Atëherë nuk njihej termi ankand, por përdorej termi i përafërt i kohës, çarshia, qendra e tregut. Kur burrat e familjes së bajraktarit ishin në krizë apo familja ishte në fatkeqësi e dorëzonte bajrakun në çarshi dhe kumtarët e paguar, fshat për fshat e shtëpi për shtëpi përhapin lajmin në mbarë zonën e përfshirë se bajraku është dorëzuar në çarshi, prandaj kush guxon t’i dalë zot detyrës së bajraktarit, le të dalë dhe ta marrë në dorëzim bajrakun. Atje ku nuk kishte çarshi, atëherë bajraku dorëzohej tek kisha ose diku tjetër në një vend me shenjë, të shprehur me një mikrotoponim të veçantë.
Jo rrallë në histori, bajrakët, regjimet e zonave të veçanta, si me thënë pushteti lokal tradicional, ka rënë në duart e vegjëlisë, domethënë në duart e gjakut jo blu. Dhe jo rrallë ata kanë dhënë qeverisje nga më të suksesshmet. Me kohë, natyrisht me shekuj, edhe ata, falë martesave me dyer të para, falë namit të fituar në përfaqësimin e bajrakëve të vet, janë shndërruar në gjak blu. Me një fjalë, prej kur ka lindur si kategori historike, pushteti nuk ka mbetur kurrë merà (miraz), pra, nuk ka mbetur kurrë pa zot.
Natyrisht, nga ky rregull nuk do të kursehet as Kosova e sotme, pra Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës, e njohur ndërkombëtarisht deri tash nga 74 vende dhe me perspektivë të pambyllur për njohje të reja. Në një mënyrë a në një tjetër, Kosova do ta ketë pushtetin e saj, do t’i ketë institucionet e saj shtetërore mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në fuqi.
Sot pak a shumë Prishtina zyrtare është në gjendjen e politikës së nxjerrë në ankand, politikës në prag të nxjerrjes në ankand. Të gjitha partitë iu janë përgjigjur negativisht formulave të shpallura nga partitë e tjera. Dikush ka shpallur formulën PDK-AAK, si formulë të mjaftueshme. Dikush ka shpallur formulën PDK-AAK-AKR si formulë të zgjeruar, dikush ka shpallur formulën PDK-LDK-AAK si formulë të qeverisjes me bazë të gjerë, dikush ka kërkuar qeverisje gjithpërfshirëse. Sa më të përbëra formulat, aq më të vështira ndarjet e posteve, ndarjet e roleve, caktimi i mandatarit të ri për formimin e qeverisë, përafrimi dhe konsolidimi i programit të qeverisjes, përfytyrimi i zgjatjes së mandatit të ardhshëm të institucioneve qendrore shtetërore të vendit, parashikimi i qëndrueshmërisë së qeverisjes së vendit në periudhën vijuese.
Do pranuar, më shumë ka ndeshur në mirëkuptim formula më e thjeshtë e pasqyruar pak më lart, ajo PDK-AAK. Do të kishim prej saj një qeverisje të mjaftueshme, do të kishim një opozitë të fortë, do të kishim një vënie në provë të kimisë midis palëve përbërëse të të ashtuquajturit krah të luftës, do të kishim një perspektivë katërvjeçare të qeverisjes. Në një formulë të zgjeruar me AKR-në, kjo e fundit, siç është shprehur kryetari Pacolli, do të ndjehej si gomë rezervë, pra si një gjymtyre e panevojshme a si zgjatje gjymtyrësh, pra si apendis. Edhe unë do të pajtohesha se formula kështu menjëherë vështirësohet, e humbet komoditetin.
Për ta çimentuar qeverisjen e ardhshme mbi formulën PDK-AAK, unë do të propozoja me këtë rast që kësaj shumice qeveritare t’i bashkëngjitej mbështetja në parlamentare, pra vota në Kuvendin e Kosovës nga ana e Lidhjes Demokratike e Kosovës. Kjo mbështetje, kuptohet, do të arrihej me marrëveshje mes dy partnereve qeveritare dhe LDK-së si partnere parlamentare, në kuadrin e një kompromisi mes shumicës dhe LDK-së lidhur me programin e ri të qeverisjes, përmbajtjen, mënyrën dhe afatet e përmbushjes. Në këtë mënyrë, pa marrë pjesë në qeverisje, por si pjesë e Kuvendit të Kosovës, LDK do ta impononte një pjesë të programit të saj ndaj shumicës së re qeverisëse. Kjo ndodh jo rrallë në vendet e konsoliduara në momente hopesh të reja të vendit ose shpesh në vende jo të konsoliduara në periudhat e tyre në konsolidim e sipër si shtete.
Në këtë mënyrë, roli i opozitës pa kompromis i mbetej Vetëvendosjes, ndërsa roli i opozitës së moderuar i mbetej AKR-së. Kjo e fundit do të ishte burim i iniciativave, i organizimit të komisioneve, organizimit të grupeve të përkohshme parlamentare me pjesëmarrës nga të gjitha grupet për çështje të ndryshme, kryesisht të fateve kombëtare të Kosovës ose për zgjidhjen e momenteve kyçe të paparashikuara në qeverisjen e vendit a në jetën parlamentare të vendit.
Formulat e gjera, i bëjnë të pamanovrueshme gjetjet e kandidaturave dhe miratimin e tyre, i bëjnë të pamanovrueshme përpjesëstimet e pushtetit në përqindje, i bëjnë të pamanvorueshme lindjet e pakënaqësive në gjirin e qeverisjes, i bëjnë të paparashikueshme zgjatjet e afateve të qeverisjes. Pra e çojnë politikën nga ankandi në ankand, duke ia ulur gjithnjë e më shumë vlerat fillestare të daljes së tyre në tregun e ankandeve.
(Botuar në Bota Sot më 22 janar 2011)