Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK i cili kërkon ta arrestojë.
Kërkesa mori 47 vota pro, 0 abstenim dhe 82 vota kundër.
82 votave të maxhorancës iu bashkuan votat e PSD-së së Tom Doshit, ndërsa në sallë munguan deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Eduard Shalsi e vetë Belinda Balluku.
Votimi në Kuvend
Ndërsa mazhoranca me shumicë kartonësh rrëzoi kërkesën e SPAK, opozita e cila voti pro arrestimit protestoi edhe brenda Kuvendit, përveç protestës që po mbahet jashtë.
Kryeparlamentari Niko Peleshi e kaloi seancën në rendet e ditës, por opozita vijoi të protestonte dhe më tej zuri foltoren të rrethuar edhe nga punonjësit e Gardës.
Një pjesë e deputetëve godisnin tavolinat, të tjerët, me në krye kreun e PD, Sali Berisha, dolën në podiumin e foltores duke protestuar dhe hedhur akuza ndaj qeverisë dhe socialistëve.
Mazhoranca në këto rrethana kaloi në procedurë dhe votim të përshpejtuar të çështjeve të rendit të ditës, edhe sipas kërkesës së kreut të grupit të PS, taulant Balla. Votimet u shoqëruan gjithashtu me tensione, thirrje dhe goditje tavolinash.
Ambasada britanike ‘shuplakë’ Ramës
Ambasada Britanike reagoi para nisjes së seancës duke i dhënë një goditje fytyrës Edi Ramës. Në reagim, Amabasada Britanike theksoi se imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkruan Amabasada Britanike.
Raporti i PS në Kuvend
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi para Kuvendit raportin e maxhorancës kundër arrestimit të Belinda Ballukut, dhe rrëzimit të kërkesës së SPAK për t’i hequr asaj imunitetin e deputetes.
Sipas raportit të socialistëve, vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera nuk përbën korrupsion dhe se nga dhënia e masës fillestare, asaj të ndalimit jashtë vendit e deri tani nuk kanë ndryshuar rrethanat ndaj deputetes, e për rrjedhojë, sipas tyre, nuk duhet dhënë autorizimi për zëvendësimin e masës me një më të rëndë si ajo e arrestit.
Si një avokat i zellshëm i Ballukut, i komanduar me patjetër nga Edi Rama, Manja pretendoi se tashmë që deputetja nuk mban më funksionet e zv kryeministres dhe ministres, nuk ka rrezik që ajo të prishë provat apo të intimidojë dëshmitarët, duke i cilësuar dyshimet e SPAK si hipotetike.
“Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë efekt, dhe me këtë linjë arsyetimi, raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo kryerjes së një vepre penale, që mbeten thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhen me funksionet që ajo nuk i ushtron më.”, tha ai.
Sipas Manjës, Balluku e ka respektuar në mënyrë rigoroze masën e ndalimit jashtë vendit dhe se nuk është e nevojshme masa më e rëndë.
“Në një situatë kur kjo çështje, që në thelb duhet të mbetet e drejtësisë, është shndërruar sot në një debat të mbingarkuar politikisht në sy të qytetarëve. Në vend të një procesi të qetë, të drejtë e të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për të zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik dhe tribunal mediatik. Për këtë arsye, është e domosdoshme sot që Kuvendi të flasë shumë qartë. Të ndajë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe nga procesi i rregullt ligjor. Për këto arsye, Kuvendi nuk është sot përballë një votimi të zakonshëm procedurial. Jemi përballë një vendimmarrjeje që prek lirinë personale të një deputeti, ushtrimin të një mandati përfaqësues dhe balancën mes pushteteve. Kërkesa e SPAK synon zëvendësimin e masës së sigurimit të ndaljes jashtë shtetit me një masë më të rëndë, atë të arrestit në burg. Po hetohet për veprën të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera, dhe jo akuzë korrupsioni. Kuvendi nuk ka kompetencë të zëvendësojë gjykatën. Jemi ftuar sot për të bërë një filtër kushtetues të kësaj kërkese.
Nga shqyrtimi i materialeve, rezulton se akuza penale ndaj deputetes Balluku nuk ka ndryshuar dhe lidhet me veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë, ndryshe nga sa parashtrohet në kërkesë dhe në raportin e PD. Orvat mbi të cilat mbështetet kërkesa janë të njëjtat që kanë qenë në dispozicion të GJKKO kur vendosi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Nuk ka asnjë ndryshim rrethane nga ai moment deri tani. Deputetja ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.”, u shpreh Manja.
Raporti i PD në Kuvend
Oerd Bylykbashi, në emër të anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, tha se sipas SPAK, Belinda Balluku akuzohet për 11 fakte penale.
Ai u ka kërkuar deputetëve që të votojnë pro kërkesës së SPAK, duke i dhënë autorizimin Prokurorisë Speciale që të arrestojë Belinda Ballukun.
Ndërsa citoi Komisionin e Venecias, deputeti i PD-së tha se imuniteti nuk mund të mbrojë personalisht një deputet nga ndjekja penale.
“Paprekshmëria e deputetit ndodh vetëm kur akuzat janë të motivuara politikisht, ose kur akuzat kanë karakter partiako-politik”, tha Bylykbashi, duke lexuar raportin në emër të deputetëve të opozitës.
Bylykbashi paralajmëroi se ky moment është vendimtar për të përcaktuar nëse Shqipëria do të ecë drejt integritetit dhe sundimit të ligjit, apo do të mbetet peng i një sistemi kleptokratik që vjedh votat dhe paratë e qytetarëve.
“Deri në fund, i japin mundësinë kriminelëve të strehohen këtu, ose me pushtetin që kanë, të dëmtojnë provat, të ndikojnë gjykimin para një gjykate të vështirë apo të pamundur për shkak se arritën të dëmtojnë procesin penal dhe gjithë kjo me mburojën dhe bekimin e kryeministrit, i cili është i gatshëm të ushtrojë çdo lloj presioni vetëm e vetëm që sistemi i drejtësisë, me të gjitha problemet që ka, të vendosë përpara drejtësisë majat e sistemit ekzekutiv, nga ku buron gjithë korrupsioni.
Detyrimi juaj këtu është të votoni në mënyrë të hapur. Ky ndryshim, i bërë në vitin 2012, ka qenë krejt i qëllimshëm: që të gjithë shqiptarët ta dinë shumë mirë kush voton pro dhe kush voton kundër heqjes së imunitetit. Ta dinë shumë mirë kush është pro, që edhe deputeti, edhe ministri, edhe zëvendëskryeministri, edhe kryeministri janë të barabartë me ta.
Nëse ka një dyshim të arsyeshëm, të shkojë dhe të përgjigjet përpara drejtësisë, të pastrojë atje emrin dhe reputacionin publik dhe politik, dhe jo të mbrohet këtu.
Të gjithë duhet do t’ju shohin ju me radhë, të gjithë kur të ngrini dorën se si do të votoni. Ky është qëllimi pse votimi është publik: që askush mos të fshihet pas votimit sekret dhe të gjithë shqiptarët të kuptojnë se një moment kaq i rëndësishëm, i cili do të vendosë një precedent, nëse ne do të vazhdojmë në rrugën e duhur, jo vetëm të Kushtetutës, por edhe të asaj që kërkon e gjithë Evropa ku përpiqemi të shkojmë, do të shkojë atje me kokën lart, me integritet, ose me një sistem që mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar të cilët së bashku kanë prodhuar një sistem kleptokratik, i cili vjedh votën, vjedh paranë e shqiptarëve, masakron shpirtin e tyre dhe i largon nga Shqipëria çdo ditë.”- tha Bylykbashi.