Në Shqipëri ka kohë që kanë plasur ethet e presidenti të ri, jo si përpjekje për të sjellë në krye të këtij institucioni njeriun e duhur, por si shumësi të interesave të palëve për pushtet, që presidenti i ri të jetë në funksion të pisllikut njëzetëvjeçar të tranzicionit, në funksion të skeletëve dhe hipotekave të klasës politike, ku dëgjojmë tyrli emrash por deri më tani nuk na ka zënë kurrë veshi të dëgjojmë se vendit i duhet një president me integritet, që të mos jetë marionetë apo përfaqësuesi klaneve.
Emrat që qarkullojnë përgjithësisht janë shprehje e qartë e interesave klanore, jo e interesave në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe shqiptarëve. Shqipëria me një demokraci të pakonsoliduar, ku klanet dhe korrupsioni rrezikojnë pluralizmin pasi ka tregues të qartë për një regjim transversal, pra që buron nga një qendër e vetme, ku në këtë qendër bashkohen interesat për pushtet e klaneve më të fuqishme të politikës dhe oligarkëve të rinj të tranzicionit makabër, ku ata si kupolë vendosin për gjithçka dhe ia marrin frymën shtetit ligjor dhe demokracisë shqiptare, duke uzurpuar jetënpolitike, publike, ekonominë, drejtësinë, pushtetit multimedial, një lloj kapje e shtetit, për të cilën ankohej shumë Sali Berisha kur ishte në opozitë. Diçka shumë e frikëshme, aspak fantazi por realitet i prekshëm. Një dramë kombëtare, e shkaktuar nga një klasë politike, e cila fshihet pas imunitetit dhe pas uzurpimit të institucioneve, ku i zgjedh kudo njerëzit e vet, që i ka shërbëtorë të bindur, duke demonstruar një fobi dhe racizëm ndaj personaliteteve me integritet.
Tani zgjedhja e presidentit në Shqipëri është kthyer në një luftë e më të fortit, por jo në përpjekje të përbashkëta për më të mirin. Nuk i duan më të mirët, kanë frikë prej tyre.
Qarkullojnë emra që janë shprehi e qartë e interesave të ngushta politike, por jo interesave të vendit sipas standarteve të një shteti anëtar të NATO-s; qarkullojnë emra, por asnjëherë nuk kërkohet një model sipas standardeve Perëndimore, që të reflektojë Shqipërinë sot dhe të ardhmen e Shqipërisë nesër.
Elitat në Shqipëri në vend që ta qartësojnë realitetin e bëjnë atë edhe më konfuz, sepse nuk janë të pavarura, pasi ekzistojnë vetë në kontekstin e klaneve.
Nuk ekziston vullneti i mirë midis palëve sepse modeli për presidentin e Shqipërisë mund të huazohet vetëm në Perëndim. Pa qenë nevoja të themi se Shqipëria e posadalë nga një regjim totalitarist nuk mund të krahasohet me SHBA apo Francën, atëhere le të marrim një profil që iu afrohet realiteteve të saj që është profili i Presidentit të Gjermanisë Joachim Gauck, jo si prift, por si një njeri me integritet të pastër, antikomunist dhe veprimtar të shquar të të drejtave të njeriut. Ky është profili me dy fjalë i JoachimGauck, ndaj të cilit pothuaj heshtën opinionistët e Tiranës, jo se nuk e dinin, por për arsye pragmatiste të interesit të tyre personal u autocensuruan. U tha vetëm se Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck ishte konsensual, se për të në Asamblenë Federale votuan pro 991 nga 1228, ku mungonin 12. JoachimGauck nuk e votuan Die Linke ( e Majta me rrënjë nga partia e Erich Honecker dhe Egon Krenz), aktualisht 11% në Bundestagun gjerman.
Joachim Gauck, një ish pastor luteran, anti-komunist dhe veprimtar i të drejtave të njeriut në Gjermaninë Lindore që gjatë Revolucionit Paqësor, ishte bashkëthemelues i NEW FORUM, lëvizje opozitare në Gjermaninë Lindore, që i kontribuoi rrëzimit të diktaturës së mbështetur nga regjimi sovjetik. Pas bashkimit të Gjermanisë ai është zgjedhur nga Bundestagu dhe me firmën e Helmut Kohl-it, Komisioneri i parë Federal i Arkivave të Stasit, duke e drejtuar këtë agjenci prej 1990-2000. Pra Joachim Gauck ka udhëhequr procesion e hapjes së arkivave të Stas-it, ndërsa në Shqipëri si Dosjet, ashtu edhe Arkivat e diktaturës qëndrojnë të mbyllura për pasojë të presionit që bën kjo klasë politike me ndërgjegje zgjyrë.
Joachim Gauck, i cili në Dosjet e Stas-it përshkruhet “si një anti-komunist i pakorigjueshëm” (“unverbesserlicher Antikommunist”) është një figurë konseguente dhe një veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut që kërkon dënimin e krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit. Në qershorin e vitit 2008 së bashku me Vaclav Havel do të inicionin dhe nënshkruanin Deklaratën e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin, si dhe më 25 shkurt 2010 do të ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Krimeve të Komunizmit, dy Dokumente të rëndësishme në vazhdim të Rezolutës 1481 të Këshillit të Europës për „Nevojën e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”,n jë detyrim që Shqipëria edhe sot e kësaj dite, vendi me një nga diktaturat memizore, nuk e ka përmbushur. Këtu qëndron edhe shkaku se përse opinionistët eTiranës nuk e zbulojnë të plotë profilin e Joachim Gauck.
Se kush ishte Joachim Gauck gjatë kohës të DDR e zbulon vetë ai në kujtimet e tij menjë fjali të vetme, kur shkruan: “Fati i babait tonë ishte si një dajak edukues për ne. Kjo çoi në një ndjenjë të besnikërisë së pakushtëzuar ndaj familjes, duke përjashtuar çdo lloj të idesë së vëllazërimit me sistemin.” Pra JoachimGauck nuk kishte asnjë lloj hije apo lidhje me sistemin diktatorial, nuk ishte as pjesë e institucioneve të superstrukturës apo strukturave të policisë sekrete, pra ai e ka të pastër si drita e diellit të shkuarën dhe ndërgjegjen e tij.
Ky duhet të jetë edhe profili i personalitetit të presidentit të ardhëm të Shqipërisë. Së pari, të mos jetë nga klasa politike aktuale, as nga PD dhe as nga PS apo partiçkat e vogla, të cilat janë pa elektorat; të mos ketë qenë nëpunës i lartë i institucioneve të diktaturës apo i institucioneve të superstrukturës diktatoriale; të mos ketë asnjë lidhje familjare me ish-nomenklaturën e kuqe; të mos jetë ish-anëtar i PPSH; të ketë certifikatën e pastërtisë të figurës morale që do të konfirmonte se nuk ka qenë pjestar i ish-Sigurimit, apo i asnjëlloj shërbimi të huaj, kësisoj të jetë një personalitet me që të dëshmojë qartë se në një mënyrë apo tjetrën e ka luftuar diktaturën; të jetë njeri me integritet të pacënueshëm si shprehje e unitetit kombëtar dhe në mbrojtje të pacënueshmërisë të institucioneve për të mbështetur një reformë në drejtësi dhe të jetë në mbështetje të iniciativave që do t’i shërbejnë konsolidimit të demokracisë në vend dhe shtetit të së drejtës. Pra, të mos jetë shërbyes i partive, puthador i politikës dhe të jetë në shërbim tëinteresave kombëtare të shtetit.
Ky duhet të jetë profili i presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, i cili nëse i plotëson këto kritere, dhe brenda këtyre standardeve do të duhet të votohet me shumicë të qartë nga Parlamenti i Shqipërisë.
“Do t’i them “po” me të gjithë forcën e zemrës përgjegjësive që do të marr. Sigurisht nuk do të mund të plotësoj gjithçka në pesë vjet, por do të dëshmoj qartë angazhimin tim ndaj zhgënjimit të njerëzve nga politika e do të jam kontributin tim për të afruar më shumë udhëheqësit me popullin”. Këto janë fjalët gjithë emocion të Joachim Gauck, pas votimit. Merreni me mend kur gjermanët janë të zhgënjyer nga politika e një vendi si Gjermania, me ekonomi më të zhvilluar në BE e dhe njëra nga më të fuqishmet në botë, merreni me mend çfarë zhgënjimi kanë njerëzit në Shqipëri nga një klasë politike mizerabël që ka 20 vjet që imashtron dhe që objektivin e ka vetëm të uzurpojë pushtet për interesa të ngushta.
Një president i Shqipërisë sipas modelit të Joachim Gauck do të jetë hapi i parë drejt reformimit të politikës të Shqipërisë, reformim i nevojshëm dhe i domosdoshëm që vendi të mos kthehet prapa, por të vazhdojë rrugën drejt integrimeve europane dhe drejt konsolidimit të sistemit demokratik, që demokracia të hedhë rrënjë në Shqipëri, është njëjtas ashtu si thotë njëri prej baballarëve të SHBA George Washington “se kur hedh rrënjë liria, pema e saj rritet shpejt”.
©
Komentet