Kjo është shtëpia e At Gjergj Fishtës, një premtim ne harrese. Ne një kohe kur nuk ka asnjë pengese qe kjo vlere shume dimensionale ti nënshtrohet një procesi restaurimi dhe muzealizimi, Ministria e Kulturës vazhdon te bej veshin e shurdhet duke treguar haptazi anshmërinë e saj ne vlerësimin dhe evidentimin e figurave te shquara te kombit, ne kundërshtim te hapur me misionin dhe rolin qe ajo duhet te luaj.
Megjithëse fonde private për restaurimin si dhe një dakordësi me pronaret e objektit është siguruar, ende vullneti i një komuniteti te tere injorohet dhe lihet ne harrese, dhe kjo, ne mënyre te qëllimshme…!
*Drejtues i departamentit të Kulturës Rinise dhe Sporteve
Rreth 200 000 njerëz u mblodhën sot në Mynih, për të protestuar kundër autoriteteve iraniane, sipas policisë në kryeqytetin bavarez, ku Konferenca e Sigurisë e Mynihut, në të cilën marrin pjesë liderë botërorë, do të mbahet deri nesër.
Demonstruesit u mblodhën paqësisht në Terezinwiese, një shesh i madh në perëndim të qytetit, vërejti një gazetar i AFP-së, për të kërkuar rënien e Republikës Islamike, pas një shtypjeje të përgjakshme që ka shuar një valë të gjerë protestash që nga fundi i dhjetorit.
Disa valëvitnin flamuj me vija horizontale jeshile, të bardha dhe të kuqe që mbanin një luan dhe një diell, emblemën e monarkisë së përmbysur në vitin 1979.
Organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut thonë se mijëra protestues janë vrarë në Iran . Grupi organizator, Rrethi i Mynihut, kishte pritur rreth 100,000 protestues.
Tubime që bëjnë thirrje për veprime ndërkombëtare kundër Teheranit janë planifikuar gjithashtu për sot në Toronto dhe Los Angeles.
Javën e kaluar, rreth 10,000 njerëz u mblodhën në Berlin, sipas policisë gjermane, duke iu përgjigjur një thirrjeje nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, krahu politik i grupit opozitar në mërgim Muxhahedinët e Popullit të Iranit, të cilin Teherani e konsideron një organizatë “terroriste”.
Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Mynihut këtë mëngjes, djali në mërgim i shahut të rrëzuar, Reza Pahlavi, i bëri thirrje Donald Trump të “ndihmojë” popullin iranian, duke deklaruar se “ka ardhur koha për t’i dhënë fund Republikës Islamike”.
“Kjo është kërkesa që jehon nga gjakderdhja e bashkatdhetarëve të mi, të cilët nuk po na kërkojnë të reformojmë regjimin, por t’i ndihmojmë ata ta varrosin atë”, tha Pahlavi, i cili jeton në Nju Jork.
Kur u pyet pas fjalimit të tij, ai nuk e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në demonstratë.
Për konferencën, autoritetet gjermane kishin njoftuar rritje të sigurisë në qytet, duke përfshirë mbylljen e hapësirës ajrore mbi Mynih për avionët, përfshirë dronët.
Policia e Mynihut tha të hënën se kishte parë dronë mbi Sheshin Terezinwiese. gsh
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është përgjigjur kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili u shpreh se Salianji nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
Në një postim në Facebook, Salianji thekson se PD nuk është pronë private dhe se ai nuk ka asnjë nevojë të provojë lidhjen e tij me Partinë Demokratike.
“Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit”, shkruan Salianji.
Ndërkohë, Berisha, në një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook me qytetarët, e krahasoi Ervin Salianjin me ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
“Mendoj se demokratët u bashkuan. Por, përsëri, mbi bazën e kontributit që kanë, unë nuk ia mohoj askujt. Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe pasardhësin e tij, Salianjin. Për këta nuk mund të bëhet fjalë, sepse këta janë fatkeqë. Njerëz të përdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama. Mund të thuash se janë ‘deshër të errësirës’. E patë se çfarë bëri Dash Sula. Këta janë një lloj Dash Sule me petkun e demokratit. Nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në, as njëri as tjetri,” tha Berisha.
Shën Valentini nuk e shpiku dashurinë, por e bëri të matshme. Për disa ditë me radhë, tregu i Tiranës merr ngjyrë të kuqe, restorantet kthehen në studio me qirinj dhe muzikë live, agjencitë publikojnë paketat e fundjavës, ndërsa rrjetet sociale bëhen vitrinë ku surpriza duhet të duket po aq sa të ndihet.
Në një ekonomi ku konsumatori po mësohet të krahasojë, të kërkojë ofertë dhe të blejë më shumë “përvojë”, 14 shkurti është një mini sezon që i rrit xhiron një serie sektorësh njëherësh, nga lule e ëmbëlsira te argjendaria, hoteleria dhe shërbimet e argëtimit.
Kjo ditë vjen edhe në një moment ku çmimet, edhe kur nuk janë në alarm, mbeten të pranishme në vendimmarrje. Inflacioni vjetor në dhjetor 2025 ishte 2.3 për qind, ndërsa rritja mesatare vjetore e çmimeve në 2025 ishte 2.2 për qind.
“Darka romantike” dhe “buqeta e bukur” nuk janë thjesht zgjedhje emocionale, por pjesë e një buxheti që ndërtohet me më shumë kujdes se disa vite më parë. Dhe pikërisht këtu nis ekonomia e Shën Valentinit: jo me pyetjen “Sa do?”, por me pyetjen “Sa duket?”.
Shumë marka shqiptare dhe ndërkombëtare kanë investuar në reklama të shtrenjta gjatë periudhës së Shën Valentinit, duke përdorur influencues të njohur dhe fushata të personalizuara për të tërhequr konsumatorët. Kjo ka bërë që një festë që dikur ishte e thjeshtë të bëhet një ngjarje masive, duke e kthyer tregun shqiptar në një mundësi të madhe për bizneset.
Lulet janë sinjali më i shpejtë i kësaj ekonomie. Ato janë produkt i menjëhershëm, i fotografueshëm, i krahasueshëm dhe me një varësi të fortë nga importi, pra nga kursi i këmbimit, kostot e transportit dhe sezonaliteti. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e luleve rriten vit pas viti dhe kulmojnë në muajt e shkurtit e marsit, si edhe në verë, kur shtohen dasmat.
Kjo është arsyeja pse në prag feste, dyqanet e luleve nuk shesin vetëm trëndafila, por edhe “paketë”: aksesorë, kartolina, tullumbace, kuti dhuratash, pra një vlerë të shtuar rreth produktit bazë, sepse konkurrenca nuk bëhet më te lulja, por te kompozimi dhe shërbimi.
Sipas të dhënave të INSTAT për kapitullin “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese”, pesha neto e importeve është rritur nga rreth 5.20 milionë kilogramë në vitin 2020 në rreth 9.53 milionë kilogramë në vitin 2025.
Kjo është një rritje afërsisht 83 për qind në gjashtë vjet. Edhe vlera është zgjeruar ndjeshëm, nga rreth 884.3 milionë në 2020 në rreth 1.39 miliardë në 2025, rritje afërsisht 58 për qind. Në vitin 2025, Holanda dhe Italia janë dy qendrat kryesore të këtij importi, por me role të ndryshme. Holanda kryeson në vlerë, ndërsa Italia në volum.
Floristët në kryeqytet pohojnë se kërkesa për buqetë lulesh në Shën Valentin është gjithmonë e qëndrueshme, shpenzimet për to nisin nga 2000-10mijë lekë.
Nga buqeta te tavolina, “shpenzimi i dashurisë” zhvendoset shpejt te restorantet dhe hotelet. Ajo që blihet në fakt është koha jashtë rutinës, një ambient që të duket i veçantë, një menu e menduar si ceremoni, një performancë e vogël që e dallon mbrëmjen nga një darkë e zakonshme.
Sipas komunikimeve me disa restorante në kryeqytet, çmimet për një darkë speciale mund të variojë nga 60 deri në 100 euro për çift, varësisht nga tipologjia e restorantit dhe ofrimi i menusë speciale. Për restorantet me një reputacion të njohur, çmimi mund të arrijë deri në 200 euro për çift. Në qytetet si Tiranë, Durrës dhe Vlorë, ku turizmi dhe aktivitetet janë më të pranishme, oferta e restoranteve dhe hoteleve që ofrojnë paketat speciale është më e lartë.
Në skajin tjetër të spektrit janë dhuratat “e qëndrueshme”, argjendaria, bizhuteritë, ora, parfumi, ku shpenzimi ka edhe një mesazh statusi. Edhe këtu, tregu ka mësuar të luajë me psikologjinë e konsumatorit: ulje çmimesh, koleksione me motive zemre, personalizime, kuti premium, pra mekanizma që e bëjnë blerjen të duket si investim emocional, jo si luks i thjeshtë. në një kontakt me argjendari Roche Bianka kërkesat këtë vit kanë qenë të përqendruara drejt produkteve të personalizuara, kostot për produkte të tilla varionin nga 120-500 euro.
Ndërkohë, për një pjesë të çifteve, blerja më e madhe nuk është një send, por një udhëtim i shkurtër, një fundjavë jashtë, një arratisje e vogël që kthehet në kujtim dhe përmbajtje për rrjete sociale, pra edhe në “kapital” simbolik.
Brenda vendit destinacionet më të kërkuara kanë qenë Vlora, Gjirokastra dhe Korça, si edhe zonat me resorte dhe hotele me shërbime spa, ku çmimet për një fundjavë për çift variojnë zakonisht nga 150 deri në 300 euro, në varësi të standardit dhe shërbimeve të përfshira.
Për udhëtimet jashtë vendit, interes ka pasur kryesisht për Romën, Milanon, Venezia dhe Stambollin, me kosto totale për dy persona që në shumicën e rasteve luhaten nga 400 deri në 700 euro, duke përfshirë fluturimin dhe akomodimin për dy net.
Kujdesi personal mendohet se zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet e femrave dhe çdo festë, sikurse edhe 14 shkurti, e dëshmon këtë. Kërkesat për t’i bërë partneres një dhuratë të tillë këtë vit kanë qenë të shumta.
Prej disa vitesh paketat ofrohen në çift, ose edhe të personalizuara për meshkuj. Kërkesat për të tilla paketa janë në rritje prej vitesh, duke rrëzuar mitin e dhuratave të zakonshme për meshkujt.
Paketat nisin nga 4000 lekë personi ose në ofertë 6000 lekë në çift.
Më 2015 mosha mediane (që ndan popullsinë përgjysmë) ishte 34.7 vjeç.
Për dekada me radhë, Shqipëria kryesoi Europën si një prej vendeve me popullsinë më vitale dhe më të re në kontinent, por të dhënat më të fundit nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se Shqipëria ka pësuar ritmet më të larta të plakjes, me një moshë mediane 44.3 vite në 2025, shumë afër mesatares europiane prej 44.9 vitesh. Në 2015-n, mosha mediane (që ndan popullsinë përgjysmë) ishte 34.7 vjeç.
Kjo do të thotë që në 2025-n, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, ndërsa 10 vite më parë Shqipëria ishte shumë më e re, me gjysmën e popullsisë që ishte më e re se 34.7 vjeç.
Teksa Europës iu deshën disa dekada të kalojë në një etapë plakjeje të popullsisë, Shqipëria e ka pësuar këtë transformim brenda vetëm një dekade, pasi nga viti 2015 në 2025 mosha mediane në vendin tonë u rrit me 9.6 vite, ritmi më i lartë në kontinent, teksa mesatarja europiane këtë periudhe ishte 2.1 vite.
Me këtë ecuri, vendi ynë ka humbur avantazhin e tij demografik duke u plakur 5 herë më shpejt se Europa në 10 vite. Ritmi i plakjes është aq i shpejtë, gati dyfish më i lartë se në Moldavi, e cila u plak me 5.6 vite në të njëjtën periudhë krahasimi.
Nga krahasimi i të dhënave, Shqipëria ka lënë pas mjaft vende që dikur konsideroheshin shumë më të vjetra se ne. Sot, ne kemi një popullsi me moshë mesatare identike me atë të Çekisë dhe Lituanisë, dy vende që prej vitesh përballen me kriza të thella demografike.
Edhe më alarmant është fakti se Shqipëria rezulton tashmë më e plakur se fqinjët e saj të afërt në Ballkanin Perëndimor; ndërsa Shqipëria shënon 44.3 vjeç, Maqedonia e Veriut mbetet në kufijtë e 42.1 viteve dhe Mali i Zi në 40.4 vjeç.
Procesi i tkurrjes dhe plakjes në Shqipëri po ndodh me një ritëm shumë më agresiv se te fqinjët tanë. Pasojat e këtyre zhvillimeve pritet të jenë të rënda për ekonominë kombëtare. Një popullsi me moshë mesatare 44.3 vjeç do të thotë më pak krah pune aktiv, më pak inovacion në treg dhe një presion të fortë mbi skemën e pensioneve dhe sistemin shëndetësor.
Nëse politikat shtetërore nuk arrijnë të frenojnë largimin e të rinjve dhe të nxisin krijimin e familjeve të reja, vendi rrezikon të hyjë në një cikël ku pleqëria do të jetë karakteristika kryesore e shoqërisë, duke e bërë objektivin për rritje ekonomike të qëndrueshme gjithnjë e më të vështirë për t’u arritur.
Më 1 janar 2025, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.9 vjeç. Midis viteve 2015 dhe 2025, mosha mesatare u rrit në të gjitha vendet anëtare të BE-së, përveç Maltës dhe Gjermanisë, ku ajo ra (të dyja me -0.4 vite).
Si rezultat i ndryshimeve demografike, përqindja e njerëzve në moshë pune në BE po zvogëlohet, ndërsa numri relativ i atyre që dalin në pension po zgjerohet. Pjesa e të moshuarve në popullsinë totale pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme./Monitor.al
Një intervistë e z.Jusuf Buxhovi tek EuroNews, emër i shquar në historinë moderne të Kosovës, historian, shkrimtar, gazetar e publicist, politikan, veprimtar i Elitës së Kosovës, një ndërthemeluesit e LDK-së – si Lëvizje Politike Demokratike, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, me orientim të qartë kombëtar pavarësinë e Republikës së Kosovës i cili flet rreth UÇK-së dhe aktualitetit më të zëshëm në Kosovë, të gjykimit në Hagë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Jusuf Buxhovi: Historia jonë është e viktimave dhe e genocideve kundër nesh!
Por duke folur si historian në Kosovën prej 1998 e të pasluftës, sipas të dhënave zyrtare, janë vrarë rreth 500 shqiptarë, veprimtarë të LDK, luftëtarë të UÇK, gazetarë vrasjet e të cilëve nuk janë zbardhur.
Përse drejtësia në Kosovë dështoi për 20 e sa vjet që ta parandalojë Hagën!
Të ngremë lart UÇK por nuk duhet t’i harrojmë viktimat në Kosovë!
Këto janë disa thekse të intervistës, të cilën mund ta ndiqni të plotë.
Në kuadër të Javës së Internetit të Sigurt dhe me rastin e ditës së fundit të kësaj jave ndërgjegjësuese, Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, dëshiron të përcjellë një apel të rëndësishëm për të miturit, prindërit dhe kujdestarët.
Nga të dhënat e përfituara nëpërmjet bashkëpunimit me NCMEC (National Center for Missing & Exploited Children – Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar), një organizatë amerikane që bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në mbarë botën, për identifikimin dhe raportimin e materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit seksual të të miturve në internet, rezulton një rritje shqetësuese e rasteve të raportuara.
Gjatë vitit 2025, Policia e Shtetit ka marrë 5 707 raporte të referuara nga NCMEC, që përkthehet në një mesatare prej rreth 475 raportesh në muaj. Ndërkaq, vetëm gjatë muajit janar të vitit 2026 janë administruar 655 raporte, duke treguar një rritje të ndjeshme të fenomenit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për prindërit që:
• Të monitorojnë dhe të jenë të vëmendshëm ndaj aktivitetit online të fëmijëve të tyre;
• Të komunikojnë hapur me ta, mbi rreziqet e internetit dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale;
• Të përdorin mjete kontrolli dhe masa sigurie në pajisjet elektronike.
Njëkohësisht, apelojmë fuqimisht që prindërit dhe çdo qytetar të ruajnë privatësinë dhe intimitetin e fëmijëve të mitur, duke mos shpërndarë apo ripostuar materiale të papërshtatshme. Këto përmbajtje identifikohen nga NCMEC, përmes teknologjive të specializuara, dhe të dhënat e poseduesve apo të shpërndarësve të tyre, i referohen Policisë së Shtetit, për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, prindërve dhe komunitetit, mund të garantojmë një përdorim më të sigurt të internetit, për çdo fëmijë. bw
Megjithë rënien e fortë të lindjeve, shtesa natyrore e vendit mbeti në territor pozitiv në vitin 2025 pasi vdekjet pësuan tkurrje më të fortë.
Shifrat e fundit të INSTAT mbi shtesën natyrore të popullsisë (lindjet minus vdekjet) dëshmojnë për një krizë demografike që po godet më fort qytetet jashtë aksit Tiranë-Durrës.
Edhe pse në nivel kombëtar shtesa natyrore paraqitet me një trend rritës, ky rezultat është tërësisht i kushtëzuar nga pesha e madhe që zë kryeqyteti, ndërkohë që në pjesën më të madhe të vendit vdekjet i kanë tejkaluar lindjet.
Tirana mbulon krizën e rretheve
Qarku i Tiranës vazhdon të jetë i vetmi bastion i fuqishëm demografik në vend, me një shtesë natyrore pozitive prej 3,803 lindje më shumë se vdekje vitin e kaluar. Në kryeqytet është përqendruar popullsia në moshë riprodhuese të ardhura nga qarqet e tjera për mundësi më të mira pune dhe arsimimi.
Pas saj, renditet Durrësi me një shtesë modeste prej 501 personash, i ndjekur nga Kukësi (+213) dhe Dibra (+125), zona këto që historikisht kanë pasur norma më të larta lindshmërie, megjithëse edhe atje rritja po ngadalësohet.
Lezha ndodhet në pragun kritik të qëndrueshmërisë me një shtesë pothuajse zero (+4).
Juglindja dhe jugu në “infarkt” demografik
Situata në lidhje me shtesën natyrore ndryshon rrënjësisht kur analizohet pjesa tjetër e vendit. Shumica e qarqeve kryesore të Shqipërisë, 7 prej tyre, rezultojnë me shtesë natyrore negative, duke konfirmuar se vdekshmëria po mposht lindshmërinë.
Qarku i Korçës mban rekordin negativ me -742 lindje se vdekjet, shifër që tregon një plakje të shpejtë të popullsisë. Fieri, dikur një nga qarqet më të populluara, vijon me shtesë natyrore negative -497. Qyteti bregdetar i Vlorës regjistron një humbje natyrore prej -454, ndërsa Berati ndodhet në kuotën -348 lindje më pak se vdekje.
Gjirokastra po shkon drejt një tkurrjeje të pandalshme me shtesë natyrore negative -323, ndërsa Shkodra, pavarësisht madhësisë së saj, shënon -247. Edhe qyteti industrial i Elbasanit ka kaluar në territor negativ me -120. Emigrimi masiv i të rinjve ka lënë pas një popullsi të moshuar, ku vdekshmëria është e lartë dhe vullneti për të krijuar familje të reja është i ulët për shkak të pasigurisë ekonomike në periferinë e vendit.
Nëse ky trend vazhdon, brenda dekadës së ardhshme, shumë prej këtyre qarqeve do të përballen me mungesë akute të krahut të punës dhe me një rënie të mëtejshme të shërbimeve bazë, duke e kthyer Tiranën në qytet-shtet në një vend që po shuhet në mënyrë natyrale./MONITOR
Pavol Szalai, shefi i Zyrës së Reporterëve pa Kufij në Pragë ka shprehur në LinkedIn shqetësimin pëër atë që po ndodh me gazetarët në Ballkan. Voal.ch po e sjell të plotë:Gazetarët në Ballkan kanë qenë (fjalë për fjalë) nën zjarr gjatë ditëve të fundit.
Gazetarët në Ballkan kanë qenë (fjalë për fjalë) nën zjarr gjatë ditëve të fundit.
🇦🇱 Në Shqipëri, operatori i kamerave Aldo Kashari i News24 u përfshi nga flakët pasi një koktej Molotov goditi furgonin e transmetimit (foto nga News24). Ai po mbulonte përleshjet midis protestuesve të opozitës dhe policisë.
🇬🇷 Chris Avramidis nga media greke Jacobin u kërcënua me një padi nga zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis thjesht për bërjen e pyetjeve legjitime në lidhje me një tragjedi me anije që kushtoi jetën e 15 personave.
🇷🇸 Në Serbi, mbrojtësi i lirisë së medias Veran Matic (në foto nga Kossev) ka qenë shënjestër e një fushate të dhunshme televizive shpifjesh që e akuzon atë për tradhti, gjë që nuk mund të ndodhte pa bekimin e udhëheqjes së vendit. I thashë medias serbe se do ta mbajmë Presidentin Aleksandar Vuçiç përgjegjës nëse Veranit i ndodh diçka.
🇧🇦 Kryeredaktorja e faqes boshnjake të lajmeve Spin, Tanja Vaskoviç, u sulmua fizikisht dhe telefoni i saj u sekuestrua me forcë, ndërsa raportonte për një çështje mjedisore. Autoritetet e klasifikuan incidentin si një shkelje të lehtë.
Në Ballkan shpërtheu ferri. Reporterët pa Kufij (RSF) janë këtu për të alarmuar dhe dënuar. Por ne kemi nevojë për forcat demokratike për të mbrojtur gazetarinë, përndryshe qytetarët do të jenë vetëm të ekspozuar ndaj propagandës. Bashkimi Evropian duhet të shtojë veprimet e tij në vendet anëtare dhe kandidate të BE-së. Ne kemi pasur rregullat dhe standardet evropiane për një kohë. Tani është koha t’i zbatojmë ato.
Shqipëria po hyn me shpejtësi në një fazë të re të tkurrjes demografike, ku viti 2025 ka konfirmuar këtë fenomen në shkallë vendi. Sipas të dhënave zyrtare, numri total i lindjeve ka zbritur në 21,425 në 2025, duke shënuar një rënie prej 8.1% krahasuar me 2024.
Kjo humbje neto prej 1,885 foshnjash brenda një viti tregon se hendeku midis 2021-ës (me 27,211 lindje) dhe vitit aktual po thellohet me shpejtësi. Të dhënat tregojnë se presioni nuk është më vetëm në zonat e thella, por ka prekur zemrën ekonomike dhe industriale të vendit.
Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në historinë e saj modern. Shifrat e fundit të vitit 2025 tregojnë një rënie drastike të numrit të lindjeve me rreth 74% krahasuar me fillimin e viteve ’90, ku Shqipëria regjistronte një rekord prej 82,125 lindjesh, ndërsa 35 vite më vonë, ky numër ka zbritur në nivelin kritik prej 21,425.
Rënia më agresive është vërejtur në dekadën e fundit; nga 32,715 lindje në vitin 2015, Shqipëria ra nën kufirin psikologjik prej 25 mijë lindjesh në vitin 2023, për të arritur në rekordin negativ të këtij viti.
Faktorët kryesorë që kanë ushqyer këtë trend janë plakja progresive e popullsisë, ku mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç, dhe ulja e shkallës së fertilitetit në vetëm 1.21 fëmijë për grua. Ky ndryshim i modelit të familjes, i kombinuar me ikjen e forcës riprodhuese drejt BE-së, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale
Dibra dhe Korça me rënien më të fortë
Goditjen më të rëndë e ka pësuar qarku i Dibrës, i cili kryeson listën me rënien më të madhe në rang kombëtar prej 20.4%, duke zbritur nga 1,095 lindje në 2024 në vetëm 872 në 2025. Pas saj vjen Korça, një qark që po përballet me një tkurrje drastike prej 18.5%, duke regjistruar 218 lindje më pak se në vitin 2024. Këto shifra sugjerojnë një zbrazje të vazhdueshme të këtyre rajoneve nga mosha riprodhuese, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë sociale në afatgjatë.
Presioni në qarqet e mëdha dhe industriale
Edhe zonat që tradicionalisht kanë pasur një qëndrueshmëri më të lartë ekonomike, po shfaqin shenja dobësie. Fieri shënoi një rënie prej 12.7%, i ndjekur nga Elbasani me 12.4% dhe Vlora po ashtu me 12.4%. Në qarkun e Durrësit, i cili shërben si një nyje kryesore ekonomike, lindjet ranë me 11.7%, duke humbur mbi 300 lindje brenda vitit. Kjo tendencë pasqyrohet edhe në Lezhë, ku rënia fiksohet në 11.2%.
Tirana dhe Shkodra, rënie më të butë
Tirana, megjithëse mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve (8,830), nuk ka mundur të ruajë rritjen, duke pësuar një rënie të lehtë prej 2.0%. Megjithatë, kjo është rënia më e ulët në rang vendi, duke treguar se kryeqyteti mbetet i vetmi pol që thith ende popullsinë aktive. Shkodra gjithashtu tregon një lloj rezistenc” me një rënie prej 9.7%, shifër kjo më e ulët se mesatarja e qarqeve të tjera, por sërish në territor negativ.
Gjirokastra, Kukësi dhe Berati gjithashtu me ulje
Në jug, Gjirokastra vijon të regjistrojë shifrat më të ulëta absolute me vetëm 301 lindje në vit, një rënie prej 10.4%. Kukësi shënoi një tkurrje prej 10.0%, ndërsa Berati regjistroi rënien më të ulët pas Tiranës, me 8.6% më pak lindje./Monitor
Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zgjodh sërish kryeministër i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të një mandati të rregullt katërvjeçar nga viti 2021 deri në fillim të vitit 2025 dhe ushtrimit të detyrës gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025.
Ai shërbeu për disa javë si kryeministër edhe në vitin 2020, por ajo qeveri u rrëzua, për shkak të mospajtimeve mes partnerëve të koalicionit lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Për Qeverinë e tij të re votuan 66 deputetë, kundër ishin 49, ndërsa abstenime nuk kishte.
Formimit të Qeverisë i hapi rrugë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, i cili u përmbyll po më 11 shkurt.
Institucionet e reja u formuan pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.
Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.
Në ekspozenë para deputetëve, Kurti premtoi investime në industrinë e prodhimit, në mirëqenien sociale dhe në mbrojtjen e vendit.
“Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në, SHBA-në dhe vendet mike nuk do të lëkundet, sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë”, tha Kurti.
Kush është Albin Kurti?
Kurti nisi karrierën politike në vitet 1990, me angazhimin në protestat kundër represionit të regjimit serb, për të vazhduar më pas si një nga emrat kryesorë në skenën politike të pasluftës në Kosovë.
Ai themeloi Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2005 dhe njihet si kritik i ashpër i elitave të mëparshme politike, të cilat i akuzon për korrupsion e nepotizëm.
Gjatë viteve, ai ka transformuar retorikën politike, duke u fokusuar sot në forcimin e shtetit të Kosovës si një entitet sovran dhe i pavarur.
Kurti ka pasur shpesh përplasje me komunitetin ndërkombëtar për veprime të perceptuara si në dëm të komunitetit serb, ndonëse ai i ka cilësuar ato si mospajtime të zakonshme mes miqsh dhe partnerësh.
Mandati i ri i Kurtit vjen në kohën kur Kosova përballet me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare, duke përfshirë dialogun me Serbinë, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës euroatlantike.
Analistët politikë vlerësojnë se qeverisja e tij e ardhshme do të varet nga aftësia për të krijuar konsensus mes partive politike dhe për të implementuar reformat e premtuara gjatë fushatës zgjedhore.
Adriatik Lapaj deklaroi pas protestës së Partisë Demokratike dhe fjalimit të Sali Berishës, se beteja kundër kryeministrit Edi Rama nuk fitohet me protesta simbolike apo të përkohshme.
Duke folur për Studio24, nga sheshi para kryeministrisë, Lapaj u shpreh se lëvizja që ai përfaqëson ndodhet prej 65 ditësh në protestë të pandërprerë dhe se që në fillim ka kërkuar një bashkim qytetar, pa logo dhe simbole partiake, vetëm me flamurin kombëtar.
Sipas tij, nevoja për të rrëzuar qeverinë dhe për të demokratizuar vendin është urgjente dhe kërkon një angazhim të vazhdueshëm qytetar.
Lapaj: Kemi 65 ditë në protestë pa ndalim. Jam në protestë gjatë gjithë kohës. Nuk kam qenë në protestën e PD-së; u zhvendosëm pak më tutje.
Që në fillim kemi qenë të qartë: kemi dalë në protestë pa logo partiake, vetëm me flamurin kombëtar. Kemi kërkuar një bashkim qytetar të të gjitha grupeve, duke lënë simbolet dhe logot mënjanë.
Ne kemi thënë se duhet një bashkim i madh qytetarësh. Kjo ndodh vetëm nëse i zhbëjmë “gardhet” e partive dhe heqim logot. Nëse më kërkoni të bashkohemi me PD-në, atëherë pse të mos bashkohet edhe PD-ja me një parti tjetër? E vetmja mënyrë është që logoja të lihet mënjanë dhe bashkimi të ndodhë në shesh.
Grupit të Hasimjas nuk i kemi thënë jo në parim. Nevoja për të rrëzuar Edi Ramën është sot, po ashtu edhe nevoja për të demokratizuar Shqipërinë dhe për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Bashkimi duhet të jetë qytetar.
Nëse e kanë seriozisht betejën me Edi Ramën, le të zbresin këtu, të qëndrojnë këtu dhe ta organizojmë këtu rezistencën. Nuk besoj te protestat “turistike”, sepse me protesta të tilla Edi Rama mund të qëndrojë edhe 100 vjet në pushtet, po të ketë jetë.
Komentet