PRISHTINË – Në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” i cili do të mbahet në Kosovë nga 6 deri më 10 tetor, publiku kosovar do të ketë mundësi të shijojnë momentet me “Javën e filmave të Bekim Fehmiut”.
Bekim Fehmiu ishte aktor shqiptar nga Kosova, por edhe njihet si beogradas, jugosllav dhe botëror, një simbol i bashkimit, por edhe ndasive ndërmjet të dy popujve, ishte dhe mbeti inspirim i pashtershëm për krijimin dhe realizimin e këtij festivali.
Bekim Fehmiu (1 qershor 1936 – 15 qershor 2010) ishte një nga tetë fëmijët e Ibrahim Fehmiut, patriotit të njohur shqiptar me prejardhje nga Gjakova. Si njëri nga shqiptarët e rrallë të shkolluar në atë kohë, mësuesi Ibrahim i themelon kurset e pastaj edhe shkollat e para shqipe në Kosovë, si dhe në Shqipërinë veriore. Ishte njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit në vitin 1908, kur u themelua alfabeti i standardizuar bashkëkohor i gjuhës shqipe. Ky ishte njëherit edhe fillimi i bashkimit të tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për çka ishte burgosur disa herë, dy herë ishte dënuar me vdekje dhe ishte internuar, së bashku me familjen, duke përfunduar në Sarajevë si emigrant politik, rrëfen për Anadolu Agency, vëllai i Bekim Fehmiut, profesor Arsim Fehmiu, 83 vjeç, përndryshe doajen i sportit kosovar dhe themelues i Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës.
Për shkak të angazhimit politik dhe internimit të babait Ibrahim, familja Fehmiu ishte dyndur disa herë. Kështu ka ndodhur që ai dhe vëllai i tij më i vogël, Bekimi, të lindin në Sarajevë, thotë Arsim Fehmiu.
Bekimi ishte katër vjeçar kur familja e tij u largua nga Sarajeva për në Shkodër, në Shqipëri, prej nga u kthye në Kosovë, në Prizren, ku edhe fillojnë hapat e parë e karrierës artistike të Bekimit.
“Që nga klasa e pestë e shkollës fillore, Bekimi ka filluar të recitojë dhe të aktrojë me grupin dramaturgjik, me shokët e shkollës, si dhe me orkestrën e shkollës me mandolina, për t’iu bashkuar Teatrit Amator të qytetit të Prizrenit” thotë profesor Arsimi.
Pas përfundimit të gjimnazit, Bekimi bëhet anëtar i shoqërisë dramaturgjike në gjuhën shqipe në, atëherë teatrin Krahinor në Prishtinë, ku qëndroj një vit.
Pason regjistrimi në Fakultetin e Arteve Dramaturgjike në Beograd i cili, në atë kohë ishte i vetmi në Jugosllavi. Në provimin pranues reciton në gjuhën shqipe dhe pranohet por, me kusht që ta mësoj mirë gjuhën serbo-kroate.
“Në shtator të vitit 1960 e nënshkruan kontratën me Teatrin Popullor të Jugosllavisë. Si anëtarë i këtij teatri, ai ka luajtur jo vetëm në Jugosllovensko por edhe në teatrot e tjera. Pastaj kaloi në film, duke debutuar si statist në filmin “E shtuna mbrëma”, pas të cilit fillojnë edhe rolet tjera.”
Arsim Fehmiu thotë se, në vitin 1966, Bekimi e fitoi rolin në filmin “Mbledhësit e puplave” ( Skupljaci perja) dhe se ishte i vetëdijshëm se, me atë film do të bëhet i famshëm.
“Thoshte: nëse më angazhojnë për këtë rol, unë fluturova, depërtova në botë dhe kështu ndodhi. E luajti ‘Borën e Bardhë’ (Beli Bora) në ‘Mbledhësin e puplave’ i cili shpërblehet në festivalin e Cannes në vitin 1967. Shirley McClain ishte në juri, me të cilën më vonë shoqërohet dhe fillon ngritja e tij. Prej aty doli edhe “Odisea”, pastaj “Aventurieri” dhe shumë të tjerë. Diku thuhet se ka luajtur në 40, 50 apo 60, ndërsa ai ka luajtur në rreth 80 filma, nëse llogaritën edhe filmat e metrazhit të shkurtër” thotë vëllai i tij, Arsim Fehmiu.
Sipas tij, për shkak të karrierës filmike, Bekimi i kishte mësuar disa gjuhë botërore, në të cilat edhe pati role, mirëpo asnjëherë nuk arriti të luajë në film, në gjuhën e tij amtare, në gjuhën shqipe.
Vlerësimet pozitive për Bekimin si aktor, artist dhe njeri, gjithmonë ishin kënaqësi për familjen, por edhe për mbarë popullin shqiptar, vlerëson profesor Arsimi.
“Asnjëherë nuk ka lejuar që t’i ndërrohet emri për shkaqe materiale. Dihet se kanë dashur t’ia ndërrojnë emrin, por ai nuk e ka pranuar atë. Kur i kanë thënë se do t’ia ndërpresin kontratën, përgjigja e tij ishte, ndërpriteni. Por, filmi ishte incizuar deri në gjysmë dhe nuk kishin llogari. I mbeti besnik emrit dhe mbiemrit, nuk ka emër artistik sikurse kishin të tjerët. Thoshte: le të mësojë bota të ma shqiptojë emrin, Bekim Fehmiu” rrëfen për AA, vëllai më i vjetër i Bekimit, Arsimi.
Bekim Fehmiu ka luajtur role përkrah megayjeve botërore sikurse Ava Gardner, Claudia Cardinale, John Houston, Charlton Heston e shumë e shumë të tjerë. Megjithatë, ajo që e ka karakterizuar si njeri, nuk është vetëm karriera e një ylli të kinematografisë botërore por edhe tërheqja e tij nga skena, në vitin 1987, në shenjë të kundërshtimit të valës nacionaliste e cila u paraqit në Serbi, në fund të viteve 80-të të shekullit të kaluar dhe propagandës së madhe anti-shqiptare.
“Arma kryesore e një aktori është fjala e tij, ndërsa ai e ka privuar vetën. Ndoshta nuk ka menduar se sa është akti i tij, sakrificë apo kontribut, mirëpo ishte thjeshtë, qëndrimi i tij. Ajo ishte ajo dhe ai e bëri ashtu. Më kujtohet atë ditë kur është botuar intervista e tij dhe e kam ditur se ai më kurrë nuk do të dal në skenë” thotë për AA bashkëshortja e Bekimit, po ashtu aktore e njohur.
Ajo rikujton se si, Bekimi përveç të talentit të tij për aktrim, ka pasur edhe shumë prirje për të mësuar gjuhët e huaja, gjë që edhe i mundësoi realizimin e karrierës botërore.
“Ai shumë shpejt mësoi të flas rrjedhshëm italishten, fliste shkëlqyeshëm anglishten, fliste shumë mirë edhe frëngjishten, por jo me atë theksin e tmerrshëm që menjëherë e hetoni, jo. Ai ka pasur talent, plus edhe guximin, sepse dikush tjetër nuk do të merrte guxim të flas pa qenë i sigurt” thekson Branka.
Ajo tregon se gjatë 43 viteve të jetës bashkëshortore me Bekimin, nga e cila martesë i kanë dy djem, Uliksin dhe Hedonin, ka kaluar periudhat më të bukura por edhe më të vështira, sikurse edhe thotë titulli i librit të tij autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.
Sipas fjalëve të saj, Bekimi konsideronte se ai libër është gjëja më e rëndësishme që e ka bërë.
“Fillimisht ai dëshironte që librin t’ia dedikoj nënës së tij, mirëpo me kohë, kujtimet vinin rrëke dhe doli një libër tejet i bukur për Prizrenin, për familjen, vëllezërit, babanë, gjyshen dhe ndodhitë e shumta” thotë” ajo.
Duke e përshkruar si baba, Branka thotë se Bekimi ishte i kujdesshëm, i butë por njëkohësisht edhe shumë i rreptë, në kuptimin që kërkonte nga fëmijët të japin maksimumin e tyre në punën që e bëjnë.
“Posaçërisht pasi që Uliksi (djali) e zgjodhi aktrimin, nuk ishte lehtë. Bekimi kurrë nuk do t’iu gënjente nëse e keni pyetur diçka dhe këtë është dashur ta duroni. Ne e kemi më lehtë kur dikush na lavdëron pak më shumë, mirëpo kur është arti në pyetje aty nuk ka rrena” thotë Branka Petriq.
Gruaja e tij, Branka, në fund thekson se, sikurse që burri i saj i ndjerë Bekimi, duke thënë “Mirëdita” në italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht dhe shumë gjuhë tjera, i thyente “perdet e hekurta” të dikurshme ndërmjet të Perëndimit dhe Lindjes, ashtu sot festivali “Mirëdita, dobar dan!” i cili është i inspiruar nga jeta dhe vepra e Bekima Fehmiut, promovon rrënimin e barrierave dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, politike dhe kulturore ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.
Bekim Fehmiu vdiq tragjikisht në vitin 2010 dhe sipas amanetit dhe dëshirës së tij të fundit, familja e ka hedhur hirin e tij në Lumbardh (Bistricë), në Prizren.
Komentet