Album: Artisti shqiptar i rekordeve Guinness
Shitjet e punimeve të 28 Artistëve pjesmarrës do të shkojnë si donacion për Gratë e prekura nga kanceri i gjirit
Teknika: Punim mozaik
Materiali: porcelan
Dimensioni: 40x80cm
Pershkrim mbi vepren e prezantuar ne ekspoziten Nderkombetare,
“Ngjyrat shërojnë “, ne galerine e arteve Gjilan.
E inspiruar nga filizofia e Dostojevskit, “Më jepni një dhimbje, t’ju jap një kryevepër”, ky mozaik është një reflektim mbi dhimbjen, forcën dhe aftësinë e gruas për t’u ringritur.
Nëpërmjet gjuhës së ngjyrave, figura femërore shndërrohet në simbol të brishtësisë që bashkëjeton me guximin, të vuajtjes, që gjen forcën për të vazhduar dhe të errësirës, që hap rrugën drejt dritës.
Nga tonet e ftohta të dhimbjes drejt ngjyrave të ngrohta të shpresës, “Rikthim” shpreh një udhëtim të brendshëm, ku çdo copëz mozaiku bëhet pjesë e një historie që nuk flet vetëm për plagët, por edhe për forcën për t’i kapërcyer ato.
Në simbolikën e Tetorit Rozë, kjo vepër i kushtohet çdo gruaje që ka luftuar, që vazhdon të luftojë dhe që, pavarësisht dhimbjes, gjen brenda vetes dritën për t’u rikthyer te jeta.
Sepse ngjyrat nuk e fshijnë dhimbjen, por i japin asaj një gjuhë. Dhe arti e shndërron atë, në forcë, shpresë dhe një kryevepër të shpirtit.
Ndonjehere, Arti,arrin te thote ate, qe fjalet s’ munden…
E keshtu, une çdo grua, qe triumfon mbi dhimbjen, e shoh si nje kryeveper!
——-
Aurora Strati ka lindur ne qytetin e Fierit dhe pas perfundimit te studimeve ne Tiranë, jeton e punon ne mesim-dhenie te Artit Elitar te mozaikut. Pas nje eksperience te gjate ne kete gjini te Artit figurativ, ka marr pjese ne shumë evente artistike, e ftuar nga Institucione Private, por jo vetem… Eshte prezantuar ne Gjilan, Ferizaj, Prishtine, Viti , ne Ambasaden e Kosoves( Sofie Bulgari.) etj. Me rastin e Mujit rozë, me ftesen nga artistja organizatore Jalldez Mustafa, per here te dyte, merr pjese ne Galerine e arteve Gjilan, ne ekspoziten nderkombetare, ” ku të ftuar ishin 28 artiste, dhe veprat e secilit do te shkojne si donacion per grate e prekura nga kanceri i gjirit. Per me shumë se tre vite permes krijimtarise disa vjecare ne artin e mozaikut, sot eshte duke inspiruar e transmetuar kete art Elitar, qe daton mijera vjecare ne vendin tone, edhe tek te rinjte. Ne kuader te ketij ketij misioni per trashegimine e mozaikut tek te rinjte, e ftuar me disa shkolla private dhe shteterore, sepse ARTI SHERON NE ÇDO DIMENSION!
———————
Galeria e Arteve të Gjilanit me ratin e “Tetorit Rozë” mikpriti 28 Artistë në Ekspozitën Ndërkombëtare nën titullin Ngjyrat Shërojnë
Galeria e Arteve të Gjilanit mirëpriti ekspozitën “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”, një nismë që ndërthuri krijimtarinë artistike me ndërgjegjësimin shoqëror dhe përkushtimin humanitar.
.
Ekspozita mblodhi rreth 28 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi,Gjermani, Lugina e Preshevës. Përmes veprave të tyre, ata sollën këndvështrime dhe ndjeshmëri të ndryshme, të bashkuara nga një qëllim i përbashkët: të përcillnin mesazhe shprese, force, dashurie dhe solidariteti në mbështetje të gruas.
.
E ideuar dhe organizuar nga artistja Jalldeze Mustafa, nën kurimin e artistes Anila Hetoja dhe me kontributin e kritikut të artit Prof. Dr. Hajrush Fazliu, kjo nismë e vendosi artin në shërbim të një kauze që prek jetën e shumë grave dhe familjeve.
.
Një prani e veçantë ishte ajo e të ftuarit special, Maestro Saimir Strati, artistit të mirënjohur dhe 11 herë rekordmen i Guinness.
.
Pjesëmarrja e tij i dha një vlerë të shtuar takimit dhe mesazhit të bashkimit përmes artit. Jalldeze Mustafa Tetori Roze #tetoriroze


MARILYN D. ANDERSON
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpritën këto ditë në Washington D.C., Festivalin e Parë të Filmit Antikomunist, organizuar nga “Victims of Communism Memorial” Foundation. Ngjarje historike kjo e një rëndësi të veçantë për kinematografinë amerikane, ku i gjithë programi synoi të sjellë kujtesën e viktimave të totalitarizmit nga Evropa Lindore deri në Azinë Lindore. Iniciator ishte gazetari amerikan Mark Judge. Festivali ishte konceptuar si një ngjarje përkujtimore dhe edukative për të shfaqur vepra që pasqyrojnë luftën për liri dhe rreziqet e regjimeve totalitare. Programi i festivalit u mbajt nga datat 1 deri 4 tetor 2026, dhe u ndoq nga një audiencë e gjerë e moshave dhe profileve të ndryshme. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Muzeut VOC, i cili ndodhet vetëm dy blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, duke sjellë në vëmendje histori njerëzore, dokumentarë dhe vepra artistike që pasqyrojnë qëndresën ndaj regjimeve totalitare. Pas transmetimeve u hapën panele diskutimi me biseda analitike. Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i “Victims of Communism Memorial Foundation”, Eric Patterson, PH.D., i cili pasi foli mbi misionin e Fondacionit, dhe Muzeut që është ngritur në nderim të viktimave të komunizmit në botë, tha se, “Brezat e rinj sot – kanë më shumë njohuri rreth Holokaustit se sa mbi krimet e komunizmit në botë, ku më shumë se 100 milionë njerëz humbën jetën në mbarë botën nën regjimet komuniste përmes ekzekutimeve, internimeve, urisë së sforcuar dhe punës së detyruar në kampet e përqëndrimit”. Sipas Dr. Patterson, “Ky Festival ishte një aktivitet unik pasi fokusi i tij ishte përqëndruar tek të vërtetat njerëzore mbuluar nga regjimet totalitare. Përzgjedhja e filmave mbulonte periudha të ndryshme historike dhe zhanre të shumta, duke ofruar një këndvështrim të gjithanshëm mbi përballjen me totalitarizmin, ku satira do të përmbyllte aktivitetin përmes një qasjeje me humor ndaj ideologjive të kohës.
“Në një kohë kur kujtesa kolektive për krimet e totalitarizmit shpesh zbehet – tha ai – ky festival shërben si një kujtesë emocionalisht e fuqishme për miliona jetë të prekura nga regjimet shtypëse”. Përveç Presidentit të Fondacionit Eric Patterson, gjatë paneleve folën ideatori i festivalit gazetari Mark Judge, Drejtori për Komunikim i Muzeut, fotografi Michal Harmata etj… Titujt e filmave kryesorë artistikë që u shfaqën gjatë ditëve të Festivalit ishin, “Pilecki’s Repot”, “Raporti i Pileskit”, “The Killing Fields”, “Fushat e vrasjeve”, “RedDawn”, “Agimi i kuq”, “The Lives of Others”, “Jetët e të tjerëve”, “Hail, Caesar” etj. Pjesë të këtij programi u ndoqën edhe nga disa gra shqiptare që kanë përjetuar persekucionin e egër komunist në Shqipëri.
Filmi “Agimi i kuq”, ishte prodhim amerikan i vitit 1984, realizuar nga regjisori John Milius dhe artistë të njohur të Hollivudit. Ishte një dramë aksion luftarak i periudhës së Luftës së Ftohtë, ndërtuar mbi një histori hipotetike sikur SHBAja pushtohet nga forcat e bllokut komunist. Historia nis papritur në një qytet të vogël rural në Colorado, ku trupat parashutiste sovjetike dhe kubane zbarkojnë direkt mbi oborrin e një shkolle të mesme vendase dhe hapin zjarr, duke shënuar fillimin e Luftës së Tretë Botërore në tokën amerikane. Çfarë tregon se historikisht SHBA, edhe nëpërmjet artit dhe kinematografisë amerikane vazhdimisht kanë bërë përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Botë. Edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump i nderon viktimat e komunizmit dhe vazhdimisht ngre zërin me politikat e tij për rrëzimin e komunizmit në vendet totalitare në botë. Duke u ndalur tek data 3 tetor, ajo përkon me rënien e Murit të Berlinit dhe bashkimin e dy gjermanive në vitin 1989. Kohë kur Ronald Regan i tha Gorbaçovit: “Shëmbeni këtë mur”. Me këtë rast mund të përmendim edhe Governatorin e Shtetit të Floridas, Ron DeSantis, i cili ka futur me detyrim nëpër tekstet shkollore literaturë mbi krimet e komunizmit në botë. Festivali synoi të përdorë fuqinë e ekranit të madh për të edukuar publikun mbi rreziqet e ideologjive totalitare dhe për të vlerësuar sakrificat e lirive e të drejtave të njeriut. Përmes një përzgjedhjeje me filma nga periudha dhe gjini të ndryshme, aty u paraqitën filma dramë, histori reale, filma me aksion, satirë dhe është hera e parë që një institucion i këtij niveli në SHBA krijon një platformë dedikuar posaçërisht kinematografisë antikomuniste.
Zhvillimi i festivalit në zemër të Washington D.C. i dha eventit një vizion ndërkombëtar, duke tërhequr diplomatë, historianë, ish-të persekutuar politikë nga vende të ndryshme të botës, studentë dhe artdashës. Shfaqur në një nga sallat e Muzeut ku brenda tij ndodhet edhe një Galeri me foto dhe piktura të shumta. Përmbajtjen e pikturave, punime të artistit ukrahinas Nikolai Getman, i cili i mbijetoi kampeve të punës së detyruar në Gulag, të jepej mundësia ti njihje nëpërmjet kufjeve me audio udhëzues.
* Washington D.C
/Gazeta Panorama
Marrëdhënia e tij me Lili Brik është një nga poemat më të bukura të jetës së Majakovskijt. Një histori dashurie e cila qe gjithnjë në tension (pasi Lili ishte e martuar) do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në poetin Vladimir Majakovskij, Botimet “Saras” sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus.
Suadela Balliu
Më 4 gusht të vitit 1978, në moshën 87 –vjeçare, Lili Brik kreu vetëvrasje duke marrë një dozë vdekjeprurëse hapesh për gjumë. Ajo mori vendimin e vështirë për shkak se ishte e dënuar të rrinte në shtrat për shkak të sëmundjes dhe nuk mund të kishte jetë normale.
Dhe jeta e muzës së madhe dhe tunduese ishte e jashtëzakonshme deri në fund. Në pamjen e saj nuk kishte kurrgjë që mund ta quaje të bukur. Por ajo mund të ishte fatale dhe burrat çmendeshin pas saj.
Ajo ishte një nga më të famshme dhe më ndikueset gra në kulturën ruse dhe atë sovjetike. Admirohej prej burrave dhe ndihmoi shumë njerëz të talentuar të bëheshin të famshëm, Pablo Neruda e ka quajtur si muza e avangardës ruse. Kur Vladimir Majakovkij e njohu Lilin më 1915-ën, ai u dashurua me shikim të parë. Më vonë ai do ia rrëfente dashurinë, duke shpallur se gjithë ç’kishte shkruar ishte falë saj.
Botimet Saras sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus dhe historisë së dashurisë me Lili Brik. Kryeredaktorja e kësaj shtëpie botuese, Alda Bardhyli rrëfen detajet e një dashurie të kaluar nën tension…
Një nga pyetjet që biografët e Majakovskijt kërkojnë t’u japin përgjigje është pikërisht marrëdhënia e tij me aktoren Lili Brik, ndikimi që ajo pati në vargjet e tij. Botimet “Saras” sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus, ku ju jeni dhe redaktore. Si e sheh këtë raport?
Marrëdhënia e tij me Lili Brik është një nga poemat më të bukura të jetës së Majakovskijt. Një histori dashurie e cila qe gjithnjë në tension (pasi Lili ishte e martuar) do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në poetin Vladimir Majakovskij, kjo pasi kur ata u njohën ai ende nuk ishte shfaqur publikisht si poet. E njohur si muza e Majakovskijt, Lili është motra e shkrimtares Elsa Triolet dhe gruaja e Osip Brik. Pablo Neruda e quante atë me humor si “muza e poetëve avangardë rusë”, pasi emri i saj shihet në shënimet e veprave të rëndësishme të letërsisë ruse të asaj periudhe. Vetë Serena Vitale e nis rrëfimin mbi jetën e Majakovskijt pikërisht nga njohja e tij me Lilin, për të treguar se rrugëtimi i tij në letrat ruse, nuk mund të perceptohet pa gruan me flokët e shkurtra kafe, dashuria e së cilës e bëri ta shihte veten në dimensione të tjera, shpesh dhe torturuese. “Re me pantallona” një nga poemat më të njohura të tij në shqip, qëështë dhe poema e tij e parë e botuar që mban nënshkrimin dedikuar kësaj gruaje. Të gjitha përmbledhjet poetike të shkruara prej tij do ti kushtohen asaj. Majakovskij ishte dashnori i fshehtë i Lilit, dhe peng i familjes së Brikëve, me të cilët kishte raporte miqësie, duke krijuar një marrëdhënie varësie nga e cila nuk do të shkëputej dot kurrë. Tre vjet pas njohjes Lili do i thoshte të shoqit, kritikut të njohur të letërsisë se dashuronte Majakovskijn, dhe nëse ai donte , le ta linte menjëherë. Por ai do ti kërkonte të mos ndaheshin asnjëherë. Ata nuk u ndanë, dhe ajo qe gjithnjë gruaja që tradhëtonte, duke jetuar një trekëndësh dashurie që ndjehet dhe në poezitë e shkruara nga Majakovskij. Peng i martesës të së dashurës së tij, Majakovskij provoi shpesh të shkëputej prej saj, për të krijuar njohje të reja, të cilat përfundonin gjithnjë, me kthim në apartamentin e Brikëve. Biografia e ardhur në shqip nga Saras, nën përkthimin e Ardian Beshajt, sjell një këndvështrim tjetër të këtij raporti dashurie, duke e ngritur ndoshta për herë të parë në dimensionin që ajo vërtet kishte në jetën e Majakovskijt. Vetë Serena Vitale është shprehur se Lili është kudo në jetën e tij, jo vetëm si një dashnore, por dhe si një mëndje tek e cila ai besoi. Në libër publikohet për herë të parë dhe ditari i saj privat, apo detaje nga udhëtimet që kanë pasur shpesh bashkë në Paris apo jashtë Moskës.
Ishte Lili dashuria e parë dhe e fundit e poetit?
Ajo ishte më shumë se një dashuri për të. Ishte gruaja që i shkoi pas ideologjisë ku ai besonte, dhe e nxori fuqishëm poetin brenda tij, duke i falur një dashuri të pamundur, çka e bëri Majakovskijn të ishte gjithnjë në kërkim, të formave që do ta bënin Lilin vetëm të tijin. Asgjë nuk do të ishte kaq e bukur, nëse ata do të ishin martuar bashkë, nëse nuk do të kishte pasur netët kur gdhihej poshtë apartamentit të Brikëve, me shpresën se silueta e saj do të shfaqej në dritat e fikura pas mesnate. Pavarësisht raporteve të shkurtra që ai krijoi me femra të tjera, Lili ishte ajo që e bëri të zbulonte pashmangshmërinë e mosmarrëveshjeve midis Majakovskijt dhe jetës, temëqendrore e gjithë poezisë së tij.
Po Nora, kush është ?
Veronika Polonskaja e njohur ndryshe si Nora është femra e fundit me të cilën Majakoskij kërkoi të ndërtonte një histori dashurie, që do ta shkëpuste atë përfundimisht nga Lili Brik. Ka qenë Osif Brik ai që do e prezantonte, jo pa shkas, Majakovskin me Norën gjatë një gare me kuaj. Në librin e ardhur në shqip janë kujtimet e saj, të cilat ajo i hodhi të gjitha në një fletore pas ndarjes nga jeta të Majakovskijt. “I pëlqyem menjëherë njëri-tjetrit. Vladimir më tha: “Si mund të ndryshoni në këtë mënyrë? Sot në mëngjes, te garat, ishit një përbindësh, kurse tani jeni kaq e bukur …’ Pas disa ditësh u bëmë miq të ngushtë. E takoja sidomos në studion e tij në kalimin Lubjanskij. Pothuajse çdo ditë mbërrija aty rreth orës pesë ose gjashtë të pasdites dhe pastaj shkoja në shfaqje … Pikërisht kjo ishte periudha e dashurisë sime më të madhe për të.”, shkruan ajo në kujtime. Por ashtu si Lili, dhe Nora ishte e martuar, dhe në kujtime ajo tregon se poeti i ka kërkuar shpesh ta lërë të shoqin e të jetonte me të. ” Në fillim nuk u jepja shumë rëndësi fjalëve të tij dhe i thosha se do të mendohesha, por ai të mundonte, mëtonte që t’ia thosha në mënyrë përfundimtare se çfarë kisha vendosur, gjë që ndodhi më 13 prill të këtij viti kur u takuam, dhe domethënë i thashë se nuk e doja, nuk do të shkoja të jetoja me të dhe nuk kisha ndërmend ta lija tim shoq … Më telefononte shpesh, vinte të më merrte me makinë, më kërkonte të shkoja tek ai etj. Kohët e fundit e shihja shumë të ligështuar, nervoz, thoshte se ishte për shkak të dështimit të ‘Banjës’, të vetmisë, dhe në përgjithësi të faktit që ishte i sëmurë.”, kujton ajo. Braktisja dhe prej Norës, pas përpjekjeve të tij që ajo ta linte jo vetëm të shoqin por edhe teatrin, do të ketëqenë dhe goditja e fundit që poeti ka marrë para aktit tragjik. Nora tregon se nga kjo marrëdhënie ajo ka pasur njështatzëni të cilën e ka ndërprerë, çka rriti tensionin mes tyre. Por kujtimet e lëna prej saj, janë një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar jetën e vërtetë të Majakovskijt.
A ka bashkëkohës që e quajnë Majakovskijn arrogant?
Ka pasur gjithnjë një perceptim për Majakovskijn, si një njeri që i pëlqenin skandalet (fakti që dashuronte gruan e mikut të tij), arrogant, etj., por nëse lexojmë Serena Vitalen, do të shohim njëpersonazh krejtësisht ndryshe. Do të gjejmë një poet tepër të brishtëbrenda tij, gjithnjë i shqetësuar për fatin e shoqërisë ruse të asaj periudhe dhe letërsisë. Ai nuk kishte melankolinë dhemendjemadhësinë që e hasje shpesh në kastën e intelektualëve rusë të asaj periudhe. Mjafton të lexojmë kujtimet e miqve që janë në këtë libër për të njohur një burrë shpirtërisht të fortë.
Megjithatë, dhe pse i dashuruar ai vrau veten?

Vetëvrasja e Majakovskij është ende një moment për të cilën jo vetëm biografët por dhe mendimi rus vijon të diskutojë në ka qenë e tillë. Kemi të bëjmë me një poet i cili kishte arritur të dominonte jetën letrare të Moskës së viteve 1930-të, duke lënë pas emra të njohur të kohës, i cili vendos të vetëvritet pikërisht në kulmin e shkëlqimit të tij, kur ishte vetëm 36 vjeç. Për njohësit e mirë të poezive të tij, ky fund fatal është i natyrshëm dhe paralajmërohet shpesh në vargje, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme që ai kishte jo vetëm ndaj komunizmit, por dhe një ideologjie ku kishte besuar herët. Megjithatë historia e letërsisëështë e mbushur me vetëvrasje, dhe një nga poetët e miqtë e tij më të mirë Esenini e kishte bërë më parë një veprim të tillë. Por duket në libër se për poetin vetëvrasja ishte një mendim kronik. Vetë Lili tregon në ditarët e saj se e ka dëgjuar shpesh të thotë se do të vriste veten. “Do të vras veten! Në moshën 35-vjeçare njeriu është plak! Do të jetoj deri 30 -vjeç. Pastaj mjaft”, kujton Lili, pavarësisht se ishte përpjekur t’i mbushte mendjen se pleqëria nuk duhet ta frikësonte. Vetë Majakovskij shprehej shpesh se nuk mund ta përfytyronte veten një plak me rrudha, dhe ky fund fatal duket se është ngjizur herët si mendim tek ai, për ta vënë në jetë më 14 prill në orën 10:15 të paradites më 1930.
8 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com) / Botuar në MadamMapo
Sokol Progri është një nga emrat e spikatur të artit skenik shqiptar, një artist tropojan që gjatë gjithë veprimtarisë së tij ia kushtoi talentin dhe përkushtimin teatrit, kinematografisë dhe televizionit shqiptar.
I lindur më 10 maj 1951 në Tropojë, Sokol Progri e nisi rrugëtimin e tij artistik që në moshë të re. Në vitin 1966, ai filloi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në degën e skulpturës. Pikërisht në këtë periudhë të hershme të formimit artistik do të linte edhe një gjurmë të veçantë në historinë kulturore të vendlindjes së tij.
Pas mbarimit të shkollës, në vitin 1971, u emërua piktor në Shtëpinë e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri. Në vitin 1974, Sokol Progri realizoi skulpturën “Kushtrimi”, e cila mund të konsiderohet ndër veprat e para të këtij lloji të realizuara në qytetin e Bajram Currit. Në këtë projekt ai bashkëpunoi edhe me skulptorin Isa Balia, i cili në atë kohë ishte student dhe ndodhej në Tropojë gjatë pushimeve verore. Skulptura “Kushtrimi” u vendos në Muzeun e Bajram Currit, duke mbetur një dëshmi e rëndësishme e përpjekjeve të hershme për zhvillimin e artit figurativ në qytet.
Por rrugëtimi artistik i Sokol Progrit nuk do të ndalej te skulptura. Dashuria për skenën do ta orientonte drejt një tjetër fushe, asaj të teatrit.
Në qytetin e Bajram Currit, ai u bë pjesë e teatrit amator “Dardania”, nën drejtimin e aktorit dhe regjisorit të paharruar Sali Doçi, i cili ishte një figurë me rëndësi të veçantë për jetën kulturore të Tropojës dhe për zhvillimin e artit skenik në këtë trevë. Nën drejtimin e tij, teatri amator “Dardania” arriti të krijonte një traditë të rëndësishme artistike dhe të afronte publikun tropojan me skenën.
Në atë kohë jepeshin shumë shfaqje nga trupa amatore e rrethit. Një ndër to ishte drama “Doktori Pacient”, me skenografi të Sokol Progrit, i cili mori pjesë edhe si aktor në këtë dramë. Ndër aktorët kryesorë ishte vetë regjisori Sali Doçi, i cili luante edhe si aktor, si dhe Gjelosh Marku, Sokol Progri, Afërdita Kolmekaj dhe të tjerë. Shfaqja pati një pritje shumë të mirë nga artdashësit dhe u luajt tetë herë radhazi, një tregues i interesimit të madh të publikut tropojan për teatrin.
Pas këtij formimi të hershëm në skenën amatore, Sokol Progri vijoi rrugën profesionale. Në vitet 1971–1978, ai kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, duke e kthyer pasionin për teatrin në një profesion dhe duke nisur një rrugëtim të gjatë në artin shqiptar.
Pas përfundimit të studimeve, ai punoi për disa vite në Teatrin e Beratit, si aktor dhe regjisor. Teatri i Beratit ishte krijuar rreth viteve 1980–1981 dhe Sokoli bëhet pjesë e këtij teatri pas vitit 1984. Kjo periudhë përbën një nga kapitujt e rëndësishëm të karrierës së tij, pasi skena teatrore do të mbetej një nga hapësirat ku ai do të shprehte më së miri formimin dhe përvojën e tij artistike. Në konsolidimin e Teatrit të Ri të Beratit, në vitin 1985 iu shtua kësaj trupe edhe aktorja e mirënjohur Liri Lushi.
Krahas teatrit, Sokol Progri u angazhua edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në disa produksione të rëndësishme të kohës.
Ndër rolet e tij në film përmenden:
“Yje mbi Drin” (1978) – në rolin e Palit;
“Fundi i një gjakmarrjeje” (1983) – në rolin e Becit, me regji të Rikard Ljarjes;
“Flaka e maleve” (1983) – pjesë e kastit të filmit;
“Hetimi vazhdon” (1988) – në rolin e Dilaverit, me regji të Mark Topallajt.
Edhe pse filmografia e tij nuk është e gjatë, prania e Sokol Progrit në këto produksione përbën një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike dhe të një periudhe të veçantë të kinemasë shqiptare.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm i karrierës së tij ishte puna në Televizionin Shqiptar (TVSH). Në fillim të vitit 1986, ka lëvizur nga Berati në RTVSH, si regjisor në Departamentin e Informacionit.
Formimi i tij i dyfishtë si aktor dhe regjisor i mundësoi të kontribuonte në realizimin e programeve dhe spektakleve televizive, duke e zgjeruar veprimtarinë e tij përtej skenës teatrore dhe ekranit të madh.
Rrugëtimi i Sokol Progrit është, në shumë mënyra, historia e një artisti që nuk u kufizua vetëm në një disiplinë. Ai nisi si skulptor, u përfshi në teatrin amator të vendlindjes, u formua si aktor profesionist, punoi si regjisor, interpretoi në kinema dhe kontribuoi në televizion. Në këtë rrugëtim, lidhja me Tropojën mbeti një element i rëndësishëm. Nga skulptura “Kushtrimi” në fillimet e tij, te skena e teatrit “Dardania” dhe më pas te skenat profesionale të teatrit, kinemasë dhe televizionit shqiptar, jeta artistike e Sokol Progrit përfaqëson një pjesë të historisë së një brezi që e ndërtoi artin me punë, pasion dhe përkushtim.
Sokol Progri është një emër që meriton të kujtohet jo vetëm për rolet e tij në teatër dhe kinema, por edhe për kontributin në zhvillimin e jetës artistike dhe kulturore të vendlindjes së tij. Ai i përket atij brezi artistësh që e përjetuan artin si një mision dhe që lanë gjurmët e tyre në skenën shqiptare.
Sokol Progri – aktor, regjisor, artist tropojan dhe një emër i lidhur me historinë e teatrit, kinemasë dhe televizionit shqiptar.
Në vitin 1996, pasi filloi anarkia e njohur e kësaj periudhe, me hapjen e depove të armëve dhe daljen e shtetit jashtë kontrollit, në qershor të vitit 1997 u detyrua të emigronte familjarisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Florida, ku jeton edhe sot.
————-
~ Tropoja Poetike
Revolucioni Flamingo i Shqipërisë shkon në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës së Roterdamit 2026, 18 shtator – 29 nëntor 2026.
Kolektivi Artistët dhe Arkitektët Shqiptarë për Revolucionin Flamingo prezanton në Roterdam, “Ata thonë ‘Zhvillim’, Ne themi ‘Grabitje Toke’”, një ndërhyrje hapësinore që sjell zërin dhe materien e Revolucionit Flamingo në Bienale, drejtpërdrejt nga Shqipëria. Ndërsa prej pothuaj 4 muajsh, shqiptarët kanë mbushur rrugët çdo ditë, në një lëvizje që tashmë njihet si Revolucioni Flamingo, nxitur fillimisht nga planet për ndërtimin e një resorti brenda një lagune të mbrojtur, banesë e flamingove dhe specieve te tjera, protesta është shtrirë përtej refuzimit të një projekti të vetëm, duke u shndërruar kështu në një revoltë më të gjerë kundër agjendës së zhvillimit të Kryeministrit Edi Rama, model ku interesat publike sakrifikohen gjithnjë e më shume në favor të elitave të tjera.
Artistët që paraqesin veprën e tyre ne Bienalen e Roterdamit, shfaqin materiale nga terreni të krijuara nga protestuesit gjatë protestave si pankarta origjinale përdorur në protestë (10 x 2 m), valëvitur nga aktivistët e Revolucionit Flamingo, përgjatë brigjeve të kërcënuara të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, një tufë flamigosh – flamingo origjinale polistireni përdorur çdo natë nga protestuesit gjatë demonstratave si edhe kartolina nga Shqipëria – nje grup kartolinash të cilat vizitorët janë të ftuar t’i dërgojnë drejt përfaqësueseve të BE-së, duke kërkuar shfuqizimin e Ligjit 21/2024, legjislacion që ka bërë të mundur ekspozimin e parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura ndaj projekteve të mëdha turistike dhe infrastrukturore.
Kolektivi e përdor hapësirën dhe kohën e Bienales si zgjatim mbështetjeje, si një mënyrë për ta bartur më tej lëvizjen dhe për ta lejuar atë të rrugëtojë përtej kufijve të Shqipërisë. Pyetja kryesore qe kolektivi ngre është: “Përtej thjesht përfaqësimit të lëvizjes Flamingo, si mundet një bienale arkitekture të mbështes një lëvizje që tashmë po prodhon format e veta të njohurive hapësinore, organizimit dhe rezistencës?”.
Kolektivi Artistët dhe Arkitektët Shqiptarë për Revolucionin Flamingo (AAAFR) është një grup fluid artistësh, arkitektësh dhe aktivistësh, që zuri fill në rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera përmes angazhimit të përditshëm me protestat, qysh kur nisi lëvizja. Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Roterdam, është një institucion kulturor që nxit dialogun mbi çështjet bashkëkohore hapësinore dhe organizon çdo dy vjet edicionet e saj tematike. bw
VOAL- Henri Julien Félix Rousseau, i njohur si Douanier, lindi në Laval më 21 maj 1844. Një piktor autodidakt, ai ia detyronte një pjesë të madhe të frymëzimit të tij përvojave personale. Gjatë shërbimit të tij ushtarak, ai takoi ushtarë që ktheheshin nga fushata franceze në Meksikë duke mbështetur Perandorin Maksimilian. Me shumë mundësi, përshkrimet e tyre të atij vendi frymëzuan përshkrimet e tij të gjalla dhe të harlisura të xhunglës, tema e tij e preferuar. Gjatë jetës së tij, vepra e tij u kritikua dhe u denigrua gjerësisht, me vërejtje sarkastike dhe qortime kritike të pashmangshme. Shumë e konsideruan atë thjesht një piktor naiv, pa asnjë thellësi artistike. Ndër “epitet” që i drejtoheshin nga bashkëkohësit e tij ishin mbiemra të tillë si naiv, i pakulturuar, naiv, i sinqertë e kështu me radhë. Më pas, një njohje më e madhe kritike dhe një kuptim më i qartë i punës së tij kanë lejuar që merita e tij artistike të njihet. Ajo që dukej të ishte dobësia e tij (domethënë, të qenit naiv) doli të ishte themeli i origjinalitetit të tij autentik. Sot, Henri Rousseau konsiderohet piktori naiv më personal dhe autentik në pikturën moderne. Për më tepër, pas vdekjes së tij, stili i tij “primitiv”, i karakterizuar nga ngjyra të ndezura, vizatim qëllimisht i sheshtë dhe subjekte imagjinative, u imitua nga piktorët modernë evropianë. Pikërisht sepse ishte naiv, “i pakulturuar” dhe i pakufizuar, Henri Rousseau u pa si një artist i aftë të tejkalonte traditën me sinqeritetin e tij, duke shprehur lirshëm veten e tij të brendshme përtej rregullave akademike. Çuditërisht, ai iu përkushtua pikturës praktikisht gjatë daljes në pension, pasi kishte punuar pothuajse gjithë jetën e tij në zyrat doganore në Paris. Prandaj edhe nofka e tij: “Douanier”. Duke filluar nga viti 1886, ai ekspozoi veprat e tij në “Salon des Indépendants”, duke fituar admirimin e bashkëkohësve si Paul Gauguin dhe Georges Seurat. Pas një periudhe fillestare kushtuar portreteve dhe pamjeve të Parisit, në vitet 1890 ai kaloi në përshkrime fantastike shumë origjinale, të karakterizuara nga peizazhe tropikale me figura njerëzore që luajnë ose pushojnë dhe kafshë që qëndrojnë të palëvizshme dhe vigjilente, sikur të hipnotizuara nga diçka misterioze. Në pikturën e tij të famshme “Ëndrra”, për shembull (e datuar 1910), ai përshkruan një figurë nudo të shtrirë në një divan në një xhungël me ngjyra të gjalla, me bimë të harlisura, luanë shqetësues dhe kafshë të tjera; në “Cigani i Fjetur”, megjithatë, një grua pushon në paqe në shkretëtirë ndërsa një luan, me bishtin lart, e shikon me kuriozitet. Këto vepra, së bashku me shumë të tjera, mbahen në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork. Në jetën e tij private, Ruso ishte një njeri shumë i angazhuar shoqërisht. Ai mbahet mend për pjesëmarrjen e tij në fermentet revolucionare të kohës së tij. Henri Rousseau vdiq në Paris më 2 shtator 1910./Elida Buçpapaj
Një vështrim i thelluar në disa nga veprat e Henri Rousseau
Ëndrra (1810)
Autoportret si Piktor (1890)
Surpriza – Tigri në një Stuhi Tropikale (1891)
Lufta (1894)
Cigani i Fjetur (1897)
Magjistari i Gjarprit (1907)
Karroca e At June (1908)
Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes piktori i njohur shqiptar Kujtim Buza, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e artit të tij.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur trishtimin për ndarjen nga jeta të artistit.
Gonxhja e ka cilësuar Kujtim Buzën si një piktor dhe studiues të rëndësishëm, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e artit pamor shqiptar.
Kujtim Buza i përkiste një prej familjeve më të njohura të lidhura me historinë e artit shqiptar. Ai ishte i biri i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.
I rritur pranë artit, Kujtim Buza vijoi traditën artistike të familjes, por ndërtoi edhe rrugëtimin e tij krijues dhe një profil të veçantë në skenën artistike shqiptare.
Përmes veprës dhe studimeve të tij, ai la një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore dhe artistike të vendit.
Ndarja e tij nga jeta shënon një humbje të ndjeshme për artin shqiptar, ndërsa kujtimi i tij do të vijojë të mbetet i lidhur me trashëgiminë e pikturës dhe kulturës shqiptare. bw
Liri Lushi: “Së pari njeri, pastaj artist i mirë”
“ Nga skena e Teatrit “Aleksandër Moisiu” te emigrimi në Zvicër dhe ëndrrën për t’u rikthyer në skenë me Shekspirin: aktorja dhe pedagogia shqiptare rrëfen rrugëtimin e saj artistik, rolin e Shote Galicës, fuqinë e teatrit për të ndërtuar reziliencë dhe bindjen se arti nis nga kërkimi i përhershëm për të kuptuar misterin e qenies njerëzore.”
“Arti dhe mërgimi më mësuan reziliencën”.
“Së pari njeri, pastaj artist i mirë…”
Me këtë mesazh të fuqishëm, aktorja e njohur shqiptare Liri Lushi rrëfen në këtë intervistë – dialog të hapur dhe emocionues, rrugëtimin e saj artistik e human.
Një karrierë brilante që nisi që në moshën 13-vjeçare, sukseset në Teatrin “Aleksandër Moisiu” (Durrës), roli ikonë i heroinës Shote Galica dhe më pas emigrimi i detyruar në Zvicër në vitin 2000. Në këtë intervistë aktorja dhe pedagogia shqiptare Liri Lushi tregon pa filtra për përvojat që kanë shënjuar jetën e saj dhe për mënyrën se si arti e ndihmoi të përballonte vështirësitë.
Emigrimi i mori për një periudhë aktrimin, por më pas u bë pikënisja e një “rilindjeje” të re.
Në Zyrih, themeloi Studion Teatrale, me synimin për t’i ndihmuar të rinjtë e prekur nga traumat e luftës në Kosovë të rifitonin besimin te jeta dhe te vetja. Përmes teatrit, psikologjisë dhe punës me të rinjtë, Liri Lushi zbuloi kuptimin e vërtetë të fjalës “reziliencë”.
Në rrugëtimin e saj ndërthuren teatri, kinemaja, psikologjia dhe studimi i zhvillimit psikosocial. Përvoja e saj dëshmon se arti nuk është vetëm një mënyrë për të shprehur emocionet, por mund të shndërrohet edhe në një mjet shërimi, force dhe rilindjeje.
Në këtë intervistë, Liri Lushi rikthen kujtime nga një karrierë e jashtëzakonshme dhe ndan me lexuesit një nga sekretet më të rëndësishme të profesionit të aktorit: të mos pushosh kurrë së dashuruari dhe së hulumtuari misterin e mrekullueshëm të qenies njerëzore.
Ju ftoj të lexoni rrëfimin e sinqertë të saj për artin, emigrimin, jetën, dhimbjen, shpresën dhe fuqinë për të rilindur.

Përshëndetje e dashur Liri. E nderuar të jem sot me ju në këtë intervistë.
Në moshën 13-vjeçare fituat çmimin tuaj të parë artistik me monologun “Tregim për katër kufitarët”. Si e kujtoni sot atë moment?
Kënaqësi edhe për mua të jem këtu Angela.
Faleminderit për këtë pyetje kaq intriguese…
Është një pyetje thelbësore, sepse më kthen te fillimi i rrugëtimit tim artistik dhe te një e vërtetë që e kam kuptuar me kalimin e viteve: identiteti ynë i ka rrënjët më të fuqishme në fëmijërinë e hershme.
Sot, si aktore dhe si pedagoge në fushën psikosociale, e kuptoj se nuk ishte rastësi që, në moshën trembëdhjetëvjeçare, zgjodha vetë poemën “Tregim për katër kufitarët”, një poemë që fliste për jetën dhe vdekjen.
Ndoshta pikërisht atëherë, ende pa e kuptuar plotësisht jetën, lindi brenda meje pyetja që do të më shoqëronte gjatë gjithë rrugëtimit tim: çfarë e bën njeriun njeri?
Që atëherë, gjithçka që kam bërë, në teatër, në film, në studimet në zhvillimin psikosocial dhe sot në dëshirën për t’u rikthyer te Shekspiri, ka qenë në thelb i njëjti kërkim: përpjekja për të kuptuar më thellë njeriun dhe ekzistencën e tij.
Nga aktrimi tek zhvillmi psiko- social i njeriut. Cila prej tyre ju ka dhënë emocionet më të forta në karrierë?
Për mua nuk kanë qenë kurrë dy rrugë të ndara, ndaj është e vështirë të zgjedh mes tyre. Emocionet më të forta i kam përjetuar pikërisht aty ku arti dhe zhvillimi psikologjik i njeriut takohen. Në thelb, të dyja burojnë nga i njëjti vend: nga nevoja për të kërkuar të vërtetën njerëzore. Prandaj nuk i shoh si dy profesione, por si dy gjuhë të ndryshme që flasin për të njëjtin mister: njeriun, misteri më i mrekullueshëm që më ka tërhequr gjatë gjithë jetës sime.
Roli i Shote Galicës në dramën “Gërsheti i luftërave” ju bëri të njohur për publikun e gjerë shqiptar. Çfarë përfaqëson ky personazh për ju si artiste dhe si grua shqiptare?
Shote Galica ishte për mua shumë më tepër se një rol. Ajo ishte një tjetër takim me njeriun në kufijtë e ekzistencës, aty ku jeta përballet me humbjen, frikën dhe sakrificën, por zgjedh të mos dorëzohet.
Si artiste, sfida ime nuk ishte të interpretoja një heroinë, por të zbuloja gruan që fshihej pas legjendës: një grua që dashuronte, vuante, kishte frikë dhe, megjithatë, zgjidhte lirinë. Pikërisht ky dimension njerëzor më ka tërhequr gjithmonë, si në art ashtu edhe në jetën time profesionale.
E, mbi të gjitha, ky rol më mësoi se rolet nuk formohen vetëm nga artisti: edhe artisti formohet prej tyre. Besoj se pikërisht ky formim më hapi rrugën drejt personazheve të tjerë që i kam gjithmonë në zemër, si Dila në filmin “Rruga e Lirisë”, Nëna në “Këtu bën ftohtë”, apo “Valsi i ngrirë në Prishtinë”, “Këngë dashurie me korbat”. Të gjithë këta personazhe kanë një të përbashkët: janë njerëz që përballen me kufijtë e jetës dhe zgjedhin të mbijetojnë.
Cilat kanë qenë sfidat dhe kënaqësitë më të mëdhaja gjatë viteve të punës në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës?
Shpesh them me buzëqeshje një shprehje që ma ka lënë nëna ime: “Kam lindur me këmishë!”
Dhe e them sepse pata fatin e rrallë t’i hidhja hapat e parë, si një beb i skenës, pranë mjeshtrave, si: Nikolin Xhoja, Haxhi Rama, Kadri Pirro, Bashkim Hoxha, autorit Avni Mulaj dhe shumë artistëve të tjerë që i përkasin panteonit të teatrit shqiptar.
Prej tyre mësova se skena, me gjithë magjinë dhe disiplinën që mbart brenda vetes, është sfida më e bukur për një artist. Ajo nuk të përket kurrë; besimin e saj duhet ta fitosh çdo mbrëmje. Ky u bë lajtmotivi që më udhëhoqi në çdo skenë ku kam interpretuar.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, sot e ndiej se jam gati për sfidën më të madhe artistike të jetës sime: një rikthim në skenë me Shekspirin. Më thërret “Mbreti Lir”, një rol i shkruar për një mbret, por që do të doja ta sillja në një lexim të ri, si mbretëreshë. Po aq fort më thërret edhe Hamleti. Nuk e shoh këtë si një provokim, por si një vazhdim të natyrshëm të kërkimit tim për njeriun. Nëse marr dhe kam guximin ta ëndërroj këtë sot, ia detyroj shkollës së madhe që mora në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Për këtë do t’i jem gjithë jetën mirënjohëse.
Si ka ndikuar në jetën dhe identitetin tuaj artistik emigrimi në Zvicër?
Emigrimi për mua ishte një zgjidhje e detyruar. Në fillim, sfida më e madhe ishte humbja e spontanitetit. Kur fillon të komunikosh në një gjuhë të huaj, nuk humbet vetëm gjuhën e nënës, për një kohë humbet edhe emocionin që shoqëronte çdo fjalë të saj. Të duket sikur ke humbur një pjesë të vetes. Por, ndërsa fiton një gjuhë të re, rikthehen, madje edhe më të forta, siguria, spontaniteti dhe besimi te vetja.
Besoj se emigrimi të detyron të rilindësh. Ai të jep një shikim më të thellë mbi veten dhe të mëson se identiteti nuk është vetëm vendi nga vjen, por kultura që mbart brenda vetes.
Zvicra më mësoi se rrënjët mund të jenë të forta edhe kur degët shtrihen në një qiell tjetër, madje më të forta!
Ju nuk u shkëputët asnjëherë nga arti edhe pas largimit nga Shqipëria. Çfarë ju motivoi të vazhdonit rrugëtimin artistik në një vend të huaj?
Në vitet e para të emigrimit kuptova se kisha nevojë kisha nevojë të ruaja dialogun me identitetin tim dhe njëkohësisht të isha pranë njerëzve të komunitetit tim këtu në mërgim, me gjithçka që arti dhe formimi im mund t’u ofronin atyre. Pikërisht ky kërkim më çoi drejt disa studimeve pasuniversitare në fushën psikosociale.
Arti dhe ky profesion, në dukje i ri, u bënë dy rrugë që u bashkuan në mënyrë të pazgjidhëshme natyrshëm. Njëri më ndihmonte të kuptoja njeriun përmes krijimtarisë, tjetri përmes jetës së tij reale. Sot këto dy botë takohen çdo ditë në punën time me fëmijë dhe të rinj që kalojnë periudha të vështira ose kriza jetësore. Nuk i shoh më si dy profesione të ndara. Prandaj mund të them se që nga dita kur erdha në Zvicër nuk jam shkëputur kurrë nga arti, thjesht ai ka marrë një formë më të gjerë dhe më njerëzore.
Në vitin 2004 themeluat Studion për Teatër dhe Film “Aleksandër Moisiu”. Cili ishte vizioni juaj kur krijuat këtë studio?
Pas luftës në Kosovë, shumë të rinj që jetonin në Zvicër vinin nga familje që kishin përjetuar luftën, shpërnguljen dhe humbjet e saj. Besova se arti mund të bëhej një hapësirë ku ata t’u jepnin kuptim atyre përjetimeve dhe të ndërtonin një urë drejt një jete të re.
Kështu, në vitin 2004, lindi Studioja “Aleksandër Moisiu”. Vizioni i saj nuk ishte vetëm të formonte artistë të rinj, por të krijonte një hapësirë ku ata të rizbulonin besimin te vetvetja, te jeta dhe te forca që secili mbart brenda vetes.
Por shumë shpejt pranova para vetes një zbulim mahnitës: nuk isha vetëm unë që u jepja diçka atyre. Ata më mësuan forcën e jashtëzakonshme të njeriut për të mbijetuar.
Tek ata pashë se luftonin ende për të mos lejuar që trauma të kishte fjalën e fundit. Mbi të gjitha, zbulova atë që psikologjia e quan reziliencë: aftësinë e tyre për të gjetur brenda vetes burimet për t’u ringritur.
Si kanë qenë eksperiencat tuaja në produksionet zvicerane, si: “Strähl”, “Dilemma” dhe “Ditë e natë”? A ka dallime mes kinemasë shqiptare dhe asaj zvicerane?
Çdo kulturë artistike ka ritmin dhe etikën e saj të punës. Në Zvicër gjeta një metodë pune shumë të strukturuar dhe një respekt të jashtëzakonshëm për procesin krijues. Në Shqipëri kam përjetuar spontanitetin, intuitën dhe një energji emocionale që shpesh lind edhe në rrethana më të vështira. Nuk besoj se njëra është më e mirë se tjetra. Përkundrazi, besoj se arti pasurohet pikërisht kur kultura të ndryshme krijuese mësojnë nga njëra-tjetra. Kam pasur privilegjin t’i përjetoj të dyja.
Çfarë roli mendoni se luan arti në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?
Arti shqiptar në diasporë e shndërron origjinën nga një fakt biografik në një përvojë të gjallë. Ai nuk ruan vetëm gjuhën apo traditën, krijon një lidhje emocionale me rrënjët. Nga këndvështrimi i zhvillimit psikosocial, identiteti nuk ndërtohet vetëm nga ajo që dimë për veten, por nga ajo që përjetojmë. Arti i jep jetë kujtesës, dhe aty ku kujtesa bëhet përjetim, lind identiteti.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e aktrimit dhe artit?
Do t’u jepja vetëm këtë mesazh: mos e humbisni kurrë kureshtjen për njeriun. Mësoni ta dëgjoni, ta vëzhgoni, ta kuptoni dhe ta doni, edhe kur është i brishtë, i gabueshëm apo i ndryshëm nga ju. Sepse sa më thellë ta njihni njeriun, aq më njerëzorë do të bëheni edhe vetë. Dhe besoj se ky është parakushti më i rëndësishëm për çdo artist: së pari njeri, pastaj artist i mirë.
(Intervistoi: Angela Kosta)



Bregu i Diellit – bregu i pavdekësisë- Nga ARIF EJUPI
JETA NUK MERRET NË EMËR TË MOSBESIMIT DHE URREJTJES- Nga ARIF EJUPI
Idealist e guximtar- Nga ARIF EJUPI
Një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare
Peter Lang boton studimin e ri të historianit Romeo Gurakuqi mbi mbijetesën dhe rindërtimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore
HOROSKOPI I MUAJIT NËNTOR 2026
“Korrupsioni, kapja oligarkike e institucioneve dhe krimi i organizuar”- Ditmir Bushati kritikon Edi Ramën: Këto janë çështjet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë! S’e pengojnë integrimin
Paketa Fiskale- Konfindustria i paraqet Kuvendit vërejtjet, jep alarmin për ekonominë: Deficiti tregtar rekord 5.8 mld euro, industria dhe bujqësia në rënie! Rrezikohet edhe stabiliteti i lekut
Stuhia e demokratëve amerikanë në zgjedhjet e djeshme: disa kuriozitete Nga Ruben Avxhiu
Erion Veliaj iu përgjigjet 3 kërkesave të Edi Ramës, avokati Ndreca: M’i ka dhënë të shkruara në fletë ditari
Dialogu në ngërç: Çfarë kartash ka ende BE-ja?
Zunami zgjedhor demokrat dhe katastrofa republikane!- Nga Dr. JORGJI KOTE
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022










Komentet