Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.
Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet. Pagat, si një mjet i fuqishëm frenimi.
Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë.
Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet para pas rrëzimit të komunizmit.
Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 5000 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Gjysma e tyre kanë hyrë në vend me gomone, shumica të rinj.
Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.
Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës.
Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme.
Censi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos këtë vit.
Pse po ikin
Për shumë vende europiane nuk është i kuptueshëm se pse kaq shumë njerëz largohen nga një vend i begatë me burime natyrore, duke rrezikuar edhe jetën dhe ku sistemi i qeverisjes është demokratik.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të Çmimit “Nobel” në ekonomi, George Akerlof, sipas të cilit sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.
Imagjinoni një 15-vjeçar nga një fshat në Veri të vendit, i cili flet me vëllain e tij të madh që jeton në Londër, që ka vetëm disa muaj atje dhe bën një jetë të pëlqyeshme.
Imagjinoni të tjerët që shpesh jetojnë në familje me minimumin jetik, që shohin profilet e të afërmve të tyre jashtë vendit në rrjetet sociale. Tani të rinjtë shqiptarë masivisht, nuk ëndërrojnë që të formohen me profesione, si një mënyrë për të ndërtuar jetën kur të rriten.
Emigracioni është kthyer në aspiratë, në mendësi dhe po konkurron çdo alternativë që ofrohet së brendshmi. Besmir Muslia, një mësues në ciklin 9-vjeçar në Shemri të Kukësit thotë se, pa përjashtim, nxënësit atje duan të emigrojnë, ikin pa mbaruar ciklin 9-vjeçar.
Situata nuk ishte shumë problematike deri 10 vite më parë, pasi Shqipëria doli nga komunizmi me një popullsi të re në moshë dhe emigracioni ishte si një lehtësim për papunësinë galopante. Mirëpo, emigrimi sistematik në 30 vite tranzicion e ka tkurrur popullsinë e vendit deri në atë pikë sa tani e gjithë shoqëria është në emergjencë për njerëz.
P.sh., sektori i ushtrisë po vuan për mekanikë, kur dihet se shumë mjete që ajo disponon kanë nevojë për mirëmbajte. Drejtues të një reparti të mjeteve të rënda pohuan se, konkursit të hapur për mekanik nuk po i përgjigjej askush.
Tani reparti po mban në punë një person që ka mbushur moshën e pensionit. Në sektorin privat të gjithë aktivitetet e biznesit pa përjashtim këtë vit renditën si sfidën më madhore mungesën e punonjësve.
Ekonomia e Shqipërisë është rritur mesatarisht me 3% në dekadën e fundit, por kjo nuk është përkthyer në standard më të lartë ekonomik për shqiptarët, pasi gati një e treta e popullsisë (mbi 30%) ishin në varfëri vitin e kaluar, sipas përcaktimeve të Bankës Botërore, niveli më i lartë në Europë.
Efektet e zbrazjes së madhe, bie konsumi, bizneset në alarm për punonjës
Me përfundimin e pandemisë Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britaninë e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz vendin shpejt.
Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie të re në moshë, do të përkeqësohet. Ikjet e mëdha i kanë vënë në vështirësi bizneset në të gjithë sektorët.
Pas pandemisë Covid-19, dhe luftës në Ukrainë, kishte kërkesë të lartë nga jashtë për të prodhuar në Shqipëri, por bizneset po i refuzojnë për shkak të mungesës së punonjësve.
Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët. Kompanitë e transportit urban në Tiranë po përballen me rënie të numrit të pasagjerëve si rrjedhojë e emigracionit të lartë.
Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë se aktualisht, numri i pasagjerëve është 40% më pak se viti 2019, që konsiderohet periudha para krizës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në periudhën janar-qershor 2021, numri i pasagjerëve që përdorin transportin publik është 49% më pak se e njëjta periudhë e 2019-s.
Për 6-mujorin e parë të 2021, rreth 50% e pasagjerëve përdorën abone. Zbrazja po ndodh aq shpejt dhe tani efektet ndihen shumë. Popullsia është zvogëluar, saqë edhe kompanitë e sigurimit, thonë se, aktiviteti i tyre po ndikohet jashtëzakonisht keq nga emigrimi.
Forcim Kola, Drejtor i Përgjithshëm i INSIG, tha se, kompania po përballet me sfida të mëdha, që lidhen me kufizimet e stafit, vështirësitë për të kontaktuar klientët, ritmet ulëse të tregut të sigurimeve, si pasojë e frenimit të veprimtarive individuale dhe të bizneseve.
Emigrimi jashtë i shqiptarëve në nivele të konsiderueshme, rënia e fuqisë blerëse dhe frenimi i mundshëm i rritjes ekonomike, po ndikojnë negativisht tregun e sigurimeve, – tha ai.
Më keq janë sektorët që kanë bazë të aktivitetit krahun e lirë të punës, sidomos industria. Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH, një nga grupet më të mëdha të fokusuara në industrinë përpunuese në vend, tha se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore, ndërkohë që dhe pagat e ulëta janë një tjetër faktor që nuk e nxisin konsumin.
Call center, që një dekadë më parë ishin zgjidhja për punësimin e të rinjve të arsimuar, tani janë në krizë për gjetjen punonjësve. Lorenc Goga nga “Facile.it”, thotë se në vitet 2015 -2017, në kompani kanë qenë 700 të punësuar, ndërsa tani janë 300 të punësuar.
Minimalisht kësaj kompanie i nevojitet çdo muaj të rekrutojë 20 punonjës të rinj, por ka muaj që kërkesa është edhe më e lartë. Sot “Facile.it” nuk po arrin ta zëvendësojë stafin që po ikën, ndërsa rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore duket mision i pamundur.
Adi Haxhiymeri, një nga importuesit më të mëdhenj të miellit, nëpërmjet fabrikës “Bloja”, pohon se emigracioni është një ndër faktorët kryesorë në vend për rënien e konsumit të brumërave. Gjatë periudhës janar-gusht 2022, importet e drithërave shënuan rënie me 17% dhe Haxhiymeri e shpjegon këtë me zbrazjen e vendit nga emigracioni i lartë.
Ai tha se të rinjtë janë konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, por edhe grupmosha që largohet më së shumti nga vendi. Pasojat e emigrimit reflektohen menjëherë te konsumi i bukës. – tha si. Por veç të tjerash, ikja e njerëzve është shndërruar edhe në problem për funksionimin e aktivitetit.
Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, tha se, industria është duke kaluar një situatë tejet të vështirë sa u përket punonjësve. Para se të shfaqej kërkesa e lartë pas pandemisë, fabrikat e tekstileve kishin rreth 20 mijë punonjës minus, por me kërkesat e tanishme, nevojat janë për dyfishim të punësimit në këtë sektor.
Industria e tekstileve dhe këpucëve kishte deklaruar rreth 56 mijë të punësuar në vitin 2019, para pandemisë, por Unioni i Fasonëve pohon se, nëse do të kishte mjaftueshëm punonjës, kërkesa është për të punësuar deri në 100 mijë persona.
Mungesa e fuqisë punëtore është problemi më madhor që ka aktualisht sektori i shërbimeve në bare dhe restorante. Nuk pritet që kjo krizë të gjejë ndonjëherë zgjidhje, pasi edhe zbatimi i politikës për të sjellë punonjës nga jashtë rezultoi se u përdor nga ta si trampolinë për të emigruar drejt Europës apo vendeve të tjera”, tha Enri Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.
Investimet e humbura në arsim, nga 2011 deri më 2021, mbi 4 miliardë euro
Njerëzit, si kapitali më i çmuar në një shoqëri, kur emigrojnë, i krijojnë humbje të mëdha vendit, edhe në aspektin ekonomik. Dëmi i drejtpërdrejtë matet në sektorin arsimor. Sipas përllogaritjeve të Institutit “Aspen” me qendër në SHBA, kostot e edukimit për një person me shkollë të mesme në Shqipëri janë 18,283 euro. Në vendet e tjera të Ballkanit, kostot janë më të larta se në Shqipëri.
Me një përllogaritje të thjeshtë, Shqipërisë i kanë humbur mbi 4 miliardë euro, nëse supozojmë se 228 mijë persona që kanë ikur 10 vitet e fundit ishin të gjithë me shkollë të mesme. Në varësi të nivelit të arsimimit, shoqëria investon në edukimin e individëve deri në njëzet vjet në disa raste.
P.sh., për përgatitjen e personi me shkollë doktorale, sistemi publik në Shqipëri harxhon deri në 32 mijë euro. Me emigrimin e të rinjve të arsimuar, investimet përkthehen në humbje ose bëhen investime në vendet e destinacionit, të cilat përfitojnë njerëz të arsimuar pa shpenzuar para.
Emigracioni, ekonomia bie në kurthin e mungesës së produktivitetit
Në vitin 2021, popullsia e vendit u tkurr me 36 mijë banorë, më shumë se gjysma e Qarkut të Kukësit prej 72 mijë banorësh. Por, zhvillimi më shqetësues është fakti që në pjesën më të madhe të kësaj tkurrjeje ka ndikuar rënia e numrit të grupmoshës 20-24 vjeç, që është dhe pjesa më vitale dhe në moshë produktive e popullsisë.
Kjo grupmoshë shënoi rënie me 15 mijë persona, duke ndikuar në gati gjysmën e tkurrjes së popullsisë totale të vendit. Rënia në vlerë është gati tre herë më e lartë se te grupmoshat e tjera, një faktor indirekt që efektin më të lartë nuk e kanë dhënë zhvillimet natyrore të popullsisë, por emigracioni.
Përvojat kanë treguar se vendet me emigracion të lartë të të rinjve bien në kurthin e mungesës së produktivitetit. Me humbjen e popullsisë së re në moshë, ekonomia humb kreativitetin dhe mundësitë për t’u bërë inovative.
Pasi janë të rinjtë ata që kanë ide dhe dëshirën, si dhe priren nga inovacioni. Pa inovacion, ekonomia nuk mund ta çojë modelin ekonomik në një nivel më të lartë dhe më produktiv.
Pakësimi i të rinjve e pengon qeverinë të ketë qasje të reja në ekonomi. Veç të tjerash, demokracia bëhet më pak cilësore, pasi zakonisht të rinjtë janë grupmosha më aktive dhe ushtrojnë më shumë presion mbi politikën.
Gjatë 30 viteve të fundit, Shqipëria ka ndjekur një model ekonomik të bazuar në krahun e lirë të punës dhe struktura e ekonomisë nuk ka gjeneruar punë me vlerë të lartë. Mungesa e produktivitetit është bërë shkak për emigracion dhe emigracioni, në vetvete, bëhet shkak për rënie të produktivitetit në vijim.
Rënia e lindjeve me shpejtësi nga më shumë se 85 mijë në vitin 1990 në rreth 27 mijë në vitin 2021, sjell një perspektivë të zymtë mbi ecurinë e forcës së punës në dekadën në vijim. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.
Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2022, gati 80% e burrave në moshë pune u përfshinë në tregun e punës, niveli më i lartë historik. Por ndërkohë, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,2%, pasi kjo grupmoshë, sidomos pjesa e arsimuar, nuk po arrin të integrohet në tregun e punës, për shkak se shumica e vendeve të lira nuk përkojnë me përgatitjen arsimore të tyre.
Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë, kjo ishte përqindja më e lartë në rajon, pas Kosovës.
Rritja e pagave, mjet i pamjaftueshëm për frenimin e emigracionit
Anketat rajonale kanë gjetur se 80% e shqiptarëve emigrojnë për arsye ekonomike. Të ardhurat nga pagat në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë dhe 30% më pak se mesatarja rajonale. Bizneset në Shqipëri po mendojnë të përdorin pagat si mjet për të frenuar emigracionin, por sado që të jetë rritja, është e vështirë të plotësohet hendeku.
Luan Leka, themelues i EHW, pohon se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore.
Ai shton se ndërhyrja më efikase për të ngadalësuar fenomenin e emigracionit është rritja e pagave. Fenomeni ka filluar, por ai do të nxisë rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, çmimet. Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin.
Z. Leka rekomandon se përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat, që sot kalon 40% të pagës neto.
Eleni Babameto, e cila drejton kompaninë “Teuta”, një nga kompanitë më të mëdha në fushën e import-eksportit të ushqimeve dhe distribuimit të tyre, pohoi se është rritur edhe konkurrenca e brendshme pasi të gjitha bizneset janë në kërkim të punonjësve.
Kjo ka krijuar paqëndrueshmëri të stafit dhe vështirësi për të mbajtur ekuilibrin e biznesit. Babameto tha se rritja e pagave është një mjet, të cilin ajo e ka aplikuar për ta përballuar. Ajo tha se bizneset ende kanë hapësira për rritjen e pagave, pasi deri disa vite më parë kishte kërkesa të mëdha për punë.
Si në çdo treg, edhe ai i pagave varet nga oferta dhe kërkesa. Tani që ka mangësi në stafe, ne po përdorim pagat si mjet për të shmangur vështirësitë, tha Babameto.
Të dhënat e INSTAT treguan se ritmet vjetore të rritjes së pagave ishin 6% në tremujorin e dytë të vitit 2022, por kjo rritje u gërrye nga inflacioni, i cili po rritet me ritme më të larta se pagat.
Të dhëna të tjera nga INSTAT tregojnë se bizneset në Shqipëri investojnë shumë pak te kapitali njerëzor. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, investimet në trajnimin profesional të punonjësve kishin rënë nga 20-80% sipas aktiviteteve ekonomike, raportoi INSTAT, ndërsa Kodi i Punës nuk respektohet në shumë aspekte të tij./Monitor
VOAL- Në një opinion të poetit të shquar prof Martin Camajt të shkruar në letrën e datës 15 mars 197, shkruan:
“Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmënin n’idealin kombtar, flijimet tueja për kët ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e linduna për intriga ne na çojnë të vjelltë.”
Ky fragment nga arkivi i Mustafa Merlika Krujës është nxjerrë nga nipi i tij Eugjen Merlika, publicist dhe studiues.
Kjo psikologji dhe kjo poshtërsi politike shoviniste serbe, e cila po zgjatë që 35 vite vështirë të sqarohet e kuptohet, dhe as që po mendohet të revidohet nga Serbia.Kabineti i propozuar i ri qeveritarë nga presidenti Aleksander Vuqiqi,i cili edhe ka huqur menderisht, është treguesi i përqafimit të hapur të politikës të Rusisë .Dhe tjetra.Koha e zgjedhjeve në Amerikë po afron dhe të gjithë shpresat e Serbisë janë të fitorja e republikanit, Donald Tramp.Demonstrimi i një politike të shovenizmit, nuk është vëshitrë të kuptohet, kur edhe ky kabinet qeveritar serb ka në përbërjën e tij, garniturën politike të kohës së Millosheviqit.Po shpërthejnë serbët nga emocionet , që shpëtuesi i tyre Putin, të gjuan bombën bërthamore , duke e kallur botën, së kështu sipas tyre do të vjen një rend i ri botëror.Politika e tillë e ndërtuar mbi themelët iracionale edhe është iracionale.Kiqi mitik pansllavë që Vulin premton, i nxjerrë nga humnera e vërtetë , po konsiderohet shpëtim për Serbinë.Nën sanksionet amerikane për krim dhe korrupcion Aleksander Vulin, ish shef i BIA-s, dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vuqiqit, është propozuar si një nga nënkrytarët e qeverisë , pa departament të veqantë.Ky për disa kohë ka jetuar në Moskë, duke marr instrukcione atje për destabilizim të rajonit, më moticivacion fashist të botës serbe.Një agjent sekret, dhe një pleh sigurishtë së është një shqetësim për rajonin.Vulin ky faqezi sigurishtë së mori në Rusi instrukcione nga KGB-e.Ai kishte dëklaruar së “ai që nuk e donë Rusinë është armikë i Serbisë”.Kjo tregon së ky përson dhe komplet garnituara në pushtetin e Serbisë , vuan nga një epidemi e patrajtuar truri.BE dhe Amerika pas legjitimimit të ri të një strukture fashiste , ndoshta bindet së shumë zor, apo e pamundur, do të jetë të bisedohet për paqe në Ballkan.Këta njerëz bartin biografinë më të zezë, si kriminelë lufte.Vuqiq, Vulin, Daciq, Sheshel, Nikoliq, Dodik,Mandiq duhet të izolohen dhe frenohen në idenë e qmenduar të botës serbe.Ky majtizem ekstrem serb,është një masturbim mendor, i cili meriton të asgjësohet nga NATO, sepse Kosova dhe rajoni në mënyrë përmanete po kërcënohen më luftë me shumë të formës hibride nga Serbia në bashkëpunim për Rusinë.
SPAK ka përfunduar hetimet ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal, si dhe ndaj bashkëpunëtorëve në polici dhe prokurori, ndërsa i kërkon gjykatës kalimin e çështjes për gjykim.
Nga Edmond Hoxhaj, BIRN
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të shtunën më 4 maj përfundimin e hetimeve ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie. SPAK ka dërguar për gjykim çështjen ndaj shtatë të pandehurve, duke bashkëngjitur edhe të dhënat për pasuritë e sekuestruara, të dyshuara si produkt i veprës penale.
Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.
Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.
Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.
Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, ky i fundit me funksion si shef i Drejtorisë së Forcës Operacionale; si dhe prokurori Xhevahir Lita.
Prokuroria thotë së i ka bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim edhe të dhënat e pasurive të sekuestruara në cilësinë e produktit të veprës penale. SPAK ka sekuestruar 390 mijë m2 pyll e ndodhur në Pulaj-Plazh të Velipojës në Shkodër dhe pesë pasuri të paluajtshme të blera për vlerën 980 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme njofton se është ndarë çështja për për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar ende masat e sigurimit të miratuara nga gjykata, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale.
Lënia në harresë e fshatrave ka bërë që shumë prej tyre të braktisen nga banorët. Boçova e Levanit në Fier është një nga fshatrat që ka pësuar tkurrjen më të madhe gjatë viteve të fundit. Mungesa e infrastrukturës dhe shërbimeve jetike ka detyruar banorët të emigrojnë jashtë vendit. Dikur fshati numëronte mbi 400 familje, ndërsa tani në këtë fshat nuk kanë mbetur as 100 shtëpi të banuara
SYRI TV
Boçova ishte fshati më i madh në zonën e Bishanit, njësia administrative Levan, por tashmë ky fshat thuajse po shkon drejt shpopullimit total. Mungesa e perspektivës, infrastruktura e amortizuar dhe pamundësia për të fituar bukën e gojës ka detyruar banorët t’i kthejnë sytë drejt emigracionit.
Në fshat dikur kishte mbi 400 familje, ndërsa tani numri i tyre ka rënë nën 100, ku pjesa më e madhe tyre janë në moshë të madhe. Të moshuarit thonë se fëmijët e tyre kanë ikur në emigracion, në fshatin e tyre nuk as rrugë, as kopsht e shkolla për fëmijët dhe as qendër shëndetësore.
Banorët e Boçovës thonë se në fshatin e tyre nuk ka asnjë lloj shërbimi, as rrugë të shtruara dhe koshat e largimit të mbetjeve urbane duket qartë se sa shërbim marrim nga pushteti vendor…
Të ndodhur në kushte të tilla kur pushteti vendor e qeveria nuk investojnë në infrastrukturë, banorët, kryesisht rinia e kanë gjetur zgjidhjen duke emigruar në vende të ndryshme të Europës për një jetë më të mirë.
Rasti i Lali Erit dhe orvatja e tij që prokurorët t’i shpallë kolegë e gazetarët armiq, shpërfaq të vërtetën se pushtetarët e fajshëm janë të mirësjellshëm, e madje edhe bamirës, por vetëm përderisa veprojnë të papenguar. Dhe se i kthehen origjinës dhe rrugaçërisë sapo i zbulojnë se nuk janë të atillë siç tregohen.
Pastaj, rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës shpalosi të vërtetën se hajdutëria e politikanëve do ishte e pamundur nëse ata nuk do kishin mbulesën mediatike dhe përkrahjen e elitave që majmen e ushqehen nga hajdutëria e tyre.
Dhe Lali Eri dhe hajnat e tij tregojnë se pse shqiptarët ndjeheshin si popull pa atdhe, e hajdutët e kudondodhur të shqiptarisë mburreshin me mëmëdhe Shqipërinë.
Sjellja e sotme e Lali Erit shpërfaq edhe dëshpërimin e pushtetarëve të cilët gabimisht besojnë se kurrë nuk do bie dekori i rrejshëm i ‘spektaklit’ mediatik që ata i fshehë nga sytë e popullit, ‘spektakël’ që ka për qëllim ta mbulojë hajninë dhe banditizmin e tyre, ‘spektakël’ që është shkatërrimtarë për popullin dhe vrastarë për ëndrrat rinore, që e fshehë të vërtetën se anëtarë më të rëndësishëm të ‘Partisë së Hajdutëve’ janë ata që e mbulojnë hajninë.
Pra Lali Eri tani ndjehet i tradhtuar nga të gjithë, duke filluar nga Kryeshefi i hajdutëve të ‘Rilindjes’ – Piktori, e deri te mediat dhe gazetarët qo i ushqeu për ta shpërfaqur si mbjellës pemësh edhe pse ishte vetëm një mbjellës i mjerë gënjeshtrash.
Dhe s’ka si mos jetë i dëshpëruar nga të gjithë ata që e shoqëronin deri sot kur u zbulua se nuk do mund të ishte gënjeshtar i suksesshëm pa mbështetjen e atyre që defilonin nëpër ekranet televizive ku shiteshin si ajka e mendimit të pavarur dhe kritikë, por duke qenë ‘prostituta’ të paguara shtrenjtë nga makrotë e tyre – nga Lali Eri dhe Piktori!
Dhe më në fund, vëllazëria e hajdutëve me seli te Bashkia e Tiranës dëshmoi diçka shumë të dhembshme që ka të bëjë me të gjithë ne: se o jemi popull pa elita, o kemi elita pe ndërgjegje! Me çka edhe vonë e kuptuam se përderisa ka dele, do ketë kush ato t’i qethë dhe se, aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan për vështirësitë e shkaktuara në vendet e Ballkanit nga emigrimi dhe rënia e natalitetit, nga njëra anë dhe ardhja e emigrantëve nga Azia, për të cilin ato vende nuk janë të përgatitura.
Autori i tekstit, Michael Martens, të cilin e transmeton DW, përmend një anekdotë nga një konferencë ku u diskutua për rrezikun e shpërthimit të luftës në Evropën Juglindore, ku një pjesëmarrës pohoi se nuk ka rrezik sepse ka mungesë të ushtarëve në ato vende.
Martens nuk mendon se rreziku i luftës nuk ekziston, duke pretenduar se edhe forcat speciale të armatosura mirë mund të bëjnë shumë dëm, por se këto vende ende vuajnë nga mungesa e ushtarëve. Ai përmend Serbinë si shembull.
“Serbia, për shembull, ka disa vite që po armatoset fort me raketa, dronë dhe sisteme kundërajrore nga Kina dhe Rusia, të cilat së shpejti duhet të plotësohen nga avionët luftarakë francezë Rafale, kjo është një pjesë e tablosë. Tjetra është se Serbia, ashtu si vendet e tjera dhe rajoni, ka mungesë të ushtarëve që dinë ta operojnë me këtë teknikë të shtrenjtë, pra ushtria serbe ka në fakt më shumë se 300 tanke, por më së shumti një e treta ka ekuipazhe të trajnuar”, shkruan FAZ, transmeton Telegrafi.
Ai përmend si arsye se oficerët më me dëshirë shkojnë në ekonomi dhe se ka pak të rinj, sepse shërbimi ushtarak nuk është më aq tërheqës dhe sepse gjithnjë e më pak fëmijë po lindin. Gjithashtu, thuhet se emigracioni e përkeqëson problemin, sepse “vendet e rajonit nuk janë mjaft tërheqëse për të mbajtur popullsinë e tyre të re apo për të tërhequr emigrantë”.
Emigrimi – alternativa më e mirë
Autori i artikullit krahason situatën në Serbi me atë në Rumani apo Bullgari, duke deklaruar se në ato vende ndonjëherë është e mundur të ngadalësohet emigracioni nga qytetet e mëdha apo edhe të ndryshojë trendi, por vëren se këto vende janë anëtare të Bashkimit Evropian.
“Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë ende anëtare të Bashkimit Evropian dhe nuk kanë qasje të barabartë në tregun e tij, situata nuk duket aq e mirë”, shkruan FAZ, duke thënë se për shumë të rinj në ato vende emigrimi ende duket se është alternativa më e mirë, transmeton Telegrafi.
Rënia e numrit të banorëve ndikon edhe në sjelljen e investitorëve perëndimorë, thekson FAZ, duke shpjeguar se nuk ka fuqi të mjaftueshme për projekte të mëdha në industritë intensive të punës. “Një konsorcium perëndimor, i cili dëshiron të ndërtojë një fabrikë të madhe në një vend ballkanik, ra dakord para fillimit të punës që dy të tretat e punonjësve të importohen nga Filipinet”.
Vendet e Ballkanit nuk janë gati për emigrantë të rinj
Thuhet se politikanët në rajon e kuptuan vonë seriozitetin e situatës demografike dhe se tani janë në garë për të sjellë punëtorë të huaj. “Ndërkohë, transporti urban i Beogradit punëson shoferë autobusësh nga India apo Sri Lanka, sepse nuk ka të interesuar vendorë. Vendi më i varfër në Evropë, Kosova me aeroplanë ka sjellë punëtorë nga Bangladeshi për projekte të mëdha.”
Ky realitet i ri do t’i vendosë shoqëritë në rajonin e Ballkanit përballë sfidave të vështira, paralajmëron FAZ, sepse emigrantët nga Azia dhe Afrika do të kenë fëmijë, do të blejnë pasuri të paluajtshme, do të kultivojnë traditat dhe fetë e tyre dhe do të ndryshojnë pamjen e qyteteve në Evropën Juglindore, diçka me të cilën nuk janë mësuar në atë rajon.
“Potenciali për konflikt është i dukshëm. Ballkani, është e vërtetë, ka qenë multietnik për shekuj. Por të pranosh se ai territor është një rajon emigrantësh ose se duhet të bëhet, në mënyrë që të mbajë veten ekonomikisht, pushtetmbajtësit vështirë e pranojnë këtë”, përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Një zjarr i fuqishëm shpërtheu këtë të premte, më 3 maj, në një fabrikë të kompanisë industriale Diehl Metal, raporton gazeta gjermane Bild. Katastrofa mobilizoi të paktën 170 zjarrfikës në një zonë industriale të vendosur në perëndim të kryeqytetit gjerman, rruga Am Stichkanal në distriktin Berlin-Lichtefelde. Në një video të postuar nga kryeredaktori i Berliner Zeitung, Tomasz Kurianowicz, shihet ndërtesa e përfshirë nga flakët dhe tymi i zi në ajër.
Era, e cila fryn në drejtim të veriut, bën që shtëllungat e tymit të zi të ngrihen mbi rajonin e Berlinit. Tymi mund të përmbajë, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të Berlinit, Adrian Wanzel, të cituar nga Bild, acid sulfurik dhe cianid hidrogjeni që ishin ruajtur në këtë fabrikë të përpunimit të metaleve, duke përfshirë ndërtesën 2000 m², e cila u dogj në të paktën katër kate dhe u shemb.
Zjarrfikësit ndërhyjnë nga jashtë, me kostume mbrojtëse specifike, shtoi ai. Vendi është evakuuar plotësisht dhe ende nuk raportohet për të lënduar në mesin e punonjësve të fabrikës.
Megjithatë, një zjarrfikës ka pësuar shqetësime për shkak të nxehtësisë së madhe të shkaktuar nga zjarri. Popullsia e Berlinit u alarmua në fund të mëngjesit për përhapjen e një reje tymi potencialisht toksike dhe për këtë arsye të rrezikshme, dhe një zonë të madhe afër Berlinit iu kërkua të kufizohej dhe të mbyllte dritaret. Rrethet e prekura janë Steglitz-Zehlendorf, Spandau dhe në perëndim të Reinickendorf.
Zjarrfikësit e Berlinit postuan një hartë në Twitter ku tregon zonën në të cilën ky tym ka të ngjarë të përhapet, shoqëruar me udhëzime sigurie drejtuar popullatës. Sipas televizionit gjerman RBB, zjarri ka rënë në një dhomë teknike në katin e parë të kantierit. Nxënësit nga shkollat aty pranë u mbyllën brenda, duke pritur që familjet e tyre të vinin t’i merrnin.
Prodhuesi i sistemit IRIS-T furnizon Ukrainën
Diehl Metal ka selinë në këtë adresë, por aty ka edhe një degë të Diehl Defense, specifikon Berliner Zeitung. Ky konglomerat gjerman ka disa degë, duke përfshirë një të dedikuar për industrinë e armëve. Ai prodhon veçanërisht sistemin e mbrojtjes kundërajrore IRIS-T SLM, e cilësuar si zemra e të menduarit strategjik të vendeve të NATO-s në Evropë, dhe të cilin Gjermania ia dorëzon ushtrisë ukrainase për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse. Sipas faqes së specializuar të informacionit Oryx, Gjermania ka dorëzuar tashmë 12 sisteme raketash tokë-ajër IRIS-T SLM në Ukrainë që nga tetori 2022, dhe 22 raketahedhës. Prandaj, ky sistem mbrojtës është një nga ata që janë furnizuar në sasitë më të mëdha nga aleatët perëndimorë të Kievit.
Këto bateri raketore janë gjithashtu në qendër të projektit evropian të mbrojtjes kundër raketave, i quajtur European Sky Shield, i udhëhequr nga Gjermania dhe në të cilin marrin pjesë 19 vende, duke krijuar një bazë për blerjen e përbashkët publike të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore për partnerët evropianë. Dhjetorin e kaluar, raporton agjencia Euractiv, Sllovenia bleu dy sisteme IRIS-T SLM, për një shumë prej të paktën 200 milionë euro, sipas të përditshmes sllovene Delo.bw
Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, në një lidhje me Skype në rubrikën Çështja e ditës nga Klevin Muka në News 24 ka komentuar indeksin e lirisë së medias, ku Shqipëria renditej e fundit në rajon.
Kusari theksoi se nuk është e befasuar aspak nga kjo renditje. Sipas saj, Shqipëria është vend i rrezikshëm për të bërë gazetari të lirë.
“Nuk jam e befasuar nga renditja. Kjo sepse Shqipëria është vend i rrezikshëm për të bërë gazetari. Ata zëra të pavarur në gazetari i nënshtrohen presioneve politike etj, ndonjëherë nga kryeministri Edi Rama, por ndonjëherë edhe nga bizneset. Kemi problem të madh edhe me pronësinë e medias.
Nuk ka vullnet politik për të rregulluar median. Rama sulmon vazhdimisht mediat. Edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjithashtu besoj se ka luajtur rol negativ në këtë rankim. Kjo, pasi ai nuk pranon kritika, edhe pas skandaleve të fundit në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Flutura Kusari. bw
Alsu Kurmasheva në një sallë gjyqi në Rusi, 1 prill 2024.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë gazetarëve, përfshirë Alsu Kurmashevën e Radios Evropa e Lirë dhe Evan Gershkovichin e The Wall Street Journal, të cilët janë arrestuar në Rusi për akuza që ata, punëdhënësit e tyre dhe mbështetësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.
“Gazetaria nuk duhet të jetë krim askund në botë”, tha Biden në një komunikatë për shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj.
“Në Rusi, gazetarët amerikanë Alsu Kurmasheva dhe Evan Gershkovich, janë paraburgosur në lidhje me punën e tyre për Radion Evropa e Lirë dhe The Wall Street Journal”, tha Biden.
Kurmasheva – gazetare e REL-it me bazë në Pragë e cila mban dyshtetësi, amerikane dhe ruse – po mbahet në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit, për gjoja shkeljen e të ashtuquajturit ligjin për “agjentët e huaj”.
Kritikët dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se Kremlini e përdor këtë ligj për ta luftuar çdo kundërshtim.
Kurmasheva, 47 vjeçe, akuzohet edhe për përhapjen e dezinformatave për ushtrinë ruse dhe përballet me burgim deri në 10 vjet, nëse shpallet fajtore.
REL-i dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e REL-it.
Gershkovich, gazetar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, është në paraburgim më shumë se një vit në Rusi, nën akuzat për spiunim.
Autoritetet ruse nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin akuzat e tyre për spiunazh, të cilat Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane, i kanë hedhur poshtë.
Ato deklarojnë se Gershkovich ka qenë duke e bërë punën e tij dhe ka qenë i akredituar si gazetar në kohën kur është arrestuar.
Moska është akuzuar gjithashtu edhe për paraburgosjen e amerikanëve për t’i përdorur ata pastaj për shkëmbim me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të të gjithë gazetarëve, të cilët janë burgosur thjesht sepse po bënin punën e tyre”, tha Biden.
Biden tha se administrata amerikane do të njoftojë së shpejti për hapa konkretë si përgjigje ndaj arrestimit të jashtëligjshëm të gazetarëve në gjithë botën, duke e cilësuar si “kërcënim serioz” shtypjen e lirisë së medias për sigurinë kombëtare të Amerikës.
“Do të autorizoj masa, përfshirë sanksione dhe regjim vizash kundër atyre të ndërmarrin veprime abuzive për ta heshtur shtypin”, tha Biden.
Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u publikua shkresa zyrtare e vitit 2017, ku kryetari i bashkisë Erion Veliaj, jepte miratimin për financimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas gazetarit investigativ, Artan Hoxha, kjo shkresë e implikon Veliajn sepse ai firmos në emër të Këshillit Bashkiak, duke i marrë atributet dhe më tej edhe ato të bashkive të tjera të qarkut. Sipas Hoxhës të gjithë njerëzit që janë marrë me hartimin e kësaj shkrese janë në burg, përveç zotit Veliaj.
Hoxha tha se ishte telefonuar nga burgu pasi publikoi këtë shkresë zyrtare të firmosur nga Veliaj.
“Pse kjo shkresë i implikon Veliajn. E firmosur në vitin 2017, me këtë shkresë i thotë Ministrisë së Mjedisit se parimisht jemi dakord për rolin e bashkisë së Tiranës.
Pas shkresës së Veliajt të gjithë njerëzit që janë marrë me hartimin e kësaj shkrese janë në burg. Ish-ministri Lefter Koka dhe ish-sekretari Alqi Bllako janë në burg. I vetmi që nuk është në burg është Erion Veliaj. Ky është atribut i Këshillit Bashkiak. Ai ka marrë atributet edhe të bashkive të tjera të qarkut.
Kur është firmosur kjo nuk u mendua se do të vinte kjo ditë. Ata menduan që të bëjnë sa më shpejt letrat, pa menduar më tej. Atje nuk ka as një gozhdë”-tha Hoxha.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike, shkruan Zëri i Amerikës.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’.
Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës”, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.
Gazetarja kazake Zhamila Maricheva doli para gjyqit të enjten, për shkak të një artikulli që e kishte shkruar në mbështetje të shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Radio Azattyq.
Maricheva u arrestua më 24 prill derisa kishte dalë për një vrapim, dhe më pas u akuza për përhapjen e “informatave të rrejshme”.
Akuzat kundër saj burojnë nga një artikull që ajo e kishte postuar në kanalin e vet në Telegram, ProTenge, në janar, kur ajo e kishte ngritur çështjen e telasheve me të cilat Radio Azattyq përballej për të siguruar akreditim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit.
Kjo kishte nxitur frikë se Qeveria po përpiqej t’i shtypte mediat e pavarura.
Maricheva e lartësoi Radion Azattyq për, siç tha ajo, profesionalizmin e saj, duke e theksuar rëndësinë e programeve të REL-it në Kazakistan.
Një gazetar tjetër kazak, Askhat Niyazov, e kishte shpërndarë artikullin e Marichevas asokohe dhe si pasojë ishte akuzuar për shpifje.
Një gjykatë e shpalli të pafajshëm Niyazovin vitin e kaluar dhe e mbylli rastin kundër tij, duke thënë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.
Maricheva e përsëriti pafajësinë e saj gjatë seancës gjyqësore të enjten dhe theksoi se policia e shkeli të drejtën e saj duke e arrestuar për ta marrë në pyetje derisa ajo po bënte një vrapim, në vend se ta thërriste zyrtarisht për intervistim në stacion policor.
Avokatja e Marichevas, Asel Toqaeva, i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë rastin kundër saj dhe tha se të drejtat kushtetuese të Marichevas u shkelën nga policia gjatë arrestimit dhe intervistimit të saj.
Në janar 2023, Ministria e Jashtme ua mohoi akreditimin 36 gazetarëve të Radios Azattyq. Disa prej korrespondentëve nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdojnë akreditimin prej fundit të vitit 2022.
Situata u përkeqësua kur një grup i ligjvënësve kazakë e miratuan një draft projektligj, i cili do t’ia mundësonte autoriteteve të ish-republikës sovjetike ta refuzojnë akreditimin për mediat e huaja dhe reporterët e tyre, për shkaqe të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
REL-i arriti marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Kazakistanit për akreditimin para rreth dy javëve.
Komentet