VOAL

VOAL

Aspekte të origjinalitetit të Eposit Legjendar Shqiptar – Studim monografik nga AVDYL SULA*

April 24, 2016

Komentet

ART, KULTURË DHE SHARM ATDHETAR- Nga LULZIM LOGU

 

 

-Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj-

 

PASAPORTA:

Shtetësia:        Shqiptare

Ditëlindja:       12.12.1961

Eksperienca

  • 2016 – 2023 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
  • 2008 – 2016 Rekor i Universitetit të Arteve në Shqipëri
  • 1997 – 2007 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
  • 2007 – 2011 Anëtarë i Këshillit Bashkiak Tiranë
  • 2003 – 2006 Zv/Kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH
  • 1985 – 1997 Pedagog në Fakultetin e Artit Skenik në Shqipëri
  • 1981-1985 Përfundon studimet për “Aktor” në Institutin e Lartë i Arteve

Titulli akademik

1999   Titulli akademik  –  Profesor i Asociuar

2004   Titulli Akademik  –   Profesor

2020   Titulli nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë  – Mjeshtër i Madh

 Çmimet

1986:   Çmimi i dytë për aktorë, akorduar në Festivalin e Shtatë te Filmit Shqiptar.

1982:   Medalioni i Festivalit të Pestë të Filmit Shqiptar.

1979:   Medalje “Naim Frashëri” – akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë

SPECIALIZIME:

Gjate viteve 1995-2000 ndjek specializimet dhe stazhet profesionale në Shkollën Ndërkombëtare të Teatrit “Jacques Lecoq”, Paris (France), në Shkollën e Teatrit Murcia (Spanjë), në Departamentin e Shtetit Amerikan për Administrim-Menaxhim të Teatrit dhe të shkollave teatrore, si dhe organizimin dhe funksionimin e shkollave dhe kompanive teatrore, etj.

PJESËMARRJE:

Prof. Petrit Malaj është pjesëmarrës në shumë aktivitete periodike Evropiane dhe rajonale si festivale teatrore e filmike, konferenca e seminare, masterclass-e, workshope te ndryshme i angazhuar me cilësinë e pjesëmarresit, lektorit apo drejtuesit te sesioneve teoriko-profesionale (Lisbone, Shkup, Prishtine, Udine, Sofie, Sibiu, Badajoz, Lecce, L’Aquila, Pescara, etj).

PYETJE:  Të fillojmë me rrënjët dhe historinë tuaj personale.Vlora dhe Tropoja në fëmininë tuaj, cila është pesha e kujtimeve në formimin tuaj si karakter , si ka ndikuar  kultura dhe mjedisi i tyre në mënyrën e zgjedhjes së profesionit apo  në qasjen tënde kah puna diplomatike?

PËRGJIGJE: Fëmijëria ime është e ndërtuar mbi dy realitete të forta shpirtërore: Vlora dhe Tropoja. Vlora më ka dhënë hapjen, frymën detare, një sens lirie dhe komunikimi me botën. Ndërsa Tropoja më ka dhënë rrënjët, qëndrueshmërinë, ndjenjën e nderit dhe besnikërisë ndaj fjalës së dhënë.

Këto dy dimensione nuk janë thjesht kujtime, por pjesë e identitetit tim. Ato më kanë mësuar të jem njëkohësisht i hapur dhe i qëndrueshëm, i hapur ndaj përshtatjes por i palëkundur në parime. Në diplomaci, kjo është thelbësore: të dish të dëgjosh, por edhe të qëndrosh fort kur duhet.

Profesionin tim e kam nisur me aktrimin, një përvojë që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë njeriun, emocionet dhe mënyrat e komunikimit përtej fjalëve. Më pas, angazhimi im në pedagogji dhe në drejtimin universitar më ka dhënë mundësinë të punoj me të rinjtë, të ndërtoj ide, të menaxhoj institucione dhe të zhvilloj një qasje më të strukturuar dhe strategjike ndaj përgjegjësive publike.

Të gjitha këto përvoja, të marra së bashku, më kanë sjellë natyrshëm në diplomaci. Sepse në thelb, diplomacia është një kombinim i ndjeshmërisë njerëzore, komunikimit të kujdesshëm dhe përgjegjësisë institucionale, elementë që i kam ndërtuar hap pas hapi gjatë gjithë rrugëtimit tim.

PYETJE: Si ja dolët të kaloni nga një vend i vogël si Tropoja drejt një karriere diplomatike nderkombëtare?

PËRGJIGJE: Nuk besoj se vendi nga vjen e përcakton kufirin e mundësive të tua. Tropoja mund të jetë e vogël në hartë, por është e madhe në karakter dhe në vlera.

Rruga ime ka qenë një kombinim i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe besimit se mund të kontribuoj për vendin tim. Asgjë nuk vjen menjëherë. Janë vite studimi, përvoje, sfidash dhe, mbi të gjitha, një dëshirë e fortë për të bërë diçka për vendin tënd, si në art ashtu edhe për të përfaqësuar dinjitetshëm Shqipërinë.Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të mos harroj kurrë nga vij,sepse kjo të jep drejtimin se ku duhet të shkosh.

PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambasador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?

PYETJE:  Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambassador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?

PËRGJIGJE: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të natyrshme se kurrë më parë. Ato nuk janë vetëm marrëdhënie shtetërore, por mbi të gjitha marrëdhënie mes njerëzve, familjeve, kulturave dhe historive të përbashkëta.

Sigurisht, ka ende sfida ,sidomos në koordinimin institucional, në harmonizimin e politikave dhe në ritmin e zbatimit të projekteve të përbashkëta. Por mundësitë janë shumë më të mëdha: ekonomi e integruar, treg i përbashkët, shkëmbime arsimore dhe kulturore më të thelluara.

Prioriteti im si ambasador është ta bëj këtë marrëdhënie edhe më funksionale: më konkrete, më të prekshme për qytetarët, duke kaluar nga simbolika tek rezultatet reale.

PYETJE: A besoni se kultura, marrëdhëniet e përbashkëta kulturore, veprimtaritë dhe projektet e një kalendari të njesuar kulturor forcojnë lidhjen mes shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, cilat tradita apo element kulturorë nga Malësia e Gjakovës/Tropoja do të dëshironit ti ndanit me qytetarët e Kosovës?

PËRGJIGJE: Pa asnjë dyshim. Kultura është ura më e fortë që lidh njerëzit ,më e qëndrueshme se çdo marrëveshje politike. Një kalendar i përbashkët kulturor nuk është thjesht organizim aktivitetesh, por një mënyrë për të jetuar së bashku identitetin tonë.

Nga Malësia e Gjakovës do të sillja frymën e mikpritjes, kcimin e Tropojës, këtë pasuri tonën kombëtare,lahutën si simbol të kujtesës historike, këngët epike, poezinë e poetëve tropojanë që për mua kanë lë një gjurmë shumë interesante në letërsinë shqipe, dhe traditën e kuvendit. Ato mbartin një filozofi të tërë jetese: respektin për tjetrin, nderin dhe lidhjen me rrënjët.Këto elemente nuk janë folklor, por pjesë e identitetit tonë të përbashkët.

PYETJE: A ka aktualisht inisiativa konkrete për të nxitur bizneset e vogla dhe të mesme në bashkëpunim në optikën e projekteve strategjike në sfidën e integrimit evropian si dhe të programit ndershtetëror, sidomos në rrafshin gjeografik të malësë së Gjakovës dhe të Dukagjinit?

PËRGJIGJE: Po, ka një vëmendje në rritje ndaj bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Këto zona kanë potencial të madh në turizëm malor, bujqësi, blegtori dhe produkte tradicionale.

Sfida mbetet në krijimin e mekanizmave më efikasë mbështetës mes bashkive e komunave dhe biznesit kufitar, qoftë përmes lehtësimit të procedurave, financimit apo rrjeteve të përbashkëta të tregut.Qasja jonë është që këto zona të mos shihen si periferike, por si ura lidhëse zhvillimi mes dy vendeve.

 

PYETJE: Çfarë mund të mësojmë nga njeri tjetri sot në fushën e arsimit dhe kulturës si dhe të krijimit të hapësirave të zhvillimit dhe integrimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës. Si mundet që nxitja e artit dhe të kultures të forcojë identitetin tonë kombëtar ?

PËRGJIGJE: Ne kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri , jo sepse jemi të ndryshëm, por sepse kemi zhvilluar përvoja të ndryshme.Në arsim, mund të thellojmë bashkëpunimin në programe të përbashkëta, shkëmbime studentore dhe standarde cilësie.

Në kulturë, mund të krijojmë më shumë hapësira për artistët e rinj që të bashkëpunojnë përtej kufijve administrativë.Arti dhe kultura janë thelbësore për identitetin tonë kombëtar. Ato jo vetëm e ruajnë atë, por e zhvillojnë dhe e bëjnë të kuptueshëm për brezat e rinj.

PYETJE:Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni nxjerrë deri tani gjatë karrierës diplomatike?

PËRGJIGJE: Është një mësim i përbashkët për aktorin dhe diplomatin. E ky mësim  i rëndësishëm është se si në aktrim ashtu edhe në diplomaci para së gjithash duhet të dish të dëgjosh. Pra mësimi kryesor, para së gjithash, është arti i dëgjimit.

Shpesh mendohet se diplomati duhet të flasë mirë, por në të vërtetë, ai duhet të dëgjojë edhe më mirë. Të kuptosh tjetrin, edhe kur nuk bie dakord me të, është çelësi për të ndërtuar ura dhe për të shmangur konflikte të panevojshme.

PYETJE: Me një përformancë të ndjeshme  si aktor dhe artist, si mendoni se ka ndikuar arti në stilin tuaj diplomatik si dhe në komunikimin tuaj me publikun dhe institucionet? A ju ka ndihmuar përvoja juaj si aktor të kuptoni më mirë ndjeshmëritë komplekse njerëzore?

PËRGJIGJE: Arti më ka dhënë një ndjeshmëri më të thellë ndaj njerëzve dhe situatave. Si aktor, mëson të hysh në këndvështrimin e tjetrit, të kuptosh emocionet dhe motivet që nuk shprehen gjithmonë drejtpërdrejt.Kjo është jashtëzakonisht e vlefshme në diplomaci. Komunikimi nuk është vetëm çfarë thuhet, por edhe si thuhet dhe çfarë qëndron pas fjalëve.

Në këtë kuptim, arti më ka ndihmuar të jem më empatik, më i kujdesshëm dhe më i saktë në komunikim.

PYETJE: Mesazhi juaj për revistën tonë periodike dhe kulturore ‘’URAT’’ si një organ që promovon dhe vlerëson krijimtarinë letrare dhe kontributin intelektual të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare.

PËRGJIGJE: “URAT” për mua është një emër domethënës sepse pikërisht ura janë ato që na duhen më shumë sot: ura mes njerëzve, ideve dhe trevave shqiptare.

Mesazhi im është të vazhdoni të ndërtoni këto ura përmes fjalës, kulturës dhe mendimit kritik. Sepse aty ku ka dialog dhe krijimtari, ka edhe shpresë për një shoqëri më të mirë.

 

HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA… DHE LETËRSIA?!- Nga VISAR ZHITI

 

Kur një popull guxon të ndryshojë, (kupto: qeverinë më shumë…), di ta përjetojë epokën gjithmonë si të re dhe të dobishme, po mendoja…

Pasi lexova për zgjedhjet në Hungari,
që pas 16 vjetësh humb Viktor Orbán dhe fiton opozita me Péter Magyar, desha të thosha diçka për dy shkrimtarët nobelistë hungarezë, por po e nis me pyetjen politike:

PSE FITON DHE PSE HUMB?

Po pse fitoi katër herë rresht Viktor Orbán dhe pse i humbi?
Ai vërtet është një nga figurat më dominuese në politikën evropiane të dekadave të fundit. Ai i premtoi Hungarisë stabilitet dhe rregull, sovranitet dhe identitet, subvencione për familjet, ulje taksash dhe mbështetje për klasën e mesme. Dhe i bëri, lexoj sërish.
Orban mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër emigracionit. Rriti kontrollin ndaj institucioneve dhe ndikimin ndaj drejtësisë, etj, etj. U fut në konflikt me Bashkimin Europian, gjë që dha ndikim negativ në ekonomi. Po kështu dhe qendrimet e tij ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë, etj, etj.

Dhe vjen lodhja nga pushteti i gjatë, konsumimi, thonë opinionistët dhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë ndryshim. Opozita bashkohet…

Fituesi Péter Magyar vjen nga brenda sistemit, konservator i Qendrës së Djathtë dhe prandaj dhe u bë dhe më i besueshëm. Ai nuk kërkoi thjesht ndërrim qeverie, por pothuaj “ndryshim regjimi”. Hetime për mënyrën si janë përdorur fondet publike, krijime strukturash për rikthimin e pasurive të abuzuara.
Luftë serioze korrupsionit. Rikthim i demokracisë institucionale.
Pavarësi më e madhe për gjyqësorin
Fund kontrollit politik mbi mediat.
Ai premton një Hungari të lirë, europiane.

Çështje që i duhen shumë dhe Shqipërisë tonë.

16 vjetë në pushtet. Nuk duhej të ishte dhe aq e zakonshme për kohën tonë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste.
Lidershipi duhet ndërruar, se dhe idetë dhe projektet e së mirës pasurohen… etj, etj, e mund të vazhdoja të flisja kështu si në një fushatë ekektorake…

Hungaria deshi ndryshimin sërish, Hungaria që i flet botës dhe me zërat guximtarê tê shkrimtarëve të saj. Prandaj…
Dhe desha të flas dhe unë për dy nobelistë të letërsisë moderne hungareze. Ka të bëjë me çështjen, si jo?

DY SHKRIMTARËT NOBELISTË

Imre Kertész
dhe
László Krasznahorkai.

Njëri erdhi nga burgjet dhe kampet e holokaustit, nga përvoja e vuajtjes dhe dhimbjes ekstreme të shekullit,
ndërsa tjetri nga ankthi metafizik i botës bashkëkohore tani.
Të dy kanë njeriun përballë sistemit të frikës dhe shkatërrimit të kuptimit.
Dhe ndoshta ndryshimi rinis, kur një popull guxon të rishikojë vetveten pa iluzione sërish. Dhe letërsia rilind kur njeriu nuk pranon të heshtë, kështu po thosha me vete.
Po ç’sollën këta dy shkrimtarë në Hungarinë e tyre? Folën për politikë a patriotizëm? Jo. A ishin pjesë e pushtetit? Përkundrazi. Dhe as nuk janë. Përzjehen me fushatat elektorale?…
Është më e madhe ajo që kanë bërë dhe bëjnë, më e vyer dhe më e rëndësishme përherë. Do desha të përmbledh diçka, sa mundem këtu:

1.
Imre Kertész
(1929 – 2016)
Nobel 2002

…tregoi Aushwitz dhe Buchenwald, jo me patos, por ftohtë, pothuajse si të ishte “normale” për të na thënë se absurdi dhe tmerri mund të bëhen pjesë e përditshmërisë dhe mund ta humbësh lirinë dhe identitetin në mënyrë të padukshme.
Në totalitarizëm (nazizëm dhe komunizëm), njeriu në kushte çnjerëzore, a mundet të mbetet njeri?

Kur unë shkruaja për letërsinë e burgjeve, në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm”, kam marrë në ndihmë dhe Imre Kertész. Sipas tij Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon – dhe thekson se – “holokausti ka krijuar një kulturë” dhe letërsia e kësaj kulture ka nisur shumë më herët, ajo madje mundi të frymëzojë dhe Shkrimet e Shenjta, dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të linde faljen ose katarsisin.
“Evropa nuk eshtë vetëm treg i perbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (Imre Kertész “Il secolo infelice”, – librin e kisha gjetur italisht. Shën. imi.)

2.
László Krasznahorkai
(1953)
Nobel 2025

…tregon se pushteti absolut ushqehet me heshtjen. Dhe heshtja, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, duket si rend… Pushteti ka nevojë për heshtjen. Njeriu, jo.
Qytetari e kupton se bindja nuk e shpëton, vetëm se e zbraz.
Dhe vjen një ditë kur frika lodhet më shumë se liria.
Asnjë flamur nuk e pastron më gjakun, dhe asnjë fjalë nuk e mbulon të vërtetën.
Atëherë errësira fillon të çahet, si nga drita që vjen nga lart, dhe nga zëri që ngrihet nga poshtë.

Çfarë zërash! I dua… – MbiOpozitë – madhore.
E kam takuar László Krasznahorkai në Slloveni në një festival poezie, e kam treguar empatinë e tij për ata që vuajtën dhe shkruajtën burgjeve…

Sipas tij asnjë pushtet nuk është më i fortë se e vërteta që përpiqet ta fshehë dhe asnjë luftë nuk mund ta zhdukë plotësisht atë.
Në kohë terrori dhe rrënimi, arti mbetet i vetmi vend ku njeriu mund të shpëtojë nga gënjeshtra e pushtetit.
(Arti përballë – Terrorit apokaliptik).

Letërsia ekziston përtej çdo presioni dhe pritjeje dhe ruan shpresën… se bukuria dhe dinjiteti ende ekzistojnë.
Si shpirti. Po dhe me guximin e përditshëm për përmirësim…

* * *

A thua është dashur një letërsi tjetër që të sjellë dhe ndryshimin tjetër apo ndryshimi tjetër sjell dhe një letërsi tjetër? – po pyesja veten.
Shqipëria e postdiktaturës nuk shfaqi empati të vërtetë ndaj të përndjekurve, vuajtjes njerëzore, po edhe ndaj letërsisë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e dënoi prapë me harresë, sidomos pushteti çaktual, i zgjatur dhe i korruptuar i bijve të Bllokut të diktaturës. Kur duhej të dënonin të kaluarën e rëndë që na lanë etërit…

A thua ka faj letërsia, që është dhe ndërgjegje dhe kujtesë? Te ne kishte faj, as nuk diskutohet më. Realizmi Socislist, kërcëllijnë dhëmbët…
Po një popull që nuk lexon? Patjetër që ka faj. Se nis me veten, me çdo vetvete. Këtu po ndal. Ndryshimi është kulturë e përbashkët.

PREJ 800 JAVËSH ME GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL” Nga dr. Mujë BUÇPAPAJ

Të nderuar miq, sot është një ditë simbolike për stafin e gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”, është java e tetëqindtë që jemi në treg, prej nga themelimi i gazetës në janar të vitit 2009.
Tetëqind javë nuk janë thjesht një shifër në kalendarin e shtypit periodik. Ato janë një rrugëtim i gjatë, i qëndrueshëm dhe i mbushur me përpjekje intelektuale, krijimtari, sfida të panumërta dhe përgjegjësi publike. Arritja e 800 numrave nga gazeta letrare dhe kulturore, javorja kombëtare Nacional shënon jo vetëm një jubile kohor, por një dëshmi të gjallë të një modeli editorial të qëndrueshëm, të pavarur dhe thellësisht pluralist në hapësirën shqiptare të medias dhe kulturës, por edhe ne një diolog nderkombëtar.
Në një kohë kur media shpesh luhatet midis presioneve ekonomike, politike dhe komerciale, “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), ka zgjedhur një rrugë të veçantë: pavarësinë e plotë editoriale. Kjo pavarësi nuk është vetëm një parim i deklaruar, por një praktikë e përditshme, e ndërtuar mbi përkushtimin ndaj letërsisë, mendimit kritik dhe kulturës së lirë. Është pikërisht kjo autonomi që i ka dhënë gazetës mundësinë të mbetet një hapësirë e hapur për zëra të ndryshëm, shpesh edhe të kundërt, por gjithmonë të vlefshëm në dialogun kulturor.
Politika editoriale e “Nacional”-it është ndërtuar mbi një bosht të qartë pluralizmi. Në faqet e saj bashkëjetojnë autorë të traditës dhe bashkëkohorë, shkrimtarë të njohur dhe autorë të rinj, studiues, kritikë letrarë, poetë dhe eseistë nga hapësira të ndryshme kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ky pluralizëm nuk është thjesht një përzgjedhje teknike, por një filozofi kulturore.
Në këtë kuptim, “Nacional” është një gazetë elitare në standardin e saj të përzgjedhjes së teksteve dhe në seriozitetin e trajtimit të temave, por edhe gjeneraliste në hapjen e saj ndaj formave të ndryshme të shkrimit dhe ndaj një spektri të gjerë autorësh. Kjo e bën atë një platformë unike ku bashkohen estetika, kritika dhe reflektimi shoqëror.
Një nga dimensionet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi është roli ndërkombëtar i gazetës si një urë e dialogut kulturor dhe letrar. Përmes përkthimeve, prezantimeve të autorëve të huaj dhe bashkëpunimeve me studiues e poetë nga vende të ndryshme të botës, “Nacional” ka kontribuar në ndërtimin e një hapësire të vërtetë të diplomacisë kulturore. Në këtë hapësirë, letërsia shqiptare nuk mbetet e izoluar, por hyn në një qarkullim të gjallë idesh, estetikash dhe përvojash ndërkulturore.
Ky dialog ndërkombëtar nuk është një luks, por një domosdoshmëri në epokën e globalizimit kulturor. Në faqet e gazetës kanë gjetur vend autorë, poetë dhe studiues nga vende të ndryshme, duke e kthyer atë në një pikë takimi ku kultura shqiptare flet dhe dëgjon njëkohësisht. Në këtë mënyrë, “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), kontribuon në afirmimin e gjuhës shqipe si një gjuhë aktive në qarkullimin kulturor ndërkombëtar.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e këtij projekti editorial është promovimi i brezit të ri. Gazeta ka qenë vazhdimisht një hapësirë e hapur për autorë të rinj, të cilët kanë gjetur aty një platformë për të publikuar krijimet e tyre të para, për të eksperimentuar dhe për t’u formuar si zëra të ardhshëm të letërsisë dhe mendimit kritik. Ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm, pasi garanton vazhdimësinë e kulturës dhe krijimin e një tradite të re letrare.
Po aq i rëndësishëm është edhe fakti se ky rrugëtim 800-javor është mbajtur gjallë përmes një modeli të vetëqëndrueshëm ekonomik. Për gati dy dekada, gazeta ka funksionuar pa burime të jashtme financimi, duke u mbështetur vetëm në shitjet e saj në treg. Ky fakt i jep një peshë të veçantë këtij suksesi, pasi dëshmon jo vetëm për cilësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes, por edhe për një lidhje reale me lexuesin. Në një treg mediatik gjithnjë e më të vështirë, ky është një akt qëndrueshmërie dhe besimi reciprok mes gazetës dhe publikut të saj.
Në fakt 800 javë me gazeten/revisten “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), nuk janë vetëm histori e një medie, por histori e një ideje: ideja se kultura, letërsia dhe mendimi i lirë kanë nevojë për hapësira të pavarura, të hapura dhe të guximshme. Është një dëshmi se, edhe në kushte të vështira, një projekt kulturor mund të mbijetojë dhe të rritet, nëse mbështetet mbi pasionin, profesionalizmin dhe besimin në vlerat e vërteta të fjalës së shkruar.
Ky jubile nuk shënon një fund, por një vazhdimësi. Një ftesë për më shumë dialog, më shumë krijimtari dhe më shumë hapje ndaj botës. Sepse 800 javë janë vetëm një hap në një rrugë që, me siguri, do të vazhdojë të shkruhet.
Ky jubile i 800 javëve nuk mund të kuptohet pa falënderuar trupen e gjallë të këtij projekti kulturor: stafin e gazetës letrare dhe kulturore Nacional në Tiranë, Prishtinë, Ulqin, Tetovë, Shkup, Bruksel, New York, Gjakovë, Texas, Boston, Romë, Patra, Selanik, Athinë, Vjenë, Bazel, Londër, Paris dhe Stamboll etj, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për kulturën kanë bërë të mundur që kjo gazetë /revistë të mbetet një hapësirë e gjallë e fjalës së lirë dhe krijimit, një tribunë që frymezon idealin e bashkimit kombëtar. Në këtë rrugëtim ne vijojmë traditën më të mirë të shtypit kulturor kombëtar të themeluar nga Rilindasit tanë.
Një falënderim i veçantë u shkon mijëra bashkëpunëtorëve shqiptarë që, pa asnjë pagesë, por vetëm me humanizëm dhe idealizëm të shquar, kanë kontribuar ndër vite në pasurimin e faqeve të “Nacional”-it, duke e kthyer atë në një platformë të vërtetë të solidaritetit kulturor dhe intelektual.
Një mirënjohje e veçantë, e thellë dhe e përzemërt u drejtohet gjithashtu qindra bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë të gazetës letrare dhe kulturore “Nacional” , poetëve, shkrimtarëve, botuesve, gazetarëve, përkthyesve, albanologëve, profesorëve universitarë dhe artistëve të njohur të skenës bashkëkohore botërore, të cilët, me fisnikëri intelektuale, pasion krijues dhe ndjenjë të lartë humanizmi kulturor, kanë pasuruar çdo numër të kësaj gazete. Kontributi i tyre i çmuar e ka shndërruar “Nacional”-in në një hapësirë të vërtetë ndërkombëtare dialogu, ku kultura shqiptare ndërvepron në mënyrë të natyrshme me kulturat e tjera të botës, duke e ngritur gazetën në një platformë të gjallë të shkëmbimit estetik, kritik dhe intelektual, si dhe të diplomacisë kulturore bashkëkohore.
Po ashtu, mirënjohje e thellë shkon për stafin teknik, punonjësit e shtypshkronjës, shpërndarësit dhe shitësit e kioskave në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjithë rajonin ku “Nacional” shpërndahet në formë të shtypur, si hallka të pazëvendësueshme të këtij zinxhiri të gjallë komunikimi kulturor.
Një falënderim i përzemërt u drejtohet edhe të gjithë lexuesve dhe blerësve të gazetës, të cilët me besimin dhe mbështetjen e tyre e kanë bërë të mundur vazhdimësinë e këtij projekti unik kombetar. Suksesi i “Nacional”-it është, mbi të gjitha, rezultat i ndihmës dhe besimit tuaj.
Paçi gjithmonë bekimet e Zotit!
*Autori i shkrimit, poeti me njohje nderkombëtare dhe studiuesi i spikatur i letërsisë, dr. Mujë Buçpapaj, është themelues dhe botues i gazetës letrare dhe kulturore, javores kombëtare Nacional, e themeluar në janar 2009. Njëkohësisht, ai është edhe kryeredaktor i saj.

KJO ËSHTË E SOTME- Poezi nga PABLO NERUDA – Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

Kjo është e sotme: e gjithë e djeshmja bie rrëmujshëm

Brenda gishtit të dritës dhe syve të ëndërrës

E nesërmja do të vijë me hapa të gjelbër:
Askush nuk e ndal dot lumin e agimit.

Askush nuk e ndal dot lumin e duarve të tua,
Të syve të ëndërrave të tua të dashuruara,

Je drithërima e kohës që përshkon

Dritën vertikale dhe diellin e errët,

Dhe qielli mbyllet mbi flatrat e tij

Duke të sjellë në krahët e mi

Me saktësi, me mirëpritje misterioze.

Prandaj unë këndoj për ditën dhe hënën,

Për detin, për kohën, për të gjitha planetet,

Për zërin tënd prej dite dhe trupin tënd prej nate.

 

22.03.2011

Elegji për LUAN ÇIPIN – In memoriam nga Përparim Hysi

Ç’është ky lajm që më tronditi?
Ka ndërruar jetë,LUAN ÇIPI!!!
LUANI;zemëroqeani!
Oh,ta dish,sa më dhëmb xhani!

Luani me zemër fëmije
Dhe në moshë pleqërie.
Luani që për miq e shokë
T’i ndihmonte,bëhej copë.

Qe njeri me shumë virtute
Shpirti i tij mbushur “resurse”
Janë”resurse” me shumë vlera
Jo me fjalë,po me vepra.

Shquhej qysh në rini
Si njeri me shumë aftësi.
U diplomua si ekonomist
Muzikant dhe sportist.

Qe njeri me shumë merita
Dhe botoi mbi 20-libra
Qe shkrimtar e qe poet,
Eseist-ekselent!

Mbi të gjitha qe NJERI;
Qe NJERI zemërflori!
Tek po shkruaj,nuk ndihem mirë
S’i them dot:-Lamtumirë!

E ndaj dhimbjen me HANËMEN!  *
SE KJO e ka të madhe dhëmbjen
Dhe me çupat e me djalin
Të rrojnë e ta kujtojnë LUANIN.

Këto vargje si ngushëllim,
Nga miku i tij,PËRPARIM!

* bashkëshortja.

                                               Tiranë,11 prill 2026

VRAPTH- Prozë nga RUZHDI GOLE

-Përplasa kokën në ajër…
-Përplase në ajër kokën? Po pse u
përplaska koka në bosh?
-Po, po përplaset koka edhe në bosh.
Koka plot.
-Të dhembi ?
Shumë. Po dhe AJRI u ngjeth. Edhe ajrit i dhembin kryet. M’u duk se ofshau.
-Ofshau ajri? Si ofshau, e pe, e dëgjove?
-Po, po, AJRI ndiu dhimba. Kur AJRI ndin dhimba ahere ndijnë krisje gurët e gurët nisin të luajnë vendit, shkundin baltën e squllët të tyre a ngricat e dimrit, shkundin shiun e tetorit a rrezet përvëluese.
-Pse kaq shumë ngrica flenë te gurët?
-Po, po flejnë e zgjohen, zgjohen e kërcasin
-Kaq shumë baltra i lerosin gurët, kaq rreze i ngrohin, i përcëllojnë dhe i djegin?
-Po, po, ngricat bëjnë sikur flenë mbi gurë. A si ke parë si rrokullisen ato tek amfiteatri nga shkallët deri tek skena dhe herët në mëngjes ngjiten këmbadoras nga skena e bëhen shkallë?
– S’e besoj…
-A s’i ke parë baltërat që marrin rrokopujë rrugë e rrugica, sheshe e shëtitore, kthina e gropa, gropa e rrëpira?
– E besoj …
-A s’i ke dëgjuar gurët dhe baltërat s’i zihen e rrihen me njeratjetrën në qytet secila duke u mburrur për trojet e veta duke shkelmuar e fluturuar të gllabërojnë pronën e tjetrit ?
-Po pse edhe gurët, edhe ngricat
gllabërojnë njeratjetrën?
Gllabërojnë – sikur më pyete? – Oj, të gllabëruar, oj të përtypur, oj ç’të qëlluar, oj, ç’të gremisur.
-E besoj, s’e besoj, eh, …
-Asnjera prej tyre nuk zë vend as këtu, as atje, unë e besoj por edhe dyshoj. Rrugët ato që ishin janë edhe nuk janë njësoj. Aty zgjerohen e plasin, aty ngushtohen në grykë e pëlcasin. Eh, aty qeshin e mbajnë neone, stola e pemë e lule në tabanin e tyre, aty psherëtijnë, zverdhen, squllen…eh,…eh…
-E besoj, s’e besoj, jetoj me gishtat tek petalet…
-Besoje pra… AJRI ka buzë të buta, por dhe brire sa s’ka. Të puth e të godet. Dhe kë godet e puth? Të urtët e vet. Më urtakët. Pemën që sapo doli nga stina e nxehtë, pellgun që i shkriu ngricat por e zuri drithërima nga thatësira ndër fletë. Dhe kë godet e puth ? Lodrat e erës në breg.
-Era luan në breg, në kopsht?.
-Era luan ku të dojë me rrasa e plasa, me cingël e gërnetë, me bigaçe llastiku. Era, hera herës, vret syrin e vet, jo syrin e të ligut.
-Era paska sy? S’e besoj, e besoj….
-A nuk ke dëgjuar s’e janë shurdhuar ca rrugë në qytetin tonë, se janë verbuar qelqet e ca dritareve? Rrugët kanë mbetur pa llagape ngaqë njerëzit e rrugëve ua shqyejnë dhe ua thërrmojnë atyre llagapet në bashki kush t’i’a zerë vendin njeratjetrës. Dritaret kanë mbetur pa vazo mëngjesi. Dritaret zgjohen, shkundin natën se mjaft u vyshkën nëpër natë, por edhe agu i gjen me kërcinj të thatë
-E besoj, s”e besoj, nata dhe dita janë e s’janë njësoj…
-Besomë mua, dita dhe nata kanë po ato duar, po ata sy, po ata veshë, në mos njeratjetrës ia japin të njëjtat gjymyrë herë të nxehta, herë rrebesh. Dita gatuan brumin, (ndoshta,) nata tinëzare brumin e helmatis.
-Po rrugët ku takohen, ku ndahen ?
-Gjithçka prej tyre është një, një e vetme, aty shembëllejnë nga dhëmbët, aty grinden e shahen. Se edhe rrugët shqepen, o njeri, për ndërtime të reja në qiell.
-S’i dilka toka njeriut, si dilka asnjë breg e bregore, s’i dilkan rrëpirat, grunjërat, plantacionet, revolucionet dhe luftrat për ta mbajtur vet gjallë e paqtë për të mos e shkatërruar këtë botë gjer në kockë ?
-Njeriut gjithçka i del e i tepëron, njeriu gjithçka e ndërton me njerën dorë dhe me tjetrën e thërrmon para syve të vet. Përderisa deri tani ne s’njohim e s’kemi parë botë bote tjetër, ahere këtu do shtohemi e do pakësohemi përhera (me drithërat, ujërat, sektet, sekset,)
-S’e besoj, më shkalafite fare…
-Përderisa njohim veç këto tipare të
motit, (ç’stinëra jetojnë në botën dreq e kateq nëqoftëse ka tjetër botë ?), ahere ne këtu do shpartallohemi e do shpallemi fajtorë të vërtetë e gënjeshtarë të pafajshëm, këtu do tokim duart plot gjemba të njeritjetrit, do qafohemi e kafshohemi, do qafohemi e kafshohemi, do përvëlohemi e ngrijmë…në pëqinjtë dhe portat e njeritjetrit.
-Më dhemb koka, po më plas, po më çahet…
-Qe besa, kjo është mbarësi e shkuar mbarësisë. Një kokë që dhemb e çahet ka farë e mend, diç prej kambane, diç prej rrezeje dhe … acari. Jo kambanë bosh.
-Oh, ç’poetikë, oh,…
-Çfarë ke, u plagose? Po të lëndon AJRI, po të plagos cifla e gurit, t’i dogji sytë vet’tima, t’i… Hajde dalin shpejt nga kjo gjys’ përrallë e shkojmë nga bregu tjetër.
-Mua njësoj më duken të gjitha brigjet : përralla, legjenda, heronj, dekorata, kuvende me foltore zjarri e grushtash.
-Oooo, shiko, shiko, paska dal era me stetoskop, paska dal Dielli me kufje në vesh, paska çel agu me trandafil në buzë, por si…si s’i pa askush ? As unë as ti, as tjetri, as tjetra.
As AJRI ?!!

Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës- Cikël me poezi nga KRISTAQ TURTULLI

.
Një poezi shumë e hershme e gjetur rastësisht në një fletore, kushtuar tim ati, që kur u operua për herë të tretë, nuk gjendej ne Korçe një limon të lagte buzët e zhuritura…
.
Limoni nuk bie prej qielli…
.
Në tavan e dhimbjes
rritet një pemë limoni
me rrënjë në plagët e operuara të tim ati.
Limoni nuk ka tokë,
As nuk bie prej qielli.
Limoni ushqehet me erën jodi
dhe psherëtimat e pambaruara të tim ati.
Lekundet Fruti i limonit si djalli,
mbi gojën hapur te semurit,
verdhësia e vjeshtesise
si një diell i varur me pendime.
U tha loti I limonit pa rene perdhe.
Babai nuk është më njeri,
është një det i qepur keq nga operacioni,
ku valët përplasen pa ujë.
Ai hap buzët dy dyer të ndryshkura,
dhe brenda tyre në shkretëtirë pi vetme fjalë
“Limoni…”
por fjala shndërrohet në imazhe të lodhura
ngjiten në mur dhe vdesin pa zë.
Unë kërkoj një gotë,
por gota eshtë bërë guaske,
brenda meje dridhet veç jehonë
e gjërave që nuk ekzistojnë.
Limoni mbi ne fillon të rëndohet,
pikon dritë të hidhur
që kurrë nuk arrin poshtë.
Në buzët e përthara,
me një gojë të mbushur me mungesë,
ndërsa fruti, në ajër plaket dhe një ditë
do të thahet pa rënë,
si një diell i vogël i refuzuar.
Ndërkohë, unë mbledh farat që s’ekzistojnë
dhe i mbjell në gjuhë,
duke shpresuar të rritet një ditë.
KRISTAQ@TURTULLI
JANAR 1968- 2026
.
Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.
.
Pranvera nuk pret derën e motit,
ajo është brenda meje, zjarr i qetë.
Jashtë shiu godet tokën si kujtime të ngrira,
qielli ulërin mes lotësh të ftohtë
bora kafshon rrugët me dhëmbë të bardhë,
Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.
derdh ngjyra që ende s’ekzistojnë,
dhe nga plagët e dimrit
rrjedh një dritë e egër…
një pranverë që nuk lind nga moti,
por nga rebelimi im,
pemët tashmë janë në flakërimë lulesh.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Nipit tim, vogëlushit Peter Turtulli
.
Shkëndijim vezullues ndjeva në zemrën time,
mëngjesin e pranverës kur linde, burim dritësie.
Gëzim më dhurove vogëlush, ndjenjë krenarie.
Yll i çmuar për mua je, ngrohtësi shpresëdhënëse.
.
Me flladitje vogëlush erdhe mes nesh, me përtëritje.
Një jetë kam jetuar, kam parë shumë ditë,
Në stuhi jetova, krijova të panumërta shtigje,
S’krahasohet asgjë me gëzimin e ardhjes tënde.
.
Dua të mësoj fjalë të vërteta, të lashta, të reja,
Si të mbrosh ëndrrat dhe të gjesh shpresa,
Të tregoj si mund të jetë e nesërme bota,
Si të përpiqesh, të zbulosh çfarë fsheh jeta.
.
Në çdo e qeshur jotja, çdo buzëqeshje,
Për mua është gëzim, është ripërtëritje.
Sepse në shpirtin tënd, unë shoh ëndrrën time,
Breznitë tona zinxhir lidhur në përjetime.
.
Rritu vogëlush, rritu me shpresë e gëzime
Mos ki frikë, mirësinë, bekimin pranë gjithnjë e ke,
Kur të rritesh, për mua do jesh burim krenarie.
Nuk ka rëndësi, do jem në tokë apo mbi re…
KRISTAQ@TURTULLI
Mars 2025- Mars 2026
.
Në bebe të syrit mbaj lotin e ngrirë të nënosë.
.
Varur qëndrojnë në degët e mështenkave,
Hënat e zverdhura të fëmijërisë sime.
Mbi to lëkundet lot i ngrirë i nënosë.
Zhumshëm tundeshin sa herë frynte era.
.
Humba në pyllin me hëna të zverdhura
Të gjeja lotët e ngrira që kish varur nëna.
Përpiqesha tu shmangesha pëllgjeve dhe hidhësive,
Më lëndonin dhembët e yjeve.
.
Mbështillesha me petkun e bardhë të mështeknave.
Në bebe të syrit mbaja lotin e ngrirë të nënosë.
rëndonin mbi çatitë e gërmuqura të shtëpive,
Rrëshqisnin në sfalt më gjakosnin këmbët e zbathura.
.
S’më dëgjonte kush kur zë dridhur përshpërisja:
‘Ju lutem blini bajame të pjekura nga nëna’.
Era grindej, gërvishte rrugicat me thonjtë e pista.
Hënat e zverdhura e viteve të largëta fëmijërisë,
Varur qëndrojnë në degët e drithërimave,
Tunden zhumshëm sa herë fryn era.
Në bebe të syrit mbaja
Lotin e ngrirë të nënosë.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Kosovë, Tokë e Zjarrit dhe e Dritës
.
Kosovë,
emër që del nga dheu si psherëtimë,
si gur i lagur me gjak e shi,
si këngë që s’u këput kurrë në grykë,
Në qiellin gri…
Kosovë.
Në fushat e tua fryn era e lashtë
e betimit e besës e bukës së ndarë,
e nënave që pritën me sy kah mali,
e burrave që shtrënguan tokën e të parëve,
E zemra e tyre kurre nuk ndali.
Në Prekaz u ndez një flakë
që s’ishte vetëm zjarr armë,
por dritë që kërkonte agimi,
Mbi supet e historisë u ngrit emri
Adem Jashari,
që kurre nuk përkulet, si lisi
si gur që nuk tretet në furtunë e shi.
Kosovë,
ti u bëre flamur dhe plage
lot dhe njekohesish këngë
Në netët e errëta, me britma u mbush qielli,
ti mbete gjallë në ninullat e nënave,
në pëshpërimën e fëmijëve që mësuan fjalën “liri”
para se të mësonin A, B C-ne.
Në Reçak me zë të rëndë toka foli
bota dëgjoi dhimbjen që nuk u fshi,
kujtimet u ngritën nga hiri
Endrra vigjëlonte majë lartësive per liri.
E kur erdhën ditët e kthimit,
Me hapa të lodhur u mbushen rruget,
por me sy të ndezur nga shpresa.
Mbi kupën e qiellit u hap një dritare,
Plot drite, nga Prishtina
u dëgjua fryma e një populli
mbijetuar në ardhjen e çdo mëngjesi.
Kosovë,
lufta jote nuk është vetëm armë,
është mënçuri,
qëndresë në heshtje,
është gjuha që s’u ndal,
shtëpia e rindërtuar gur mbi gur te syri.
Ti je toka që botës i mësoi
se liria lind nga dhimbja,
por rritet me dinjitet dhe fisnikeri.
Kosovë
në çdo agim që çel mbi malet e tua,
dielli duket sikur ndalet një çast,
që të përshëndesë
një popull që kurrë nuk u shua.
KRISTAQ@TURTULLI
.
DËBORA BINTE PARA DRITARES SIME
.
Dëbora binte para dritares sime,
ngadalë, si të kish frikë mos më zgjonte.
Me kujdes zbriste çdo flok bore,
si një kujtim që dhemb pa zhurmë
mbi gjërat që s’janë më.
Bora bardhë zbardh gjithçka,
por mallin s’e mbulon.
Ai zgjuar rri,
si një dritëzë e vogël
në fund të shpirtit tim
Më merr për dore
dhe më çon te Korça ime,
në rrugët ku bora kishte emër,
ku nata këndonte serenata
dhe zemra
s’dinte ç’ishte largësia.
Bora bie, ngadalë bie
më çon te nëna ime:
te zëri i saj i butë,
te dora e saj që borën fshinte,
nga supet e mia të vogla,
te ndriste fëmijëria…
Por unë fëmija nuk e dija
Sa shpejt nxitonte dhe ikte jeta.
Tani këtu, milje larg, bora bie ndryshe.
E bardhë.
E qetë.
Akull e ftohtë.
Por brenda saj
fsheh një ëndërr të vjetër
atë që më mëson
se gjithçka që humbëm
Mes nesh, ende jeton.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe
.
Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe
Ne atdhe njejta dajre bie
Në gishtat me kallo të shekujve.
Dallgët pështjellimi e rrokopuje
ngrihen mes lotësh, male.
Këngët joshëse të sirenave
të dehura rrinë
mbi dete dhe oqeane.
Skërmiten ujqit mes fshatrave që nuk gjenden në pyje
Muret e rrënuara grinden me erërat anonime
Qytetet përtypen në heshtje,
mbeten sa një guaske veze.
Secili prej nesh, ndoshta një Odise më vete,
secila grua, ndoshta një Penelopë pa sepete.
Brezlëshuar mbeti fjala brezave.
Makinat shkojnë e vijnë mjegullnajeve.
Shalli i nënës: dert, mall, dhimbje,
shtëllungë e ronitur reje.
Amaneti i babës: gërmuqje e shkëndijë rrufeje.
Malli i pashuar mbeti në shkrepa dhe brigje.
Në memorie mbeti serenata e hershme:
“Dua më shumë Shqipërinë.”
A mund të jetë kjo e vetme?
Atdheu bëhet gjithnjë përgjysmë,
Pa amanete?!
Vitet e mergimit verteten si gure ne tespije.
Ne ardhe e njejta dajre bie…
KRISTAQ@TURTULLI
.
Motrës sime Krisanthi ( që u nda nga jeta para dyvjetësh)
.
Motra ime e brishta, shpirt bukura,
ëndërr çiltëra.
Dikur me fustane basme, të holla,
mollëza të përskuqura
nga ëndrra që s’u tha.
Me gishta të bardhë, delikatë,
në dritaren me stalaktite
vizatoje zogj pendëartë.
Hu, hu — hukatnin
doçkat e mia të vogla, të ngrira.
Mi puthje, mi ngrohje me buzët e bukura.
Jashtë skërmitej e ftohta, ngrica,
qielli mbushej me lot kristalorë.
Doje, motra ime, të krijoje diell të ngrohtë,
Qiell të kaltër, me zogj këngëtarë,
pa shpendë grabitqarë.
Ndaj në qiellin kristaltë vizatoje,
Pranverë, nuse të veshura me fustane
të bardha nusërie…
Por ishte dimër, tmerrësisht ftohtë,
dhe zogjtë të trembur fluturonin, një nga një,
me mot të vranët dhe rrufe
drejt të largëta, të pajohura vise.
E ëmbla motra ime,
të mundonte vetmia e madhe,
edhe pse gjendeshe
mes një turme zhurmëmadhe.
Si zog i brishtë dridheshe,
nën një strehëz të vogël,
nën furtunë shiu dhe ere.
Krisanthi e mira motra ime,
krahë dallëndyshe në qerpikë,
Ngado dhuroje botë drithëruese mirësie,
dëlirësie, dhembshurie, dashurie.
Sërish hidhje në kanavacën e bardhë
një diell me shtatë ngjyra drite
dhe zogj pelikanë pendëartë.
Dhe pse ike, motra ime mbete,
mirësia, dashuria, vlera, fisnikëria vetë,
që rrallë bën nëna në këtë jetë.
KRISTAQ@TURTULLI
.
BORA, NËNA DHE UNË
.
Bie bora para dritares sime.
E shoh nënë dhe të flas në heshtje:
e mban mend këtë borë të bardhë,
Shpesh me ere dhe furtune?
Ti nuk përgjigjesh me fjalë.
Në këtë fund dhjetori vjen me ngrohtësi,
si një dorë e butë shallin më rregulloi
Tani në moshë të thyer, zemra më drithëroi.
Në hatulla, pëllumbat strukur janë.
“Mos u trembni,” u thoshe nënë,
“dimri kalon, ju ngroh nëna”
Ashtu siç ma thoshe mua
kur kthehesha nga shkolla duar të ngrira
dhe sy nga thëllimi të lagura.
Bora e bardhë bie ngadalë
Më çon larg, ku nata këndonte serenata
dhe ti nënë dritaren hapje ngadalë,
kënga të më përkundte, të më zgjonte.
Të kujtoj nënë, te pragu i derës më prisje,
Bora e bardhë të zbardhte flokët e bardhë,
Më përcillje, sikur bota të mbaronte pas meje.
Sot, bora e bardhë bie ndryshe.
Zëri yt më përgjigjet në çdo heshtje.
“Jam këtu, aty ku më mendon,
sa herë bie dëbora, sa here ka ere dhe furtune,
ti vjen heshtas, ëmbël te unë,
Nene. Si kjo bore e bardhë …
Dhjetor 26. 2025
KRISTAQ@TURTULLI
.
FUND VJESHTE
.
Fund vjeshte
Oh, ja!
Pelerina e gjelbër e barit u tha.
Fletët e fundit, të zverdhura,
ngadalë rane,
me lëndim pyllin lanë,
ngjyrat e mrekullueshme
shkuan, u tretën,
si vegime që veniten në kujtesë.
Purpuri, freskia,
flokët kaçurrela të mëngjeseve,
rruazat e argjendta të vesës,
Ne mjegull u shkrinë,
Dhe faniten si relike të vjetra.
Oh, ja!
Si femër e lënduar,
vjeshta fustanin flaku,
varëset, vëthët e arta,
të kuqen e buzëve
me lot e lau,
me dhimbje e fshiu.
Sekretin e saj të fundit,
plakërinë,
e zbuloi pa druajtje.
Moskokëçarëse, gjarpëruese,
bryma zbret,
depërton në palcë, të përvëlon.
Oh, ja…
Fleta e fundit ra.
Dhe vjeshta,
marrëzisht, drejt zhdukjes
shkau.
Por përsëri një puthje e fshehtë
E një hënë të bardhë u dha…
Shkelqimi dimeror mbi qerpikë ra…
Kristaq@Turtulli
.
Kristaq Turtulli
SIKUR FARE PAK TË MË DESHE…
.
Sikur fare pak te me deshe…
Hënën si medalion në gjoks do kishe,
Me mrekullinë shumëngjyrëse të vjeshtës do visheshe,
Si princeshë do rrëzëlloje.
Ashtu e magjishme do më dashuroje..
U përkuqe,
mënjanë kryet ktheve.
Kujtova se ishin naze.
Çuditërisht ylli polar ne mes u thye,
Nuk mundi te dergonte pershendetje.
Sikur fare pak të më deshe.
Më dëgjon, sikur fare pak të më deshe…
U përtype, s’fole,
E përhumbur, mes të natës, udhën e shkretë humbe .
Krisën yjet si xhama, ranë përdhe
i bëri gjerdhan ne qafë,
qeni me këmbë pate…
Hej, sikur fare pak te me deshe…
Ti nenqeshe,
Moskokëçarëse, shkunde nje peme vjeshte.
U thyen nje nga nje
shkallinat e argjenda,
Shpresa të ngjitesha
Në liqenet vezulluese të hënës u pre.
Sikur fare pak të më deshe.
Do pija me nje frymë
Verën e butit të endrrave.
Ti qeshe,
Do deheshe, më the. Bota me ty do talleshe.
dhe syrin e majte perdrodhe.
Era më tundi, shkundi si karthje.
Degdisi tutje një fjalë zemre.
Rrëzoi përdhe gjethet nje pylli vjeshte.
Eh ! Sikur fare pak të më deshe,
Të bëje reale një puthje.
Do kish shumë puthje,
drithërima të sinqerta dashurie,
Qielli do ishte në perskuqje mirësie…
Sikur fare pak të më deshe…
Me perden e mjegulltë qeshjen fshive,
Me the: Hej, të gjitha jane imazhe
Yjet dhe hënën i kemi me vete…
Si mundemi kur ato i theve?!
Do gjenden ne te tjera universe…
Ah! sikur fare pak të më deshe…
KRISTAQ TURTULLI

LYPIM  AJËR- Tregim nga RUZHDI GOLE

 

 

 

Kërceva përpjetë. M’u trallis gjumi, m’u llaftaris.

Edhe frika u hodh përpjetë.

( Hidhi tutje!- tha buzëthati. )

-Ku t’i hedh ?

-Shtiji ku të duash, gremisi !.

Ç’të gremis? S’është gjë e rëndë, një grusht

dhe do përsipër.

I rëndë, i lehtë, në të s’ëmës – tha buzëthati.

Nuk sheh ç’bëhet, o qorr? Mund të na shohin, të na ndjekin

Unë paksa nuk shihja mirë, por qorr…

– ia preva mendimin shkurt vetes.

Tjetri, i vdekun s’gremiset- mendova.

Edhe vdekja ka gjumin e vet, edhe

ajo zgjohet.

Ç’the ?- më pyeti ftohtë buzëtrashi.

(Dëgjoi ndonjë fjalë, fola me vete.?)

Edhe vdekja meriton të nderohet –

i thashë prerazi buzëtrashit..

(Ai u tromaks. )

– Ç’the ? Po pse vdekje

është kjo e këtyre të humburve ?.

Ndryshkur dhjetë vjet – belbët fola.

Dhjetë vjet ndryshkur pse i mbanim,

pse i fshihnim, ç’na duheshin …

 

Përse po flisnim ne të dy me natën

në mes? Na ngatërroheshin keq

ngjarjet. Herë mua më dukej sikur

kudo që shkoja mbaja një trastë

të madhe me vete mbushur me …

(me se ?), herë më dukej sikur

tërhiqja një rrjetë peshku … në

kodër. Në kodër? Ç’tringëllonte

rreth meje, rreth tjetrit, përqark ?

Lajthitur ngasjet e ngjarjet

dhe ne të lajthitur.

 

Ç’kishim me vete?

 

Mua më rëndonte gjithçka. Pastaj

gjithçka më bëhej pendëz.

Po fle në këmbë ? – e ngacmova shokun.

-Kush po fle? Ti po fle?- kërceu ai përpjetë.

M’u duk sikur tjetrit iu holluan buzët,

iu leqendisën këmbët, zëri iu hollua.

-M’u shpif më keq – tha buzëholli.-

m’u bë gjëmë e stërgjëmë kjo e

përpjetë sonte.

Përplasi fort pëllëmbët sikur donte

t’i thoshte gjithçkaje përreth të shporrej.

Më hëngri frika. Gremise ! – tha buzëholli.

(Kë të gremisja ?)

Po fliste për këlyshin, ndoshta.

Bukën e tjerëve hamë edhe ne –

mendova në të qetë.

Ç’të gremisja.?

Një lepur ? S’ishte as lepur as bushtër.

Ishin prangat e një të burgosuri.

Po i burgosuri pa pranga ku ishte ?

S’ishte as njera as tjetra…

Gjysma lajthitur unë tani ?                                                        

Hilja, frika, grushti krruspull ishin aty?

Pështyma, pështirosja?

Shkelmi, thika, satëri?

Po lajthis, më duket …

(Dikur shkruaja ose bëja sikur shkruaja.

Edhe tani nuk përmbahem dot nga

frymëzimi thurrshthurr e nuk di

ku jam, ç’kujtoj, ç’flas.

Jam dhe s’jam me veten, me tjetrin.)

 

O, dreq dreqnish, ç’të gremis tutje?

Gremisëm ç’ishte për t’u gremisur.

Gremisëm edhe veten. Shkonim nga

shkonim dhe para syve na dilnin ata.

Cilët ata, thuama?

Të gremisurit tanë, pra. Të afërmit tuaj

gremisur prej nesh.

Në ç’kohë ndodhi kjo ? – më pyet ti.

– Po ku kishte kohë ahere, o njeri ?  Koha ishte vdekje lepuri. Ngordhje lepuri. Vdekja ishte shurrë që lante fytyrën e kujtdo.

 

(Mos e tepëro, o njeri, mos…Nuk

mund të flasësh kështu. Mos shkruaj

asgjë nga këto – sikur i thoshja vetes.)

 

Vdekja ishte pjesë. Pjesë e secilit,

mysafir dite, po më shumë nate.

Vdekja nuk është poeti, o dështak –

shava veten ndër dhëmbë.

 

(Groposi thellë, thellë e më thellë –

sikur më tha atëhere buzëholli.)

Buzëholli a buzëtrashi?

Po ngatërrohesha me veten.

(T’u dhimbska një lepur ?-

zë nga hollëtrashi.

Ç’lepur ?- iu gjegja.)

 

Si iku ajo natë, ajo gjëmë as Zoti nuk e di.

Zoti nuk i di të gjitha. As fati s’e di ngahera

shtegun e vet. Pse e di nata kur do të gdhihet ? E di njeriu se kur do të vdes?

Përcolla pështymën e helmatisur

tëposhtë grykës. Grykës si fyell.

 

M’u trallis gjumi, m’u tromaks. Dhjetë vite

copa-copa gjumi im. Rrahëm rojen e bankës, nuk na jepte çelësat, ia rrëmbyem, tërhiq e tërhiq, thua ia shqyem këmbët.

Hëngri e hëngrëm grushte, përplas nofullat, çelësat ia vodhëm.

 

(Atëhere jetoja të njëzetat unë. S’e doja

shkollën, më rrëmbeu rruga… )

 

Do prisnim një natë qameti e do shkonim

prapë tek banka. As vet s’e dinim pse do

shkonim. Zakon hajduti. Brava do ishte tjetër. Do shkonim atje. Na duhej një kafshatë bukë për të jetuar.Do lypnim ndonjë qindarkë nga njerëzit që hynin e dilnin nga porta e madhe rrëshqitëse e bankës në ora 8 të mëngjesit.

 

Shkuam njëdizaj… Njerëzit, në bankë, hynin

me çanta, me qese, me-e-e- (m’u mbajt goja,) por dilnin nga banka me duar bosh duke rrëshqitur (???!!!) sa na afroheshin.

Çudi e madhe.! I nxirrnin të hollat nga ndonjë portë tjetër?

 

U përmenda. Më doli gjithë gjumi. Sikur m’i

shkundi edhe veshët.

I gropose, o dreq nate ? – më pyeti buzua.

– Po, jo, po – iu gjegja përçart. Tani, ne sikur

s’merrnim frymë. Frymë merrte përçartja jonë.

 

A i vërvita atë natë a më ranë tek këmbët

çelësat s’e mbaj mend. U pëshjellova keq

me veten. Groposa çelësa, groposa lepur,

(njeri asnjëherë), nuk mbaj mend asgjë.

Ne, lypësat s’para të vrasim, tek e shumta

të grabisim. Ne, hajdutët, tani u bëmë

lypësa. Lypësa jemi, hajdutë të vegjël.

 

…Sot e përdita e përnatë sa herë i afrohem

bankës tek rruga e portit në hapa më bëhet

sikur tringëllijnë çelësa. Mund të ishin edhe

pranga, mos o Zot, po ta kishim vrarë atë

natë rojen. Po prangat vihen në duar.

Unë vet i prangos ndonjëherë duart,

nuk i prangos, i çpoj me pirunj.

 

– Ku do dalim të lypim nesër ?

Nesër është nesër, por çdo

hamë sonte ?- sikur më tha

buzëthati, buzëtrashi

e buzëholli njëherazi.

 

Ju çdo lypni, o njerëz.?

Ne përditë e përnatë

ia lypim e ia hypim

njeri – tjetrit.

E vërteta mbeti rrugës e ne duke ikë prej saj – Cikël poetik nga Sami Mulaj

1. KU JAM
.
Në një kryqëzim,
dëgjoj një pyetje…
Dikush e pyeste veten:
Ah ! Ku jam ?
.
Dukej se ishte homeles,
në xhepat e tij nuk kishte asnjë çelës,
për të nuk kishte as adresë.
Pyetja e vetëvetes me afshamë Ah ! Ku jam ?!
A mos ishte për të pak shpresë.
.
Ku jam ?!
Të çmendurit kurr nuk e bejnë ketë pyetje.
Ata gjithmonë janë në vendin e ditur…
Ata i dinë të gjitha,
Nuk njohin kryqëzime në jetë.
.
Ku jam ?!
Ata që kanë humbur kujtesën,
kurr ketë pyetje nuk e bejnë.
Ata janë të lumtur,
edhe ata pa kryqëzime
janë gjithë ditën,
edhe kur flejnë.
.
Po, ata në parajsë…
edhe ata ketë pyetje nuk e bejnë,
tanimë, vendin e kërkuar
e kanë gjetë..
Në qiellin e shtatë
janë duke fluturuar
me flatra lehtë, lehtë.
.
Po, në të tjerët,
të vetmit me një çelës shtëpie…
.
Ah, ku jam ?!
Ndoshta vetëm për ne
kjo pyetje do të ishte e drejtë.
.
Ah, ku jam?!
.
2. MË PRIT
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
pa ty ngjitë
pa të ardhmen mbeta,
është bosh
pa rrugën time.
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
jam një lumë pa ujë
lotët nuk rrjedhin më,
shpirt i zbrazur
pa brigje.
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
mbeta në ëndrra
nuk dua të zgjohem,
pa ty ngjitë
nuk nis dita ime.
.
Nuk mund të them Eja,
Ti nuk mund të ndahesh në copa
edhe për ata që ikën prej teje.
Ti u mban mend vetëm shpinën.
.
Nuk mund të them
as më prit,
në dhera të tjera
degë e filiza rrita.
.
Të lutem mos më ik
në ëndrra,
aty eja të më shohësh.
.
3. E VËRTETA
.
Mbeti rrugës
e ne rrugëve duke ikë prej saj
.
Mbeti mbyllë midis dhembëve
në majë të gjuhës së prerë
.
E plasaritur në buzët e vrejtura prej kafshimit të egër
.
Në mendjet e holla duke u perdredhë si e përdalë
.
Të tjerët nuk e t’hollojnë
t’vërtetën e kanë busull në ballë.
.
Po ne,…
Me t’pa vërtetat lumturohemi,
e dritën e ndalim me dalë.
.
4. E TRETA HERË
.
Po e humbim Shqipërinë ?!
.
Para gjashtëqind vjetësh
e humbëm bashkë me Ballkanin,
gjashtëqind vjet fajin ja lamë stepave e sulltanëve të Turqisë.
.
E humbëm në luftën e dytë, copë copë e shkyem,
tetëdhjetë vjet fajin ja lamë carëve e marshallëve të Rusisë.
.
Po e humbim tani
për të tretën herë,
fajin do ja lamë kaubojsve të Amerikisë…?
.
Të kuptojmë vetëm njëherë
o shqiptarët e mi.
Nuk do të ketë
kurr më të katërt herë…
.
Po e humbim Shqipërinë
prej marrëzisë !
.
5. NUK TË NDALON MOSHA
.
Të ndalemi për gjëra të reja se mos është vonë ?!
.
Pyetje që nuk merr përgjigje as nga gjunjtë
as nga mungesa
e gjumit të plotë.
.
Kurr nuk është vonë,
për gjëra të reja
në jetën tonë.
.
Gjithë jetën dashurova
me shpirt
tani,në të shtatëdhjetat si diçka të re
provoj përsëri.
.
Dashuria bashkë me ëndrrat
që kurr nuk mbarojnë
nuk e njeh moshën,
gëzimin e jetës e mban në gji.
.
6. E DASHURA MË BESNIKE
.
Është poezia…
Ka sy të kaltër e të bukur
me flatra si flutur
.
Pas më vjen gjithnjë
tek ulëm në gjunjë
në gurrë kur në grushta të saj, ujë pi.
.
Në degë të kumbullës
shkundet nga era,
e çdo mëngjes më futet në gji.
.
Ditët mi mbush aromë,
netëve si hëna sjell dritë,
në ëndrra bashkë mbështillemi
e bëhem një.
.
Nuk u martuam kurr,
si dashnorë të mirë
jetën e kaluam pa kunorë,
por emrin tim nuk e dyshove, të gjithëve jua tregove në sy,
e mbajte gjerdan në qafë,
shkruar në unazë të dorës
të rri.
.
7. RRUGA PA FUND
.
Më thoni
A ka ndonjë rrugë që nis e kurr nuk mbaron ?
.
Tokësore nuk ka,
as në qiell e ujore jo se jo….
.
Më thoni
A ka ndonjë rrugë që nis e
kurr nuk ka kthim ?
.
Tokësore nuk ka,
as në qiell e ujore jo se jo….
.
Po, po është vetëm një,
është vetëm një rrugë,
rrugë pa fund.
.
Po, po është vetëm një,
është vetëm një rrugë,
rrugë pa kthim.
.
…me emrin Emigrim.
.
8.MBURRJA
.
Sytë me vështrim nga dritarja me një shikim bosh,
          dëshirë për tu mburrur
          një çmim krejt,
          krejt i vogël,
          një çek pa vlerë
         sa një letër e zhubrosur hedhur në tokë.
.
Kujtimet dhe Dituria
si uji në rubinetë të prishur harxhohen e shkojnë kot.
Pse përpiqemi o Zot!
.
9. HESHTJA E QYTETIT TIM
.
Kur një gurrë nuk gurgullon
Kur një strehë nuk pikon
Kur një oborr nuk gumëzhon
Kur një shtrungë nuk blegëron
Kur një kumbull nuk lulëzon
Kur një oxhak nuk tymon
Kur zilja e shkollës pushon
E bejnë gjoksin tim të dridhet,
zemra rrahjet i shpeshton
.
Çdo heshtje…
Ah,
heshtja e qytetit tim
me shëtitoret pa hapa
sa shumë trishton.
.
10. TRE VARGËSH
.
* E DIELA
.
Si hëna gjysmë e zhveshur,
dy gisht mbi gjunjët e saj
ngulur sytë e mi
.
* KUJTIMET
.
Vasha të bukura
krejt të zhveshura
vërbojnë ëndrrat e mia.
.
* PRANVERË
.
Vesa e mëngjesit
lag qerpiktë e petaleve, Parajsa e qiellit zbret në tokë.

Melodi të mira mund  të luhen edhe me një violinë të vjetër- Intervistë e gazetarit Fran GJOKA me shkrimtarin e njohur Viron KONA

Viron KONA dhe Fran GJOKA

   

Kush është Viron Kona?

Viron Kona ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar në sektorin administrativ të edukimit dhe arsimimit deri në nivelet e larta, mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze të kryeqytetit (Tiranë). Më pas, redaktor në gazetën “Mësuesi” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë derisa doli në pension. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë të Suedisë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit. Deri më sot ka botuar rreth 60 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë dhe për të rritur. Viron Kona është fitues i 8 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Fitues i çmimit UNICEF, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!”, si dhe fitues i çmimit “Penda e Artë e Migjenit”(Festivali Internacional i Poezisë, Borås, Suedi, 2021).  Dy vëllimet e para të librit “Eh, more Bubulino!” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi (Men kära Bubulino!). Disa nga tregimet janë botuar edhe në anglisht, frëngjisht e suedisht. Viron Konës dhe veprimtarisë së tij krijuese i janë kushtuar librat: “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”,  “Parnasi sheh me bisht të syrit”, “Kur librin e shkruan zemra”.

Z. Viron kemi kohë që s`kemi biseduar, po shkruan, si ndihesh tani që po i kalon 75 vjeç?

-Ndihem mirë kur shkruaj dhe lexoj. Herë – herë shohë emisione në TV, lajme dhe filma, bëj pazarin duke e përshkuar tregun nga fillimi në fund, me qëllim që të gjej produkte me çmime sa më të arsyeshme, pastaj shëtisë, dalë dhe me shokë e ish-kolegë për të pirë ndonjë kafe, angazhohem me mbesën dhe nipin…Gëzimin më të madh e ndiej kur mbesa dhe nipi, teksa më shohin nga larg, vijnë me vrap drejt meje dhe më hedhin duart në qafë, duke më thirrur: gjysh, o gjysh! Gëzimi im në ato çaste është pa kufi!

-Të tremb plakja?

-Plakja? Thuhet që “plakja është fëmijëri e dytë”, kjo më jep shpresë, por dhe më bën të punoj dhe të krijoj më shumë. S`kam kohë të humbas, ndaj jam gjithnjë i zënë.

-Meqenëse flasim për plakje, ç ‘është plakja për ty?

-Thuhet që “Rinia rron me ëndrra, pleqëria rron me kujtime.” Dua apo s`dua, me këtë mendim pajtohem edhe unë. Ndonëse tregohem kokëfortë dhe s`dua ta pranojë plakjen, s`ndryshoj dot asgjë, ndërkohë që llojshmëria dhe sasia e ilaçeve shtohet, c`est la vie (fr. kjo është jeta!).

-Ke ndonjë peng nga e kaluara?

-E kush nuk ka pengje, por meqenëse “fjala e thënë, shigjeta e nisur dhe e kaluara nuk kthehen më mbrapsht”, vazhdoj ecjen, pleqëria dhe përvoja janë një busull e mirë.

-Me përvojën e moshës që ke, çfarë vlerëson më shumë?

-Atë që më kanë mësuar prindërit, sjelljen e mirë, ndershmërinë dhe sinqeritetin.

-Të kanë vlejtur këto në jetën tënde?

-Them se, po. E bëj gjumin të qetë.

-Ke shkruar afro 60 libra, sidomos për fëmijë dhe të rritur, tregime, novela, romane, epigrame, poezi, madje edhe shumë artikuj kulturorë e studimorë, si dhe parathënie librash artistikë. Vijon të shkruash ende me ritmin e mëparshëm?

-Po, shkruaj shumë, por nuk ngutem të botoj. E shohë disa herë librin që sapo kam përfunduar së shkruari, mendoj gjatë rreth tij, pastaj  ua japë edhe miqve për ta lexuar. Pyes veten:-Çfarë kam shkruar? Ky libër, ka aq vlerë sa ta botojë? Pas kësaj pyetjeje që i bëj vetes e lë për disa kohë librin në pritje. -Prit, prit edhe ca! – sikur i them, por pas ca kohësh e rimarr përsëri në duar, si të dua t`i  peshoj vlerën e vërtetë…

-Duket që s’kënaqesh kollaj me atë që ke shkruar?

-Herë jam i kënaqur, herë jo. Brenda vetes s`ndihem shumë i sigurt, sepse lexuesi kërkon libra të mirë. Më vjen shpesh herë ndërmend thënia e shkrimtarit francez Julis Renard, i cili thotë: “Të mos jesh kurrë i kënaqur, ky është arti”, ndërkaq, më shoqëron e më rreh si çekiç në kokë edhe thënia e Beniamin Franklin, i cili sikur na paralajmëron: “Ose shkruaj diçka me vlerë për t`u lexuar, ose bëj diçka më me vlerë se të shkruarit!”

-Janë këto kërkesa të tua për perfeksion?

-Perfeksion s`besoj se ka, por janë kërkesa ndaj vetes. E di se lexuesi s`të fal nëse shkruan keq, por edhe unë s`ia fal vetes një botim të keq, sepse nuk kam më kohë ta ndreq. Libri, po u botua shpërndahet te njerëzit, ashtu siç era shpërndan farat e bimëve. Rezistojnë dhe mbijnë ato fara që janë të shëndetshme, të tjerat treten, humbasin… Jam i mendimit se të shkruash mirë dhe në mënyrë origjinale, është respekt për veten dhe për lexuesin. Sidomos lexuesi i vogël, atë që s`e pëlqen që në faqen e parë, e hedh përtej dhe vrapon te lojërat apo te celulari…Sidomos sot, kur fëmija parapëlqen më shumë celularin se librin.

Celularin e shikon si konkurrencë, ke xhelozi ndaj tij?

-Jo, e shoh si zhvillim. Kohët ndryshojnë përherë, nuk na pyesin, ato vërshojnë si dallgët në det, si erërat në natyrë, si lëvizjet e tokës, të yjeve, planetëve… Koha nuk ndalet, ajo është sa e çmuar, aq edhe e pamëshirshme. Nëse ti nuk vrapon bashkë me të, ajo të lë pas.

-Kam dëgjuar shumë njerëz, madje edhe mësues që ankohen për një përdorimi të tepruar të celularit nga fëmijët, ti çfarë mendimi ke?

-Mendoj se celulari dhe interneti janë zhvillime të reja që kanë ngjitur tek të gjithë njerëzit, sidomos te fëmijët dhe te brezi i ri. Ata duhen shumë për vlerat e tyre. Kjo dashuri do të  zgjasë derisa të dalë diçka e re dhe më e fuqishme. Ajo që mua më shqetëson, është se, përdorimi i tepruar i celularit, errëson marrëdhënien e njerëzve me librin. Sot s`mund ta kuptosh dot një të ri pa celular, ndërkohë, as që duhet të guxosh t`ia heqësh nga dora celularin një fëmije!

-Më konkretisht, ç `doni të thoni?

-Ja po jua konkretizoj. Prindi pyet fëmijën:-Sa bëjnë 19 dhe 19 ?

-Prit, o ba sa ta shoh përgjigjen në celular. -Babai i thotë:

-Nëse nuk e ke me vete celularin, si do të më përgjigjesh?

Ose, mësuesi jep pyetjet e testit, teksa nxënësi përpiqet fshehurazi të hap programin në celular, që ta gjej zgjidhjen të gatshme. Mësuesi e “kap mat” dhe i thotë:

-Nëse mbështetesh vetëm tek celulari dhe nuk e ke atë, atëherë t`i je mbetës, apo jo?

-Po, pa celular jam mbetës, – përgjigjet studenti.

Ndërkaq, shohim  fëmijë dhe të rinj, që edhe duke udhëtuar me biçikletë, monopate dhe motorë, flasin në celularë, po kështu dhe shoferët dhe, ngaqë nuk shohin rrugën, krijojnë aksidente, deri edhe shumë të rënda.

Në shtëpi, prindërit pyesin fëmijën:

-Si shkove sot me mësime?

-Mirë! – i përgjigjet thotë ai dhe ulë kokën e përqendrohet me orë të tëra te celulari. Celulari i ka pushtuar të gjithë: fëmijë, të rinj, por dhe të rritur. Pyet po deshe fëmijë apo të rinjtë se ku ndodhet libraria? Ku ndodhet biblioteka? Vetëm pak prej tyre mund ta dinë. Ata dinë saktësisht të gjithë dyqanet e celularëve të qytetit, dinë kafenetë, kioskat e sufllaqeve e sandviçëve apo të pijeve energjike, janë gati të flasin me orë të  tëra për markat e celularëve, për shijet e sandviçëve, flasin me shumë kompetencë për tipat e makinave moderne, motorët, monopatet etj. etj. -S`ka asgjë të keqe që dinë apo  flasin për të gjitha këto, e keqja është gjetkë, sepse ata flasin fare pak, ose aspak për librat (ata lexojnë pak ose s’lexojnë fare libra).

-Si mund të përmirësohet ky raport mes librit dhe celularit? Në ç ‘mënyrë libri duhet të zërë vendin që i takon?

-Sigurisht, nuk mund t`i mohohen vlerat celularit, por ama edhe librit nuk duhet t`i humbasin vlerat. Librit i duhet dhënë gjithnjë vend i duhur, sepse ai është përhapësi më i madh i dijeve njerëzore, që kur është krijuar njerëzimi…S`ka ndonjë recetë, por them se librat  duhet të zënë më shumë vend edhe në mënyrë figurative. Librat ne sot i shohë më shumë në disa kioska të vjetra dhe të mbyllura me kyçe të mëdhenj, të zhubrosur nga lagështira, ndërkaq disa kioska që ishin librari, janë shndërruar në qebaptore dhe kafene… Mjaft libra të përdorur, por edhe të rinj, i shohim më shpesh në trotuare, duke pritur të blihen nga kalimtarë që kalojnë indiferentë ndaj tyre, ose i shohim si sixhade muri në disa lokale dhe kafene…Shohim shumë postera në bulevarde e rrugë, ato çfarë nuk reklamojnë, por ndonëse edhe Shqipëria ka shkrimtarë të mëdhenj, nuk shohim të afishohet ndonjë libër i tyre në ato postera, ndërkohë që disa buste shkrimtarësh zënë pluhur apo shkarraviten e nxihen dhe s`ka kujdes për t`i mirëmbajtur…Them se përveç posterave e reklamave për çokollatat e sufllaqet, për modën, për qentë dhe macet, mund të vihet, për shembull edhe ndonjë pikturë e një fëmije duke lexuar një libër. Një pikturë e tillë do t`u thoshte fëmijëve: “Mos e braktisni librin!”… Edhe shteti apo bashkitë, ndër ndërtesat publike, duhet te çelin edhe librari që të tërheqin vëmendjen. Sidomos shkolla ka rol të madh në nxitjen e dashurisë për librin. Ato duhet të thërresin më shumë botues dhe shkrimtarë, të organizojnë biseda dhe takime sa më të larmishme dhe tërheqëse, të japin stimuj për lexuesit e librit, të organizojnë konkurse, panaire apo festivale brenda shkollave. Por, çfarë nuk blejnë fëmijët pranë shkollave, më së shumti sufllaqe e sandviçë, teksa prindërit ankohen se fëmijët po u bëhen obezë! Mbaj mend tek hyrja e një shkolle, një shitës shiste fara luledielli, e sillte kazanin e mbushur plot e përplot me fara në mëngjes dhe, kur mbaronte mësimi kazani ishte boshatisur, nxënësit përtypnin gjithë ditën fara luledielli…në vend që të “përtypin” libra. Kur flet me fëmijë dhe të rinj për vlerat e librit, ata të thonë: “E po, në kohën tuaj s`kishte celular dhe internet!”. Në të vërtetë zhvillimi dhe ndryshimi janë ritmi i jetës, na përfshinë të gjithëve. Edhe ne të moshuarit kemi kënaqësi të përdorim celularin dhe internetin, por, gjithsesi, librin nuk e braktisim. Jo se jemi mësuar me librin, por kemi kuptuar dhe përjetuar  vlerat e tij. Xhek Londoni thoshte: “Nëse ju nuk do të gjeni kohë të lexoni, atëherë dhe bota nuk do të gjej kohë t`ju dëgjojë!”

-Cilat mendon se janë disa nga vlerat e librit?

-Kur lexon një libër të mirë, ndihesh i përfshirë shpirtërisht në subjektin e tij, në episodet, ngjarjet dhe personazhet; emocionohesh dhe përjeton jetën dhe fatin e personazheve, nxjerr mësime që të vlejnë për jetën dhe përditshmërinë… “Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”,-thotë nobelisti Orhan Pamuk. Libri shkathtëson më shumë mendjen, nxit më shumë kureshtjen e, sidomos  nxit imagjinatën e zgjon trurin dhe e vë atë në punë. Le të kujtojmë sesa nxitje e frymëzim na ka dhuruar leximi i librave të Zhyl Vernit: “20 mijë lega nën det”, “Pesë javë me balonë”, “Rreth botës për 80 ditë”, “Nga Toka në Hënë”; libri i Selma Lagerlof “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Olgersonit”, libri “Pinoku” i Karlo Kolodit, libri ”Pipi Çorapegjata” e Astrid Lindgrenit…Por, edhe “Udhëtimet e Guliverit” i Xhonatan Suift, libri “Robinson Kruzo” i Daniel Defo, libri ”Shëtitje në Kozmos”, i shkruar nga Alqi Kristo…Janë dhe qindra libra të tjerë, që nxitin imagjinatën, apo qindra të tjerë me vlera të gjithanshme, që do të na pasuronin mendjen, shpirtin dhe jetën tonë. S`po më rrihet pa cituar këtu edhe thënien e shkrimtarit Emerson, i quajtur ndryshe “babai i letërsisë amerikane”, ai thoshte: “Leximi i një libri ka qenë shpeshherë përcaktues i fatit të një njeriu”.

-Ju keni shkuar shpesh herë në Suedi, cila ka qenë arsyeja?

-Po, kam qenë i ftuar disa herë në Suedi. Së pari sepse atje janë përkthyer dy vëllime të librit tim për fëmijë “Eh, more Bubulino!”, fitues i çmimit UNICEF dhe i Panairit të Librit në Shqipëri ( 2006). Ky libër u përkthye në gjuhën suedeze dhe, në vitin 2011 u ftova për përurimin e tij në një mbrëmje, mund të them madhështore, të organizuar nga shkolla suedeze “Fjardingskolan” e qytetit Boras, që drejtohej nga Per Kettisen, si dhe nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Boras, Suedi, që drejtohet prej vitesh dhe suksesshëm nga poeti dhe përkthyesi i njohur shqiptaro-suedez, Sokol Demaku. Më pas u ftova në 5 – vjetorin e revistës dhe radios “Dituria” (2012), si dhe për përurimin e librit tim “Zonja nga Borasi”, (2013), një libër me tregime me motive suedeze dhe shqiptare.

Në vazhdim, jam ftuar në Festivalin Internacional të Poezisë, në vitin 2017, kurse në Festivalin Internacional të Poezisë së qytetit Boras, në vitin 2021 kam fituar çmimin Penda e Artë e Migjenit- Migjenis guld pena. Në vitin 2023 jam ftuar  nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë “Papa Klementi XI Albani, ku jam edhe anëtar nderi, me rastin e 500 – Vjetorit Jubilar të Mbretërisë së Suedisë dhe 15-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (2008 – 2023), së bashku me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik z. Skënder Gjinushi.

Punimet e asaj Akademia shkencore u zhvilluan në qytetin Ängelholm. Aty, bashkë edhe me të tjerë,  më kanë nderuar me çmimin “Anna Lindh”. Asaj veprimtarie dhe vizitave në disa qytete suedeze dhe daneze i kam kushtuar librin “Miku i mirë në ditë të vështirë.”

-Mund të na thoni diçka se si veprohet me librin në Suedi?

-Libri është shumë i preferuar në Suedi dhe ka një vend të veçantë. Do t`ju them shkurt vetëm tri, gjëra që më kanë mbetur më shumë në mendje:

Së pari në bibliotekat suedeze, që gjenden kudo deri dhe në skajet më të largëta, qytetarët i çojnë fëmijët në biblioteka që në moshë shumë të vogël, madje edhe në karroca. Prindër e fëmijë vizitojnë pavijonin e librave për fëmijë, që kryesisht janë edhe me ilustrime të bukura me ngjyra. Qëllimi është që fëmijët, edhe fare të vegjël, ndonëse ende  s`kanë mësuar të lexojnë, të ambientohen dhe të rriten me praninë e librit, ata i tërheq pamja e librit, ngjyrat, fëshfëritja e fletëve, ai mjedis bëhet pjesë e vëmendjes dhe kureshtjes së tyre, pra  fëmijët rriten edhe me shoqërinë e librit.

Së dyti, në Suedi e ndjehet kudo prania e librit. Edhe kur shkon për një udhëtim brenda qytetit apo nga njëri qytet në tjetrin, në stacionet e autobusëve, të trenave apo dhe në aeroporte gjenden rafte me libra, ku shkruhet: ”Merre, lexoje dhe lëre përsëri në stacionin ku do të zbresësh”. Gjithandej, sheh që, gjatë udhëtimit njerëzit janë me libra në duar dhe duke lexuar. Sjellim ndërmend se, Suedia dhe vendet nordike, që janë kaq shumë të dashuruar me librin, janë edhe ndër vendet më të zhvilluara të planetit.

Së treti: në qytetin Vimmerby, vendlindja e shkrimtares së madhe suedeze Astrid Lindgren, është ndërtuar qyteti i “Astrid Lindgrenit”, ku ekspozohen librat e saj dhe personazhet e tyre. Qyteti ka ndërtesa të vogla, mjedise tërheqëse dhe të këndshme, në formën që zhvillohen ngjarjet në librat e shkrimtares, atje gjen detaje dhe sende të personazheve, siç ajo i përshkruan në libër, njihesh me karakteristika të tyre; atje takon për shembull Pipi Çorapegjatën, gjen dy policët – personazhe të librit…; atje është sajuar një liqen ku ndodhet anija e babait të Pipit, me të cilin ajo “shëtiste” botën, sheh shtëpinë dhe sendet personale të  Pipit, sheh kalin e saj dhe Pipin duke kalëruar, etj. etj. dhe, s`është pak, por një “qytet” i tërë, ku shkojnë vizitorë, sidomos fëmijë nga e gjithë bota.

 

-Meqenëse ke jetuar thuajse në mënyrë të barabartë në të dy sistemet në Shqipëri, në atë monist dhe në atë demokratik, çfarë mendon se ka përparësi demokracia në Shqipëri?

-Më pëlqen shumë liria në të gjitha aspektet, por veçanërisht liria e shprehjes së mendimit, e shkrimit dhe e botimit; liria për ta thënë fjalën dhe mendimin pa censurë apo autocensurë.  Më pëlqen që ka shumëllojshmëri dhe me bollëk produkte ushqimore, industriale, veshjesh, mallrash…, atë që ke në botë e gjen edhe këtu. Më pëlqen që nuk jetojmë më si robotë të komanduar, të edukuar të mendojmë njëlloj dhe si ndihmës të partisë. Më pëlqen që s`jemi të detyruar të shkojmë në mbledhje partie, më pëlqen shumë hapja me botën, më pëlqen që s`ka më luftë klasash, më pëlqen shumë liria e lëvizjes si qytetarë të botës së lirë, sidomos liria për të parë me sy dhe për të prekur Prishtinën, Shkupin, Ulqinin, Janinën, Athinën, Romën, Stambollin, Nju Jorkun, Parisin…, më pëlqen dhe më tërheq liria për të eksploruar vende dhe për të njohur popuj dhe natyrën e “shtëpisë sonë të njerëzimit”, më tërheq gjithçka në këtë botë, madje personazhi im më i dashur, Bubulinoja, ka shprehur dëshirën të jetë i pari njeri që do të shkojë në planetin Mars. Pra më pëlqen që, shkojmë ku të duam, sigurisht  nëse kemi…para…

-Çfarë je duke shkruar për fëmijët?

-Zakonisht ato janë “sekret” i shkrimtarit, por gjithsesi po ju tregoj diçka. Kam  mbaruar librat “Cinxoja”, “Çuditë e Bubulinos”, “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, kurse për të rritur kam një vëllim me tregime dhe një libër me poezi. I shohë ato herë pas here dhe, më në fund sikur më është mbushur mendja që t`i dërgojë për botim, sigurisht një e nga një…

-Po shohë se në librat për fëmijë, krahas Bubulinos me shokë, krahas Dardit, papagallit Çate, Cinxos, ke krijuar edhe Kolipoçin, kështu?

-Po, mes tyre është edhe Kolipoçi, i cili njihet nga lexuesi i  vogël si “Ngrënësi i famshëm i qershive”.

-Cila është përmbajtja e këtij libri të ri?

-Padashur t`i heq kërshërinë lexuesit të vogël, libri “Kolipoçi shkon urgjent në bashki” bën fjalë për pakënaqësinë dhe ankesat e fëmijëve të një lagjeje, ndaj një kompanie ndërtimi me emrin “Qiellorja”. Ajo u ka zënë fëmijëve fushën e futbollit dhe planifikon të ngrejë te fusha e tyre një qiellgërvishtës.  Fëmijët kanë shkruar dhjetëra letra me ankesa dhe kanë ngarkuar Kolipoçin që t`i çojë ato te kryetari i bashkisë…Libri përshkruan pengesat dhe vështirësitë që përjeton Kolipoçi për të shkuar gjer te kryetari i bashkisë, duke filluar nga vështirësia e hyrjes në bashki, sorollatjet në katet dhe në zyrat e saj, bisedat dhe debatet e tij me nëpunës burokratë të bashkisë që e pengojnë të shkojë te zyra e kryetarit… Libri është “qesh e ngjesh”, lexuesi i vogël argëtohet me situatat e papritura që përjeton Kolipoçi, derisa shkon te kryetari i bashkisë, pastaj…

Duke qenë se jeni shkrimtarë që keni lëvruar shumë letërsinë për fëmijë, çfarë këshillash do t`u jepje prindërve për edukimin e fëmijëve?

-Prindërit duhet të tregohen të durueshëm dhe të vëmendshëm ndaj fëmijëve, t`u ofrojnë atyre sa më shumë dashuri e ngrohtësi. Ndërkaq fëmijët duhen edukuar pa i paragjykuar, që ata të ndihen të çiltër përpara prindit, t`i rrëfejnë nënës apo babait gjithçka, të mos druhen, t`u thonë edhe kur marrin një notë negative, edhe kur bëjnë ndonjë gabim etj. Të mos harrojmë se fëmijët sot jetojnë nën presion: të rrugës, të drogës, të krimit, të prostitucionit dhe të shumë veseve të tjera, ata janë krejt të zbuluar, si një fidan i brishtë që rrihet nga stuhia, nga të nxehtit dhe nga ngricat. Platoni, ndër filozofët më të mëdhenj të antikitetit këshillonte: “Dy gjëra duhen shmangun në edukimin e fëmijëve: ashpërsia e tepruar dhe butësia e tepruar”. Fëmijët janë të ndjeshëm dhe delikatë, ndaj duhet të trajtohen njëlloj, nuk duhet të diferencohen, sepse, fëmija më i rritur krijon bindjen se prindërit duan më shumë më të voglin. Për fëmijët, prindërit janë zoti, prandaj atyre u copëtohet zemra kur  shikojnë prindërit që grinden  mes tyre, bëjnë sherre dhe i ngrenë zërin dhe fyejnë rëndë njëri – tjetrit, apo kur edhe fëmijëve u drejtohen me ashpërsi dhe duke përdorur dhunë. Në këtë mjedis, pra atje ku ka shere pa fund dhe britma, nuk ka edukatë. Prindërit duhet të kuptojnë se fëmija është pasqyrë e tyre. Ai mëson më shumë nga veprimet e prindërve, sesa nga fjalët dhe këshillat e tyre. Nëse prindi është dembel, është i dhënë pas pijes, pas lojërave, merret me thashetheme, përdor fjalor rruge, është i dhunshëm etj. edhe fëmija atë do të  imitojë. Në rast se prindi i thotë fëmijës  “lexo libra!” dhe vet nuk  lexon asgjë, kurse në shtëpi s`gjen asnjë libër, atëherë edhe fëmija do të jetë indiferentë ndaj librit…

-Jeni i mendimit se rruga e edukimit të një fëmije është e vështirë?

-Po, është e vështirë, por jo e pamundur. Pyesni veten një çast, kur ishit të vegjël, si do të donin të silleshin prindërit apo të tjerët me ju? Psikologjia dhe pedagogjia na mëson:Fjala e mirë është si çelësi që hap dyert e zemrave të të tjerëve”. Fjala e butë e qetëson njeriun dhe e afron me të tjerët. Fjala e rëndë e dëshpëron dhe e largon. Them se prindërit duhet të shqetësohen kur i shohin fëmijët të mërzitur, të trishtuar deri edhe të dëshpëruar, të heshtur, fjalëpakë, pa oreks, që rrinë të mbyllur në vetvete. Atyre diçka u ka ndodhur, ose kanë marrë nota të këqija dhe kanë frikë t`ua tregojnë prindërve, ose dikush i ka bulëzuar apo kërcënuar, ose padashur kanë rënë në kthetrat e mashtruesve dhe kanë “provuar” “pak” drogë, pije alkoolike, etj. Pra ka një shkak që duhet zbuluar me kujdes, jo me britma, as duke i kërcënuar e frikësuar, se frika u krijon stres, por  me kujdes e komunikim të ngrohtë. Kur lulja  thahet, duhet t`i hedhësh uji, ta plehërosh, ta nxjerrësh në ajër të pastër, pra t`i shërbesh që ajo të marrë veten, ndryshe ajo thahet krejt. Kështu edhe me njeriun e, veçanërisht me fëmijën. Vë re se u flasim fëmijëve për të këqijat e armëve të zjarrit, por si dhurata dhe lodra për Vitin e Ri apo për ditëlindje u blejmë lodra- pistoletë, lodra- automatikë, fishekzjarrë shpërthyese…Tek e fundi, kush  do t`i zgjidhë  shqetësimet, gabimet apo problemet që ka fëmija? Në radhë të parë prindërit e tij, apo jo? Sigurisht edhe shkolla e shoqëria, por po flasim për prindërit.  Ata ta edukojnë bijën apo birin e tyre të shtrenjtë që të rritet i drejtë, i sigurt, i ditur dhe i shëndetshëm.

-Po mësuesit ç farë mund të bëjnë për edukimin e fëmijëve?

– Fëmijët dhe të rinjtë janë pasqyra të prindërve, të shoqërisë, por edhe  të shkollës. Thuhet se ata janë si letër e bardhë, ku mund të shkruash edhe gjëra të mira edhe të liga, unë do ta bëja krahasimin edhe me tokën, duke kërkuar ndihmën e Anaksagorës, filozof i antikitetit, i cili thoshte se “edhe toka më pjellore, po të mos punohet, prodhon ferrat më të egra”, por mund të thoshim edhe se, bujku i mirë, edhe tokën shterp e bën pjellore dhe të begatë. Dhe, këtu, roli i mësuesve për fëmijët është vendimtar, ata mund të bëjnë shumë, e kanë edhe përgatitjen e duhur, por edhe e kanë detyrë, sepse edhe paguhen për dhënien e dijeve dhe edukimin. Mësuesit duhet të angazhoheshin më shumë për nxitjen te fëmijët të ideve, dëshirave, pasioneve dhe ëndrrave për jetën, për zhvillimet, shkencat, kulturën, artin etj. T`i ndihmojnë që fëmijët të gjejnë vetveten, të paraqesin idetë, ambiciet, mendimet që u lindin në kokë, ashtu siç i ndjejnë dhe siç e kuptojnë ata jetën. Mësuesit mund t`i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë që, jo vetëm të hedhin në letër dhe të botojnë pjesë në prozë apo vargjet e tyre poetike, por edhe të provojnë, të konkurrojnë, të tregojnë talentin, t`u ngjallet besimi se edhe ata mund të bëhen shkrimtarë, muzikantë, piktorë, skulptorë, arkitektë, tregtarë, biznesmenë, mësues, politikanë, profesorë, akademikë, historianë, gjeografë… Them se mësuesi i letërsisë, për shembull, t`u mbledh krijimet nxënësve, siç mblidhen nga kopshti lulet e bukura dhe të freskëta dhe të kujdeset që ato të botohen, ai t`i mësojnë fëmijët sesi ato krijime t`i bëjnë të botueshme, mësuesi të vlerësojë me objektivitet arritjet e nxënësve në matematikë, në dituri, në kimi, letërsi e fizikë, mësuesi të kujdeset që talenti i fëmijëve të zhvillohet përherë e më shumë, është mësuesi që ua bënë atyre më të lehta gjërat e vështira, që fëmijët të motivojnë sa më mirë vetveten,  t`u ngjallen shpresat dhe besimi se jeta është e bukur, por për ta jetuar atë, duhet punuar e luftuar vazhdimisht, duhet guxuar…

-Nuk do të pushosh asnjëherë së shkruari?

-Pushimi më i mirë është kur punoj dhe shkruaj, sepse edhe mendimi është më i pjekur dhe përvojat janë më të shumta, detyrimisht dhe përfundimet janë më të sakta. Duke qenë se talenti në radhë të parë është dashuria për punën, them se edhe në këtë moshë mund të  shkruaj gjëra të bukura, madje në mënyre figurative do të thosha: “Melodi të mira mund  të luhen edhe me një violinë të vjetër”.

-Faleminderit dhe suksese të tjera!

AFROHEMI … DUKE IKUR- Prozë nga RUZHDI GOLE

– Merre me vete…
– Ç’të marr? Unë me vete i kam të
gjitha a, a, a… duhet të marr çadrën?
Çadrën me vrimë.
Sa ngre kokën shoh një pikë qiell nga
ajo vrimë. Sa shoh pikën ia bef pika
tjetër, ajo e shiut. Ndonjëherë më
duket se edhe nën ndonjë strehëz
pika më freskon. Edhe kur fle gjumë.
Ik, o dreq se ma more mëndjen. Kjo
s’është fantazi, kjo është lajthitje. Tri
herë e shqiptova fjalën “lajthitje” se ajo
më dukej se shkruhej në çadër me
shkronja të mëdha. Me se ta fshij?
Mbështillu mirë. Sot është ftohtë –
dëgjova po atë zë shtëpie.
Asnjë përreth. Kush më fliste,
kush më afrohej e ikte turbullt?
(Kujtesa kthehet atje ku dhëmb më
tepër. Tani, më rrallë, më kujtohet im
at. Zëri i tij më bëhet i tejmë. Jetoi def
mes pijeve. Mëma ime u rrëmbye
nga ai, nga dashuria tetëmbëdhjetë
vjeçe?!
Një mbrëmje kur erdhi babai dhe
nënoja për vizitë tek ne, si padashur, u
prish e qeshura. Baba ne i thoshim
gjyshit, nëno gjyshes. Xhevdet
thërrisnim babanë tonë.
Si e qysh kështu, s’di ç’t’ju them?
– Ti s’ishe i zoti të fshihje ndonjë gjë
nga pronat e tua – i tha Xhevdeti
babait gjysh – ndonjë gjë për
vajzën tënde. As vajzën
s’e mbajte dot.
Babaigjysh u ngrit, pa nga nënëgjyshja
dhe me një “natën e mirë!” të ftohtë
ikën. Ç’bëre kështu, o Xhevdet? Do të
mplakesh vet e do shohësh sa preken
të moçmit, – u trimnova unë brenda
vetes.
Babagjyshi dhe nënogjyshja, të kamur
dikur, të shkundur më pas, por
asnjëherë të fyer. U fyen atë mbrëmje
nga dhëndri i vetëm
Ç’bëre kështu, o Xhevdet?
Merri me vete – u mek zëri…
S’dëgjova ç’duhet të merrja me vete: çantën, kuletën, ditarin? Të gjitha merri…
Dikush foli. Jo askush.
(Njëherë hëngra ca pëllëmbë fshikuj
nga Xhevdeti dhe ia mbatha nga
nënogjyshja. Atje gjeja strehëz. Më
jepte nënoja ndonjë lek për kinema.
Ndonjëherë edhe rrëshqisja tek dera e
kinemasë, ndonjëherë ne na linin të
hynim grup kalamajsh. Xha Qaniu
bënte hyrjen tek porta, xha Xhemali
me qillota leshi më dukej sikur ishte i
vetmi operator filmi në gjithë botën
se ai filma të botës shfaqte më shumë
në fëmijërinë tonë.
Pas dy ditësh erdhi Xhevdeti tek
babaigjysh. As pyeti për mua. Pyeti,
pak zë dridhur. Kaq mbaj mend. S’i u
ktheva në shtëpi s’e di as sot).
Nënogjyshja vishej bukur, mbulohej
me tyl të zi, këpucët me taka i
shkëlqenin. Jetonin me brumin e tyre
të pakët asokohe, por prisnin, përcillnin
plot. Derë e madhe nuk e mbyll
asnjëherë portën e nuk e mban sofrën
bosh. Ua morën të gjitha gjer në thua.
Kohë pas kohe vinin dadaja, Pertefi,
Zylfia tek nënoja. Dadaja ulej përtoke. Nëno-gjyshja i afrohej, e kapte për krahu, e ngrinte të ulej në minder.
Jo, zotrote, jo, vendi im është përtoke –
fliste dadaja.
Gjyshja ime asnjëherë se la përtoke
dadanë.
Leko gjahtari, gjitoni, i donte shumë,      i mburrte nënonë dhe babanë e mëmës
sime, s’u trembej të vetëve.
Vëngërt i shihte bota të mitë. Cila botë
kjo e të gjallëve?.Po, i shihte, shpesh, rrallë. Asnjëherë!
Herë-herë, tjetër botë jeton tek njeriu. E
di vetëm ai ç’botë, e sheh vetëm ai. S’ia
merr kush, s’ia rrëmben. Edhe nëse
ia rrëmben, kurrë ajo botë kësaj bote
s’bëhet e tij. Ajo e rrugës mundet se
rruga e të gjithëve është e mund të
bëjmë ç’të duam me të, ta grabisim, ta
shkelmojmë, ta shtyjmë, shtypim,
shkërdhejmë, por botën e së vërtetës
fisnike pa mllefe e përdhunë, pa sharje e mallkime s’na i njollos kush ose na i
njollos njëfarë kohë.
Bota e Lekos, e gjahtarit me zemër
është më e pastra, bota e dadasë.
– Merr…
– Ç’të marr me vete sot, o mëma ime,
para s’e të vij tek ty?
Përhera ne i afrohemi njeritjetrit duke ikur, i ikim njeri-tjetrit duke shembëllyer
sa më pranë.
Qënkam në rrugë me shall e me çantë,
mbathur jo me këpucë hajdute, por të
miat.
Shi, shi, shi. Hap çadrën. Ngre kokën.
Qënka këputur një tel.
S’paska asnjë vrimë kjo çadër?

Të gjithë derrat një turi kanë! – Tregim nga VIRON KONA

                          

 

Në atë klinikë të huaj ai u prit ngrohtë dhe, ajo që ishte më kryesorja, nga personeli mjekësor u trajtua me seriozitet dhe me përkushtim të plotë. Gjithçka kishte përfunduar me ndërhyrjen kirurgjikale, e cila doli e suksesshme dhe pa probleme të mëtejshme. Gjatë kohës së qëndrimit thuajse tre mujorë, ai kishte arritur të mësonte të fliste e të merrej vesh në gjuhën e atij vendi. Fillimisht, “mësuesja” më e mirë kishte qenë nevoja për të komunikuar, për të kërkuar diçka apo për të pyetur, kurse më pas kishte qenë edhe një fjalor i mirë, që përmbante dialogë, fjalë e shprehje të përdorimit të përditshëm…

Herë – herë ai mendonte se nuk do të ishte keq  sikur pas një kohe të vinte përsëri në këtë shtet për të jetuar e punuar. Nga profesioni ishte  agronom dhe, me sa kishte dëgjuar ata kishin nevojë për specialistë të asaj fushe. Por pa kaluar pak çaste e kundërshtonte atë mendim apo dëshirë, “më mirë më pak dhe në vendin tim”, – thoshte me vete, duke kujtuar  njëherazi edhe proverbin e njohur të popullit: Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.  

Këto mendime vërtiteshin në mendjen e tij teksa shëtiste në bulevardin kryesor të atij qyteti të madh. Ishte dita e fundit e qëndrimit dhe, me pak para, që i kishte hequr mënjanë pak e nga pak, ai donte të blinte ndonjë dhuratë për familjarët e tij, bashkëshortes ndonjë varëse të thjeshtë, vajzës tre vjeçe ndonjë kukull të lezetshme, kurse dy djemve shtatë dhe nëntë vjeç, që kishin qejf futbollin, secilit nga një bluzë apo kostum sportiv. Bëri buzën në gaz kur përfytyroj gëzimin e tyre kur të takoheshin e pastaj kur t`u jepte dhuratat. “Ndërkohë, edhe shëtis, edhe shikoj për ndonjë dyqan që shet me çmime të arsyeshme”, – tha me vete.

Në krahun e djathtë të bulevardit, që llamburiste nga reklamat dhe dritat e shumta, iu shfaq një rrugë dytësore, edhe ajo ndriste nga reklamat shumëngjyrëshe. U fut në atë rrugë dhe nisi të ecte mes vezullimit të dritave. Kalonte në krah të dyqaneve të pafundme industriale e ushqimore, restoranteve e bareve, farmacive…dyqaneve kozmetikë, atyre të veshjeve, të mobilieve, të lodrave për fëmijë…” Kjo duket që është zonë e shtrenjtë”, – thoshte me vete dhe vijonte më tej. Ja, përball iu shfaq një rrugicë më e ngushtë, që ishte më shumë si një shëtitore me lule e drurë të shumëllojshëm në të dy anët. Aty frynte një fllad i freskët, që mbushte ajrin me aromën e gjineshtrave që, me sa dukej rriteshin të dendura në faqen e një kodre përballë. Nga profesioni e dinte se gjineshtra, veçanërisht gjineshtra e Spanjës, ose gjineshtra me aromë, në muajin maj përhapte një aromë kundërmuese…Si për çudi dritat e rrugicës sa vinin e zbeheshin. Dukej që disa llamba ishin thyer apo djegur. “Eh, fëmijët e përkëdhelur, me siguri ata i kanë thyer!” – tha me vete. Gjatë atyre tre muajve nuk kishte dëgjuar për vjedhje e krime në atë qytet, ndryshe nga vendi i tij, ku spikerët i çelnin emisionet me lajme vrasjesh, vjedhjesh, krimesh, zjarre-vënie të qëllimshme, ndjekje kriminelësh nga policia, shumica e të cilave përfundonin me: “krimineli u zhduk në drejtim të paditur!” Aq shumë përsëriteshin në stacionet televizive  ato lajme dhe pamje të zymta e ndjellakeqe, saqë krijohej padrejtësisht mendimi, sikur në vendin e tij, vetëm krime bëheshin…

Vijoi rrugën, por ajo sa vinte e errësohej më shumë, madje vuri re se në atë rrugë thuajse nuk kishte lëvizje, kurse fundi i saj dukej krejt i errët…”Po unë, ku po shkoj?” – qortoi veten dhe bëri të kthehej.

E, pikërisht atëherë, pa dy hije të zeza që dolën me shpejtësi nga prapa një trungu të trashë dhe, ai, si pa kuptuar e ndjeu veten mes atyre dy hijeve. Ishin të dy të gjatë e trupmëdhenj dhe me fytyra të mbuluara me maska të zeza si nata. Nuk pati kohë të shmangej, sepse ndjeu  një tytë pistolete në qafë dhe një majë thikë të mprehtë, që po i depërtonte mes rrobave. Kishte rënë në një grackë hajdutësh.

-Oh, ju lutem, më lini në hallin tim! – mundi të thotë, por ndjeu se tyta e pistoletës iu ngjesh më  fortë pas qafe, kurse maja e mprehtë e thikës depërtoi më në brendësi të rrobave.

-Mos fol, por na i jep të gjitha paratë që ke me vete! Shpejt! – i foli ai që i mbante pistoletën pas kokës. Zëri i hajdutit ishte i ngjirur, teksa fryma i mbante një erë të rëndë qepe. Lëvizi pak kokën dhe vështrimi i ngeci te maskat e tyre të  zeza. Ja tek  u dukën sytë e grabitqarëve, që lëvrinin brenda zgavrave si larva kënetore. Ata donin para. Ata mendonin se ai kishte para. Doemos që do të kishte.  S`vjen tjetri nga ana e anës për t`u kuruar në një klinikë shëndetësore të huaj, pa një lekë në xhep! E pra, te shuma e parave të tij, ishte edhe pjesa e tyre! Hajde, shpejt, paratë!

-Ju lutem, sapo jam operuar. Sot dola të blej ndonjë dhuratë të vogël për familjarët e mi dhe nesër në mëngjes nisem për në atdheun tim. Ju lutem, nuk jam pasanik. Këtu, për t`u kuruar më ka dërguar shteti…

-Oh, oh, oh! Qenke i rëndësishëm ti! – ia bëri ai që i mbante fryma era qepë dhe vijoi egërsisht: -E di ti që ne  të mbajmë peng, nëse nuk na bindesh?

-Por, edhe po s’të mbajtëm peng, do të të bëjmë një operacion të dytë! – i tha duke u zgërdhirë ai që i mbante thikën ngjeshur pas cipës së barkut. – Dhe, ti e kupton, ne i bëjmë operacionet pa narkozë, kështu që luaj dhe nxirr paratë që ke me vete, të gjitha, pa fjalë, përndryshe do të zhveshim këtu dhe do të lëmë krejt lakuriq, si peshku në zall. Hajde, luaj…!

Ata nuk largoheshin pa i marrë paratë, madje mund të ndodhte edhe më e keqja, se, ja, ato çaste maja e thikës sikur po i shponte cipën e barkut, kurse tyta e pistoletës po ia bënte  qafën plagë…

Futi dorën në xhep, nxori portofolin dhe u përpoq të nxirrte paratë, por ai që i mbante pas qafe pistoletën ia  rrëmbeu portofolin.

-Ju lutem, kam pasaportën dhe dokumentet aty, ju lutem…!

Hajduti kërkoi  në portofol, nxori paratë dhe ia dha atij që kishte thikën. Dukej që ai ishte shefi.

-Ky qenka kripë fare, vetëm pesëqind e pesëdhjetë dollarë paska me vete! Eh, ç ‘natë tersi kjo e sotmja! – Nga zëri dukej  krejt i zhgënjyer.

-Qenka shqiptar! – i tha tjetri, duke i hedhur një vështrim të shpejtë dokumenteve, – Kam njohur disa nga këta, janë varfanjakë, “thes” i grisur, dhe s`di nga t`i kapësh…! Por, edhe me pesëqind e pesëdhjetë dollarë s`jemi fare pa gjë. Këta shqiptarët kanë një fjalë të urtë, “S`ke pulën, do hash sorrën!”, kështu që, sonte le të kënaqemi me sorrën! – tha ai që mbante paratë në dorë.

Përreth  s`shihej e s`dëgjohej këmbë njeriu. Shefi bisedoi diçka me hajdutin tjetër dhe ia kthehu dokumentet viktimës.

-Këto merri, nuk na duhen, por, meqenëse sapo ke dalë nga klinika, po të japim edhe një bakshish, ne i ndihmojmë të varfrit.

-Qenkeni si Robi Hudi! – u tha ai me ironi.

-Merre, or, merre këtë monedhë 50 dollarësh, kurse ironinë dhe përrallat me Robin Hudin tregojua kalamajve. Ne po t`i japim se po na vjen keq, – i tha hajduti dhe ndërkohë i kërkoi celularin.

-Shpejt, nxirre dhe na i jep!

-Me këtë celular unë do të flas me familjen, ata bëhen merak, ju lutem, ju lutem shumë, s`kam mënyrë tjetër komunikimi.

-Nxire celularin dhe lëri fjalët! – i bërtiti ai që i vinte fryma era qepë, duke vazhduar t`i mbante pistoletën pas koke, – Po s`na i dorëzove celularin, do të t`i marrim përsëri dokumentet dhe pasaportën, kështu që duket se do të të kushtoj shtrenjtë ai celular.

Deshi s`deshi ua dha edhe celularin. Ata e panë markën dhe qeshën me zhurmë.

-Ç`e do këtë celular, – i tha hajduti që i rrinte përballë. Pastaj, duke u zgërdhirë, e shkeli celularin me këpucë disa herë dhe e shkelmoi drejt një pellgu me ujë që ndodhej pak metra larg tyre.

-Tani, ik ! Nëse hap gojën dhe tregon, ne të gjejmë kudo që të futesh, kudo që të shkosh, s`ka vrimë miu që nuk e dimë! Hajt, vijo rrugën qetësisht sikur s’të ka ndodhur gjë! – Të dy hajdutët i ranë krahëve viktimës, gjoja sikur po përcillnin “një mik” që kishin takuar rastësisht.

Në pakë sekonda ata sikur i përpiu thellësia e natës.

-Po kjo, ç ‘ishte!? – tha ai me vete. Djersët po i thaheshin në trup, kurse po ndiente një dhimbje të mprehtë në cipën e hollë të barkut. Mori rrugën e kthimit drejt klinikës, teksa ndihej i zhgënjyer dhe i poshtëruar. Më mirë që nuk reagova fizikisht, – tha me vete, – përndryshe mund të më ndodhte më e keqja, për aq para, ata lloje  njerëzish mund të më vrisnin dhe pastaj ia mbathin në drejtim… të paditur! Dhe, atëherë, emri im, si i çdo viktime të mjerë, do të përfundonte në një lajm të shkurtër të ndonjë gazete, apo do të përmendej fare pak sekonda në ndonjë radio a televizion dhe…aq. -Eh! – psherëtiu. Ndjente  zemërim të thellë për atë fund krejt të  papritur, pas asaj gjithçka-je të mirë që i kishte dhënë ai vend i huaj, mjekët dhe ata njerëz miqësorë e bujarë që kishte njohur. Por zemërimin e kishte edhe me veten, “Ç’mu desh që u futa aq thellë në atë rrugicë pa krye? Doja të blija më lirë dhe më doli shumë më shtrenjtë. Jo vetëm që s`bleva dot dhuratat që doja për më të dashurit e mi, por edhe rrezikova jetën. Eh, s`ka pyll pa derra, jo! Edhe ky vend i zhvilluar, me njerëz aq humanë  e me bukuri të pasosura, paskësh “derrat” e tij! E pra, derra s`kishte vetëm në vendin nga vinte ai. Mbase ndryshimi ishte që mediat televizive të atij vendi mik nuk i përcillnin te shikuesit gjithë krimet që bëheshin. Mbase e bënin këtë për të mos krijuar pasiguri te turistët e shumtë, që venin e vinin si vizitorë në atë vend të begatë, mbase? Ato çaste, kushedi pse iu kujtua rrëfimi i një refugjati shqiptar, që kishte shkuar për të punuar në një nga vendet fqinje. Në televizionet e atij vendi fqinj, u fol shumë dhe shpesh për një bandë vjedhësish… “shqiptarë”. Te banorët e asaj zone u krijua një atmosferë e rëndë ankthi dhe frike, ndërkohë që policia u vu në ndjekje të asaj bande kriminale e famëkeqe. Aq e rëndë ishte atmosfera e frikës dhe e pasigurisë, saqë çdo refugjat shqiptar shikohej me dyshim, si të ishte pjesëtar i asaj bande të rrezikshme… Pas një jave, gjithçka u sqarua, banda u zbulua, veçse, ndër pjesëtarët e asaj bande s`kishte asnjë shqiptar. Atëherë në lajme u tha se, ata ishin “një grup adoleshentësh” të atij vendi, që, më shumë se nga mania dhe qëllimi për të vjedhur, ishin të ndikuar nga aventurat dhe filmat horror…

U përpoq ta largonte nga vetja atë ankth, ndërkohë që po i merreshin mendtë dhe po i erreshin sytë. U ulë te një stol druri dhe një copë herë ra në një gjendje përgjumjeje.. I bëhej se ndodhej  mes një gjeratoreje të turbullt lumi, e cila sikur e vërtiste sa andej-këndej, teksa hije të zeza venin e vinin përqark tij, zgërdhiheshin, tundnin thika dhe hanxharë në ajër dhe diçka  i kërkonin me britma të çjerra dhe ulërima… Halucinacionet e kishin përfshirë të tërin dhe ai s`po dilte dot nga ajo gjeratore…  Befas u përmend dhe, ashtu, mendje turbullt i mbeten sytë te vezullimi i pareshtur i dritave dhe reklamave… Sikur po qetësohej, po vinte në vete dhe po ndiente një si lehtësim: “E po, ata mund të më merrnin gjithçka, madje edhe jetën, por, ja, ata, vetëm më grabitën, dokumentet m`i lanë të paprekura, edhe 50 dollarë m`i lanë…  Pata fat, pata fat!, – përsëriste ai me vete, – ata nuk më lënduan, jo, nuk më lënduan, e keqja kaloi…” -Sado neveri, përbuzje dhe urrejtje që kishte për ata dy hajdutë, kushedi pse, brenda vetes po ndiente një si ndjenjë mëshire, ata s`po i dukeshin dhe aq të këqij, jo, se po të ishin aq të këqij…

I gjori njeri, përpiqej të gjente një ngushëllim sado të vogël për atë që sapo i kishte ndodhur, të lehtësonte sado pak veten nga poshtërimi, si të donte të shpëlante ndyrësinë që ata sapo i kishin hedhur përsipër! Në çast e përfshiu përsëri vala e urrejtjes dhe zemërimit: Çfarë, ai po tregonte anën e dobët të shpirtit të tij, po përpiqej të zbuste veprimin keqbërës të atyre dy vemjeve të pështira? Nga leximet, kushedi pse iu kujtuan fjalët e Krishtit për ata që po e kryqëzonin: “O Atë, fali se s’dinë ç `bëjnë!” – Pse, – tha ai me vete, – ata hajdutë, nuk e dinin se çfarë po bënin, kur mu vërsulën aq dhunshëm…? Sa njerëzve të tjerë paqësorë, ata mund t`u ishin vërsulur po aq dhunshëm, madje mund edhe t`u kishin marrë jetën? Ata i ishin futur një jete parazitare me vetëdije të plotë, duke imituar gjarpërinjtë helmues, që rrinë në heshtje e në përgjim dhe presin viktimat e radhës. A duhej të tregohej ai me shpirt aq të dobët ndaj tyre, vetëm sepse i hodhën si lëmoshë pak para, që edhe ato ishin nga paratë e tij? Jo, jo, ai s`duhej as t`i mëshironte dhe as t`i falte, ata doemos e meritonin ndëshkimin? “Të gjithë derrat, edhe andej, edhe këtej, një turi paskan!” – tha me vete ai,  duke u dhënë kështu fund lëkundjeve  dhe  nxitoi drejt rajonit më të afërt të policisë…


Send this to a friend