VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Biden: Amerika, gati të udhëheqë botën

By | November 25, 2020

Komentet

FBI: Përpjekje për t’u shitur rusëve kompjuterin e zyrës së Pelosit

Marrë nga Reuters

Sipas një aktpadie, strukturat e zbatimit të ligjit po kryejnë hetime mbi një grua e cila dyshohet se ka marrë një kompjuter portativ ose një usb nga zyra e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi gjatë sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol dhe më pas është përpjekur t’ia shesë pajisjet zbulimit rus.

Një agjent i FBI-së i zbuloi detajet në një deklaratë të shkruar, të bërë nën betim, e cila u bë publike të dielën në mbrëmje, ku përshkruhet një çështje penale kundër Riley June Williams nga Pensilvania e akuzuar për hyrje të paligjshme në ndërtesën e Kapitolit dhe orientimin e njerëzve drejt zyrës së zonjës Pelosi.

Vjedhja e pajisjeve elektronike nga zyrat e kongresit ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm pas sulmit nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Prokurori i Përkohshëm amerikan Michael Sherwin tha pas sulmit se disa nga vjedhjet mund të kishin rrezikuar potencialisht ato që ai i quajti “objekte me vlerë për sigurinë kombëtare”.

Në aktpadinë e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit thuhet se FBI-ja e kishte siguruar informacion nga një person që u tha se ishte një ish-partner intim i zonjës Williams.

Personi që dha informacionin tha se zonja Williams “synonte t’ia dërgonte pajisjen kompjuterike një miku në Rusi, i cili më pas planifikonte t’ia shiste atë shërbimit rus për zbulimin e huaj (SVR)”, thuhej në deklaratën e bërë nën betim.

Sipas personit që dha informacionin “transferimi i pajisjes kompjuterike në Rusi deshtoi për arsye që nuk dihen dhe zonja Williams ose e ka ende pajisjen kompjuterike ose e ka shkatërruar atë”. Strukturat e zbatimit të ligjit po vazhdojnë ende hetimet mbi këtë çështje.

Agjencia e lajmeve Reuters bëri të ditur se nuk ka mundur ta kontaktojë zonjën Williams për një koment.

Sipas FBI-së, duket se zonja Williams jeton në një banesë të cilën ajo ndante me nënën e saj e që ndodhet pranë Harrisburgut në Pensilvani. Ajo ka çaktivizuar gjithashtu numrin e telefonit si dhe ka mbyllur llogaritë e saj në median sociale.

Një zëdhënës i zonjës Pelosi, Drew Hammill, nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me rastin.

Dy ditë pas sulmit të dhunshëm në Kapitol zoti Hammill tha se një kompjuter portativ i përdorur për prezantime ishte vjedhur nga një sallë konferencash në zyrën e zonjës Pelosi. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin kompjuter të cilin akuzohet se ka marrë zonja Williams. VOA

Raskin: Presidenti Trump ndoqi në tv sulmin mbi Kapitolin

VOA

Udhëheqësi i grupit të ligjvënësve që do të paraqesin akuzat për shkarkim të presidentit amerikan Donald Trumop në Senat, akuzoi të dielën presidentin se nuk bëri asgjë më 6 janar, për të penguar mbështetësit e tij që të sulmojnë Kapitolin.

“Ai e ndoqi dhunën në televizion si të ishte një shfaqje…”, i tha rrjetit CNN ligjvënësi Jamie Raskin.

Ende nuk është caktuar një datë për gjyqin në senat ndaj presidentit Trump nën një akuzë të vetme, se ai nxiti kryengritje duke u bërë thirrje mijëra mbështetësve të tij që të luftonin për të përmbysur humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të inaugurohet në mesditën e së mërkurës.

Protestuesit sulmuan ndërtesën e Kapitolit, shkatërruan zyrat e disa ligjvënësve dhe u përleshën me policinë në trazirat që lanë pas vetes pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer policie, vdekja e të cilit po hetohet si vrasje.

Presidenti Trump, pas disa orësh kaosi në ndërtesën e Kapitolit, u bëri thirrje mbështetësve të tij të “shkonin në shtëpi”, por shtoi: “Ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”.

Ai mbrojti veprimet dhe deklaratat e tij që çuan në sulmin në Kapitol, duke thënë se fjalimi i tij në tubimin para sulmit ishte “plotësisht i përshtatshëm”.

Presidenti Trump i quajti “qesharake” akuzat për shkaktim duke i cilësuar ato një “vazhdim të gjuetisë më të madhe të shtrigave” në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Pas ngritjes së akuzave për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar, presidenti Trumo dënoi dhunën në një deklaratë duke theksuar se “dhuna dhe vandalizmi nuk kanë absolutisht vend në vendin tonë dhe në lëvizjen tonë. ‘Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri’ ka qenë gjithnjë në mbrojtje të shtetit ligjor”.

Gjyqi i presidenti Trump, presidenti i parë në historinë e vendit ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi, mund të fillojë shpejt pas inaugurimit të zoti Biden, ose në ditët në vijim. Nëse dënohet me dy të tretat e votave në Senatin e ndarë politikisht, atij mund t’i ndalohet përjetësisht, me një shumicë të thjeshtë votash, të mbajë post publik.

Presidenti Trump ende nuk ka zgjedhur ekipin e tij ligjor për ta mbrojtur në gjyqin e Senatit. Rudy Guiliani, avokati personal i tij mund të jetë një kandidat, ndonëse J. Hogan Gidley, zëdhënësi i fushatës së presidenti Trump, shkroi në rrjetet sociale se “presidenti Trump nuk është përcaktuar se cili avokat apo kompani ligjore do ta përfaqësojë atë përballë sulmit të turpshëm ndaj Kushtetutës dhe demokracisë sonë”.

Ligjvënësi Jamie Raskin, i cilësoi veprimet e presidenti Trump si “krimin me të rrezikshëm të kryer kundër Shteteve të Bashkuara”, duke thënë se protestuesit “ishin një hap afër varjes së nënpresidenti”, Mike Pence. Kur protestuesit sulmuan Kapitolin, nënpresidenti Pence ishte në hapat fillestare të drejtimit të seancës së Kongresit për certifikimin e fitores së zotit Joe Biden.

Nënpresidenti Pence, zemëroi presidentin Trump, duke refuzuar lutjet e përsëritura të presidentit për të bllokuar vërtetimin e fitores së zoti Biden.

Përveç kësaj, ligjvënësi Raskin, i cili përfaqëson shtetin lindor të Marylandit, tha, “ishte një skuadër vrasësish që kërkonte Nancy Pelosin”, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhoqi javën e kaluar votimin me 232 vota për dhe 197 kundër për të shkarkuar presidentin Trump, në të cilin 10 republikanë u bashkuan me demokratët në votimin kundër presidentit.

Një mbështetës i presidenti Trump, senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, tha se protestuesit kishin “njollosur selinë e qeverisë”, por fajësoi zonjën Pelosi për lëshime në sistemin e sigurisë.

“Si dreqin ka mundur të ndodhë kjo?”, tha senatori Graham në Fox News. “Ku ishte Nancy Pelosi? Është detyra e saj të ofrojë siguri në Kapitol”.

Disa zyrtarë të lartë të sigurisë dhanë dorëheqjen pas dhunës, nën kërcënimin e ligjvënësve se do të pushohen nga puna nëse nuk largohen.

Drew Hammill, zëvendësshefi i kabinetit të zonjë Pelosi, kundërshtoi pretendent e zoti Graham se ajo duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën e protestuesve, dhjetëra prej të cilëve janë arrestuar.

“Kjo përpjekje e turpshme për të zhvendosur fajin për sulmin e turmës në Kapitol është absurde dhe patetike”, shkroi zoti Hammill në rrjetet sociale, duke shtuar se zoti Graham “duhet të shikohet në pasqyrë nëse dëshiron të fillojë të drejtojë gishtin…”.

Ligjvënësi Raskin tha se gjyqi do të përqendrohet në rolin e presidentit Trump në parakalimin drejt Kapitolit që pasoi një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë, ku ai vazhdoi pretendimet e pabazuara, të përsëritura me javë të tëra se i ishte pamundësuar me mashtrime një mandat i dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe u kërkoi mbështetësve të parakalonin drejt Kapitolit.

Senatori demokrat, Dick Durbin nga Illinois, i tha rrjetit CNN se edhe pse mandati katër vjeçar i presidenti Trump do të ketë skaduar në kohën kur fillon gjyqi kundër tij, “ai do të mbahet përgjegjës për atë që ndodhi më 6 janar”.

Si bëhet gati Shtëpia e Bardhë për familjen e re presidenciale

Në Ditën e Inaugurimit, Shtëpia e Bardhë ka vetëm gjashtë orë për të hequr objektet e familjes në largim dhe për t’u bërë gati për banorët e saj më të rinj. Dora Mekouar e Zërit të Amerikës bisedoi me një nga njerëzit që kanë përvojë personale me këtë proces.

“Dita e Inaugurimit mund të konsiderohet si kaos i organizuar. Ka vetëm rreth gjashtë orë në dispozicion për të nxjerrë njërën familje jashtë dhe për të sistemuar familjen tjetër”, thotë Anita McBride, ish-shefe e personelit e ish-Zonjës së Parë, Laura Bush.

“Të gjithë punojnë në ato gjashtë orë për ta bërë shtëpinë sa më komode për familjen e re të parë”, thotë zonja McBride.

Anita McBride ka punuar për tre administrata presidenciale. Zonja McBride e di personalisht se çfarë mund të presin ditën e parë Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden.

“Kur ata hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, tradicionalisht pas paradës së përurimit, të gjitha rrobat e tyre janë të varura në dollap, të gjitha fotografitë e familjes janë në vendet ku ata donin t’i kishin. Është me të vërtetë një transformim i mahnitshëm”, thotë ajo.

Transformimi koreografohet me kujdes. Familja e parë e re ka zgjedhur që më parë mobiljet dhe veprat e artit nga koleksioni i gjerë i Shtëpisë së Bardhë, i cili ruhet në një depo në Mariland.

Një gjë të tillë, zonja e parë e ardhshme Michelle Obama e mësoi gjatë një takimi para inaugurimit me Laura Bushin.

“Zonja Obama kishte thënë se sa bukur ishte gjithçka dhe kështuqë ajo edinte që më parë se e vetmja gjë që duhej rregulluar ishte zbukurimi i dhomave të vajzave që të ishin të përshtatshme për fëmijë”, tha zonja McBride.

Presidenti i ri zgjedh vetë se si ta rregullojë Zyrën Ovale. Shumica e presidentëve zgjedhin të përdorin tryezën që i ishte dhënë Presidentit Rutherford B. Hayes nga Mbretëresha Victoria në fund të viteve 1800.

“Është mjaft interesante që tapeti luan rol për të përcjellë ndjesitë dhe shijen e një presidenti ose emocionet që ata kanë për t’u ulur në atë zyrë. Sigurisht që portreti i George Washingtonit, gjithmonë ka vendin e vet të spikatur mbi oxhak dhe askush nuk e ka ndryshuar atë.”

Është një ditë me emocione të mëdha.

“Marrëdhënia mes stafit të përhershëm dhe një familjeje të parë, dhe veçanërisht kur familja e parë ka fëmijë të vegjël, bëhet mjaft e afërt dhe ndarja është e vështirë. “

Largimi nga Shtëpia e Bardhë mund të jetë veçanërisht e vështirë për një president me një mandat.

“Ka një ndjesi sikur ‘nuk bëra gjithçka ashtu siç shpresoja’. Kur largohesh pas katër vjetësh dhe veçanërisht për një familje të parë është emocionuese dhe në fakt George HW Bush ka shkruaj më kujtimet e tij, se ishte e dhimbshme. Dhe Barbara Bush e ndjeu një gjë të tillë. Familja e ndjeu thellë, por ata gjithashtu janë patriotë të vërtetë dhe u sollën në lartësinë e duhur”, thotë zonja McBride.

Lamtumirat mund të jenë të vështira edhe për anëtarët e stafit që kujdesen për kafshët shtëpiake të familjes së parë. Siç ishte për shembull punonjësi veteran Dale Haney.

“Ai kujdeset për territorin përreth Shtëpisë së Bardhë, por kishte edhe përgjegjësinë të kujdesej për kafshët shtëpiake të familjes. Ishte një përvojë e vështirë për të ditën e ikjes kur kafshët shtëpiake me të cilat është mësuar aq shumë, që ishin bërë si familje, u larguan me familjen e parë.”

Kuratorët sigurohen që gjërat me vlerë të Shtëpisë së Bardhë të mos merren gabimisht nga një familje e parë në largim.

“Ata njohin çdo gjë që i përket koleksionit të Shtëpisë së Bardhë. Ata gjithashtu dinë çdo gjë që është objekt personal dhe të gjitha këto sende etiketohen një nga një “, thotë zonja McBride.

Çka ndihmon që dita e lëvizjes në Shtëpinë e Bardhë të jetë sa më e lehtë.

Masa të shtuara të sigurisë para inaugurimit të Bidenit

Autoritetet në Uashington dhe në kryeqytetet e shteteve të tjera amerikane po përgatiten për protesta të dhunshme, disa ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Mijëra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare tashmë janë vendosur në Uashington. Autoritetet po planifikojnë që të mbyllin për qarkullim rrugë dhe ura që çojnë për në Uashington.

Ndërkaq, guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Garda Kombëtare t’i ndihmojë zyrtarët lokalë të rendit dhe disa shtete amerikane tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, nga frika se mund të ketë protesta, të ngjashme si ato më 6 janar në Kongresin amerikan, ku mbetën të vdekur pesë persona.

Më 16 janar, në Uashington u arrestua një person i cili kishte tentuar që të kalonte një post-bllok të policisë, teksa në pronësi i ishte gjetur një armë dhe municion.

Ky person më pas është liruar ka raportuar Washington Post. Ai i kishte thënë autoriteteve se është kontraktuar që të punojë si sigurim, por ka harruar që në bagazhin e makinës së tij ka pasur një armë dhe municion. Policia më pas e ka liruar atë.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, qytetet po përgatiten për protesta potenciale.

Më 6 janar, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump hynë në ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Biden do të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar. Presidenti në largim, Trump ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë ceremoni. rel

Biden: Këshilltarët të drejtojnë me shkencën dhe me të vërtetën

Marrë nga Associated Press

Me komente që dukej se kishin në shenjestër administratën në largim të Presidentit Trump, Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se ekipi i shkencëtarëve që ai prezantoi të shtunën do të drejtojë me “shkencë dhe të vërtetën” sepse “ne besojmë tek të dyja”.Zoti Biden ka krijuar një post të ri në kabinetin e tij – atë të këshilltarit shkencor të Shtëpisë së Bardhë. Ai ka caktuar Eric Lander, një figurë e njohur në studimin dhe identifikimin e gjeneve njerëzore, që të drejtojë Zyrën e Politikave Shkencore dhe Teknologjike.

Dr. Eric Lander

Dr. Eric Lander

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka prezantuar ekipin e tij shkencor, ndërsa me 20 janar ai do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë për katër vitet e ardhshme.

Zoti Biden tha se ka caktuar shkencëtarin e njohur Eric Lander për të marrë drejtimin e Zyrës së Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë, dhe krijuar një post të ri në kabinetin qeveritar.

“Po emëroj një nga njerëzit më të shkëlqyer që njoh, Dr. Eric Lander, për të drejtuar Zyrën e Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë. Ai është pionier i komunitetit shkencor, drejtues kryesor i Projektit të Gjenomit Njerëzor. Nuk është hipërbolë të thuash që puna e Dr. Lander ka ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore.”

Dr. Lander është drejtor dhe themelues i Institutit Broad në Harvard dhe Institutin Teknologjik të Masaçusetsit. Ai do të jetë shkencëtari i parë që do të ketë një post në Shtëpinë e Bardhë.Ky post kërkon konfirmim nga Senati.

Presidenti i zgjedhur po ashtu po mban drejtorin e Instituteve Kombëtare të Shendetit Dr. Fancis Collins, i cili ka punuar me zotin Lander në projektin për gjenomën.

Zoti Biden gjithashtu emëroi dy shekcnëtare të famshme për të bashkëkryesuar Këshillin e Këshilltarëve të Presidentit në Shkencë dhe Teknologji.

Frances Arnold

Frances Arnold

Frances Arnold me Institutin Teknologjik të Kalifornisë e cila ka fituar Çmimin Nobël në kimi në vitin 2018 dhe Maria Zuber me Institutin Teknologjik të Masaçusets do të drejtojnë ekipin e jashtëm këshillimor të shkencës.

Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri të ditur më herët se ka zgjedhur dy diplomate veterane në poste kryesore në Departamentin e Shtetit.

Wendy Sherman

Wendy Sherman

Zoti Biden emëroi Wendy Sherman, negociatorja kryesore e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, për postin e Zëvendës Sekretares së Shtetit.

Victoria Nuland

Victoria Nuland

Zoti Biden emëroi gjithashtu zonjën Victoria Nuland, e cila ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, si Nënsekretare e Shtetit për çështjet politike. VOA

Jep dorëheqje sekretari amerikan i Shëndetësisë Alex Azar

Marrë nga Associated Press

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar, jep dorëheqjen nga kabineti i presidentit Donald Trump.

Në letrën e tij zyrtare të dorëheqjes, ai dënoi sulmin e javës së kaluar mbi Kapitolin.

Ai tha se do të lërë postin e tij në mesditën e 20 janarit, kur betohet presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Në letrën e sekretarit Azar dërguar presidentit Trump, e cila mban datën 12 janar, thuhet se “sulmi ndaj Kapitolit ishin një sulm ndaj demokracisë sonë dhe traditës së kalimit paqësor të pushtetit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës sollën për herë të parë në botë”.

Ai shtoi më tej duke ju drejtuar presidentit: “ju lutem që të vazhdoni të dënoni pa dyshim çdo formë të dhunës, të kërkoni që askush të mos përpiqet të ndërpresë aktivitetet inauguruese në Uashington ose diku tjetër, dhe të vazhdoni të mbështesni pa rezerva kalimin paqësor dhe të rregullt të pushtetit më 20 Janar”.

Ne letrën prej dy faqesh theksohen të arriturat e administratës që sipas sekretarit Azar “veprimet dhe retorika pas zgjedhjeve … kërcënojnë t’i njollosin”. VOA

Biden do të kërkojë nga Kongresi punësimin e 100 mijë punonjësve tjerë shëndetësorë

New York

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden tha se do të kërkojë nga Kongresi punësimin e 100 mijë punonjësve të tjerë shëndetësorë në mënyrë që vaksinimi dhe lufta kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të përfundojë më shpejt, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden njoftoi planet e tij për vaksinimin kundër COVID-19 dhe theksoi se dëshiron të rrisë numrin e punonjësve shëndetësorë në kuadër të luftës kundër pandemisë.

Ai tha se procesi i vaksinimit në SHBA deri më tani është “plotësisht një dështim”. Biden vuri në dukje se do të kërkojë nga Kongresi punësimin e 100 mijë punonjësve të tjerë shëndetësorë në mënyrë që vaksinimi të përfundojë më shpejt dhe që amerikanët të kenë më shumë qasje në vaksinë.

Pasi theksoi se vaksina do të jetë falas, Biden premtoi se brenda 100 ditëve të para të detyrës së tij do të vaksinohen 100 milionë amerikanë.

Reagon Nobelisti Paul Krugman: Nuk ka patur kurrë e djathta Amerikane një kombinim të nxitjes të pandershmërisë me gënjeshtrat e frikacakëve!

voal.ch – Trazirat në Kapitol paskan qenë të justifikuara nga krimi i votave por dëmet i bëri Antifa!

Ka reaguar me një tweet Paul Krugman, Nobelist Amerikan i Ekonomisë, Profesor i Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, autor i librave të shumtë, që nga viti 2000 ai bashkëpunon me New York Times duke shkruar opinione periodikisht.

Titulli i një dokumentari të EPI – Economic Policy Institute kushtuar kësaj mendje të ndritur, është: Paul Krugman, një njeri i domosdoshëm. Paul Krugman është me origjinë hebreje.

Në këtë tweet Krugman shkruan:

“A ka pasur ndonjëherë nga e djathta amerikane diçka të tillë një kombinim i nxitjes së pandershme dhe gënjeshtrave të frikacakëve ? Linja zyrtare duket të jetë se trazirat e Kapitolit ishin plotësisht të justifikuara prej krimit të padukshëm të votave, por gjithashtu që gjitha llojet e padukshme të dëmeve i bëri Antifa! “/EB

Biden propozon paketë ndihme prej 1.9 trilionë dollarë kundër COVID-19

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden ka propozuar një paketë ndihme prej 1.9 trilionë dollarë për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe krizën ekonomike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë propozim, Biden e bëri për të përshpejtuar luftën me pandeminë dhe për të stimuluar ekonominë.

Në këtë paketë, 400 miliardë dollarë drejtpërdrejt do të ndahen për luftën kundër pandemisë dhe shpërndarjen e vaksinave ndërsa për të mbyllur deficitin në buxhet, shteteve federale dhe administratës lokale do t’u ndahen 350 miliardë dollarë.

Gjithashtu me këtë propozim parashikohet ndihmë në të holla për amerikanët në shumë të caktuar për të tretën herë. Qytetarëve, të cilëve u janë dhënë nga 600 dollarë më parë tani planifikohet t’u jepen nga 1.400 dollarë.

Biden: “Plani Amerikan i Shpëtimit” do të forcojë ekonominë

Marrë nga Associated Press

Duke thënë se vendi po përballet me “një krizë të thellë të vuajtjeve njerëzore”, Presidenti i zgjedhur Joe Biden paraqiti të ejten një plan prej 1.9 trilionë dollarësh për të përshpejtuar shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-19 dhe për të rimëkëmbur ekonominë e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

I quajtur “Plani Amerikan i Shpëtimit”, propozimi legjislativ do të përmbushte qëllimin e zotit Biden për kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar dhe avancimin e objektivit të tij për të rihapur shumicën e shkollave deri në pranverë. Në të njejtën kohë, ai beson se do të japë një raund tjetër ndihmash për të stabilizuar ekonominë ndërsa përpjekjet për të vënë nën kontroll pandeminë do të fillojnë të sjellin rezultate.

“Unë e di se ajo që sapo përshkrova nuk vjen me një kosto të ulët, por ne thjesht duhet ta bëjmë atë që po propozoj”, tha Biden në një fjalim drejtuar vendit. “Nëse investojmë tani me guxim, me zgjuarsi dhe me fokus të palëkundur te punëtorët dhe familjet amerikane, ne do të forcojmë ekonominë tonë, do të zvogëlojmë pabarazinë dhe do t’i vendosim financat afatgjata të vendit tonë në një rrugë më të qëndrueshme.”

Plani i tij përfshin 1,400 dollarë çeqe për shumicën e amerikanëve, të cilët tashmë pritet të marrin 600 dollarë nga paketa e fundit financiare për COVID-19, që do ta çonte totalin në 2,000 dollarë, që zoti Biden e kishte kërkuar më parë. Ai gjithashtu do të zgjasë deri në shtator përfitimet e papunësisë dhe një moratorium mbi dëbimet dhe përjashtimet nga pamundësia e pagimit të qerasë.

Në fjalimin e tij Biden gjithashtu përmendi qëllimet politike afatgjata të demokratëve, si rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë, zgjerimi i pushimeve me pagesë për punëtorët dhe rritja e kredive tatimore për familjet me fëmijë. Pika e fundit do ta bënte më të lehtë për gratë që të ktheheshin në punë, gjë që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë.

Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit.

Ngritja zyrtarisht e akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të mërkurën kërcënon të mbushë kalendarin e punimeve të Senatit, por zoti Biden tha se ai shpreson që kjo dhomë e Kongresit të mund ta ekuilibrojë këtë çështje me përparësi të tjera.

Prej fillimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar afërsisht 385,000 vdekje si pasojë e COVID-19. Prej më shumë se dy muajsh vendi po përballet me rritje dramatike të infeksioneve.

Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht 245,000 raste të reja në ditë dhe 3,300 vdekje. Shtrimet në spital si pasojë e COVID-19-s janë në nivele rekord.

Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar ditën e inaugurimit të presidentit të ri

VOA

Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar ditën e inaugurimin të Presidentit të 46-të të SHBA Joe Biden, më 20 dhjetor. Ndërsa në krahun perëndimor të Kapitolit, Jennifer Lopez do të japë një shfaqje muzikore.

Lajmi për pjesëmarrjen e tyre vjen një ditë pas njoftimeve se Tom Hanks do të drejtojë një program special televiziv 90 minutësh me rastin e inaugurimit të zotit Biden, në fashën orare televizive me nivelin më të lartë të shikueshmërisë. Atij pritet t’i bashkohen emra të njohur të muzikës amerikane sikurse Justin Timberlake, Jon Bon Jovi, Demi Lovato dhe Ant Clemons.

Lutjet në ceremoninë e betimit të presidentit të ri do të drejtohen nga kleriku Leo O’Donovan, ish-president i Universitetit Georgetown, ndërsa betimi për besnikëri ndaj flamurit e kombit, do të drejtohet nga Andrea Hall, një zjarrfikës nga Xhorxhia.

Gjatë inaugurimit do të lexohen poezi nga Amanda Gorman, fituesja e garës së parë mes të rinjve në rang kombëtar në poezi. Bekimi presidentit të ri do t’i jepet nga kleriku Silvester Beaman i Kishës Episkopale Metodiste Afrikane e të Bethelit që ndodhet në Uilmington të Dellauerit.

Qyteti i Nju Jorkut njofton anulimin e kontratave me Organizatën Trump

Marrë nga Associated Press

Nju Jorku, qyteti i lindjes së Presidentit amerikan Donald Trump, tha se do të anulojë të gjitha kontratat me organizatën e tij të biznesit për shkak të protestës së dhunshme të javës së kaluar në Kapitol.

“Qyteti i Nju Jorkut nuk do të ketë lidhje me ato veprime të pafalshme në asnjë mënyrë ose formë”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio të mërkurën në një deklaratë zyrtare. De Blasio tha se ai ka filluar procesin e “ndërprerjes së të gjitha kontratave” për operimin e një karuseli dhe dy pistave të patinazhit në Parkun Qëndror që gjenerojnë rreth 17 milionë dollarë në vit në të ardhura për kompaninë e Presidentit Trump.

Djali i Presidentit, Eric Trump, denoncoi masën dhe tha se ajo do të sfidohej.

“Ky është një shembull tjetër i qartë i paaftësisë dhe shpërfilljes së fakteve nga kryebashkiaku de Blasio”, tha ai. “Qyteti i Nju Jorkut nuk ka të drejtë ligjore të ndërpresë kontratat tona dhe nëse e bëjnë këtë ata do të detyrohen të paguajnë Organizatën Trump 30 milionë dollarë. Kjo nuk është asgjë më shumë se diskriminim politik dhe ne planifikojmë ta luftojmë fuqishëm”.

Vendimi i zotit De Blasio është shembulli i fundit se si trazirat e 6 janarit nga mbështetësit e Presidentit Trump po ndikojnë negativisht në punët e biznesit të tij privat. Njoftimi erdhi tre ditë pasi Shoqata e Lojtarëve Profesionistë Amerikanë të Golfit votoi për të zhvendosur Kampionatin e Golfit PGA të vitit të ardhshëm jashtë fushës së golfit të Presidentit Trump në Nju Xhërsi.

Shopify më parë hoqi në platformat e saj në internet dyqanet që lidhen me bizneset e presidentin, ndërsa Twitter dhe platforma të tjera të mediave sociale i çaktivizuan llogaritë e tij.

Më 6 janar, Trump u bëri thirrje mijëra mbështetësve që kishin ardhur në Uashington për protestën “Shpëtoni Amerikën” për të marshuar drejt ndërtesës së Kapitolit, ndërsa ligjvënësit kishin filluar të certifikonin zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Ju do të keni një president jolegjitim. Kjo është ajo që ju do të keni dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha Presidenti Trump në tubim. “Ne luftojmë fort dhe nëse nuk luftoni fortë, nuk do të keni më atdhe”. Duke marrë shkas nga komentet e presidentit, mijëra mbështetës të të tij marshuan drejt Kapitolit, ku kapërcyen barrikadat e policisë dhe u futën me forcë brenda ndërtesës. Gjashtë vetë vdiqën në përleshjet e javës së kaluar në Kapitol.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët pritet të miratojë një project-rezolutë për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump të mërkurën për nxitje të protestës së dhunshme në Kapitol. Liz Chenney republikanja e tretë më e lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, është ne mesin e një grupi ligjvënësish republikanë që kanë thënë se do të mbështesin ngritjen e akuzave për shkarkim të mundshëm të Presidentit Trump.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza kundër Presidentit Trump, ashtu siç tashmë pritet të ndodhë, kjo do të ishte hera e dytë që atë e pret ky fat. Presidenti Trump u ndesh me akuza për shkarkim për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 për abuzim të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë për shkak të përpjekjeve të tij për të bindur presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që të hetonte demokratin Joe Biden dhe djalin e tij për të forcuar shanset e tij të rizgjedhjes më 2020. Në shkurt të vitit 2020 Senati e liroi atë nga akuzat, por këtë radhë nuk është e qartë se kur do të mund ta bënte gjyqin kundër tij.


Send this to a friend