Arkivi i Voal.ch 25 Maj 2005
Të premten, më 20 Maj 2005 vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas.
Ai ishte një nga biznesmenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar, që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.
Antoni Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare “Vatra” dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas vdiq të premten në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alzaimerit.
Antoni Athanas ishte themeluesi i një prej restoranteve më me emër të Amerikës, “Anthony’s Pier Four”. Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti atë një traditë në vetvete, pasi ky restorant u kthye në një mikpritës të mijëra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.
Senatori Xhon Kerri u shpreh se Antoni Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar, tha senatori Kerri.
I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi emigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915.
Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve.
“Nëna ime, tregonte Antoni, qysh në vogëli më ka mësuar të jem punëtor, nikoqir e t’ua kaloj moshatarëve. Babai ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot. Më jepte një shportë me banane e më thoshte: “Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi”.
Unë vrisja mendjen si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës së Bostonit ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më mbetej pak kohë e lirë të kthehesha në shtëpi e të kryeja detyrat e shkollës”.
Antoni i vogël, duke u rritur e duke punuar shumë, shkallë-shkallë vuri dhe pasurinë. Hapjen e restoranteve e filloi më parë në Lynn me “Anthony’s Hawthorne”.
Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë “Anthony’s Pier Four”. Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.
Më 1 nëntor vdiq gruaja e tij, Ester
Ester Athanas, një grua e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan, vdiq më 1 nëntor 2004 në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e saj, mbas një jete martesore prej 64 vjetësh bashkëjetese me zotin Anton. Në vitin 1940, Esteri, 28 vjeç, u martua me Anton Athanasin.

