Antiçamizmi ndaj grupit “o çomo” Nga Enkel Demi

NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES
SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*
Përshëndetjet e mia më të përzemërta ju Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë me rastin e këtyre dy përvjetorëve me rëndësi në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara: 15-vjetorin e vizitës së parë të një Presidenti amerikan — në detyrë – që vizitonte Shqipërinë – Presidentit republikan, George W Bush në qershor të vitit 2007 dhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1922.
Falënderoj thellësisht, mikun tim Besnik Mustafajn për ftesën, duke më bërë pjesë me ju sot, ndërsa kujtojmë këto dy përvjetorë me rëndësi, për dy popujt tanë. Megjithëse nuk mund të isha në person me ju – për arsyet që i shpjegova Z. Mustafaj — e ndjejë veten se edhe nepërmjet videos, jam me ju në një bashkbisedim vëllazëror, pasi me shumë prej jush kam pas nderin të njihem e takohem gjatë 30-viteve të kaluara, qoftë në Washington, qoftë në Tiranë apo Prishtinë.
Më kënaqë fakti që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përfshinë si anëtarë edhe ish-diplomatët nga Kosova. Mjaft domethënse!
Sa i përket shënimit të dy përvjetorëve të rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – 15-vjetorit të vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri dhe 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – dua të theksoj, të pakën sa na përket ne nga kjo anë e oqeanit — Shtetet e Bashkuara, historikisht, këto marrëdhënie janë promovuar dhe janë mbështetur, pa dallim, nga i mbarë spektri politik amerikan – demokratë e republikanë — duke filluar nga Presidenti Woodrow Wilson e deri në ditët e sotëme.
Gjithashtu, politika amerikane në terësi, ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk është bazuar kurrë, duke mbështetur një parti politike ose një individ matanë oqeanit, por, mbështetja është përqëndruar në zhvillimin e proceseve demokratike perëndimore. Mbi të gjitha, në përputhje me vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, të normave ndërkombëtare të vetvendosjes së popujve dhe në mbështeteje të sigurimit të lirive dhe të drejta universale të njeriut – mohuar shqiptarëve për një kohë aq të gjatë.
Të veprohet ose të pretendohet ndryshe nga individë, parti politike shqiptare ose mbështetës të huaj të tyre, është një papërgjegjësi morale, politike, diplomatike dhe kombëtare që nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve — e marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-amerikane, jo se jo. Në këtë vit jubilar të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, unë nuk njoh asnjë shqiptar që mund ta quaj anti-amerikan. Por, njoh mjaft asish që vet-quhen “pro-amerikanë”, por që nuk kanë të bejnë asgjë me vlerat amerikane.
Prandaj është e nevojshme që të reflektojmë, ndërsa festojmë sot, me plot të drejtë, këto dy përvjetore të rëndësishme, si dhe arritjet e shënuara deri më sot, në forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve, drejtë një miqësie të përherëshme të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — siç preferonte të shprehej i ndjeri President Ibrahim Rugova, kur fliste për marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën.
Jo, se Amerika është një vend i përsosur, sepse edhe ajo i ka hallet e veta, por për ne shqiptarë është treguar, për më shumë se 100-vjet tani, si një “mik i mirë në kohë të vështira”, dhe mik i pa hile.
Në një periudhë historike, “për jetë a vdekje”, për ruajtjen e sovranitetit politik dhe territorial të Shqipërisë, një shekull më parë, Presidenti Amerikës, Woodrow Wilson, sipas Fan Nolit, i premtoi atij se, “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.
Duhej të kalonte një gjysëm shekulli të një historie fatëzezë — për shqiptarët dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare të diktaturës së egër komuniste sllavo-aziatike – pa marrëdhënie normale diplomatike midis dy vendeve tona.
Por, më në fund, u shemb Muri i Berlinit dhe lindi shpresa e rivendosjes së lidhjeve midis dy popujve tanë. Edhe po të donte Amerika të “harronte” Shqipërinë, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili gjatë dekadave nuk e lejoi Amerikën tonë të dashur që të harronte Shqipërinë, as Kosovën, as shqiptarët kudo. Këto “Marrëdhënie nuk ishin harruar kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare”, është shprehur ndihmës Sekretari i Shtetit, Raymond Seitz në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, në mars të vitit 1991.
Kam nderin dhe privilegjin të them, se një prej këtyre shqiptaro-amerikanëve isha edhe unë, kur për herë të parë, shkela në tokën e të parëve të mi, me delegacionin e parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara me 20 mars, 1991, vetëm 5 ditë pas nënshkrimit, në Departamentin e Shtetit në Washington, të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy popujve tanë, pas pothuaj një gjyësm shekulli komunizëm.
Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk mund të anashkalojmë assesi vizitën historike të Presidentit George W Bush në Tiranë, 15-vjetë më parë. Edhe kjo vizitë ishte në vazhdën e shprehjeve të një miqësie të veçantë nga Amerika, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshir Kosovën.
Ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës, Woodrow Wilsoni 100-vjet më parë se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë nga armiqtë e saj, edhe Presidenti republikan i Amerikës, George Bush pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”, duke shtuar se nuk mund të ketë bisedime të pafund rreth pavarësisë së Kosovës, do e citonte Presidentin Bush, gazeta e njohur Nju Jork Tajms. Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri 15-vjet më parë, interpretonte deklaratën e Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.
Gjatë asaj vizite u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërsië në NATO. Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s. Nuk besoj të ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe shtete të tjera perendimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e anëtare e NATO-s, një vit më vonë.
“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.
Në këto dy përvjetore me shumë rëndësi për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ne shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshim, me të drejtë shprehim miqësinë dhe admirimin tonë ndaj Amerikës, duke filluar nga Presidenti Wilson, ish-presidenti Bill Clinton, i cili ndërhyri për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga regjimi terroristo-komunist serb i Millosheviçit, e deri tek Presidenti George Bush i vjetër, i cili me “paralajmërimin e Krishtlindjeve” të dhjetorit, 1992, njoftoi Millosheviçin se agresioni serb në Kosovë do të sillte ndërhyrjen ushtarake të njëanshme të Shteteve të Bashkuara. Dhe Presidenti George W. Bush i ri, i cili nga Tirana bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës duke deklaruar se, “Mjaft është mjaft”.
Të gjithë këta dhe shumë, shumë të tjerë — politikanë të dy partive kryesore amerikane, përfshir senatorë e kongresmenë, zyrtarë vendas, shtetërorë e federalë – i janë gjëndur afër komunitetit shqiptaro-amerikanë, Shqipërisë, Kosovës dhe fatit të shqiptarëve kudo dhe kurdoherë dhe pa dallime politike.
Në ditët e sotëme — ndërsa festojmë këto dy përvjetorë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona – vihet re një debat se kush është më “pro-amerikan” ose më “anti-amerikan”, se tjetri.
Etiketimi midis shqiptarëve si “pro” ose “anti-amerikanë”, nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve as miqësisë shekullore midis dy vendeve tona. Sa i përket Amerikës, të gjithë shqiptarët, pa dallim, janë pro-amerikanë – në këtë jubile 100-vjeçar të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe në 15-vjetorin e vizitës historike të Presidentit George W. Bush në Tiranë.
Urimi dhe shpresa ime është që kjo miqësi e veçantë midis dy kombeve tona të vazhdojë me shekuj, për sa të jetë jeta!
Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësinë e përherëshme midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Mirë u dëgjofshim!
Frank Shkreli
Frank Shkreli*- ka qenë anëtar i delegacionit të Departmentit të Shtetit në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri pas pothuaj një gjysëm shekulli ndërprerjeje të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri — nga regjimi komunist i Enver Hoxhës
*Fjalim i mbajtur nepërmjet videos drejtuar mbledhjes së Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në Tiranë, 14 Qershor, 2022 – në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
– Do të shkojmë në vilën e Çausheskut.
– Të diktatorit?
– Po.
– Po ai s’është më?
– S’dihet…
Kështu po dëgjoja të flitej përreth meje, Më shumë se kërshëri, po ndjeja mërzitjen e parakohëshme, herë njërën më shumë dhe herë tjetrën, pastaj të dyja bashkë goditshëm. Sikur nuk ka vende më të mira, po mendoja, apo aty mund të na shfaqet fantazma e tij, ndjellëse për poetët, sidomos për ne që lëvrojmë dhe prozën, i thashë vetes.
Ishte mbrëmja e tretë a e katërt, njëlloj ishin bërë të këndëshme si banketet më pas të festivalit botëror të poezisë në Craiova.
Erdhi Radu me veturën e tij në hotel për të na marrë mua me Edën dhe Luanin. Me kostum dhe kravatë si përherë, Edhe pse intelektual, drejtor, përkthyes, etj, po bënte shoferin për ne, me një natyrshmëri magjepsëse. Kaluam qendrën me pallatet klasike, njoha teatrin “Marin Soresku”, edhe atë vetë e kisha njohur dhe shumë shpejt arritem. Kaq afër? Edhe në këmbë mund ta kishim bërë. E kisha menduar vilë misterioze në rrethinë te kodrat, nëse kishte a pas ndonjë pylli buzë liqenit. Vila m’u duk e rëndomtê, dy kate, por e gjerë, madje pak si tepër si magazinat e ushtrisë, e rrethuar me mur dhe kangjela, portë e madhe hekuri, aty futeshin jo vetëm veturat, por edhe autobuzi… i poetëve. Kishte blerim, por vende vende zbehte si me qëllim. Një si lapidar me një citat të Presidentit francez De Gaulle përsipër. Nëpër shkallë kishte thyerje si në pallatet tona në Tiranë të Realizmit Socialist. Pas xhameve brenda po shtrohej darka. Muret si të lënë pas dore, përveç atij në ballë, me piktura të vogla në qeramikë.
– Janë të reja? – pieta Luanin. Duhej ta dinte se ai në Bukuresht jeton.
– Jo, janë të asaj kohe. E vetmja vlerë që i ka mbetur…
– Vila e Enverit në Tiranë, në “Bllok” është më e mirëmbajtur… ashtu si dhe Enveri vetë… – thashë. Dhe s’desha të bëja asnjë foto me cellular siç nuk i bëra dhe jashtë ngrehinës. Ishte pêrbuzja ime kështu. Rumania ka plot vende të mrekullueshme për poezinë që janë dhe vete poezi. Pse na sollën këtu apo për dënim?
Brenda sundonte një si e verdhëllemtë e sëmurë, mbase prej ndriçimit allasoj, por gallërinë dhe ngjyrat e tjera i solli autobuzi me poetët, që sapo mbërritën, me bisedat e tyre shumë gjuhëshe, veshjet, sidomos të grave që ndryshonin bashkë me pamjen nga paraditja. U futën në grupe. rrëmujshëm Vetëshërbehej nëpër tryezat e mëdha, të rrumbullakta. Ca dolën dhe jashtë si për më freskët, edhe andej kishte tryeza.
Si fillim ne u bashkuam me poetin turk, Ataol Behramoglu dhe të shoqen e tij, Hülya, po vazhdonim bisedat që s’i kishim mbaruar te parku i madh, te shtatorja e Emniescut. Po tregonim për burgjet tona, por grate tona janë ish të burgosurat e vërteta, tha Ataol dhe plasi e qeshura. Eda qeshi e para, ashtu kumbueshëm. Kur u bashkuam me grupin e italianëve, poeti amerikan, i kudogjendur, me aparatin e tij fotografik tytëgjatë si armë, na merrte një nga një pas murit për një foto tjetër, duke na rregulluar me duar se si t’i mbanim kryet. Fliste zëlartë ashtu siç lexonte dhe poezitë. M’u ndërmend se në një qytet në Veri të Italisë, në një takim poetik në një hotel termal, na thanë se ajo tryezë e drunjtë, e madhe dhe e rëndë, me gdhëndje të errësirta, rreth së cilës po rrinim, kishte qenë e diktatorit fashist, Mussolini-t. Aq më mirë, kisha thirrur, po e pushtojmë me poezi. Kjo po ndodhte dhe me vilën e Causheskut. Poetët nisën të lexojnë poezitë e tyre pa ndonjë rend të caktuar, dilte para të tjerëve cilido që dëshironte, madje dhe me gotën e verës ndër duar a me pjatën, po të donte.
Tani duhet të ishte radha e poetit nga Ukraina, Dmytro Chystiak, i thashë Edës pranë. Por sonte s’kishte radhë, as disiplinë, çfarë dispilne thua? Ndërsa ai s’kishte ardhur fare. Lufta në vendin e tij, jo se e kishte penguar, por nuk donte t’i shmangej. Tani po bënte luftëtarin. Ndërkaq po lexoheshin poezi në gjuhët që s’i kuptonim.
– Ndonjëher:e është më mirë burgu, – thashë. Poeti turk qeshi me të madhe. Edhe Luani.
– Mos folë kështu… – më tërhoqi vërejtjen Eda si zakonisht.
Një gjë e zezë pas xhamave në kopsht ngjasonte me çizmen e Stalinit në erë a ishte ndonjë shpend i zi, i çuditshëm. Ka ardhur ai këtu? Ta ketë lënë njërën nga çizmet? Se si u mufat… si fytyra e Putinit… m’u bë si një bombë ovale që avitej përreth e do të plaste… Mos, o Zot! Kishte kat të nëndheshëm këtu. Ajo dera atje mos të çonte në ferr? Aty të jetë kufoma e Çausheskut të vrarë?
Doli guximshëm të recitojë poeti i pushkatuar shqiptar Trifon Xhagjika! Në ballë kishte një vrimë plumbi. Që aty i rridhte poezia. Na mahniti të gjithëve. Është nata e poezisë shqipe, se kush mërmëriti pranë meje. E poetëve të pushkatur. Më jepni një top t’i bie Komitetit Qendror të partisë, sistemit tuaj, bërtiti Trifon Xhagjika. Në mur u shfaqën të kapur dorë për dore Vilson Blloshmi me Genc Lekën. Bashkë i kanë pushkatur? Po, po… Rrëkera gjaku rrëshkisnin si gjarpërinj të kuq. Duartrokitje të stuhishme. Prezantuesja e bukur si vetë Rumania thirri emrin tim, do të recitoja unë, më prezantoi anglisht. Por s’jam i pushkatur, thashë me turp. Po, po, edhe ti je, por nuk e di… Poeti nga Ukraina, Dmytro Chystiak, s’erdhi dot nga shkaku i luftës, thirra duke u nëpërmendur. Ai do të lexonte pas meje…
– Kam një poezi për të, – u ktheva rrëmbimthi nga poetja italiane Laura Garavaglia. Aha, me flokët e saj të verdhëllemta ta lyejmë murin, që ta shpëtojmë nga e mëparshmja, mendova për një çast.
– Lexoje! – më tha ajo menjëherë.
– Është vetëm shqip…
Luani e ka përkthyer rumanisht, por s’e ka për sonte… S’na lanë bombardinet…
– Cosa? Çfarë?
– E përkthejmë bashkë italisht, tani, anglisht, frengjisht, – këmbëngula. – Latinisht, në greqishten e vjetër, ilirisht, kinezçe… Të shpikim gjuhën e dhëmbjes, të dashurisë, se këto s’mjaftojnë… Ajo e kishte mik Dmytro-n më shumë se sa unë. Prej saj e kisha njohur në festivalin e Como-s, kur ishim bashkë me Edën dhe poetin nga Kosova, Jeton Kelmendi, sapo kishte mbaruar lufta e tyre. Po ato janë luftrat tona, janë për Europën, më shkruante Dymtro. Sikur ngajnin me njëri-tjetrin, ukrainasi me kosovarin, të dy të rinj…
– Cominciamo, – tha poetja italiane. Fillojmë. – Ku e ke poezinë?
Nxora nja dy fletë të palosura, kisha shkruar me dorë, nga pas tyre ishin të printuar poezitë në shqip dhe rumanisht që kisha menduar se do të lexoja. Ajo hapi celularin, e gatshme të përkthente. Nëpër tryeza përreth pinin verë apo birrë, poetët lëvrinin sa andej këndej, dilnin në kopshtin nator, futeshin, pa u trembur nga fantazma diktatorësh. Erdhi dhe një këngëtar opere. E filloi me një si “O sole mio”.
Ne u shtymë më në qoshe si për më qetësi. Si për t’u mbrojtur më shumë. Aty bombat do të na kapnin më pak. I thashë rreshtin e parë me italishten time të burgut dhe ajo e shkruajti shpejt. Rreshti tjetër. Shkon më mirë kështu, tha. Ti e di, italishtja është jotja. Pyeta Edën për një fjalë që nuk po e gjeja. Ja, poezia ime e gjithë:
NUK PO MBAROJ DOT
NJË POEZI PËR UKRAINËN
(Poetit Dmytro Chystiak, i ftuar në festival
në Rumani, por që s’mundet të vijë nga shkaku i luftës…)
Nuk po mbaroj dot një poezi për Ukrainën,
por të mbarojë lufta më parë, po lutem,
atje po luftojnë,
po vriten…
Dielli lind pas gërmadhave si një plagë e madhe
dhe perëndon te mua si një plagë tjetër e madhe,
djeg lëkura ime si lëkura e kohës. Është një dritare
e një poeti të ri, e mbuluar me libra e gjithë,
që natën të mos duket drita jashtë
dhe pushtuesi të mos e goditë
me predha,
janë dhe librat e tij aty dhe imi me autograf
si në një barrikadë.
Ai po shkruan, nuk duhet ta shqetësojnë.
Ndërpriteni luftën! – dua të bërtas. – Ai po shkruan!
Dhe unë e di cila është poezia e tij tani:
t’u sjellë për të ngrënë fëmijëve
nëpër bodrume dhe metro,
duhen ndihmuar dhe qentë e braktisur,
a e di ç’do të thotë të mos lehin qentë e tmerruar,
se po buçasin bombat,
dhe në gropat që hapen, të fshehim statujat,
se edhe ato i vrasin.
Ja, ai plaku me bastun po mban macen e fqinjit
dhe qan, vajza e tij po i bie pianos për herë të fundit
mes pluhurit në sallonin e shkatërruar. O Zot,
dhe pianoja po ngjan si e dalë nga rreshti i tankeve.
U çmenda prej ankthit,
kam haluçinacione,
requiemet e vdekjes janë ky shi që bie
për të larë baltën dhe gjakun
nga një fytyrë e masakruar,
është fytyra e qytetit. Po duhet dhe një buzëqeshje
patjetër për jetën e shpëtuar,
le ta marrë ku të dojë ai poeti i ri,
nga e ardhmja
që është përtej frontit të luftës, le ta kërkojë
bashkë me zjarrfikësit te lagjet e djegura
me pemë të djeguara
e zogj të djegur,
tek ajo përralla
që s’u dogj e gjithë, t’ia marrin një molle,
të kafshuar vetëm një herë,
që e mban një dorë e këputur.
Dhe poezia e tronditur duhet t’u japë kurajo luftëtarëve
dhe lajmin e mirë se të gjithë jemi me ta,
se liria e Ukrainës sot është liri e botës. Poezia,
që la pashkruar poeti i ri, – ka fytyrën e tim biri ai, –
nuk e vazhdoj dot unë, atij i takon,
se ndoshta kështu
mbaron dhe lufta.
Deri atëhere ma jepni mua diellin e plagës
dhe atij plagën e diellit,
nuk janë dhe aq njësoj,
po rëndësi ka drejtësia
dhe në poezi…
………………………………………………………………………
– E bukur!
– Më tmerron fjala “e bukur”! Nuk e shpëton dot botën…
Nuk e mbaruam dot poezinë. Kishte ardhur autobuzi i poetëve. Duhej të iknim. Te porta na numëronte fantazma e Çausheskut. Ata që hipnin në autobus, i mbante shënim fantazma e Enverit, Si oficerët në burg. Shofer ishte një i myrrëtuar me mustaqe staliniste a vetë ai. Natë ishte, kur gjërat nuk janë aq të qarta, as reale.
Unë me Edën dhe Luanin vendosëm të ktheheshim në këmbë për te hoteli ynë. Te sheshi i madh shatërvani hidhte përpjetë ylbere uji si një frymëzim. Plot të rinj shëtisnin jashtë, futeshin lokaleve të natës nga ku dhe dilnin, po atje ku dritat llamburisnin më tepër dhe fytyrat tona shquheshin, një çift i kapur dorë për dore, ndali dhe se si na pa. Se si do i jemi dukur. Nga po vinim ashtu?
Më 4 korrik, në një mbasdite të nxehtë plot diell, sheshi Lanzuisi i komunës San Felice Circeo, në provincën e Latinës i ngjante një stadiumi të vogël, të mbushur plot e përplot në pritje të një shfaqjeje plot interes. Afishet e kuqe, të vendosura në shumë pika të hyrjeve për në shesh lajmëronin dhënie çmimesh për edicionin e 11 të konkursit “Kultura e detit”.
San Felice Circeo, një nga perlat turistike të bregdetit Tirren, është një kodër në formë gadishulli e dukëshme edhe nga dhjetëra kilometra larg si një gjuhë gjigande, që duket se përqesh nga lartësia e mijëvjeçareve dhe legjendave botën tonë moderne e gjithmonë të mbarsur me problemet e perjetëshme të njeriut. Blerimi i qytetit dhe kaltërsia e detit i bëjnë të pashlyeshme nga kujtesa mbresat e perëndimeve të diellit në këtë qoshe të përkëdhelur të natyrës. Ishte ky det e këto perëndime që ndofta mahnitën dhe Uliksin e itakasit në rrugën e kthimit për n’atdhe, duke i kandisur të pranojnë ofertat joshëse të së bukurës magjistare Çirçe, emri i së cilës vazhdon të jetojë së bashku me qytetin.
Në këtë qytet, duke filluar nga viti i shpresave të mëdha 1989, çdo vit një zhuri e posaçme, e përbërë nga personalitete të njohura të jetës kulturore italiane, vlerëson me çmimin “Kultura e detit” vepra të ndryshme në poezi apo prozë, të cilat kanë në qendër të frymëzimit, të veprimit, të përsiatjes, detin. Deti, kjo masë e pafund ujërash që bart në vetvete misterin e krijimit, ka qenë për njeriun, që nga lashtësia, burim frymëzimi që nxiste fantazinë, kurreshtjen, shpirtin e kërkimit. Deti dhe qielli, një simbiozë blu e madhështisë së natyrës, e bënin njeriun të ndjehej i pafuqishëm, por me forcën joshëse të misterit e nxisnin të përballonte sfidën drejt së panjohurës, nëpërmjet së cilës përcaktonte ecjen përpara, deri në lartësitë marramendëse të shkencës së sotme. Në veprat e tempullarëve të artit botëror, nga Homeri tek Heminguej, deti është shpesh i pranishëm me të gjitha nuancat dhe dukuritë e tij. Ndoshta ideatorët e konkursit të përvitshëm në San Felice Circeo kanë menduar t’i bëjnë nderimin e duhur kësaj pranie të detit në artin dhe jetën e njeriut.
Në Itali, një vend i njohur për shkallën e lartë të traditës poetike, konkurset e poezive janë të shumta e në to marrin pjesë mjaft persona, të afirmuar apo amatorë të poezisë. Duke patur parasysh pjesëmarrësit e zhurisë së konkursit “Kultura e detit” mendoj se ky është një nga më seriozët që zhvillohen këtu. Zhuria, e përbërë nga shkrimtarë të njohur si Dacia Maraini, Elisabetta Granzotto, Stanislao Nievo, Francesco Agresti e nga gazetarë t’afirmuar si Gian Paolo Cresci, Rino Icardi, Franco Cuomo e Romano Tripodi, vlerësoi me Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë, për edicionin 1999 një firmë të njohur të poezisë moderne shqiptare, poetin Visar Zhiti, për triptikun e tij Vetëvrasja e Atdheut (Qielli – Toka – Deti) I shkruar në ditët tragjike të marsit 1997, ky cikël poezish pasqyron çaste historike tepër të rëndësishme, të jetuara në kufijtë e paradoksit, të absurdes, të irreales nga shoqëria shqiptare. Titulli i triptikut përmbledh në mënyrë të përsosur katastrofën që përjetonin shqiptarët dhe vetë poeti, të shfaqur në skena shkatërrimesh barbare, varresh të pamotivuara dhe shëmbjeje t’institucioneve me pasoja të rënda për një kohë të gjatë.
“As tërmetet nuk kanë lënë kaqë gërmadha
Zjarri djeg çatitë e historisë sonë…”
shkruan poeti me dhimbjen e thellë jo vetëm të njeriut t’artit por dhe të përfaqësuesit të kulturës së Vendit të tij në një Vend mik, në Romën e lashtë e të re, që për Shqipërinë ka qenë dhe mbetet porta e hyrjes në Evropë. Triptiku, i përkthyer mjaft mirë në italisht ishte botuar dhe bërë i njohur. Interesant është fakti që poeti nuk i ka paraqitur vetë në konkurs poezitë e tij, por zhuria i ka zgjedhur ato mes sa e sa poezive të tjera për t’i vlerësuar me çmimin e sipërpërmendur. Ky fakt, sigurisht, i jep më shumë rëndësi çmimit në vetvete e përbën një motiv krenarie për të gjithë shqiptarët, veçanërisht në çastet e sotme kur një pjesë, edhe nëse e vogël e bashkatdhetarëve tanë, e kanë trasformuar imazhin e shqiptarit në sytë e opinionit publik në sinonim të krimit, të ilegalitetit, të prostitucionit.
Me gëzim e këtë ndjenjë krenarie shkova dhe unë atë mbrëmje të 4 korrikut, për të marrë pjesë në atë ceremoni që ishte organizuar mjaft mirë, me një nivel të kënaqshëm e që na bëri të kalojmë dy orë mjaft të këndëshme. Ceremonia organizohej nën mbikqyrjen e Degës së kulturës e turizmit te Krahinës Lazio dhe të Seksionit të turizmit të Provincës së Latinës. Në Komitetin Organizues të aktivitetit bënin pjesë autoritete të njohura politike e shoqërore të Provincës së Latinës. Zhuria e tërë qëndronte në tavolinën e podiumit dhe i ftuar nderi ishte zgjedhur një nga firmat më të njohura të publiçistikës italiane Enzo Biagi.
Mbas dhënies së çmimeve të përmbledhjes së poezive, të projektit Pranvera, të qendrës së studimeve “Roma Europa 2000” për arkeollogjinë, i erdhi rradha paraqitjes së fituesit të Çmimit Ndërkombëtar të Poezisë. Me pakë penelata u skicua portreti i poetit shqiptar Visar Zhiti. U vu në dukje fakti se gjatë diktaturës komuniste poeti i ri ishte dënuar me punë të detyruar, mbasi kishte shkruar poezi që nuk përkonin me modelet e t’ashtuquajturit “realizëm socialist”, ndërsa në vitet e fundit kishte patur detyrën e atasheut kultural të Shqipërisë në Ambasadën Shqiptare në Romë. Gazetari i njohur Augusto Giordano, që me shumë dashamirësi e ftoi poetin në podium, i uroi atij jo vetëm suksese të mëtejshme në fushën e poezisë, por dhe rrugë të mbarë në detyrën e re që e priste tashmë në Vendin e tij mbasi, siç tha ai, Visar Zhiti linte detyrën që kishte deri tani në Romë.
Pastaj e mori fjalën Visari, që me gjithë emocionin e kuptueshëm para një salle me dëgjues të huaj e të panjohur, u shpreh shkurt dhe qartë. Falënderoi zhurinë dhe organizuesit e ceremonisë për nderimin e madh që po i bënin, gjë të cilën ai e shihte si një shenjë dashamirësie dhe për Vendin që e lindi dhe i frymëzoi poezitë dhe uroi që deti që lidh dy brigjet e Vendeve tona të shërbejë si një urë miqësie gjithënjë e më e fortë mes dy popujve tanë. Nuk u zgjat më tepër, ndofta mund të thonte dhe gjëra të tjera, të fliste më shumë për veten, për të shkuarën, për t’ardhmen…Preferoi të heshtëte, nganjëhere heshtja flet më shumë se fjalët.
Në ato çaste mendimi më ktheu mbrapa në vite. Ishte dimri i viteve 1980-1981 në burgun kamp të Spaçit. Zona e tretë ku nxirrej piriti që shkonte në Laç në uzinën e superfosfatit. Visari punonte në galeri me temperatura mbi 50° e kur dilte jashtë me vagon gjente erën e ftohtë e temperaturen nën 0°. Ishin ditë e netë lodhjeje e dëshpërimi, malli për familjet, të afërmit e qytetin e përbashkët të kujtimeve të rinisë, Lushnjen. Ishte kohë trishtimi e shpresash të venitura e të nëpërkëmbura nga diktatura gjakatare që çdo ditë shtonte numurin e djemve e të vajzave shqiptare të dënuar me punë të detyruar në bazë të nenit famëkeq 55/a.
Ndofta i vinin parasysh dhe poetit të lëngimeve të burgut n’ato çaste ato skena, ndofta njëherësh u shkëputëm të dy nga ajo ceremoni për t’u rikthyer, qoftë dhe për disa sekonda, në ato bisedat tona atje në gropën e Spaçit të rrethuar me tela me gjemba e me policë…Ndofta për të vazhduar atë bisedë instiktivisht poeti u mat të zbriste nga podiumi e të kthehej në rradhën e parë ku ishin dhe bashkëshortja dhe djali i vogël bukurosh e çamarok. Por gazetari paraqitës përnjëherësh e ndaloi dhe iu lut të qëndronte dhe pak aty në podium. Nderimi për poetin nga Shqipëria duhej të ishte i veçantë, publiku duhej të dëgjonte poezitë që zhuria e konkursit i kishte quajtur të denja për Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë. Pra, triptiku do të recitohej i gjithi e rasti e solli që ai që e recitoi, me mjeshtërinë e një aktori të vërtetë, të ishte nip i një shqiptareje.
Heshtja e thellë që shoqëroi recitimin ja linte sfondin zhurmës së lehtë të flladit të mbrëmjes së freskët që deti na ofronte si shpërblim për homazhin që njerëzit e kulturës i kushtonin atij me aqë bujari. N’ato çaste m’u kujtua një frazë e Lamartinit drejtuar arbëreshit të madh De Rada: ”Poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe ajo duhet të kthehet atje.”. A mund t’i atribuohej kjo konsideratë e romantikut të madh francez poetit të talentuar myzeqar? Serioziteti dhe vëmëndja e përqëndruar e italianëve që atë mbrëmje dëgjonin “Vetëvrasja e atdheut” ndofta ishin një përgjigje pohuese. Un, si shok i Visarit si bashkatdhetar e si bashkëvuajtës, ndjeva një emocion të thellë, një ngazëllim në shpirt e njëkohësisht një dhimbje. Breshëria e duartrokitjeve, që mbuloi sheshin sapo mbaroi recitimi, miratoi zgjedhjen e zhurisë dhe mendimet e mija.
Spaç-San Felice Circeo, dy emra vendesh që i ndan jo vetëm deti dhe qindrat e kilometrave por dhe simbolika e dy botëve të kundërta që dallohen nga njëra tjetra në vlerësimin dhe respektin për nocione të tilla si liria, të drejtat e njeriut, puna, talenti dhe mbi të gjitha vetë njeriu. Fati desh që ne t’i provonim të dy botët, megjithëse ajo e Spaçit rëndoi aqë shumë sa që kushtëzoi dhe praninë në këtë botën tjetër. Për Visarin fati qe më dashamirës. Talenti poetik dhe përndjekja komuniste qenë letra krediti që i hapën dyert e politikës. Në fillim si deputet i P. D. e më pas si funksionar në Ambasadën shqiptare në Romë ai punoi me të gjitha forcat për ndërtimin dhe afirmimin e botës antiSpaç. Në Romë pati mbi shpatulla një detyrë sa të vështirë aqë dhe të rëndësishme: të bënte të njohur kulturën shqiptare në një Vend ku kultura ka rrënjë mijëvjeçare. Personaliteti i tij prej poeti të njohur tashmë dhe në rrethet kulturore vëndase sigurisht i jepte dorë në kryerjen e misionit të tij. Ai mision që ka zanafillën në idenë e qëndrueshmërisë së Kombit, në interesat madhore të tij në komunikimin jetik për të me popujt e tjerë, në imazhin real dhe historik të tij, duhet të qëndrojë mbi lojrat e luftës për pushtet të partive politike të Tiranës. Njerëzit, që me zotësi mund t’a kryejnë atë mision kudo në botë duhet të jenë si ujët e pakët. Çdo Qeveri, që rasti e sjell të vijë në fuqi , ata persona duhet t’i vlerësojë e t’u japë vendin e duhur. Do t’ishte ky treguesi i parë i rëndësishem i normalitetit të një Shteti.
Ja pra pse krahas krenarisë prej shqiptari (ndoshta isha i vetmi shqiptar i pranishëm në ceremoni veç të interesuarit dhe familjes) për këtë çmim ndjeva një dhimbje kur mësova faktin e trasferimit të poetit dhe një fill dyshimi nisi të pështillet në trurin tim. E dij se zyrtarisht ky trasferim motivohet me rregullat e qarkullimit në botën diplomatike, e dij se askush në nomenklaturën shtetërore nuk do të pohojë se këtu kemi të bëjmë me një formë të sofistikuar të famëkeqes “luftë klasash”, por fakti që Visar Zhiti trasferohet nga Roma për në Tiranë më duket se vërteton diçka tjetër. Është prirje e përgjithëshme e të majtave, kur marrin pushtetin në dorë, të pushtojnë të gjitha institucionet shtetërore. Kjo prirje është më e fortë sa më afër ideologjisë origjinale qëndrohet e besoj se reformimi i socialistëve shqiptarë ende le mjaft për të dëshiruar.
Ndoshta Visar Zhiti do t’i shtohet numurit të pafund të nëpunësve të të gjitha niveleve, që në këta dy vjet qeverisjeje të Aleancës për shtetin janë zëvendësuar nga besnikët e partive në pushtet. Sido që të motivohet një veprim i tillë, për mendimin tim mbetet i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm, mbasi në një vend delikat e të rëndësishëm do të mungojë një person që, falë zotësisë së tij, ka krijuar premisat më të mira për të bërë një punë të dobishme në dobi të imazhit të Shqipërisë në Itali. Jam i bindur se zotërinjtë Majko e Milo e dinë mirë sesa vlen imazhi për të vënë bazat e ecjes përpara të Vendit tonë e nuk dua të besoj se ata mund të kenë mendimin që shprehte dikur një ish Kryeministër: ”Ne vemë një hu, i themi të na e bëjë punën dhe ai na e bën.”
Të gjitha këto mendime më pushtuan trurin atë mbrëmje të bukur korriku, kur një poet nga Lushnja mori një çmim ndërkombëtar poezie në atdheun e Dantes, të Petrarkës, të Ariostos, të Leopardit, të d’Anuncios, të Montales, të Ungaretit, të Kuasimodos. Flladi i freskët, që frynte nga deti në San Felice Circeo, më dukej se vinte nga balladat e Shqipërisë, nga vargjet e Bagëti e Bujqësisë, të Milosaos, apo të Këngës së sprasme të Balës e në shpirtin tim mplekseshin krenaria dhe dhimbja.
LATINA, 20 KORRIK 1999
Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011
“Unë e krijova Gileadin. Gjykata supreme po e bën atë të realitet.” Margaret Atwood.
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i dha fund sot të drejtës kushtetuese të grave për të abortuar duke e kthyer vendin gjysmë shekulli pas, në ato kohë të errëta kur gra dhe vajza vdisnin viktima të praktikave jo-profesionale dhe kushteve të këqija me të cilat kryheshin ilegalisht ndërhyrje në trupin e tyre. Praktikisht, ky është kurorëzimi i suksesshëm i përpjekjeve të evangjelistëve dhe fundamentalistëve të krishterë për të tërhequr për hunde politikën amerikane.
Teksa prej dhjetëvjeçarësh në pjesën dërrmuese të vendeve demokratike të botës e drejta e grave për të vendosur mbi trupin e tyre është hequr nga diskutimi shoqëror duke u parë si çështje e zgjidhur, në Amerikë ajo ka mbijetuar si një ndër pikat më të nxehta të debateve politike. Kjo në sajë të ndikimit dhe forcës financiare të qarqeve ekstremiste fetare.
Ishte pikërisht synimi për të arritur te kjo ditë arsyeja përse fundamentalistët e krishterë e vunë arsenalin e tyre politik në mbështetje të një figure moralisht të diskretituar si Donald Tramp, i cili ua shpërbleu mbështetjen duke përzgjedhur kandidaturat që ata i imponuan për në Gjykatën Supreme. Përmes manipulimeve dhe shfrytëzimit të fuqisë së votës në Senat kundrejt praktikave të mëparshme, ai arriti të emërojë tre prej tyre, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barret dhe të përmbysë ekujlibrin e gjykimit në institutin më të lartë të drejtësisë amerikane.
Natyrisht, Trump e gënjente mendja se gjykatësit e emëruar prej tij do t’ia mbanin mend nderin dhe do t’ia kthenin borxhin kur të vinte puna për të kontestuar zgjedhjet. Por nuk ndodhi ashtu sepse gjykatësit dhe turma e evangjelistëve që iu rrinte nga pas nuk e shihnin veten të detyruar ndaj Trumpit, por ndaj synimit për ta kthyer Amerikën në teokraci. Trampi për ta ishte thjesht vegël e përkohëshme për të arritur një qëllim strategjik.
Vendimi i sotëm shihet si një bombë e lëshuar pa përgjegjësi në shesh-betejën e ashpër të përplasjeve shoqërore që kanë përfshirë prej kohësh Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që pritet që ajo të pasohet nga tronditje të forta, efekti afatgjatë është vështirë të parashikohet. Le të shpresojmë që të jetë një alarm për të zgjuar njerëzit dhe veçanërisht gratë në të dy krahët e spektrit të ashpërsuar politik dhe për t’i rikujtuar të gjithëve se prapa tymnajës së lehtë të problemeve dytësore të përemrave dhe mbiemrave gjinore, fshihet artileria e rëndë që shkatërron themelet e të drejtave të tyre.
*Gilead është Amerika imagjinare në distopinë e Margaret Atwood “The Handmaid’s Tale” që në shqip është përkthyer “Rrëfimi i Shërbëtores.”
Kumtesa ime nga promovimi i librit të xhepit “Never Forget” të autorëve Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj në Tiranë
Motra dhe vëllezër shqiptar,
Është nder dhe krenari për mua të marr pjesë në këtë promovim të rëndësishëm bashkë me personalitete eminente kombëtare Dr. Sali Berishën, Profesor Enver Bytyçin, Znj. Edit Harxhi, Profesor Nusret Pllanën, Ambasador Mal Berishën.
Vij para jush si shqiptar nga toka e Kosovës, e ndarë padrejtësisht nga nëna Shqipëri. me zemër të pastërt, të mbushur me dashuri. Por, vij edhe me një brengë të madhe në zemër, ta qaj hallin me nënën Shqipëri, me motrat dhe vëllezërit shqiptar për situatën tonë kombëtare, për harresën tonë të krimeve barbare serbe. Vij edhe si shqiptaro-amerikan nga Mërgata jonë e jashtëzakonshme, jo për të ju shitur mend, por për ta shfrytëzuar të drejtën time për ta dhënë mendimin tim për kombin të cilit i takoj, për të cilin jam gati të jap çdo gjë.
Vijmë këtu bashkë me shokun dhe mikun tim Dr. Nusret Pllana për të folur në emër të më shumë se 1400 fëmijëve të masakruar dhe qindra-mijra viktimave tjera të gjenocidit shekullor serb mbi popullin e pafajshëm shqiptar.
Përpjekjet serbe për zhdukjen e kombit shqiptar jan planifikuar dhe ekzekutuar me përpikmëri nga shteti serb, kisha serbe dhe akademia e shkencave serbe. Ato kanë filluar që nga zbritja e serbëve nga malet dhe shpellat e Karpateve e deri në vitin 1999. Faktet dhe dokumentet për gjenocidin serb janë të pakontestueshme, ai ishte i tmerrshëm. Sipas profesor Pllanës është realizuar në pesë etapa. Pas secilës etapë ne kemi harruar dhe krimet janë përsëritur.
Serbia e udhëhequr nga shovinistë dhe racistë si Vuçiq, Daçiq dhe Vulin nuk është penduar fare për krimet kundër civilizimit. Ata janë në vuajtje e sipër dhe e fajësojnë kriminelin e luftës Milosheviq pse nuk ja ka arritur qëllimit për ta zhdukur kombin shqiptar. Ata po vazhdojnë me urrejtje të hapur kundër shqiptarëve dhe fqinjëve tjerë bazuar në rrena dhe propagandë mashtruese armiqësore.
Mashtrimet e tyre, për interesa të ndryshme, po i han një pjesë e madhe e Europës, disa zyrtarë amerikanë dhe shumë politikanë shqiptarë me përkrahësit e tyre në media, të cilët patrioti Gjergj Fishta do t’i quante me një emër të përbashkët, Zuzarë. Ata janë shumë të preokupuar dhe po veprojnë hapur për ta rehabilituar shtetin primitiv racist serb, me përkëdhelje, falje të krimeve, dhënie territori shqiptar, komunë të pastër etnike serbe dhe ekstraterritorialitet të manastireve ortodokse. Kjo, me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës, ndarjen e tij dhe daljen e Serbisë në detin Adriatik duke e shfrytëzuar projektin mashtrues caristo-komunist “open Ballkan “.
Prej të gjithave, më e dhimbshmja është harresa e jonë dhe përpjekja për faljen e krimeve serbe. Me mijëra kriminel serb kalërojnë të lirë nëpër Beograd e Serbi, ndërsa luftëtarët shqiptar të lirisë gjykohen në Hagë. Familjet shqiptare ende presin me ankth për t’i gjetur 1600 të dashurit e tyre të zhdukur nga Serbia. Profesor Pllana i ka dokumentuar shumë mirë krimet serbe në librin e tij të madh “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Nga ky libër doli edhe libri i xhepit “Never Forget” i cili e bën më të lehtë shpërndarjen dhe depërtimin e të vërtetës shqiptare mbi gjenocidin serb kudo në Trojet tona dhe në instancat ndërkombëtare.
Ideja për këtë libër xhepi ishte në mendjen time me vite, lidhet me një libër tjetër pak më të madh me emër “Rescue in Albania” i cili bën fjalë për shpëtimin e Hebrenjëve që jetonin apo erdhën në Shqipëri gjatë Holokaustit. Shënimet për librin “Shpëtimi në Shqipëri” i mori nga ish-presidenti i Shqipërisë Ramiz Alija, kongresisti amerikan me prejardhje arbëreshe, legjendë e gjallë e lobizmit për interesa kombëtare shqiptare në Washington, Joseph J. DioGuardi, në vitin 1990 gjatë vizitës në Shqipëri me kongresistin e njohur për të drejtat e njeriut Tom Lantos.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e ka botuar dhe shpërndarë këtë libër, në Kongresin Amerikan, Knesetin Israelit dhe te zyrtarë të ndryshëm, shumica me prejardhje hebreje. Në një Dëgjim në Kongres, në muajin Mars të vitit 1999, para se të bombardohej Serbisa nga NATO, dëshmuan senatori Bob Dole mik i madh i shqiptarëve, Jeane Kirkpatrick ambasadore amerikane në OKB, Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare në LQSHA dhe Henry Kissinger sekretar i shtetit. Të gjithë u deklaruan për bombardim përveç Z. Kissinger, i cili thoshte se nuk është interes strategjik i Amerikës për të hyrë në konflikt me një shtet sovran.
Gjatë pushimit, në mes dy seancave, iu afrova te tavolina, ja dhashë librin “Shpëtimi në Shqipëri” dhe e luta ta lexonte duke i thënë se bën fjalë për një popull fisnik me zemër të madhe, i cili i shpëtoi të gjithë hebrenjtë që jetonin apo erdhën në Shqipëri gjatë Holokaustit. Populli shqiptar i Kosovës, ndër ta edhe babai i im Arif Aliçkaj, mori pjesë në këtë shpëtim. Ky popull sot është i rrezikuar për zhdukje, njësoj si populli hebre dhe ka nevojë për ndihmën tuaj. E mori, e shiqoi, i shfletoi disa faqe dhe më premtoi se do ta lexonte.
Bashkë me mua ishte edhe kolegu im, ambasadori Mal Berisha i cili për disa vite ishte pjesë e aktiviteteve të panumërta të Lobit Shqiptaro-Amerikan në interes të kombit shqiptar në Washington. Jemi dëshmitarë se pas disa ditëve, Z. Kissinger i cili kishte influence të madhe në politikën amerikane, në televizionin e njohur CNN deklaroi se Serbia e kishte kaluar çdo kufi, se duhej të ndalej me çdo kusht dhe nuk ka kthim mbrapa. Një libër i vogël bëri një punë të madhe. Këte shpresojmë ta bëjë libri “Never Forget” i cili po promovohet dhe shpërndahet me sukses gjithandej, përfshirë edhe Kongresin amerikan.
Dënimi i gjenocidit serb në Bosnje e mëpastaj në Kosovë nga Shqipëria do të ishte minimumi i pritjes nga një shtet i civilizuar. Për më shumë, në Kosovë bëhet fjalë për të njëjtin komb dhe të njëjtin gjak vëllazëror. Po të mos ekzistonte Kosova, të njëjtën fatkeqësi do ta përjetonte Shqipëria. Më vjen turp për parlamentarët shqiptarë që nuk e votuan gjenocidin serb në Bosnje. Politika e gabuar pro-serbe e instaluar nga Kryeministri Edi Rama jua ka mbyllur sytë dhe trullosur mëndjen.
Kryeministrin Rama e kam vëlla. Meqë është vëlla i imi ai nuk mund të jetë edhe vëlla i Vuçiqit sepse ky është urrejtës dhe armik i kombit tim. Do të ishte mirë të mësojë për krimet serbe. Ato nuk ishin rrëmujë por gjenocid i vërtetë. Çka mund të iu thotë ai familjeve të fëmijëve dhe civilëve të masakruar në mënyrë shtazarake nga Serbia?! Çka do të bënte nëse ata do të ishin fëmijët e tij ?!
Z. Rama ka marrë rrugë të gabuar. Mund të kuptohet paaftësia e tij që Shqipërinë ta renditë me vendet demokratike të perëndimit. E ka më lehtë në mesin e diktatorëve të lindjes, të cilët ja rrahin krahët dhe e bëjnë të ndihet i rëndësishëm. Shpresoj se kjo është arsyeja e sjelljeve të tij anti-kombëtare dhe ka mundësi të ndryshojë. Të largohet nga rruga e dreqit e Rusisë dhe Serbisë, të kthehet nga rruga e Zotit e Kosovës, Amerikës dhe Evropës demokratike.
Nëse në takimet e fshehta, Vuçiq ia ka arritur ta korruptojë, ai nuk ka kthim, serbët do ta shfrytëzojnë dhe ta hudhin si leckën, kur nuk ju duhet më. Shpresoj që brenda Partisë Socialiste ka forca kombëtare që mund ta largojnë para se të bëhet vonë. Përndryshe, i mbetet Partisë Demokratike në krye me Presidentin Berisha të mobilizohet nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe ta ndalojë këtë rrënues të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.
Fatkeqësisht, Z. Rama ka hasë në mirëkuptim edhe te opozita e Kosovës dhe përkrahësit e tyre në media, të gatshëm për kompromise me Serbinë me shpresë se faktori ndërkombëtarë iu ndihmon për ta marrë pushtetin. Nuk e kanë të qartë se për votimin e tyre vendosë populli i Republikës së Kosovës, jo të huajt nga jashtë. Nëse vazhdojnë kështu vështirë se do t’i fitojnë zgjedhjet ndonjëherë.
Si amerikan, pres nga shteti im që të ndihmojë për të jua ndalur turrin Vuçiqit, Ramës dhe të tjerëve që janë vënë në shërbim të kriminelit Putin. Projekti i tyre “Open Ballkan” nuk ka kurrëfarë vlerash demokratike. Populli i Shqipërisë nuk përfiton asgjë, përveç ndoshta pak miell e disa rrepa. Ky projekt i errët është edhe kundër interesave strategjike amerikane. Shpresoj se Ambasadorja amerikane Yuri Kim të veprojë në këtë drejtim e të mos merret me punë të parëndësishme dhe të pavërtetuara të shpalljes “non-grata” të Presidentit të PD-së Dr. Sali Berisha.
Dua të theksoj se qëllimi im nuk është as për t’ja bërë qejfin as për ta mbrojtur Dr. Sali Berishën, ate e ndihmon dhe e mbronë vetëm e vërteta. Unë mund të kem mospajtimet e mia me te por në punë madhore kombëtare ai e ka dëshmuar përkushtimin e tij për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Unë jam vetëm një amerikan që e shprehë mendimin e vet të lirë pa frikë dhe pa interes personal, vetëm në interes të kombit.
Zonja Ambasadore e di fare mirë se në Amerikë “Një person është i pafajshëm derisa të provohet fajësia“- “A person is innocent until proven guilty”. Departamenti i Shtetit ka të drejtë ta shpallë ke të dojë “non grata” por është mirë ta arsyetojë këtë para Kongresit Amerikan.
Edhe zyrtarët e lartë amerikanë bëjnë gabime, por kushtetuta, sistemi vërtetë demokratik, kontrolli dhe balanci i fuqisë i rregullon të gjitha. Ka patur zyrtarë amerikan të cilët nuk e kan përkrahur çështjen tone, si ambasadori Zimmerman, sekretari Eagleburger e së fundit ambasadori Grenell, i cili doli në anën serbe, ndikoi në rrëzimin e qeverisë Kurti 1 dhe rrënimin e demokracisë në Kosovë. Me Amerikën duhet punuar për të na përkrahur.
Pas më shumë se një viti, ka ardhur koha që zonja Ambasadore t’i publikojë faktet për të ashtuquajturin “korrupsion” të Dr. Berishës, ose t’i propozojë Departamentit të Shtetit për ta tërhjekë këtë vendim të paarsyeshëm. Ajo duhet ta kuptojë se miliona përkrahësit e z. Berisha nga të gjitha Trojet shqiptare, i takojnë pjesës më pro-amerikane të kombit më pro-amerikan në botë.
Amerika nuk është perfekte por është vendi i drejtësisë dhe demokracisë. Ajo është drita dhe shpresa e kombit shqiptar. Interesat strategjike të kombit amerikan, janë të njejta me ato të kombit shqiptar. Serbia është satelit i Rusisë dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Amerika është i vetmi shtet që mund ta mundë Rusinë fashiste.
Agresioni rus në Ukrainë, duhet të jua bëjë të qartë të gjithëve se me diktatorët dhe kriminelët si Putin dhe Vuçiq nuk bëjnë punë ledhatimet. Ata e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionit. Serbisë raciste i duhen thyer dhëmbët që të mos mund të kafshojë më. Shpresoj se ky promovim do të ndihmojë.
Liria, pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës janë të shenjta dhe garanci e vetme që gjenocidi serb mbi shqiptarët të mos përsëritet më kurrë. E drejta është e jona dhe fitorja varet nga ne.
Përulem vetëm para luftëtarëve të lirisë.
Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe amerikan!
Msc. Agim Aliçkaj
Shënim nga blloku diplomatik
Në qarqet diplomatike europiane dhe ballkanike u shokuan nga shpërthimi i histerisë antibullgare të kryeministrit shqiptar. Histeri, që kulmoi në mes të Brukselit në 23 qershor me klithmën antidiplomatike dhe antietike kur në konferencë shtypi iu hakërrua gazetarëve bullgarë për atdheun e tyre: “Ju jeni një turp!”.
Diplomatët po qëmtojnë të gjejnë arsyet personale të këtij shpërthimi kolerik, sepse arsye shtetërore nuk ka. Sepse edhe po të kishte, kryeministri i një shteti nuk mund të flasë në publik me gjuhën e vulgut.
Bullgaria, si anëtare e BE, e ka deklaruar qysh në ditën e parë të vetos ndaj Shkupit se është për hapjen e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë. Është zgjedhje e BE, që nuk don t’ia hapë bisedimet Shqipërisë për arsyet e saj, dhe jo për fajin e Bullgarisë. Veto bullgare për Shkupin është për BE thjesht një pretekst.
Edhe Serbisë, që ka bërë katër agresione të përgjakëshme kundër shteteve fqinjë, BE ia dha statusin e shtetit kandidat disa vjet para Shqipërisë. Nuk kishte veto bullgare në atë kohë.
Kryeministri shqiptar shpërtheu një histeri personale kundër Bullgarisë, e cila nuk ka asnjë lidhje me veton bullgare ndaj Shkupit. Inati kryeministror shqiptar lidhet me shqetësimin e madh të Serbisë për efektet e vetos bullgare në raportet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një plotësim i kërkesave historike, linguistike dhe identitare të Bullgarisë nga ana e Shkupit do të rrëzonte gjithë narrativën artificiale të krijimit të republikës virtuale të Maqedonisë nga Serbia në vitin 1945 si kundërvënie ndaj Bullgarisë.
Me plotësimin e kërkesave bullgare nga Maqedonia e Veriut Serbia do të humbte pozitat e forta të influencës, që gëzon nëpërmjet lobit dominant serb në Shkup. Për këtë arsye Beogradi ka nxitur intransigjencën e Shkupit ndaj Bullgarisë dhe acarimin e marrëdhënieve midis tyre.
Lobi serb në Shkup ka bllokuar çdo tentativë të diplomacisë së Maqedonisë për fleksibilitet ndaj kërkesave bullgare. Kryeministri shqiptar ka hyrë si zhol në këto raporte bullgaro-maqedonase, duke mbrojtur interesin strategjik të Serbisë dhe duke sulmuar Bullgarinë. Pra kryeministri shqiptar i ka hipur kalit antibullgar të Serbisë për arsyet e aleancës së tij të fshehtë personale me presidentin e Serbisë Vuçiç.
Naivët e Tiranës duhet ta dinë se edhe në kërcënimin e bojkotit për samitin BE-Ballkani Perëndimor të 23 qershorit, që ishte ide e Vuçiçit, kryeministri shqiptar u bashkua për Vuçiçin, dhe jo për Kovaçevskin.
E keqja është se pasojat e kësaj sjellje skandaloze diplomatike ndaj një aleati atlantik dhe pozitiv ndaj çeshtjes kombëtare shqiptare, i paguan shteti shqiptar, sepse dëmtohen marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë për hatrin e Serbisë.
Kryeministri nuk e njeh memorien diplomatike shtetërore shqiptare, por dikush mund t’ia mësojë atij se në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kur u dha në 22 korrik 2010 verdikti i ligjëshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS OKB, zemërimi më i madh i Serbisë nuk ishte me delegacionin e MPJ të Shqipërisë atje, por me delegacionin e MPJ të Bullgarisë, i cili në paraqitjen e qendrimit zyrtar bullgar i bëri një mbrojtje të jashtëzakonëshme juridike të drejtës së Kosovës për pavarësi.
Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç mbajti një konferencë shtypi atë ditë në Hagë dhe sulmoi ashpër Bullgarinë “pse e mbrojti Kosovën më shumë se Shqipëria”.
Në qeverinë aktuale nuk punon memoria historike. Të paktën kryeministri shqiptar të mbajë kalin e histerisë antibullgare dhe le të vazhdojë në mediat europiane me mercenarizmin apologjetik ndaj Serbisë. Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar nuk kanë nevojë të bëjnë armiq të rij në Ballkan.
Na mjaftojnë armiqtë e vjetër të pakoregjueshëm si Serbia, e cila mban rekordin e borxhit të papaguar të gjakut, që i ka kombit shqiptar.
Disa ambasada Perëndimore në Tiranë, në portalet zyrtare, shprehën pardje mbështetjen e tyre për një media të lirë në Shqipëri dhe në botë. Kjo deklaratë e përbashkët e këtyre ambasadave perëndimore në Tiranë, në mbështetje të lirisë së medias në Shqipëri, mu duk si diçka tepër vonë dhe shumë pak. Deklarata të tilla, në të kaluarën, nuk kanë penguar aspak qeverinë Rama që gjatë këtyre viteve të fuste nën kontroll një pjesë dërmuese të medias shqiptare dhe të kalojë ligje në parliament duke kufizuar tmersisht lirinë e fjalës dhe të medias në përgjithësi, në kundërshtim me normat dhe standardet ndërkomëtare dhe me mos pëlqimin e Venecias.
Ndonëse besoj se edhe kjo deklaratë e ambasadave perendimdore pardje, në mbeshtetje të fjalës së lirë, është si të thuash — më mirë vonë se kurrë — nuk do të kenë asnjë efekt në planet e Kryeministrit Rama për të vazhduar kontrollin e tij mbi lirinë dhe veprimtarinë e medias. Besoj se kjo deklaratë, ashtu si edhe të tjerat në të kaluarën, bëhen dhe janë bërë, “sa për sy e faqe”, ose përputhet me atë thënjen shqiptare, “më ka çue baba sa me la gojën”. Dëmi është bërë tanimë, pasi është dashur të flisnit me kohë — liria e medias shqiptare është e kufizuar dhe ka shumë pak të përbashkët me mediat e vendeve perëndimore që ju përfaqësoni, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Kjo është, pikërisht, edhe arsyeja që organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe vet raportet e qeverive tuaja e cilësojnë gjithnjë Shqipërinë si një vend “pjesërisht i lirë”, 30-vjet “post-komunizëm”.
Megjithë trajnimet që këto ambasada u ofrojnë gazetarëve shqiptarë me fondet e taksapaguesve të këtyre vendeve — brenda dhe jashtë Shqipërisë — aty asgjë nuk ndryshon, se fajin nuk e kanë gazetarët shqiptarë, ndër më të mirët në Evropë — por kufizimet dhe pengesat që ata ndeshin në kryerjen e punës së tyre si rezultat i ligjeve në fuqi dhe presioneve ndaj medias nga qeveria dhe oligarkët e lidhur me qeverinë. Sot, të gjithë e dinë se gjëndja e lirisë së medias në Shqipëri, mjerisht, është më afër vendeve me regjime autoritare, asaj në Turqinë e Erdoganit, Rusinë
e Putinit ose Serbinë e Vuçiqit, se sa t’i përngjas lirisë së medias, siç ushtrohet në vendet perendimore, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Kam drojë, të nderuar diplomatë, se sinqeriteti juaj në lidhje me shqetësimet që shprehni në deklaratën tuaj rreth lirisë së medias në Shqipëri, vuan shumë nga mungesa e kredibilitetit ndaj qendrimeve tuaja në të kaluarën, në lidhje me lirinë e shtypit në atë vedn nga të gjithë ata, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që janë të interesuar për lirinë e shtypit dhe të medias në përgjithësi – sepse kini heshtur kur është dashur të flisni. Ende është e freskët në kujtesën tonë, heshtja e perëndimorëve –me ndonjë përjashtim të, aty këtu — gjatë kohës kur po flitej për ligjin “anti-shpifje” dhe mbi vendimin e qeverisë së Tiranës për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, që sipas ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm, kufizojnë dukshëm hapësirën e lirisë së medias në Shqipëri. Prandaj në mendimin tim, deklaratat nga përfaqsuesit perëndimorë në Tiranë, në mbrojtje të lirisë së medias në Shqipëri, janë të vonuara, dëmi është bërë tanimë, pa marrë parasyshë mbështetjen e “palëkundur për gazetarët në Shqipëri”, që ofrojnë sot ambasadat perëndimore në Tiranë.
Ja deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe 5 ambasadave të tjera në Tiranë, në mbështetje të medias së lirë në Shqipëri dhe në botë:
Nuk janë marrë parasysh as shqetësimet e orgnaizataave mbrojhtëse të lirisë së medias as e dashamirsve të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri – që janë shprehur shpesh gjatë viteve dhe dekadave – se pa liri të medias nuk ka asnjë liri tjetër, as të drejta të e demokraci të mirëfilltë perëndimore, jo se jo. Mbroni lirinë e medias, të nderuar ambasadorë! “Liria e shtypit është një prej mjeteve mbrojtëse më të forta të lirisë në përgjithësi dhe nuk mund të kufizohet kurrë, veçse nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson). “That the freedom of the press is one of the bulwarks of liberty and can never be restrained but by despotic governments.”
Sa i përket lirisë së medias, në veçanti, Shqipëria sot, fatkqesisht, është më afër qeverive despotike të botës, për të cilat ka paralajmëruar Xhorxh Mason-i në Qershor të vitit 1776, se sa pranë demokracive perëndimore të sotëme, përfshir Shtetet e Bashkuara – 30 e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe tranzicionit “post-komunist”.
Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Zoti James Baker, Qershorin e vitit 1991, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, ka deklaruar se vërtetë, “Liria funksionon”. Një thënje kjo që është bërë e famshme tanimë kur flitet dhe shkruhet për atë periudhë në Shqipërinë e posa dalur nga diktatura komuniste e qoftë largut. Por po t’u fliste sot shqiptarëve, Ish Sekretari Baker, ndoshta, do duhej të plotësonte frazën e tij t; famshme të Qershorit (Freedom works’) të vitit 1991, duke thenë se as liritë dhe as të drejtat bazë të njeriut dhe as demokracia e mirëfilltë e vlerave amerikano-perëndimore, nuk funksionojnë pa lirinë e medias dhe pa lirinë e fjalës – të drejta universale këto për të gjithë dhe pa dallim – të kalitura për gjithmonë edhe në amandamentin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Foto nga tubimi i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, në Nju Jork, të djelën që kaloi, me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dhe ndarjes së vlerave të përbashkëta. Në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare, liria e medias dhe fjala e lirë në Shqipëri, mjerisht, nuk janë në nivelin e standardeve ndërkombëtare të botës së lirë, as në përputhje me vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, që ne gëzojmë në këtë vend – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Frank Shkreli
Barometri diplomatin
**** Nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiq ia arrin që, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, t’i nënshkruajnë ato “30 marrëveshje” të mbetura nga vitet 2013 dhe 2015, të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë ekziston frika se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ngaqë interesin e saj neokolonialist shtetëror e ka ndërtuar brenda atyre “30 marrëveshjeve”. Pra, ky është rreziku, nëse, së pari nuk vihet në “rend dite” shqyrtimi i MARRËVESHJES SË NJOHJESS RECIPROKE!
*** Albin Kurti(kryeministër i qeverisë së Kosovës) : “Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje.” (https://telegrafi.com/marreveshja-serbine-per-energjine-kurti-lajm-mire-vendit-eshte-shkaktuar-dem-madh-nga-mosinkasimi/).
Duhet besuar kryeministrit Albin Kurti se lidhja e kësaj Marrëveshjeje “është një lajm i mirë” dhe në dobi të intereist financiar të Kosovës.
Mirëpo, veç kësaj marrëveshjeje, mes dy palëve negocieuse paraprakisht janë lidhur edhe 29 të tjera, të cilat pritet të debatohen dhe të nënshkrhen nga palët e theksuara, duke qenë se ato janë nënshkruar nga ish-qeveritë paraprake të Kosovës (2013 dhe 2015), përkatësisht nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
Gracka politike e presidentit Aleksanër Vuçiq !
Mirëpo, duhet të jemi vigjilentë dhe vizionar për të mos rënë në të. Naj, kryeministri Kurti, duhet të kërkojë nga Josep Borreli dhe nga Mirsolav Lajçak, që të ndryshojnë numrin e pikave të “itinerarit” të shqyrtimit të temave mes palëve negociuese, SË PARI (SI PRIORITET), të debatohet për NJOHJEN RECIPROKE, pastaj të flitet për pikat e tjera, që kanë të bëjnë me finalizimin e “30 marrëveshjeve”, të cilat, ipso facto parashikojnë shkarjen graduale të shtetit kolonial serb në Kosovë. Ky është emëruesi i përbashkët politik i të gjitha marrëveshjeve, që do të nënshkruhen në Bruksel.
Fatkeqësia qëndron në faktin, se të gjitha këto marrëveshje janë RATIFIKUAR nga Kuvendi i Kosovës, ku sipas së drejtës ndërkombëtare, është i detyruar që t’i zbatojë ato, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta në fuqi e Kosovës, e cila në rastin konkret nuk mund të jetë mbi të drejtën ndërkombëtare.
Pra, pavarësisht se çfarë fshihet pas marrëveshjeve të raftifikuara mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara në Dialogun e Brukselit (2013 dhe 2015), parapëlqehet, që të ndryshohet numri rendor i “itinerarit” të negociatave në Dialogun e Brukselit, PIKA 1, E PARA dhe me PRIORITET, të jetë-NJOHJA RECIPROKE MES DY VENDEVE, pastaj të debatohen të gjitha marrëveshjet, të cilat, qe 9 vjet po presin për t’u finalizuar mes dy palëve
Të gjitha marrëveshjet e deritashme, të ngelura “pezull”, tash pritet që të nënshkruhen nga qeveria aktuale e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti në krye.
Në këtë kontekst shtrohet pyetja, edhe sa vite apo edhe sa muaj duhet të kalojnë dhe të finalizohen ato 30 marrëveshje të nënshkruara nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat Thaçi – Mustafa (2013 dhe 2015) ?
Nëse për arritjen e secilës marrëveshje veç e veç, duhet të pritet, të paktën nga një muaj debatim dypalësh, atëherë finalizimi i 30 marrëveshjeve, do të marrë kohëzgjatje 30-mujore, domethënë, duhet të pritet edhe 3 vjet, e mëpastaj të vihet në rend dite NJOHJA E NDËRSJELLË mes Kosovës dhe Serbisë!
Si në kuptimin politik, ashtu edhe në atë juridik e kushtetues, kjo “ecuri metodologjike” (së pari nënshkrimi i të gjitha marrëveshjeve të Brukeslit), pastaj “tema”-NJOHJA RECIPROKE e dy vendeve, do të ishte një rrezik i madh për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, sepse Serbia pas nënshkrimit të marrëveshjeve të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, të miratuara në Dialogun e Brukselit, më nuk ka asnjë aryse, që ta njohë Kosovën, ngase marrëveshjet e theksuara, të nënshkruara me qeverinë e Albin Kurtit ( si ajo e formimit të Srpska zajednicës). Pra, për të mos ndodhur diç e tillë (sepse nga Serbia mund të pritet vetëm ndonjë e keqe për Kosovën, asgjë e mirë. Qëllimi i saj është që, edhe më tej, me vite ta konservojë-ngrijë Dualogun e Brukselit (2011-2022), në mënyrë që kurrë të mos e njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.
Sa më shumë të shtyhet afati i NJOHJES RECIPROKE të Kosovës dhe Serbisë, kjo do të jetë në favorin e Beogradit, sepse ndërkohë në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, mund të shpërfaqen ngjarje dhe zhvillime të reja politike dhe gjeopolitike, ku Serbia kolonialiste mund të përfitojë në krah të tyre, ashtu sikurse pas mbylljes së Krizës Lindore (1875-1878), kur Serbisë iu njoh pavarësia nga Kongresi i Berlinit (13 korrik 1878). Menjëherë, pas kësaj njhjeje ndërkombëtare, Serbia pati filluar zgjerimin e kufijve të saj territorial, duke pushtuar dhe aneksuar Nishin, si dhe vendet e tjera të Shqipërisë Etnike Lidnore.
Gjithashtu, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, Serbia së bashku me aleatët e sa, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia kinse në luftërat ballkanike, pushtuan, kolonizuan dhe ankesuan territoret e Shqipërisë Etnike (më se 50%).
Fundja, pse të mos arrihen marrëveshje dypalshe a shumëpalëshne paqësore me Serbinë, nëse ato nuk prekin qenien e shtetësisë së pavarur dhe sovrane të Republikës së Kosovës. Mirëpo, sido që ta gjykojmë përmbajtjne e tyre, ato të gjitha kanë karakter dhe synim më shumë se politik (jo vetëm karakter ekonomik, tregtar, financiar dhe teknik, siç po përfolet në opinionin publik), përmes së cilave Serbia synon kthimin e sovranitetit kolonial në Kosovë.
Prandaj, së pari, nevojitet të debatohet për arritjen e Marrëveshjes së njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, pastaj si “pika në vijim” për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, le të shqyrtohen “30 marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës (2013 dhe 2015).
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet