VOAL

VOAL

Artisti modern Gazmend Freitag ekspozohet nga Galeria ARTINNOVATION pranë ART Salzburg

October 15, 2018

Komentet

Poeti Pret Qetësisht t’i Pikturojë të Pathënat (Atikusi)

[ …për t’i kthyer gjoja në piktura germatike, si një piktor, për t’i ngjyrosur pikturat poetike me brusha fjalësh (që ende s’janë thënë), për t’ua dhënë ngjyrësinë të pathënave… ]

* Atticus (Atikus) – është një poet ANONIM kanadez, përndryshe autor i 5 librave; Atikusi shkruan poezi, epigrame dhe aforizma. Emri i Atikusit qe frymëzuar nga filozofi “Atikus” si dhe nga “Atika” e lashtësisë greke (shoqëri filozofësh, poetësh dhe artistësh).
(s. guraziu – ars poetica, shk. 2024)

– – –
“The Poet Waits Quietly To Paint the Unsaid” (Atticus*)

Kosova deficit tregtar prej ~10% (krahasuar me Janarin e 2023)- Nga SENAD GURAZIU

Dihet që numrat (statistikat) e ekonomisë së një vendi janë pakashumë ngjashëm si “temperatura e trupit”, që e masim me termometër. Kur e masim, nëse t’jetë optimale… bukur, gëzohemi, e dimë që s’jemi të sëmurë : )

Kuptohet, temperatura trupore duhet t’jetë stabile, organizmi ashtu funksionon – thonë shkencat dhe doktorët. Temperaturës së trupit nuk i ka hije me akrobacionet herë lart, herë poshtë, herë… si t’i teket.

Pakashumë ngjashëm është dhe me “stabilitetin ekonomik” të një vendi. Stabile ekonomia = (baraz) me stabilitetin e temperaturës. Vlen për të gjitha vendet e botës njësoj, anise ne e kemi fjalën për Kosovën (si shembull).

Volumi ekonomik dhe rritet, psh. injektohen investime të reja nga BE-ja, vjen z. Pacolli nga Zvicra, gjatë vitit ndërtohen + disa fabrika, rritet indeksi i prodhimtarisë, avancohet efikasiteti financiar… etj. plot këso faktorësh mund t’jenë të ndryshueshëm (kah e mira, apo dhe e kundërta, kah e keqja).
Mirëpo ekonomia si “organizëm” kompleks pritet ta ruajë stabilitetin e vet, edhe kur “rritet” thuase duhet rritur me kujdes. Duhet ruajtur balansi, duhet në përpjestim të drejtë me të gjithë faktorët rreth e rrotull. Madje duhet patur kujdes dhe me përpjestimin e zhdrejtë.

Afërmendsh, nuk është e hijshme që ekonomisë t’ia ngjet “gripi… as grepi”. S’është e lavdërushme t’ia nis me kollitjen, me C-vitaminat, me çajrat kamomile, me djersitjen etj etj. Sa për dhimbje fyti, sa për zënie hundësh ekonomike dhe për rehabilitimin në shtratin e spitalit… as që guxon kujt t’i shkojë mendja : )

Në fakt, tani në muajin Shkurt, ende s’ka çelur pranvera dhe faktet e temperaturës ekonomike kosovare janë fare “Shkurt”. Sipas raportit të ASK (Agjencisë së Statistikave të Kosovës) të dhënat nga “Tregtia e Jashtme të Mallrave të Kosovës” flasin për një deficit tregtar më të lartë për 9.9 % në muajin Janar 2024, në raport me periudhën e njëjtë të v. 2023, gjegjësisht në vlerë prej 319.7 milionë €, krahasuar me deficitin prej 291.5 milionë € në v. 2023.

Dmth. rreth 28 milionë € janë mangut, s’po themi se ekonomisë kosovare ia ka “ngjitur grepi… gripi” dhe se 28 milionë € janë shpenzuar për C-vitaminat. Por nëse kjo ju duket “pak” atëherë si krahasim-qartësim, bie fjala eksportet e Kosovës me të gjitha vendet e CEFTA-s ishin 21.8 milionë €.
Ose gjatë Janarit 2024, vlera e mallrave të Kosovës eksportuar në vendet e gjithë botës (eksporti global kosovar) ishte 20.1 milionë €.

[ fotoja, burimi: prishtinainsight – tregu multietnik në Fushë-Kosovë, 2019 ]

Modernizmi i bujshëm, dhe Erosi i “skllavëruar”- Nga SENAD GURAZIU

( piktura: Sidney H. Meteyard (1868-1947) – Shpresa duke e ngushëlluar Erosin e “lidhur… skllavëruar”, 1901 )

…mund dhe të heshtet si fakt, nuk shembet bota, por modernizmi ynë i bujshëm sikur dhe dashurinë e ka “tjetërsuar”, jo mbase “degraduar as zhvlerësuar”… mirëpo s’është më siç na ishte dikur, që nga paranjeriu, që nga kohërat e mitologjisë s’pati lëvizur gjë, s’pati ndryshuar as për një nuancë, pati ngelur e njëjta dashuri, përherë ajo “klasikja”, qe ruajtur origjinaliteti si dashuri e thjeshtë, e çiltër, e pastër, pa paragjykime, pa motive të fshehura, pa “planin A dhe B”, dashuri e falur jokushtimisht, e dhuruar nga zemra dhe me gjithë zemrën, dashuri e lirë dhe e pafajshme…

…pothuaj 1 shekull e gjysmë më përpara piktori Meteyard e dinte, kanë kaluar 123 vite të pikturës… dhe afro 80 vite nga vdekja e piktorit, jetoi sa jetoi, pikturoi sa pikturoi dhe Meteyard qe nisur udhës së amshimit andej në jetëpërtejmën e vet, mirëpo në të këndejmen do e linte “dëshminë e vet pikturale”, tashmë e kemi para syve tanë, mund ta zbërthejmë, mund t’merremi me analizat, me kritikat, me sintezat, në veprën e tij e shohim Kupidonin e lidhur, shigjetat anash, flatrat e tij vjollcë sikur gjithë sfondin e mbushin me zymtësi, dhe ai vetë qejfprishur, fare i pikëlluar, e qartë se Meteyard e dinte, 1 shekull më vonë në kohën tonë dhe Erosi (Amori, ose Kupidoni) s’i ka punët aq mirë, thuase prore i lidhur, i prangosur (ekzaktësisht ashtu si në pikturën e tij)…

…mund dhe të hesht njeriu, u muar vesh, por s’ka si mohohet, për fat të keq tashmë i gjithë klasicizmi i romancave sikur është pllakosur nga “dekadenca”, thuase amoriadat klasike na qenkan demoduar, na qenkan tejkaluar, thuase u ka rënë “boja” : ) sidoqoftë, shkurt e troç fort i saktë “parashikimi” piktural i Meteyard, ndoshta shenjat e para qenë shfaqur atëherë në kohën e tij, prandaj qe marrë me pikturën, nuk është se i pati shkrepur mendja kot por padyshim i frymëzuar nga muzat, do kalonte 1 shekull dhe tek në kohën tonë kthjelltësia e iluminizmit artistik do e bënte të veten, qartësia do ishte e plotë, tashmë për ne gjithçka e qartë, kristal…

…pra, siç e cekëm fare në hyrje, që nga lashtësia pati ngelur e njëjta dashuri, s’pati lëvizur gjë, s’pati ndryshuar as për një nuancë, përherë ajo “klasikja” (mbase kujdesej vetë perëndesha Afërdita, herë Venera herë Afërdita, kuptohet sipas vendit dhe kuvendi) – ok, me përjashtim ndoshta aty-këtu të romancave romako-perandorake, meqë njihet tashmë dhe ana tjetër e “medaljonit” klasik, Venerën atëbotë e pati pllakosur psikoza e amullisë, stresi dhe depresioni, e sidomos depresioni, e pati pësuar pastaj madje dhe Ovidi i ngratë, pa asnjë pikë faji ta patën dënuar, përzënë, ekzilosur, sipas meje të gjitha fajet duhet t’i mvisheshin perëndeshës Venera – për fat të keq, një Kaligula, një Nero, një Agripina e vetme dhe tani sikur ia “prishin” gjithë vërtetësinë pohimit tonë, përndryshe gjithçka sa thamë më lart, përveç bishtit me Kaligula-Agripinat, qëndron, fjala jonë e ngopur është me saktësinë : )

As Erosi as Kupidoni s’i kanë punët dhe aq për lakmi!- Nga SENAD GURAZIU

[ piktura: Herbert James Draper (1863-1920) – Lanceloti dhe Ginevra, ~1890 ]
…nëse t’i sillnim ndërmend përrallat, imagjinatat novelistike të së kaluarës, s’do ta kontestonte kush se, bie fjala Dulçineja mund t’ketë vuajtur pa hile për Don Kishotin e vet, e saktë se nuk ekzistonte, ishte një e dashur “imagjinare” por ec e dije, ndoshta dhe krijesat e imagjinatës vuajnë, pakashumë njësoj siç vuajnë dhe princeshat e përrallave (përndryshe as këto të fundit s’do vuanin, apo jo – meqë dhe përrallat ujdisen me ndihmën e imagjinatës, sikur dhe zhanret e letraristikës… jo patjetër romanet duhet t’jenë ndodhi realistike, e dinte dhe Servantesi, e dinte dhe Jakov Xoxa teksa merrej me “Lumin e Vdekur” etj etj)…

…shkurt, njësoj si dhe Elena e përrallave arturiane që vuante për Lancelotin, Elena e ngratë pati dashuruar siç vetëm princeshat e kështjellave dinë të dashurojnë, madje pati dhënë shpirt nga “dashuria”, aq fatkeqe, përrallë aq e dhimbshme, s’ka njeri që nuk i këputet zemra, vdiq e shkoi pa iu “kthyer” kurrë dashuria, gjithçka që kishte në zemër ia pati falur Lancelotit, derisa zemra i qe bërë shkrumb, djegur e përvëluar, sepse zemrat e klasicizmit s’dinin ndryshe, o dashuronin përjetësisht o fare, zemrat dikur s’kishin as “hile” as falsitet hipokritik, ishin zemrash 100% të sinqerta, as Lanceloti s’e pati shpërfillur, por dhe ai vetë mund ta ketë humbur zemrën duke rendur pas Ginevrës, dmth. s’është se na kishte “faj” për pafatësinë e Elenës, t’i thoshte “po” duke qenë e vërteta krejt ndryshe, ashtu do ishte mëkat tepër i madh…

(ja, mos i merrni fjalët e mia të gatshme, e vërteta shihet dhe në pikturën e artistit Draper, Lanceloti fare i “hutuar” pas Ginevrës, ishte e supozuar që ai t’na ishte kalorës i hutuar rreth trimërisë, rreth problemeve të mbretërisë, rreth politikave të mbretit Artur, e jo të hutohej pas bukurosheve të huaja : )

…shkurt, dikur pati qenë ndryshe, ishte se ç’na ishte, tani secilën herë e më tepër duke u ndërlikuar gjërat, tashmë Erosi tërë ditën duket i trullosur, ia hedhin secilën herë e më shpesh, pothuaj secilën herë shigjetat i shkojnë huq, sorollatet me atë naivitetin engjëllor, e përqeshin, e përbuzin, e përtallin, madje shpesh dhe e lidhin, ia palosin flatrat, shigjetat përtokë, harkun diku pas shkurreve – thjesht s’mund të shtyhet me 1001 falsitete internetike, me 1001 butona të iPhone, me 1001 çudira të Fb, tani madje dhe çupërlinat thuase e kanë “koduar” secilin truk, thuase i shpikin vetë nga 1001 vegëza të “zemër-inteligjencës” : )

Politikanët bebulushçe – portrete-karikatura të “AI”

…çfarë s’kujtohen njerëzit, politikanët gjoja si baby-karikatura (gjeneruar me ndihmën e AI), sa për karikatura politikanësh, portrete të “shtrembëruara” ku ata shfaqen të rritur ka plot, jemi mësuar me to, mirëpo kështu bebulushçe s’do dinim, s’do na shkonte mendja, apo ku di… mua m’u duken portrete të “qëlluara”, art i përkryer, i njoha aty për aty, pa u ngatërruar – Putinushi… Putini i vogël ishte më i popullarizuari, ndërsa ai i Verio-Koresë më i lezetshmi (artistikisht dmth., fort simpatik : )
(s.guraziu – ap, shk 24)

Mikelanxhelo, alias bojaxhiu Pollock!- Humoreskë nga Senad Guraziu

Gjatë kohës së Papës Sixtus IV, një ekip i piktorëve të Renesansës, përfshirë Sandro Botticelli, Pietro Perugino, Pinturicchio, Domenico Ghirlandaio dhe Cosimo Rosselli i krijuan një seri afreskësh në Cappella Sistina. Këto afreske përfunduan në v. 1482. Ndërmjet viteve 1508 dhe 1512, nën patronazhin e Papës Julius II, Mikelanxhelo do ta pikturonte tavanin e “Sistina”. Puna e Mikelanxhelos në tavanin e “Cappella Sistina” ishte kompletimi i një projekti që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e artit perëndimor, dhe konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha artistike të qytetërimit njerëzor.

***
Megjithatë le t’kërcejmë diku tjetër. Merreni me mend si do të dukej Cappella Sistina?! Për bojaxhiun-piktor, cilido t’ishte, nëse asgjë tjetër sëpaku do t’kujtonin se është ndonjë lloj elefanti i çuditshëm, ardhur nga ndonjë vend i padëgjuar. Kjo në atë kohë, të kuptohemi. Por unë e pata fjalën për sot. Si do të dukej Cappella Sistina sot? Si do të dukej “Gjenezis – Krijimi i Adamit”, si do të dukej “Gjykimi i Fundit”? Mund ta keni idenë?

Ja ç’më parafytyrohet mua kur kujtoj Mikelanxhelon të ishte Pollock, apo ky i fundit të ishte Mikelanxhelo, si të doni.
– Për ku shpejtoheni i nderuari sekretar…? – do ta pyesnin kardinalin e mbushur frymë tek i ngatërrohen pandoflat sheshit të gjerë, gati sa s’rrëzohet.
– Për në Afrikë o në Indi… ku të arrij më parë! – do t’ua kthente ai i tërbuar.
– Ç’e mire paska ndodhur, ç’ju duhet Afrika tani?! – do t’pyesnin rishtas dhe fare të habitur nga përgjigja e çuditshme, jo e zakonshme e sekretarit.
– Asgjë mua, më duhet një elefant tjetër. Ai atje në Sistina është çmendur fare. Në fakt, ai ishte i çmendur që nga fillimi, vetëm se ne nuk e dinim. Turp. Shkoni e shihni çfarë i ka bërë tavanit! Uh… më fal o Zot, më vjen ta vras, thjesht me këto duar t’ia rrotulloj qafën si një zogthi!
– Pse! Si?! Prej nga elefanti në Sistina? Ç’kërkon një elefant aty? – pyetje përsëri, kësaj radhe me habi akoma më të thellë.
– Më lini të qetë ju lutem, pse, qysh… si! Shkoni e shihni vetë. Thjesht, shkoni atje dhe do ta shihni! Ama unë jam ai me veshë të gomarit. Unë vetë. Unë e kam angazhuar. Ma patën ngritur në qiell idiotin. Ata… janë tallur me mua, ata të pafytyrët, këshilltarët. Por do ta shohin dhe ata, ju betohem! Ndërsa unë… uh, e pat puna ime. Vetë Papa do t’më gjykojë, këtu në qendër të sheshit. Pse, do t’pyesni ju prapë. Ja pse: sigurisht e dini që ai vetë, Papa Julius II ishte komisioneri gjeneral për angazhimin e këtij dështaku, mirëpo unë e pata shtyer… unë e prekja në krah, unë ia pata mbushur mendjen. Jua them, e pati puna ime. Viti 1508 do t’jetë viti më i turpshëm në jetën time. Viti që i njollosë të gjitha vitet e mëparshme të jetës sime, si dhe ato që vijnë pastaj. S’do të ketë pastaj të jetës sime, është ndyer çdo gjë. Viti kur është ndyer historia përgjithmonë. Turpi i Mesjetës. Viti që angazhova këtë mjeran, thua se s’kishte tjetër!

Tani hetuan se kardinali ishte zverdhur, limon, e në njërën anë jashtëzakonisht shumë. Rrobet e tij të katandisura topa-topa, zverkun, pastaj hundën dhe njërën faqe e kishte plot bojë, as të verdhë e as të gjelbërt, në fakt nuanca-nuanca.
– Uh, – vazhdoi kardinali – sa ta bën vetvetja… askush! Si nuk u mbusha mend kurrë! Pastaj si bëra këtë gabim trashanik (që si duket do t’ma hajë kokën), shkova tek ashtu në udhëtim pa ditur se mjeranët kam lënë mbrapa. Këta mjeranët e mi. Po si nuk më lajmëruan, duke lënë atë të krisurin të bëjë kërdinë!
Psherëtiu aq thellë e gjatë sa gati së bashku… i doli dhe shpirti. Fshiu pak ballin e djerësitur dhe vazhdoi.
– Kur pati filluar (o Zot sa ironike) pata parë ëndërr se tridhjetë vjet më vonë do të angazhohet përsëri nga vetë Papa Pali III, për punët në “Gjykimin e fundit”… në altar. Vetëm Papës pata guximin t’ia them ëndrrën. Ai qeshi dhe më tha: “ke bërë punë të mirë, kjo është e sigurt… krenohem me ty”. Dhe aq shumë pata besuar se vërtetë ishte ashtu. Ja tani. Më përpiu toka! Ma sillni pak ujë ju lutem!

Pasi ia sollën ujin dhe pasi u qetësua pak, vazhdoi me një zë thua se i kërcënohej vetvetes.
– Por, ah… sa më vjen të pëlcas, po… unë do t’pëlcas, s’ka tjetër. Tavani s’ishte dhe aq e nevojshme të ripunohej. Ishte i bërë për bukuri. Shkoni e shihni tani si është! Shihni gjithashtu dhe muret si janë katandisur, rreth e rrotull… turp. Çfarë mëkati ndaj Botiçellit, Girlandajos, Peruxhinit, Rosellit. O Zot… Lluka Sinjorelli do të çmendej po t’i shihte muret! Më mirë që s’mund t’i shohin. Por kushedi, oh Pinturichio… – dhe i ra të fikët.

E gjithë kjo për shkak të Mikelanxhelos, të babaxhanit Mikelanxhelo Buonaroti, alias Mikelanxhelo Pollock, i cili as idenë s’e kishte ç’po ndodhte pak më tej në sheshin e gjerë. Sheshin që më vonë do t’jetë një shesh vërtet grandioz, sheshi Shën Pjetri.

***
Ç’pati ndodhur në Sistina, le të sqarojmë shpejtë e shpejtë.
Me t’u kthyer nga udhëtimi, kardinali mezi priste të bënte një vizitë ndër punishtet. T’i fërkonte duart ose edhe t’i lidhte pas shpine siç e kishte zakon kur i duhej të shikonte lart, e t’i uronte punëtorët-artistë që ishin të zënë me punët e tyre. Pa dyshuar asgjë, për më tepër në parapritje për një befasi të këndshme artistike… u gjend në Sistina.
Aty e pati lënë Pollock-Mikelanxhelon duke bërë përgatitjet për t’filluar me ngjyrosjen rishtas të tavanit. Faza përgatitore pati zgjatur mjaft, tepër gjatë madje, dhe kardinali ishte i sigurt (pati fituar sigurinë) se tavani ndodhej në duart e një artisti të madh. Tani, kur kardinali kishte ngritur kokën për t’u befasuar me mrekullinë, në të njëjtën kohë Mikelanxhelo-Pollock kishte hedhur gjysmë tazi bojë, gjysma e së cilës përfundoi poshtë mbi kardinalin. Mirëpo ky i fundit nuk u tërbua për shkak të këtij aksidenti, anise sytë iu errësuan dhe desh i ra të fikët. E vërteta qe ndryshe. Ai luajti fare mendsh kur pati parë tavanin. Gati sa s’qe rrëzuar.
“Si është e mundur t’jetë katandisur tavani kështu”! Sikur t’mos qe ngjyra që hëngri kokës dhe yjëzit rrotull, rrathë-rrathë, thjesht do t’pandehte se ishte ëndërr. Çfarë ëndrre. Ah, sikur të ishte ëndërr. Ah, o Zot pse kjo çfarë shoh tani nuk është thjesht ëndërr. Le t’jetë koshmar, le t’jetë ëndërr e trishtueshme. Le t’më ndalet zemra. Le t’jem i verbër. Më verbo o Zot, në të dy sytë. Ç’të bëj i mjeri unë? Çfarë shoh nuk bënë ta kem parë. Përse më sprovon kështu o Zot. Ah, o Zot!

Zemra iu rrotullua për të satën herë. – E si guxon të lozësh me tempujt… – desh i shpëtoi, mirëpo shpejt u kthjellua dhe ra në gjunj duke pëshpëritur lutjet e duke marrë frymë me vështirësi. Ç’e tradhtoi mendja sekretarin pak çaste më herët ishte kjo “…edhe në ferr, në ferrrrrr… dhe vetë djalli do ta kishte shporrur këtë bojaxhi çmendurak. Ai do ta kishte rjepur së gjalli. As odajat e djallit, mos i pastë… nuk janë më keq, paçka se djalli s’njeh bojë tjetër përveç katranit. Do të ta shtyp kokën or i ndyer, vetëm sa të zbresësh… Si guxon të lozësh me tempujt e Perëndisë. Do ta tregoj unë… aghhrrrr”.

Kur bojaxhiu i krisur atje lart ia kishte thënë papritmas një kënge (edhe më të tmerrshme se ngyrat e tij), kardinali kishte ikur duke rendur si vetëtimë. Këngë, çfarë kënge… s’ishte këngë, ulurimë ishte, në veshët e tij. Nuk mund ta duronte dot. Do t’konsulltohej në rend të parë me ca miq dhe do t’ia ndreqte hesapin, ashtu siç vetëm ai do ta mendonte, me kokën e tij. “Le të trazohet Roma, le të kthehet mbrapsht e gjithë Roma, le të rrotullohet Toka, por ky idiot do t’ma paguaj këtë turp, shtrenjtë”.

***
Mikelanxhelo i gjorë asgjë s’pati hetuar. Ai nuk praktikonte të shihte aq shpesh nga ajo lartësi. Sistina e lartë 20.70 metra, sipas dimensioneve ekzakte të Tempullit të Salomonit dhënë në Testamentin e Vjetër; i dukej vetja si hutin i përgjumur e i molisur, lart mbi shkrepa të thepisur, lart atje ku iu ka hije vetëm shqiponjave. Prandaj nuk shikonte poshtë sepse nga lodhja i merreshin mendt dhe thjesht kishte frikë të binte e t’ia bënte lamtumirën kësaj bote. Ashtu-kështu kishte probleme me gjymtyrët e mpira dhe nga kokëdhimbja. Nga të spërkaturit “mbi kokë” me javë e me muaj, krahët i qenë kthyer në të drunjtë. Nuk i ndjente… E si mund të ndjehen gjymtyrët pa pikë gjaku?

Ç’është e vërteta, javët e para gjaku pati qenë “kryeneç” duke provuar të ngjitej deri në gishtat, lart. Por e kotë, pas një kohe ishte “dorëzuar”. Bojaxhiu thjesht vazhdonte me punën e të spërkaturit. Sikur t’mos hiqte dorë gjaku, padyshim do ta pësonte zemra. Ai kishte zemër të shëndoshë por zemra e tij nuk funksiononte me ndonjë “pompë mekanike, shpikur nga ai vetë”. Zor se do t’bënte ballë. Këtë e dinte dhe Mikelanxhelo-Pollock. Ja përse nuk do t’mërzitej nëse ndokush poshtë ta hante gjysmë tasi bojë, apo dhe tërë kovën. Qoftë dhe vetë sekretari. Ata poshtë, në fund të fundit duhej të ndjeheshin fatlumë, nëse të shpëtonin rrëshqitazi nga kovat e tasat, nga brushat e veglat e tij.

Tash nëse ta merrte vesh se kishte spërkatur kardinalin aspak s’do t’i dukej interesante. Mbase do t’i vinte keq, mirëpo nga pozita e tij, nuk do ta vriste mendjen për asfarë faji. “Faj! Çfarë faji?”. Po ai vetë ishte kthyer në një gyp të gjerë a të trashë, lyer me njëqind shtresa… shkel e shko, dikund më trash e dikund më holl, thjesht ku kishte zënë vend ngjyra e çoroditur e tavanit. Askush nuk e njihte, por kjo nuk e mundonte, e madje as nuk i duhej. “Ndoshta dhe më mirë – mendonte. – Ç’më duhet… kur më është bërë mendja çykë të deklarohem bojaxhi. Vetë kam dashur, vetë kam zgjedhur, tani le t’mos e dinë se unë jam ai, Mikelanxhelo që bluaj plane për të ndërtuar fluturake, shumë më të përparuar se kopteri i atij Leonardos… Skicat i kam bërë*. Këta nuk e dinë se vetëm ca detaje më kanë ngelur për t’i studiuar, dhe do ta shihnin bota. Do t’iu tregojë unë se kush është Mikelanxhelo, ky bojaxhiu-spërkatës. Do t’iu tregojë se nuk jam vetëm bojaxhi-artist por dhe shumë më shumë”.

Hm, – zbrampsej pastaj në mendimet – vërtet jam i krisur. Por s’kam faj. Ma hëngri jetën ky tavan. Krejt është nga lodhja, nga mërzia. Kur mendoj pakëz më mirë, e vërtetë se nuk do ta kuptonin. Këtë e di mirë, të qartë e kam. Prandaj vizatoj tinëz dhe i fsheh vizatimet menjëherë. Pse a mos i dinë këta detajet për Leonardon! Në qafë le t’i kemë… kurrën e kurrës. Nuk besoj. Thjesht diskutojnë për të, si për një të krisur. Ashtu dikutojnë dhe për mua. Ndoshta për gjithë racën tonë të artistëve. Sigurisht do t’më shpallnin të çmendur vetëm gojën ta hapja se njeriu mund të fluturojë. Vetëm një të vetmën herë. Vetëm të pëshpërisja. S’do duhej dy herë e as të bërtas.
Ja dhe një i çmendur… Ja prapë. Shihni, edhe ky është bojaxhi, hahaha… do të qeshnin e do t’shkokloheshin. Kot t’ua sqaroja planin tim, kot skicat, kot matjet, kot dhe ta përfundoja kopterin tim… të shkëlqente atje në bregore, përball lisit ku ulem e meditoj me ditë e me net. Aty ku flas me yjet! Kot sikur dhe t’ishte dora vetë ai Leonardo i mençur, këmbëkryq me mua. Këta s’kuptojnë, sa ai lisi im. A kupton një lis? Ndonëse kam përshtypjen miku im i vjetër më lehtë do ta kuptonte. Ai është lis por është mësuar tashmë me mua. Sa herë kam mbështetur kokën tek ai, askush nuk di sa herë. Panumër herë. Dhe ai do t’ketë ndjerë diç, do t’jetë mësuar me mendimet e mia. Shpesh kam medituar dhe zëshëm, kështu që ai do t’ketë kuptuar diç nga fshehtësitë e mia.

Ndërsa këta! Kujt t’i flas? Jo or Miko, or Mikolango… je një i gjorë, je një humbës i vetëm në kryeneçësinë tënde, fillikat, i dështuar. Bindu, fute në kokë. Nuk je i mallkuar por je i detyruar të rrosh e të vdesësh bojaxhi-spërkatës mes këtyre debilëve që s’shohin as më larg se hunda e tyre, e ku të besojnë se njeriu mund të fluturojë! Ndoshta ky dhe është një lloj mallkimi. Po, po, patjetër duhet të jetë. I shoh. Para sysh i kam tek gajasen duke treguar me gisht nga unë. Pa një pa dy do t’më hidhnin nga këtu ku jam – Hë pra… le të shohim – do t’thoshin – pa na fluturo njëherë, na mëso si fluturohet… Kush të mësoi ty, ai Leonardo?

Dhe atëherë njëmend do t’fluturoja! Fluturim çfarë s’më pëlqen as mua. Por nuk është se më dhimbset jeta. Këto brusha e kova as hiç se hiç. Më dhimbsen ëndrrat. Më dhimbsen planet, ato mend që kam shkrirë, më dhimbset kopteri, skicat… Çdo gjë do ta mbulonte një velo i moskuptimit, errësira. Thjesht do t’i përpinte harresa sikur dhe mua verbëria e këtyre mendjeve të errëta. E gjatë do t’jetë nata, e pafund errësira… unë s’do të kemë qetësi as atje në varr, (në më nderofshin me një të tillë) derisa t’iu shkrep mendja këtyre debilëve se njeriu mund të fluturojë. Deri atëherë skicat e mia s’mund t’i bëjnë ballë kohës, as vetë kartat, as vetë lisi, miku im s’do të jetë… ndoshta as gurët, çdo gjë do t’kthehet në pluhur, do t’zhduket nga faqja e dheut. E unë do t’vdesë rishtas, në varr (në më nderofshin me një varr, le t’jetë dhe pa shenja), pa ditur kurrë nëse ëndrra ime s’ishte (apo vërtetë ishte) çmenduri… Leonardo sëpaku do të ketë qetësinë e vet. Ai pati eksperimentuar me fluturaken, me ëndrren e vet. Si inxhinier ai kushedi sa eksperimente mund t’i ketë bërë. Kurse unë s’guxoj as gojën ta hapë. Ububu, sa poshtë ke rënë o i mjerë, or Miko, Mikolango… Më mirë ta varësh veten në atë çengel, më mirë të mos ekzistosh…”.

***
Mirëpo problemi më i madh i Mikelanxhelos nuk ishin sekretet dhe frika se do ta shpallnin të çmendur. Njëherë për njëherë problemi më i madh i tij ishte se nuk mund të ulej. Rrobet e thara me disa shtresa ngjyrë s’dëgjonin dot. Kështu që pas ca ditësh, meqë puna kishte vajtur aq keq, kishte bërë ca prerje vende-vende me daltat e mprehta. Në fakt, këtë e pati bërë ai farkëtari i matanë mureve, farkëtari i qytetit. As ai nuk e pati njohur, mirëpo për çudi as nuk kishte pyetur. Si duket, farkëtari kishte përvojë dhe mund ta kuptonte se si ndjehej klienti i gjorë. Edhe ata vetë, farkëtarët pra, shpesh i ngatërrojnë me pastruesit e oxhaqeve, prandaj ai ndoshta vërtet e dinte se si është. Por dhe Mikelanxhelo-Pollock kishte heshtur, i kishte vënë kapak gojës, thjesht për inat…

Sa i përket hakmarrjes së sekretarit të xhindosur, s’dimë tutje asgjë. Deri ku patën vajtur planet e tij dhe se kur do t’i realizonte, nuk dimë. Nuk dimë gjithashtu nëse e kishin përkrahur miqtë apo ia patën kthyer shpinën! Dimë vetëm se kishte dhënë shpirt në gjumë, pak kohë më vonë, një nate me stuhi.
Shiu derdhej furishëm nga qielli si me shtamba. Bubullonte e shkreptinte. Diku larg në provincë, një kronist-onirist, telepat i çuditshëm, pati shkruar në natarin e vet kështu: “…sekretarit i pëlciti zemra si rrëshiq, kur i qe shfaqur në ëndërr Mikelanxhelo duke fluturuar si një përbindësh me flatra, si një drangua fluturak, aso që hedhin flakë e të kallin hatanë…”.
Mirëpo në natarin e oniristit neve vetë s’jemi aq të sigurtë. Kështu që ju këshillojmë t’i merrni këta rreshta me ngapak rezervë.

– – –

* Gafë e qëllimshme e autorit, bazuar në shpikjet dhe gjenialitetin e Leonardo da Vinçit, i cili që në vitin 1496 veç pati eksperimetuar me një lloj fluturake apo glide. Sot aeroporti i Romës mban emrin e gjeniut të madh… “Leonardo Da Vinçi”.

[ foto të Cappella Sistina ]

Muzikaliteti i freskët i “proletariatit” shqiptar (audio-video)- Nga SENAD GURAZIU

…dikush është duke u marrë seriozisht me nostalgjinë, “një djep në barrikadë”, dhe “brigada kosovare” (sikur u ‘habita’ pakëz, sepse inçizime të freskëta, 2017) – s’ka asgjë të komunizmit, qoftë histori a qoftë memorie, qoftë e shkuar a qoftë aktuale, s’ka asgjë të proletariatit botëror që nuk e “ruajnë” amerikanët – ndonjëherë, nese t’kem kohë e vullnet, anise rrallë, i qasem mega-arkivit amerikan dhe mrekullohem me lloj-lloj marifetesh, dje i gjeta disa gjëra të proletariatit të freskët shqiptar, desh u mrekullova duke dëgjuar lloj-lloj muzikash e xingla-mingash (e bëra 1 video të vockël sa për ta ndarë me ju, i ngjita dhe detajet, kështu që mund t’i gjeni dhe vetë, me dhjetra e qindra sosh)…


– – –
…platforma amerikane për arkivimin e materies internetike (Internet Archive) është diç si arkiv masiv për “ruajtjen” e Internetit (vetë s’e kam as idenë si ia dalin, por padyshim gjithë “data centres” të NSA, të CIA, të Alphabet (Google), Meta (Fb), Amazon, Microsoft, IBM etj. plot këso të ngjashme janë në dispozicion për ta magazinuar Internetin si “kopje”), publikut boteror i ofrohet shërbimi falas, i paskajshëm dhe i pakufizuar, sa vetë marramendja, diç si bibliotekë gjigante jofitimprurëse ku arkivohen falas me miliona libra, me miliona filma, programe softuerike, me miliona audio dhe muzika, skanohen dhe ruhen kopje të miliona faqeve internetike, dhe… apo kot lodhem duke provuar sqarim, s’do ia dilte njeriu kurrë as ta “rrumbullakësonte”, psh. sipas atyre vetë (siç thonë ata vetë) i ruajnë rreth 60 miliardë dokumente tekstuale (libra e këso), rreth 40 milionë video, rreth 12 milionë audio, rreth 15 milionë TV-inçizime, rreth 2.8 milionë programe softuerike etj. etj. etj. thjesht pothuaj arkiv i pafund, njeriu duhet ta “imagjinojë” gjithë Internetin…

Ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës së tyre- Nga Moikom Zeqo (3 qershor 1949 – 15 qershor 2020)

Në Greqinë e lashtë arkitekti u njoh si “mjeshtër-ndërtues” (“archi-tekton”). Arkitektura u konsiderua “nëna” e arteve vizuale, meqë piktura dhe skulptura u zhvillua shpesh në kontekstin e një projekti ndërtimi, për shembull, në formën e muraleve ose të dekoracioneve. Madje pikturat e shpellave të kultit magjik shërbyen si zbukurime për banesat. Ndryshe nga format e tjera të artit, qëllimi parësor i arkitekturës ishte të përmbushë nevojën bazë njerëzore për siguri. Ndërtesat jepnin mbrojtje prej motit dhe kafshëve të egra. Kështu, është pothuaj e pamundur t’i shmangesh dëshmisë së veprimtarisë së ndërtimit aty ku njerëzit banonin.

Sidoqoftë, nevojat shpirtërore dhe intelektuale kanë gjithashtu për të lozur një rol kur vjen puna te ndërtimi. “Katër muret” dhe “çatia mbi kokën e tij/saj” e ndajnë një qenie njerëzore prej mjedisit rrethues dhe si pasojë krijojnë diçka me proporcione njerëzore individuale. Ndërtesat gjithashtu ndryshojnë mjedisin e jashtëm në të cilin ato ngrihen: kopshti, fshati dhe qyteti janë mjedise artificiale të shkëputura nga natyra. Kështu, mund të hamendësohet shumë rreth personit përgjegjës për një ndërtesë prej mënyrës se si paraqitet marrëdhënia midis pjesës së brendshme dhe të jashtme të ndërtesës. A ka ndërtesa mure të trasha të padepërtueshme apo mure të tejdukshme prej xhami? A krijojnë hyrjet, shkallët e jashtme, oborret e jashtme apo gardhet një ndjenjë hapjeje apo largësie?

Ngrihen gjithnjë disa pyetje të tjera: Kush i porosit ndërtesat? Kush i ndërton ato? Për kë dhe për çfarë qëllimi u ndërtuan? Çfarë farë forme marrin ato dhe ç’materiale u përdorën? Jo të gjithë ndërtesat janë punë të lavdërueshme që synojnë të të bëjnë përshtypje me madhësinë, vëllimin, stilin dhe detajin e tyre dekorativ.

Megjithatë, të gjitha ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës së tyre, ose të paktën atë të njerëzve që i porositën ato dhe të arkitektëve që i projektuan ato.

Më tepër se çdo krijim tjetër njerëzor, një ndërtesë përfaqëson kontekstin social: ndërtesa është një akt social, i cili pothuajse gjithmonë zë vend në arenën sociale. Ajo është një veprimtari e shtrenjtë dhe si rrjedhim është e varur prej fuqisë dhe pasurisë.

Pra, ndërtimet e përpunuara tregojnë shumë për njerëzit dhe veprimtaritë e rëndësishme, për grupet sunduese në një shoqëri të dhënë.

Nuk është e rastit që ndërtesat fetare lozin një rol të rëndësishëm në historinë e arkitekturës. Siç ka treguar historia, feja përmbush atë çka është mundësisht nevojë më e rëndësishme shpirtërore e njeriut, p.sh. nevojën për t’i dhuruar një kuptim (më të lartë) mbi ekzistencën, për të shpjeguar të pakuptueshmen dhe të padurueshmen, për të siguruar perspektiva të një drejtësie më të lartë për gabimet e pashlyera dhe të ofrojë rehatinë e jetës së vazhdueshme, rilindjen apo ringjalljen pas vdekjes.

Kështu, përveç sigurimit të strehës për njerëzit, që nga kohët e lashta banesat janë ndërtuar gjithashtu edhe për zotat. Duke u mbajtur me pozicionin e lartësuar të këtyre të fundit, këto ndërtesa priren të jenë më të qëndrueshme dhe më impresive se sa ato të ngritura për të vdekshmit e thjeshtë.

Si me qytetërimet e tjerë të përparuar, pak mbetën prej banesave të zakonshme të ndërtuara prej Egjiptianëve të lashtë.

Të vetmet relike të ruajtura arkitekturale të Mbretërisë së Vjetër janë varret që shërbyen si vende të adhurimit.

Ekzistenca e Egjiptit varej prej Nilit, përmbytjet vjetore të të cilit linin pas një shtresë lymi pjellor dhe, duke mos qenë shkatërruese ishin si pasojë jetëdhënëse.

Botëvështrimi i njerëzve që jetonin nga kjo rrjedhë e qetë u përcaktua nga ky cikël i përhershëm.

Vdekja shihej si një kalim te një formë tjetër jete dhe ky kalim ishte, sidoqoftë, i mundshëm vetëm nëse trupi mbetej i paprekur.

Kështu, u bënë përpjekje të mëdha për të ruajtur kufomat.

Më e madhja, natyrisht, u rezervua për trupin e faraonit, mbreti që njihej si një perëndi.

Truri dhe të brendshmet u hoqën nga kufoma, e cila më pas përgatitej për varrim (nga kjo e kanë origjinën mumiet e famshme).

Ushqimi dhe dhuratat e tjera u futën në varr. Për më tepër, muret e vendit të flijimit u zbukuruan me relieve të skenave të korrjes dhe dhurata flijuese në rastin kur “furnizimi” tretej.

Përkundër një sfondi të kushteve të pandryshueshme rituale dhomat e tjera u ndërtuan shpesh rreth dhomës së flijimit në mënyrë që personi i vdekur të mos privohej prej nivelit të tij/saj të rehatisë.

Dhomat e flijimit u ndërtuan gjithnjë në bregun më të lartë perëndimor të Nilit përmbi dhomën e vërtetë të varrimit, që ishte fshehur thellë në shkëmb.

Shtëpi të tëra, pallate dhe madje qytete, në të cilat personi i vdekur kishte banuar, shpesh u riprodhuan.

Kështu varri i faraonit Zoser, i ndërtuar në Saqqara midis viteve 2780 dhe 2680 para Krishtit. u konceptua si një riprodhim i pallatit të faraonit në Memphis, një bllok kompakt me gur gëlqeror të shkallëzuar apo me mure tulle.

Pesë blloqe kënddrejta të dimensioneve zvogëluese u vendosën në majë të superstrukturës (mastaba) së Zoser-it, siç u njohën këta varre prej blloqesh, kështu që kulla arriti një lartësi prej afro 60 metra.

Shkaku për ta vënë prapa hyrjes së piramidës mund të ketë qenë për të dhënë më tepër siguri për varrin (dhe për të garantuar që kufoma të mos shqetësohet), ose për ta bërë varrin më të rëndësishëm. Fakti që prej atëherë varret e faraonëve u bënë monumente mund të shpjegohet ndoshta nga një dëshirë për t’i dhënë një formë vizuale simbolizmit fetar: piramida e shkallëzuar përfaqësonte një shkallare të cilën faraoni i vdekur e ngjiste për të arritur qiellin.

Gjatë shekullit të tretë para Krishtit. faraonët nisën të shihen si bij të Diellit-zotit Ra dhe adhurimi për Diellin u bë feja zyrtare.

Piramidat, të cilat kishin përftuar ndërkohë një plan katror dhe mure të jashtme të lëmuara, si Piramida e Giza-s kishin kolona të ndritshme të veshura me një shtresë prej guri gëlqeror dhe me shtresë ari (të dyja këto veçori u zhdukën nga gërryerja e kohës).

Ato simbolizonin rrezet e diellit mbi të cilat besohej se faraonët ishin dërguar te Perëndia Re.

Në fillim të Mbretërisë së Vjetër, dhomat me tavane të cilët nuk mund të mbështeteshin vetëm mbi mure u mbështetën mbi shtylla të thjeshta katrore pa themele dhe kapitele.

Gjatë erës së Piramidave të shekullit të tretë para Krishtit., këto shtylla u zëvendësuan nga kolona me kapitele të zbukuruara të frymëzuara nga zambaku, papirusi dhe pema e palmës.

Kjo veçori projektimi, e zhvilluar më tepër për kult se sa për arsye strukturore, synoi të përçojë një kuptim të madhështisë dhe të vlerës së përjetshme dhe u bë një veçori tipike e ndërtesave në Egjiptin e Lashtë.

Arkitektura e Mbretërisë së Re, një periudhë e veprimtarisë së begatë arkitekturore që zgjati prej vitit 1570 deri në vitin 715 para Krishtit. u dominua nga komplekset e kultit aksial me salla të mëdha me kolona, të ngjashme me ato të zbuluara në tempullin mortor të Deir el Bahari-t.

Tempujt e procesionit në luginën e Nilit u gdhendën në shkëmbinj në perëndim të Thebes dhe më të famshmit janë Tempujt e Amon-it në Luxor dhe Karnak.

Ata na tregojnë se perspektivat fetare dhe filozofike të arkitektëve projektues u influencuan nga peizazhi rrethues natyror. Kullat e pjerrëta të hyrjes, të njohura si pylons (shtylla) e mbajnë hyrjen në të njëjtën mënyrë që faqja e shkëmbit e rrethon Nilin.

Obeliskët dhe statujat monumentale qëndrojnë përballë hyrjes.

Prapa kësaj është një paraoborr i rrethuar nga vargje kolonash që të çojnë përmes një paradhome në një sallon të madh hypostyle (i varur), i mbushur dendur me kollona, kapitelet prej bimësh të të cilave të kujtojnë bimësinë përreth Nilit.

Kompleksi përfundon me një dhomë të ngushtë, të thellë (“më e shenjta”) që përmban një imazh të zotit për të cilin tempulli është dedikuar si një shtëpi (tempujt e gdhendur në shkëmbinj ishin të ngjashëm përgjithësisht në strukturë).

Kur Mbretëria e Re e rriti begatinë, gjithnjë e më shumë paraoborre dhe kollona u shtuan përballë atyre ekzistuese. Procesionet që kaluan këto shtylla të shtuara në mënyrë të përsëritur u shumëfishuan pra prej kohës së tyre më tej në të kaluarën e madhe të vendit të tyre, roli i dalluar i të cilëve në zhvillimin e racës njerëzore përfundoi së mbrami me pushtimin e tij prej Aleksandrit të Madh në vitin 332 para Krishtit.

Nga arkiva e Moikomit të ndjerë në gazetën DITA

“Një çift i ri, dhe plot narcisë të egër” (Foto)

[ Admir Idrizi – “Një çift i ri, dhe plot narcisë të egër”, Shishtavec, Shqipëri, 2022 ]

(s. guraziu – ars poetica, shk. 24 – fotot nëpërmjet Getty, e edhe përshkrimi në Anglisht nga Admiri, nga fotografi) – Shpëtim Draga, një i ri nga Shishtaveci i Shqipërisë, me kostumin tradicional të goranëve, ecën me gruan dhe djalin e tij të vogël në një lëndinë plot me narcisë të egër. Shpëtimi mban në krahë djalin e tij të veshur si të afërmit e tij. Shpëtimi, si shumë të rinj nga zonat rurale, e ka gjetur lumturinë e vet në Evropën Perëndimore, por pushimet verore i shfrytëzon për t’i vizituar prindërit. Goranët janë një grup i vogël etnik që jetojnë në kufirin mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në Shqipëri, goranët jetonin në sistemin më të izoluar (gjatë diktaturës komuniste), të ngjashëm me atë të Koresë Veriore. Dhe për më shumë se 50 vjet nuk kishin asgjë, nuk kishin predispozita për një jetë normale. Të shkëputur nga pjesa tjetër e botës por me vetëdijen të lartësuar, e ruanin dashurinë për të vetmen gjë që u kishte mbetur (kultuën e tyre, traditat), dhe që asnjë regjim nuk mund t’ua pezullonte. Ua dogjën librat, ua rishkruan historinë dhe e mbytën sistematikisht ekzistencën e tyre, por ata të regjimit dështuan. Ky çift i ri i martuar po i kthehet zanafillës (kulturore) dhe fatit të tyre.

***
Shpetim Draga, a young man from Shishtavec, Albania, in traditional Goran costume, walks with his wife and young son on a meadow full of daffodils. Shpetim holds his son in his arms, dressed as his cousins. Shpetim, like many young people from rural areas, found happiness in Western Europe, but he uses his summer vacation to visit his parents. The Gorani are a small ethnic group living on the border of Albania, Kosovo and Northern Macedonia. In Albania, Gorani lived in the most closed system, similar to that in North Korea. And for a little over 50 years. They had nothing, they had no predispositions for a normal life. Cut off from the rest of the world. High self-awareness, they loved the only thing they had left, and which no regime could take away from them. They burned their books, revised their history, and systematically stifled their existence. They failed. This young married couple is returning to their ancestry, their destiny.S. Guraziu

Turnetë e pehlivanëve Dragash, Kosovë (Foto)

[Admir Idrizi – “Pehlivanët”, Dragash, 2018 ]

Turnetë e pehlivanëve Dragash, Kosovë, 2018 – (mundje tradicionale, “vështirësuar” me vajosjen, dmth. rrëshqasin si peshku, si sapun i lagur… zor t’i kapësh mirëfilli, pa le t’i mbash : )

(s. guraziu – ars poetica, shk. 24 – fotot nëpërmjet Getty, e edhe përshkrimi në Anglisht nga Admiri, nga fotografi) – Panairi tradicional organizohet në Komunën e Dragashit, Kosovë më 15, 16 dhe 17 Qershor të çdo viti. Me praninë e më shumë se 5.000 të pranishmëve dhe me mbi 60 garues të këtyre disiplinave tradicionale sportive nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, pas gjysmë dekade “qetësie, ose harrese” tradita e pasur kulturore lokale e kësaj komune më jugore të Kosovës më në fund po ringjallet.

***
The pehlivans (traditional oil wrestling) tournaments in Dragash, Kosovo, 2018 (via Getty) – Traditional fair have been organized of Dragash Municipality, Kosovo on 15th and 16th and 17th of June every year. With the presence of more than 5.000 attendees and with over 60 contenders of these traditional sport disciplines from Bulgaria, Macedonia, Albania and Kosovo, after a half-decade of “stillness”, rich local cultural tradition of this southernmost municipality of Kosovo (finally) is being revived/S. Guraziu

Fotoja me 2 flamuj, “fotoja më e bukur” që ka Getty- Nga S. Guraziu

(…falë “Kosovës” më del gjithmonë ky flamuri i Admirit : )
…nganjëherë në faqe-arkivin e Getty kërkoj foto me termin “Kosovë”, apo “Shqipëri”… (apo dhe çfarëdo t’jetë, nëse t’më duhet ndonjë diç) dhe gjithmonë ndër të parat, në krye më shfaqen foto me flamuj, me yje e këso, provojeni dhe vetë, nëse e përmend “Kosovën” pa përjashtime të shfaqen flamujt, secilën herë, kështu që kësaj radhe vendosa t’mos hyj në “hak”, foton me 2 flamuj padashtas sikur e kam shpërfillur, s’e kam “përdorur” asnjë herë, padrejtësi e madhe ndaj saj, andaj sot vendosa ta përdor pa asnjë shkas, thjesht për hir të fotos si “foto”, sipas meje lirisht mund të quhet “fotoja më e bukur” që ka Getty, pa le që shfaqet në krye… sa herë ta kërkoni Kosovën : )

…Getty Images Holdings, Inc. është një kompani amerikane e mediave vizuale dhe furnizuese për biznesin dhe për konsumatorët mediatik me imazhe, me fotografi editoriale, me video, me audio, me muzika, me xingla-mingla, me çmos – thuhet se Getty e ka një bibliotekë të pasur me mbi 477 milionë asetesh… imagjino, si kompani dhe vetëm “holdings” flet mjaftueshëm, por pra i ofron afro gjysmë miliardi asete multimediale, e qartë se njeriu duhet t’i ketë sëpaku 100 jetë për t’i “krehur” e për t’i gjetur, sidoqoftë, kuptohet e pamundur, ashtu-kështu s’i nevojiten kujt 500 milionë foto, aty-këtu na nevojitet 1 aso që ia vlen, e gjitha ç’mund të gjejmë është ajo çfarë na servir makina e tyre për kërkimin – shkurt, desha të them, falë “Kosovës” më del gjithmonë ky flamuri i Admirit, sot s’do e anashkaloj, do ta postoj në faqe pa asnjë shkas : )

[ fotoja ngjitur: Admir Idrizi – “Dy Flamuj”, 2019 ]

 

Faqet e “dyfytyrësisë”, faqet mozomokeq!- Nga S. Guraziu

(…dihet se truri për ta mbajtur gjallë gjenialitetin e vet ashtu-kështu i kullufit rreth 20% të volumit energjitik : )

Shqiptarët e kanë një “ves” interesant – hapin faqe në Fb në emër të dikuj tjetër, në emër të politikanëve. Ma besoni se është ves unikal, vetëm shqiptarët e kanë – zor ta ketë kush tjetër në botë! Herë e zgjedhin Ramushin, herë Salushin… e herë Çaushin! Dihet se politikanët të panumërt, ka sa të duash, por dhe “vesi” ka lloj-llojshmëri e varietete të ndryshme. Ndonjëherë e përdorin emrin e tyre (origjinal), ndërsa profilin e stilizojnë me portretin e politikanit favorit – kjo thuase do jetë, ndoshta dhe është, forma më e butë e alter-egos së tyre.

S’e mohoj, isha fort kureshtar lidhur me këtë ves të shqiptarëve. Vallë pse do e hapte dikush një faqe “fals” në Fb?! Faqe e “dyfytyrësisë”, pa identitet të vetin, në emër të dikuj tjetër?! Vallë si i menaxhojnë njerëzit nga disa “identitete”, 2, 3, 4, 5… e më shumë sosh!? Madje s’më dukej as e “mençur” kjo punë! Pse do mblidhte dikush miq a mikesha nën emrin e huaj?! Sidomos pse mikeshat… pse do ta çonte dikush ujin në jazin e mullixhiut, nëse misrat e vet shkrumb?!

Po çuditesha, si është e mundur, pse kjo faqe fals e Doktorit (e Sali Berishes)! Shihej se fals, i mungonte ajo vërtetësia e “kaltër”, ajo figurina e vockël skaj emrit, gjoja identitet i verifikuar nga Fb?! Po e vrisja mendjen, e kisha seriozisht, pikëpyetjet e pikëçuditëset më vërtiteshin. Mirëpo kot, s’e gjeja dot, isha lodhur, tashmë sikur po e kërkoja atë “butonin” për ta fikur kureshtjen.

Sepse as vramendja nuk është e lavdërueshme. Madje e dëmshme, aspak e levërdishme, shpenzon shumë energji. Jo se më dhimbsej diç, apo se na qenkam i varfër… s’jam i varfër, por thjesht çështje e racionalitetit. E dhimbshme ta shpenzosh energjinë kot. Dihet se truri për ta mbajtur gjallë gjenialitetin e vet ashtu-kështu i kullufit rreth 20% të volumit energjitik.

Psh. Shqipëria madje dhe hidrocentralet i kursen racionalisht. Vit për vit blen energji, o prej Serbisë o prej Greqisë, energjinë e vet e kursen strategjikisht. Nuk përjashtohet as opsioni i shitjes së hidrocentraleve, as dhënia e tyre me qera, gjoja me interesa të mirëllogaritura. Racionaliteti është flori, u ndihmon dhe shteteve madje, ka lloj-lloj politikash rreth përdorimit, çështje strategjike. Herë ndihmon të shlyhen borxhet e vjetra, herë ndërtohen hidrocentralet e reja etj. etj.

Dija pra hallin vetes, bëhu kursimtar, fiki dritat, mos e shpenzo energjinë kot, ashtu-kështu 20% t’i ha gjenialiteti “statik”, pa hedhur gjë në dritë… pikë : )

[ Guri më i rëndë i dhimbjes “alter-sizifiane” (humoreskë) – Senad Guraziu – Ars Poetica, Shtator 2018 – grafika ngjitur: neuro-transmetuesit, adrenalina dhe noradrenalina ]


Send this to a friend