Një studim i ri vë në dukje se ajri i papastërt është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua, kjo i kushton ekonomisë globale qindra miliarda dollarë çdo vit në orë pune të humbura.
Studimi i ri “Kostoja e Ajrit të Ndotur: Forcimi i Bindjes Ekonomike për Veprim”, është kryer nga Banka Botërore dhe Instituti i Matjes dhe Vlerësimit të Shëndetit.
Urvashi Narain, ekonomist i lartë për mjedisin në Bankën Botërore thotë se “Motivacioni kryesor i këtij raporti ishte të theksonte sfidën e ajrit të ndotur. Sa i përhapur është ai. Dhe gjithashtu të shtrohet cështja për veprim nga vendet. Ato nuk mund ta injorojnë këtë problem. Ato duhet të veprojnë”.
Studimi thekson se “rreth 90 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit.”
“Kur themi ndotje e ajrit flasim për copëzat e vogla që janë rreth nesh në ajrin që thithim. Ka burime të ndryshme të këtyre copëzave që janë sa një e dhjeta e madhësisë së fijes së flokut të njeriut”, thotë ekonomisti i Bankës Botërore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e këtyre grimcave vijnë nga djegia e karburantit në industri, impiante të energjisë, makina dhe kamionë dhe furrat pjekëse.
Studimi thotë se në vitin 2013 “mbi 5 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur jashtë dhe brenda shtëpive.”
Kanceri i mushkërive, azma, çrregullime kronike pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymarrjes, janë të lidhura me ajrin e ndotur. Ai mund të kotribuojë gjithashtu në sëmundjet kardiovaskulare. Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk janë të zhvilluara plotësisht.
“Ndotja e ajrit është një rrezik jo vetëm për shëndetin, por edhe një pengesë për zhvillimin. Në nivel global ka një humbje prej 225 miliardë dollarësh në të ardhura nga puna, që lidhen me vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga ajri i ndotur”.
Ekonomisti i lartë i Bankës Botërore për mjedisin thotë se vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme duhet ta trajtojnë këtë problem si pjesë të planeve të tyre të zhvillimit.
Disa rajone janë goditur më rëndë nga efektet e ndotjes së ajrit sesa të tjerat.
Raporti nuk jep rekomandime si të zgjidhet problemi i ajrit të ndotur. Ai e lë atë në duart e vendeve të veçanta të vendosim. Por raporti u bën thirrje këtyre vendeve të veprojnë me shpejtësi.
Një studim i ri ndërkombëtar ka nxjerrë në pah barrën e rëndë që vazhdon të ketë meningjiti në nivel global, duke shkaktuar mbi 250 mijë vdekje çdo vit, ku më shumë se një e treta e të cilave janë fëmijë, kryesisht në Afrikë.
Sipas kërkimit të publikuar në The Lancet Neurology, në vitin 2023 u regjistruan rreth 2.54 milion raste dhe 259 mijë vdekje nga kjo sëmundje. Autorët e studimit theksojnë se këto janë vlerësimet më të plota deri më sot, bazuar në analizën e 17 patogjenëve të ndryshëm.
Megjithatë, shifrat mbeten me një shkallë pasigurie: ekspertët vlerësojnë se numri i vdekjeve mund të variojë nga 202 mijë deri në 335 mijë, ndërsa rastet nga 2.2 deri në 2.93 milion në vit.
Meningjiti është një inflamacion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore, i shkaktuar nga viruse, baktere apo kërpudha. Forma bakteriale konsiderohet më e rrezikshmja, pasi mund të jetë fatale brenda 24 orëve nëse nuk trajtohet menjëherë.
Studimi vjen në një kohë kur një shpërthim i fundit në Britania e Madhe shkaktoi dy viktima nga 22 raste të infeksionit invaziv meningokokal B. Autoritetet shëndetësore reaguan me një fushatë të gjerë, duke administruar rreth 11 mijë vaksina dhe 14 mijë doza antibiotikësh.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse që nga viti 2000 vaksinimi global ka ndihmuar në uljen e rasteve dhe vdekjeve, progresi është më i ngadaltë krahasuar me sëmundje të tjera infektive.
Rajonet më të prekura mbeten vendet e varfra në të ashtuquajturin “rripi afrikan i meningjitit”, nga Senegali deri në Etiopia. Vendet si Nigeria, Çadi dhe Nigeri raportojnë nivelet më të larta të infeksionit dhe vdekshmërisë.
Faktorët kryesorë të rrezikut për përfundime fatale përfshijnë lindjen e parakohshme, peshën e ulët në lindje dhe ndotjen e ajrit, sipas studimit.
Sipas objektivave të Organizata Botërore e Shëndetësisë, synohet një ulje me 50% e rasteve dhe 70% e vdekjeve nga meningjiti deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2015. Por shkencëtarët paralajmërojnë se ritmi aktual i përmirësimit është rreth gjysma e asaj që kërkohet për të arritur këto objektiva.
Ata nënvizojnë gjithashtu se në shumë vende, sidomos atje ku sistemet shëndetësore janë të dobëta, një pjesë e madhe e rasteve dhe vdekjeve nga meningjiti mbeten të paraportuara, duke e bërë edhe më të vështirë luftën ndaj kësaj sëmundjeje. bw
Kina ka miratuar implantin e parë në tru të projektuar për të ndihmuar njerëzit me paralizë të rifitojnë lëvizjen e duarve, duke shënuar autorizimin e parë komercial në botë për një pajisje të tillë. Pajisja u zhvillua nga kompania kineze Neuracle Medical Technology dhe përdor një ndërlidhje tru-kompjuter (BCI).
BCI-të lidhin sistemin nervor të një personi me pajisje të afta për të interpretuar aktivitetin e trurit të tyre, duke i lejuar ata të veprojnë, siç është përdorimi i një kompjuteri ose lëvizja e një dore protetike, me anë të forcës së mendimit të tyre.
Sistemi Neuracle është i destinuar për njerëzit që kanë paralizë të shkaktuar nga dëmtime serioze të palcës kurrizore në qafë. Këto dëmtime mund të pengojnë sinjalet e trurit të arrijnë në krahë dhe duar.
Sistemi funksionon duke zbuluar sinjale të trurit të lidhura me qëllimin për të lëvizur dorën. Këto sinjale më pas përkthehen nga softueri dhe dërgohen në një dorezë robotike që mban pacienti. Doreza përdor lëvizje me ajër për të ndihmuar dorën të hapet dhe mbyllet, duke i lejuar përdoruesit të kapë objekte, sipas CGTN.
Jo të gjithë pacientët janë të përshtatshëm për ta përdorur pajisjen. Sipas mediave shtetërore kineze, ajo është menduar për të rriturit midis moshës 18 dhe 60 vjeç që kanë pasur paralizë për më shumë se një vit dhe gjendja e të cilëve ka mbetur e qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj. Pajisja është projektuar për njerëzit që nuk mund të kapin objekte me duar, por që ende ruajnë njëfarë lëvizjeje në pjesën e sipërme të krahëve.
Kina ka rritur investimet e saj në teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter vitet e fundit. Vendi kohët e fundit e ka përfshirë teknologjinë BCI si një përparësi strategjike kombëtare dhe planifikon ta përfshijë atë në planifikimin e ardhshëm ekonomik të vendit si një nxitës të mundshëm të rritjes së ardhshme.
Zhvillimi vjen në një kohë kur kompanitë në të gjithë botën po garojnë për të sjellë teknologji të ngjashme në treg. Vitin e kaluar, një tjetër ndërfaqe tru-kompjuter e zhvilluar nga kompania kineze Shanghai NeuroXess tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një burrë 28-vjeçar, i cili kishte qenë i paralizuar për tetë vjet pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore, ishte në gjendje të kontrollonte pajisjet dixhitale duke përdorur mendimet e tij pesë ditë pasi mori implantin në Kinë.
Ndërkohë, Elon Musk tha së fundmi në një postim në X se kompania e tij e implanteve të trurit Neuralink, e cila filloi provat në njerëz në vitin 2024, do të fillojë “prodhimin me vëllim të lartë” të pajisjeve BCI në vitin 2026. Neuralink tha në shtator të vitit të kaluar se 12 persona në mbarë botën me paralizë të rëndë kanë marrë implantet në tru dhe po i përdorin ato për të kontrolluar mjetet dixhitale dhe fizike përmes mendimit. bw
Në dekadat e fundit, përdorimi i substancave psikoaktive tek të rinjtë është kthyer në një nga sfidat më serioze për shëndetin publik dhe stabilitetin social. Ky fenomen nuk përfaqëson vetëm një problem individual, por një krizë komplekse që përfshin dimensione biologjike, psikiatrike, sociale
Një tru në zhvillim dhe një rrezik i lartë
Adoleshenca është një periudhë kritike e zhvillimit të trurit. Korteksi prefrontal, që kontrollon vendimmarrjen dhe impulset, nuk është plotësisht i zhvilluar. Ndërkohë, sistemi i shpërblimit (dopaminergjik) është shumë aktiv. Kjo krijon një disbalancë që i bën të rinjtë më të prirur drejt sjelljeve të rrezikshme, përfshirë përdorimin e drogës.
Substancat psikoaktive ndërhyjnë drejtpërdrejt në këtë ekuilibër, duke rritur artificialisht dopaminën dhe duke ulur serotoninën, çka çon në varësi dhe humbje të kontrollit.
Pasojat psikiatrike
Përdorimi i drogës lidhet ngushtë me një sërë çrregullimesh psikiatrike:Depresioni i rëndë
Psikoza e induktuar nga substancat
Çrregullime të personalitetit
Në shumë raste, të rinjtë përjetojnë një shkëputje nga realiteti, duke humbur aftësinë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Kjo gjendje shpesh shoqërohet me izolim social dhe ndjenjë boshllëku ekzistencial.
Rreziku i vetëvrasjes
Një nga pasojat më tragjike është rritja e rrezikut për vetëvrasje. Kombinimi i depresionit, impulsivitetit dhe humbjes së kuptimit të jetës krijon një terren të rrezikshëm. Studimet tregojnë se përdoruesit e drogës kanë një probabilitet shumë më të lartë për tentativa vetëvrasjeje krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Ndikimi në shoqëri dhe kriminalitet
Efektet e drogës nuk kufizohen vetëm tek individi. Ato përhapen në të gjithë strukturën shoqërore:
Rritje e kriminalitetit (vjedhje, trafikim, dhunë)
Shkatërrim i marrëdhënieve familjare
Margjinalizim dhe përjashtim social
Kosto të larta për sistemin shëndetësor dhe juridik
Në veçanti, tregjet ilegale të drogës janë të lidhura me forma të organizuara të krimit dhe dhunës sistemike.
Një krizë e heshtur e shoqërisë moderne
Shumë studiues e konsiderojnë këtë fenomen si një “epidemi moderne”, ku faktorët psikologjikë, ekonomikë dhe kulturorë bashkëveprojnë. Ndjenja e pasigurisë, mungesa e perspektivës dhe presioni social i shtyjnë të rinjtë drejt përdorimit të substancave si një formë arratisjeje nga realiteti.
Diagramë ilustrative Përdorimi i drogës tek të rinjtë
→PËRDORIMI I DROGËS TEK TË RINJTË ──────────── NDRYSHIME NEUROKIMIKE
Dopamina ↑ | Serotonina ↓
▼┌─────────────
ÇRREGULLIME TË TRURIT
• Kontrolli i impulsit ↓
• Emocione të paqëndrueshme • Varësi
Izolim
• Braktisje e shkollës
• Varfëri dhe marginalizim │ └────────────
▼
KRIMINALITET DHE DHUNË
• Vjedhje
• Trafik droge
• Agresion └──
PASOJAT FINALE
Humbje e realitetit
• Humbje e së ardhmes
• Rrezik për vetëvrasje ↑ └───────────
Pasojat Psikiatrike: Depresioni, Ankthi, Psikoza, Çrregullime personaliteti
Rreziku i Vetëvrasjes: Impulsivitet, Humbje kuptimi, Probabilitet më lartë për tentativa
Ndikimi në Shoqëri dhe Kriminalitet: Rritje kriminaliteti, Shkatërrim marrëdhëniesh, Margjinalizim, Kosto të larta për sistemin Përfundim Rënia e të rinjve në drogë është një problem kompleks që kërkon një qasje multidisiplinare. Parandalimi, edukimi dhe ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për të mbrojtur brezat e ardhshëm. Nëse nuk trajtohet me seriozitet, ky fenomen rrezikon të transformojë thellësisht strukturën psikologjike dhe sociale të shoqërisë.
Shoqëria nuk mund të qëndrojë indiferente përballë një krize që prek jo vetëm individin, por të ardhmen kolektive.
Sëmundjet e zemrës dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri shumë më tepër se në vendet e Bashkimit Europian.
Të dhënat krahasuese nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë se 52.9% e vdekjeve në Shqipëri lidhen me sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, ndërsa në Bashkimin Europian kjo kategori përbën 32.8% të totalit të vdekjeve.
Diferenca është e konsiderueshme dhe tregon se shqiptarët humbin jetën nga sëmundjet e zemrës në një nivel gati dy herë më të lartë se mesatarja europiane.
Në Europë, përveç sëmundjeve të zemrës, një peshë të madhe në vdekje kanë edhe tumoret, që përbëjnë 23.9% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri kjo kategori zë 15.3% të totalit. Edhe sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë një peshë dukshëm më të madhe në BE, me 7.8% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri përbëjnë vetëm 2%.
Diferenca të mëdha shfaqen edhe në kategori të tjera të sëmundjeve. Sëmundjet e aparatit të tretjes përbëjnë 4.4% të vdekjeve në BE, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.8%.
Sëmundjet mendore përbëjnë 4.3% të vdekjeve në Europë, krahasuar me 0.5% në Shqipëri, ndërsa sëmundjet e sistemit nervor zënë 4.3% në BE dhe vetëm 1.5% në vend. Po ashtu, sëmundjet endokrine dhe të ushqyerjes përbëjnë 3.5% të vdekjeve në Bashkimin Europian, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.9%.
Po shtohen pacientët me probleme të zemrës
Të dhënat e fundit tregojnë se rastet me probleme kardiake janë në rritje edhe në sistemin spitalor. Për periudhën janar–gusht 2025, në repartet e kardiologjisë u trajtuan 7,543 pacientë, nga 6,419 pacientë një vit më parë, një rritje prej 17.5%.
Edhe problemet e shëndetit mendor kanë shënuar rritje. Në të njëjtën periudhë, në spitalet psikiatrike u trajtuan 1,129 pacientë, ose 36% më shumë se një vit më parë.
Ekspertët e shëndetit e lidhin këtë tendencë me një kombinim faktorësh që lidhen me stilin e jetesës. Ndotja e ajrit, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme dhe stresi i përditshëm konsiderohen ndër arsyet kryesore që po rrisin simptomat kardiake dhe neurologjike në popullsi.
Ndikimet e fshehura të stresit dhe punës sedentare janë bërë një shqetësim i madh për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve në korporata dhe biznese.
Mjekja psikiatre Dr. Arjana Rreli, ka pohuar më herët për Monitor se stresi kronik në punë mund të shkaktojë pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik.
“Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit në mjedisin e punës mund të çojë në lodhje emocionale, shqetësime të gjumit dhe madje edhe probleme kardiovaskulare”, – shpjegon ajo.
Sipas kardiologut Dr. Endri Hasimi, ndikimi i stresit kronik në shëndetin kardiovaskular është shpesh i nënvlerësuar. “Kur një individ është vazhdimisht i ekspozuar ndaj stresit në punë, trupi prodhon sasi të larta kortizoli, i cili rrit presionin e gjakut dhe përshpejton zhvillimin e sëmundjeve të zemrës”, – shpjegon ai. “Për më tepër, mungesa e lëvizjes dhe një dietë e pashëndetshme mund të çojnë në formimin e pllakave në arterie, duke rritur rrezikun e infarktit”.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në një analizë për ecurinë e sëmundjeve të zemrës vitet e fundit gjeti se sëmundjet kardiovaskulare kanë përparuar me shpejtësi në dekadën e fundit.
Rastet e diagnostikuara çdo vit në spital janë gjithashtu në rritje së bashku me volumin e shërbimeve diagnostike dhe kirurgjikale. Ndërhyrjet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës të kryera nga QSUT pothuaj janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10 vitet e fundit.
Risku i sëmundjeve të zemrës në Shqipëri vjen duke u rritur me moshën dhe është më i lartë tek burrat krahasuar me gratë. Në grup – moshën 30-69 vjeç vdekshmëria dhe sëmundshmëria janë rreth 2 herë më të larta tek meshkujt, ndërsa pas kësaj moshe diferenca zvogëlohet në vetëm rreth 20%.
Diferencat mes grave dhe burrave janë akoma më të mëdha kur krahasojmë sëmundshmërinë. Arsyet e diferencës përfshijnë mbrojtjen hormonale te femrat para menopauzës, si dhe ekspozimin më të lartë ndaj duhanpirjes dhe abuzimit të alkoolit.
OBSH rekomandon t’i kushtohet vëmendje vlerësimit të përgjithshëm të një numri faktorësh risku për sëmundjet e zemrës dhe aksidentet cerebrovaskulare, në vend të një të vetmi, me synim zvogëlimin e riskut total.
Shqipëria renditet ndërkohë ndër një nga vendet me nivelin më të lartë të obezitetit, që është një tjetër faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe vdekshmërinë prej tyre. Sipas Eurostat 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbi peshë, duke u renditur në zonën e rrezikut.
Femrat shqiptare duket se janë shumë më të kujdesshme se meshkujt. Sipas Eurostat, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, ndër më të lartat në Europë.
Gjysma e femrave shqiptare (50.9%) konsiderohen që janë mbipeshë, sipas të dhënave të Eurostat.
Një studim i ri sugjeron se miopia mund të lidhet më shumë me mënyrën si i përdorim sytë në ambiente të mbyllura sesa thjesht me kohën para ekranit.
Prej vitesh, rritja e rasteve të miopisë i është atribuar përdorimit të tepërt të pajisjeve elektronike, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë. Por studiues nga State University of New York College of Optometry sugjerojnë se problemi mund të jetë më kompleks.
Sipas profesor Jose-Manuel Alonsos, miopia ka arritur nivele pothuajse epidemike në mbarë botën, duke prekur rreth gjysmën e të rinjve në Europë dhe SHBA, dhe deri në 90% në disa pjesë të Azisë Lindore. Edhe pse gjenetika luan rol, rritja e shpejtë brenda pak brezash tregon se faktorët mjedisorë janë vendimtarë.
Studimi propozon se miopia mund të zhvillohet kur sytë fokusohen për një kohë të gjatë në objekte të afërta, sidomos në ambiente me dritë të dobët. Në këto kushte, bebja e syrit ngushtohet për të parë figurën, duke ulur sasinë e dritës që arrin në retinë. Nëse ndriçimi është i pamjaftueshëm dhe fokusi i afërt zgjat shumë, aktiviteti i retinës dobësohet, duke favorizuar zhvillimin e miopisë.
Autorja kryesore, Urusha Maharjan, shpjegon se në dritë të fortë natyrale, bebja e syrit rregullohet nga ndriçimi dhe lejon mjaftueshëm dritë për retinën. Ndërsa brenda, kur shohim telefona apo libra në dritë të zbehtë, kombinimi i fokusit të afërt dhe ndriçimit të ulët mund të reduktojë ndjeshëm ndriçimin e retinës.
Studimi, i publikuar në revistën Cell Reports, sugjeron se ekspozimi ndaj dritës së fortë natyrale dhe kufizimi i fokusit të zgjatur nga afër mund të ndihmojnë në kontrollin e miopisë.
Megjithëse nevojiten kërkime të tjera, studiuesit besojnë se kjo hipotezë ofron një mënyrë të re për të kuptuar dhe parandaluar përparimin e miopisë. /Talker News – Syri.net
Kardiokirurgjia në QSUT, nuk njeh sprapsje. Atje vazhdohet të kërkohet kafe me shumë sheqer. Sheqeri nuk matet me lugë, por me 3-4-5 mijë euro. Por në vend që të marrin masa, mjekëve kardiokirurgë u kërkohet “kujdes”, që të mos flasin shumë hapur me pacientët. E frikshme kjo të ndodhë nga njeriu që unë e konsideroja “pasuri”, “të artë”, “fat” për Shqipërinë. Ai e di, se unë ia kam thënë.
Janë njerëz të varfër, me pamundësi, me halle, me probleme. Si mund t’u merren shifra të çmendura këtyre?
Ku është humaniteti i mjekut këtu?
Patjetër që jeni të papaguar, por t’ju dalë muaji me 70-100 mijë euro, është e frikshme.
Ja llogaria që më bëri një prej tyre.
Minimumi për një sallë në shtet marrin 3 mijë euro. 3 salla në javë= 9 mijë euro.
Sa mbarojnë sallën në shtet shkojnë në privat, ku mjeku merr me qira sallën. Kushton 8-9 mijë euro operacioni. 5 i merr kardiokirurgu, 3-4 spitali. Pra 3 operacione në privat= 15 mijë euro. 15 mijë euro privati+9 mijë euro shteti = 24 mijë euro java.
4 javë × 24 mijë euro = 96 mijë euro muaji.
Këto shifra janë një çmenduri.
Ju nuk po bëni mjeksi, të nderuar kardiokirugë. Ju po përdorni profesionin më të nderuarin e botës, atë të mjekut, për të rropatur pacientët.
Po mendojeni pak, sikur ju të nderuar kardiokirurgë, të ishit pacient, jo mjek. Edhe nëse s’do kishit, a nuk do i nxirrnit nga dheu lekët, për të shpëtuar zemrën e nënës, babait, fëmijës, gjyshes, gjyshit?
Pse kaq të pashpirt dhe lekist?
Gjatë 2025-ës, është bërë nami duke çuar pacientë në privat, (operohen nga kardiokirurgët e QSUT-së). Pra kardiokirurgët marrin me qira sallat e spitaleve private dhe bëjnë operacionet e atyre pacientëve që kanë shkuar në shtet, për t’u trajtuar. Në shtet këtyre pacientëve u është thënë se radha është 2-3 muaj. Pra detyrohen të shkojnë në privat pacientët e sëmurë nga zemra.
A mundet që mjeku të bëhet tregtar zemrash?
A mundet që një mjek të bëhet trafikant pacientësh? Po sekser?
Këto po ndodhin në QSUT.
Disa mjekë aty vërtetë janë të artë, por kanë vesin e keq të lekut, që artin e tyre, e shesin shtrenjtë. Ky nuk është humanizëm. Ky është korrupsion.
Kjo është skandaloze. Shëndetësia falas nuk ekziston. Ajo është vetëm propagandë. Shëndetësia është e kripur. Atë e paguajnë pacientët shtrenjtë pacientët. Si ai rasti, kur pacienti priste t’i rritej viçi, që ta shiste 800 mijë lekë, se një mjek (kirurg) aq i kishte kërkuar për operacionin). Por se tek kardiokirurgjia dhe neurokirurgjia, operacionet shiten shtrenjtë. Por për neurokirurgjinë do flasim një ditë tjetër.
Shpërthimi i virusit vdekjeprurës Nipah në shtetin Bengali Perëndimor të Indisë ka shkaktuar shqetësim në disa pjesë të Azisë, me disa vende që kanë forcuar kontrollet në aeroporte.
Tajlanda ka filluar të kontrollojë pasagjerët në tre aeroporte që marrin fluturime nga Bengali Perëndimor. Nepali gjithashtu ka nisur kontrollet në aeroportin e Katmandusë dhe në pika të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Pesë punonjës shëndetësie në Bengalin Perëndimor u infektuan nga virusi në fillim të këtij muaji, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike. Rreth 110 persona, që kanë pasur kontakt me ta, janë karantinuar.
Virusi mund të përhapet nga kafshët tek njerëzit. Ai ka një shkallë të lartë vdekshmërie – nga 40% deri në 75% – pasi nuk ka vaksinë ose ilaç për ta trajtuar.
Çfarë është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat e tij?
Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshët, si derrat dhe fluturat e frutave, tek njerëzit. Ai gjithashtu mund të përhapet person-person përmes ushqimeve të kontaminuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka renditur Nipah ndër dhjetë sëmundjet me prioritet të lartë, së bashku me patogjenë si Covid-19 dhe Zika, për shkak të potencialit të tij për të shkaktuar një epidemi.
Periudha e inkubacionit varion nga katër deri në 14 ditë.
Personat që kontraktojnë virusin mund të shfaqin një gamë të gjerë simptomash, ose ndonjëherë, asnjë simptomë.
Simptomat fillestare mund të përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe dhimbje fyti. Tek disa njerëz, këto mund t’i pasojnë gjendjet e gjumit të tepërt, ndërgjegjja e ndryshuar dhe pneumonia.
Encefaliti, një gjendje që mund të jetë vdekjeprurëse dhe shkakton inflamacion të trurit, mund të ndodhë në rastet e rënda.
Deri tani nuk ka ilaçe apo vaksina të miratuara për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Ku kanë ndodhur shpërthimet e mëparshme?
Shpërthimi i parë i njohur i Nipah ishte në vitin 1998 midis fermerëve të derrave në Malajzi dhe më pas u përhap në Singaporin fqinj. Virusi mori emrin nga fshati ku u zbulua për herë të parë.
Më shumë se 100 persona humbën jetën dhe një milion derra u asgjësuan për të kontrolluar virusin. Ai shkaktoi gjithashtu humbje të konsiderueshme ekonomike për fermerët dhe ata që merreshin me tregtinë e bagëtive.
Bangladeshi ka qenë më i prekur në vitet e fundit, me më shumë se 100 persona që kanë vdekur nga Nipah që nga viti 2001.
Virusi është gjetur gjithashtu në Indi. Shpërthime u raportuan në Bengalin Perëndimor në vitet 2001 dhe 2007.
Së fundmi, shteti jugor i Keralas ka qenë një pikë e nxehtë për virusin Nipah. Në vitin 2018 u raportuan 19 raste, nga të cilat 17 ishin fatale; dhe në vitin 2023, dy nga gjashtë rastet e konfirmuara vdiqën më pas.
Çfarë po ndodh tani?
Të paktën pesë raste të konfirmuara u raportuan deri javën e kaluar, të gjitha të lidhura me një spital privat në Barasat. Dy infermiere po trajtohen në një njësi intensive të kujdesit kardiak, njëra prej të cilave mbetet në gjendje “shumë kritike”, raportuan mediat lokale duke cituar departamentin e shëndetit të shtetit.
Asnjë rast nuk është raportuar jashtë Indisë, por disa vende po marrin masa të shtuara kujdesi.
Të dielën, Tajlanda filloi kontrollin e pasagjerëve në tre aeroporte ndërkombëtare në Bangkok dhe Phuket që presin fluturime nga Bengali Perëndimor. Pasagjerëve nga këto fluturime u është kërkuar të bëjnë deklarata shëndetësore.
Departamenti i parqeve dhe i faunës ka zbatuar gjithashtu kontrolle më të rrepta në atraksionet turistike natyrore.
Jurai Wongswasdi, një zëdhënëse e Departamentit për Kontrollin e Sëmundjeve, i tha BBC-së se autoritetet tajlandeze janë “mjaft të sigurta” për parandalimin e një shpërthimi në Tajlandë.
Nepali gjithashtu ka nisur kontrollin e njerëzve që arrijnë përmes aeroportit të Katmandu dhe pikave të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Tajvan kanë propozuar që virusi Nipah të klasifikohet si “Sëmundje Kategoria 5”. Sipas sistemit të ishullit, sëmundjet e klasifikuara në Kategorinë 5 janë infeksione të reja ose të rralla me rreziqe të mëdha për shëndetin publik, që kërkojnë raportim të menjëhershëm dhe masa speciale kontrolli.
Psikologia Valentina Telhaj u shpreh në emisionin News24 Fundjava se shumë nga problemet që hasin prindërit pasqyrohen te fëmijët. “Një studim ka treguar se kur një nënë ndodhet në depresion, kjo reflektohet edhe në zhvillimin e trurit të fëmijës. Predispozita për të kaluar problemet nga prindërit te fëmijët është e lartë, rreth 30-40%,” tha ajo.
Telhaj nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të modeleve prindërore. “Një nga modelet më të dëmshme është: ‘ulo, mëso, mos bëj këtë, mos bëj atë’. Është më mirë të ftojmë fëmijët të flasin dhe të pyesim: ‘Cilat janë prioritetet e tua? Çfarë mendon se do të ndodhë nesër në shkollë nëse nuk përfundon detyrat?’”
Ajo shtoi se çdo fëmijë ka tendenca dhe modele të ndryshme të të mësuarit, dhe mbështetja e vazhdueshme është një nga mënyrat më efektive për të ndihmuar fëmijët të zhvillohen. “Prindërit nuk duhet t’i krahasojnë fëmijët me bashkëmoshatarët e tyre. Studimet tregojnë se krahasimet janë të dëmshme,” tha Telhaj.
Psikologia paralajmëroi gjithashtu për efektet afatgjata të abuzimit: “Të gjitha problemet që kanë prindërit pasqyrohen te fëmijët. Një studim tregoi se kur një nënë ndodhet në depresion, kjo ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijëve. Predispozita për të kaluar problemet nga prindërit te fëmijët është e lartë, rreth 30-40%. Prindërit duhet të ndryshojnë modelin e tyre të sjelljes. Një nga modelet më të këqija është: “Ulu, mëso, mos bëj këtë, mos bëj atë.” Më mirë është të ftojmë fëmijët të flasin dhe t’i pyesim: “Cilat janë prioritetet e tua? Nëse nuk kryen detyrat, çfarë do të ndodhë nesër në shkollë?”. Fëmijët kanë tendenca dhe mënyra të ndryshme të të mësuarit. Një nga metodat më efektive është mbështetja dhe ndihma për t’i ndihmuar të qëndrojnë pas detyrave. Prindërit nuk duhet t’i krahasojnë fëmijët me bashkëmoshatarët e tyre. Të gjitha studimet tregojnë se krahasimet janë të dëmshme. Abuzimet seksuale në fëmijëri, sado të trajtohen, nuk mund të trajtohen plotësisht. Një nga format më ekstreme është abuzimi në fëmijëri të hershme dhe gjatë pubertetit. Dhuna psikologjike shpesh është më e rëndë se ajo fizike, po ashtu edhe neglizhimi.”, tha ajo.
Telhaj përfundoi duke theksuar se mbështetja, komunikimi dhe një qasje e kujdesshme prindërore janë çelësi për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju? Ndoshta i kërkuat të hartonte një ese, apo një analizë të thellë të të dhënave, sipas BBC.
Disa ekspertë shqetësohen se realizimi i detyrave nga IA-ja do të thotë që truri juaj po punon më pak – dhe madje mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve.
Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) publikoi këtë vit, një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese – treguan më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë kryerjes së ushtrimit.
Këta njerëz gjithashtu nuk mund të përshkruanin esetë e tyre aq lehtë sa personat që nuk përdorën një chatbot të inteligjencës artificiale.
Hulumtuesit thanë se studimi tregoi një rënieje të aftësive të të nxënit.
Të gjithë 54 pjesëmarrësit u rekrutuan nga MIT dhe universitetet aty pranë. Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua duke përdorur elektroencefalografi (EEG), e cila përfshin vendosjen e elektrodave në kokë.
Disa nga kërkesat e pjesëmarrësve përfshinin pyetjen ndaj IA-së për të përmbledhur pyetjet e eseve, për të gjetur burime, si dhe për të përmirësuar gramatikën.
IA-ja u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe artikuluar ide – por disa përdorues menduan se ajo nuk ishte shumë e mirë në këtë.
IA-ja e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve
Universiteti “Carnegie Mellon” dhe “Microsoft” zbuluan se aftësitë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin shumë të varur nga IA-ja.
Ata anketuan 319 punonjës të mjekësisë që përdorën mjete IA për punët e tyre të paktën një herë në javë.
Ata shqyrtuan 900 shembuj të detyrave të dhëna për IA-në, duke filluar nga analizimi i të dhënave për njohuri të reja deri te kontrolli nëse puna përmbushte rregulla të caktuara.
Studimi zbuloi se besimi më i lartë në aftësinë e IA-së për të kryer një detyrë lidhej me përpjekje më të vogla të të menduarit të rëndësishëm.
Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësve, ai mund të pengojë angazhimin e rëndësishëm. me punën dhe potencialisht mund të çojë në mbështetje të tepruar afatgjatë në inteligjencën artificiale dhe aftësi të reduktuar për zgjidhjen e pavarur të problemeve.
Nxënësit e shkollave në Britaninë e Madhe u anketuan në mënyrë të ngjashme për një studim të botuar në tetor nga “Oxford University Press” (OUP).
Ai zbuloi se gjashtë në 10 nxënës mendonin se IA-ja kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punën shkollore.
Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a rrezikojnë të dobësohen aftësitë tona njohëse?
“Jo domosdoshmërisht”, tha Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP e cila punoi në anketën shkollore.
“Hulumtimi ynë na tregon se nëntë në 10 studentë thonë se IA-ja i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me detyrat shkollore – qoftë zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo rishikimi.
“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i IA-së ua bëri shumë të lehtë kryerjen e punës”, shtoi ajo.
ChatGPT, e cila ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë javorë – sipas shefit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 pyetjesh për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.
Por, Prof. Wayne Holmes, i cili kryen studime të rëndësishme të inteligjencës artificiale dhe arsimit në |University College London” (UCL), tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.
“Duhet të bëhen shumë më tepër kërkime akademike rreth efekteve të mjeteve të IA-së në të nxënë – përpara se nxënësit dhe studentët të nxiten për t’i përdorur ato”, tha ai.
“Sot nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, ose për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv”, tha Holmes.
Prof. Holmes theksoi hulumtimin rreth atrofisë konjitive, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt përkeqësohen pas përdorimit të inteligjencës artificiale. bw
Blerta Sejdija ishte 17-vjeçare kur e pranoi një pije nga një burrë i panjohur.
“Disa herë i thashë se nuk doja”, tregon Sejdija për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai këmbënguli dhe shkoi ta blinte një pije energjike. Pikërisht kjo këmbëngulje e shtyu Blertën ta ndiqte atë instinktivisht për të parë sesi ai po hidhte diçka në pijen e saj.
“Edhe pse prindërit të thonë vazhdimisht të jesh e kujdesshme, nuk mendoja se diçka e tillë ndodh vërtet” thotë ajo.
Ngjarja në një kafene pranë Prishtinës e ndryshoi rrjedhën e karrierës së saj dhe e shtyu atë të përkushtohej ndaj problemit të hedhjes së drogës apo substancave të tjera në pije pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.
Arsyeja pse atë natë ajo veproi instinktivisht dhe u mbrojt lidhet me njohuritë që kishte fituar përmes organizatës “Beat Sexism”, të cilën e kishte themeluar një vit më parë për, siç thotë ajo, ta luftuar patriarkatin.
E lindur dhe e rritur në Çeki, nga prindër me prejardhje nga Kosova, Sejdija sot e ndan kohën dhe angazhimin e saj mes këtyre dy vendeve. Megjithatë, se ndotja e pijes me substanca narkotike ishte kaq e përhapur, ajo e kuptoi vetëm në vitin 2021, kur vendosi ta ndajë publikisht përvojën e saj dhe të hapë një diskutim në Çeki.
“Vendosëm të mbledhim rrëfime të grave të tjera, sepse kuptuam se ky nuk ishte problem i izoluar, por diçka që prek shumë gra”, tregon Sejdija.
Blerta Sejdija dhe Veronika Shimkova gjatë prezantimit të platformës së sapothemeluar “Blurred”, në Pragë më 10 nëntor.
Se nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një problem më të gjerë shoqëror, e dëshmojnë edhe të dhënat dhe historitë që viktimat kanë ndarë me ta.
Sipas të dhënave që organizata e saj ka mbledhur në bashkëpunim me policinë dhe qeverinë në fillim të këtij viti, çdo i treti i anketuar në Pragë është përballur me hedhje të padëshiruar të drogës në pije.
Kjo ndodh më së shpeshti te gratë e reja, shpjegon Sejdija, por rasti i fundit i përdhunimit të Gisele Pelicot në Francë ka treguar se mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.
“Mund të ndodhë në një takim romantik, mes një çifti apo edhe mes personash të martuar, mund të ndodhë edhe mes miqsh ‘për qejf’”, sipas saj.
Se bëhet fjalë për një dukuri të përhapur e dëshmon edhe rasti në një festival muzikor, po ashtu në Francë, ku 145 njerëz raportuan se ishin shpuar me shiringë.
Arsyet pse ndodh kjo janë të ndryshme dhe nuk lidhen vetëm me sulme seksuale, por edhe me vjedhje, forma të tjera dhune, madje ndonjëherë edhe “për shaka”, pavarësisht se pasojat mund të jenë shkatërruese. Në shumicën e vendeve ky akt nuk është i kriminalizuar veçmas, ndërsa Sejdija shton se Mbretëria e Bashkuar ka një praktikë pozitive.
Shtimi i alkoolit, drogës së jashtëligjshme ose ilaçeve në ushqim, pije apo cigare të një personi është i paligjshëm dhe, përmes ligjeve të ndryshme britanike, mund të dënohet nga gjashtë muaj deri me burgim të përjetshëm. Së fundmi, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar edhe krijimin e një vepre të veçantë penale që lidhet me këtë çështje.
“Qëllimi ynë me futjen e kësaj vepre të re penale është të inkurajojmë viktimat të dalin hapur dhe t’i raportojnë incidentet në polici, si dhe të ndihmojmë në tejkalimin e pengesave kryesore në ndjekjen penale të rasteve të hedhjes së substancave në pije, në mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë britanike të Drejtësisë lidhur me këtë dispozitë të ardhshme ligjore.
Problem edhe në Ballkanin Perëndimor
Se edhe të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me këtë problem, e konfirmon Stefan Pejiq nga organizata beogradase “Re Generation”, por, sipas tij, është e vështirë të flitet për përhapjen reale të hedhjes së substancave në pije, pasi këto raste raportohen shumë rrallë.
“Organizatave si e jona u drejtohen persona që besojnë se janë përballur me hedhje të substancave në pijen e tyre, ose kanë dyshime të bazuara, por shpesh nuk i raportojnë rastet te autoritetet. Arsyet janë frika, mungesa e besimit në institucione, stigma, por edhe pasiguria. Shumë persona nuk janë të sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, veçanërisht nëse nuk u kujtohet saktë, ose nuk kanë prova të qarta”, thotë ai.
Për këto arsye, thekson Pejiq, është e rëndësishme të punohet në njohjen dhe parandalimin e kësaj forme dhune, në edukim, si dhe në përmirësimin e reagimit institucional.
“Parandalimi duhet të shkojë shumë më tej sesa këshilla ‘kujdes se mos të hedhin diçka në pije’. Mesazhe të tilla, edhe pse me qëllim të mirë, e transferojnë përgjegjësinë te personat që mund të jenë viktima, në vend se te ai që e shkakton dhunën” shpjegon Pejiq.
Sipas tij, parandalimi nënkupton staf të trajnuar në bare, si dhe protokolle të qarta.
“Parandalimi duhet të shkojë shumë më tej sesa këshilla ‘kujdes se mos të hedhin diçka në pije’”.
Stefan Pejiq
Të gjitha këto i kishte parasysh edhe Blerta Sejdija kur, në mes të nëntorit, së bashku me kolegen e saj Veronika Shimkova, lansoi platformën “Blurred”.
Bëhet fjalë për një platformë digjitale unike që përfshin programe edukative, trajnime për parandalim, punëtori dhe ligjërata për shkolla, si dhe mundësinë që një person të raportojë nëse dyshon se është droguar pa dijeninë e tij.
Qëllimi, siç shpjegon Sejdija, është që përmes avokimit, shkencës dhe inovacionit të luftohet problemi i hedhjes së substancave në pije dhe që aktivizmi të shndërrohet në diçka që ofron ndihmë konkrete.
“Ne nuk i lidhim vetëm dhembshurinë dhe sigurinë, por edhe shkencën dhe teknologjinë për të krijuar diçka funksionale. Sepse, siç e dimë, ekzistojnë disa teste në treg që në fakt nuk ndihmojnë nëse dëshironi të kontrolloni pijen dhe krijojnë një ndjenjë të rreme sigurie”, nënvizon ajo.
Në treg ekzistojnë teste të ndryshme që shiten me pretendimin se ndihmojnë në zbulimin e substancave të padëshiruara – nga manikyr të thonjve që ndryshojnë ngjyrë, deri te teste të ndryshme që mund të porositen online, mjafton një klikim online.
Lansimi i platformës “Blurred” kundër hedhjes së substancave në pije, në Pargë, nga themelueset Blerta Sejdija dhe Veronika Shimkova, 10 nëntor.
Megjithatë, se ato nuk janë më të besueshmet, e konfirmon edhe Martin Kuchar, shef i Laboratorit për Analizë Forenzike të Substancave Bioaktive në Universitetin Teknologjik të Pragës. Një nga problemet është se testet nuk funksionojnë në pije me ngjyrë dhe se përqindja e drogës në pije duhet të jetë e lartë që testi ta zbulojë atë. Por, Kuchar shpjegon se edhe një përqindje më e vogël e drogës mund të ndikojë te viktima.
“Ndryshimi i ngjyrës ndodh vetëm në nivele më të larta të substancës aktive. Po flas për GBL, MDMA, benzodiazepina dhe droga të tjera. Nga perspektiva ime, testet komerciale nuk funksionojnë dhe mund të çojnë në rezultate të rrejshme negative” thotë ky ekspert forenzik.
Testet janë verifikuar edhe në laboratorin e Fakultetit Teknologjik. Droga është hedhur në pije të ndryshme, nga vera e kuqe dhe e bardhë e deri te pijet joalkoolike. Megjithatë, testet, të dizajnuara për të ndryshuar ngjyrë në prani të drogës, nuk reaguan.
“Ndoshta funksionojnë nëse testohen vetëm me ujë dhe drogë”, thotë Kuchar. “Kemi dokumentacion fotografik që tregon se testet nuk ndryshuan ngjyrë. Nëse kanë ndryshuar, atëherë në pije ka pasur një dozë shumë të lartë alkooli ose ngjyra është ndikuar nga vetë ngjyra e pijes”.
Për momentin, thotë Kuchar, nuk ka teste te të cilat përdoruesit mund të mbështeten 100 për qind.
Çfarë të bëni nëse sulmoheni?
Kur dikush ju drogon kundër vullnetit tuaj, keni 20–30 minuta për të ndërmarrë diçka, shpjegon Blerta Sejdija.
“Së pari vini re se diçka po ndodh në organizmin tuaj. Ndjeni marramendje, shikimi ju turbullohet, mund të filloni të mos i ndieni fare disa pjesë të trupit”, thotë ajo.
“Nuk është faji juaj, përgjegjësia është gjithmonë në anën e sulmuesit”.
Blerta Sejdija
Ndonjëherë droga e ndryshon shijen e pijes dhe ajo bëhet e hidhur, ndonjëherë i ndryshon ngjyrën ose bëhet e turbullt.
“Të gjitha këto janë gjëra të vogla që mund t’i vini re dhe që janë nën kontrollin tuaj. Ajo që nuk është nën kontrollin tuaj është mënyra se si trupi juaj do të reagojë”, sipas saj.
Të gjithë këshillohen që, nëse papritur nuk ndihen mirë, t’i tregojnë personit pranë ose stafit të lokalit.
“Mos u izoloni, sepse nuk e dini se çfarë doze keni marrë dhe si mund të reagojë trupi juaj”.
Nëse është e mundur, do të ishte e dëshirueshme të ruhet pjesa e mbetur e pijes, pasi ajo mund të testohet për prani droge, sepse substanca largohet shpejt nga trupi. Duhet të pini shumë ujë, të shkoni në një vend të sigurt, të vendoseni në një pozicion të qëndrueshëm dhe patjetër të telefononi policinë.
“Kur të arrini në urgjencë, kërkoni që t’ju bëhet analizë toksikologjike, sepse mund të mos e dinë se ju ka droguar dikush. Shpesh ndodh që të shkoni në urgjencë dhe t’ju thonë se keni pirë shumë”, shpjegon Sejdija.
Ajo që ndodh shpesh është edhe fakti që njerëzit nuk e raportojnë rastin në polici, sepse do t’i fajësojnë ose nuk do t’iu besojnë.
“Nuk është faji juaj, përgjegjësia është gjithmonë në anën e sulmuesit”, thotë ajo.
Kur atë mbrëmje në kafenenë pranë Prishtinës burri i panjohur u kthye me pijen, në të cilën tashmë kishte diçka për të cilën ajo nuk kishte dhënë pëlqimin, Blertën e zuri paniku. Por, ajo nuk e shfaqi këtë.
“Nga ajo anë isha krenare për veten. Por, nuk jam krenare për mënyrën se si e zgjidha më pas situatën – nuk e raportova, nuk u përballa me të, thjesht ika, gjë që ishte një akt vetëmbrojtjeje”, shpjegon ajo.
Në atë moment, thotë ajo, nuk donte që ai të bëhej edhe më agresiv, ndaj trilloi se duhej të shkonte në tualet me shoqen dhe nuk u kthyen më kurrë.
“Ajo natë vërtet e ka formësuar mënyrën se si mendoj për sigurinë gjatë daljeve dhe veçanërisht për hedhjen e substancave në pije si një fenomen të tërë, të cilin që nga ai moment kam filluar ta hulumtoj”, tregon ajo.
Me organizatën e saj, Sejdija sot planifikon të punojë në edukim dhe në gjetjen e zgjidhjeve për problemin e hedhjes së substancave në pije. Për momentin ata veprojnë në Evropën Qendrore, por në të ardhmen planifikojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në pjesë të tjera të Evropës.
Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar në lidhje me kërcënimin me jetë ndaj gazetarit Osman Stafa, pas denoncimeve për Spitalin Onkologjik.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu,. Berisha u shpreh se gazetari faktoi se tek Onkologjiku kanë ndodhur krime kundër njerëzimit.
“Kërcënimi vjen vetëm një muaj pasi mafia më e rrezikshme i vendosi minën gazetarit të mirënjohur italian kundër mafias shqiptare.
Osman Stafa me investigimet e tij ka provuar para shqiptarëve dhe mbarë Europës se regjimi i Ramës ka kryer krime kundër njerëzimit tek Onkologjiku,, se të sëmurët janë privuar nga ilaçet jetike në betejën e tyre me sëmundjen. Të sëmurët janë privuar nga aparaturat e domosdoshme të mjekimit dhe diagnozës.
Këto qendrime që tejkalojnë çdo imagjinatë kanë kushtuar me qindare vite jetë të këtyre të sëmurëve të marrë së bashku.
Rama është kryeministri i parë që pohon publikisht se ilaçet nuk i siguruam sepse të sëmurët me këtë sëmundje janë të shumtë në numër.
Në shumë raste vërtetoi se ishin vjedhjet e abuzimet mafioze të atyre që plaçkitën, bënë tenderat dhe nuk sollën një ilaç të vetën. Ministra dhe drejtor spitali.
Kanë ndodhur krime të rënda në 32 vite, por garantoj shqiptarët se krimi më i shëmtuar ka ndodhur në atë spital”, tha ai. bw
Në studion e “News24 Fundjavë” ishte sot e ftuar psikiatrja Denisa Hoxha, e cila foli në lidhje me ankthin, atakët e panikut dhe çrregullimet me të cilat përballen sot shqiptarët, e kryesisht rinia.
Ajo u shpreh zgjidhja më e mirë kur je në një situatë ku ankthi dhe stresi po të mposht, është t’i drejtohesh specialistit.
“Stresi është kthyer në kryefjalën e shqiptarëve. Vuajmë shumë nga ankthi dhe stresi por kujdesemi shumë pak për t’i menaxhuar ato. Pyetjet që has më shumë janë: Si ta menaxhoj stresin e punës dhe të balancojmë punën dhe jetën personale? Njerëzit jetojnë në multi tasking kur duhet të bëjnë 2 -3 gjëra njëherazi.
Kur stresi të mbyt nuk ke më shpëtim dhe i drejtohesh psikologut apo psikiatrit, ose edhe një faqe si e jona ku marrim c çdo ditë të paktën 500 pyetje të cilëve u përgjigjemi brenda 24 orëve. Atë që mendja mundohet të fshehë, trupi nuk e harron. Ndodh që njerëzit që më në fund arritën të kenë një ambient stabël, papritur ndodh një atak paniku dhe një gjendje ankthi. Kjo ndodh sepse përgjatë jetës janë funksionalë dhe mekanikë, duke shkelur dhe neglizhuar emocionet dhe ndjesitë. Në këtë kohë nuk e kontrollon më trupin tënd.
Trupi të thotë merru me veten më shumë”, tha ajo, ndërsa ka sugjeruar edhe një ushtrim frymëmarrjeje që ndihmon në qetësimin e trupit dhe uljen e rrahjeve të zemrës në momente të tilla.”, tha ajo.
Psikiatrja u shpreh se ushtrimi konsiston në frymë marrjen nga hundë për 4 sekonda, mbajtjen për 6 sekondë, dhe frymë nxjerrjen për 8 sekonda.
Komentet