VOAL

VOAL

Avokatët e Pejës kërkojnë që deputetët të votojnë kundër demarkacionit (dokument)

August 26, 2016

Komentet

A do të shkojë Kosova sërish në zgjedhje? Kurti: Do të ftoj opozitën për takime të reja në lidhje me zgjedhjen e Presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një çështje që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke folur për media në një ngjarje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Kurti e cilësoi si “të dëmshme dhe të gabuar” mungesën e takimeve në dy ditët e fundit para mesnatës se 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh për të votuar për presidentin e ri.

Por ai tha se sot do t’iu dërgojë ftesa kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takime në fillim të javës së ardhshme.

Abdixhiku ishte i shpejtë në përgjigjën e tij, duke shprehur gatishmëri për takim, por jo para se Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e saj për këtë çështje.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani – të cilës i mbaron mandati më 4 prill – dhe çështja u dërgua në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.

Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri më 31 mars një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars, një ditë pasi dy kandidatët e propozuar nga partia në pushtet e Kurtit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.

Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.

Partitë opozitare e pamundësuan votimin sepse e braktisën sallën, pasi kishin dështuar bisedimet paraprake me Kurtin për një emër që do ta gëzonte mbështetjen e nevojshme.

I pyetur të premten se si mendonte se do të arrihej një marrëveshje duke ditur qëndrimet e opozitës, Kurti tha: “Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”.

Kurti e përsëriti qëndrimin se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pasi sipas tij, diçka e tillë nuk është, as e drejtë, as e dobishme.

“Prandaj, është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, nuk bëhet fjalë se kush e ka shumicën dërmuese, por çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve.

“Nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”, tha ai.

Ndërkohë, presidentja Osmani nuk u paraqit si kandidate nga asnjë parti, edhe pse partia e Kurtit pretendoi se ia kishte ofruar mundësinë.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet./ REL

Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Prokurori i shtetit Arian Gashi është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës të premten, duke e mposhtur prokurorin Milot Krasniqi.

Gashi u zgjodh me katër vota për nga gjashtë të mundshme në një votim të fshehtë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial.

Ndërsa, Dardan Vuniqi u emërua zëvendës i tij.

Gashi e pason Ardian Hajdarajn në këtë post dhe do të jetë kryesues në dy vjetët e ardhshëm deri kur t’i mbarojë mandati pesëvjeçar si anëtar i Këshillit Prokurorial në janar 2028.

Si kryesues, ai do të ketë rol të rëndësishëm për funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë, duke udhëhequr organin që menaxhon dhe duke e mbikëqyr punën e prokurorëve në vend.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion kushtetues dhe i pavarur që siguron pavarësinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial në vend.

Gashi ka qenë prokuror në Gjykatën e Apelit që nga viti 2021 dhe ka vepruar kryesisht në fushën e krimeve të rënda, krimeve ekonomike, luftimit të korrupsionit dhe edukimit ligjor të profesionistëve të rinj të drejtësisë.

Ai ka ngritur aktakuza kundër rasteve të korrupsionit, në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Gashi po ashtu u ka mbajtur trajnime prokurorëve për përpilim të aktakuzave, ndërkaq ligjëron edhe për tema të ndryshme, si “Uzurpimi i paligjshëm i pronës dhe kthimi i sendeve” në Akademinë e Drejtësisë.

Ish-ministrja e Drejtësisë, tani kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se e përshëndet vendimin e Këshillit Prokurorial për t’i zgjedhur kryesuesin dhe zëvendësin e tij.

“Ky proces shënon një fazë të re për Këshillin Prokurorial dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve tona ndaj një sistemi të drejtësisë të pavarur, transparent dhe llogaridhënës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Sipas saj, është “inkurajuese të shohim që përpjekjet për të forcuar rolin e Këshillit Prokurorial dhe për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë po konkretizohen përmes hapave të tillë institucionalë”.

Ministrja Gërvalla vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë

 

 

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e shoqëruar nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.

 

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Gërvalla zhvilloi takim me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët diskutuan për punën, sfidat dhe prioritetet në sistemin korrektues.

Theks të veçantë iu kushtua gjendjes së sigurisë në institucionet korrektuese, parandalimit të kontrabandës, forcimit të masave të kontrollit dhe zbatimit të programeve resocializuese për të burgosurit.

 

“Sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë. Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, tha Ministrja Gërvalla.

 

Në kuadër të agjendës së vizitës, ministrja Gërvalla vizitoi edhe hapësirat e Qendrës Korrektuese për Femra, me ç‘rast bisedoi me të burgosurat dhe u njoh me ambientet e punës, përfshirë kabinetin e IT-së, rrobaqepësinë dhe bibliotekën. Po ashtu, ajo pa nga afër disa nga punimet e ekspozuara me filigran në argjend dhe punime filigran në letër të realizuara nga të burgosurat në kuadër të aktiviteteve rehabilituese.

 

“Sa më shumë të investojmë në resocializim, aq më mirë e përmbushim detyrimin që kemi si shtet. Sepse dënimi është heqja e lirisë, ndërsa suksesi i sistemit korrektues matet edhe me aftësinë e një personi për të ndërtuar një jetë normale pas përfundimit të dënimit. Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

 

Vizita u përmbyll me dorëzimin e kupës së finales në tenis, ndeshje e cila u zhvillua mes të burgosurave./ Zyra për Komunikim Publik

Ministrja Gërvalla priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës z. Jonathan Hargreaves

                                  

 

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës z. Jonathan Hargreaves, me të cilin biseduan për përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundim të palëkundur të ligjit dhe integritet të plotë të sistemit të drejtësisë.

 

Ministrja Gërvalla vlerësoi lart bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, me fokus të veçantë tek drejtësia dhe sundimi i ligjit, duke e cilësuar atë si bashkëpunim të përhershëm, të qëndrueshëm dhe të shumëanshëm.

 

“Republika e Kosovës në vazhdimësi vlerëson mbështetjen e tyre në proceset reformuese, në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve tona, e sidomos përpjekjet e shtetit britanik për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore”, tha ajo.

 

Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla përmendi po ashtu procesin e Vetingut dhe ndërmarrjen reformuese në sistemin e drejtësisë, si dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilat i cilësoi parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis.

 

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit tonë, dhe Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale të qasshme dhe të pakompromentuar”, tha Ministrja Gërvalla, duke shtuar se vetëm kështu shteti forcon institucionet e saj, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, si dhe siguron që sundimi i ligjit të mbetet prioritet bazë i Republikës së Kosovës./Zyra për Komunikim Publik

Komentet e PDK-së për seancën e zgjedhjes së presidentit: Pjesëmarrja në seancë s’mund të imponohet

 

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës pretendojnë se pjesëmarrja në një seancë parlamentare apo në një votim në Kuvend është pjesë e ushtrimit të lirë të mandatit parlamentar të deputetit dhe nuk mund të imponohet përmes ndonjë detyrimi kushtetues apo përmes ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Ky pretendim është shprehur përmes komenteve që grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në rastin e ngritur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe 10 deputetë të tjerë, lidhur me  çështjen e vlerësimit të kushtetutshmërisë për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe mungesën e kuorumit në seancën e mbajtur më 05.03.2026.

Të përfaqësuar nga Përparim Gruda, deputetët e PDK-së vlerësojnë se kërkesa e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit dhe deputetë e tjerë, është juridikisht e pabazuar dhe si e tillë duhet “të shpallet e papranueshme.”

Në komentet e PDK-së të dorëzuara në Gjykatë bëhet e ditur se Haxhiu dhe të tjerët kanë kërkuar që të vendoset një masë e përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Parashtruesit pretendojnë se mosprania e disa deputetëve në seancën për zgjedhjen e Presidentit përbën shkelje të Kushtetutës dhe kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votim dhe për të mos penguar krijimin e kuorumit”, shpjegohet në komentet e PDK-së, të cilat Kallxo.com i ka siguruar nga një deputet i kësaj partie.

Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, PDK i cilëson si të pambështetura juridikisht pasi “Gjykata nuk mundet t’i detyrojë deputetët të veprojnë në mënyrë të caktuar në ushtrimin e funksionit parlamentar”.

“Kushtetuta në nenin 70 përcakton se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe e ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë të lirë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Nga kjo dispozitë rrjedh parimi themelor i mandatit të lirë parlamentar, sipas të cilit deputeti nuk mund të detyrohet juridikisht të veprojë në një mënyrë të caktuar në ushtrimin e funksionit të tij parlamentar”– thuhet në komentet e PDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

PDK ka përfshirë në komente edhe opinionin e Komisionit të Venecias mbi një amendament të Kushtetutës rumune ku ishte propozuar që t’u merret mandati deputetëve të cilët nuk qëndrojnë në seanca.

“Komisioni i Venecias, në Opinionin CDL-AD(2002)012, duke analizuar një amendament të propozuar në Kushtetutën rumune, i cili parashihte që në rast se deputetët mungojnë në seanca t’u merret mandati, ka deklaruar: ‘Hapi i mëtejshëm për të parashikuar largimin nga detyra është qartazi i tepruar dhe madje i pazbatueshëm. Sanksioni i vetëm legjitim që mund të pësojë një përfaqësues i zgjedhur duhet të vijë nga elektorati. Është elektorati ai që mund të mos e rizgjedhë anëtarin pas përfundimit të mandatit, nëse ai nuk e ka ushtruar me ndërgjegje detyrën e tij. Në një demokraci, përfaqësuesit e zgjedhur kanë autonomi në mënyrën se si e ushtrojnë mandatin e tyre. Veprimi politik mund të ndjekë rrugë të ndryshme dhe pjesëmarrja në seanca nuk është forma e vetme e veprimit politik.” Po ashtu, në Opinionin CDL-AD(2024)040, Komisioni i Venecias ka deklaruar se: “(…) nuk mund të ketë asnjë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetëve është i lirë dhe i parevokueshëm, dhe deputetët nuk mund të detyrohen ligjërisht të votojnë në një mënyrë të caktuar.’”

Bazuar mbi qëndrimet e Komisionit të Venecias, PDK  thekson se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja mbetet në vullnetin e deputetëve se ata e ushtrojnë mandatin dhe “nuk mund të shndërrohet në një detyrim kushtetues përmes interpretimit gjyqësor.”

Rrjedhimisht, deputetët e PDK-së e vlerësojnë “juridikisht të pabazuar” dhe “pa objekt” në përmbajtje kërkesën e Albulena Haxhiut dhe 10 deputetëve tjerë.

“Megjithatë, kërkesa për një masë të tillë është juridikisht e pabazuar, për arsye se ajo është paraqitur më 5 mars 2026, pikërisht në ditën kur ka përfunduar afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës sipas nenit 86 paragrafi 2 të Kushtetutës. Masa e përkohshme mund të ketë efekt vetëm ndaj një situate juridike që është ende në zhvillim dhe ndaj një afati që është ende në rrjedhje. Në rastin konkret, afati kushtetues kishte përfunduar në momentin e paraqitjes së kërkesës.”

Menjëherë pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit më 05.03.2026, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurën për zgjedhjen e Presidentit.

Haxhiu bëri të ditur se kanë kërkuar që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit deri në publikimin e aktgjykimit. Për këtë, ajo tha se e kishte njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu. Një ditë më pas,  më 06.03.2026, presidentja Osmani e shpërndau Kuvendin e Kosovës përmes dekretit.

“… kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve me partitë politike. Natyrisht qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje por këtë situatë e ka krijuar Kuvendi që ka dështuar për ta kryer detyrën kushtetuese. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”- deklaroi Osmani më 06.03.2026.

Edhe dekretin e Presidentes, Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese me arsyetimin se është antikushtetues. Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme e cila do të zgjasë deri më 31.03.2026.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit.

Presidentja i ka ftuar po atë ditë liderët e partive politike për t’u konsultuar në lidhje me datën e zgjedhjeve.

LVV e quajti akt të paprecedent shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me dekret të Presidentes dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media pas shpërndarjes të Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani, më 06.03.2026, tha se “ndodhemi në një situatë që nuk mund të flasim për zgjedhje të reja, pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese”.

Ai konsideron se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues./kallxo.com

Kosova mes kërcënimit të jashtëm dhe përçarjes së brendshme Nga Hafiz Gagica

Në kohë sfidash rajonale, ngërçi politik dhe polarizimi i brendshëm dobësojnë vetë shtetin.

Kosova gjendet sërish përballë një ngërçi politik, në një moment kur rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare do të kërkonin më shumë maturi, përgjegjësi dhe kohezion institucional. Në vend që energjia politike të përqendrohet në trajtimin e sfidave strategjike të shtetit dhe në ndërtimin e një konsensusi minimal për çështjet themelore, hapësira publike vazhdon të dominohet nga përplasjet e përditshme, akuzat e ndërsjella dhe një gjuhë gjithnjë e më e ashpër politike.

Në periudha pasigurie ndërkombëtare, shtetet e vogla zakonisht përpiqen të forcojnë unitetin e tyre të brendshëm dhe të kultivojnë një kulturë politike të matur, të orientuar drejt interesit të përbashkët. Historia politike e shumë vendeve dëshmon se sa më të ndërlikuara të bëhen rrethanat gjeopolitike, aq më e madhe bëhet nevoja për stabilitet institucional dhe për një dialog politik të përgjegjshëm.

Megjithatë, në realitetin aktual të Kosovës shpesh vërehet një prirje e kundërt. Ndërkohë që në rajon vazhdojnë të shfaqen tensione dhe herë pas here artikulohet një retorikë kërcënuese nga kryeqyteti i fqinjit verior, debati politik dhe shoqëror brenda vendit vazhdon të mbetet i përqendruar në konfliktet e brendshme. Rrjetet sociale, të cilat në parim mund të shërbenin si hapësira për shkëmbim idesh dhe argumentesh, janë shndërruar shpesh në arena polemikash ku kundërshtari politik trajtohet jo si rival në një sistem demokratik, por si kundërshtar që duhet delegjitimuar.

Kur komunikimi politik reduktohet në etiketime dhe fyerje, debati për ide zbehet dhe kultura e dialogut dobësohet. Një demokraci funksionale mbështetet mbi pluralizmin e mendimeve, konkurrencën politike dhe respektin institucional për kundërshtarin. Por kur çdo kritikë interpretohet si armiqësi dhe çdo mendim ndryshe stigmatizohet si tradhti, hapësira për një dialog racional dhe konstruktiv fillon të ngushtohet.

Pasojat e kësaj klime nuk mbeten vetëm në nivelin e retorikës politike. Ato reflektohen në funksionimin e institucioneve dhe në perceptimin publik ndaj politikës në përgjithësi. Ngërçi politik përsëritet, stabiliteti institucional vihet në sprovë, ndërsa çështjet strategjike të shtetit, forcimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe konsolidimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, rrezikojnë të mbeten në plan të dytë.

Kjo krijon një paradoks të dukshëm në jetën politike të vendit: ndërsa sfidat që vijnë nga jashtë kërkojnë qartësi strategjike dhe maturi politike, brenda vendit shpesh mbizotëron një klimë tensioni dhe polarizimi që e dobëson vetë kapacitetin e shtetit për të vepruar me koherencë. Një klimë e tillë jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet demokratike, por mund të ndikojë edhe në mënyrën se si Kosova perceptohet nga partnerët dhe aleatët e saj ndërkombëtarë.

Historia e Kosovës ka dëshmuar se në momentet më të vështira shoqëria ka ditur të gjejë një sens të përbashkët të qëllimit. Pikërisht ky sens ka qenë një nga faktorët vendimtarë që ka bërë të mundur kapërcimin e sfidave të mëdha në rrugën drejt shtetësisë.

Sot sfida nuk është vetëm politike, por edhe kulturore. Ajo lidhet me rikthimin e një etike të dialogut publik dhe me rivendosjen e një parimi themelor të demokracisë: kundërshtari politik nuk është armiku i shtetit.

Sepse shtetet e vogla rrallë dobësohen vetëm nga presioni i jashtëm.

Shpesh ato dobësohen kur brenda tyre zbehet sensi i maturisë politike dhe i interesit të përbashkët.

(Video) Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Veprim i pamatur, ja ku gaboi Vjosa Osmani!

 

Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Terminal” në A2CNN, komentoi ngërçin politik në Kosovë me zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Është veprim i gabuar, i pamatur mbase, edhe një perceptim i gabuar i zonjës Presidente, e cila këtë dekret të saj e ka bazuar në nenin 85 të paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili thotë se zgjedhja e Presidentit të ri do të duhej të bëhej më së vonit 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Kjo dispozitë nuk është e definuar dhe semantikisht nuk është e plotë, nuk është e definuar, nuk është taksative dhe nuk është e qartë sepse nuk thotë se çfarë pasojash prodhon moszgjedhja e Presidentit të ri në një afat prej 30 ditësh”, tha Baraliu.

“Është një kushtetutë që ka përsëritje dhe ka dualizma në dispozitat e saj e thotë kur dhe kush mund ta shpërndajë Kuvendin. Kushtetuta thotë që “Kuvendi shpërndahet nëse brenda 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës të zgjedhjes së Presidentit, Presidenti i ri i Republikës nuk zgjidhet. Pikërisht kështu ka ndodhur në seancën e fundit, e cila është ndërprerë në pamundësi të vazhdohet sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit. Presidentja e vendit ka bërë një ndërhyrje që edhe mund të interpretohet nga disa si një grushtet në thonjëza sepse ka ndërprerë një procedurë që është legjitime, është taksative në Kushtetutë dhe do duhej procedura për zgjedhjen e Presidentit të vazhdonte edhe 58 ditë të tjera, ndërkohë që ajo ka shpërndarë Parlamentin dhe tani ka pamundësuar rrjedhjen e tij pas 23 ditësh dhe funksionalizimin me shumë punë dhe detyra që Parlamenti i Kosovës ka pasur në rend pune, në rend dite, pra siç janë për shembull disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra milionëshe. Mendoj që është e qartë, është e shkruar, madje nuk ka nevojë për asnjë interpretim që në Kushtetutë që thjesht ky veprim i Presidentes me këtë dekret është i ngutshëm dhe do të thosha me pasoja të pariparueshme”, shtoi Baraliu.

 

Hargreaves takon Osmanin: Bisedimet konstruktive, thelbësore për të gjetur zgjidhje

Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, 10 mars 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë të mbajnë bisedime konstruktive dhe të respektueshme për të gjetur zgjidhje pasi vendi ka hasur në një pengesë tjetër, zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Hargreaves i bëri këto komente pas një takimi të martën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill.

“Sot bisedova me presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova të rikthehet në stabilitet politik, në mënyrë që të mundësohet përparimi në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë të pasigurisë së shtuar politike, diskutimi politik i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur një rrugë përpara”, shkroi ai në Facebook.

Kosova nuk ka arritur ta zgjedhë pasuesin e Osmanit, e cila edhe vetë ka shprehur synimet për një mandat të dytë, dhe çështja është dërguar në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.

Të hënën, Gjykata Kushtetuese e pezulloi përkohësisht, deri më 31 mars, një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars.

Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim Osmanit në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit gjatë kësaj kohe.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit u dorëzua nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.

Kuvendi u përpoq më 5 mars ta zgjedhë presidentin e ri, pasi partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, por vetëm pasi kishin dështuar bisedimet paraprake me partitë opozitare për një emër që do ta gëzonte mbështetjen e nevojshme.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi u braktis nga partitë opozitare.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose një emër të pajtueshëm.

Osmani nuk u paraqit si kandidate nga asnjë parti, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje pretendoi se ia kishte ofruar mundësinë.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë ujdi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj (djathtas), e pret në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, Prishtinë, 9 mars 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Prokuroritë speciale të Kosovës dhe të Shqipërisë e kanë zgjeruar bashkëpunimin duke e nënshkruar të hënën një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët pune në Prishtinë mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, apo SPAK.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dhe shefi i SPAK-ut, Klodjan Braho, shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët për ta çuar përpara bashkërendimin ndërinstitucional, thuhet në njoftim.

Delegacioni shqiptar u prit sot në takim edhe nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

“Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet”, tha Prokuroria kosovare.

Sipas njoftimit, palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë kryer operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar në të kaluarën.

Ato kishin shkatërruar një grup të trafikut të armëve që vepronte në të dy vendet gjatë një operacioni në vitin 2024, i cili ishte mbështetur edhe nga Eurojust dhe Europol.

Të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve dhe materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë atij operacionit të përbashkët më 2024 ishin arrestuar 14 të dyshuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Puna e SPAK-ut në vitet e fundit është mbështetur dhe përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Gjykata Kushtetuese vendosi masë për dekretin e shpërndarjes së Kuvendit- Reagon Qeveria e Kosovës: Presim qartësi të plotë

Sipas komunikatës, ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese.

 

KOSOVË- Qeveria e Kosovës, ka reaguar në lidhje me vendosjen e masës së përkohshme lidhur me Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas komunikatës, ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria ka thënë se pret vendimi i Gjykatës të japë qartësim të plotë.

Deklarata e Qeverisë:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pezullon zbatimin e këtij dekreti deri në shqyrtimin në merita të çështjes. Ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.

Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze./Dosja.al

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësues të BERZh-it

 

 

Prishtinë, 9 mars 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, pritën në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

 

Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZh-it, me fokus të veçantë në avancimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2024, i cili parasheh një portofol investimesh deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027.

 

U trajtuan gjithashtu projektet prioritare në fushat e infrastrukturës rrugore, ujërave të zeza, sistemit të ujit, efikasitetit të energjisë dhe transportit publik, si dhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja financimi gjatë viteve 2026–2027.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi BERZh-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me këtë institucion për realizimin e projekteve strategjike që përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet për qytetarët.

 

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZh-it riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe në mbështetje të reformave ekonomike./Zyra e Kryeministrit

 

 

Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit, Presidenca pret vendimin

Radio Evropa e Lirë

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa Presidenca njoftoi se po e pret vendimin e gjykatës më të lartë të vendit para se të vendosë të shpallë apo jo datën për zgjedhjet e reja.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”, shkroi ajo.

Osmani e nxori më 6 mars dekretin për ta shpërndarë Kuvendin, gjë që do ta çonte vendin e zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses, tha të hënën këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai.

Osmani e ka arsyetuar këtë vendim, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Nagavci argumentoi se roli i presidentit në këtë proces “është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Më tej, Nagavci shtoi se “përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”.

Më herët gjatë ditës së hënë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se organi ligjvënës nuk mund ta vazhdojë punon derisa Kushtetuesja të nxjerrë një vendim.

Partia në pushtet thirret në nene të tjera të Kushtetutës dhe beson që dekreti nuk ka bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin.

Osmani, në anën tjetër, ngul këmbë se afati 60-ditor do të duhej të shfrytëzohej para 5 marsit dhe ajo e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme.

Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.

Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.

Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga LVV-ja kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Palët kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh në javët e fundit, mirëpo nuk kanë arritur pajtueshmëri.

Vetë Osmani e ka synuar edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush. Për LVV-në ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.


Send this to a friend