VOAL

VOAL

Trump sulmon “armiqësinë e mediave” pas lajmit për pakot shpërthyese

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje mediave “të ndalin armiqësinë e pafund” pasi disa pako me material shpërthyes janë nisur drejt adresave të figurave të larta politike.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi pakot janë dërguar në zyrën e CNN-it në Nju Jork dhe demokratëve, Barack Obama dhe Hillary Clinton.

Asnjëra nga pakot nuk ka shpërthyer, mirëpo FBI-ja ka nisur kërkime për të kuptuar kush qëndron mbrapa dërgesave.

Kritikët e presidentit amerikan i kanë cilësuar deklaratat e fundit të Trumpit, hipokrite, meqë ai shumë shpesh shprehet me fjalor brutal kundër kundërshtarëve të tij dhe shtypit.

Duke folur të mërkurën në një tubim në Viskonsin, presidenti Trump është zotuar për zënien e kryesit të këtij akti, derisa u ka bërë thirrje mediave të ndalin “raportet dhe sulmet negative”.

Ndërkohë presidenti rrjetit televiziv, CNN, Jeff Zucker ka kritikuar Trumpin dhe Sekretaren për media të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders që sipas tij nuk kuptojnë që “fjalët vlejnë”.

“Ekziston një mungesë e plotë në Shtëpinë e Bardhë e të kuptuarit lidhur me seriozitetin e sulmeve të tyre të vazhdueshme në media”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio i ka cilësuar tentimet për sulme ndaj CNN-it dhe demokratëve si “akt të terrorit”.

Paketa të dyshimta dërguar ish-sekretares së shtetit Clinton, ish-presidentit Obama, redaksisë së CNN në Nju Jork

Ndërtesa Time Warner në Nju Jork është evakuuar pasi në magazinën e postës së rrjetit CNN u gjet një paketë e dyshimtë që ishte dërguar në adresë të CNN-it.

Ende nuk është konfirmuar nëse paketa ishte e ngjashme me pako të tjera që janë dërguar në adresë të Shtëpisë së Bardhë, si dhe në banesat e ish-Presidentit Obama, dhe çiftit Bill dhe Hillary Clinton.

Policia e Nju Jorkut tha se mori njoftim për paketën që i ishte dërguar CNN-it në ora 9:53 të mëngjesit të mërkurën.

Një tjetër paketë e dyshimtë është interceptuar nga forcat e rendit në Nju Jork, ku policia ka evakuuar zyrat redaksionale të rrjetit televiziv CNN. Paketa ishte e ngjashme me ato që janë dërguar në adresë të ish-presidentit Obama, si dhe çiftit Bill dhe Hillary Clinton.

Më parë të mërkurën Shtëpia e Bardhë dënoi tentativat për goditje me lëndë plasëse kundër ish-presidentit Barak Obama, si dhe ish-presidentit Bill Clinton dhe Hillary Clintonit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha përmes një deklarate të mërkurën se “Këto akte terrorizuese janë të pështira dhe çdokush që është përgjegjës do të japë llogari deri në maksimumin e ligjit. Shërbimi Sekret dhe agjenci të tjera të rendit po hetojnë dhe do të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur këdo që kërcënohet nga këta individë frikacakë”.

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se ka interceptuar paketa të dyshimta, të identifikuara si paisje të mundshme shpërthyese, dërguar në shtëpitë e ish-Presidentit Barack Obama, dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Shërbimi Sekret tha se kishte kapur një paketë që i ishte dërguar zonjës Clinton në Westchester, një zonë në veri të Manhatanit të martën.

Gazeta New York Times njofton se paisja e gjetur pranë shtëpisë së ish-Presidentit Bill Clinton dhe kandidates demokrate për presidente në vitin 2016, është e ngjashme me atë që ishte vendosur në një kuti postare para shtëpisë së filantropistit, George Soros të hënën.

Një paketë tjetër u dërgua në banesën e zotit Obama në Uashington të mërkurën.

“Paketat u identifikuan menjëherë gjatë procedurës rutinë të kontrollit si paisje që mund të jenë shpërthyese dhe u trajtuan si të tilla”, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë.

Në deklaratë shtohet se as zonja Clinton, as zoti Obama nuk i morën paketat dhe nuk ishin në rrezik t’i merrnin.

SHBA, fituesi i lotarisë merr 1.6 miliardë dollarë

DES MOINES – Fituesi i premios në lojërat e fatit “Mega Millions” prej 1.6 miliardë dollarë, tiketën me fat e bleu në Karolinën e Jugut në SHBA.

Zyrtarët e “Mega Millions” njoftuan se blerësi i biletës ka qëlluar të gjitha 6 numrat e tërhequr mbrëmë.

Kjo është premio më e madhe e tërhequr ndonjëherë ndërsa nuk pritet publikimi i të dhënave të fituesit.

Fituesit e lotarisë kanë mundësi që mjetet t’u paguhen me këste për 29 vite, por shumica preferojnë pagesën e totalit. Nëse premio paguhet njëherësh, fituesi, pas pagesë së taksës, do të marrë 913 milionë dollarë.

“Mega Millions” luhet nga një numër qytetarësh amerikanë në 44 shtete federale. aa

SHBA: Pritet pjesëmarrje shumë e lartë në zgjedhjet afatmesme

VOAL – Shtatë milionë qytetarët e parë të Shteteve të Bashkuara tashmë kanë hedhur votat e tyre në funksion të zgjedhjeve afatmesme, të martën, më 6 nëntor.

Sipas shifrave të mbledhura nga New York Times, votimi paraprak regjistron numra rekord. Në fakt, vlerësohet një pjesëmarrje përfundimtare prej 48% të atyre me të drejtë vote, me një pjesëmarrje që nuk është arritur që nga viti 1966, përsëri me rastin e votimit afatmesëm. Për momentin është shumë herët të dihet nëse kjo prirje do të sjellë përfitime për kampin republikan të Presidentit Trump ose, përkundrazi, nëse është një shtytje demokratike drejt ndryshimit.

ANSA

Trump: Vrasja e Khashoggit, komploti më i keq në histori

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se përgjigjja e Arabisë Saudite ndaj vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka qenë përpjekja më e keqe në histori për të fshehur të vërtetën.

Trump tha për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se kushdo që e organizoi komplotin “duhet të jetë në telashe të mëdha”.

SHBA-ja u përball me presion të madh për të ashpërsuar qëndrimin ndaj Arabisë Saudite – aleate kyçe e saj.

Arabia Saudite ka ofruar raporte kundërthënëse për fatin e Khashoggit, banor i SHBA-së dhe kontribues në gazetën Washington Post.

Pas disa javësh këmbënguljeje si ai është i gjallë, autoritetet saudite thonë tani se Khashoggi, 59 vjeç, ka vdekur pas një përleshjeje që ka ndodhur pasi ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara “do t’i dënojnë përgjegjësit” dhe se do t’i anulojnë vizat për 21 të dyshuar të identifikuar.

Në një intervistë të veçantë për gazetën Wall Street Journal, Trump përmendi përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të lartë sauditë në vrasjen e Khashoggit, por tha se nuk beson se mbreti saudit, Salman, ka pasur njohuri paraprake për krimin.

SHBA: Të gatshëm të godasim raketat ruse

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të kapin dhe të rrëzojnë raketat ruse, me rreze të mesme veprimi, të vendosura në kundërshtim me traktatin e INF që mund të prekin vendet e NATO-s në Europë ose Alaskën në Amerikë, theksoi ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison.

“Jemi përpjekur për t’i dërguar një mesazh në Rusisë për kaq shumë vite dhe ne kemi dijeni për shkeljet e traktateve nga ana e Rusisë, por ata tani po ndërtojnë një raketë balistike me reze të mesme, e ndaluar nga traktatet”, theksoi ambasadorja.

”SHBA është drejt tërheqjes nga kjo marrëveshje me Rusinë”, deklaroi të shtunën për gazetarët presidenti amerikan, Donald Trump, raporton ata.

Traktati INF është arritur në vitin 1987 mes SHBA-së dhe ish-Bashkimit Sovjetik, trashëguese juridike e të cilit është Rusia. Marrëveshjen e nënshkruan ish-presidenti amerikan, Ronald Regan dhe lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov.

Me të parashikohet ndalesa për prodhimin, testimin dhe sistemimin e raketave bërthamore dhe konvencionale me rreze veprimi prej 500-1 500 kilometra që lëshohen nga toka.

SHBA krijon një agjenci të re për investime ndërkombëtare

Presidenti Trump ka nënshkruar një projekt-ligj që themelon një agjenci të re për investimet e huaja e cila synon të lehtësojë kreditimin privat prej 60 miliardë dollarësh të projekteve infrastrukturore në vendet në zhvillim. Disa e shohin këtë si një kthesë për një president që ka bërë fushatë për strategjinë “Amerika e para” ku propozohej shkurtimi i fondeve për ndihmë ndërkombëtare. Agjencia e re krijohet për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Kinës në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Stacioni Furi-Lebu pranë Addis Abebës në Etiopi, është një ndalesë kryesore në sistemin e parë modern hekurudhor të Afrikës nën-Sahariane. Ai lidh Etiopinë me daljen në det në portet e Gjirit të Adenit dhe Detit të Kuq.

Projekti i infrastrukturës masive u ndërtua me fonde kineze.
Daniel Runde i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare është ekspert për kreditë zhvillimore.​

“Kur zyrtarë të lartë të administratës Trump shkuan në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe panë se Kina po merrte pjesën tonë, ata menduan se ne duhet të bëjmë diçka”, thotë ekspertë Runde.
Dhe ata bënë.

Muajin e kaluar administrata Trump krijoi një njësi të re të ndihmës për zhvillim, Korporatën Ndërkombëtare për Zhvillim, ose IDFC, bazuar në legjislacionin dy partiak të quajtur Akti BUILD.

“Është mjaft domethënëse që Kongresi dhe administrata e kanë njohur rëndësinë e financimit për të promovuar zhvillimin e SHBA në mbarë botën”, thotë George Ingram, i Institutit Brookings, raporton VOA.

Është një kthesë e një presidenti që donte të zvogëlonte ndihmën e huaj si pjesë e një plani më të gjerë për të ndryshuar mënyrën se si Uashingtoni angazhohet me botën.

“Ne e hedhim poshtë ideologjinë e globalizmit”, u shpreh presidenti Trump në OKB në muajin shtator.

Agjencia e re do të zëvendësojë OPIC, Korporatën e Investimeve Private jashtë vendit, duke marrë autoritet më të madh dhe më shumë fonde. Presidenti Trump dhe disa republikanë kishin kërkuar më parë t’i japin fund OPIC-ut, duke mos besuar se lehtësimi i kredive për kompanitë që bëjnë biznes në vendet në zhvillim është një përdorim i mirë i burimeve qeveritare.

Por ata ballafaqohen me një trilion dollarë investime kineze në projektet e infrastrukturës në mbarë botën, që e ka forcuar gjeopolitikisht Pekinin. Por ka edhe shenja shqetësimi për marrësit e fondeve.

Ja ç’thotë eksperti Daniel Runde:
“Kina është në rrugën e saj për të qenë tregtari i financave ndërkombëtare, sepse kinezët janë duke ofruar para në kushte tepër të lehta që nuk janë transparente ose sipas rregullave.”

Pekini ka hedhur poshtë akuzat se kreditë e tij jepen për të krijuar një kurth borxhi për vendet në zhvillim.

Me vetëm 60 miliardë dollarë, analistët thonë se IDFC-ja e re nuk do të jetë e mjaftueshme për t’iu kundërvënë investimeve kineze në mbarë botën, por ndikimi i saj mund të zmadhohet duke bashkëpunuar me organizata të tjera ndërkombëtare të huadhënies.

“Francezët, britanikët, skandinavët, të gjithë kanë organizata të ngjashme dhe tani që IDFC ka autoritet të barabartë, ky ent i ri do të jetë një partner shumë më efektiv se OPIC,” thotë eksperti George Ingram.

Ndërkaq, për vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine që mund të përfitojnë nga më shumë investime amerikane, agjencia e re për investime të huaja (IDFC), është një hap në drejtimin e duhur.

Financimet për zgjedhjet e mesit të mandatit

Zgjedhjet e mesit të mandatit për Kongresin amerikan po afrojnë dhe demokratët kanë siguruar shumë financime. Analistët thonë se ndjenjat anti-Trump mund të jenë arsyeja që kontributet financiare për demokratët kanë arritur nivel rekord, ndërsa ata përpiqen t’u marrin republikanëve kontrollin e Kongresit. Zgjedhjet e mesit të mandatit kësaj here po bëhen më të kushtueshmet në historinë e Kongresit amerikan. Por pikëpyetja mbetet, nëse kontributet e demokratëve për fushatën janë të tilla për t’u marrë republikanëve një numër të mjaftueshëm vendesh në mënyrë që të sigurojnë shumicën në Kongres.

Në garën për në Kongres demokratët janë duke fituar “lojën” e financimeve.

Këtë javë, Komisioni Federal i Zgjedhjeve, njoftoi se kandidatët për në Kongres kanë siguruar një shifër rekord prej 2,3 miliardë dollarësh në ciklin e tanishëm zgjedhor.

Avantazhi i demokratëve në këto financime? Më tepër se 400 milionë dollarë.

Sarah Bryner e Qendrës për Politika të Përgjegjshme thotë se kjo përbën shqetësim për republikanët e zgjedhur.

“Fakti që demokratët ia kanë kaluar me financime, tregon se gara ka për të qenë një sfidë.”– thotë Sarah Bryner, drejtoreshë në Qendrën për Politika Përgjegjëse.

Republikanët dolën po aq mirë, ose ua kaluan demokratëve në fondet e krijuara nga Komitetet për Veprim Politik (PAC). Por demokratët siguruan shumë më tepër fonde nga kontributet individuale përmes internetit dhe me aktivitetet për mbledhje fondesh.

Shumica e fondeve përdoren për blerjen e reklamave të kushtueshme televizive, që mbetet mjeti i preferuar i kandidatëve për t’u drejtuar votuesve.

“Fushtatat janë të kushtueshme në vendin tonë, për shkak të kostos së televizionit.”– thotë ish kongresmeni Martin Frost, tani President i Shoqatës për ish anëtarët e Kongresit.

Frost thotë se financimet masive për demokratët reflektojnë një shtim të entuziazmit në radhët e anëtarëve të thjeshtë të Partisë.

“…Në Shtetet e Bashkuara ka një numër të madh demokratësh, shumë prej të cilëve japin kontribute të vogla; ata nuk e duan aspak Presidentin Trump dhe duan të japin një mesazh me këto zgjedhje.”– thotë zoti Frost.

Shtimi i financimeve për demokratët po i detyron republikanët ta rimendojnë strategjinë e financimit të fushatës së tyre. Ata po i zhvendosin financimet nga kandidatët e dobët, tek ata më të fuqishëm.

Michael Steele, ish kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, paralajmëron se fitorja nuk është e garantuar vetëm nga fondet.

“Shumë njerëz i mbivlerësojnë financimet dhe i shohin ato si rrezikun që i kanoset politikës amerikane, por unë them se ka patur po aq gara ku kandidati më i financuar ka humbur, sa edhe kur ai ka fituar.”

Demokratët duhet të sigurojnë 23 vende më tepër për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Pëfaqësuesve. Analistët thonë se ata kanë shanse të mira, edhe pse shpresat e demokratëve për të rimarrë kontrollin e Senatit janë zbehur.

Trump sulmon shpjegimin e Arabisë Saudite për vdekjen e Khashoggit

Presidenti Donald Trump po sulmon shpjegimin e Arabisë Saudite për vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll, duke thënë se “natyrisht ka mashtrime dhe gënjeshtra”.

Megjithatë, presidenti tha për gazetën The Washington Post të shtunën vonë se Arabia Saudite ka qenë një “aleat i pabesueshëm” i Shteteve të Bashkuara për dekada dhe se është e mundur që Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, sunduesi de fakto i Arabisë Saudite, nuk ka urdhëruar agjentët sauditë për të vrarë Kashogin .

“Askush nuk më ka thënë se ai është përgjegjës. Askush nuk më ka thënë se ai nuk është përgjegjës”, tha zoti Trump. “Ne nuk kemi arritur në atë pikë … Do të doja që ai të mos jetë përgjegjës”.

Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit të shtunën, duke thënë se vdekja e tij erdhi pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll, një shpjegim që po tërheq kritika ndërkombëtare dhe skepticizëm.

Kritikët po vënë në pikëpyetje se si një ekip prej 15 agjentësh sauditë mund të fluturonin në Stamboll për të takuar Kashogin dhe përfundimisht ta vrasin atë pa njohurinë dhe pëlqimin e princit të kurorës.

Arabia Saudite thotë se ka shkarkuar pesë zyrtarë kyç të lidhur me vdekjen dhe ka arrestuar 18 të tjerë.

Trumpi thotë se SHBA tërhiqet nga traktati me Rusinë për armët bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë për kontroll të armëve që daton nga Lufta e Ftohtë.

Ai ripërsëriti se Moska ka shkelur marrëveshjen, në një fjalim par Këshillit të Sigurisë.

“Ne do ta ndalim marrëveshjen dhe do të tërhiqemi”, tha Trump para gazetarëve. “Rusia ka shkelur marrëveshjen për shumë vite”, shtoi ai.

“Ne duhet të zhvillojmë ato armë, vetëm nëse Rusia dhe Kina vijnë tek ne dhe na thonë, le të bëhemi njëmend të mençur dhe asnjëri nga ne të mos zhvillojë armët”, tha Trump.

Traktati i vitit 1987 i ndalon Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, posedimin, prodhimin dhe transportin e armëve raketore. SHBA kishte akuzuar Rusinë nga viti 2014 për shkelje të marrëveshjes.

Rusia kishte kundërshtuar akuzat e SHBA-së duke theksuar se disa elemente të sistemit të armëve kanë qenë në kundërshtim me marrëveshjen.

Deklaratat e Trump vijnë disa ditë pasi Putini tha se Rusia mund të përdorë armët bërthamore në përgjigje ndaj ndonjë sulmi bërthamor në vend.

Dr. Elez BIBERAJ: Pa lirinë e Shtypit, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët

Dr. Elez BIBERAJ

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

 Zëri i Amerikës

Është kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm. “Zëri i Amerikës” ndan synime të përbashkëta me IREX-un, këtë organizatë të rëndësishme: Mbështetjen e lirisë se fjalës; Nxitjen e llogaridhënies nga zyrtarët dhe institucionet qeveritare; Dhe fuqizimin e mediave të lira në vendet e Ballkanit, të Evropës Lindore dhe në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Ne të “Zërit të Amerikës” jemi jashtëzakonisht krenarë për marrëdhëniet e thella e të gjata me shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe te rajonit të Euroazisë në përgjithësi. Në muajin maj, ne kemi shënuar 75-vjetorin e transmetimit të pare të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Që nga fillimi i transmetimeve dhe gjatë gjithë këtyre dekadave, “Zëri i Amerikës” ka shërbyer si burim i besueshëm lajmesh dhe informacionesh dhe besoj qe ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje te aspiratave të shqiptarëve për një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike.

 

 

Ky takim po zhvillohet në një kohë mjaft kritike, kur media në rajon ballafaqohet me sfida të mëdha. Krahasuar me disa vite më parë, shumë vende janë aktualisht më pak demokratike, Media e tyre është më pak e lirë dhe e pavarur. Sot, ne jemi dëshmitarë të një sulmi të gjithanshëm kundër të vërtetës, përpjekjeve për manipulimin e opinionit publik, të përhapjes se lajmeve dhe informacioneve të rreme dhe të mos-respektimit të parimeve kryesore të gazetarisë. Media në këtë rajon gjithmonë është përballur me probleme, por vështirësitë e tanishme duken më sfiduese. Vonesa e konsolidimit të demokracisë është shoqëruar me shtimin e trysnisë politike dhe vendosjen e kufizimeve të ndryshme ndaj medias. Pothuaj pa përjashtim, qeveritë përpiqen të ndikojnë rrjedhjen e lajmeve, duke kontrolluar mediat kryesore. Pronarët e stacioneve kryesore televizive janë të prirur të hynë në aleancë me ata që janë në pushtet. Gazetarë të pavarur përballen me kërcënime dhe ndonjëherë edhe me sulme fizike, që pastaj i detyrojnë ata të ushtrojnë vet-censurë. Rusia dhe vende të tjera me qeveri autoritare kanë ndërmarrë përpjekje të gjithanshme për të minuar parimet dhe vlerat demokratike perëndimore dhe për të penguar integrimin e plotë të vendeve ish-komuniste në institucionet Euro-Atlantike.

 

Përhapja shumë shqetësuese e të dhënave të rrejshme dhe manipulimi i te vërtetës. Mediat sociale janë kthyer në fushëbeteja politike. Këto prirje negative mund të çojnë në rënien e besueshmërisë së medias dhe në deformimin e rolit te saj tradicional si pushteti i katërt. Ato kërkojnë një përgjigje të gjithanshme dhe të bashkërenduar – jo vetëm nga gazetarët dhe nga shoqatat e tyre, por nga sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë: shoqëria civile, institucionet të rëndësishme, intelektualët, dhe parlamentarët. Është gjithashtu e domosdoshme që të bëhen më shumë investime në ngritjen e profesionalizmit dhe respektimin e standardeve më të larte gazetareske. Në këtë periudhë disinformatash të gjithanshme, fushatash propagandiste dhe njoftimesh të rrejshme, “Zëri i Amerikës” është i përkushtuar: të shërbejë si model i medias së lirë; të ushtrojë gazetari të përgjegjshme e t’u përmbahet standardeve më të larta të gazetarisë; dhe të mbrojë lirinë e fjalës kudo. Zëri i Amerikës ka ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos në trojet shqiptare. Sipas anketave të fundit, Zëri i Amerikës ka një nivel shikueshmërie prej 60.5% në Shqipëri, dhe 64% në Kosovë. Në shkallë botërore, ne kemi një audience javore prej 240 milion njerëzish dhe 86% prej tyre shprehin besim në lajmet dhe informacionet që ne transmetojmë. Zëri i Amerikës i përmbahet parimit të shenjët se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënie për veprimtarinë e tij. Lajmet dhe informacionet e bazuar në fakte përbëjnë përgjigjen më të mire ndaj propagandës dhe disinformimit. Siç ka thënë gazetari i njohur amerikan Edward R. Murrow: “E vërteta është propaganda më e mirë, gënjeshtra është më e keqja. Nuk mund ta bindësh dikë, nëse ai nuk ka besim tek ti; e që të ketë besim tek ti, ti duhet të jesh i besueshëm; e që të jesh i besueshëm, ti duhet të thuash vetëm të vërtetën.” Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një rendi demokratik. Pa të, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët.

 

 

 

Këshilltari për Siguri në SHBA, Bolton, viziton Moskën

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, do të vizitojë Rusinë më 20 tetor, pas raportimeve se Uashingtoni po vazhdon drejt tërheqjes së traktatit të kontrollit të armëve bërthamore që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe se ka akuzuar Rusinë për shkelje.

Gazeta New York Times ka raportuar se Bolton planifikon të paralajmërojë presidentin rus Vladimir Putin se administrata e Trumpit po përgatitet të largohet nga Traktati i vitit 1987 që ishte negociuar nga ish presidenti Ronald Regan gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik.

Në anën tjetër, gazeta The Guardian ka raportuar se Bolton ka rekomanduar tërheqjen e Trumpit nga traktati.

Më 2014, Uashingtoni kishte akuzuar publikisht Moskën për ndërtimin e një raketahedhësi, për të cilën SHBA ka akuzuar së është në shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së vitit 1987, sepse i mundëson Moskës të bëjë sulm ajror ndaj Evropës.

Rusia kishte refuzuar akuzat e SHBA-së dhe kishte shtuar se disa elemente të sistemit mbrojtës raketor të SHBA-së janë në kundërshtim me marrëveshjen.

Gjatë vizitës, Bolton pritet të diskutojë edhe për Korenë Veriore, Ukrainën dhe Sirinë.

Ndërhyrja ruse vazhdon në zgjedhjet amerikane 2018

Agjencitë amerikane të zbulimit, zbatimit të ligjit dhe të sigurisë po paralajmërojnë se Rusia vazhdon të ketë në shënjestër zgjedhjet e ardhshme për në Kongres, duke paraqitur dëshmitë e fundit me akuzat e reja kundër një shtetase rus të lidhur me oligarkun e njohur si “kuzhinieri i Putinit”.

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur të premten padinë penale kundër 44-vjeçares Elena Alekseevna Khusyaynova nga Shën Petersburgu, duke e bërë atë të parën ruse të akuzuar në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2018.

Sipas akuzës penale, Khusyaynova ishte shefe e kontabilitetit në një përpjekje ruse të koduar si “Projekti Lakhta”, të drejtuar nga Agjencia e Kërkimeve në Internet – e njëjta kompani e mediave sociale e akuzuar më parë këtë vit nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Dokumentet e akuzave thonë se Khusyaynova mbikëqyrte shpenzimet për reklamat dhe promovimet e mediave sociale pasi ajo ndihmoi për të krijuar mijëra llogari të rreme në platforma si Facebook dhe Twitter, disa prej të cilave gjeneronin dhjetëra mijëra ndjekës.

Akuza kriminale thotë se Khusyanova po punonte me një buxhet prej miliona dollarësh – para që, sipas zyrtarëve amerikanë, vinin nga biznesmeni rus Jevgeni Prigozhin, i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të punës së kompanisë së tij për furnizimin me ushqim të presidentit rus Vladimir Putin. Prigozhin mendohet të ketë lidhje të ngushta me institucionet politike dhe ushtarake të Rusisë.

Trump: Do të kemi disa pyetje për sauditët

UASHINGTON – Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se do të kenë disa pyetje për sauditët dhe për këtë çështje do të punojnë me Kongresin.

Duke folur për gazetarët në Arizona të SHBA-ve rreth rastit Khashoggi presidenti Trump ka mbrojtur idenë e tij se Arabia Saudite “është e besueshme” në lidhje me deklaratën e saj për “vdekjen e gazetarit Khashoggi”.

Deklarata e Rijadit është “hapi i parë i madh” ka bërë të ditur Trump duke shtuar se “Por ende nuk ka përfunduar vlerësimi ynë. Aktualisht është herët “për të arritur një rezultat”.

“Do të kemi disa pyetje ndaj sauditëve. Në lidhje me këtë çështje po punojmë së bashku me Kongresin”, tha Trump në lidhje me deklaratën e Arabisë Saudite për Khashoggi, duke shtuar se vendimin e tyre do ta njoftojnë pasi të ketë biseduar me princin saudit, Muhammed bin Selman.

Po ashtu Trump ka theksuar se “janë shumë të rëndësishme” arrestimet që qeveria e Rijadit ka kryer në lidhje me vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Për fatin e marrëveshjes në shitjen e armëve me shumën 110 miliardë dollarë mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, presidenti Trump ka theksuar se dëshiron ta ruajë marrëveshjen në fjalë dhe se në vend të saj do të preferonte të zbatojë “një formë sanksioni” ndaj Arabisë Saudite.

“Në këtë proces jemi përfshirë ne, është përfshirë Turqia. Kjo është një gjë e tmerrshme dhe nuk do të jetë një ngjarje që të humbë nga sytë”, tha më tej Trump në përgjigje ndaj pyetjes nëse është i “besueshëm” apo jo hetimi që Arabia Saudite po kryen në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në lidhje me vdekjen e gazetarit Khashoggi kishte deklaruar se “Shprehim keqardhjen që kemi dëgjuar konfirmimin e vdekjes së Khashoggi. I shprehim ngushëllimet familjes, të fejuarës dhe dashamirësve të Khashoggi”.

Administrata e Arabisë Saudite kishte pranuar se Jamal Khashoggi i cili ishte zhdukur më 2 tetor pas kishte hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll “ka humbur jetën si rezultat i grindjeve në ndërtesën e konsullatës”. aa

Akuza të reja ndaj Rusisë për tentim-ndërhyrje në zgjedhjet e Kongresit

Qeveria amerikane të premten ka akuzuar rusen Elena Aleksevna Khusyaynova, 44 vjecare, për rolin kyc financiar në planin e mbështetur nga Kremlini për informacione kundër Shteteve të Bashkuara, si dhe tentimit për të ndërhyrë në zgjedhjet e Kongresit muajin e ardhshëm.

Khusyaynova është shtetasja ruse e parë që dënohet për krimin e tentim-ndërhyrjes në zgjedhjet në mes të mandatit më 2018 në SHBA.

Ajo ishte e përfshirë në projekte të financuara nga oligarkë rusë të afërt me presidentin Putin, sipas burimeve.

Oligarku Evgeny Viktorovich Prigozhin, me dy kompanitë e tij janë duke u hetuar në një hetim të vecantë për shtytjen e fituesit të zgjedhjeve Donald Trump ndaj kandidates Hillary Clinton.

Rasti kundër ruses Khusyaynova u publikua të njëjtën ditë kur intelegjenca e SHBA-së lëshoi vërejtje ndaj përpjekjeve të Rusisë, Kinës, Iranit dhe disa vendeve të tjera për ndërhyrje në zgjedhjet e Kongresit, në të cilat republikanët po tentojnë të mbajnë shumicën.

Trumpi beson se gazetari Khashoggi është i vdekur

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur se ai beson se gazetari saudit Jamal Khashoggi është i vdekur, duke shprehur besim mbi raportet e inteligjencës nga burime të shumta që fuqimisht sugjerojnë rolin saudit në këtë rast.

Presidenti Trump në një intervistë për New York Times ndaloi të thoshte se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ishte përgjegjës për vdekjen e gazetarit Khashoggi.

Por Trump pranoi se akuzat mbi atë se princi urdhëroi vrasjen kanë ngritur pyetje të thella rreth aleancës amerikane me Arabinë Saudite, duke ndezur një nga krizat më serioze të politikës së jashtme të presidencës së tij.

“Kjo gjë ka kapur imagjinatën e botës, për fat të keq”, u tha Trump gazetarëve të New York Times në një intervistë të shkurtër në Zyrën Ovale, duke theksuar më tej, “Nuk është pozitive. Nuk është pozitive”.

“Nëse nuk ndodh mrekullia e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”, tha Trump dhe shtoi, “Kjo bazohet në të gjitha shërbimet e inteligjencës që arrijnë”.

Pas një kohe të shkurtër, Trump përsëriti para gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andrews se ai besonte se Khashoggi është i vdekur duke thënë se, “Kjo është gjë e keqe, e keqe dhe pasojat duhet të jenë të rënda”.

Intervista për New York Times ndodhi pasi presidenti u informua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili u kthye nga një udhëtim në Arabinë Saudite dhe në Turqi.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa ka shqetësime se ai mund të jetë vrarë brenda saj.

Sipas burimeve të policisë turke, të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur Khashoggi ishte ende brenda. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

Për hetimin e rastit është formuar një ekip ekspertësh me propozim të Arabisë Saudite i përbërë nga zyrtarë sauditë dhe turq, i cili filloi punën të hënën me një hetim disa orësh në ndërtesën e konsullatës.

Grupi i përbashkët hetues sot në orët e hershme përfundoi edhe hetimin e nisur dje në rezidencën e konsullit gjeneral Mohammad al-Otaibi, i cili është larguar nga Turqia.

Palmer: Ka shqetësime për ndryshim kufijsh por edhe konflikti i ngrirë përbën rrezik

Flamuri i SHBA-së.

Zëvëndësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”, transmeton agjencia, BETA.

Sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, SHBA-ja nuk shtyn dhe nuk angazhohet për çfarëdo rezultati të caktuar në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne po inkurajojmë palët të gjejnë rrugën përpara si dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshmë të cilën do ta pranonin dyja palët” është shprehur Palmer.

Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA-ja është e gatshme të dëgjojë dhe ndihmojë, por nuk mund të flasë për detaje, para së gjithash, lidhur me një ndryshim të mundshëm të kufirit, pasi nuk është paraqitur asnjë plan.

Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

Palmer ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë të ardhme evropiane por në këtë rrugë iu duhet ndihma.

Sa u përket vendeve te rajonit, Palmer ka thënë se nëse Shkupi nuk ka alternativë ndaj Marrëveshjes së Prespës, nëse dëshiron integrimin në NATO dhe BE si dhe ka ftuar udhëheqësit politikë të Maqedonisë të tejkalojnë politikën partiake dhe të shfrytëzojnë të ardhmen evropiane.

Sa i përket situatës në Bosnje dhe Hercegovinë, Palmer gjithashtu ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve për integritetin territorial duke thënë se problem më i madh i atij vendi janë “politikanët e korruptuar të cilët e shfrytëzojnë retorikën nacionaliste për të krijuar ndarje”.

SHBA-të sipas tij dëshirojnë t’iu ndihmojnë gjitha vendeve të Ballkanit.

“Një Ballkan Perëndimor i fuqishëm do të thotë një Evropë më e fuqishme dhe rrjedhimisht një partneritet euroatlantik më i fuqishëm” ka deklaruar Palmer.

SHBA tërhiqet nga konferenca e investitorëve në Arabinë Saudite

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin tha të enjten se nuk do të marrë pjesë në konferencën e investimeve në Arabinë Saudite javën e ardhshme, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump pret përfundimet e hetimit për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi.

Zoti Mnuchin e njoftoi vendimin me një postim në Twitter, pas një takimi me presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit,

Mike Pompeo, i cili sapo është kthyer nga takimet me udhëheqësit e Riadit dhe Ankarasë.

Arabia Saudite ka thënë se ka në plan ta mbajë konferencën e planifikuar për në 23-25 tetor, pavarësisht nga një valë anulimesh nga udhëheqës të biznesit, qeverive dhe medias.

Tërheqja e zotit Mnuchin, vjen pas tërheqjes së zyrtarëve të lartë të financave, tregëtisë, dhe diplomacisë nga Britania, Franca, Gjermania dhe Holanda.

Zyrtarët turq kanë thënë se besojnë se gazetari Khashoggi, që ishte kritik i ashpër i Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, ishte vrarë në konsullatën saudite në Stamboll dhe trupi i tij ishte copëtuar dhe nxjerrë nga godina.

Pompeo informon Presidentin për çështjen e gazetarit të zhdukur saudit

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo informoi sot Presidentin Donald Trump rreth bisedimeve të tij me zyrtarët sauditë dhe turq dhe hetimet e tyre për zhdukjen e një gazetari saudit me banim në SHBA, që zyrtarët turq thonë se u vra nga agjentët e Arabisë Saudite në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Takimi i zotit Pompeo me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë vjen pas një kërkimi të ri që hetuesit turq kryen në konsullatë, i dyti këtë javë. Por diplomati i lartë amerikan tha gjatë largimit nga Riadi se udhëheqësit sauditë nuk dëshironin të diskutonin asnjë fakt rreth çështjes, ndërkohë që ishin duke kryer një hetim për t’ia komunikuar publikut. Arabia Saudite ka mohuar se ka dijeni për zhdukjen e Khashoggit.

Zoti Pompeo qëndroi një ditë në Riad për të diskutuar mbi zhdukjen e gazetarit me Mbretin Salman dhe djalin e tij, princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi de facto i vendit.

Ai shkoi pastaj Pompeo në Ankara, për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu. Media pro-qeveritare turke ka publikuar pohimet e hetuesve se agjentët sauditë i kanë prerë gishtat gazetarit, i kanë prerë kokën dhe i kanë coptuar trupin, pak pas arritjes së tij në konsullatën saudite më 2 tetor për të marrë disa dokumente martese.

Gazeta pro-qeveritare Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreu i një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit. Gazetari jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara duke shkruar komente për gazetën Washington Post ku kritikonte princin e kurorës dhe përfshirjen saudite në luftën në Jemen.

Gazeta turke tha se Mutreb është fotografuar shpesh pranë princit të kurorës gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

Ndërkohë, gazeta Washington Post boton sot atë që besohet të jetë shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilën ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet,” shkruan ai.

Trump: Kërkojmë nga Turqia audio dhe video për gazetarin e zhdukur saudit

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se ai do të dëshironte të kishte informacione audio dhe video nga Turqia, “nëse ekzistojnë”, lidhur me zhdukjen e një gazetari saudit që jetonte në SHBA, për të cilin zyrtarët turq thonë se u vra dhe më pas trupi i tij copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Kërkesa e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë erdhi pasi ai shprehu mbështetje për Arabinë Saudite, një aleate e vjetër e SHBA dhe tha se pret që hetimi i tyre për çështjen e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi të përfundojë deri në fund të javës. Arabia Saudite ka mohuar se Khashoggi është vrarë.

I pyetur nga Fox Business në një intervistë se si do të vepronte nëse hetimi saudit tregon se përgjegjës janë udhëheqësit e Arabisë Saudite, mbreti Salman dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, Presidenti Trump tha: “Shpresoj se do të jemi në anën më të mirë e ekuacionit”.

“Ju e dini që ne kemi nevojë për Arabinë Saudite sa i përket luftës sonë kundër terrorizmit, asaj që po ndodh në Iran dhe vende të tjera,” tha zoti Trump.

I pyetur nëse SHBA do të distancohej nga Arabia Saudite për rastin Khashoggi, Presidenti Trump tha: “Unë nuk dua ta bëj këtë dhe sinqerisht ata na kanë bërë një kontratë-porosi të jashtëzakonshme, 110 miliard dollarë”. Ai iu referua një blerjeje të premtuar armësh amerikane në vitet e ardhshme.

“Janë 500 mijë vende pune, janë në fund të fundit 110 miliardë dollarë. Është porosia më e madhe në historinë e vendit tonë nga një ushtri e huaj dhe unë shtrova pyetjen: a do ta anulojmë këtë?” tha zoti Trump.

“Pra, shpresojmë se do të funksionojë. Do ta zbulojmë, do t’i shkojmë deri në fund,” tha Presidenti Trump për hetimin saudit. “Shpresoj që mbreti dhe princi i kurorës të mos kenë ditur gjë. Kjo është diçka e madhe për mendimin tim dhe shpresoj që ata të mos kenë ditur gjë.”

Komentet e presidentit erdhën pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përfundoi vizitat në Arabinë Saudite dhe në Turqi për bisedime me udhëheqësit e Arabisë Saudite si dhe me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu rreth zhdukjes së Khashoggit, i cili u pa për herë të fundit më 2 tetor kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll.

Sekretari Pompeo, duke u kthyer në Uashington, u tha gazetarëve se SHBA duhet “të dinë faktet para se të mund të fillojmë të formulojmë se cila do të ishte “përgjigjja e përshtatshme” nëse Arabia Saudite është përgjegjëse për zhdukjen e Khashoggit.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të mbajnë parasysh se ne kemi shumë marrëdhënie të rëndësishme – marrëdhëniet financiare midis kompanive amerikane dhe saudite, marrëdhënie qeveritare, gjërat për të cilat ne punojmë së bashku në të gjithë botën”, tha zoti Pompeo.

“Përpjekjet për të zvogëluar rrezikun ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga nxitësi më i madh shtetëror i terrorizmit, Irani – sauditët janë partnerë të mirë për të punuar së bashku me ne në këto çështje”.

“Këto janë elemente të rëndësishme të politikës amerikane, janë në interesin e amerikanëve dhe ne thjesht duhet të sigurohemi se jemi të vetëdijshëm për këtë, para se qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë vendime, kur të mësojmë të gjithë faktet e lidhura me gjithçka që mund të ketë ndodhur,” zoti Pompeo.

Më parë, Sekretari Pompeo tha se kur u takua me udhëheqësit sauditë ata nuk donin të flisnin për ndonjë nga faktet që kishin të bënin me zhdukjen e Khashoggit.

Ndërsa drejtohej për në Ankara për të folur me krerët turq në lidhje me hetimin e tyre ai tha se monarku saudit dhe djali i tij e siguruan se do t’ia “tregonin të gjithë botës” rezultatet e hetimit të tyre.

Zoti Pompeo tha se sauditët u zotuan të mbanin përgjegjës “cilindo që lidhet me ndonjë keqbërje që mund të konstatohet”, duke mos bërë asnjë përjashtim për askënd, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.

I pyetur nëse zyrtarët sauditë i thanë atij nëse Khashoggi është gjallë apo i vdekur, zoti Pompeo tha: “Nuk dua të flas për ndonjë nga faktet. As ata nuk dëshirojnë, sepse duan të kenë mundësinë për të bërë hetimin në një mënyrë të plotë.”

Gazeta Wall Street Journal njoftoi të martën vonë se operativët sauditë e rrahën dhe e droguan Khashoggin, pastaj e vranë dhe ia copëtuan trupin. Gazeta thoshte se zyrtarët turq u kanë dhënë zyrtarëve sauditë dhe amerikanë dëshmi, duke përfshirë detajet e një regjistrimi zanor.

Zyrtarët turq kanë identifikuar 15 persona të dyshuar që ata thonë se shkuan në Stamboll dhe hynë në konsullatë ditën kur Khashoggi u zhduk. New York Times dhe Washington Post njoftuan të martën vonë se disa njerëz nga kjo listë janë të lidhur me shërbimet saudite të sigurisë dhe me princin e kurorës.

Agjencia e lajmeve Associated Press citoi gjithashtu një zyrtar të lartë turk që thoshte se gjatë një hetimi në konsullatën saudite, hetuesit turq gjetën prova për vrasjen e Khashoggit, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme. Reuters tha se hetuesit gjetën “prova të forta”, por asnjë dëshmi përfundimtare për vdekjen e Khashoggit.

Avioni i zonjës Trump bën ulje të detyrueshme

Avioni që bartte Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, bëri ulje të detyrueshme pasi kabina u mbush me tym.

“Çdo gjë është në rregull dhe të gjithë janë mirë”, tha një zëdhënës i Trumpit.

Sipas tij, shkak i incidentit është një “çështje e vogël mekanike”.

Gazetarëve në bord iu dhanë peshqirë të lagur “për t’i vënë mbi fytyrë, nëse tymi bëhet shumë i dendur”, tha një gazetar i NBC-së.

Zonja Trump është dashur të udhëtojë në Filadelfia për të takuar familjet e prekura nga abuzimi me opiod, por avioni presidencial është kthyer në bazën ajrore në Merillend, nga ku është nisur.

Trump: Princi saudit mohon se ka dijeni për ngjarjet në konsullatë

Presidenti Trump tha të martën në Twitter se kishte folur në telefon me princin e kurorës të Arabisë Saudite, i cili, sipas tij, mohoi tërësisht se ka patur dijeni për atë që ka ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll.

Komentet vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati në Rijad me mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman – udhëheqësi de fakto i vendit – lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili dy javë më parë hyri në konsullatën sadite në Stamboll dhe nuk u pa të dilte prej andej.

Presidenti Trump tha se gjatë telefonatës, princi i cili ishte me Sekretarin Pompeo, e kishte njoftuar se kishte nisur një hetim të plotë rreth çështjes Khashoggi, hetim që do të zgjerohej shpejt.

Përgjigjet do të vijnë së shpejti, shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Më pas ai tha për Televizionin Fox News se “do të ishte keq” nëse mbreti Salman ose princi i kurorës do të kishin dijeni për gazetarin e zhdukur Khashoggi. “Varet nëse mbreti ose princi i kurorës do të dinin për këtë, sipas mendimit tim. Së pari çfarë ndodhi, por (e rëndësishme) nëse ata kishin dijeni ose jo për këtë. Nëse e kanë ditur kjo të ishte keq,” tha Presidenti Trump.

Të martën, kryediplomati amerikan i dërguar në Arabinë Saudite nga Presidenti Trump, u takua së pari me monarkun, pastaj me trashëgimtarin e fronit. Zoti Pompeo u takua edhe një herë të dytë me princin e kurorës gjatë darkës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se diplomati i lartë i vendit ua bëri të qartë sauditëve se “të mësojë çfarë ka ndodhur me Jamal Khashoggin, kjo është arsyeja kryesore” që Presidenti Trump e dërgoi atë në Rijad dhe se kjo çështje “është me interes të madh për presidentin”.

Sauditët kanë hedhur poshtë pretendimet e Turqisë se ishin agjentët e Arabisë Saudite që vranë Khashoggin brenda konsullatës më 2 tetor, por Departamenti i Shtetit nuk tha se çfarë i deklaruan Sekretarit Pompeo monarku dhe trashëgimtari i fronit në takimet private.

Pompeo, sipas Departamentit të Shtetit, u foli udhëheqësve sauditë për rëndësinë e kryerjes së “një hetimi të plotë, transparent dhe në kohë” dhe përshëndeti mbështetjen e Rijadit për hetuesit turq në hetimin e tyre.

Deri tani nuk ka patur deklarata për fatin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi, megjithëse sipas njoftimeve të mediave në SHBA, Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se ai u vra pasi hyri në konsullatë, duke ia faturuar vdekjen marrjes së tij në pyetje që shkoi keq. Khashoggi, një kritik i princit të kurorës në shkrimet e tij për gazetën Washington Post, jetonte në Shtetet e Bashkuara në mërgim të vetimponuar.

Ndërsa uleshin për takimin e tyre të parë, princi i kurorës i tha në anglisht zotit Pompeo: “Ne jemi aleatë të fortë dhe të vjetër. Ne përballemi me sfidat tona së bashku, dje, sot dhe në të ardhmen.

“Absolutisht”, u përgjigj sekretari Pompeo.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se zoti Pompeo u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm saudit Adel al-Jubeir.

Vizita e zotit Pompeo në Rijad erdhi disa orë pasi ekspertët turq përfunduan kqyrjen e konsullatës saudite në Stamboll.

Pas bisedimeve me Mbretin Salman, Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo “falënderoi mbretin për angazhimin e tij për të mbështetur një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë rreth zhdukjes së Khashoggit”.

Presidenti Trump tha të hënën se mbreti Salman në një telefonatë me të mohoi të kishte ndonjë dijeni për fatin e Khashoggit, i cili në shkrimet e tij për gazetën Washington Post ishte kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.

David Mack, studiues në Institutin për Lindjen e Mesme dhe ish ambasador, i tha Zërit të Amerikës se ajo për të cilën akuzohet Arabia Saudite do të ishte e vështirë të kalohej lehtë në Shtetet e Bashkuara, por do të ishte e mundur të kalohej pa u ndështuar në Arabinë Saudite, duke pasur parasysh kontrollin e saj të rreptë ndaj medias dhe disiplinën e imponuar nga familja mbretërore.

Khashoggi jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai shkoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumente për t’u martuar me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz, e cila priste më kot jashtë konsullatën që ai të kthehej.

Presidenti Trump tha për progamin “60 Minutes” të rrjetit CBS se Arabia Saudite do të përballet me “ndëshkim të rëndë” nëse përcaktohet se Khashoggi u vra brenda konsullatës saudite, por Riad nuk e përfilli kërcënimin e SHBA dhe tha se do të hakmerret nëse Presidenti Trump ndërmerr ndonjë veprim kundër Arabisë Saudite .

Si protestë ndaj zhdukjes së Khashoggit, disa udhëheqës amerikanë të bizneseve janë tërhequr nga Iniciativa për Investimet e së Ardhmes, një konferencë e quajtur “Davosi i shkretëtirës”, që mbahet javën tjetër në Rijad.

Trumpi sulmon senatoren demokrate Warren

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi senatoren demokrate Elizabeth Warren të martën, duke iu referuar asaj përsëri si “Pocahontas” (një figurë historike e indianëve të Amerikës) dhe duke e quajtur atë “një mashtrim të plotë dhe total”.

Kritikat e ashpra të Presidentit Trump, të postuara në Twitter të martën, erdhën një ditë pasi senatorja Warren, kandidate e mundshme e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nxori rezultatet e testit të ADN-së që tregojnë se një nga stërgjyshërit e saj mund të ketë patur origjinë nga indianët e Amerikës. Për rezultatin që tregon se ajo ka shumë më pak se një për qind origjinë nga indianët e Amerikës (1/64 deri 1/1024), Presidenti Trump tha se është “shumë më pak se mesatarja amerikane”.

Cherokee, më i madhi i tre fiseve të njohura indiane në Shtetet e Bashkuara, hodhi dyshime mbi testin e ADN-së, duke thënë se testet e tilla janë të padobishme në përcaktimin e identitetit fisnor.

Presidenti Trump kishte ofruar t’i jepte 1 milion dollarë në korrik një organizateje bamirëse që preferon senatorja Warren, nëse ajo do t’i nënshtrohej testit të ADN-së për të parë se a kishte gjak indian. Të hënën, ai mohoi se e kishte bërë premtimin dhe më vonë tha se do të ofronte donacionin “nëse personalisht do ta bënte testin e saj”, një ofertë që senatorja Warren e përshkroi në Twitter si “të pahijshme”.

Senatorja Warren tha gjithashtu se “miliona njerëz e kanë parë” se si Presidenti Trump nuk e mbajti premtimin dhe shtoi, “Ju keni humbur një hap, dhe pas 21 ditësh do të humbni edhe Kongresin”.

Zgjedhjet për Kongres në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 6 nëntor. Ato do të përcaktojnë fatin e 435 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Demokratët duhet të fitojnë 23 vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që sipas shumicës së sondazheve, demokratët kanë një mundësi të mirë për ta arritur. Por sipas shumicës së sondazheve, demokratët nuk kanë gjasa të marrin kontrollin e senatit.

Kontrolli nga demokratët i Dhomës së Përfaqësuesve mund të pengojë përpjekjet e Presidentit Trump për të realizuar axhendën e tij politike dhe do t’u jepte fuqi demokratëve në hetimin e tanishëm të Prokurorit të Posaçëm mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trumpi përçmon aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels

“Horseface” apo “fytyrë-kali” është shprehja që Presidenti amerikan Donald Trump përdori të martën për të përshkruar Stormy Daniels, aktoren e filmave pornografike. Ajo dyshohet se ka pasur një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006, disa muaj pasi zonja e parë Melania Trump lindi djalin e tyre.

Zoti Trump, i cili e ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzën, e nënçmoi aktoren në një postim në Twitter, një ditë pasi një gjykatës federal hodhi poshtë padinë për shpifje të zonjës Daniels ndaj tij. Zoti Trump shkruante gjithashtu se atij “i njihej e drejta e mbulimit të të gjitha shpenzimeve ligjore” dhe shtonte se “mund t’i ndjekë ligjërisht si “Horseface-in” ashtu edhe avokatin e saj të kategorisë së tretë”.

Në një përgjigje drejtuar presidentit në twitter avokati i Stormy Daniels, Michael Avenatti, shkruante: “dhjetëra miliona amerikane janë të lodhura nga sulmet e tua ndaj grave, sidomos ato me të cilat ke patur marrëdhënie seksuale ndërsa tradhëtoje bashkëshortet e tua“.

Komentet përçmuese të zotit Trump për zonjën Daniels janë një tjetër shembull i një stili gjuhe që tradicionalisht nuk është përdorur nga presidentët amerikanë.

Zonja Daniels e paditi zotin Trump në muajin prill, pasi një komenti të tij se skica e një burri që ajo thotë se e kishte kërcënuar në vitin 2011 në mënyrë që të mbyllte gojën për marrëdhënien e dyshuar të saj me zotin Trump, ishte “vepër e një mashtruesi”.

Në vendimin e së hënës gjykatësi S. James Otero tha se zoti Trump bëri një “deklaratë të hiperbolizuar” ndaj një kundërshtari politik dhe sipas tij komenti i tij mbrohej nga Amendamenti i Parë i kushtetutës amerikane.

Nëse kjo gjykatë do të pengonte z. Trump të kryente “këtë retorikë të hiperbolizuar” ndaj një kundërshtari politik, kjo do të frenonte ndjeshëm zyrën e presidentit“, thuhej në vendimin e gjyqtarit.

Zoti Avenatti tha se do ta apelonte vendimin dhe shprehu besimin në një vendimarrje ndryshe pas kësaj.

Menjëherë pas vendimit avokati i zotit Trump, Charles Harder tha se kjo ishte “fitore e plotë” për presidentin.

Vendimi i gjyqtarit i jep të drejtë zotit Trump që shpenzimet për avokatët e tij t’i marrë nga zonja Daniels, emri i vertetë i së cilës është Stephanie Clifford.

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes së saj lidhur me mardhënien e dyshuar me zotin Trump, ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Vdiq bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Paul Allen

Paul Allen dhe Bill Gates

Paul Allen, i cili bashkëthemeloi kompaninë e teknologjisë Microsoft, vdiq në moshën 65-vjeçare.

Dy javë më parë, ai njoftoi se i është kthyer sëmundja e kancerit, të cilën e ka trajtuar në vitin 2009.

Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, tha së është “zemërthyer nga vdekja e njërit prej miqve të tij më të vjetër dhe më të dashur”.

“Informatika personale nuk do të kishte ekzistuar pa të”, tha Gates.

Allen u largua nga Microsoft-i në vitin 1983, pas një mosmarrëveshjeje me Gates.

Por aksionet në kompani i mundësuan atij të jetojë jetën si miliarder.

Trump: Putini “ndoshta” është përfshirë në vrasje

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë në një intervistë televizive se beson që homologu i tij rus Vladimir Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje dhe ka pohuar sërish se Moska ka ndërhyrë në politikën amerikane.

Trumpi po ashtu ka thënë se nuk e di nëse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis është duke planifikuar të dorëhiqet, mirëpo se ai e konsideron gjeneralin si “lloj të demokratit” dhe se ai mund të largohet.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë të realizuar paraprakisht për emisionin televiziv 60 Minuta në CBS, e cila është transmetuar më 14 tetor.

Në mesin e çështjeve që ai ka përmendur janë edhe Koreja Veriore, përpjekjet e shpëtimit pas uraganit në SHBA, zhdukja e gazetarit saudit në Turqi, Jamal Khashoggi dhe ndryshimet klimatike.

Kur prezantuesja e CBS-së, Lesley Stahl, e ka pyetur Trumpin nëse pajtohet me njerëzit që pretendojnë se Putin ka qenë i përfshirë në vrasjet e kritikëve, ai është përgjigjur, “ndoshta po. Ndoshta”.

Nuk është bërë e qartë se në cilat vrasje Trump ka dyshuar se ka qenë i përfshirë Putini, ndonëse shumë kritikë të liderit rus janë vrarë përmes helmimeve të dyshuara dhe të tjerë në kushte të mistershme.

Megjithatë, Moska ka mohuar ndonjë lidhje.

I pyetur për ndërhyrjen ruse në sistemin politik në SHBA, Trump ka thënë se beson që Moska ka ndërhyrë, mirëpo se edhe “Kina ka ndërhyrë po ashtu”.

“Ju jeni duke shmangur plotësisht çështjen e Rusisë”, i ka thënë Stahl presidentit.

“Nuk jam duke bërë asgjë” është përgjigjur Trump.

Komuniteti amerikan i Inteligjencës dhe Këshilltari Special amerikan, Robert Mueller kanë gjetur se Rusia ka nisur fushatë për shpërndarje të propagandës në rrjetet sociale dhe ka hakuar dokumente të demokratëve në tentim të ndikimit të rezultatit zgjedhor në të mirë të Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Moska në anën tjetër mohon çdo përfshirje.

Sa i përket Sekretarit Mattis, presidenti republikan ka thënë se ai nuk është i sigurt nëse gjenerali do të vazhdojë të mbetet në pozicionin e tij.

“Ndoshta ai do të largohet. Mendoj se ai është një lloj demokrati, nëse doni të dini të vërtetën”, ka thënë Trump.

“Mirëpo Gjenerali Mattis është njeri i mirë. Ne kalojmë për mrekulli. Ai mund të largohet. Në një moment, të gjithë largohen”, ka shtuar ai.

Mattis konsiderohet si një nga anëtarët më të pavarur në kabinetin e Trumpit, mirëpo ai po ashtu është edhe dorë e fortë në këtë administratë, e cila njihet për numër të madh të lëvizjeve në mes të zyrtarëve.

Ai është cilësuar edhe si personalitet që ka krijuar balancë kundrejt qasjeve të presidentit, pasi ka shtyrë përparë idenë e përmirësimit të marrëdhënieve me aletatët tradicionalë të SHBA-së, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, të cilëve Trump u është drejtuar me fjalor të ashpër.

Disa liderë nga Perëndimi po ashtu kanë përshëndetuar Sekretarin Mattis për politkë të ashpër kundër Putinit, pavarësisht se Trump ka shprehur dëshirën për lidhje më të ngrohta me Moskën.

Spekulimet janë rritur për të ardhmen e Mattis si shef i Mbrojtjes, prej kur është publikuar libri i gazetarit, Boob Woodward për Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga Trumpi, në të cilin thuhet se Gjenerali ka vënë në pikëpyetje vlerësimin e Trumpit, duke e krahasuar aftësinë e tij të të kuptuarit me një fëmijë 11 vjeç.

Mirëpo Mattis ka kundërshtuar se ka bërë deklaratë të tilla dhe ka mohuar vazhdimisht se është duke konsideruar largimin.

“Natyrisht se nuk mendoj të largohem”, u ka thënë ai gazetarëve në muajin shtator.

“E dua këtë vend”.

Përndryshe në mesin e të larguarve në administratën Trump janë edhe Rex Tillerson që ka mbajtur pozitën e Sekretarit të Shtetit dhe H.R. McMaster, i cili ka qenë në pozitën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare.

Më 9 tetor, Trump ka njoftuar edhe se Nikki Haley do të largohet në fund të vitit nga pozita e ambasadores në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ende nuk është bërë publik asnjë arsye e dorëheqjes së saj.

Trump po ashtu ka dhënë shenja për ndryshime potenciale në kabinetin e tij.

“Jam duke bërë ndryshime. Kam të drejtë t’i bëjë ato. Kam njerëz që mund të angazhohen dhe do të jetë fantastike”, ka shtuar presidenti amerikan.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Ja piktura e veçantë që Donald Trumpi mban në Shtëpinë e Bardhë (foto)

Spektatorët sy-mprehtë kanë vënë re në një intervistë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një pikturë.

Në të duket Donald Trumpi i ulur në një tavolinë me të gjithë Presidentët Republikanë të shquar në historinë e SHBA, përfshi edhe Abraham Lincoln.

Dekori i varur jashtë Zyrës Ovale, bëri që njerëzit në rrjetet sociale të japin komentet e tyre. Disa shkruanin se Trump e ka dizejnuar vetë në mënyrë që t’i duket vetja i rëndësishëm.

Ndërsa disa tjerë mendonin se Trump-it i takon një vend pranë Presidentëve të shquar si Dwight Eisenhower, Richard Nixon, Teddy Roosevelt dhe Gerald Ford.

Makthi i krizës së Opioideve në Amerikë

Në fillim të këtij viti, gazetarët e Zërit të Amerikës, Chris Simkins dhe Jeff Swicord ndërmorën një projekt të posaçëm njëvjeçar për të dokumentuar krizën e opioideve në Shtetet e Bashkuara, me fjalët e vetë amerikanëve që vuajnë nga kjo epidemi. Rezultati është një seri e quajtur “Dëmi i bërë: Të jetosh makthin e krizës së opioideve në Amerikë”. Seria rrëfen historinë e tre vetëve, një grua nga Majami, që po përpiqet të shërohet nga varësia ndaj opioideve dhe të mbajë familjen e saj; një punonjës social vullnetar që punon në lagjen më të prekur nga droga në Filadelfia; dhe një shef policie në një qytet të vogël të Karolinës së Veriut që nuk i arreston më njerëzit dhe ka krijuar një organizatë jofitimprurëse që siguron shërbime për të droguarit. Në këtë episod do t’ju çojmë në Filadelfia ku policia ka ndërhyrë për të spastruar kampet me tenda provizore të të droguarve në lagjen Kensingotn të qytetit. Po ku do të shkojnë ata?

Trump: Mattis mund të largohet nga posti

Presidenti Donald Trump po sugjeron se Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis mund të jetë një nga zyrtarët e tij të ardhshëm kyç që mund të largohet nga qeveria.

Republikani Trump, në një intervistë të transmetuar të dielën në emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS, thotë se Mattis nuk ka asnjë shenjë se po largohet, por shtoi: “Mund të ndodhë që ai të largohet. Mendoj se ai është si një demokrat, nëse doni të dini opinionin timtë vërtetë. ”

Udhëheqësi amerikan e përshkroi gjeneralin në pension si “një njeri të mirë, ne shkojmë shumë mirë, por mund të largohet, pasi në një moment, të gjithë largohen.

Trump, gjatë administratës së tij 21-mujore, ka shkarkuar ose detyruar të largohen dhjetra zyrtarë të rëndësishëm, ose ka parë të tjerët që i pëlqente, të japin dorëheqjen, përfshirë ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley, e cila javën e kaluar tha se do të linte postin e saj në fund të vitit.

Mattis, duke udhëhequr ushtrinë amerikane, herë pas here ka qenë në kundërshtim me presidentin Trump dhe shumë zyrtarë të administratës së tij, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton. Mattis, në mes të vitit 2017, bëri thirrje për më shumë opsione diplomatike me Korenë e Veriut në lidhje me programin e armëve bërthamore të Phenianit, një qëndrim që presidenti Trump përfundimisht e përkrahu, gjë që çoi në samitin e qershorit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump: Kemi mundësinë për marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është takuar në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë me pastorin amerikan, Andrew Craig Brunson, pasi gjykata në Izmir vendosi që ai të lirohet.

Presidenti Trump pasi ka bërë të ditur se kanë punuar shumë në çështjen e Brunson kryesisht kohët e fundit, tha se “Falënderoj shumë presidentin Erdoğan. Është një hap i madh për t’u kthyer në marrëdhëniet e mëparshme. Tani kemi mundësinë për të patur marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë”.

Ai ka shtuar se pas lirimit të Brunson kanë një qasje të ndryshme ndaj Turqisë në krahasim me ditën e mëparshme.

“E duam Turqinë, e duam popullin turk”

Ndërsa pastori Brunson në fjalën e tij ka shprehur falënderimet ndaj zyrtarëve amerikanë që janë përpjekur për lirimin e tij.

Ndaj pyetjes së Trump nëse dëshiron apo jo të rikthehet sërish në Turqi pastroi Brunson tha se “E duam Turqinë, e duam popullin turk. Atje kemi jetuar 25 vite”.

Edhe Trump pas fjalës së Brunson ka bërë vlerësimin e tij se “Populli turk është një popull i madh, e di këtë”.

Dje gjykata në Izmir të Turqisë dha dënimin me tre vite e një muaj e gjysmë burgim, ndaj pastorit amerikan, Andrew Craig Brunson, i cili ndodhej në arrest shtëpie dhe ndaj të cilit kërkohej dënimi me 35 vite burg me akuzat se kishte kryer spiunazh dhe vepra penale në emër të organizatave terroriste FETO dhe PKK.

Duke marrë parasysh kohën prej afër dy vitesh që ai ka qëndruar në arrest, gjykata vendosi që ai të lirohet. Brunson i cili u lirua dje pas heqjes së arrestit të shtëpisë dhe ndalesës për udhëtim jashtë vendit, udhëtoi drejt SHBA-ve. aa

Trumpi takon pastorin Brunson, falënderon Erdoganin për lirimin e tij

Presidenti Donald Trump përshëndeti kthimin në Uashington të pastorit amerikan Andrew Brunson.

Trump dhe Brunson u takuan në Zyrën Ovale të shtunën, pak orë pas mbërritjes së këtij të fundit në tokën amerikane.

Presidenti i tha Brunsonit “ne kemi qenë duke biseduar gjatë dhe kemi bërë negociata të vështira” për lirimin e tij duke shtuar se “ne nuk paguajnë shpërblim në këtë vend”.

Një gjykatë turke të premten dënoi Brunsonin për lidhje me terrorizmin dhe e dënoi atë me vetëm tre vjet burg. Por gjykata e liroi pastorin ungjillor 50-vjeçar, pasi ai kishte kaluar gati dy vjet në paraburgim, raporton VOA.

“Do të jetë e mrekullueshme të takohem me të”, shkroi Trump në Twitter të shtunën në mëngjes. “Ai është një i krishterë i mirë që ka përjetuar një përvojë kaq të vështirë”.

Trumpi falënderoi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për kthimin e Brunsonit, i cili u lirua të premten nga një gjykatë turke. Trump vuri në dukje se SHBA nuk negociuan një marrëveshje me Turqinë për lirimin e Brunsonit, duke thënë, “Unë nuk bëj marrëveshje për pengje.” Ankaraja gjithashtu ka kundërshtuar fuqimisht çdo sugjerim për një marrëveshje.

Lirimi i Andrew Brunson të premten shënoi fundin e një mosmarrëveshjeje të ashpër diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Brunson përballej me 35 vjet burg nëse do të dënohej për terrorizëm dhe akuzat për spiunazh, që Uashingtoni i quajti të pabaza.

Eksperti amerikan: SHBA nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për “kallxo” thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.

Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, tha se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.

Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

“Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile”, ka thënë eksperti amerikan i politikës së jashtme.

Uragani Michael në SHBA si “nëna e të gjitha bombave”

Mexico Beach, Florida

Uragani Michael ka shkatërruar qytetin Mexico Beach në veriperëndim të Floridas në SHBA, thanë zyrtarët.

Stuhia ka zbarkuar atje të mërkurën, me erëra deri në 250 kilometra në orë.

Mbi 1.4 milion shtëpi kanë qenë pa energji elektrike në Florida, Alabama Xhorxhia dhe Virxhinia, mëngjesin e së premtes.

Michael, njëri nga uraganet më të fuqishme në historinë e Shteteve të Bashkuara, la të vrarë së paku 11 njerëz, ndërsa kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë.

Personeli i ushtrisë amerikane përdori pajisje të rënda për të pastruar pemët e rrëzuara, në mënyrë që ekipet e shpëtimit të arrinin te banorët e bllokuar.

“Nëna e të gjitha bombave nuk bën më shumë dëm se kjo”, tha kryetari i qytetit Mexico Beach, Tom Bailey.

I dobësuar në erëra me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë, Michael është nisur në verilindje të SHBA-së, tha Qendra Kombëtare për Uragane.

Turqia liron pastorin amerikan

Një gjykatë turke vendosi të premten të lirojë pastorin e krishterë evangjelist amerikan Andrew Brunson, çështja e të cilit ka qenë në qendër të përplasjeve diplomatike mes Ankarasë dhe Uashingtonit.

Vendimi mund të jetë hapi i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy aleatëve të NATO-s.

Gjykata miratoi një dënim prej rreth 3 vitesh për Andrew Brunson-in, i cili ishte akuzuar për vepra terroriste, por për shkak të arrestimit të tij prej tetorit 2016 ajo vendosi për lirimin e pastorit.

Sipas dëshmitarëve zoti Brunson u emocionua gjatë momentit të njoftimit të vendimit.

Përpara se gjyqtari të jepte vendimin, pastori i tha gjykatës: “Jam i pafajshëm. E dua Jezusin dhe Turqinë”.

Melania Trump: Jam personi më i ngacmuar në botë

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, ka thënë se ka nisur fushatën kundër ngacmimeve në formë elektronike, pasi ajo është “personi më i ngacmuar në botë”.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një intervistë dhënë për ABC News, një pjesë e së cilës është bërë publike të enjten.

Intervista është realizuar javën e kaluar derisa ajo ishte duke realizuar udhëtimin e saj në kombet afrikane.

“Unë mund të them se jam personi më i ngacmuar në botë”, ka thënë Zonja e Parë.

Kur gazetari e ka pyetur nëse vërtet ashtu mendon, ajo ka thënë se është “një nga personat, nëse e shihni se çfarë njerëzit flasin për mua”.

Trump ka nisur javën e kaluar udhëtimin e saj të parë si Zonjë e Parë jashtë Shteteve të Bashkuara, duke udhëtuar në Ganë, Malaui, Kenia dhe Egjipt.

Në intervistën, e cila transmetohet e plotë të premten, ajo ka thënë se gratë që bëjnë akuza për abuzime seksuale, “duhet të prezantojnë prova të forta”.

Megjithatë, ajo nuk ka treguar se çfarë ka nënkuptuar më këtë term.

“Unë qëndroj mbrapa këtyre grave, mirëpo duhet t’i prezantojmë faktet”, është shprehur ajo.

“Ju nuk mund të thoni vetëm ‘Unë jam abuzuar seksualisht’ apo ‘Ju jeni sulmuesi’”.

“Ndonjëherë mediat shkojnë shumë larg në atë se si portretizojnë disa tregime që nuk janë të vërteta. Nuk është e drejtë”, ka shtuar ajo.

Më herët gjatë udhëtimit të saj, ajo pati mbrojtur Gjykatësin e Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh.

Nominimi i tij ka qenë afër dështimit për shkak të akuzave të disa grave për abuzime seksuale sa ka qenë i ri.

Agjenti kinez arrestohet në Belgjikë dhe gjykohet në SHBA

Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj një spiuni kinez që u përpoq të vidhte sekrete tregtare nga disa prej kompanive kryesore amerikane të aviacionit dhe hapësirës. Departamenti i Drejtësisë njoftoi se Yanjun Xu, oficer i shërbimit kinez të zbulimit, u arrestua në muajin prill në Belgjikë dhe më pas u ekstradua drejt Shteteve të Bashkuara ku këtë të mërkurë u zhvillua seanca e parë gjyqësore.

Prokurori për distriktin jugor të shtetit Ohio shpjegoi se si zoti Xu dhe oficerë të tjerë zbulimi zbatuan skemën e tyre.

“Së bashku me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kineze për Sigurimin e Shtetit ata fshehën identitetet e tyre dhe natyrën e vërtetë të punës së tyre. Punuan për të rekrutuar individë në kompanitë e aviacionit në mbarë SHBA-në dhe Evropën, të cilët ata menduan se do t’u ofronin sekrete tregtare”, – tha Prokurori i Ohios, Benjamin Glassman.

Ekspertët besojnë se kjo është hera e parë që një spiun i qeverisë kineze sillet në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar.

SHBA bisedon me princin saudit rreth zhdukjes së gazetarit

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se zyrtarë të lartë të administratës Trump kanë folur me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman rreth zhdukjes misterioze të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, për të cilin zyrtarët turq thonë se besojnë se është vrarë javën e kaluar brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll.

Siç njofton Shtëpia e Bardhë, këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton dhe këshilltari i lartë Jared Kushner, dhëndër i Presidentit Trump, biseduan me princin Salman të martën, ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pati një telefonatë me udhëheqësin saudit për të përsëritur kërkesën e SHBA për informacion në lidhje me çështjen.

“Në të dyja telefonatat ata kërkuan më shumë hollësi dhe që qeveria saudite të jetë transparente në procesin e hetimit”, tha Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders tha se SHBA po vazhdon të vëzhgojë hetimin që po zhvillohet në Stamboll, por nuk ofroi asnjë informacion se cili princ i kurorës u foli zyrtarëve amerikanë rreth zhdukjes së gazetarit Khashoggi.

Ndërkaq, Presidenti Trump u tha gazetarëve se kishte biseduar me zyrtarët në Arabinë Saudite “në nivelin më të lartë” rreth zhdukjes së Khashoggit, por nuk ofroi ndonjë hollësi mbi vendndodhjen e tij të mundshme.

“Është një situatë shumë e trishtueshme, një situatë e keqe”, tha Presidenti Trump. “Është një gjë e tmerrshme.”

“Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur,” tha ai, duke shtuar, “Ne duam t’i shkojmë deri në fund kësaj. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë, te gazetarët, te kushdo.”

Presidenti Trump nuk pranoi të thoshte se me kë kishte biseduar në qeverinë saudite. Ai tha se ndihmësit e tij kanë qenë në kontakt me të fejuarën e Khashoggit, Hatixhe Çengiz, dhe shpresojnë të organizojnë një takim me të në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët turq thonë se ata besojnë që Khashoggi, një kritik i princit Salman, që dhe që banonte në mërgim të vetimponuar në SHBA, është vrarë më 2 tetor në konsullatë kur shkoi atje për të marrë dokumente që e lejonin të martohej me zonjën Çengiz, shtetase turk, ose ndoshta është dërguar fshehurazi në Rijad.

Arabia Saudite e ka quajtur pretendimin e Turqisë “të pabazë”, por nuk ka ofruar asnjë provë se Khashoggi është larguar nga konsullata i gjallë. As Turqia nuk ka ofruar dëshmi se ai është vrarë brenda konsullatës.

NJË MISTER I PAZGJIDHUR

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo po i bën thirrje Arabisë Saudite që të mbështesë një hetim të plotë dhe transparent mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, një banor i SHBA dhe kontribues i gazetës Washington Post.

Një mike e zotit Khashoggi, analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, tha për Zërin e Amerikës se nëse konfirmohen njoftimet se gazetari Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Turqi, qeveria amerikane duhet të ndalë shitjen e armëve për Arabinë Saudite dhe të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Rijadin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Fati i gazetarit Jamal Khashoggi, dikur këshilltar i qeverisë saudite dhe redaktor e gazetar i njohur, mbetet një mister një javë pasi ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument martese. E fejuarja e tij turke po mbante telefonin e tij dhe po e priste jashtë, dhe ajo tha se 11 orë më vonë u largua pasi zoti Khashoggi nuk doli nga ndërtesa. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai ka hyrë në konsullatë, por nuk ka pamje filmike të largimit të tij. Qeveria saudite mohon çdo përfshirje në zhdukjen e tij.

Në forumin “Fytyra e Re e Arabisë Saudite” në Uashington të martën, organizatorët thanë se zoti Khashoggi duhej të ishte pjesë e panelit.

Analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, i shpjegoi Zërit të Amerikës njoftimet e policisë turke mbi atë që mund të ketë ndodhur brenda konsullatës saudite.

“Ata po flasin për vrasje, për copëtim të trupit të gazetarit, mikut tim Jamalit. Ata po flasin për kuti të nxjerra jashtë konsullatës, ku ata besojnë se ishte futur trupi i tij. Këto janë pohimet e policisë turke, për të cilat nuk ka konfirmim”, thotë Rula Jebreal me Universitetin e Majemit.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i kujdesshëm.

“Që nga Sekretari e deri zyrtarët e tjerë të nivelit më të ulët, ne kemi qenë të angazhuar në këtë çështje. Ne e kemi ndjekur këtë çështje. Unë e kuptoj që Presidenti synon të flasë me sauditët, kështu që unë nuk do t’i paraprijë bisedave që Presidenti mund të ketë.”

“Unë jam i shqetësuar për këtë, nuk më pëlqen të dëgjoj për këtë, dhe shpresojmë se kjo do të zgjidhet. Tani për tani, askush nuk di asgjë për këtë, por po qarkullojnë disa histori mjaft të këqija. Nuk me pëlqen kjo”, tha presidenti Trump.

Zonja Jebreal tha se Princi saudit Mohammed bin Salman ishte i zemëruar që Khashoggi kishte një platformë kaq të rëndësishme si Washington Posti për shkrime kritike. Ajo theksoi se nëse njoftimet për vrasjen e tij konfirmohen, Perëndimi duhet të ndalë blerjet e armëve nga sauditët dhe të ngrijë asetet e princit dhe sunduesve të tjerë sauditë;

“Nëse jemi të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut vetëm kur armiku i kryen ato, kur Irani dhe të tjerët i kryejnë ato, atëherë ne vërtetë nuk jemi aq të shqetësuar nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe dërgojmë mesazhin se ne jemi bashkëpunëtorë dhe ne jemi në rregull me këtë, dhe Princi mund të bëjë vrasje pa u ndëshkuar.”

Presidenti Donald Trump bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në Arabinë Saudite në maj të vitit 2017, duke vazhduar një traditë të gjatë të Uashingtonit me lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Rijadin.

Kush do jetë ambasadorja e re e SHBA në OKB?

Presidenti amerikan Donald Trump tha se po konsideron emrin Dina Powell, një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, ish- Zëvendëskëshilltare për Sigurinë Kombëtare, si ambasadore e ardhshme e SHBA në OKB, duke zëvendësuar Nikki Haley.
Me këtë deklaratë, Trump u jep fund spekulime se ai mund të caktojë vajzën e tij, Ivanka, për të mbuluar këtë post.

Trump bisedoi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një vizitë në Iowa, disa orë pasi ai njoftoi se ambasadori amerikan në OKB Nikky Haley do të japë dorëheqjen.

Trump tha se Haley do ta ndihmonte të përcaktonte se kush do të ishte ambasadori tjetër i OKB.

Powell, në vitin e parë të administratës së Trump shërbeu si Zëvendëskëshilltare e Sigurisë Kombëtare për hartimin e strategjisë. Ajo është një lojtare kyç në përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme.

Parashikimet se Ivanka Trump do të merrte pozicionin e ambasadores së OKB-së janë forcuar pasi Haley lavdëroi Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, gjatë bisedimeve mbi dorëheqjen në Zyrën Ovale të martën në mëngjes.

Megjithatë, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, se megjithëse ai mendonte se Ivanka mund të luante një rol të madh me këtë pozitë, ai do të përballej me akuzat e nepotizmit për zgjedhjen e vajzës së tij.

Nikki Haley largohet si ambasadore në OKB

Presidenti i SHBA, Donald Trump pranoi dorëheqjen e ambasadores amerikane në OKB Nikki Haley.

Ata u takuan në Zyrën Ovale dhe bënë komente për gazetarët.

Presidenti Trump tha se zonja Haley kishte shprehur dëshirën për t’u larguar rreth 6 muaj më parë dhe shtoi se ajo do të shkëputet në fund të këtij viti.

Presidenti Trump tha se zonja Haley ka qenë “mjaft e veçantë” për të dhe ka bërë “një punë fantastike.”

Ambasadorja Haley tha se nuk dëshironte të thoshte se me se do të merrej pasi të largohej nga detyra në OKB si dhe nuk ka ndërmend të kandidojë në garën e ardhshme presidenciale.

Në komentet për gazetarët ajo tha se “ndonjëherë është mirë të largohesh për t’u hapur rrugën të tjerëve”.


Send this to a friend