Artur Zheji ka marrë në mbrojtje Sali Berishën për rastin flagrant të aferës me CEZ.
Sipas Zhejit, ndaj Berishës po bëhet një gjueti shtrigash.
“Tanimë kemi të bëjmë me një sulm të drejtëpërdrejtë, ndaj ish kryeministrit Berisha, lidhur me cështjen e Çez dhe jo vetëm. Janë mbledhur tufë të gjithë ish miqtë e tij, ish krijesat e tija të dikurshme, të cilat kanë filluar një gjueti shtrigash ndaj një personi të vetëm, për ta pasur atë, Sali Berishën, një trofè për Zgjedhjet e ardhshme të Përgjithshme. Berisha edhe mund të ketë përgjegjësi legale për cështjen Çez, apo të tjera, sepse ka qenë më së fundi 8 vite rresht kryeministër dhe korrupsion kishte, ashtu si edhe sot.
Por kështu si po kurdiset Komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje, ashtu si edhe janë kurdisur pasqyrimet dhe interpretimet mediatike të mediave të pushtetit, koncepti i Drejtësisë dhe përdorimi politik, janë përzier në një të vetme.
Kërkohet pra, me ngulm dhe sipas një skeme të mirëmenduar, binjakëzimi i sistemit të ri të drejtësisë, me goditjen personale të kollonës më të lartë dhe më të “rrezikshme” opozitare që ka sot për sot Shqipëria”, shkruan Zheji.
“Kjo gjueti shtrigash, që njera palë po bën, me prapavijë dhe frymëzim të qartë politik dhe hakmarrës, e dëmton që në djep, ringritjen e një Drejtësie të Re, e cila duhet ti ketë sa më larg funksionit apo përfitimit të vet, përcaktimet e veta, të mbështetura në Ligj dhe jo në vullnet apo pikësynim elektoral.
Shqipëria po ndëshkohet edhe sot e kësaj dite nga një korrupsion galopant dhe rrënjë thellë. Llogjika ta do, që lufta legale kundër korrupsionit të drejtohet pikësëpari ndaj pushtetit të sotëm dhe pastaj të thellohet në të kaluarën, me të njetën rreptësi.
Sepse duhet ndëshkuar “pandëshkueshmëria e sotme” dhe jo të krijohet një epërsi e rreme morale si edhe është dogma e kryeministrit tonë të sotëm, që kërkon një përndezje të luftës ndarëse në të Mirë dhe në të Këqinj, ndërkohë që e keqja dhe korrupsioni nuk njeh as kufij dhe as sigla partish”, vijon ai.
Zheji shkruan se nëse do të dënohej Berisha, do të ishte një turp i madh:
“Drejtësia duhet të fillojë në mënyrë të shëndetshme, nga e sotmja tek e djeshmja dhe jo të fillojë nga e djeshmja, për të mos arritur kurrë tek e sotmja dhe që të shërbejë për pushtetin e nesërm, të atyre që janë sot në pushtet.
Ky dhe do të ishte një turp i ri dhe do të shënonte lindjen e një drejtësie të padrejtë, që do ta kishim mbi qafë edhe kushedi se sa vite të tjera”.
Komentet