë mbajtur të bashkuar protestuesit dhe për atë që e konsideron si rezultatet e deritanishme të kësaj lëvizjeje.
Sipas Xhemalajt, protestuesit i bashkon fillimisht “atdhedashuria” dhe më pas kërkesa për ndryshim politik.
“Na bashkon qëllimi i përbashkët, e para atdhedashuria qe kemi për vendin dhe e dyta është rrëzimi i qeverisë aktuale dhe e gjithë sistemit që ka mbajtur të bllokuar energjinë e të rinjve. Kjo energji është derdhur në shesh dhe populli më në fund kërkon ndryshim. Ajo që i bashkon njerëzit janë hallet dhe problematikat, që i kanë të njëjtat. Ne aty e konsiderojmë vetën një familje të madhe, sheshi na ka bërë bashkë dhe ta çojmë përpara këtë protestë. Ne luftën e kemi vetëm me qeverinë dhe sistemin”, tha Ilir Xhemalaj.
Xhemalaj tha se kjo protesta ka shumë arritje, por renditi tre më madhoret:
“E para, 79 ditë protestë, ka parë ndonjëherë Shqipëria kaq ditë protesta? Jo. Jemi në një moment që duhet të bëjmë ndryshimin. Nuk ka parë ndonjëherë Shqipëria këto protesta
E dyta, është ardhja e të rinjve në shesh. Të rinjtë rrinin në kafe ose largoheshin, ndërsa sot janë në shesh dhe po luftojnë dhëmbë për dhëmbë me këtë sistem, sepse duan që të rrinë në këtë vend
E treta, më në fund bota e pa mbretin lakuriq, pa realitetin kush është Kryeministri i Shqipërisë. E panë që ishte një kryeministër i kohëve të shkuara. Është një kryeministër që nuk ka më vend në Shqipëri. Sot kemi nevojë për djem e vajza të rinj që ti japin Shqipërisë atë që duan. Unë kam 36 që pres që Shqipëria të bëhet Evropë. Këta duhet të japin dorëheqjen dhe ti lënë rrugën rinisë”, deklaroi Xhemalaj.
Kryeministri Edi Rama në periudhën që ishte në opozitë denonconte vazhdimisht me zë të lartë anomalitë e pushtetit të kohës, por tashmë që është në pushtet të gjitha probelmatikat për të cilat ishte kundër duket se po e përndjekin.
Në një deklaratë të 15 viteve më parë Rama shprehej se është e papranueshme që në vitin 2011 të ketë fëmijë që nuk lagin dot buzën me qumësht për shkak të varfërisë, e ndërkohë në qeverisjen e tij statistikat kokforta tregojnë se situata nuk ka ndryshuar.
“Nuk mund të ketë në Shqipërinë e vitit 2011 fëmijë që nuk lagin dot buzën me qumësht, për shkak të varfërisë, e patolerueshme, e pafalshme”, shprehej Rama.
Në maj 2026 Eurostat publikoi një raport ku tregohej se gati 45% e familjeve, që kanë fëmijë në varësi në Shqipëri janë në rrezik varfërie, përballen me privim të rëndë material dhe social, ose jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune.
“Varfëria e familjeve shqiptare me fëmijë është shumë e lartë se e rajonit. Në Mal të Zi, në rrezik varfërie janë 34.8% e familjeve me fëmijë, e dyta më e lartë në Europë, pas Shqipërisë. Në Serbi, vetëm 21.4% e familjeve me fëmijë janë në rrezik varfërie”, thuhet në raport. bw
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, 16 gusht, në qytetin e Sarandës, ku është dhunuar shefi i Hetimit të Krimeve, Mateo Bakalli.
Sipas informacioneve paraprake, zyrtari i policisë është përfshirë në një konflikt fizik me disa persona, të cilët ende nuk janë identifikuar. Situata më pas ka përshkallëzuar në dhunë ndaj Bakallit.
Si pasojë e goditjeve të marra gjatë përplasjes, shefi i Hetimit të Krimeve ka pësuar dëmtime të shumta në trup dhe në fytyrë.
Nis hetimi për zbardhjen e ngjarjes
Menjëherë pas incidentit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin e konfliktit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe lokalizimin e personave të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Deri në këto momente, autorët e dyshuar mbeten të paidentifikuar, ndërsa hetimet vijojnë.
Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar paraprak lidhur me zjarrin e rënë në orët e para të mëngjesit në hotelin në lagjen “10 Korriku”, në pronësi të shtetases M. A. Nga veprimet hetimore të kryera, ekspertët kanë zbardhur edhe shkakun e përhapjes së flakëve.
Sipas njoftimit të policisë, zjarri ka rënë rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të godinës. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimet hetimore në vendngjarje, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit që ndodhej në ambientet e restorantit.
Si pasojë e ngjarjes kanë mbetur të lënduar 6 pushues, nga të cilët 5 janë shtetas nga Kosova dhe 1 shtetas nga Rrësheni. Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Ndërkohë, një prej pacientëve po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Përveç të lënduarve, ngjarja ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e hotelit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes. BW
Komentet