SPAK dhe BKH nisën mëngjesin e të martës një aksion që synon goditjen e korrupsionit mbi tenderat e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucionit që administron sistemet, të dhënat dhe kontratat e teknologjisë për një pjesë të madhe të administratës. GJKKO ka caktuar masa sigurie për drejtuesen e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa masa “arrest me burg” janë caktuar për dy biznesmenë, Ergys Agasi, i njohur si djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi dhe Ermal Beqiraj, të cilët raportohet se nuk janë gjetur gjatë kontrolleve dhe mbeten në kërkim. Dyshimet janë se Ergys Agasi ishte njoftuar më parë për operacionin e urdhëruar nga SPAK dhe është arratisur jashtë vendit.
Masa janë marrë edhe për zyrtarë të tjerë, përfshirë pezullim nga detyra për Erjon Ismailin, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje dhjetëra punonjës të AKSHI, kryesisht anëtarë të komisioneve të vlerësimit dhe të shqyrtimit të ankesave, në kuadër të një hetimi që, sipas këtyre burimeve, ka nisur rreth një vit më parë dhe lidhet me procedura prokurimi.
Deri më tani mësohet se SPAK ka zbuluar një skemë presioni me elementë “rrëmbimi, dhune dhe shantazhi”, ku pretendohet se biznesmeni Gerond Meçe është rrëmbyer dhe më pas është tërhequr nga gara apo interesimi për tenderë të lidhur me AKSHI, ndërsa në këtë episod përmenden Agasi, Beqiraj dhe persona nga Policia e Shtetit.
Ergys Agasi është paraqitur prej kohësh në raportime dhe debate publike si figurë me ndikim në Durrës dhe shpesh i përshkruar si njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama,
Arben Ahmetaj duke folur me gazetarët e emisionit Report në Raitre i cili e përshkruante Agasin një lloj ndërmjetësi të kryeministrit Edi Rama me bandat kriminale.
“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – thotë Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.