VOAL

VOAL

LIGJVËNËSIT E NJU JORKUT NDEROJNË BESËN SHQIPTARE – I PRANISHËM PRESIDENTI NISHANI

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ishte dje në Albany, kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut, ku u prit nga ligjvënësit e atij shteti dhe së bashku nderuan rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Nishani, i cili arriti në SHBA të hënën, mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e shtetit Nju Jork.

Presidenti i Shqipërisë u prit në sallat e legjislaturës së shtetit Nju Jork në Albany nga udhëheqës të Dhomës dhe të Senatit të këtij shteti.

Organizimi i të gjitha ceremonive dhe takimeve prestigjoze u realizua me ndihmën e zotit Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur si anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork.

Në një takim me udhëheqësit e legjislaturës së shtetit dhe me personalitete të tjera të njohura, u fol për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në takim ishin edhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare.

Presidenti Nishani tha se hebrejve në Shqipërinë e luftës nuk iu desh ta fshihnin identitetin e tyre dhe historianët kanë arritur në përfundimin se në Shqipëri gjatë luftës nuk u kryen akte dëbimi ose viktimizimi kundër hebrejve:

Bujar Nishani, President i Shqipërisë

“Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj në mbarim të Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim të Luftës. Ajo shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë.”

Sot, tha Presidenti i Shqipërisë, për fat të keq në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Evropën, po vërehen ndjenja në rritje të anti-semitizmit. Sumi i fundit terrorist në Francë, por edhe ato në vende të tjera na kujtojnë se ajo që u arrit 70 vjet më parë po vihet në pikëpyetje përsëri.

Presidenti Nishani tha se paragjykime të tilla nuk duhen lejuar të prekin brezat e rinj dhe mësimet e nxjerra nga historia nuk duhen harruar.

Fotografi i njohur Norman Gershman, punimet e të cilit shërbyen si pikënisje për realizimin filmit të njohur dokumentar “Besa”, foli në takim mbi disa mësime nga jeta e tij personale që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ne, tha ai, duhet të ngulitim konceptin e besës, sidomos tek të rinjtë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën.

Norman Gershman, fotograf me famë botërore

“Eksporti i Shqipërisë nuk është qumështi, as zarzavatet ose frutat. Është besa”.

Kur shkoj në Shqipëri dhe takohem me njerëz, familjet e të cilëve kanë shpëtuar hebrenj, tha fotografi i njohur, zakonisht 7 janë myslimanë dhe tre katolikë ose ortodoksë. Por, pavarësisht nga besimi, të gjitha ato familje e përqafuan besën, pa dallim.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, tha zoti Gershman, shqiptarët, duke vënë jetën në rrezik, nuk strehuan vetëm hebrenjtë e qyteteve dhe të fshatrave të tyre por edhe mijëra refugjatë që i kishin shpëtuar nazizmit nga vendet e tjera evropiane.

Ai tha se shpreson që filmi Besa të emërohet për çmimin Oscar në Hollivud.

Në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Nju Jork, anëtari i saj Mark Gjonaj, prezantoi në sallë Presidentin Nishani dhe pastaj paraqiti një rezolutë, ku flitej për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në mbështetje të rezolutës folën disa anëtarë të Asamblesë, të cilët vunë në dukje këtë rol të Shqipërisë.

Presidenti Nishani u prit ngrohtë nga deputetët që kishin mbushur sallën.

Një ceremoni tjetër u mbajt në sallën e senatit, ku u miratua një rezolutë e ngjashme. Presidenti Nishani mbajti aty një fjalim, ku tha se rezoluta vlerëson mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Edhe në rezolutën e senatit thuhej se më tepër se 2 mijë hebrenj i mbijetuan përndjekjes naziste në Shqipëri. Popullsia vendëse i fshehu ata duke rrezikuar jetën e saj, madje në disa raste, kjo u pagua edhe me jetë, thuhej aty.

Presidenti Nishani u kthye në qytetin e Nju Jorkut, ku do të qëndrojë disa ditë për takime me komunitetin dhe me personalitete të tjera. za

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA ‘ZEMËROHET’ SËRISH ME EDI RAMËN

Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklarateve të kryeministrit të Shqipërsië Edi Rama për bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014Autoritetet serbe reaguan me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet nga mjetet serbe të informimit të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria, nuk do të bashkohen kurrë, në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë që të ndalen së provokuari jo qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai në një postim në rrjetin social Twitter.Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrujeshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Në këtë intervistë ai ka tërhequr vërejtjen që “nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptarë që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

www.voal-online.ch

Send this to a friend