Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ndërmarrë një nismë në atë që ai e cilëson si mbrojtje të drejtësisë, duke mbledhur firmat e qytetarëve.
Në një intervistë për News 24, ai theksoi se ajo që po ndodh në Shqipëri, vënia përballë drejtësisë e zyrtarëve të korruptuar, si rasti i Belinda Ballukut, është historike, por që ka sjellë më shumë sulme nga politika kundrejt institucioneve të drejtësisë.
“E rëndësishme që zëri i atyre që janë të ndershëm dhe që janë me drejtësinë të dëgjohet. Kemi si qëllim të mbledhim me mijëra edhe me qindra mijëra firma të qytetarëve që janë me drejtësinë dhe jo me të korruptuarit. Arsyeja është se duhet të luftojmë kundër të gjithë atyre që duan të denigrojnë drejtësinë, të ndalojnë ndryshimin e madh dhe të shkruajnë atë që po ndodh në Shqipëri si padrejtësi dhe jo si drejtësi të vërtetë.”, tha Shehaj.
Ai e krahasoi këtë “luftë” të sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit si me rënien e regjimit komunist.
“35 vite më vonë po ndodh një ndryshim tjetër historik dhe më në fund të korruptuarit që kanë sunduar Shqipërinë po dalin para drejtësisë”, duke përmendur rastin e Erion Veliajt dhe zëvendës kryeministrat Arben Ahmetaj dhe së fundmi edhe Belinda Balluku.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama po përdor maxhorancën për të mbrojtur me çdo kusht Ballukun.
“Në një moment si ky, ku SPAK kërkon arrestimin e zëvendës kryeministres dhe Rama e ka marrë në mbrojtje dhe përdor maxhorancën dhe votat që ka për ta marrë në mbrojtje, ndërkohë që del ministri i Drejtësisë se do të bëjmë amnisti penale dhe do të nxjerrim nga burgu thuajse 10% të të burgosurve. Praktikisht është e qartë se maxhoranca është kundër drejtësisë, e bëjnë duke mbrojtur Ballukun dhe duke i dhënë sinjal drejtësisë se “ju vazhdoni na hetoni e dënoni dhe ne i falim”, shtoi ai.
Sipas tij, zëvendës kryeministrja e marrë e pandehur jo vetëm që përcaktonte fituesin e tenderave por i mbyllte marrëveshjet pa filluar ende gara.
“Balluku përcaktonte jo vetëm fituesin, por mbyllte marrëveshjen me fituesin pa filluar apo hapur gara. Sepe mendonin se ishin të paprekshëm dhe se me paratë e pushtetin mnd të manipulonincdo palë zgjdhje. Lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me demokracinë. Qëndrimi ynë do të jetë në krah të drejtësisë, por nga ana tjetër të ndërtojmë një alternativë të besueshme për qytetarët. Pavarësisht akuzave sëe pse nuk bashkohemi, sepse bashkimi me këdo dhe pa kusht do të vinte në rrezik besueshmërinë tonë. Shqiptarët kanë nevojë për alternativë të besueshme.”
Një koment bëri edhe për akuzat se përse nuk bashkohet me partitë e tjera opozitare, duke thënë se kanë qëndrimëe të ndryshme. Sipas tij, nuk mund të jesh në mbështetje të drejtësisë vetëm kur sulmohet kundërshtari politik.
“Na thonë shpesh pse nuk bashkoheni? Me kë të bashkohemi. Ose je me drejtësinë ose nuk je. Nuk mund të jesh në mbështetje të luftës së korrupsionit për sa kohë ka të bëjë me kundërshtarin tënd politik, por askush nuk mund të thotë se jam në mbrojtje vetëm se luftohet kundërshtari.”, tha Shehaj.