VOAL

VOAL

Ambasada e SHBA-personelit: Shmangni takimet me Taulant Ballën deri në sqarimin e akuzave

November 26, 2022
blank

Komentet

blank

Kurti vendos kushtet për themelimin e Asociacionit

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte, mes tjerash, ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Një tjetër kusht, sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik “duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”.

Kështu deklaroi ai gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, më 2 shkurt.

“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës, duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, tha ai.

Kushti i katërt, sipas Kurtit, është që para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit.

Dhe e fundit, ai tha se “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.

“Këto gjashtë kushte që i vendosa unë janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian te qeverisjes dhe politikëbërjes”, tha Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi njërën prej kushteve të vendosura nga Kurti, përkatësisht atë për çarmatosjen e veriut.

Abdixhiku tha se kjo nuk është çështje për dialog me Serbinë, por është detyrë e Kurtit dhe organeve të rendit që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Jo gjashtë, por 22 udhëzime i ke nga Gjykata Kushtetuese. Të gjitha i ke me një vend, thonë respektim i rendit, Kushtetutës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

blank

Kurti, hidhe topin në fushën e Serbisë! – Nga Daniel Serwer

Këshilltari i Departamentit të Shtetit Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar i bënë Kosovës një thirrje të fortë publike që të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe (Asociacionin) për të cilën është zotuar në vitin 2013. Shkrimi ka për qëllim t’i bëjë presion kryeministrit Kurti që të heqë dorë nga kundërshtimi i tij për Asociacionin, të cilin ai ka qenë i gatshëm ta konsiderojë vetëm në kontekst të njohjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës nga Beogradi.

Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë. Prandaj, ankesa Chollet-Escobar është e njëanshme. Ajo nuk i ofron asgjë Prishtinës në këmbim të përmbushjes së një prej objektivave kryesore negociuese të Beogradit. Në thelb kjo do të thotë ‘Amerika është miku juaj më i mirë, ju na e keni borxh këtë për shkak të gjithë mbështetjes që jua kemi dhënë, në të kaluarën qeveria juaj e ka premtuar atë, ne do ta bëjmë atë të dalë mirë’. Ky është bullizëm diplomatik. Momente të ngjashme në të kaluarën kanë sjellë zhgënjime për Kosovën.

Amerikanët po ofrojnë limon. A ka ndonjë mënyrë që Kosova të bëjë limonadë?

Çfarë po kërkon Serbia?

Ajo çfarë po kërkon presidenti Vuçiq është bekimi zyrtar për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë. Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore afër me Serbinë. Beogradi i ka kontrolluar për dy dekada qeveritë (lokale), sistemet arsimore dhe shëndetësore, policinë dhe gjykatat e tyre. Paratë për këto institucione dhe për punonjësit e tyre derdhen drejtpërdrejt nga Beogradi. Ka shumë pak gjëra në komunitetet serbe në veri që Beogradi nuk do të mund t’i ndryshonte po të donte ta bënte këtë. Këtu përfshihen edhe aktivitetet e shumta të krimit të organizuar.

Serbia dëshiron që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë kontroll etnik. Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se ka qëllim një marrëveshje më të mirë për komunitetin serb në Kosovë. Ajo ka qëllime të ngjashme me ato në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Por, brenda Serbisë kjo shtrirje e kontrollit të Beogradit ndaj serbëve etnikë përtej kufijve të Serbisë quhet “bota serbe”. Në krahasim me botën ruse që presidenti Putin po e zbaton në Ukrainë, kjo është një përpjekje irredentiste për të mohuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve fqinje që kanë popullsi të konsiderueshme serbe. Vuçiq po përgatitet të krijojë de facto, nëse jo de jure, Serbinë e Madhe të cilën Millosheviqi nuk arriti ta krijojë në vitet 1990.

Çfarë po kërkon Kosova?

Kryeministri Kurti dëshiron një shtet sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij dhe pa privilegje etnike në gjithë territorin e tij. Kjo, pa mëdyshje, do të linte pushtetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë. Por, Kosova, me kushtetutën e saj, është larg këtij objektivi, pasi në parlament ka vende të rezervuara për pakicat dhe në qeveri përfshihet edhe pakicat.

Gjithashtu ka një Këshill për Komunitete që u siguron pakicave qasje të drejtpërdrejtë tek Presidenti. Disa nga komunat me shumicë serbe janë krijuar në mënyrë eksplicite për t’u dhënë serbëve më shumë kontroll në nivel lokal. Të gjitha kanë kompetenca të zgjeruara që parashihen me legjislacionin e Kosovës. Asgjë nga këto nuk do të ndryshojë.

As shqiptarët nuk janë më pak të lidhur me etninë e tyre se serbët. Ata janë të shqetësuar për mirëqenien e komunitetit shqiptar në Serbinë jugore, i cili me dekada ka qenë nën presion të madh të forcave serbe të sigurisë. Këtij komuniteti nuk i ofrohen privilegje të ngjashme me ato që serbët i kanë tashmë dhe po i kërkojnë brenda Kosovës. Reciprociteti është parimi i parë i diplomacisë. Beogradi nuk duhet të kërkojë asgjë që nuk është i gatshëm të japë.

Rrethi vicioz

Tani, shtrohet pyetja nëse ka ndonjë mënyrë për t’i kënaqur, të paktën pjesërisht, edhe Vuçiqin edhe Kurtin. Amerikanët e shohin Asociacionin si një mekanizëm koordinues. Ata po premtojnë se ai (Asociacioni) duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, t’i përfshijë joserbët që jetojnë në komunat me shumicë serbe, t’i bëjë më transparente transfertet financiare nga Beogradi dhe të integrojë më mirë popullatën serbe në Kosovë. Këto janë objektiva të denja. Por, a mund të arrihen ato?

Unë dua ta marr këtë si të mirëqenë, por ata do të kërkojnë diçka tjetër nga Kuvendi i Asociacionit që dominohet nga serbët, të cilin e synon Beogradi. Kjo strukturë do të ishte e përshtatshme për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, çfarë amerikanët thonë se nuk e duan. Në vend të kësaj, “Asociacioni” do të duhet të ishte një arritje dypalëshe, e cila përfshin pjesëmarrjen aktive të Beogradit dhe të Prishtinës, si edhe garancën amerikane dhe evropiane. Në qoftë se Beogradi dëshiron të paguajë për arsimin ose për zhvillimin ekonomik në komunat me shumicë serbe, transfertat duhet të miratohen nga Prishtina si kontribute për komunitetet e përfshira dhe jo vetëm si vendime të njëanshme të Serbisë.

Koordinimi ndërmjet komunave me shumicë serbe do të duhej të kishte  parasysh edhe nevojat e fqinjëve të tyre në komunat me shumicë shqiptare në Kosovë. Kështu, një prej kërkesave mund të jetë ajo për pjesëmarrjen aktive të serbëve në Asociacionin ekzistues të Komunave të Kosovës.

Prishtina duhet të paraqesë opsionet e saj

Chollet dhe Escobar i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta paraqesë propozimin e saj për Asociacionin. Kryeministri Kurti duhet ta pranojë këtë sfidë, duke krijuar një strukturë ndërkombëtare që plotëson kërkesat kushtetuese e të tjera të Kosovës, ndërsa roli i Serbisë në bashkësitë me shumicë serbe do të ishte më transparent dhe më i përgjegjshëm.

Kosova duhet të kërkojë krijimin e një strukture të njëjtë për bashkësitë me shumicë shqiptare në Serbi.

Asgjë që projektohet në Prishtinë nuk ka gjasa t’i pëlqejë Beogradit, por kjo së paku do të ishte satisfaksion për amerikanët se Kurti është i gatshëm të ecë përpara me Asociacionin në kontekst të njohjes. Kjo do ta vendoste topin në fushën e Serbisë, aty ku e ka vendin./ (Peacefare.net, gazeta Illyria

blank

SHBA vë sanksione ndaj zyrtarëve dhe kompanive të lidhura me agresionin në Ukrainë

VOA

Shtetet e Bashkuara kanë vëndosur sanksione kundër zyrtarëve dhe bizneseve të lidhura me agresionin rus në Ukrainë. Sanksionet e së mërkurës kanë vënë në objektiv një tregtar armësh, djalin e tij dhe një grup kompanishë në Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme lidhur me përpjekjet për të furnizuar me armë Moskën në luftën e saj gati njëvjeçare.

Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione kundër tregtarit rus të armëve Igor Zimenkov, djalit të tij Jonatan-it dhe kompanive të lidhura me “rrjetin Zimenkov” në Singapor, Qipro, Bullgari dhe Izrael, mes disa vendeve të tjera.

“Përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të përdorur palë të treta, për anashkalimin e sanksioneve amerikane, tregojnë se sanksionet e kanë bërë shumë më të vështirë dhe më të kushtueshme për industrinë ushtarake ruse që të furnizojnë makinerinë ushtarake të Putinit”, tha Zëvendës Sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Departamenti i Thesarit vuri sanksione ndaj 22 individëve dhe organizatave, për të cilët tha se ishtin të lidhura me rrjetin për menjanimin e sanksioneve me qëllim mbështetjen e makinerisë ushtarake ruse.

Departamenti i Thesarit tha se gjatë vitit të kaluar u vunë sanksione ndaj më shumë se 100 individëve dhe subjekteve të angazhuara në aktivitete për menjanimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe kontrollit të eksporteve ndaj Rusisë.

Masa bllokon çdo llogari që posedojnë subjektet në Shtetet e Bashkuara dhe i ndalon ato të bëjnë biznes me amerikanë apo në Shtetet e Bashkuara.

“Vënia në shënjestër e ndërmjetësve është një prej hapave të shumtë që Departamenti i Thesarit dhe partnerët e koalicionit kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të marrin, për të shtrenguar zbatimin e sanksioneve kundër sektorit të mbrojtjes ruse”, tha zoti Adeyemo.

Më shumë armë rrisin tensionet, thotë Rusia

Rusia tha të mërkurën se furnizimi i Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi nuk do të frenojnë forcat ruse, por do të rrisë tensionet dhe do të përshkallëzojnë konfliktin.

Komentet nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, erdhën mes njoftimeve se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një raund të ri ndihmash për Ukrainën që do të përfshinte raketa me rreze më të gjatë veprimi për të ndihmuar forcat ukrainase përballë agresionit rus.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se, sipas dy zyrtarëve amerikanë me dijeni për këtë çështje, një armë e quajtur bomba me diametër të vogël e lëshuar nga toka me një rreze veprimi prej 150 kilometrash ishte pjesë e paketës që pritet të njoftohet këtë javë.

Gjithashtu pjesë e paketës pritet të jenë antitank “Javelin”, sisteme kundër dronëve dhe artilerisë, automjete të blinduara, pajisje komunikimi dhe pajisje mjekësore të mjaftueshme për mbarëvajtjen e tre spitaleve në terren.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidentit Volodymyr Zelenskyy, shkroi të mërkurën në rrjetin Twitter se çdo fazë e luftës kërkon armë të caktuara. Ai tha se tashmë ka një koalicion partnerësh që po ndihmojnë Ukrainën me tanke dhe trajnimin për përdorimin e tyre dhe se ka “bisedime për raketa me rreze më të gjatë veprimi dhe furnizimin me avionë luftarakë”.

Për këtë raport u përdorën të dhëna nga Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.

blank

Kurti: Asociacioni njëetnik – i pamundur në Kosovën shumetnike

VOA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se “Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumë etnike, nuk është i mundshëm”. Ky qëndrim që u shpreh gjatë një vizite në një fabrikë në komunën e Ferizajt, është përgjigja më e fortë ndaj trysnisë diplomatike perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Komentet e kryeministrit Kurti pasuan takimin e një ditë më parë të organizuar nga ambasada amerikanë në Prishtinë me një grup zyrtarësh qeveritarë, përfaqësuesish të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth Asociacionit.

Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, zoti Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.

Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai.

Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjidhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.

Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.

Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.

Shtetet e Bashkuara kanë siguruar Kosovën se nuk do të mbështesin krijimin e një mekanizmi si në Bosnjë, ndërsa kanë theksuar se koha për themelimin e asociacionit është tani.

Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës…ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Serbe në Bosnje Hercegovinë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Por ai theksoi se Kosova të përmbushë detyrimet e saj.

Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kryeministri Kurti e ka cilësuar propozimin si “bazë të mirë për diskutime” dhe është shprehur i gatshëm të bisedojë për të.

Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe le të diskutojmë për të gjitha çështjet. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është i domosdoshëm por njohja reciproke është në qendër. Unë nuk po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshja, marrëveshja do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra është njohja reciproke, për këtë më kanë votuar mua qytetarët dhe kështu e thotë Kushtetuta, kështu e thotë ligji, Republika dhe demokracia”, tha ai të mërkurën.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Të enjten ai pritet të shkojë në parlamentin serb për të diskutuar mbi këtë çështje.

Për pak ditë Kosova shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj që është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Moskës.

blank

Izraeli konsideron ndihmën për Ukrainën

Tre vjet pas takimit të parë mes Zelenskit dhe Netanyahut, ky i fundit po konsideron furnizimin e Kievit me armë

Kryeministri Netanyahu konfirmon se ai “po shqyrton çështjen” dhe ofron të ndërmjetësojë ndërsa liderët e qeverisë ukrainase dhe të BE-së takohen në Kiev të premten.

 

VOAL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se vendi i tij po shqyrtonte ndihmën ushtarake për Kievin. “Po, patjetër që po e shqyrtoj këtë”, shpjegoi Netanyahu në një intervistë me CNN kur u pyet nëse Izraeli kishte ndonjë plan për t’i ofruar ndihmë ushtarake Kievit, siç është sistemi i tij mbrojtës Iron Dome. Netanyahu ka ofruar gjithashtu të ndërmjetësojë, nëse palët ndërluftuese dhe Uashingtoni e kërkojnë atë.

Dhe, gjithashtu me synimin për të mbështetur vendin e pushtuar nga Moska 343 ditë më parë, Ukraina dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë një samit në Kiev të premten. Qeveria ukrainase e mirëpret këtë “sinjal të fortë” dërguar Moskës pothuajse një vit pas fillimit të pushtimit rus. Samiti me 27-të është një hap i rëndësishëm, disa muaj pasi Kievi mori statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim në BE. Në fjalimin e tij të martën në mbrëmje, Zelensky shpresoi se samiti do të pasqyronte një “nivel të lartë bashkëpunimi dhe përparimi” me BE-në. “Ne presim lajme për Ukrainën”, tha ish-aktori 45-vjeçar.

“Fakti që ky samit po mbahet në Kiev është një sinjal i fortë që u drejtohet si partnerëve tanë ashtu edhe armiqve tanë”, kishte përshëndetur më herët kryeministri Denys Shmyhal, duke thënë “të presim nga samiti një vlerësim të ndërmjetëm pozitiv të përpjekjeve tona për” integrimin evropian’. Këto dy ditë duhet të lejojnë që “Evropa të besojë në fitoren e Ukrainës”, këmbënguli kryeministri.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shpjegon se Ukraina pret “midis 120 dhe 140” tanke perëndimore për të zmbrapsur ushtrinë ruse dhe është hera e parë që Kievi ka zbuluar totalin e tankeve moderne të premtuara nga aleatët e saj perëndimorë. Duhet thënë se procesi i dorëzimit mund të zgjasë me muaj, sipas disa kancelarive, për shkak të nevojës për të organizuar në vend mirëmbajtjen e tankeve dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Parisi, nga ana e tij, njoftoi të martën se Franca do t’i furnizojë Ukrainës edhe 12 aviatorë të tjerë 155 mm Caesar, përveç 18 të dorëzuarve tashmë. Por këto armë shumë të sakta dhe të lëvizshme nuk kanë rreze përtej 100 km që Ukraina thotë se duhet të shkatërrojë linjat ruse të furnizimit dhe depot e municionit. Presidenti i SHBA Joe Biden tha të martën se do të diskutonte nevojat për armë të rënda drejtpërdrejt me Zelensky.

Ndërkohë, Wall Street Journal raporton se një kompani amerikane e mbrojtjes, General Atomics, i ka ofruar Kievit dy drone MQ-9 Reaper për një dollar simbolik. Kostot e transportit në Ukrainë (10 milionë dollarë) dhe shpenzimet e mirëmbajtjes (8 milionë dollarë në vit) do të përballohen nga Kievi, tha gazeta.

Të mërkurën, media ukrainase raportoi, duke cituar Reuters, se Uashingtoni po përgatit më shumë se dy miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, e cila duhet të përfshijë për herë të parë raketa me rreze të gjatë, si dhe municione dhe armë të tjera. Këto kontribute ushtarake, sipas dy zyrtarëve amerikanë, duhet të shpallen këtë javë. Ato gjithashtu pritet të përfshijnë pajisje mbështetëse për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, municione precize të drejtuara nga distanca dhe armë antitank Javelin.

Ushtria ruse rimerr terren në Donbass

Në fushën e betejës, forcat ruse duken të vendosura për të rifituar iniciativën pas pengesave të vjeshtës që i detyruan të tërhiqen në veri-lindje dhe jug të vendit. Ministria ruse e Mbrojtjes tha në përditësimin e saj të përditshëm të martën se “lokaliteti i Blagodatne”, afër Bakhmut, ishte çliruar pas një ofensive nga “njësitë e sulmit vullnetar” të mbështetur nga aviacioni dhe artileria. “Vullnetarët” është eufemizmi i përdorur në Rusi për të përcaktuar grupet paraushtarake – veçanërisht ato të grupit Wagner – që luftojnë me ushtrinë e Kremlinit. rsi-eb

blank

Eksperti britanik: Vuçiç ta pranojë se njohja e pavarësisë së Kosovës s’është kompromis, por pranim realiteti

“Aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve të Wagner dhe formacionit “Ujqërit e natës” në barrikadat që strukturat e Serbisë i kishin ngritur me urdhër të Vuçiçit në veri të Kosovës”, thotë Daniel Smith, ekspert i pavarur i marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë për Danas.

Ai thotë se “Vuçiç e shfrytëzon temën e Kosovës për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë”.

“Vuçiçi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i Millosheviçit, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, thotë Smith. “Në këtë kontekst, për një të huaj që nuk e njeh mirë politikën serbe, arritja e një marrëveshjeje me Kosovën dhe një kompromis nga Serbia mund të duket e vështirë”.

Smith thotë se Vuçiç duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi.

“Nëpërmjet strategjisë ‘përshkallëzim deri në deeskalim’, Vuçiç po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiç do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thotë Smith.

“Vuçiç duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiç është i vetëdijshëm. Njohja e pavarësisë së Vojvodinës mund të quhet kompromis për Serbinë, për integrimin e saj në BE; autonomia për Sanxhakun apo Luginën e Preshevës, por jo pranimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të cilin e ka kërkuar vetë Serbia”, shton ai.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë Serbe, Smith thotë se Perëndimi duhet ta ketë parasysh se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik të shtetit”.

“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin”.

“Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”, thekson ai.

“Këto të drejta të garantuara merren si të mirëqena. Ajo që është evidente është se Vuçiqi dhe Serbia nuk janë të interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, sepse realizimi i këtyre të drejtave do t’i çlironte serbët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i Vuçiçit”, shton ai,

Smith thotë se “Vuçiç është i interesuar t’i përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personalë për ta forcuar nacionalizmin, për vota e për të qëndruar në pushtet dhe si pengje të presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare”.bw

blank

Kosova dhe Izraeli më 1 shkurt 2021 vendosën marrëdhëniet diplomatike

Më 1 shkurt  2021 Kosova dhe Izraeli firmosën vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike ndërmjet të dy vendeve. Ky hap u cilësua nga të dyja vendet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi. Në ceremoninë virtuale të nënshkrimit morën pjesë edhe Nënsekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem. Ministri i Jashtëm  i Izraelit Gabriel Ashkenazi, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovës e cilësoi si një datë historike. “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, historik dhe emocionues. Sot në mëngjes mora një kërkesë zyrtare për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe padyshim e miratova dhe mezi pres ta shoh të hapet, shpresoj shumë shpejt”, tha ministri Izraelit Ashkenazi.

Në këtë linjë u shpreh edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se “Kosova ka pritur gjatë arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Kosovën”.

“Në këtë ditë të rëndësishme ne hapim një kapitull të ri në lidhjen historike ndërmjet vendeve tona, të cilat janë sfiduar për të ekzistuar si popuj dhe si shtete. Shtetet tona kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira dhe sot fillojmë një udhëtim si dy shtete”, tha ministrja Haradinaj, duke falenderuar SHBA-në që ndihmoi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael. Edhe ministri i Jashtëm izraelit Ashkenazi,  falenderoi SHBA-në siç tha “për përpjekjet për promovimin e paqes kudo në botë dhe për të përparuar marrëdhëniet e Izraelit me vende me të cilat nuk kishte marrëdhënie diplomatike më parë”. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit ishte një nga pikat e marrëveshjes për përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi që u nënshkrua me 04.09.2020 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në prani të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump. Në dokument parashihet që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jeruzalem, ndërsa po ashtu Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem. E ngarkuara me punë diplomatike e Kosovës në Izrael tashmë është emëruar Ines Demiri që më herët ka shërbyer si diplomate në konsulatën e Kosovës në New York.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti që ishte nënshkruesi i marrëveshjes së Uashingtonit tha, se “me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme”. Ai tha se ky zhvillim e thyen bllokadën e njohjeve për Kosovën, duke shtuar se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, Kosova dhe Izraeli kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.dw

blank

SHBA do t’i japë edhe 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ushtarët ukrainas qëllojnë një sistem artilerie Pion në pozicionet ruse pranë Bakmutit në rajonin e Donjeckut. 24 janar 2023.

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila për herë të parë pritet të përfshijë raketa me rreze më të gjatë veprimi, si dhe municione dhe armë të tjera, i thanë Reuters më 31 janar dy zyrtarë amerikanë të informuar për këtë çështje.

Ndihma pritet të shpallet brenda kësaj jave dhe do të përfshijë pajisje mbështetëse për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe armë antitank Javelin, thanë zyrtarët.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar.

Aleatët perëndimorë kanë ofruar po ashtu armë në vlerë të miliarda dollarëve për Ukrainën.

Së fundmi, Ukrainës i janë premtuar edhe tanke gjermane dhe amerikane.

Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, presin që të nisin ofensiva gjatë javëve në vijim, dhe tanket pritet të luajnë rol vital në këto beteja, kanë vlerësuar ekspertët.

blank

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë se ka shkelur traktatin e armëve bërthamore

Raketa balistike ndërkontinentale ruse Yars, duke u përdorur gjatë stërvitjes bërthamore në pjesën veriperëndimore të Rusisë (26 tetor 2022)

VOA

Shtetet e Bashkuara akuzuan të martën Rusinë se ka shkelur traktatin e armëve bërthamore START, duke deklaruar se Moska po refuzon të lejojë aktivitete inspektimi brenda Rusisë.

Traktati, që mbetet një nga shtyllat e fundit të përpjekjeve për kontrollin e armëve bërthamore të pas-Luftës së Ftohtë, hyri në fuqi në vitin 2011 dhe u rinovua në vitin 2021 edhe për dy vite të tjera. Traktati vendos një kufi ndaj numrit të mbushjeve bërthamore strategjike që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, si dhe për numrin e raketave tokësore dhe detare, si dhe të avionëve bombardues që mund të përdorin për këto mbushje bërthamore.

Të marra së bashku, dy vendet kanë rreth 90% të mbushjeve bërthamore të botës.

Uashingtoni është përpjekur ta ruajë vazhdimësinë e traktatit, por marrëdhëniet me Moskën janë në gjendjen më të keqe të dekadave të fundit, si rezultat i sulmit të Rusisë në Ukrainë që filloi gati një vit më parë. Shtetet e Bashkuara udhëheqin përpjekjet e aleatëve perëndimorë për të furnizuar me municione Ukrainën dhe ta ndihmojnë kështu që të zmbrapsë sulmin e forcave ruse.

“Refuzimi nga Rusia për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit ua mohon Shteteve të Bashkuara ushtrimin e të drejtave të rëndësishme të parashikuara në traktat dhe rrezikon zbatueshmërinë e kontrollit SHBA-Rusi për armët bërthamore”, deklaroi Departamenti amerikan i Shtetit.

Raketa ndërkontinentale ruse Topol gjatë paradës në Sheshin e Kuq, Moskë (9 maj 2017)

Raketa ndërkontinentale ruse Topol gjatë paradës në Sheshin e Kuq, Moskë (9 maj 2017)

Në gusht, Moska pezulloi bashkëpunimin me inspektimet siç parashikohet në traktat. Ajo fajësoi kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Uashingtoni dhe aleatët pasi Rusia sulmoi Ukrainën, por tha se ishte ende e angazhuar për të përmbushur kushtet e traktatit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rusia ka një opsion të qartë për të zbatuar traktatin duke lejuar vazhdimin e inspektimeve.

Të hënën, Rusia njoftoi Shtetet e Bashkuara se traktati mund të marrë fund në vitin 2026 dhe nuk do të zëvendësohet nga një dokument i ri, duke pretenduar se Uashingtoni po përpiqet t’i shkaktojë Moskës “një humbje strategjike” në Ukrainë.

Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA se “është vërtet i mundshëm skenari” që të mos ketë asnjë traktat për kontrollin e armëve pas vitit 2026.

blank

Serwer: Deklarata e Chollet-Escobar për Asociacionin e njëanshme, ky është bullizim diplomatik

Profesori amerikan i John Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar letrën e dy bashkëkombësve të tij, Këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe Zëvendësndihmës Sekretarit Gabriel Escobar, mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se shkrimi ka për qëllim t’i bëjë presion kryeministrit Kurti për të ndërruar qëndrimin e tij ndaj Asociacionit, për të cilin Serwer thotë se ai ka qenë i gatshëm ta konsiderojë vetëm në kontekstin e njohjes nga Beogradi të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

“Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë. Prandaj, ankesa Chollet-Escobar është e njëanshme. Ajo nuk i ofron asgjë Prishtinës në këmbim të përmbushjes së një prej objektivave kryesore negociuese të Beogradit. Në thelb thotë “Amerika është miku juaj më i mirë, ju na e keni borxh këtë për shkak të gjithë mbështetjes që ju kemi dhënë, qeveria juaj në të kaluarën e ka premtuar atë, ne do ta bëjmë që ajo të shkojë mirë”.Ky është bullizëm diplomatik. Momente të ngjashme në të kaluarën kanë sjellë zhgënjime për Kosovën”, ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan ka folur edhe për qëllimet e presidentit serb mbi krijimin e këtij Asociacioni në Kosovë.

“Ajo që kërkon presidenti Vuçiq është bekimi zyrtar për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë. Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore të afërta me Serbinë. Beogradi ka kontrolluar për dy dekada qeveritë e tyre, sistemet arsimore dhe shëndetësore, policinë dhe gjykatat. Paratë rrjedhin drejtpërdrejt nga Beogradi në këto institucione dhe punonjësit e tyre. Pak ndodh në komunitetet serbe veriore që Beogradi nuk do të mund ta ndryshonte nëse do ta bënte këtë. Kjo përfshin aktivitetet e shumta të krimit të organizuar”.

Ai thotë se Serbia dëshiron që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë kontroll etnik.

“Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se objektivi është një marrëveshje më e mirë për komunitetin serb në Kosovë. Ajo po ndjek objektiva të ngjashme edhe në Bosnje dhe Mal të Zi. Por brenda Serbisë kjo shtrirje e kontrollit të Beogradit te serbët etnikë përtej kufijve të Serbisë quhet “bota serbe””.

Ndërkaq, Serwer flet edhe për atë pas së cilës qëndron kryeministri Kurti.

“Kryeministri Kurti dëshiron një vend sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij dhe pa privilegje etnike në të gjithë territorin e tij. Kjo do të linte pa mëdyshje autoritetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë. Megjithatë, Kosova nis kushtetuesisht larg këtij objektivi, pasi ka vende të rezervuara për pakicat në parlament si dhe kërkesat për pjesëmarrjen e pakicave në qeverinë e saj. Ekziston gjithashtu një Këshill i Komuniteteve që u jep pakicave qasje të drejtpërdrejtë tek Presidenti. Disa nga komunat me shumicë serbe u krijuan në mënyrë eksplicite për t’u dhënë serbëve më shumë kontroll lokal. Të gjithë kanë kompetencat e gjera të parapara me legjislacionin e Kosovës. Asnjë nga këto nuk do të ndryshojë”. syri.net

blank

Perceptimi i TIA: Shqipëria një nga vendet më të korruptuara në botë

Pavarësisht justifikimit të Edi Ramës se “hajdut 2 metra nuk ka” perceptimi i shqiptarëve është se ai qeveris përmes korrupsionit.

Indeksi i Transparency International për vitin 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e 101 sërish pranë vendeve si Ekuadori, Kazakistani, Panamaja, Peruja, Serbia, Sri Lanka, Tajlanda dhe Turqia.

Shqipëria ka 36 pikë, 1 pikë më shumë se viti i kaluar, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, tha për Zërin e Amerikës se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”. Bie në sy fakti se Kosova vazhdon të jetë më mirë se Shqipëria përsa i përket perceptimit të korrupsionit, e renditur në vendin e 84, me 41 pikë.

 

Pasojat e korrupsionit

Shpopullimi është një nga pasojat kryesore të korrupsionit qeverisës dhe gjatë vitit 2022 fenomeni kulmoi me dyndjet e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe. Pak javë më parë, BBC analizoi dyndjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në brigjet e Britanisë së Madhe.

Mendohet se 12 mijë shqiptarë mbërritën në Britani gjatë vitit të kaluar vetëm nga Kanali i La Manshit. Sipas BBC, korrupsioni i lartë ishte një nga shkaqet e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Ndërkohë sipas kreut të antimafias italiane Nicola Gratteri fajëson korrupsionin në vendin tonë për fuqizimin e mafias shqiptare.

Sipas tij, “mafia shqiptare është shumë e strukturuar dhe është bërë e pasur në vendin e saj, falë edhe një korrupsioni të frikshëm”.

 

“Inceneratorët” dhe “McGonigal”, skandalet e korrupsionit

Çështja e “inceneratorëve” është një nga dosjet më të mëdha të korrupsionit, por deri tani ka çuar në burg vetëm ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako. Nga dokumentat e publikuar, rezulton se pjesë e skemës së korrupsionit u bënë edhe ministra të tjerë.

Ndërkohë në Tiranë trajtimi i mbetjeve vazhdon të paguhet me dyfishimin e çmimit, megjithëse inceneratori nuk ekziston dhe plehrat thjesht groposen.

Një tjetër çështje që lidhet me korrupsionin është ajo e agjentit të FBI Charles McGonigal, i cili inicioi çështjen e lobimit të Lulzim Bashës në SHBA në bazë të informacionit që i dha qeveria shqiptare përmes Agron Nezës. Më pas McGonigal mori 225 mijë dollarë nga Agron Neza të cilat nuk i deklaroi siç ia imponon ligji në SHBA. Kryeministri Rama ka mohuar çdo akuzë për korruptimin e agjentit të FBI-së ndërsa ka thënë se paratë ishin dhënë borxh.

Korrupsioni me fondet publike ka qenë shqetësimi kryesor i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë. Gjatë vizitës në Davos, kryeministri Edi Rama e quajti të korruptuar presidenten e Parlamentit Europian. Ai tregoi se kur kishtë mësuar për skandalin e korrupsionit me eurodeputeten Eva Kaili, mendimi i parë që i kishte ardhur, ishte “Karma is a bitch”./Lapsi.al

blank

Hovenier: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës

VOA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.

Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Dëgjuam nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe si mundet kjo të përshtatet në mënyrë që sigurojë të ardhmen e Kosovës si një vend sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik. Kjo perspektivë është e rëndësishme për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se diskutimi i përqendrua në tre gjëra.

Së pari si mund të funksionojë Asociacioni i komunave serbe në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur një sërë temash duke përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të një Asociacioni. E dyta, si do të mund të funksiononte Asociacioni sipas kuadrit ligjor të Kosovës dhe sërish kemi dëgjuar shumëllojshmëri të perspektivave përfshirë edhe për marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. E treta, lidhur me atë se si Asociacioni do të mund të ndihmonte zhvillim ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë”, tha ai.

Zëri i Amerikës mëson se dallimet ishin të thella ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të cilët kanë ngulur këmbë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka peshë më të madhe sesa interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga njohës të fushës në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e takimit, që nuk deshi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se “përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Para së gjithash është kërkuar siguri që nëse Asociacioni themelohet, nuk do të mund të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar siç shfrytëzohen mekanizma të tjerë ekzistues në Kosovë, gjë që është garantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në takim”.

Miodrag Miliçeviç nga Organizata joqeveritare ‘Aktiv’ në Mitrovicën e Veriut, tha se “elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse”.

Ai tha se çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive.

“Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni. Kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme më parë dhe edhe sot, se Asociacioni do ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, Asociacioni do të jetë një lloj ‘Republika Serpska’ apo një entitet njëetnik, gjëra që i dëgjuam edhe sot nga disa pjesëmarrës. Por kur bëhet fjalë për marrëveshjet e përbashkëta dhe mirëkuptimin kjo do të mundësohej vetëm me dialog publik dhe atë shumë të ngjeshur”, tha ai.

Takimi së martës u mbajt në një periudhë të shtimit të trysnisë për themelimin e Asociacionit dhe një ditë më parë diplomatë të lartë amerikanë thanë se koha për krijimin e tij është tani. Të hënën fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi një projekt statut se si duhet të funksionojë ai.

Prishtina heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm me Republika Sërpskan në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Sërpskas në Bosnje Hercegovinë. Presim që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.


Send this to a friend