Është një ndjenjë keqardhje kur sheh se dinamika e zhvillimeve politike, ekonomike, demografike, teknologjike etj. në botë e lë Shqipërinë sërish me thirrjet propagandistike dhe folklorike nga ana e qeverisë dhe e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), Ferit Hoxha kur në një titull të ATSH shkruhet se:- ” ‘Shqipëria 2030’, Hoxha ftesë profesionistëve shqiptarë t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel”*, për të shpjeguar progresin e anëtarësimit në BE.
A nuk kishim një javë më parë tri ditë një Samit Diaspore?
I organizuar në mënyrë kapilare deri me “fletushka si trakt” të bëra ftesat preferenciale, partia në pushtet përsëriti të njëjtin format për të katërtën herë. Dhe nga çdo rast në tjetrin samitet vijnë më të fryrë në zhurma dhe gjithnjë e më shterpë në idetë pasi janë shndërruar në mënyra masive të indoktrinimit nga partia-shtet.
Në qoftë se e fragmentojmë atë çfarë ka shkruar MEPJ Ferit Hoxha në faqen e ATSH-s për t’u bërë lajm:-“Nga e thëna në të bërë: nëse besoni se përmes formimit tuaj akademik, eksperiencës profesionale, aftësive dhe shprehive, apo çdo cilësie tjetër thelbësore për profesionin e diplomatit, keni çfarë nevojitet për të qenë pjesë e skuadrës tonë në Bruksel për Shqipërinë 2030, ju ftoj të klikoni më poshtë dhe të ndiqni udhëzimet për të aplikuar”, në fund do të kuptohet se nuk ishte lajm por një motiv i propagandës pas Samitit të IV të Diasporës.
Artikulli i ATSH-s madje nuk na e jep linkun për atë që ministri ka dashur të thotë.
Tjetra është se po të përpiqemi të framentojmë thënien dhe mendimin e shkruar ku shënohen:
1-formimi akademik
2-eksperienca profesionale
3- aftësive dhe shprehive
4- cilësi thelbësore në profesionin e diplomatit
5-keni çfarë ju nevojitet për të qënë pjesë
6- skuadrës tonë në Bruksel
7- Shqipërinë 2030
8- klikoni më poshtë dhe ndiqni udhëzimet
9- për të aplikuar
dhe të gjitha të paraprira me pështjellën e shprehjes popullore “Nga e thëna në të bërë…”, vazhdimin e së cilës na duhet ta plotësojmë më vonë për të kuptuar se çfarë e ndan një sistem demokratik, të lirë gjithpërfshirës dhe i mundësive për më të mirët nga propaganda e një diktature dhe sistemi që po shëmbet nga korrupsioni, na bëjnë të dyshojmë se ky mendim sëpari është prodhuar ose nga Inteligjenca Artificiale, ose i shkruar me pashpirtësi të “Chat GPT”, ose nga zyrtarë burokratë, nga politikanë, apo nga gazetarë etj. që në frontin e propagandës sëbashku i shërbejnë sistemit dhe janë vegla nepotike të sistemit.
Në argumentat e drejtpërdrejtë po shënojmë disa çështje ose pyetje rreth fragmentimit.
1-Përse kërkohet formimi akademik… në një kohë kur Shkolla dhe Arsimi në shtetin shqiptar janë në renditjet më të ulëta historike të tranzicionit?
A mund t’i kërkosh një profesionisti në mërgim ndihmë kur formimi i tyre arsimor dhe profesional është krijuar tërësisht nga kontributi vetjak, i familjes apo i bashkësisë ku jetojnë dhe universiteteve që i kanë shkolluar? Vitet e formimit për cilin do kanë një faturë shlyerje nga pas e cila nuk mund të përballohet as nga një punësim me standardet që ofron tani për tani Shqipëria dhe as nga ftesa propagandistike e një sistemi që qeveris pa transparencë, pa pluralizëm politik dhe ku çdo pëllëmbë toke shihet si një mundësi tregëtimi favoresh dhe influencash oligarkike, mes klientëve ndërshtetërorë si kompani dhe biznese dhe ca më rëndë si qiradhënje mes shtetesh.
Cili specialist/e do të afrohej në këto kushte?
Patriotizmi nuk është i mjaftueshëm, por ideologjia dhe korrupsioni mund të jetë tunduesit.
2-3-4- eksperienca profesionale, aftësive dhe shprehive apo çdo cilësi thelbësore në profesionin e diplomatit,… meqë qendrojnë bashkë janë parë në formalitetet e DIPLO-ve vjetore që ka organizuar qeveria ku jepen urdhëra politikë nga kryeministri i cili ka pasur në dorë çdo vizitë dhe marrëveshje dy dhe shumëpalëshe. Që nga ministret/at e punëve të jashtëme e deri tek diplomatët e akredituar, pritshmëritë veç vijës politike kanë qenë të varfëra dhe penguese për të lidhur realisht 1/3 e popullsisë që është larguar në emigracion me qendrim të përhershëm ose të përkohëshëm. Vota e diasporës ishte shembulli më i mirë i një pune se si nuk duhej bërë pis dhe shëmtuar “α” alfa-n e një sistemi të lirë, me institucione të pavarura, ku drejtësia vepron dhe demokracia zhvillohet.
Në qoftë se nuk është bindës ky fakt le të na shpjegojnë mga ministret/at më të hershëm e deri tek më i riu se përse kjo qeveri po shkon drejt një izolimi dhe përse kryeministri të gjitha vizitat ndërshtetërore i vendos në rrafsh personal përpara atij shtetëror, presidencial dhe parlamentar edhe pse në to përfshihen interesa strategjike kombëtare. Në këtë rast aftësitë dhe shprehitë në swe kërkohen nuk duan shumë dhunti. Me një nuhatje çdo kandidat/e për karrierë diplomatike të vërtetë do të fliste seriozisht për të kundërtën.
5- keni çfarë ju nevojitet…, është një fragment që e shtron shumë subjektivisht kërkesën pasi një konkurs dhe kriteret e duhura të bëra të njohura publikisht dhe me transparencë më parë mund të shërbenin shumë herë më mirë për përgjegjësitë që ndjen një kandidat/e për vendlindjen e vet apo vendlindjen e prindërve të tij/saj që ta përfaqësojë në ato detyra Shqipërinë. Dhe për më tepër në një link që në shkrimin e ATSH-s nuk duket, por diku mund të jetë ky lloj kontakti duket më shumë si rekrutim ose preferencë e paracaktuar mbi kandidatët se sa një kërkesë e shëndetshme dhe transparente.
6-skuadrës tonë në Bruksel…, mund t’i drejtohej pyetja;-A nuk janë të mjaftueshëm 1500 ekspertë? Publiku është informuar se pas hapjes së grup kapitujve në Nëntor të 2025 janë të angazhuar një armatë ekspertësh përfshirë edhe inteligjencën artificiale (Diellan), për të përafruar legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së ose në mbajtjen e linjës së qeverisë për t’i mbyllur negociatat edhe më herët se 2030.
7- Shqipëria 2030…, mbetet gjithmonë një kartë elektorale që hidhet sa herë që për Rilindja Socialiste afrojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore si mënyra e vetme për të manipuluar jetëgjatësinë e pushtetit.
8-9- klikoni më poshtë dhe ndiqni udhëzimet për të aplikuar…, këto dy të fundit duken si të vetmet mundësi e padukshme ose bashkojnë të pashkruarën e postimit në rrjetin social X, të MEPJ Ferit Hoxha me fjalën e urtë popullore “Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”.
Aspak në vlerën e një kundërshtimi se çfarë aktualisht dhe me emergjencë i duhet Shqipërisë së shpopulluar, thënia popullore shqiptare ka në modestinë e vet ndarjen e premtimieve nga realizimi.
Ja dhe erdhi edhe 2027, apo edhe 2030 dhe Shqipëria i përmbushi të gjashtë grupkapitujt (33 kapituj) sikurse i mbeten dhe dy kapituj të tjerë për finalizimin e pyetja që shtrohet është se: -A do të përballohen zgjedhjet e ndershme dhe vota e lirë qytetarëve kur Rilindja Socialiste i kërkon të 61 Bashkitë?
Tri pyetje që presin përgjigje nga publiku dhe jo nga parti shteti janë:
A përafrohet legjislacioni i Shqipërisë me standardet e Be-së si të tillë?
E kujt do të jetë Shqipëria pa votën e lirë?
I kujt do të jetë ky vend ku zgjedhjet janë një farsë e parti-shtetit të korruptuar që gjoja pretendon se do të pranohet si i tillë në BE?
________
*ATSH-“Shqipëria 2030′, Hoxha ftesë profesionistëve shqiptarë t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel”
21 Prill, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Kane kalu 21 vjet zoti kryeminister,deri kur?