VOAL

VOAL

Ambasada e SHBA: SPAK- hetim zyrtarëve, bosëve të krimit dhe atyre që ishin të paprekshëm

December 19, 2019

Komentet

Protesta para Kryeministrisë, të rinjtë gjuajnë me topa futbolli drejt godinës

TIRANË– Protestuesit u mblodhën sërish këtë të diel para Kryeministrisë, në vijim të protestave kundër qeverisë. Tubimi i sotëm nisi me grumbullimin e qytetarëve para godinës për të shprehur kërkesat e tyre, të cilat, që prej fillimit vijojnë të mbeten të njejtat.

Momenti që tërhoqi vëmendjen ishte një episod ku disa të rinj,  gjuajtën me topa futbolli në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Protesta vjen një ditë pas tubimit kombëtar të së shtunës, kur protestuesit marshuan për rreth katër orë e gjysmë në disa prej rrugëve të Tiranës./Dosja.al

Protesta e 14 nëntorit në Tiranë, Policia arreston 3 persona dhe heton 18 të tjerë! Vendosen 2 gjoba nga 500 mijë lekë dhe 42 të tjera nga 5 mijë lekë

Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, pas protestës studentore të zhvilluar më 14 nëntor në kryeqytet.

Ndërkohë, policia ka vendosur gjithsej 44 gjoba, ku dy prej tyre janë në vlerën 500 mijë lekë secila, ndërsa 42 të tjerat nga 5 mijë lekë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-E. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset, si dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”;

-I. R., 23 vjeç, pasi gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie, për shkak të detyrës;

-Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.

Gjithashtu, 18 shtetas të tjerë u proceduan penalisht.

Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm, dy prej të cilave janë në vlerën 500 000 lekë.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Panorama

Lisandër Hoxha vizitë në bazën e NATO-s në Prishtinë, kritika për Shqipërinë: Përballet me rreziqe serioze, është komprometuar siguria kombëtare

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka zhvilluar një vizitë në Prishtinë, ku ka marrë pjesë në një darkë të organizuar në bazën ushtarake të NATO-s dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të strukturave të sigurisë dhe personalitete shqiptare.

Përmes një reagimi, Hoxha bëri të ditur se gjatë vizitës ka qenë në Zyrën e Inteligjencës së NATO-s, ku është takuar me ish-komandantin e Zyrës G2 të Inteligjencës dhe Sigurisë, si dhe ka uruar drejtuesin e ri të kësaj strukture. Gjatë takimit, sipas tij, është diskutuar për sigurinë e përbashkët dhe sfidat me të cilat përballet rajoni, mes tyre terrorizmi, lufta hibride dhe krimi i organizuar ndërkombëtar.

Në reagimin e tij, Hoxha ngriti shqetësimin për cenimin e strukturave të sigurisë kombëtare në Shqipëri, duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë është komprometuar. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si vendi po përballet me krimin dhe korrupsionin, duke theksuar se demokracia nuk mund të mbrohet pa institucione profesionale dhe me integritet.

Sipas Hoxhës, Shqipëria, në bashkëpunim me NATO-n dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë dhe të konsolidojë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së është takuar edhe me deputetin e Kosovës, Ukë Rugova, djalin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe me Naim Dedushajn, Drejtor Ekzekutiv i Biznesit të Diasporës Shqiptare. Me ta ka diskutuar për zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, sfidat e përbashkëta dhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve.

Hoxha vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, duke e cilësuar atë jetik në përcjelljen e interesave dhe shqetësimeve të shqiptarëve te aleatët ndërkombëtarë.

Në përfundim, ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin rrugën euroatlantike, duke marrë si pikë referimi vizionin politik të Ibrahim Rugovës, ndërsa nënvizoi se synimi i përbashkët duhet të jetë zhvillimi i vendeve tona dhe forcimi i rolit të shqiptarëve në rajon. bw

“Gjobat e paligjshme, protestuesit nuk ndalen”, aktivistja Anjeza Marku: Urojmë të jetë Nëntori i Tretë, Rama të ikë. Shqipëria duhet të çlirohet nga qeverisja e korruptuar

Studentja Anjeza Marku, aktiviste në protestën e studentëve dhe qytetarëve, e ftuar në News24, foli për protestën e madhe kombëtare, që pritet të mbahet më 28 Nëntor.

Marku u shpreh se urojmë që ky të jetë Nëntori i Tretë e Rama të ikë.

Sipas tij, Shqipëria duhet të çlirohet nga qeverisja e korruptuar.

Anjeza Marku, studente: Ka gjithmonë komunikime me shqiptarët që jetojnë në diasporë.

Është shumë e rëndësishme mbështetja e diasporës, sepse ne e dimë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit. Urojmë që të jetë Nëntori i Tretë dhe Rama të japë dorëheqjen. Kështu, do të festonim 28 Nëntorin, një ditë feste, ku vendi është i çliruar nga këto persona, që i kanë bërë keq Shqipërisë.

Gjobat e vendosura ndaj qytetarëve janë krejtësisht të paligjshme, sidomos në protestat që kanë qenë paqësore. Gjobat e paligjshme nuk do na ndalin.

“1 mijë orë filmime me eksponentë të PS në video erotike dhe korruptive”, deklarata e fortë e Pandeli Majkos në Asamble: Kam informacione. Jepni dorëheqjen para se…

Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka bërë një deklaratë të fortë gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku ka paralajmëruar për ekzistencën e materialeve filmike që, sipas tij, përmbajnë pamje erotike dhe raste korruptive ku janë të përfshirë eksponentë të PS-së.

Gjatë fjalimit, Majko është shprehur se disponon informacione për rreth 1 mijë orë filmime, duke u bërë thirrje personave të përfshirë që të japin dorëheqjen përpara se materialet të bëhen publike.

“Kam informacion që në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin, mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, është shprehur Majko.

Mbledhja e Asamblesë socialiste u shoqërua me debate të forta, teksa kryeministri Edi Rama kërkoi përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, por që propozimi i tij nuk u votua. Kundër përjashtimit të Spiropalit dolën Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko.  gsh

“Një parti që nuk kontrollon dot veten, si mund të drejtojë një shtet?”, Marjana Koçeku kritikon Ramën: Sa ma parë dorëheqje, aq ma mirë!

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të shtunë, ka marrë edhe reagimin e deputetes së pavarur Marjana Koçeku, e cila ka ironizuar mbledhjen dhe kryeministrin Edi Rama.

Përmes një postimi në Facebook, Koçeku ka komentuar zhvillimet gjatë Asamblesë, duke iu referuar ndryshimeve të qëndrimeve, duartrokitjeve dhe diskutimeve për përjashtimet nga partia.

Ajo ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Partisë Socialiste për të drejtuar vendin, duke e mbyllur reagimin me një thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.

“Dikush duartroket me zell, dikush hiç. Mandej hapet shfaqja, thotë ‘mbylli kamerat’, mandej ‘hapi kamerat’. Mandej thotë ‘ta përjashtojmë’, derisa dikush tjetër ‘ta rishqyrtojmë’. Nji parti që s’di çka thotë dhe s’kontrollon dot veten e vet, si mundet me drejtu nji shtet? Sa ma parë dorëheqje, aq ma mirë”, shkruan Koçeku në Facebook. bw

Berisha fton Veliajn: Kontribuo që të largojmë Ramën

Sali Berisha i ka bërë një ftesë të hapur kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që të japë kontributin e tij, me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama. Kjo ftesë e pazakonte vjen në një kohë, kur Rama dhe Veliaj janë në një përplasja të hapur, që pas transferimit të kryebashkiakut nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.

 

Gjatë një bashkëbisedimi të Berishës me ndjekësit në rrjetet sociale, ai u pyet nëse Veliaj mund të jetë pjesë e një fronti të përbashkët kundër kryeministrit Rama. Nga ana e tij, kreu i PD deklaroi se në këtë front mund të përfshihen të gjithë ata që e konsiderojnë Ramën si të keqen më të madhe për Shqipërinë.

Pyetje nga ndjekësit ne rrjetet sociale: Në vazhdën e kësaj përgjigje. Dje në Kukës thatë që armiku i armikut tim është aleati im. A hyn Erion Veliaj në këtë listë?

Sali Berisha: Në këtë listë hyjnë të gjithë ata, të cilët e konsiderojnë të keqen më të madhe për Shqipërinë, Edi Ramën. Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është, dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm.

Por, edhe njëherë e them, cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky, jo.

Ëinston Churchill fitoi luftën me fuqinë ushtarake më të madhe të kohës sepse thirri bashkimin. Dhe u bashkua, me kë u bashkua? Me Josif Stalinin, diktatorin më gjakatar të të gjitha kohërave. Pra, duhet t’i dallojmë gjërat. Shqiptarët, ky regjim po i dëbon nga trojet e tyre, prandaj duhet të ikë një minutë e më parë.

Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin.

Pyetje: A do mund të bashkoheshit me një forcë politike që ju kritikon personalisht, por ka të njëjtin qëllim politik?

Sali Berisha: Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim.

I dashur mik, më fal edhe një moment. Shqiptarët nuk e kanë kuptuar se kjo është diktatura më e keqe që mund të ekzistojë.

I ftoj ata të lexojnë Huntington-in se çfarë thotë për diktaturën e bandave. Është më e keqe se diktatura komuniste, më e keqe se diktatura naziste, më e keqe se diktaturat teokratike. Sepse kjo nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull.

Nuk kanë faj, se janë studiot, janë mediat e kontrolluara nga qeveria që përdorin gjuhën.

Një ditë, këta çirakë dalin në media thonë ‘nuk bën zgjedhje ai’, ‘Rama i vjedh zgjedhjet’.

Ditën tjetër, pasi i heqin veshin, ‘jo’, thonë ‘Berisha nuk i fiton zgjedhjet, Berisha ka humbur dy zgjedhje, se Berisha s’ka alternativë’.

Mashtrues ordinerë. Ne kemi alternativën më të shkëlqyer, alternativë të certifikuar nga dy fondacionet më kryesore në botë, Adenauer dhe Heritage. gsh

Veliaj u kërkoi një mocion mosbesimi për Edi Ramën, socialistët i përgjigjen kryebashkiakut me duartrokitjet e zgjatura për kryeministrin

DURRËS- Hyrja e Edi Ramës në sallën ku po zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste është shoqëruar me duartrokitje të gjata nga të pranishmit. Kryetarë bashkish, deputetë, drejtorë dhe anëtarë të tjerë të PS-së janë ngritur në këmbë për të pritur kryeministrin, duke i rezervuar një pritje që ra menjëherë në sy.

 

Në këmbë janë ngritur edhe ministrat e qeverisë, të ulur në rreshtin e parë. Kjo pritje vjen në një moment kur Erion Veliaj u ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë një mocion mosbesimi ndaj Edi Ramës, duke sfiduar hapur drejtimin e kryeministrit në krye të Partisë Socialiste./Dosja.al

Hodhën vezë drejt makinës së Ramës në Manëz, shoqërohen nga policia 12 aktivistë

12 aktivistë janë shoqëruar nga policia në zonën e Manzës, pasi hodhën vezë në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte kryeministri Edi Rama.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune, teksa kreu i qeverisë po shkonte drejt Gjirit të Lalzit, ku po zhvillohej Asambleja e Partisë Socialiste.

Një grup protestuesish i kishin zënë pritën eskortës së kryeministrit përgjatë rrugës dhe, në momentin që automjeti i tij kaloi, qëlluan me vezë në drejtim të tij.

Pas incidentit, disa prej aktivistëve janë shoqëruar dhe arrestuar nga policia. Ende nuk ka informacion të plotë mbi identitetin e tyre dhe akuzat konkrete që rëndojnë ndaj tyre.

Ngjarja vjen në një ditë kur vëmendja politike është përqendruar te Asambleja e PS-së, e cila po zhvillohet mes zhvillimeve dhe debateve të fundit brenda kampit socialist. bw

Erion Veliaj kërkon largimin e Edi Ramës: Të mbahet mocion mosbesimi! Është kthyer në pengesë! PS është më e madhe se kryetari i saj!

Nga qelia e burgut të Fierit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i drejtohet Asamblesë Kombëtare të PS-së me një mesazh të fortë, duke kërkuar aktivizimin e procedurës statutore për mocion mosbesimi ndaj Edi Ramës.

Në një letër të gjatë drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS-së, teksa kerkon largimin e Edi Ramës nga drejtimi i PS, Veliaj ka kritikuar mënyrën se si drejtohet sot Partia Socialiste. Ai thote se vendimmarrja është përqendruar në duart e një apo dy individëve dhe se forumet partiake kanë humbur rolin e tyre real.

“Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, është mesazhi kryesor i letrës, në të cilën Veliaj kërkon ndryshimin e modelit të drejtimit dhe hapjen e një debati të brendshëm për të ardhmen e partisë.

Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt Asamblesë Kombëtare, duke kërkuar aktivizimin e mekanizmit statutor të mocionit të mosbesimit ndaj Edi Ramës.

“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje Statutin dhe me rregullat përkatëse të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen sipas Statutit”, thuhet ne letren e Veliajt.

Teksa thekson se Rama eshte kthyer ne pengese per reformimin e PS, Veliaj shprehet se ndryshimi i Partisë Socialiste nuk mund të realizohet pa ndryshuar modelin aktual të drejtimit dhe vetë kryetarin e saj.

“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka përqendruar vendimmarrjen”, thote Veliaj.

Akuza per nderhyrje ne bashkine e Tiranes 

Veliaj akuzon kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në administrimin e bashkisë, duke larguar bashkëpunëtorë të tij dhe duke dobësuar ndikimin e kryetarit të zgjedhur nga qytetarët.

“Këto dorëheqje u kërkuan nga kryeministri Edi Rama dhe presioni i tij politik bëri që një pjesë e drejtuesve të largoheshin, edhe pse gëzonin mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës. E njëjta sjellje u shfaq edhe në Bashkinë e Tiranës. Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste. Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese”, deklaron kryebashkiaku.

LETRA E PLOTE  E ERION VELIAJT

PARTIA SOCIALISTE ËSHTË MË E MADHE SE KRYETARI I SAJ Të dashura shoqe dhe shokë, Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare, Sot ju drejtohem në rrethana që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë në rrugëtimin tim politik. Prej 21 muajsh ndodhem i privuar nga liria. Jam fizikisht larg familjes, larg zyrës sime, larg rrugëve të Tiranës, larg qytetarëve që më kanë besuar drejtimin e kryeqytetit dhe larg socialistëve me të cilët kam ndarë për vite të tëra punën, përpjekjet, fitoret dhe vështirësitë. Por nuk jam larg përgjegjësive të mia. Nuk jam larg bindjeve të mia dhe nuk jam larg Partisë Socialiste. Sot nuk dua t’ju flas vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por edhe për atë që besoj se po i ndodh Partisë Socialiste dhe vendit tonë. Sepse këta 21 muaj më kanë dhënë kohë të mendoj jo vetëm për fatin tim personal, por edhe për përgjegjësitë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi ndaj qytetarëve.

I. RRUGËTIMI IM ME SOCIALISTËT

Unë kam ardhur në Partinë Socialiste si njeri i protestës, i zërit qytetar dhe i besimit se Shqipëria mund të modernizohej dhe evropianizohej. Bashkëpunimin me Edi Ramën e kam nisur në një kohë kur atij i mbylleshin dyert brenda vetë Partisë Socialiste. As Asambleja e Lezhës nuk e lejonte të hynte në Pallatin e Kulturës, me kontributin direkt, te atyre qe perseri sot hapin e mbyllin perseri dyert e kryetarit. Ishte koha kur na bashkonte bindja se politika mund të ndryshonte jetën e njerëzve, se një parti progresiste duhej të krijonte mundësi për ata që nuk i kishin pasur dhe se të rinjtë mund të merrnin përgjegjësi pa pasur nevojë për mbiemra të njohur, lidhje të privilegjuara apo mbështetje nga njerëz të fuqishëm. Në këtë parti kam mësuar se besimi nuk fitohet me emërime apo autoritet personal, por duke punuar, duke dëgjuar, duke qëndruar pranë njerëzve dhe duke mbajtur përgjegjësi për atë që premton. Kam pasur nderin të bashkëdrejtoj një fushatë në Qarkun e Gjirokastrës dhe pasi bëra gavetën nga viti 2009 deri në vitin 2013, pa mandat deputeti, por në front të çdo beteje opozitare, fitova në gjashtë fushata në Tiranë. Kam marrë besimin e qytetarëve për tri mandate në krye të bashkisë më të madhe shqiptare. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam punuar me mijëra socialistë që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë për veten, përveç mundësisë për të kontribuar. Atyre u detyrohem shumë. U përulem me mirënjohje socialistëve që kanë trokitur derë më derë, që kanë mbrojtur idetë tona në lagje e komunitete dhe që kanë sakrifikuar kohën e tyre pa kërkuar shpërblim. U detyrohem të rinjve që besuan se PS ishte vendi ku talenti dhe puna mund të hapnin rrugë. U detyrohem bashkëpunëtorëve të mi në Bashkinë e Tiranës, me të cilët kemi punuar për ta shndërruar kryeqytetin në një metropol evropian dhe u detyrohem qytetarëve të Tiranës, përfshirë ata që nuk më kanë votuar, sepse jam bërë një kryetar bashkie më i mirë edhe prej tyre.

II. ARRITJET DHE PËRGJEGJËSITË TONA

Shoqe dhe shokë, Ne kemi shumë arsye të flasim për arritjet e qeverisjes sonë. Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria që morëm përsipër të qeverisim. Janë ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, infrastruktura dhe shërbime. Ekonomia ka ndryshuar. Qytetet tona kanë ndryshuar. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt Evropës. Tirana ka qenë vit pas viti Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Sportit dhe i Kulturës Në këtë transformim ka kontribut qeveria socialiste, kryeministri i saj, kryetarët e bashkive, deputetët, administrata dhe mijëra njerëz që kanë punuar me përkushtim. Unë nuk kam ndërmend të mohoj asnjë nga këto arritje. Por sot duhet të kemi kurajon politike t’i bëjmë vetes një pyetje tjetër: A mjaftojnë më arritjet për të justifikuar mënyrën se si po ushtrohet pushteti ynë sot? Ne kemi ndërtuar shumë. Por a kemi ndërtuar po aq drejt? Kemi modernizuar administratën. Por a e kemi bërë më të ndershme dhe më të përgjegjshme? Kemi zhvilluar ekonominë. Por a kemi krijuar mundësi të barabarta? Kemi fituar shumë zgjedhje. Por a kemi qenë “fair” dhe a na kanë bërë ato më të besueshëm? Këto pyetje nuk i zhvlerësojnë arritjet tona. Përkundrazi, janë pyetjet që duhet t’i bëjë një forcë politike e përgjegjshme, pikërisht sepse ka qeverisur gjatë dhe ka pasur mundësinë të ndryshojë vendin.

III. QUO VADIS, PS?

Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes. Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka. Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë. Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në “Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës? Dikur sfida jonë ishte si t’i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre që na largohen. Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve. Quo Vadis, PS? Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine. Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat. Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq. Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca. Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë. Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj. Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me pakënaqësinë e tyre. Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës, gazit dhe zjarrit. Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve. Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por mbështetje më të vogël. Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi. Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm. Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”. Ku po shkojmë? Ishim reformatorë të së majtës, të vendosur të largoheshim nga Partia e Punës. Sot rikthejmë kallëzimet anonime dhe fletërrufetë. Ishim gjuetarë të ideve, jo të njëri-tjetrit. Dikur mezi prisnim debatet televizive për të mbrojtur idetë tona. Sot shmangim përballjet për të mos u përgjigjur për vendimet tona. Dikur zgjonim imagjinatën. Sot e trembim atë. E shihnim brezin Z si të ardhmen e shtetit, jo si armikun e pushtetit. Ishim tolerantë dhe bashkëpunues. Sot dyshues dhe hakmarrës. Talleshim me teoritë e konspiracionit. Sot i prodhojmë dhe u besojmë vetë. Dikur ndiznim ëndrra. Sot prodhojmë makthe. Ishim partia e Dritëroit. Sot e “Nesti Angonit”. Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut. Quo Vadis, Partia Socialiste? A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë? Të dashura shoqe dhe shokë, Këto nuk janë thjesht kujtime të një kohe tjetër, as nostalgji për Partinë Socialiste që ka qenë. Janë ato që kemi humbur gjatë ushtrimit të pushtetit dhe për mënyrën se si funksionon sot organizata jonë politike. Ndryshimi më shqetësues nuk është vetëm te njerëzit që janë larguar apo te debatet që nuk zhvillohen më. Është te mënyra se si merren vendimet dhe te roli që u ka mbetur institucioneve të partisë. A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset, apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo mjafton lidhja me drejtuesin? Këto çështje na përfshijnë të gjithëve. Edhe mua. Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t’i shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm të jap llogari. Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një rrezik të njohur për çdo organizatë politike. Në fillim, njerëzit të afrohen sepse besojnë te idetë e tua. Më pas, kur fiton pushtetin, të afrohen edhe njerëz që kërkojnë mundësi, favore, ndikim dhe përfitime, e lloj-lloj “të fortësh”, të cilët janë më të gatshëm të të shërbejnë. Nëse organizata nuk ruan mekanizmat e kontrollit, një ditë mund të zbulosh se njerëzit që të thonë gjithmonë “po” janë bërë më të shumtë se ata që kanë guximin të të thonë të vërtetën. Kjo nuk mbetet vetëm çështje e marrëdhënieve mes njerëzve. Ajo përcakton mënyrën se si formohet qeveria, si përzgjidhen përfaqësuesit dhe si funksionojnë institucionet. Qeveria dhe përgjegjësia politike Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë? Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur. Kompetenca kushtetuese dhe përgjegjësia politike nuk janë e njëjta gjë. Kryeministri ushtron kompetencat që i njeh Kushtetuta. Partia Socialiste, nga ana tjetër, ka organet, rregullat dhe përgjegjësinë e saj për të diskutuar, orientuar dhe vlerësuar drejtimin politik të qeverisjes. Prandaj, pyetja nuk është nëse kryeministri duhet të marrë autorizimin e partisë për çdo emërim. Pyetja është nëse Asambleja dhe Kryesia po ushtrojnë realisht përgjegjësinë e tyre politike. A diskutojnë ato për drejtimin e qeverisjes? A shqyrtojnë kriteret e përfaqësimit politik? A kërkojnë llogari për vendimet dhe rezultatet? Apo thirren kryesisht për t’u njohur me vendime që tashmë janë marrë? Nëse organet drejtuese nuk marrin pjesë realisht në formimin e vullnetit politik, por vetëm informohen për vendimmarrjen e kryetarit, atëherë ato nuk e ushtrojnë funksionin për të cilin ekzistojnë. Grupi Parlamentar dhe përfaqësimi politik E njëjta çështje shtrohet për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Kush i përzgjedh kandidatët për deputetë? Mbi çfarë kriteresh politike, profesionale dhe përfaqësuese? Sa peshë kanë kontributi në parti, integriteti, përvoja dhe besimi që gëzojnë në komunitetet e tyre? Sa ndikim kanë anëtarësia dhe strukturat socialiste në këtë proces? A përfaqëson Grupi Parlamentar sot pluralitetin e mendimit politik brenda Partisë Socialiste, apo përbërja dhe drejtimi i tij varen gjithnjë e më shumë nga vullneti i një individi? A është ky Grupi Parlamentar që përfaqëson vërtet Partinë Socialiste, historinë e saj, vlerat, traditën e debatit dhe kontributin e brezave të socialistëve? Apo është shndërruar në një grup njerëzish të mbledhur për të votuar vendime që merren diku tjetër, pa diskutuar, pa kundërshtuar dhe pa ushtruar përgjegjësinë politike që u buron nga mandati i tyre? Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë thjesht një makineri votash. Ajo ka qenë një bashkësi politike idesh, personalitetesh dhe bindjesh. Një grup parlamentar që humbet aftësinë për të debatuar, rrezikon të humbasë edhe aftësinë për të përfaqësuar. Deputetët nuk janë nëpunës të emëruar nga kryetari i partisë apo nga kryeministri. Ata janë përfaqësues të popullit, të zgjedhur përmes një procesi kushtetues dhe zgjedhor, me mandat përfaqësues dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Besnikëria ndaj programit politik nuk mund të kërkojë dorëzimin e lirisë së mendimit dhe të gjykimit të pavarur. Disiplina politike është e nevojshme për funksionimin e një shumice parlamentare. Por ajo nuk mund të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Kur një deputet nuk guxon të kundërshtojë, kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kur qëndrimi publik për një koleg bëhet shkak për presion nga drejtimi politik, atëherë vihet në diskutim ushtrimi real i mandatit përfaqësues. Deputeti duhet ta ushtrojë mandatin në përputhje me Kushtetutën, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, jo nën frikën se një qëndrim i pavarur mund t’i kushtojë të ardhmen politike. Kur Grupi Parlamentar humbet aftësinë për të diskutuar, për të kontrolluar dhe për të kërkuar llogari, nuk dobësohet vetëm demokracia e brendshme e partisë. Dobësohet edhe funksioni kushtetues i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe kontrollues i pushtetit ekzekutiv. Pasojat e kësaj mënyre drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë apo Kuvendit. Ato shfaqen edhe në marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit vendor. Pushteti vendor dhe autonomia e institucioneve Zhvillimet në pushtetin vendor e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë diskutim. Në korrik 2025 u njoftuan ndryshime të gjera në drejtimin e administratës së Bashkisë Vlorë, përfshirë dorëheqje të drejtuesve dhe hapjen e vendeve vakante.

Këto dorëheqje u kërkuan nga kryeministri Edi Rama dhe presioni i tij politik bëri që një pjesë e drejtuesve të largoheshin, edhe pse gëzonin mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës. E njëjta sjellje u shfaq edhe në Bashkinë e Tiranës. Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste. Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese.

Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ky është një fakt juridik i qartë. Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik. Këtë bindje e lidh me një sërë zhvillimesh: protestat e opozitës përpara bashkisë, kallëzimet anonime, shkeljet e prokurorisë dhe vendimmarrjet gjyqësore për vijimin e paraburgimit edhe pas 21 muajsh, ndërthurjen e tyre me veprime politike që, kanë tentuar largimin tim nga ushtrimi i funksioneve dhe kufizimin e marrëdhënieve të mia politike, duke ushqyer përceptimin publik mbi fundin politik të një të pafajshmi, siç kushtetuta jonë e prezumon. Këto veprime politike kulmuan menjëherë pas qëndrimeve të mia publike dhe refuzimit për t’ia dorëzuar mandatin e qytetarëve një njeriu që nuk e ka marrë atë me votë, me atë që unë e konsideroj rrëmbimin tim nga Durrësi në Fier, pa më vënë në dispozicion asnjë akt të shkruar. Më pas erdhi takimi me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, siç kam deklaruar, m’u përcollën në emër të Edi Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit, nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të rezultojë e domosdoshme. Kjo nuk është ankesë, por konstatim politik. Nëse kushtet e paraburgimit dhe e drejta për kujdes shëndetësor përdoren për të imponuar një dorëheqje politike, atëherë kemi të bëjmë me një inkuizicion politik. Këto janë pretendime jashtëzakonisht serioze, të cilat ia kam paraqitur për shqyrtim dhe verifikim Grupit tonë Parlamentar, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Nuk kam kërkuar që Partia Socialiste të zëvendësojë organet e drejtësisë. Por ajo nuk mund të shmangë përgjegjësinë politike për të shqyrtuar veprimet që prekin mandatin e një të zgjedhuri të saj dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti në emër të saj.

Mendimi ndryshe dhe solidariteti politik

A jemi sot më demokratikë dhe a kemi më shumë solidaritet? Demokracia e brendshme dhe solidariteti nuk janë thjesht vlera morale, por dy burime themelore të forcës së një organizate politike. Demokracia i jep partisë aftësinë të dëgjojë, të debatojë dhe të korrigjojë gabimet, ndërsa solidariteti krijon besimin dhe kohezionin e nevojshëm për të vepruar së bashku. Kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kritika si kërcënim, partia humbet aftësinë për të reflektuar. Një deputet duhet të jetë i lirë të shprehë mendimin e tij. Një anëtar i Kryesisë duhet të ketë guximin të kundërshtojë. Një anëtar i Asamblesë duhet të ketë autoritetin të kërkojë llogari. Një socialist duhet të vlerësohet për kontributin dhe bindjet e tij, jo për shkallën e bindjes ndaj drejtuesit. Solidariteti nuk është mbrojtje e pakushtëzuar e individëve, por besnikëri ndaj parimeve dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Një parti ku secili hesht për të mbrojtur veten, gradualisht humbet aftësinë për të mbrojtur interesin e përbashkët.  Një parti pa demokraci të brendshme humbet aftësinë për t’u korrigjuar; një parti pa solidaritet humbet forcën për të qëndruar e bashkuar. Kur mungojnë të dyja, mbetet pushteti, por organizata politike jo.

IV. PËRGJEGJËSIA PËR GJENDJEN E PARTISË SOCIALISTE

Të gjitha çështjet që kam ngritur na çojnë te një pyetje që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si drejtohet sot Partia Socialiste? Përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të tillë që, në fund, të mos mbetet askush përgjegjës. Edi Rama është njëkohësisht kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste. Ai ka drejtuar për vite të tëra proceset kryesore politike dhe organizative të saj. Për këtë arsye, përgjegjësia kryesore politike për modelin e drejtimit të partisë, për funksionimin e organeve të saj dhe për mekanizmat e llogaridhënies i takon atij. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë e askujt tjetër. Edhe unë kam përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë, për gabimet që mund të kem bërë dhe për mënyrën se si kam ushtruar funksionet që më janë besuar. Nuk kërkoj përjashtim nga ky standard. Por përgjegjësia ime dhe e drejtuesve të tjerë nuk mund të shërbejë si arsye për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së kryetarit të partisë. Ai ka të drejtë të marrë meritat për arritjet e drejtimit të tij.

Por kjo e drejtë shoqërohet me detyrimin për të dhënë llogari edhe për pasojat e vendimeve, për dobësimin e kontrollit të brendshëm dhe për mënyrën se si janë trajtuar kundërshtimet politike. Në këtë kuadër, unë e konsideroj rastin tim kulmin e degradimit të marrëdhënieve politike brenda Partisë Socialiste. Në parashtrimet e mia përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kam ngritur pretendimin se pas paraburgimit dhe zhvillimeve të tjera që më kanë larguar nga ushtrimi i funksioneve ekziston edhe një qëllim politik për neutralizimin tim. Nuk kërkoj që Asambleja të marrë rolin e një forumi gjyqësor. Por kërkoj që ajo të shqyrtojë domethënien institucionale të një situate në të cilën një drejtues i zgjedhur, anëtar i organeve më të larta të partisë, ngre pretendime kaq serioze për ndërhyrje politike dhe për përpjekje për ta larguar nga jeta publike. Për mua, këtu lind edhe një pyetje historike. Partia Socialiste u krijua në një periudhë kur Shqipëria kërkonte të shkëputej nga praktikat e një sistemi ku kundërshtimi politik trajtohej si armiqësi dhe ku pushteti përqendrohej pa kontroll demokratik. A i jemi kthyer kësaj kulture politike që shfaqen përsëri në marrëdhëniet tona me pushtetin dhe me njëri-tjetrin? Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se drejtimi i çdo kryetari. Ajo nuk mund të identifikohet me interesin politik të një individi dhe as me vazhdimësinë personale të askujt në pushtet. Prandaj, debati për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk duhet të kufizohet te marrëdhënia e tij me mua, sado e rëndë të jetë ajo.

Ai duhet të përfshijë mënyrën se si funksionon Kryesia, rolin real të Asamblesë, lirinë e mendimit në Grupin Parlamentar, përzgjedhjen e drejtuesve, marrëdhënien me anëtarësinë dhe respektimin e autonomisë së institucioneve. Sepse pasojat e një modeli drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë. Kur meritokracia dobësohet, dobësohet administrata. Kur vendimmarrja përqendrohet, dobësohet kontrolli. Kur mendimi kritik nuk dëgjohet, gabimet nuk korrigjohen. Kur institucionet perceptohen si të varura nga marrëdhëniet personale, dobësohet besimi i qytetarëve te shteti. Kur anëtarësia nuk merr pjesë realisht në vendimmarrje, dobësohet lidhja ndërmjet partisë dhe shoqërisë. Për këtë arsye, kërkimi i përgjegjësisë politike nuk duhet të konsiderohet sulm ndaj partisë por ndaj sëmundjes që i kanë injektuar. Asnjë drejtues nuk mund të jetë i përjashtuar nga llogaridhënia për shkak të kontributit të tij historik. Asnjë arritje e së kaluarës nuk e shuan detyrimin për të shqyrtuar problemet e së tashmes. Asnjë konflikt personal nuk duhet të pengojë një debat të nevojshëm për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.  Respektimi i historisë së Partisë Socialiste nuk kërkon heshtje përballë problemeve të saj. Kërkon aftësinë për t’i identifikuar, për t’i shqyrtuar dhe për t’i korrigjuar përmes institucioneve të saj demokratike.

V. A KEMI ENDE MUNDËSI TË NDRYSHOJMË?

Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën dhe energjinë për t’u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë. Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka përqendruar vendimmarrjen. Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit.  Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e qeverisjes së tyre. Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin, si simbol i vlerave tona socialiste. Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.

VI. PËRGJEGJËSIA E ASAMBLESË KOMBËTARE Përgjegjësia politike nuk mund të mbetet një diskutim pa përfundim dhe pa pasoja institucionale.

Për këtë arsye, në cilësinë time si anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë Socialiste, kërkoj që kjo Asamble të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të partisë, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të saj, funksionimin e organeve kolegjiale dhe respektimin e parimeve të demokracisë së brendshme. Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje Statutin dhe me rregullat përkatëse të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen sipas Statutit.

Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e cila duhet t’i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti. Nuk kërkoj që një çështje e tillë të zgjidhet me përjashtime, presione apo vendime të paracaktuara. Kërkoj që ajo të shqyrtohet përmes procedurës së rregullt statutore, me debat të hapur, me respekt për mendimin ndryshe dhe me mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të marrin pjesë. Vendimmarrja mbi besimin ndaj kryetarit duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, jo i autoritetit personal të cilit i kërkohet llogari. Partia Socialiste ka institucione, rregulla dhe anëtarësi. Pikërisht këtyre duhet t’u besohet zgjidhja e çështjeve që lidhen me drejtimin e saj. Të dashura shoqe dhe shokë, Kam pasur 21 muaj kohë për të menduar për politikën, pushtetin, miqësinë, besnikërinë dhe përgjegjësinë. Kam menduar për gjithçka kemi ndërtuar së bashku. Për fitoret, për gabimet dhe për njerëzit që na kanë besuar. Kam menduar edhe për një të vërtetë që pushteti shpesh na e bën të vështirë ta pranojmë: askush nuk është i pazëvendësueshëm. As unë. As Edi Rama. Askush. Ne jemi të përkohshëm në detyrat që mbajmë. Por institucionet, vlerat dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve duhet të mbeten.  Kërkoj që askush të mos heqë dorë nga e drejta për të menduar, për të folur dhe për të gjykuar në mënyrë të pavarur. Unë mbetem përgjegjës për vendimet e mia dhe do të kërkoj që çdo drejtues të përballet me të njëjtin standard përgjegjësie. Një parti demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj sot. Nuk është as pronë e atyre që aspirojnë ta drejtojnë nesër.

Ajo u përket njerëzve që e kanë ndërtuar, që i kanë besuar dhe që kanë të drejtë të kërkojnë llogari prej saj. Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se mandati i çdo kryetari. E ardhmja e saj nuk mund të mbështetet te paprekshmëria e askujt. Nëse duam që institucionet e Shqipërisë të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë, duhet të fillojmë duke zbatuar të njëjtin parim brenda partisë sonë. Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerzit e tij.

Erion VELIAJ

IEVP FIER, 13/11/2026.

Panorama

Abuzim me tenderat në vlerë 30 mln euro- KLSH zbardh shkeljet e Emiriana Sakos në Bashkinë e Durrësit, nga fondet publike te lejet e ndërtimit

Raporti përfundimtar i auditimit nxjerr në pah një varg parregullsish në administrimin e Bashkisë Durrës gjatë viteve 2023–2024. Nga tenderët ku janë shpallur fitues kompani që nuk plotësonin kriteret, te pagesat për punime të pakryera, borxhet tatimore prej 1.86 miliardë lekësh dhe mungesa e kontrollit mbi sistemin elektronik të taksave, KLSH ka evidentuar shkelje në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të institucionit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje të shumta në administrimin e fondeve publike, procedurat e prokurimit, zbatimin e investimeve, mbledhjen e taksave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe kontrollin e territorit në Bashkinë Durrës të drejtuar nga Emiriana Sako.

Raporti përfundimtar, i hartuar në tetor 2026, mbulon veprimtarinë e bashkisë për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2024. Audituesit kanë evidentuar 44 gjetje dhe kanë dhënë 45 rekomandime, ndërsa për veprimtarinë e institucionit kanë dhënë opinion të kualifikuar, pasi kanë konstatuar devijime materiale nga kërkesat ligjore dhe rregullatore.

Një nga gjetjet më problematike lidhet me tenderët publikë. KLSH ka audituar 27 procedura prokurimi, me fond limit të përgjithshëm 2.85 miliardë lekë. Në 11 prej këtyre procedurave, komisionet e vlerësimit kanë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin të gjitha kërkesat e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Audituesit kanë konstatuar gjithashtu se në shtatë procedura kriteret kualifikuese nuk ishin në përputhje të plotë me legjislacionin. Raporti evidenton kërkesa të paargumentuara ose joproporcionale me objektin e kontratave, me potencial për të cenuar konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të kompanive pjesëmarrëse.

Për shkeljet në tenderë, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik marrjen e masave disiplinore dhe administrative ndaj anëtarëve të njësive të prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit të ofertave.

Problemet vazhdojnë edhe pas përfundimit të tenderëve. Nga auditimi i 11 kontratave të investimeve, me vlerë të përgjithshme rreth 2.21 miliardë lekë me TVSH, KLSH ka konstatuar diferenca në volumet e punimeve, të cilat kanë shkaktuar 30.35 milionë lekë dëm ekonomik, pa TVSH, në buxhetin e bashkisë.

Për këtë shumë, audituesit kërkojnë marrjen e masave administrative dhe ligjore për rikuperimin e dëmit. Në një tjetër gjetje, KLSH evidenton 14.23 milionë lekë fonde të përdorura në mënyrë joefektive, si pasojë e hartimit të pasaktë të fondit limit dhe përfshirjes së TVSH-së për makineri dhe pajisje.

Raporti konstaton edhe nisjen e punimeve publike pa lejet e nevojshme. Në kontratën për rikonstruksionin e rrugëve në qytet, të vitit 2023, audituesit evidentojnë se sipërmarrësi kishte filluar punimet pa disponuar lejen e ndërtimit, në kundërshtim me legjislacionin.

Por një prej problemeve më të ndjeshme që nxjerr raporti lidhet me sistemin elektronik të administrimit të taksave dhe tarifave vendore.

Sipas KLSH-së, kompania private që administronte sistemin informatik të Bashkisë Durrës kishte akses të plotë në të, ndërkohë që bëhet fjalë për një bazë të dhënash që përmban informacion mbi bizneset, familjarët dhe detyrimet e tyre tatimore.

Audituesit kanë konstatuar se bashkia nuk kishte një rregullore të brendshme për funksionimin e sistemit, nuk dispononte dokumentacion të plotë mbi administrimin e përdoruesve dhe nuk kishte informacion të qartë për mënyrën e trajtimit të aksesit të punonjësve që largoheshin nga detyra ose ndryshonin pozicion.

Po kështu, institucioni nuk kishte një person përgjegjës të autorizuar për administrimin e bazës së të dhënave dhe marrjen në dorëzim të kodit burimor. Shërbime në këtë sistem kryheshin nga personel që nuk ishte pjesë e strukturës organizative të bashkisë.

KLSH evidenton se baza e të dhënave nuk ishte regjistruar pranë autoritetit përgjegjës sipas kërkesave ligjore dhe se bashkia nuk kishte zhvilluar auditime të brendshme të teknologjisë së informacionit.

Problemi nuk kufizohej vetëm te siguria e sistemit. Sipas raportit, informacioni i gjeneruar prej tij nuk përputhej me evidencat zyrtare mbi të cilat Drejtoria e Taksave planifikonte dhe raportonte të ardhurat.

Edhe më problematik është konstatimi se në sistem figuronin subjekte që kishin detyrime të papaguara dhe rezultonin aktive në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por në regjistrin e bashkisë paraqiteshin si të mbyllura, pasive ose të pezulluara.

Ky status ndërpriste gjenerimin e njoftimit të detyrimit tatimor, megjithëse subjektet rezultonin aktive në QKB. Audituesit kanë konstatuar se nuk kishte rakordim të rregullt me institucionet tatimore për verifikimin e të dhënave.

Raporti evidenton gjithashtu se, kur një subjekt kërkonte ndryshimin e statusit në QKB, mungesa e përgjigjes së bashkisë brenda afateve ligjore mund të sillte ndryshimin automatik të statusit. Më pas, sistemi bashkiak ndërpriste faturimin, edhe në rastet kur subjekti kishte detyrime të papaguara.

Në të njëjtën kohë, KLSH ka konstatuar se bashkia nuk dispononte kontrolle të mjaftueshme mbi saktësinë e të dhënave të regjistruara dhe nuk kishte dokumentacion që të provonte rakordimin e rregullt të informacionit me Tatimet dhe QKB-në.

Në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara nga subjektet private dhe familjarët kishin arritur në 1.86 miliardë lekë, nga 1.72 miliardë lekë në fund të vitit 2023. KLSH kërkon rakordimin e detyrimeve, verifikimin e funksionimit të sistemit dhe ndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e borxheve.

Një tjetër problem i konstatuar është mosfunksionimi i sistemit të faturimit të taksave për familjarët. Sipas raportit, gjatë qershorit dhe korrikut 2023 nuk ishte faturuar asnjë abonent për shkak të problemeve teknike. Detyrimet e këtyre muajve ishin ngarkuar më vonë, gjatë marsit dhe prillit 2024.

Situata u përsërit edhe në vitin 2024, kur faturimi i taksave dhe tarifave vendore për abonentët familjarë nisi vetëm në tetor dhe vijoi deri në prill 2025.

KLSH ka konstatuar gjithashtu se Bashkia Durrës nuk kishte hartuar regjistrin e taksapaguesve familjarë. Për rrjedhojë, nuk kishte një evidentim të plotë të familjeve që nuk ishin abonente të Ujësjellësit dhe që duhej të paguanin taksat drejtpërdrejt në bashki.

Edhe marrëdhënia me Ujësjellës Kanalizime Durrës, që vepronte si agjent tatimor, paraqiste mangësi. Rakordimet kryheshin për shumat e transferuara në buxhetin e bashkisë, por jo për të përcaktuar saktësisht sa detyrime kishin familjarët, sa kishin paguar dhe sa mbeteshin debitorë.

Në administrimin e taksës së tokës bujqësore, KLSH ka evidentuar se bashkia nuk dispononte regjistër të plotë të taksapaguesve dhe nuk kishte të dhëna të përditësuara për sipërfaqet dhe kategoritë e tokës. Për vitet 2023 dhe 2024 ishin planifikuar nga 45 milionë lekë të ardhura në vit, por realizimi kishte qenë përkatësisht vetëm 9 milionë dhe 15.6 milionë lekë.

Sipas audituesve, planifikimi i këtyre të ardhurave nuk ishte mbështetur në të dhëna reale. Nga 17,299 familje të trajtuara me tokë bujqësore, gjatë vitit 2023 kishin paguar vetëm 1,251 familje, ndërsa në vitin 2024 vetëm 1,574.

Parregullsi të rëndësishme janë konstatuar edhe në administrimin e lejeve të ndërtimit. Në pesë praktika, taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk ishte llogaritur në përputhje me sipërfaqen e objekteve dhe paketën fiskale, duke shkaktuar 18.74 milionë lekë të ardhura të munguara për bashkinë.

Në nëntë praktika të tjera nuk ishin respektuar plotësisht kushtet e përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor dhe lejet e zhvillimit. Shkeljet përfshinin distancat ndërmjet objekteve, lartësinë e ndërtimeve, intensitetin dhe koeficientin e shfrytëzimit të territorit.

KLSH ka konstatuar gjithashtu se në pesë raste dokumentacioni i pronësisë i ngarkuar në sistemin elektronik të lejeve nuk ishte i përditësuar dhe mungonte konfirmimi përkatës nga Kadastra. Në dy praktika, gjendja faktike e ndërtimeve nuk përputhej me lejet e miratuara, ndërsa në tri raste kishte mangësi në dokumentacionin dhe verifikimet që duhet të kryheshin përpara dhënies së certifikatave të përdorimit.

Një tjetër sektor ku audituesit kanë evidentuar shkelje është Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Sipas KLSH-së, në 200 raste kryeinspektori nuk kishte vijuar procedurën për nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit për prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme.

Në 23 procedura, për të cilat audituesit kanë evidentuar elemente të veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, inspektorati nuk kishte referuar indiciet pranë organeve kompetente. KLSH ka konstatuar gjithashtu se për raste të ngjashme ishin ndjekur procedura të ndryshme, duke evidentuar përdorimin e dy standardeve.

Problemet shtrihen edhe te gjobat. Nga 277 vendime administrative me vlerë të përgjithshme 79.49 milionë lekë, ishin arkëtuar vullnetarisht vetëm 9.6 milionë lekë, ndërsa 69.89 milionë lekë mbeteshin të paarkëtuara. Në 252 raste mungonte konfirmimi i njoftimit të kundërvajtësve.

Në 65 raste, inspektorati kishte vendosur gjoba prej 500 mijë lekësh për punime pa leje, megjithëse, sipas KLSH-së, masa duhej të përllogaritej sipas dispozitave përkatëse të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Në 53 procedura të viteve 2023–2024, kundërvajtjet nuk ishin dokumentuar me fotografi ose video.

Raporti evidenton edhe raste kur nuk ishin marrë vendime për pezullimin e punimeve, pavarësisht nevojës për plotësimin e dokumentacionit apo përmirësimin e kushteve të sigurisë teknike në objekt.

Gjetjet e KLSH-së përfshijnë kështu të gjithë zinxhirin e administrimit të Bashkisë Durrës: nga përcaktimi i kritereve të tenderëve dhe përzgjedhja e fituesve, te kontrolli i punimeve, administrimi i taksave, funksionimi i sistemeve elektronike dhe zbatimi i ligjit ndaj ndërtimeve të paligjshme.

Përveç rikuperimit të dëmit ekonomik dhe arkëtimit të detyrimeve, KLSH kërkon analizimin e rasteve të kualifikimit të kompanive që nuk plotësonin kriteret e tenderëve, identifikimin e përgjegjësive administrative dhe marrjen e masave ndaj zyrtarëve të përfshirë në shkeljet e konstatuara. bw

NATO i thotë “JO” Ramës, Reuters zbulon arsyet – Kryeministri njoftoi anulimin e samitit nga Dublini-

 

NATO nuk do të zhvillojë samitin në Shqipëri vitin e ardhshëm, siç ishte planifikuar, ka deklaruar kryeministri Edi Rama, ndërsa qeveria e tij po përballet me kritika për shpenzimet e mbrojtjes dhe protesta në vend, shkruan Al Jazeera.

Duke folur të enjten në Dublin, përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama tha se “ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027”.

Ai shtoi: “Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të zhvillohet në Tiranë”.

Një zyrtar i NATO-s deklaroi se samiti i ardhshëm “do të mbahet në Shqipëri”, ndërsa vendimi për datën ende nuk është marrë.

Dyshimet për zhvillimin e samitit

Agjencia Reuters raportoi në muajin qershor se planet për zhvillimin e një samiti në Shqipëri ishin vënë në dyshim për shkak të kundërshtimit nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së vendeve anëtare të NATO-s për shpenzimet e ulëta të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.

Në deklaratën e samitit të qershorit 2025 në Hagë, liderët e NATO-s thanë se mezi prisnin të takoheshin në Turqi në vitin 2026, “dhe më pas të zhvillonin një takim në Shqipëri”.

Megjithatë, deklarata e samitit të korrikut në Ankara nuk përmendi asnjë datë apo vendndodhje për takimin e ardhshëm.

NATO po shqyrton mundësinë e braktisjes së praktikës së fundit të organizimit të samiteve çdo vit. Kjo mund të shmangë një përballje potencialisht të tensionuar me Trump gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij.

Diplomatët thonë se aleanca mund të organizojë ende një samit me njoftim të shkurtër gjatë këtij viti, por jo në Tiranë, raportoi Reuters.

Presioni i brendshëm politik

Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh, është përballur me protesta prej disa muajsh.

Protestat nisën në muajin maj, pasi ai dha miratimin paraprak për një resort luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Resorti parashikohet të ndërtohet në zonën e mbrojtur ligatinore Vjosë-Nartë, në Zvërnec, në bregdetin jugor të Shqipërisë, si dhe në ishullin e afërt të Sazanit.

Të pagëzuara me emrin ‘Revolucioni i Flamingove’, protestat u zgjeruan më pas në protesta më të gjera kundër qeverisë, ku kërkohej dorëheqja e Ramës për shkak të akuzave për korrupsion.

Në muajin tetor, protestave iu shtuan edhe protestat e dhunshme të studentëve, të cilët kundërshtonin kushtet në universitete.

Deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Sali Berisha, ndërprenë një seancë parlamentare më 29 tetor, duke hedhur flakadanë dhe bomba tymuese në mbështetje të protestuesve.

Rama ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe deklaron se projekti i resortit është në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Qeveria e tij i ka cilësuar protestat si të organizuara nga kundërshtarët politikë. Panorama


Send this to a friend