VOAL

VOAL

SHBA, fituesi i lotarisë merr 1.6 miliardë dollarë

October 24, 2018

Komentet

JD Vance: Nuk mund të fitoni duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët tuaj apo liderin e opozitës…

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance duke folur në konferencën e sigurisë në Mynih ka deklaruar siç duket  duke ju drejtuar majtistëve se, “ju nuk mund të fitoni një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët tuaj apo liderin e opozitës….as duke paditur gazetarë që raportojnë lajme!”.

“Ne duhet të bëjmë më shumë në praktikë sesa vetëm të flasim për vlerat demokratike”, tha ai në fjalimin e tij.

“Unë thellësisht besoj se nuk duhet të keni frikë nga zërat dhe opinionet alternative për atë sesi liderët po drejtojnë shtete të ndryshme evropiane”.

“Fjala e lirë, kam frikë, se po censurohet”, tha Zëvendëspresidenti amerikan, duke ju drejtuar panelistëve dhe pjesmarrësve në Konferencën mbi Sigurinë. “E djathta po sulmohet në të gjithë botën”, ka deklaruar ai para shumë liderve evropiane. sn

Presidenti Trump urdhëron reformim të trupës diplomatike

VOA Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv të mërkurën që udhëzon Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të bëjë ndryshime në Shërbimin e Jashtëm për të siguruar që politika e tij ‘Amerika e Para’, të zbatohet në mënyrë efektive dhe me besnikëri.

Urdhri pason zhvillimet në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, punonjës të së cilës janë pezulluar apo apo u është dhënë leje me detyrim.

Presidenti Trump është zotuar vazhdimisht se do ta pastrojë atë që e quan “shtet brenda shtetit”, duke pushuar nga puna burokratët dhe ata që i konsideron jobesnikë.

Në urdhrin ekzekutiv të presidentit thuhet se moszbatimi i agjendës së tij do të konsiderohet si arsye për masa disiplinore që mund të çojnë në largimin nga puna.

“Sekretari (Marko Rubio) duhet të ketë një fuqi punëtore të jashtëzakonshme patriotësh, për ta zbatuar këtë politikë në mënyrë efektive”, thuhej në urdhër.

“Sekretari, në përputhje me ligjin në fuqi, do të reformojë Shërbimin e Jashtëm dhe administrimin e marrëdhënieve me jashtë për të siguruar zbatimin besnik dhe efektiv të agjendës së politikës së jashtme të presidentit”, thuhej më tej.

Në urdhër thuhet se Sekretari i Shtetit do të zbatojë reforma lidhur me standardet e rekrutimit, efiçencës dhe cilësisë në punë, si dhe në standarded e vlerësimit dhe mbajtjes në punë për të “siguruar një fuqi punëtore që është e përkushtuar për zbatimin besnik të politikës së jashtme të presidentit”.

Bazuar në urdhër, sekretari mund të rinovojë programet e Institutit të Shërbimit të Jashtëm dhe të rishikojë apo zëvendësojë manualin e Punëve të Jashtme, një përmbledhje mbi politikat, procedurat dhe strukturat organizative të Departamentit të Shtetit.

Vetëm disa orë pas marrjes së detyrës më 20 janar, Presidenti Trump urdhëroi ngrirjen e pjesës më të madhe të ndihmës që Shtetet e Bashkuara u japin vendeve të tjera, për t’u siguruar që ajo ishte në përputhje me politikën e tij “Amerika e Para”.

Pas urdhrit, personelit të USAID-it iu dha leje e detyruar dhe iu kërkua të mos paraqitej në punë në selinë e agjencisë në Uashington, ku tabelat me emrin e agjencisë u hoqën apo mbuluan.

Faqja e internetit e USAID-it nuk punon më dhe Sekretari Rubio është emëruar ushtrues i detyrës së administratorit.

Zgjedhjet parlamentare, senatorja Slotkin: SHBA dhe Kosova kanë partneritet të qëndrueshëm

Elissa Slotkin senatore e Shteteve të Bashkuara për Michiganin, ka shkruar për zgjedhjet në Kosovë.

Në një postim në profilin e saj në ‘X’, ajo shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një partneritet të qëndrueshëm të rrënjosur në vlerat dhe miqësinë e përbashkët demokratike.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një partneritet të qëndrueshëm të rrënjosur në vlerat dhe miqësinë e përbashkët demokratike. Ndërsa populli i Kosovës shkon drejt qendrave të votimit të dielën, unë mbështes të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet vendeve tona.”, shkroi ajo. bw

Osmani: Me administratën Trump synojmë thellimin e bashkëpunimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, shteti synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se po ashtu synohet vazhdimi i punës me Uashingtonin lidhur me forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit, por ka zhvilluar edhe takime në Departamentin e Shtetit.

Më 6 shkurt, Osmani tha se është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, me të cilin tha se ka biseduar për raportet mes dy vendeve, që sipas saj, është një aleancë ” e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri”.

Presidenca, ndërkaq bëri të ditur se Osmani në Uashington është takuar edhe me kongresistin Keith Self, me të cilin ka biseduar për nevojën e mbështetjes të vazhdueshme amerikane për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo potencoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në përmbushjen e synimeve euroatlantike të Kosovës dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë”, u tha në njoftim.

Osmani po ashtu është takuar me kongresistin Mike Lawler, me të cilin ka biseduar për forcimin e raporteve dypalëshe.

Deklaratat e presidentes Osmani për synimin që të thellohet bashkëpunimi me Uashingtonin, vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika nga zyrtar të administratës amerikane.

Më 3 shkurt, i dërguari amerikan amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Këto deklarime të Grenellit janë bërë disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

Kabineti i Kurtit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një medium në Kosovë, Istogu Channel, ai përsëriti se marrëdhëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë – në çka reagoi sërish Grenell, duke thënë se ato në fakt nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Kurti ishte përballur me kritika edhe nga administrata paraprake amerikane e udhëhequr nga Joe Biden, për shkak të disa veprimeve të ndërmarra në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, kishte shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pas kësaj deklarate, Kurti kishte këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës

Shtëpia e Bardhë me zyrë për të luftuar diskriminimin e të krishterëve

Presidenti Donald Trump gjatë aktivitetit për Mëngjesin e Lutjeve (Uashington, 6 shkurt 2025)

 

VOA Marrë nga Reuters

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të enjten se do të krijojë në Shtëpinë e Bardhë një zyrë për çështjet e besimit dhe e udhëzoi Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi të drejtojë një grup pune për të eliminuar atë që e quajti diskriminim ndaj të krishterëve në qeverinë federale.

Presidenti Trump i bëri komentet gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Kapitol dhe shfrytëzoi fjalimin e tij për të bërë thirrje për unitet, duke u thënë ligjvënësve se marrëdhënia e tij me besimin ka ndryshuar që kur ndodhën dy atentatet ndaj tij vitin e kaluar.

Gjatë një mëngjesi të dytë lutjesh në Uashington, Presidenti Trump përdori një ton më partiak, duke u shprehur i kënaqur me eliminimin gjatë dy javëve të fundit të programeve për drejtësinë sociale të bazuar tek aspekte si raca apo gjinia (programet e ashtuquajtura woke), si dhe njoftoi masat për të mbrojtur krishtërimin nga ai që tha se ishte diskriminim fetar.

“Misioni i këtij grupi pune do të jetë që të ndalë menjëherë të gjitha format e sulmeve ndaj të krishterëve dhe diskriminimin brenda qeverisë federale, përfshirë në Departamentin e Drejtësisë, që ishte absolutisht i tmerrshëm, si dhe tek agjencia e taksave IRS, në FBI dhe në agjencitë e tjera”, tha Presidenti Trump.

Ai u zotua se prokurorja e përgjithshme do të punojë “për të hetuar plotësisht dhunën dhe vandalizmin kundër të krishterëve në shoqërinë tonë dhe do të bëjë gjithçka të mundur në tokë dhe në qiell për të mbrojtur të drejtat e të krishterëve dhe besimtarëve në mbarë botën”.

Presidenti nuk përmendi gjatë fjalimit shembuj specifikë të diskriminimit të të krishterëve, por ka akuzuar më parë administratën e ish-Presidentit Biden se përdori qeverinë federale për të goditur në veçanti të krishterët.

Presidenti Trump firmosi të enjten një urdhër ekzekutiv për të krijuar grupin e punës dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e tij, ku përfshihet rekomandimi i hapave për t’i dhënë fund “politikave, praktikave apo sjelljeve dhunuese”.

Administrata e ish-Presidentit Biden njoftoi një strategji në dhjetor për të luftuar paragjykimin ndaj myslimanëve dhe arabëve, dhe një plan të ngjashëm për të luftuar antisemitizmin në shtator 2023.

Veprimet e shpallura të enjten mund të ngrenë pikëpyetje kushtetuese në lidhje me ndarjen e kishës nga shteti, me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane që kufizon mbështetjen e fesë nga qeveria.

Në tre ciklet e fundit zgjedhore, votuesit e bardhë ungjillorë të krishterë, të cilët përbëjnë një pjesë jetike të bazës republikane, kanë mbështetur Presidentin Trump. Ai ka përqafuar pikëpamjet konservatore të krishtera dhe politikat që reflektojnë ankthin e kësaj pjese të popullsisë për ndryshimin e normave gjinore dhe modeleve familjare.

Presidenti njoftoi gjithashtu të enjten se do të krijojë një Zyrë Besimi në Shtëpinë e Bardhë, të udhëhequr nga pastorja Paula White, e cila ka shërbyer si këshilltare fetare e tij për shumë vite.

Presidenti Trump krijoi një zyrë të ngjashme në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të tij të parë dhe u konsultua rregullisht me një grup të ngushtë këshilltarësh evangjelistë.

Presidenti Trump tha gjithashtu se do të krijojë një komision të ri për lirinë fetare dhe e kritikoi administratën ish-Presidentit Biden për “persekutimin” e besimtarëve nëpërmjet ndjekjes penale të aktivistëve kundër abortit.

Në vitin 2023, Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve u nda në dy aktivitete, atë në Kapitol ku morën pjesë ligjvënësit dhe një aktivitet tjetër privat me disa mijëra pjesëmarrës në një hotel, pasi disa ligjvënës u përpoqën të distancoheshin nga grupi fetar privat pas pikëpyetjeve se si drejtohej dhe financohej.

Presidenti Trump në Mëngjesin e Lutjeve, thirrje që amerikanët të rikthejnë Zotin në jetët e tyre

VOA

Presidenti Donald Trump tha të enjten se marrëdhënia e tij me fenë ka “ndryshuar” pas dy tentativash të dështuara për ta vrarë vitin e kaluar. Komentet zoti Trump i bëri në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve që u mbajt në Kapitol, ku bëri thirrje që amerikanët “të rikthejnë Zotin në jetën tyre”.

Presidenti Trump iu bashkua një tradite më shumë se 70 vjeçare të Uashingtonit, që bën bashkë ligjvënës nga të dy partitë.

Besoj vërtet se nuk mund të jesh i lumtur pa fenë, pa besimin”, tha Presidenti Trump. “Le ta kthejmë fenë e Zotin në jetët tona“, shtoi ai.

Duke iu referuar atentatit ndaj tij në Butler të Pensilvanisë vitin e kaluar, kur një plumb e plagosi në veshin e djathtë, Presidenti Trump u tha ligjvënësve dhe të pranishmëve në sallë, se ngjarja e ndryshoi.

Ndihem edhe më i fortë. Besoj në Zot, por e ndjej më fort këtë gjë. Diçka ndodhi“, shtoi ai.

Më pas ai iu drejtua me shaka të pranishmëve duke thënë se fatmirësisht plumbi nuk ia prishi flokët, gjë që shkaktoi të qeshura mes tyre.

Presidenti, i cili është një i krishterë që nuk ndjek një degë të caktuar të kësaj feje, e quajti lirinë fetare “pjesë të themelit të jetës së amerikanëve” dhe bëri thirrje për mbrojtjen e saj me “përkushtim absolut”.

Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë patur mospajtimeve me udhëheqës fetarë, sikurse rasti i Peshkopes Mariann Budde, e cila një ditë pas inaugurimit të tij, bëri thirrje për mëshirë për anëtarët e komunitetit LGBTQ+ si dhe emigrantët e paligjshëm që ndodhen në vend.

Nënpresidenti JD Vance, i cili është katolik, është përplasur me drejtues kryesorë të kishës që frekuenton, mbi çështje të emigracionit.

Shumë klerikë në të gjithë vendin janë të shqetësuar që tashmë zyrtarët federalë lejohen të hyjnë edhe në kisha, për aksionet e tyre kundër emigrantëve të paligjshëm.

Presidenti republikan mbajti një fjalim provokues në Mëngjesin e Lutjeve, i fundit në mandatit të tij të parë.

Atë vit takimi u zhvillua një ditë pasi Senati e shpalli të pafajshëm pas ngritjes së akuzave në Kongres që synonin shkarkimin e tij.

Nuk më pëlqejnë njerëzit që përdorin besimin si justifikim për të bërë atë që ata e dinë se është e gabuar“, tha zoti Trump gjatë fjalës së tij duke iu referuar komenteve Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në atë kohë, demokrates Nancy Pelosi, e cila tha publikisht se lutej për Donald Trump-in, si dhe Senatorit Mit Romney, i cili kishte përmendur fenë e tij, në vendimin për të votuar pro shpalljes fajtor nga Senati të zotit Trump.

Po në atë takim, duke mbajtur në dorë dy gazeta me kryetituj mbi rrëzimin e akuzave ndaj tij, Presidenti Trump shtoi se: “nuk më pëlqejnë njerëzit që thonë: “Lutem për ty, kur e dinë se nuk është kështu”.

Dwight D. Eisenhower ishte presidenti i parë që mori pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, në shkurt të vitit 1953. Më pas çdo president amerikan ka mbajtur fjalim në këtë organizim.

Këtë vit, bashkëkryesues nderi i Mëngjesit të Lutjeve janë Senatorja demokrate Maggie Hassan dhe Senatori republikan Roger Marshall.

Në vitin 2023, Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve u nda në dy aktivitete, një në Kapitol, ku morën pjesë kryesisht ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë dhe një aktivitet më i madh privat që mblodhi në një hotel me mijëra vetë.

Ndarja ndodhi pasi ligjvënësit kërkuan të distancohen nga grupi fetar që për dekada ka organizuar aktivitetin më të madh në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve, për shkak të pikëpyetjeve lidhur me mënyrën e organizimit të tij dhe se si po financohej.

Në vitin 2023 dhe 2024, Presidenti demokrat Joe Biden foli në aktivitetin që u mbajt në Kapitol dhe komentet e tij u transmetuan drejtpërdrejt edhe në aktivitetin tjetër.

CIA në shënjestër të “shkurtimeve” të Trumpit, të gjithë personelit iu ofrua opsioni i largimit vullnetar

Agjencia amerikane e spiunazhit, CIA, i ofroi të gjithë stafit të saj mundësinë e dorëheqjes vullnetare të martën, zbuloi një raport i Wall Street Journal, pasi Donald Trump kërkon shkurtime në të gjithë qeverinë federale.

Nëse informacioni konfirmohet, CIA do të bëhet agjencia e parë e inteligjencës që fillon një valë ndërprerjesh kontratash nën presionin e presidentit republikan, i cili premtoi shkurtime të thella në shpenzimet publike gjatë fushatës së tij zgjedhore.

CIA gjithashtu pezulloi rekrutimin e kandidatëve të cilëve u kishte bërë tashmë oferta pune, sipas Journal, e cila citoi një bashkëpunëtor të drejtorit të saj të ri, John Ratcliffe.

Burimi anonim i gazetës theksoi se ofertat mund të tërhiqen në rastet e kandidatëve, profili i të cilëve nuk përmbush synimet e reja të CIA-s. Midis tyre, lufta kundër karteleve të drogës, duke kontribuar në luftën e re tregtare të nisur nga Presidenti Trump, si dhe veprime kundër Kinës, gjithmonë sipas WSJ.

Megjithatë, nuk përjashtohet që CIA të përballet me probleme të reja, pasi z. Trump bëri një njoftim shokues dje të martën në lidhje me rajonin vendimtar të Lindjes së Mesme. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë “pronësinë” e Rripit të Gazës, një enklavë palestineze që ka pësuar një shkatërrim të jashtëzakonshëm pas 16 muajsh lufte midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit.

Nuk pati asnjë përgjigje kur Agence France-Presse u përpoq të kontaktonte një përfaqësues të shërbimit të inteligjencës.

Edhe pse nuk është konfirmuar ende rithemelimi i agjencisë së spiunazhit, shpërbërja e një agjencie tjetër federale, Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është duke u zhvilluar. Rreth 10,000 punonjës të USAID-it do të pushohen nga puna duke filluar nga pasnesër, e premte, sipas administratës së re të saj. bw

Gazment Bardhi viziton Departamentin e Shtetit, takim me të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Kasanof

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me zv/ndihmës sekretarin e shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se SHBA mbetet aleati kyç i Shqipërisë, duke shtuar se shqiptarët janë me fat që kanë mbështetjen e saj.

“Gjatë vizitës në Washigton DC, sëbashku me një delegacion nga Kuvendi i Shqipërisë, zhvilluam një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor z. Alexander “Sasha” Kasanof.

SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë patur gjithmonë në krah. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet ti qëndrojë standardeve të një vendi demokratik, duke nisur me garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE”, u shpreh Bardhi. bw

Trumpi nuk heq dorë: Dua që Kanadaja të bëhet shteti ynë i 51-të. Brenda 24 orëve do bisedoj në telefon me Xi Jinping

Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se dëshiron ta shohë Kanadanë të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-ve. Ai e bëri deklaratën para gazetarëve në Zyrën Ovale, pak para se të kishte telefonatën e dytë të ditës me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, për të diskutuar një kompromis që synon shmangien e një “lufte” tregtare midis dy vendeve. I pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria kanadeze për të shmangur tarifat, Trump tha: “Nuk e di. Ne kemi një deficit të madh tregtar me Kanadanë”.

Trump shtoi se ai priste të kishte një bisedë me homologun e tij kinez, Xi Jinping, brenda 24 orëve të ardhshme, pasi njoftoi se do të vendoste tarifa 10 për qind për produktet e importuara nga Kina.

Marrëveshjet me Ukrainën dhe BE-në
Presidenti vazhdoi të trajtojë çështjen e politikës së jashtme të SHBA-së, duke thënë fillimisht se ai synon të negociojë një marrëveshje me Ukrainën për të marrë toka të rralla dhe minerale nga vendi në këmbim të ndihmës ushtarake dhe më pas duke thënë se “Bashkimi Evropian ka “abuzuar për vite me radhë” ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe “ata nuk mund ta bëjnë këtë”. “Ne kemi një deficit të madh tregtar me Evropën: ata nuk i marrin produktet tona, por ne i marrim të tyret”, tha ai, duke shtuar se nëse liderët evropianë duan një “marrëveshje”, ajo duhet të jetë “e drejtë.

E ardhmja e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar
Trump më pas tha se nuk kishte nevojë për miratimin e Kongresit për të shfuqizuar Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose për ta përfshirë atë në Departamentin e Shtetit: “Ne duam të bëjmë gjënë e duhur dhe duhet ta kishim bërë shumë kohë më parë: Administrata e Bidenit ka bërë gjëra të çmendura, duke u dërguar para njerëzve që nuk duhet t’i kishin”. Presidenti amerikan shtoi se administrata e tij do të përgatisë “një raport” për agjencinë, duke specifikuar se ai është në favor të misionit të USAID-it, por jo të mënyrës së funksionimit të tij. “Ata janë radikalë dhe të çmendur të krahut të majtë,” përfundoi ai.

Roli i Elon Musk
Presidenti foli më pas për Elon Musk, duke shpjeguar se “ai nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin tim, i cili do të jepet kur të jetë e përshtatshme”. “Ai ka akses vetëm për të dëbuar njerëzit që ai mendon se janë të paefektshëm, nëse jemi dakord me të”, tha Trump, duke shtuar se ai është gjithmonë i kujdesshëm për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit midis biznesit të miliarderit dhe aktiviteteve qeveritare.bw

Rubio merr udhëheqjen e USAID-it

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës në El Salvador më 3 shkurt 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë një deklarimi për media, Rubio tha se ka shumë funksione të USAID-it “që do të vazhdojnë” dhe ato, sipas tij, do të jenë pjesë e politikës së jashtme amerikane, por “duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane”.

“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi kryediplomati amerikan më 3 shkurt gjatë vizitës në El Salvador.

Mediat në SHBA kanë raportuar ditëve të fundit se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll USAID-in, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare.

Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike.

Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare.

Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.

Punëtorët e USAID-it kanë pranuar një njoftim se selia e agjencisë në Uashington do të jetë e mbyllur për personelin, më 3 shkurt, “me vendim të udhëheqjes së agjencisë”, kanë raportuar mediat amerikane, si CNN dhe Associated Press, duke cituar disa burime të veta.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ambasadën amerikane në Prishtinë për të kuptuar nëse një kërkesë e njëjtë i është bërë edhe stafit të USAID-it në Prishtinë, por nuk ka marrë përgjigjje deri në publikimin e tekstit.

Uebfaqja kryesore e USAID-it, agjenci që sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ofron më shumë se 40 për qind të të gjithë ndihmës humanitare në botë, ka qenë jashtë funksionit, ndërsa vetë Trump ka pretenduar se agjencia është “udhëhequr prej një grupi të çmendurish radikalë”.

“Jemi duke i larguar ata dhe do të marrim një vendim”, për të ardhmen e USAID-it, u ka thënë ai gazetarëve, më 2 shkurt.

Komentet e Trumpit pasojnë raportimet e mediave, si CNN dhe Reuters, se dy zyrtarë të lartë të sigurisë së USAID-it janë pushuar përkohësisht nga puna, pasi kanë tentuar t’i parandalojnë përfaqësuesit e Departamentit për Efikasitet Qeveritar (DOGE) që të kenë qasje në sistemet kompjuterike të agjencisë.

DOGE është organizatë e themeluar nga Trumpi dhe e udhëhequr nga Musku.

Vetë Musk e ka përshkruar USAID-in si “organizatë kriminale”, dhe ka thënë se është “koha që ajo të shuhet”, ndonëse agjencia menaxhon dhjetëra miliarda dollarë që miraton Kongresi amerikan si ndihmë jashtë kufijve të SHBA-së.

Një grup i demokratëve në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë i ka dërguar më 2 shkurt një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me veprimet e administratës Trump, e cila është duke shënjuar një agjenci që, sipas tyre, është themeluar “për të garantuar që mund të dërgojmë ekspertizë zhvillimore dhe ndihmë përtej kufijve shpejt, sidomos në periudha krizash, për t’i arritur synimet tona për siguri kombëtare”.

Departamenti amerikan i Shtetit, nën udhëheqjen e Rubios, ka marrë vendim, më 24 janar, për t’i ngrirë frondet e reja për pothuajse të gjitha programet për asistencë të huaj, në kuadër të zotimeve të Trumpit për të pasur çdo program në linjë me politikën e tij të jashtme.

Rubio, pasi ka marrë detyrën, muajin e kaluar, ka thënë se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justufikohet me përgjigje ndaj tri pyetjeve të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”.

Në urdhrin ekzekutiv të Trumpit është bërë thirrje për pauzë 90-ditore në gjithë ndihmën, me qëllim të vlerësimit të efikasitetit dhe “konsistencës që ka ndihma me politikën e jashtme amerikane”. Urdhri, megjithatë, i mundëson Rubios që të bëjë përjashtime të vogla për “programe specifike”.

Grupet humanitare dhe organizatat joqeveritare në gjithë botën kanë ngritur shqetësime për fatin e USAID-it, pas urdhrit ekzekutiv të Trumpit.

Ndikimi në Kosovë

USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar një grant me USAID-in, i cili ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synon ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

Deri para ngrirjes së fondeve, USAID-i në Kosovë ka qenë duke financuar një mori aktivitetesh. Aty përfshihen:

  • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
  • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
  • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

Kreshnik Shehu, një përpunues i drurit në Kosovë, i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.

Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it.

“Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, ka thënë Shehu për Radion Evropa e Lirë.

“Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, ka shtuar Shehu.

“Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, ka thënë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.

“Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pati thënë po ashtu se USAID-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit të Kosovës.

“USAID-i vazhdon të ndihmojë shoqata dhe biznese të shumta, përfshirë ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, kompani të teknologjisë informative dhe biznese të orientuara nga eksporti”, ka thënë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, USAID-i ka ndihmuar edhe në uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka qenë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet tregtare, që përfshinin eksportet dhe importet në tregjet serbe dhe rajonale. Pra, përveç nxitjes së zhvillimit ekonomik, USAID-i ka luajtur një rol jetik në uljen e tensioneve mes dy vendeve”.

Ndikimi nga Ukraina deri në Afganistan

Pauza në fondet për Afganistanin “do të ishte katastrofike për më shumë se 22 milionë afganë që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë Jan Egeland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatët, në disa përgjigje për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Prej kur Rusia e ka nisur luftën e plotë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, USAID-i i ka ofruar Ukrainës ndihmë në vlerë në milliarda dollarëve, asistencë për zhvillim dhe mbështetje buxhetore.

Trump e ka kritikuar sasinë e ndihmës së ofruar – përfshirë milliarda dollarë ndijmë ushtarakë – të cilën e ka miratuar Bideni për Ukrainën.

Svitlana Musiak, hulumtuese në Komisionin e Pavarur kundër Korrupsionit, organizatë joqeveritare me bazë në Kiev, ka thënë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se pezullimi i fondeve të USAID-it për Ukrainën mund të ndikojë negativisht në programet që prekin shoqërinë civile dhe të sinjalizojë “mbështetje të zvogëluar amerikane për reformat demokratike dhe stabilitetin ekonomik të shtetit”.

Disa përfaqësues të shoqërisë civile ukrainase kanë thënë se mbështesin një auditim të fondeve që ndan USAID-i në këtë shtet.

Olena Trehub, udhëheqëse e Komisionit të Pavarur kundër Korrupsionit, dhe anëtare e Këshillit kundër Korrupsionit, që funksionon në kundër të Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, ka thënë më 2 shkurt në Facebook se, ajo e ka thënë gjithmonë zëshëm se USAID-i ka nevojë të reformohet, duke thënë se ka qenë dëshmitare e ndarjes së fondeve të mëdha qeveritare përmes kësaj agjencie, por që “rezultatet kanë lënë për të dëshiruar”.

Megjithatë, ajo ka përmendur se USAID-i ka mbështetur reformat të rëndësishme, shoqërinë civile, dhe projektet humanitare e infrastrukturore, që kanë pasur ndikim të madh në zhvillimin e Ukrainës.

Duke folur për kanalin CBS News, më 2 shkurt, kongresisti republikan, Brian Mast nga Florida, ka thënë se është duke punuar me Rubion “për t’u siguruar që ekziston komanda dhe kontrolli i duhur” në agjencitë sikurse USAID-i.

Mast, udhëheqës i Komitetit për Punë të Jashtme, i Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se do të mbështeste “shuarjen e USAID-it si departament i ndarë” dhe përfshirjen e tij në “departamente tjera” të Departamentit amerikan të Shtetit.

Dy demokratë të Senatit amerikan, kanë thënë në letrën e dërguar më 2 shkurt te Rubio se “secila përpjekje për të shkrirë apo përfshirë USAID-in brenda Departamentit të Shtetit, duhet të bëhet me ligj, dhe duhet të rishikohet, diskutohet dhe miratohet nga Kongresi”.

“Kongresi e ka bërë të qartë që secila përpjekje për të riorganizuar apo ridizajnuar USAID-in kërkon konsultim paraprak dhe njoftim të Kongresit”, kanë thënë ata mes tjerash në letër.

Bazuar në raportimet e agjencive të lajmeve AP dhe Reuters

Grenell: Qeveria e Kurtit nuk është partnere e besueshme

I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, gjatë një konference për media në Qeverinë e Kosovës më 21 shtator 2020.

 

Radio Evropa e Lirë

I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Në një postim në rrjetin X, Grenell shkroi se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”.

Ngjashëm, edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja, sipas tij.

“Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi kabinetin e kryeministrit Kurti, në lidhje me këto komente, por nuk mori përgjigje.

Gjatë viteve të fundit, Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Sipas saj, hapat e tillë duhej të diskutoheshin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

Kurti e ka uruar Trumpin pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke thënë se pret “të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”.

Në një intervistë dhënë gazetës spanjolle El Mundo, më 28 janar, ai ka përsëritur se Kosova ka marrëdhënie të forta dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe se nuk pret që qëndrimi i tyre për Kosovën të ndryshojë.

“Ne punojmë ngushtë me Uashingtonin. Unë besoj se ndryshimi midis administratës Biden dhe Trump qëndron ndoshta në çështje të politikës së brendshme”, ka thënë Kurti.

Por, bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, ka thënë për Radio-Televizionin e Kosovës se administrata e Bidenit dhe ajo e Barack Obamës “e kanë vendosur Kosovën në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë”.

Pa specifikuar shumë, ai ka thënë se, gjatë kohës së tyre, “kanë ndodhur disa çështje që i ka shtyrë Serbia, e që e kanë dëmtuar shumë reputacionin e Kosovës”.

Në postimin e tij në X, i cili vjen disa dita para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Grenell tha po ashtu se retorika që përdor Kurti, duke pretenduar se ai është i afërt me SHBA-në, “është absolutisht e rreme”.

“Kurti ka qenë, gjithashtu, kundër çdo ideje të SHBA-së, të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump”, tha Grenell.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, Grenell ka shërbyer si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe gjatë asaj kohe, Grenell e ka kritikuar publikisht Kurtin, duke e cilësuar si “antiamerikan”.

Tensionet kanë kulmuar në mars të vitit 2020, kur Kurti ka qenë në krye të Qeverisë së Kosovës, por ajo qeveri është rrëzuar nëpërmjet një mocioni mosbesimi.

Kurti ka pretenduar se ky veprim ka qenë i orkestruar me mbështetjen e Grenellit.

Ukraina t’i mbajë zgjedhjet pas armëpushimit, thotë ndihmësi i Trumpit

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ukraina t’i mbajë zgjedhjet, potencialisht deri në fund të vitit, sidomos nëse Kievi arrin marrëveshje armëpushimi me Rusinë në muajt vijues, ka thënë zyrtari amerikan, Keith Kellogg, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kellogg, i dërguari amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Ukrainës, të pezulluara gjatë luftës, “duhet të mbahen”.

“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje në kohë lufte. Mendoj se është e rëndësishme të veprojnë ashtu”, ka thënë Kellogg.

“Është mirë për demokracinë. Ajo është e mira e demokracisë solide, kur keni më shumë se një person në garë”.

Trump dhe Kellogg kanë thënë se janë duke punuar në një plan për të ndërmjetësuar një marrëveshje në muajt e parë të administratës amerikane, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

Ata kanë bërë të ditura pak hollësi për strategjinë e tyre për dhënie fund të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht është e paqartë si mund të pritet propozimi i Trumpit në Kiev.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do t’i mbajë zgjedhjet këtë vit, nëse luftimet marrin fund, dhe nëse do të ketë garanci të forta për siguri, të cilat do t’ia pamundësojnë Rusisë rikthimin e armiqësive.

Një këshilltar i lartë në Kiev dhe një burim brenda Qeverisë ukrainase, kanë thënë për Reutersin se administrata Trump nuk ka kërkuar zyrtarisht nga Ukraina që t’i mbajë zgjedhjet presidenciale deri në fund të vitit.


Send this to a friend