VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Atentati te Parku i Liqenit, ja kush ishte ish-i përndjekuri që u ekzekutua në sy të djalit të mitur

By | March 17, 2019

Komentet

Çfarë do të ndodhë në protestën e 11 majit – Përshkallzohet situata, do bllokohen akset

Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e ardhshme në 11 maj në orën 18:30 të pasdites. Në mbledhjen e organizuar, opozita ka diskutuar edhe për zhvillimin e saj si dhe rrjedhën që do të marri. Bëhet me dije se aksioni opozitar tanimë do të vijojë edhe me bllokimin e akseve rrugësh, sidomos ato kombëtare. Në takimin e mbajtur ditën e djeshme me kryetarët e bashkive të djathta, Basha ka diskutuar për të gjitha detajet, përfshi edhe për kohëzgjatjen e kësaj proteste.



Kujtojmë se deri tani, opozita ka mbajtur 9 protesta. Në protestën e fundit përpara Kryeministrisë e përpara Parlamentit, pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Mbetet për t’u parë nëse protesta e 10 e opozitës do të sjellë një përshkallzim të situatës, ashtu si flitet tashmë nëpër korridoret e PD.

PD marrëveshje për koalicion opozitar, zbardhen 10 pikat e saj

Partia Demokratike firmosi sot një marrëveshje me 10 pika për krijimin e koalicionit opozitar me aleatët e saj. Firmosja e marrëveshjeve do të jetë e veçantë për secilën nga partitë aleate të PD-së.

Disa nga partitë nënshkruese të kësaj marrëveshje janë: Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e Monika Kryemadhit, Partia Republikane (PR) e Fatmir Mediut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) e Dashamir Shehit, Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDIU) e Shpëtim Idrizit, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) eVangjel Dules, Partia Agrare Ambientaliste (PAA) e Agron Dukës, Partia Demokristiane (PDK) e Nard Ndokës.

Një nga pikat e kësaj marrëveshje koalicioni është zhvillimi i zgjedhjeve pa Edi Ramën kryeministër, por përmes një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do t’i hapë rrugë drejtësisë për të ndëshkuar ata politikanë që janë faktuar se kanë blerë zgjedhjet.

I pari që vuri firmën mbi dokumentin e marrëveshjes ishte Fatmir Mediu i PR-së, i cili tha se koalicioni kishte për qëllim mos lejimin e zgjedhjeve të manipuluara.

Marrëveshja e koalicionit opozitar ka 10 pika:

1. Krijimi i një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend

2. Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme

3. Rruga e vetme për krijimin e zgjedhjeve të lira është një qeveri tranzitore me mandat të posaçëm

4. Partitë e koalicionit opozitar nuk do të lexojnë asnjë farse elektorale

5. Pamundësimi i zgjedhjeve farse të diktuara nga pakti i Ramës me krimin

6 . Rikonfirmojmë vullnetin tone se BE është rruga e vetme për ti dhënë fund tranzicionit

7. Angazhohemi për një marrëveshje për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia

8. Angazhohemi për lufte pa kompromis ndaj krimit të organizuar

9. Mbështesim liritë dhe të drejtat themelore të qytetareve të cilët dhunohen nga veprimet arbitrare te institucioneve shtetërore

10. Angazhohemi për çdo individ apo parti te identifikuar si opozitare

Përkeqësohet moti – Drejtoria detare bën apel: Siguroni mjetet në port, rrisni gatishmërinë

Dita e sotme dhe e neserme pritet te shoqerohen me perkeqesim te ndjeshem te motit.

Perballe parashikimeve, per det te trazuar, me ere shume te forte, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bere apel per portet te marrin te gjitha masat e per te qene ne gatishmeri.

 

Njoftim per perkeqesim te motit!

Ne daten 22-23 Prill moti do te perkeqesohet. Bregdeti yne do te perfshihet nga era me drejtim jug-lindje dhe forca e detit do te jete 7 shkalla Boufort. Me qellim parandalimin e cdo situate te papritur per shkak te kushteve atmosferike kerkojme bashkepunimin e te gjithe subjekteve qe ushtrojne veprimtari ne fushen e detarise, per te marre te gjitha masat e nevojshme per sigurimin e mjeteve ne port dhe rritje e gadishmerise se ekuipazhit ne mjetet lundruese.

Veprimet e Arta Markut dhe KLP-së përbëjnë tejkalim të ligjit dhe cënimi të sigurisë juridike të magjistratëve

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se caktimet e përkohshme të kryera nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe më pas KLP, kanë përfshirë 16% e trupës së prokurorëve dhe mbi 47% e drejtuesve; fenomen ky që ngre shqetësime për tejkalim të ligjit dhe cënimin e sigurisë juridike të magjistratëve.

Më 22 shkurt 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpriste caktimin e përkohshëm të prokurorit Ardian Nezha në Tiranë dhe rikthimin e tij në Prokurorinë e Pukës. Shkak u bë një kërkesë e prokurores së vetme të mbetur në Pukë, së cilës i duhej të përballej edhe me çështje penale kundër kushërinjve të saj.

 

Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u prit me pakënaqësi nga prokurori Ardian Nezha, i cili dorëzoi menjëherë dorëheqjen nga detyra e prokurorit.

“E kam të pamundur për arsye familjare të shkoj sërish në Pukë dhe e quaj mosvlerësim këtë transferim të dytë,” tha Nezha për BIRN më 29 mars.

Pas 11 viteve punë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ish-prokurori Nezha u përfshi në transferime të njëpasnjëshme. Në vitin 2015, ai u emërua në Pukë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa me ardhjen e Arta Markut të krye të Prokurorisë, Nezha u komandua drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Qëndrimi i tij në Elbasan zgjati vetëm disa javë dhe pas paraqitjes së dorëheqjes, ai u caktua përkohësisht në Prokurorinë e Tiranës.

Nezha nuk ishte i vetmi prokuror “tranzitor” në Shqipëri. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se thuajse gjysma e drejtuesve të Prokurorive në shkallë vendi dhe rreth 16 për qind e trupës së prokurorëve e kryejnë detyrën e tyre në kushtet e e caktimit të përkohshëm apo të komandimit-akte këto që në shumicën e tyre e kanë tejkaluar afatin ligjor të përcaktuar nga ligji.

Sipas të dhënave të siguruara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 18 nga 38 drejtuesit e prokurorive në Shqipëri janë të komanduar përgjatë viteve 2017-2019. Por shefat e Prokurorive janë vetëm një pjesë e listës prej 49 prokurorësh, që e kryejnë detyrën e tyre larg vendit të emërimit.

Numri i prokurorëve të komanduar zë rreth 16% të trupës së prokurorëve në vend. Ndërkohë, 38 prej tyre rezultojnë se gjenden në postet aktuale në tejkalim të afateve ligjore të përcaktuara në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

BIRN i drejtoi pyetje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për tejkalimin e afateve ligjore të komandimeve dhe se cila ishte zgjidhja për këtë situatë kaotike të krijuar në Prokurori. Deri në botimin e shkrimit, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk kthyen përgjigje.

Prokurorët “tranzitorë”

Praktika e komandimeve të shpeshta dhe të pamotivuara të prokurorëve ishte një ndër kritikat që iu adresua ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Gjatë mandatit të tij, një numër i konsiderueshëm drejtuesish e kryenin funksionin në kushtet e komandimit.

Situata u rëndua me hyrjen në fuqi të legjislacionit të reformës në drejtësi, e cila linte në duart e kryeprokurorit vetëm të drejtën për caktime të përkohshme, në kuadër të mbarëvajtjes së punës.

Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017, një valë e re komandimesh e përfshiu sistemin e prokurorisë. Kjo situatë shtyu trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kryente verifikime gjatë hetimit administrativ për Arta Markun.

Edhe pse konstatoi se këto lëvizje ishin të ligjshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se kryeprokurorja e përkohshme kishte dështuar të aplikonte një metodologji për riorganizimin e Prokurorisë.

“Që nga riorganizmi i nisur në Janar 2018 nuk është bërë asnjë hap për të miratuar një procedurë,” tha relatorja e vetingut të Markut në KPK.

Thuajse një vit më pas, çështja e komandimeve është rikthyer disa herë për diskutim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pa gjetur ende një zgjidhje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga 49 komandimet që janë aktualisht në fuqi, 38 janë firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe 11 të tjera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 18 drejtues të prokurorive të shkallës së parë apo të Apelit nga 38 gjithsej e ushtrojnë funksionin e tyre me caktime të përkohshme.

Pavarësisht se ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton si afat maksimal për caktimet e përkohshme afatin 3-mujor, dhjetë komandime vazhdojnë që nga 2017 ndërsa 28 të tjera kanë ndodhur gjatë vitit 2018.

Gjithashtu, rezulton se në prag të konstituimit të KLP-së, në nëntor 2018 dhe në ditët e para të dhjetorit, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka firmosur 13 caktime të përkohshme pa afat.

Mes listës së siguruar nga KLP, Prokuroria e Tiranës rezulton më e prekura nga komandimet. Përgjatë periudhës dhjetor 2017-mars 2019, katër prokurorë të Tiranës janë transferuar në rrethe dhe 10 prokurorë të tjerë janë sjellë në Tiranë.

Debati për afatet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i është referuar nenit 59, pika 1 të ligjit 96/2016 “Për statusin…” për komandimet e kryera prej saj; kryesisht për të zëvendësuar prokurorët e larguar nga procesi i vetingut.

Por Prokuroria e Përgjithshme duket se ka ndjekur një praktikë tjetër.

Një kërkesë për informacion e BIRN drejtuar Prokurorisë së Përgjithme në lidhje me afatet e caktimit të përkohshëm të prokurorëve mbeti pa përgjigje. Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë sqaroi se 38 caktimet e përkohshme-të cilave u ka kaluar afati i parashikuar në nenin 59, pika 1, ishin bërë pa përcaktuar një afat kohor.

“Për sa kohë nuk ishte krijuar KLP, caktimet e përkohshme ishin kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili bazuar në dispozitat kalimtare të Ligjit 96/2016 ” Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, neni 160, pika 4, mund të caktonte përkohësisht në pozicion një prokuror pa afat”, citohet në sqarimin e KLP-së.

Një interpretim i tillë është hedhur poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës, në padinë e ngritur nga prokurori Olsi Çela kundër vendimit të kryeprokurores Arta Marku për ta caktuar atë përkohësisht në Berat.

Në vendimin nr.80, datë 26 dhjetor 2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë argumenton se caktimi i përkohshëm duhej të bazohej në nenin 59 të ligjit 96/2016, ku përcaktohet afati 3-mujor i caktimit të përkohëshëm.

Komandimet pa afat, sipas këtij vendimi krijojnë për magjistratët pasiguri juridike dhe se mund të perceptohet prej tyre si masë disiplinore.

“Gjykata analizon se urdhri për caktimin e përkohshëm të prokurorit duhet të arsyetohej në bazë të nenit 59 të ligjit 96/2016. Mbi të gjitha në këtë akt duhet të ishte përcaktuar afati i caktimit të përkohshëm i prokurorit Olsian Cela si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat,” argumenton Gjykata Administrative.

“Mungesa e afatit të përcaktuar në këtë urdhër e ka vënë paditësin në pozitat e një pasigurie juridike dhe e ka shtyrë atë drejt konsideratës se ky urdhër është në thelb një masë disiplinore ndaj tij,” shtohet në vendim, duke përcaktuar se afati i pozicionit të përkohshëm është jo më shumë se tre muaj./BIRN

PËRULEMI PARA VEPRËS DHE QENDRESËS SË VISAR ZHITIT. Nga Entela Kasi, PEN-I Shqiptar

“PEN Internacional” është organizatë botërore e Poetëve, Eseistëve dhe Narratorëve, “P.E.N.”, me qendër në Londër, themeluar në vitin 1921, me bashkëkryetar shkrimtarin nobelist  John Galsworthy dhe tashmë me filiale e degë të vetat në Europë e në të gjithë botën, mbi 100 qendra. Kjo organizatë u krijua me qëllim mbrojtjen e shkrimtarëve që burgosen apo sulmohen dhunshëm në vendet totalitare apo me demokraci të pa konsoliduara.

PEN-i Shqiptar, i themeluar vite më parë, me President Nderi shkrimatrin bot:eror Ismail Kadare dhe me drejtesuese poeten dhe përkthyesen Entela Kasi, ndërkohë pedagoge në Qendrën Universitare të Gjuhëve të huaja në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, bën një apel dhe del në mbrojtje të shkrimtarit Visar Zhiti duke iu kundërvënë sulmeve të forcave të errëta, fantazma të diktaturës së shkuar dhe i quan “akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë…”

 

SULMET NDAJ SHKRIMTARIT VISAR ZHITI

janë veprime të qëllimshme. Janë akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Kjo është e vërteta.

 

Sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane, sulmohet në Shqipëri.

Sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale, gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar.

Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të PEN International, dhe jo vetëm.

 

Visar Zhiti, sulmohet herë pas here në Shqipëri, në atdheun e tij për shkak të veprës, për shkak të qëndresës së tij nga forca të errëta të diktaturës, nga persekutorët e tij. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!

Kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila, pas rënies së murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në PEN International, lidhur me këtë çështje.

 

Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti?

Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN Qendrës së Shqipërisë.

Për aq kohë sa ata që shkruan akt ekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane , në auditorë të promovuar , të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, e për më tepër të jenë misionarë të lirisë! Kjo është e pamundur.

 

A nuk i kemi parë të gjithë me sytë tanë se si atyre as u dridhet qerpiku, kur na shfaqen edhe në auditorë edhe në mikrofona sikur të ishin këta persekutorët , viktima të asaj perjudhe të errët të Shqipërisë gjatë të cilës kryen krime kundër njerëzimit duke shkelur mbi çdo vlerë e parim të dinjitetit njerëzor, e në post diktaturë nuk shprehën asnjë lloj pendese?

Sot më kujtohet një fjali e Visarit, në një çast tjetër të vështirë, ndërsa sulmohej nga të gjitha anët nga majat e Institucioneve të shtetit në Shqipëri, fjali të cilën po e sjell për të gjithë ne të tjerët kudo ku jemi si një kambanë për veshët tanë të shurdhuar e sytë tanë të verbër. ‘Zot fali, nuk dinë çfarë po bëjnë’…

 

Ishte koha kur shkrimtari Visar Zhiti, po shkonte në Vatikan, ndërsa pengohej nga Shqipëria. Një prej ngjarjeve më të rënda kjo jo larg në kohë!

Shqipëria e sotme ka probleme me vetveten, për faktin se nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e errët, e cila na është kthyer sot edhe më e egër se dikur.

Visar Zhiti me veprën, jetën, integritetin e tij intelektual, personalitetin dhe dinjitetin njerëzor të tij mund të ishte pa dyshim një Nobel i Paqes si  Nëna Terezë, Shën Tereza e shqiptarëve, dhe mund të ishte kandidati i Nobelit të letërsisë po ashtu, nëse  ne do të kishim propozuar emrin e tij. Por ne nuk i kemi bërë këtë nder Shqipërisë së Visarit, sepse na mungon vizioni po aq sa dashuria, për faktin e thjeshtë se ishim e jemi po ne nga atdheu i tij që në mënyrën më të ulët ende edhe sot lejojmë që akte të tilla monstruoze të kryhen kundër shkrimtarit Visar Zhiti në Shqipëri.

Përballë tij ne jemi thjesht të pa- moral, e kjo na zhvesh në sytë e Evropës dhe botës.

Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.

Sot shoqëria politike, Insitucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit, duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti.

 

Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cënohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

 

Entela Kasi

Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë,

PEN Internacional,

me Seli në Londër

 

Tiranë 19 . 04. 2019

 

Lorenc Vangjeli: Deputetë me pasaportë diplomatike kanë sjellë para nga droga e prostitucioni, ja përqindja e fitimit

Sipas analistit Lorenc Vangjeli, krimi sot është politik dhe per situaten e krijuar, ai akuzon politiken, si pergjegjese te kesaj qe ndodh. 

 

Nderkohe qe po ne kete emision, Shemsi Prençi deklaroi se deputetë të Parlamentit kanë sjellë në Shqipëri para të kriminelëve shqiptarë nga jashtë vendi, Vangjeli e mbeshteti pohimin dhe tregoi dhe se sa kanë fituar këta deputetët nga ky transport.

“E konfirmoj një gjë të tillë, deputetë më pasaportë diplomatike që nuk e kishin për turp të sillnin para nga prostitucioni dhe nga trafiku i drogës. Përqindjet fillonin nga 2-3 përqind fillimisht nga Zvicra, vete më parë dhe sot ka vajtur deri në 15 për qind, për fitimet”, tha Vangjeli.

Ne studion e “Opinion”, Vangjeli tha se grupet kriminale janë larguar nga tregtia e kanabisit për t’u përqendruar tek tregu u kokainës, duke thene se “Krimi sot nuk është më kronik, por është politik”.

“Nuk mund të luftohet me mjete policore, nuk mund t’i kërkohet policisë të luftojë krimin e vetme. Sot në Shqipëri ka një luftë të pistë, që është simboli i kohës moderne. Nuk ka një anë të përcaktuar të mirët nga një anë, të këqijtë në anën tjetër. Krimi sot është me kostum dhe kravatë. Përgjegjësi të parë dhe kryesore ka politika. Ne e shikojmë Shqipërinë, tek kryeministria, tek protesta pa kaluar në periferi aty ku është skamja dhe krimi. Njerëzit të cilët janë votuar, ata që kanë braktisur mandatin duhet ta dinë që duhet të bëhen bashkë dhe të luftojnë krimin. Ajo që po ndodh në Shkodër dhe Elbasan është rritja e krimit në një potencial edhe më të madh. Grupet kriminale kanë potenciale të jashtëzakonshme financiare dhe materiale, por orientohen në tregun e kokainës duke e lënë tregun e kanabisit”- tha ai. /Opinion.al

Grupi Parlamentar Socialist merr anën e Brahos, vepron kundër Tufës

ARISTIR LUMEZI/ Grupi Parlamentar Socialist ka propozuar heqjen nga rendi i ditës të seancës plenare të mbajtjes së raportit të Institutit të Studimeve kundër Krimeve të Komunizmit nga kryetari i saj, Agron Tufa, për një kohë të pacaktuar.

Burime pranë Grupit Parlamentar thanë dje se pezullimi i mbajtjes së këtij raporti dhe miratimi në seancë i rezolutës për punën e Institutit të Studimeve kundër Krimeve të Komunizmit u bë për shkak të disa pasaktësive, që lidhen me fakte dhe ngjarje që nuk janë trajtuar me objektivitet.

 

Për këtë, mësohet se në bashkëpunim me Komisionin e Ligjeve do të kërkohet të bëhen saktësimet e nevojshme e më pas ai të dëgjohet sërish në këtë komision. Sipas burimeve, është thënë se fakte apo personazhe që nuk kanë pasur lidhje me krime të komunizmit janë trajtuar në raport si të tilla dhe nga ana tjetër ka pasur raste kur vërtet krimet e asaj periudhe janë anashkaluar nga Instituti i Studimeve të këtyre krimeve.

Heqja nga rendi i ditës së raportit të këtij instituti vjen pas një polemike disaditore në media të anëtarit të Komisionit të Ligjeve deputetit socialist Spartak Braho dhe drejtuesit të Institutit të Studimeve kundër Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa.

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, Braho akuzoi Tufën se po nxin historinë. Ai tha se Tufa, me punën e tij tek Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, po njollos historinë e luftës Nacionalçlirimtare dhe heronjtë e saj. Braho madje kërcënoi Tufën se do kërkojë shkarkimin e tij.

“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat, që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes”, tha Braho.

Por përgjigjen ia ka kthyer vetë Tufa. Pedagogu shkruan në rrjetet sociale se nga njerëz si Spartak Braho u rrezikohet jeta shqiptarëve çdo ditë. Kundër dhe pro Tufës e Brahos debati vijoi duke përfshirë dhe shumë personazhe të njohur, si ish-ambasadorin Fatos Tarifa, ish-ministrin Sabit Brokaj apo ambasadorin Shaqir Vukaj, por dhe publicistin Gazmend Kapllani e të tjerë.

PËRSE SULMOHET VISAR ZHITI? – Nga Gazmend KAPLLANI*

PËR TË MOS I LËNË VETËM NË ARENË MES BISHAVE…

 

“Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist… Nëse mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën…”

SIÇ KAM THËNË në shumë kumtesa  për Letërsinë Shqipe Visar Zhiti është Primo Levi dhe Varlam Shalamov i letersise shqipe dhe Europiane. Sidomos dy veprat e tij, “Ferri i çare” dhe “Rrugët e Ferrit” përbëjnë antologjinë më tronditëse, jo vetem te epokës kriminale të komunizmit, por të gjithë letërsisë shqipe. Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist. Ata i njohin metodat e denigrimit moral dhe të vrasjes fizike dhe morale. Në se mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën. Atëhere mund të hedhin valle mbi kufomat e viktimave të tyre. Sepse është ajo që i friken më shumë: kujtesës dhe drejtësisë së saj.

Siç ka shkruar Tzvetan Todorov, historia e njerëzimit nuk ka  njohur armiq më të mëdhenj kundër kujteses së dy regjimet totalitare, Fashizmit dhe Komunizmit. Xhelatët si Caja apo kopuket vrastare si Taku Uturaku duke hedhur baltë mbi Visar Zhitin apo duke kërcënuar intelektualë të mirëfilltë si Agron Tufa, vazhdojnë punën dhe zanatin e tyre, sepse atë dinë të bëjnë. Nuk dinë të ndryshojnë. Po të ekzistonin kushtet, sërish do të bënin të njëjtën gjë: njëri prokuror duke dënuar njerez me vdekje dhe tjetri kryexhelat gulagu.
Është nostalgjia për “pushtetin” e humbur kriminal, që i bën sërish të këlthasin sot.

Lexoni dhe rilexoni Visar Zhitin:
“Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje dhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere. Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tonë”.

Populli ynë nga ana tjetër është një popull thellësisht i traumatizuar nga tmerri i 50 vjetëve, një popull i abuzuar, i varfër dhe i rraskapitur, që nuk di si të trajtojë traumën e tij të madhe. Për më shumë, mbajtja mbyllur qëllimisht e dosjeve famëkeqe të Sigurimit, mosekzistenca e një Komisioni të së Vërtetës dhe të Drejtesisë për krimet e regjimit komunist, (një nga regjimet me kriminale që ka njohur historia bashkekohore e Europës), toleranca e tanishme politike dhe mediatike qe po gëzojnë ish xhelatët, u ka krijuar p:ershtypjen që mund të vrasin dhe torturojne serish viktimat e tyre. Është një moment shumë i trishtë. Besoj se të paktën artistët dhe intelektualët dhe pjesa më e ndershme e shoqerisë shqiptare, në Shqipëri apo diasporë, do reagojë kundër këtyre fantazmave të së kaluarës, që e duan gjithmonë Shqip:erinë si një njeri qe vegjeton pa kujtesë, peng të xhelatëve, kopukëve, injorantëve dhe vrasësve.

________________________________________
*) Shkrimtari Gazmend Kapllani jeton dhe punon në SHBA. Krahas eseistit dhe gazetarit të njohur për Ballkanin dhe më gjerë, ai është lektor i Letërsisë dhe Historisë së Europës në “Emerson College” në Boston. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës duke e cilësuar atë si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë.

Enveristët Nga Kastriot Dervishi

Në këtë ditë morti e shenje për enveristët, që na kujton kohën kur ata kthyen “dhimbjen në forcë”, ia vlen një refleksion.

Kaq vjet pas rënies nga kalbëzimi i gjithanshëm i regjimit më gjakatar në gjithë lindjen komuniste (pas Bashkimit Sovjetik), pozitat e enverizmit qëndrojnë të forta. Kategoria e enveristëve përbëhet nga dy grupe kryesore:

1-Pasardhës persekutorësh ose nomenklature të lartë. Në këtë grup hyjnë: ushtarakë fanatikë, oficerë Siguriimi, hetues, prokurorë, sekretarë të parë apo sekretarë të komiteteve të partisë, instruktorë partie, etj.

2-Injorantë. Në këtë grup hyjnë kategoria e njerëzve që janë formuar nga propaganda, nga filmat artistikë, apo të zhvendosur nga partia në zonat e thella në qytete në kuadër të industrializimit të vendit.

Të zellshëm në propagandë janë kategoria e pasardhësve. Shtysa e tyre është veçse arsyeja biologjike, prejardhja, rrënjët. Çdo gjë e ndërtojnë mbi bazën e asaj që e kanë fikse: dashurinë për krimin dhe figurën përfaqësuese të tij.

Këta e shesin propagandën e tyre gjoja si të analizuar në bazë të fakteve, sikur Shqipëria para vitit 1944 ishte skëterrë dhe më pas erdhi një regjim që bëri “reforma” (kështu i thonë vjedhjeve komunistët). Pak a shumë kjo propagandë mbështetet në:

-Luftën nacionalçlirimtare, gjakun e derdhur, dëshmorët komunistë, koalicionin e madh antifashist (po nuk i njohin asnjë kontribut dhe i harrojnë, shokët Miladin, Dushan, etj).

-Rindërtimin e Shqipërisë pas lufte (sikur Shqipëria të kishte qenë qendra botërore e kësaj lufte), duke shtuar tharjen e kënetave, hidrocentralet e ndërtuara me kredi kineze, etj.

-Arsimin falas (siç ka qenë në kohë të Zogut, siç është edhe sot).

Në artikulimet publike këta kanë këto karakteristika:

-Shohim 100 e ca kile flori të vetat të Mbretit Zog të vitit 1939, por nuk shohin 320 ton të vjedhura në dajak e me plumb të Enver Hoxhës.

-Shohin “tradhti” në “marrëveshje” imagjinare me serbët, por nuk shohim bashkimin doganor, parifikimin e monedhës me ligj të bëra nga Enver Hoxha me jugosllavët në vitin 1946.

-Shohin 2-3 vrasje për të cilat akuzojnë Mbretin Zog, por nuk shohim mijëra vrasje të regjimit kriminal komunist.

Nuk do gjeni asnjëherë ndonjë kujtesë për triskat dhe rreckat e atij regjimi, për izolimin dhe degradimin shtetëror e shoqëror të Shqipërisë, për burgjet, për kampet tela me gjemba ku internoheshin fëmijë, gra e pleq, si asnjëherë më parë. E sigurisht, asnjë pushtues nuk e detyroi shqiptarin të gatuajë në hale si regjimi internacionalist proletar i Enver Hoxhës.

Për ilustrim të këtij teksti, zgjodha nga arkiva ime ku duhet të kem nja 2 mijë foto me Enver Hoxhën, një të fillimviteve ‘80, e cila, si shumica e gjërave që postoj nuk ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Luten sharësit enveristë të ndërrojnë ujin e ndenjur, të jenë pak më interesantë në propagandën e tyre, gjithnjë humoristike e mediokre për mua.

 

Fotografia e Kastriot Dervishi

 

 

Agron Tufa me stafin e tij i ka bërë shërbim të çmuar shoqërisë shqiptare Nga Entela Kasi, PEN, Shqipëri

I nderuar Z. Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit,

Nuk është aspak e habitshme që ju të sulmoheni për shkak të detyrës, nga individë me imunitet dhe pushtet politik në Shqipëri. Kjo është e natyrshme për aq kohë sa atyre u janë prishur balancat.

Dokumentet të publikuara prej Institucionit që ju drejtoni, i kanë zhveshur para publikut shqiptar dhe të huaj.

Ata do të kishin dëshiruar që në krye të Institucionit që ju drejtoni të ishte një ushtar i tyre! Kjo nuk ndodhi. Ndodhi që njëri nga ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë, të kërkonte nga sallat e komisioneve, shkarkimin tuaj nga detyra.

( Me gjuhë kërcënuese, kujtoj se ju kërkoi të mbyllni gojën. Kambanë alarmi kjo për shoqërinë shqiptare në shekullin që jetojmë!)
Dikur këta individë kanë firmosur dënime me vdekje. Sot janë po këta që po të kishin mundësi do të bënin të njëjtin veprim. ( Sot Shqipëria është vend pluralist, dënimi me vdekje nuk ekziston).

Nëse do të ishte diktaturë, juve do ju kishin dënuar me vdekje, si Vison Blloshmin, Genc Lekën, e si shumë të tjerë shkrimtarë , artistë, klerikë, njerëz të pafajshëm të këtij vendi të cilëve sot nuk u gjenden as eshtrat e as vendet ku i hodhën ekzekutorët.

Ju i nderuar Z. Tufa, keni lexuar në dokumente të vërtetën tronditëse të Shqipërisë! Ju patët guximin që të bënit publike tashmë të dokumentuar për shoqërinë shqiptare, të vërtetën e krimeve të diktaturës.
Shqipëria e shekullit të XXI, nuk duhet të ishte kjo!

Shteti përbëhet nga Institucionet. Kuvendi është një prej tyre. Individë që kanë firmosur dënime të çfarë do lloji në diktaturë e sidomos dënim me vdekje, nuk duhet të kishin vend në Institucionet e shtetit demokratik në Shqipëri, 30 vjet pas komunizmit. Shqipëria sot është shtet anëtar në NATO, është vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian, është vend me të drejta të plota në Organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Shoqëria politike shqiptare ka dështuar, për aq sa individët që kanë kryer krime në komunizëm i ka veshur me imunitet dhe pushtet politik.

Ky dështim i shoqërisë politike shqiptare është i dëmshëm për shoqërinë shqiptare, e po ashtu cënon dinjitetin e Shqipërisë dhe shtetit.

Në vendet post komuniste të Evropës , të cilat sot janë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, nëse një ligjvënësi do i publikohej një dokument autentik firmosur prej tij për ekzekutimin qoftë edhe të një njeriu të vetëm në kohën e diktaturës, ai parlamentar jo që do të ishte jashtë parlamentit, por do të përballej me gjykatat Evropiane.

Kjo në Shqipëri në aktualitet, nuk ndodh. Ky është dështimi i klasës politike shqiptare dhe institucioneve të shtetit.

Me dy fjalë më lejoni t’ju citoj dy fjalë nga Kadare drejtuar z. Bedri Blloshmi në një letër publike për çështjen e krimeve të komunizmit. Kadare në atë letër e cila është botuar mes të tjerash shkruan për vezë të gjarprit. Këtë letër më është dashur që ta përktheja për takimin ndërkombëtar të shkrimtarëve që PEN International mbante në Itali, për shkrimtarët e burgosur dhe ekzekutuar në vendet diktatoriale.

Pra thënë shkurt, letra e Kadaresë drejtuar Bedri Blloshmit dikur ka artikuluar qartë të vërtetën tronditëse të shoqërisë politike shqiptare, pikërisht atë të vërtetë që ju dhe Institucioni që drejtoni e keni zbuluar përmes dokumenteve.

Kadare ka shkruar parathënie për veprën tuaj letrare si shkrimtar me autoritet për shkrimtarin , për ju.

PEN International, ka botuar përzgjedhje të krijimtarisë tuaj letrare po ashtu. Letërsia shkruar prej jush është tashmë një vlerë e shtuar letërsisë shqipe.

I nderuar Z. Tufa, ajo që mua personalisht më bën përshtypje jo të mirë, është heshtja e disa institucioneve të tjera të shtetit, të cilat paguhen me taksat tona dhe mbahen me fonde nga organizata ndërkombëtare për garantimin e të drejtave, lirive themelore të njeriut, si edhe për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe forcimin e standardeve të demokracisë dhe sigurimin e garancive të dinjitetit ë njeriut në Shqipëri.

Ajo që mua personalisht më trondit, është heshtja e disa shkrimtarëve, intelektualëve, gazetarëve, të cilët i shohim çdo ditë në media pa artikuluar asnjë fjalë të vetme për këtë çështje të shoqërisë shqiptare.

Sigurisht që e mirëkuptoj frikën e tyre për shkak të lidhjeve me të shkuarën dhe të tashmen, por është e pa-pranueshme dhe jo e moralshme që të na shfaqen ekraneve, mediave, si misionarë të lirisë dhe garantues të saj.

Ajo që më bën përshtypje është fakti se si në faqet e shtypit shqiptar, çështja e rëndësishme që Institucioni drejtuar prej jush ka ngritur, është deformuar e i serviret publikut si një ‘debat’, apo ‘konflikt’ personal midis jush dhe atij parlamentarit.

Në këtë rast media ose ka dështuar në misionin e vet, ose ka probleme me lirinë dhe profesionalizmin e saj si institucion.

Megjithatë, ky është një tregues jo i mirë. Organizata jo qeveritare dhe jo politike, përfshirë edhe organizata të medias në Shqipëri, shpesh kanë mbajtur qëndrim kur është kërcënuar liria e shprehjes dhe gazetarët në krye të detyrës apo për shkak të detyrës.

Ju u kërcënuat publikisht për shkak të detyrës tuaj e cila po ashtu është në shërbim të informacionit publik dhe shoqërisë shqiptare!

Në rastin tuaj asnjë organizatë jo politike, përfshirë këtu edhe organizata të medias jo vetëm që nuk shkruan dy gisht letër, por as nuk mbajtën një qëndrim zyrtar.

Standardet jo të njëjta janë tregues për pavarësinë, rolin dhe misionin e ketyre organizatave!

Kjo është një kambanë alarmi për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe po ashtu për dinjitetin e njeriut në Shqipëri.

I nderuar Z. Tufa, Drejtor i një prej Institucioneve më të rëndësishme të vendit tonë.

Me punën tuaj dhe të stafit tuaj, ju i keni bërë një shërbim të çmuar shoqërisë shqiptare. E keni përballur me të vërtetat e krimeve të diktaturës. Ndërsa shoqërinë politike e keni tronditur nga themelet!

Entela Kasi

Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë
PEN International, me seli në Londër.
Tiranë, 15 Prill 2019

U arrestua dje, ish-komandoja kërcënon: Nuk do kaloni kollaj!

TIRANË

Ish-komandoja Erzen Uka i arrestuar për nxitje terroriste doli sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë.

Prokurori Eugen Beci kërkoi arrest me burg, ndërsa Uka nuk ka pranuar të ngrihet në këmbë para trupit gjykues, duke thënë se respekton vetëm Allahun. Ai kërcënoi gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Beci duke u thënë:  Sa të dal do të jepni llogari e nuk do kaloni kollaj.

Uka akuzohet për 3 vepra penale, stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste,; nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa gjykata u tërhoq për vendim.

Flet detektivi: Si i vidhnin sekretarët e partive fëmijët në maternitet

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, jo pak nëna kanë vajtuar fëmijët e tyre të gjallë. Në maternitet u thuhej se kanë vdekur, por në fakt bebet ndërroheshin. Njerëzit me pushtet që u vdisnin fëmijët gjatë lindjes, i ndërronin ata me fëmijë të shëndetshëm.

 

 

I ftuar në emisionin “Fol me Psikologen” të gazetares Ervisa Lula, Drejtori i “Institutit të Detektivëve Privat”, Ndue Pjetra, ka shpjeguar se si ndërroheshin foshnjet në maternitet, në Shqipërinë komuniste.

 

Kemi shumë raste në Shqipëri kur ju kanë thënë në maternitet se ju ka vdekur fëmija. Sekretari i partisë apo njerëz të tjerë me pushtet në atë kohë pasi ju kishte vdekur fëmija i tyre donin me çdo kusht t’i thoshin gruas se e kishte fëmijën gjallë. Prisnin në maternitet 2-3 ditë që të vinte dikush, t’i linin fëmijën e vdekur tjetrit dhe të merrnin fëmijën e tij. Këto histori kanë ndodhur në kohën e komunizimit, janë shumë të vështira, por ne kemi mekanizma të tjerë për t’i gjetur…”, ka deklaruar Pjetra.