VOAL

VOAL

Stamboll, trafiku ajror kthehet në gjendje normale

Zyrtarët të mërkurën herët në mëngjes filluan me vlerësimin e dëmit që është shkaktuar në terminalin ndërkombëtar, ku ndodhi sulmi

STAMBOLL – Trafiku ajror në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll, pas sulmit të mbrëmshëm terrorist, sot në mëngjes është kthyer në gjendje normale.

Pjesa e aeroportit në të cilin ndodhi shpërthimi dhe sulmi i armatosur ndaj pasagjerëve është mbyllur, por pjesët tjera sot në mëngjes kanë vazhduar me punë. Zyrtarët të mërkurën herët në mëngjes filluan me vlerësimin e dëmit që është shkaktuar në terminalin ndërkombëtar, ku ndodhi sulmi.

Punëtorët heqin mbeturinat pas shpërthimit, ndërsa ndriçimi zbuloi përmasën e vërtetë të fuqisë së sulmit terrorist.

Autoritetet turke bënë gjithçka për të aftësuar hyrjet dhe daljet në aeroport, dhe normalizuar trafikun, në çka edhe ia arritën. Gjatë sulmit terrorist në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll janë vrarë të paktën 36 perosna, ndërsa pothuajse 150 janë plagosur.

Përgjegjësinë ende askush nuk e ka marrë, por mbrëmë kryeministri turk Binali Yildirim tha se njohuritë e organeve hetuese tregojnë atë se sulmi është vepër e ISIS-it.

1982-2016: Kalendar i sulmeve terroriste në Turqi

Sulmi i së martës (28 qershor) është në kuadër të më shumë se dhjetë sulmeve terroriste që kanë ngjarë gjatë dy-tri dekadave të fundit në Turqi

Agjencia e lajmeve AFP, ka përpiluar një listë të sulmeve në Turqi që nga viti 1982.

7 gusht 1982 – Një bombë kishte shpërthyer në Aeroportin e Ankarasë ndërsa kishte pasuar një betejë me ç’rast kishin mbetur të vdekur 11 persona e plagosur 63 të tjerë. Sulmi pretendohet të jetë kryer nga Ushtria Sekrete Armene për Çlirimin e Armenisë (ASALA).

6 shtator 1986 – Dy sulme vetvrasëse ishin kryer nga xhihadistët islamik në sinagogën Neve Shalom në Stamboll, duke lënë të vdekur 22 persona.

28 shtator 1991 – Eksplozivë dhe bomba zjarri ishin hedhur në një supermarket në Stamboll, duke lënë të vdekur 17 persona dhe plagosur 23 të tjerë. Për sulmin ishte fajësuar Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

13 mars 1999 – Dymbëdhjetë persona kishin vdekur nga një sulm me bombë në një qendër tregtare të Stambollit. Për sulmin ishte fajësuar Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, por grupi më vonë e ka mohuar përgjegjësinë.

15 dhe 20 nëntor 2013 – Katër bomba të montuara në makina në Stamboll i kishin goditur dy sinagoga, konsulatën britanike dhe një degë të bankës britanike HSBC, duke lënë të vdekur 63 persona, në mesin e tyre edhe konsullin britanik Roger Short.

Qindra persona ishin plagosur gjatë këtyre sulmeve. Grupi militant Al-Kaida dhe një grup ekstremist turk ishin fajësuar për sulmet.

12 shtator 2006 – Dhjetë persona në mesin e të cilëve shtatë fëmijë, janë vrarë nga një shpërthim i fuqishëm në Diyarbakir, qyteti më i madh në juglinjde të Turqisë i banuar kryesisht nga kurdët. Rebelët kurdë e kanë mohuar përgjegjësinë.

27 korrik 2008 – Si rezultat i dy shpërthimeve në Stamboll, 17 persona patën vdekur dhe 115 të tjerë janë plagosur. Autoritetet turke e kanë fajësuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.

11 shkurt 2013 – Shtatëmbëdhjetë persona janë vrarë kur një shpërthim ka ngjarë një një minibus sirian, 40 metra në brendësi të territorit turk në qytetin kufitar me Sirinë, Reyhanli.

11 maj 2013 – Dy makina bombë kanë shpërthyer në Reyhanli duke lënë të vdekur 52 persona. Autoritetet turke i kanë fajësuar grupet prro-Damask.

20 korrik 2015 – 24 persona kishin vdekur dhe rreth 100 të tjerë u plagosën si rezultat i një sulmi vetvrasës në qytetin e mbizotëruar nga kurdët, Suruc, që gjendet në afërsi të kufirit me Sirinë. Zyrtarët në Turqi e fajësojnë grupin militant Shteti Islamik.

10 tetor 2015 – 103 persona kanë vdekur dhe më shumë se 500 të tjerë janë plagosur si rezultat i dy shpërthimeve vetvrasëse në një tubim paqësor të aktivistëve të majtë dhe grupeve pro-kurde në Ankara. Qeveria turke ka thënë se përgjegjës është Shteti Islamik

12 janar 2016 – 13 persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën si rezultat i shpërthimit në një lagje në qendër të Stambollit, që është e populluar me turistë. Sulmi vetvrasës në Stamboll u krye nga një anëtar i grupit militant Shteti Islamik.

Dhjetëra të vrarë në aeroportin e Stambollit

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se 36 veta kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur, nga shpërthimet dhe të shtënat në aeroportin e Stambollit, “Mustafa Kemal Ataturk”.

Në një konferencë shtypi pas mesnatës ai tha se disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Mediet lokale cituan ministrin e Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se mbi 140 veta janë plagosur dhe se druhet që numri i të vrarëve mund të rritet.

Kryetari i Stambollit, Vasip Sahin tha se besohet që tre sulmues vetëvrasës hapën zjarr me armë automatike, para se të hidhnin veten në erë në hyrje të aeroportit.

Një dëshmitar i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës se “pati dy shpërthime më të vogla të pasuara një më i fuqishëm. Njerëzit vrapuan gjithandej. Nuk dinin ku të shkonin. Ne po prisnim për motrën por nuk e kemi gjetur. Ende po presim”.

aeroportistamb2

Ende askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë, ndërsa kryeministri turk Binali Yildirim tha se grupi Shteti Islamik mund të qëndrojë prapa sulmit në aeroportin kryesor të Stambollit, që është i treti në Evropë..

Të gjitha fluturimet janë pezulluar. Autoritetet më pas lejuan uljen e avionëve që po fluturonin mbi qytet, ndërsa të gjitha fluturimet tjera u drejtuan në të tjera aeroporte.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, e dënoi me fjalët më të fuqishme sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij “kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”.

“Është e qartë se ky sulm nuk synonte asgjë tjetër vetëm krijimin e një materiali propagandistik kundër vendit tonë duke shfrytëzuar gjakun dhe dhimbjen e njerëzve të pafajshëm” tha presidenti turk nëpërmjet një komunikate.

Ai tha se pret që bota të dëshmojë “qëndrim të vendosur” kundër grupeve terroriste.

Shtëpia e Bardhë dënoi me “fjalët më fuqishme, sulmin e tmerrshëm terrorist” në Stamboll. Zëdhënësi Josh Earnest tha të martën mbrëma se “aeroporti ndërkombëtar Ataturk, sikundër aeroporti i Brukselit që u sulmua më herët gjatë këtij viti, është simbol i lidhjeve ndërkombëtare dhe lidhjeve që na mbajnë të bashkuar. Ngushëllimet më të thella familjeve dhe më të dashurve të atyre që u vranë dhe shërim sa më të shpejtë atyre që u plagosën. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Turqinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë, së bashku me të gjithë miqtë dhe aleatët në mbarë botën, derisa vazhdojmë të përballemi me kërcënimin e terrorizmit”.

aeroportistamb3

Stamboll

Turqia ka pësuar një seri shpërthimesh gjatë këtij viti, përfshirë edhe dy sulme vetëvrasëse në zonat turistike të Stambollit për të cilat është fajësuar grupi Shteti Islamik dhe dy të tjera në Ankara për të cilat përgjegjësinë e mori grupi militant kurd.

Së fundmi një makinë bombë shpërtheu pranë një autobusi të policisë në Stamboll duke vrarë 11 veta dhe duke plagosur 36 të tjerë.

Turqia që është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj.

Pritet hapja e kapitullit 33 për Turqinë në bisedimet me BE-në

Dispozitat Financiare dhe Buxhetore, krahas anëtarësimit, përfshijnë edhe rregulla në lidhje me burimet e nevojshme financiare për fondet që do të sigurohen për buxhetin e BE-së

BRUKSEL – Në bisedimet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), këtë javë do të hapet kapitulli 33 me titull “Dispozitat financiare dhe buxhetore” që njëkohësisht është kapitulli i dytë brenda gjashtë muajve.

Në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet ditën e enjte në Bruksel me rastin e hapjes së kapitullit, do të marrin pjesë ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe ministri i Financave Naci Agbal.

Dispozitat Financiare dhe Buxhetore, krahas anëtarësimit, përfshijnë edhe rregulla në lidhje me burimet e nevojshme financiare për fondet që do të sigurohen për buxhetin e BE-së.

-“E rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve për anëtarësim”

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në BE Ambasadori Selim Yenel, duke theksuar se kapitulli 33 në thelb është kapitull i hapur në një kohë afër anëtarësimit në BE, tha se hapja e kapitullit është e rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve.

-“Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë”

Duke u shprehur se me hapjen e kapitullit 33 këtë javë do plotësohet hapja e kapitullit të 16-të në total, Yenel tha se “Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë. Nëse shënohet përparim në çështjen e Qipros, nëse mund të arrijmë në një rezultat përfundimtar, atëherë këto kapituj mund të hapen në mënyrë shumë të shpejtë, ndërsa bisedimet për anëtarësim mund t’i kthehen rrjedhës normale.”

– Do të diskutohet rreth kritereve për liberalizimin e vizave

Yenel bëri të ditur se me rastin e hapjes së kapitullit, këtë javë në Bruksel do të qëndrojnë ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe ministri i Financave Naci Agbal. Ai vlerësoi më tej se “Krahas kësaj, ka disa kritere që nuk janë plotësuar në kuadër të liberalizimit të vizave. Kishte pesë kritere. Në lidhje me këto, ministri ynë i BE-së dhe ministri ynë i jashtëm do të zhvillojnë një takim me Zëvendësin e Parë të Presidentit të Komisionit Evropian Frans Timmermans pas Konferencës Ndërqeveritare. Do të diskutohet rreth pesë kritereve të ngelura. Në drejtim të kësaj, do të hartohet një udhërrëfyes dhe qëllimi ynë do të jetë që sa më parë ta fitojmë liberalizimin e vizave.”

– Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE

Në lidhje me largimin e Britanisë nga BE-ja, Yenel tha se “Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE. Nuk ishte në Schengen dhe në Eurozonë, e nuk ishte subjekt edhe i një sërë dispozitash të tjera. Gjithsesi, ajo e kishte ndarë veten nga shumë vende. Duke qenë kështu, Britania ishte në pozitën e një anëtari me prioritet. Tani po heq dorë nga kjo.”aa

Epokë e re në marrëdhëniet Turqi-Izrael

Sipas të dhënave të siguruara nga një zyrtar i lartë i Turqisë, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit u finalizua më 26 qershor, ditë e diel, në Romë

ANKARA – Bëhet e ditur se në marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit, nuk gjendet asnjë dispozitë në lidhje me Hamasin. Sipas të dhënave të siguruara nga një zyrtar i lartë i Turqisë, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit u finalizua më 26 qershor, ditë e diel, në Romë.

Ndërsa Izraeli plotësoi kërkesën e parë të Turqisë në mars të vitit 2013, me çka për herë të parë në histori “kërkoi falje nga një shtet i huaj”, në kuadër të marrëveshjes së arritur mësohet se po ashtu edhe dy kushtet e tjera të Turqisë janë pranuar nga Izraeli.

Në këtë drejtim, Izraeli ka pranuar të paguajë kompensim për familjet e atyre që humbën jetën në sulmin ndaj anijes Mavi Marmara, si dhe ndërhyrjen e Turqisë në gjendjen humanitare në Gaza.

Në kuadër të marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, krahas ndihmave humanitare, Turqia do të sigurojë edhe hyrjen e materialeve për qëllime civile në Gaza dhe do t’i zhvillojë investimet në infrastrukturë, me çka në Gaza do të ndërtohen banesa për popullin e Gazës dhe në kohë shumë të shkurtër do të fillojë me shërbime Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë me 200 shtretër.

Përveç këtyre, problemi më kritik në Gaza, ai i mungesës së rrymës elektrike dhe ujit të pijshëm, do të zgjidhet me rritjen e sasisë së rrymës elektrike dhe ujit që dedikohet për Gazën dhe me ndërtimin e centraleve të reja. Në këtë mënyrë, krahas Gazës, do të lehtësohet edhe realizimi i projekteve gjithëpërfshirëse siç është Zona Industriale Xhenin që parashihet për Bregun Perëndimor.

Ndryshe nga pohimet, në marrëveshjen mes dy shteteve nuk gjendet asnjë dispozitë në lidhje me Hamasinç

Zyrtari i lartë i Turqisë, duke theksuar se mbështetja e Turqisë për Shtetin e Palestinës dhe popullin e tij do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë, tha se marrëveshja e arritur me Izraelin është sukses diplomatik i cili është arritur në saje të qëndrimit parimor dhe të vendosur të cilin Turqia e ka shfaqur që nga 31 maji i viti 2010, duke shtuar se “U pranuan të gjitha kushtet e Turqisë dhe u hodh një hap historik për përmirësimin e kushteve të popullit të Palestinës.”

Duke theksuar se me këtë marrëveshje të arritur u hap rruga për ndihma humanitare drejt Gazës ashtu siç dëshironin edhe ata që humbën jetën në Mavi Marmara, zyrtari turk bëri të ditur se në procesin për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit, Turqisë përkrahje i kanë ofruar edhe Qeveria e Palestinës dhe Hamasi. aa

Fillon rigjykimi i ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader

Në Gjykatën e Qarkut të Zagrebit filloi rigjykimi për rastin Fimi media të ish-kryeministrit kroat dhe ish-liderit të BDK (HDZ), Ivo Sanader

ZAGREB – Sot në Gjykatën e Qarkut të Zagrebit filloi rigjykimi për rastin Fimi media të ish-kryeministrit kroat dhe ish-liderit të BDK (HDZ), Ivo Sanader dhe të tjerëve.

Rigjykimi ka filluar me leximin e dokumentacionit, kurse Sanader në gjykatë u paraqit i shoqëruar nga avokatët e tij Jadranka Slokoviç dhe Ivo Prodanoviç.

Gjykimi ka nisur nga fillimi, përpara këshillit gjyqësor të ndërruar të Gjykatës së Qarkut në Zagreb, pasi Gjykata e Lartë vitin e kaluar pati rrëzuar vendimin e shkallës së parë ku Sanader u dënua me nëntë vjet burg dhe kthimin e 15 milionë kuna (rreth 2 milionë euro), sipas gjykatës, të fituara në mënyrë të paligjshme.

Zyra kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK), akuzon ish-kryeministrin Ivo Sanader, partinë BDK (HDZ), Mlladen Barishiç, Ratko Maçek, Branko Pavosheviç, Nevenka Jurak dhe Fimi media për tërheqjen e më shumë se 70 milion kuna (rreth 10 milionë euro) nga kompanitë dhe institucionet shtetërore. Të gjithë të pandehurit në fillim të rigjykimit mohuan fajësinë.

Ivanov: Grupi i armatosur nga Kosova donte ndarjen e Maqedonisë

SHKUP- Presidenti Gjorge Ivanov konfirmoi informacionet e lëshuara në opinion se para disa muajsh në Maqedoni ka hyrë një grup i armatosur nga Kosova. Sipas tij asokohe në krye të MPB-së ka qenë Oliver Spasovski nga LSDM-ja.

Presidenti informacionet për grupin që siç u shpreh ka pasur për qëllim të shkëpus një pjesë të territorit të Maqedonisë i ka marrë në koordinim me shërbimet miqësore të huaja.

“Këto informacione në përgjithësi janë të njohura dhe nuk bëhet fjalë për grup prej 40 personash, ky është grup shumë më i madh, nga i cili 40 erdhën në territorin tonë dhe policia u përball me sukses me ta dhe në një farë mënyre, ata nuk i arritën qëllimet që kishin planifikuar, e që informacionet kundër zbuluese dhe shërbimet e afërta me vendin tonë dhe vendet tona mike na informojnë për ato qëllime të këtij grupi dhe qëllimin që e kishin, se janë pjesë e grupit të Kumanovës dhe duan të shkëpusin një pjesë të Maqedonisë”, deklaroi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Reparacionet e luftës do të jenë kusht i ri i Kroacisë për Serbinë

Kroacia po kërkon edhe reparacionin e dëmeve të luftës nga Serbia si kusht për hapjen e kapitujve negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian,.

Sipas medieve të Beogradit, Kroacia ka edhe dy kushte për Beogradin që të hapen kapituj të rinj në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE.

Në pyetjen e gazetës së Beogradit “Veçernje Novosti”, nëse kroatët kanë bërë edhe një kusht, dëmshpërblimin e krimeve të luftës, burimi i Këshillit të Evropës, sipas citimit të kësaj gazete, ka thënë :

“Nuk bëhet fjalë për kushte të reja e të vjetra, por bëhet fjalë për procesin e punës i cili edhe më tej po zgjat dhe në të cilin kroatët kanë vënë në listën e vet atë që e kanë dashur”, transmeton Koha.net.

Kroacia dhe Serbia, në takimin e udhëheqësve të vet, kryetares Kolinda Grabar – Kitaroviç dhe Aleksander Vuçiç kanë nënshkruar një deklaratë në të cilën janë vënë, kryesisht, kushte kroate për zhvillimin normal të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Por nuk janë vetëm kushtet e Zagrebit ato që e pengojnë vazhdimin negociatave Serbi – BE.

Bullgaria dhe Rumania janë po ashtu shumë të zëshme rreth respektimit të drejtave të minoriteteve të veta në Serbi .
E gjitha, përfundon gazeta e Beogradit, janë disa dhjetëra kushte të fqinjëve të Serbisë për vazhdimin e negociatave të saj me BE-në.

Turqia bisedime për një kapitull të ri të anëtarësimit në BE

ANKARA – Turqia konfirmoi sot nisjen, më 30 qershor, të një kapitulli të ri të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) me këtë rast një formë testi përballë bllokut evropian, i cili ka premtuar për liberalizimin e sistemit të vizave për shtetasit e saj.

Kreu i diplomacisë, Mevlut Cavushoglu tha për median se do të kryente një vizitë në Bruksel me këtë rast, i shoqëruar nga kolegët e Çështjeve Evropiane, Omer Celik dhe ai i Drejtësisë Bekir Bozdag, për t’u takuar me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Frans Timmermans.

“Ne do të vizitojmë Brukselin për hapjen e këtij kapitulli dhe për të diskutuar gjithashtu ngërçin në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave për shtetasit turq në hapësirën Schengen”, vijoi ai. Çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE ka qënë një prej sfidave kryesore nxitur nga mbështetësit pro daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni në fushatën për referendumin e së enjtes.

Mali i Zi gjobit shtetasit e Shqipërisë, flamurin kombëtar e quan provokim

Katër tifozëve shqiptarë, të cilët po ktheheshin nga Franca, 230 euro u ka kushtuar fakti që në automjetin e tyre kishin të stampuar flamurin kombëtar. Policia i ka detyruar që ta heqin flamurin dhe, pasi kanë paguar edhe gjobën që u vendosi gjykata, janë lënë të lirë.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin bregdetar të Budvas.

Sipas të përditshmes “Vijesti”, ka qenë ky vendimi i gjykatësit për vepra penale i cili e ka cilësuar si provokim ndaj turistëve flamurin e Shqipërisë të stampuar në automjetin e tyre.

Sipas kësaj medie, këta shtetas të cilët gjatë udhëtimit për në vendlindje nga kampionati evropian që po mbahet në Francë, janë ndalur në Budva.

Dëshmitarët okularë janë shprehur se në automjetin e tyre tip Golf, në pjesën e përparme të mjetit dhe në pjesën e bagazhit ka qenë i stampuar flamuri i Shqipërisë. Dhe se gjatë kalimit nëpër Budva ata kanë kënduar dhe kanë shkaktuar zhurmë.

Pas njoftimit në policinë lokale të Budvas kjo e fundit ka ndaluar mjetin tip golf në të cilin ishin katër shtetas dhe kanë bërë shoqërimin e tyre për në Komisariatin e Budvas. Pas vendimit të gjykatësit dhe kryerjes së pagesës, ata janë larguar për në Shqipëri.

Lajmi është publikuar nga e përditshmja malazeze Vjesti sot, ditën kur kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviq po viziton Tiranën.

Një i burgosur i Guantanamos transferohet në Mal të Zi

Guantanamo, Kubë

Një i burgosur, shtetas i Jemenit, është transferuar nga Guantanamo në Mal të Zi.

Pentagoni ka thënë se me transferimin e Abdel Malik Ahmed Abdel Wahab Al Rahabiit, në qendrën e paraburgimit në Guantanamo mbeten edhe 79 persona.

Dokumentet e Pentagonit e përshkruajnë Al Rahabin si anëtar të Al Kaidës, që dikur ka qenë roje e liderit të vrarë të grupit, Osama bin Laden, dhe ka marrë pjesë në luftime kundër SHBA-së dhe forcave të koalicionit.

Pas një rishikimi në vitin 2014 është konstatuar se Al Rahabi nuk paraqet më rrezik për interesat amerikane dhe është rekomanduar transferimi i tij.

Pentagoni ka falënderuar Malin e Zi për “gjestin humanitar”.

Në burgun në Guantanamo, prejse është hapur në vitin 2002, kanë qenë rreth 800 persona të dyshuar për terrorizëm.

Vdesin pesë turistë sllovakë në Serbi

Serbi – foto arkivi

Pesë turistë sllovakë kanë humbur jetën në një aksident rrugor në Serbi.

Autobosi me të cilin udhëtonin, ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar, raporton televizioni shtetëror serb.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Beograd-Nish.

Autobusi me 29 pasagjerë dhe dy shoferë ka qenë duke u kthyer në Sllovaki nga ishulli Korfuz i Greqisë.

Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë.

Vuçiçi dhe Grabar Kitaroviçi sot firmosin marrëveshjen për “çështjet e hapura”

Vuçiçi dhe Grabar Kitaroviçi do të nënshkruajnë sot një deklaratë për avancimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura mes Serbisë dhe Kroacisë

BEOGRAD – Mandatari për krijimin e Qeverisë së re të Serbisë, Aleksander Vuçiçi dhe presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç do të nënshkruajnë sot në Suboticë një deklaratë për avancimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura mes Serbisë dhe Kroacisë.

Marrëveshja përbëhet prej gjashtë pikave, ndërsa e para është mbrojtja e pakicës serbe në Kroaci dhe pakicës kroate në Serbi. Në Serbi jetojnë rreth 58.000 kroatë, ndërsa vetëm në Vojvodinë, në të cilën Vuçiçi dhe Kitaroviç do të takohen, jetojnë rreth 47.000, ndërsa në Kroaci jetojnë 186.600 serbë.

Të dyja palët me marrëveshjen do të zotohen se do të vazhdojnë kërkimin për të zhdukurit gjatë konflikteve në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe u pajtuan se kërkimi për të pagjeturit është çështje prioritare humanitare.

Serbia dhe Kroacia me marrëveshjen të cilën e firmosin sot, zotohen që të zgjidhin çështjet e vijës kufitare të përshpejtojnë zbatimin e Marrëveshjes për Çështjet e Vazhdimësisë. aa

Meteo-alarm: Beogradi pritet të përballet me stuhi të fuqishme

Sot në pasdite është lëshuar meteo-alarmi në Beograd, sepse priten shira të rëndë dhe stuhi të rrezikshme, shkruajnë mediat serbe

Shërbimi “Beokom”, u ka bërë thirrje qytetarëve për t’i siguruar gjërat që i kanë në tarracat e shtëpive dhe të mos dalin në rrugë për shkak të erës së fortë, e cila mund të lëndojë kalimtarë, por edhe mund të heq fasadat e ndërtesave./GazetaExpress/

Shpërndahet parlamenti, Kroacia drejt zgjedhjeve parlamentare

Fotografi arkivi e Parlamentit të kroacisë

Deputetët kroatë kanë votuar sot shpërbërjen e parlamentit, duke e krijuar kështu mundësinë për zgjedhje të parakohshme, pas rënies së qeverisë në mocionin e votëbesimit, votim ky që u mbajt javën e kaluar.

Kryeministri Tihomir Oreskoviç, dhe qeveria e tij ranë me 16 qershor pas një krize politike që i kishte penguar reformat ekonomike në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Shpërbërja e parlamentit hynë në fuqi më 15 korrik.

Zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në fillim të muajit shtator.

Presidentja kroate pritet që edhe zyrtarisht të vendos datën e zgjedhjeve pas pushimeve verore.

Orloviçi: Serbia oazë e mbi 3000 të dyshuarve për krime lufte

Në Serbi jetojnë tre mijë të dyshimtë që kanë bërë krime të rënda lufte në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

Drejtoresha ekzekutive e Fondit për të drejtën humanitare (FDH) Sandra Orloviçi, ka deklaruar se sipas numrit të aktakuzave në pesë vjetët e fundit, Serbia është bërë oazë e mos dënimit për krime lufte.

Ajo, në intervistën për gazetën e Beogradit ”Danas” ka thënë se sipas vlerësimit të saj, në Serbi jetojnë të paktën 3.000 persona të dyshimtë për kryerje krimesh të rënda në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, transmeton Koha.net.

Orloviçi ka shtuar se ish – prokurori serb për krime lufte Vladimir Vukçeviçi, para përfundimit të mandatit ka deklaruar se vetëm në Beograd jetojnë 80 të dyshimtë për krime lufte.

Ajo ka vlerësuar se mos zgjedhja e prokurorit të ri për krime lufte tregon se pushteti politik përpiqet që procedimin e krimeve të luftës ta zbresë në minimum.

Mbi 10 mijë grekë në shesh i kujtojnë premtimet Tsiprasit: Dorëhiqu!

Voal – Me flamuj të Greqisë dhe BE-së në duar, por edhe me pankarta jo partiake, më shumë se dhjetë mijë njerëz të të gjitha moshave dolën në sheshin Sintagma të Greqisë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Të lodhur nga premtimet, njerëz të cilët janë goditur nga kriza dhe ankthi për të tashmen dhe të ardhmen, dolën në rrugë duke i bërë thirrje kryeministrit grek Aleksis Tsipras të japë dorëheqjen, raporton “Protothema“.

Folësit në protestë ishin të fokusuar në deklaratat e tyre tek premtimet që i dha gjatë dy fushatave zgjedhore kryeministri Tsipras, por që nuk ka mundur ende t’i mbajë ato.

“Ne që jemi sot këtu kemi votuar për qeverinë. Prisnim gjëra të tjera prej saj, por po bën krejt gjëra të tjera. Nëse kishte vendosur të zbatonte të njëjtat politika si qeveria e mëparshme, atëherë përse ndryshuam qeverinë e mëparshme”, u shpreh një protestues.

“Për shkak të gjithë kësaj paaftësie për të mos bërë asgjë dhe negociatave të tyre të pafund, ekonomia greke është në hendek dhe njerëzit janë duke vuajtur. Për fat të keq, duket se e kanë marrë pushtetin pa pasur një plan”, tha një tjetër protestues, raporton “Euronews”.

Kroaci, pritet votimi i mosbesimit ndaj kryeministrit Oreshkoviç dhe rënia e qeverisë

Pritet që sot Parlamenti të votojë mosbesimin e kryeministrit Tihomir Oreshkoviç, pas së cilës do të bjerë qeveria dhe do të formohet qeveri teknike

ZAGREB – Në seancën e sotme të rregullt të Parlamentit të Kroacisë, pika e dytë e rendit të ditës është votimi i mosbesimit ndaj kryeministrit Tihomir Oreshkoviç e cila, sipas të gjitha indikacioneve, do të votohet. Kjo do të thotë se qeveria bie dhe kalon në qeveri teknike.

Votimi i mosbesimit ndaj kryeministrit Oreskoviq në axhendën e parlamentit do të gjendet rreth mesditës, para së cilës kryeministri do t’u drejtohet deputetëve.

Mosbesimi do të votohet me propozim të Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ), e cila dje ka konfirmuar vendimin e saj.

Për votimin e mosbesimit janë përcaktuar edhe pjesa më e madhe e opozitës, dhe sipas deklarimit të deritanishëm të deputetëve, kundër votimit të mosbesimit do të votojnë vetëm deputetët e Most-it dhe deputetja Gordana Rusak.

Duke patur parasysh se për votimin e mosbesimit të kryeministrit mjaftojnë 76 vota, pritet që Parlamenti sot të rrëzojë qeverinë, gjegjësisht pozitën e kryeministrit dhe të gjithë ministrat, pas së cilës kalohet në qeveri teknike.

HDZ-ja në 30 ditët e ardhshme pritet të mbledhë shumicën parlamentare që do të mbështesë kryeministrin e saj të ri Zdravko Mariç dhe këtë shumica t’ia paraqesë presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviç e cila pritet të konfirmojë qeverinë e re.

Por ekzston mundësia që brenda pak ditësh në axhendën e Parlamentit të gjendet edhe iniciativa Partisë Socialdemokratike të Kroacisë PSD (SDP) e cila do të kërkojë shkarkimin e Parlamentit, e cila gjithashtu ka mundësi të marrë shumicën e votave, pasi Most ka deklaruar se është për zgjedhje të reja në qoftë se shkarkohet Oreshkoviç.

Nëse, megjithatë vjen deri tek shpërndarja e parlamentit, e vetmja gjë që i mbetet presidentes është të shpallë zgjedhje të reja, të cilat do të mbahen në vjeshtë. aa

Dy shqiptarë dënohen në Turqi për terrorizëm

Një gjykatë turke dënoi me burgim të shumëfishtë të përjetshëm tre pjesëtarë të grupit Shteti Islamik, nën akuzat për vrasjen e dy pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe një civili në mars të vitit 2014.

Në vendimin e gjykatës që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, thuhet se të dënuarit, një shtetas gjerman, një shtetas maqedonas dhe i treti i identifikuar si Qëndrim Ramadani, kishin hyrë në Turqi në rrugë të paligjshme nga Siria në mars të vitit 2014 dhe po udhëtonin me taksi drejt Stambollit, kur hapën zjarr mbi forcat e sigurisë në një postbllok në afërsi të qytetit Nigde në jug të Turqisë, thuhet në vendimin gjyqësor.

Një pjesëtar i xhandarmërisë dhe një polic u vranë, ndërsa tetë pjesëtarë të xhandarmërisë u plagosën gjatë të shtënave, ndërsa një shofer kamioni u vra më vonë pasi që sulmuesit e morën automjetin e tij.

Të tre ata u kapën brenda 24 orësh, ndërsa gjykata në Nigde e dënoi me pesë burgime të përjetshme dhe 175 vjet Ramadanin, Benyamin Xunë me katër burgime të përjetshme dhe 179 vjet, ndërsa Muhammad Zakirin me një burgim të përjetshëm dhe 124 vjet. Dënimet e tilla të shumëfishta janë më të rëndit sipas Kodit Penal turk.

Në paraqitjen e tij në gjykim, shtetasi gjerman Benyamin Xu, tha se ishte takuar me Ramadanin dhe shtetasin maqedonas Muhammad Zakiri në Siri ku kishin qëndruar për nëntë muaj në një kamp stërvitjesh të grupit Shteti Islamik.

Xu tha se Ramadani kishte qëlluar mbi forcat e sigurisë dhe shoferin e kamionit.

Përkatësia e Ramadanit nuk është bërë e qartë meqë sipas dokumenteve atij i janë referuar herë si shtetas zviceran e herë si shtetas i Serbisë.

Policia kapi armë dhe granata dore në makinën e sulmuesve. Ata thanë se ishin në rrugë për në Maqedoni në kohën e përleshjes, ndërsa prokurori tha se ata po përgatisnin një sulm në Stamboll.

Personi i katërt që sipas akuzës ishte i lidhur me tre të tjerët, u dënua me 13 vjet e nëntë muaj heqje lirie nën akuzat për mashtrim dhe pjesëmarrje në organizatën terroriste.

Rusia ndërton bazë të re në Serbi

Ekzistojnë plane që aerodromi Eçka te Zrenjanini , Vojvodinë, të bëhet baza e dytë ruse në Serbi pas asaj që Beogradi e Moska e quajnë bazë humanitare në Nish, transmeton Koha.net net njoftimet e medieve serbe .

Aerodromi Eçka ka hangarin me tri seksione, sipërfaqen prej 2000 metrash katrorë, lartësinë 7 metra e dyer të gjera 25 metra.

Ideja është që në këtë lokacion, siç thotë gazeta e Beogradit “Blic”, për nevojat e qendrës humanitare serbo-ruse nga Nish,i të ndërtohet qendra trajnuese, përkatësisht poligoni për ushtrime për veprim në situata emergjente dhe Moska është e gatshme që për këtë dedikim të ndajë shumë mjete.

Kjo çështje duhet të jetë pjesë e bisedimeve zyrtare të Beogradit e Moskës gjatë vizitës së kryeministrit rus Dmitrij Medvedev, i cili do të kërkojë që të verifikohet Marrëveshja për privilegjet speciale diplomatike të qendrës humanitare serbo –ruse në Nish për të cilin po pritet që nga viti 2014. Ky medium serb thotë se për këtë bazë ruse kërkohen të drejta sikur ato për NATO’n.

“BE dhe SHBA nuk do ta shikojnë me sy të mirë bazën e dytë eventuale ruse në Serbi, pasi as bazën e Nishit nuk e kanë për dëshirë”, kanë thënë qeveritarë serbë.

Lajmin rreth mundësisë së hapjes së kësaj baze të re ruse e ka konfirmuar drejtori i Qendrës në Nish Bojan Glamoçlija. Ai ka shtuar se tregimi për Eçkën është vetëm njëra nga idetë pasi po shqyrtohet opsioni që ta na jepet një nga kazermat në Pançevë ose në Beograd.

Kryeshefi i qarkut të Banatit Qendror Dushan Shijan, në territorin e të cilit mund të ndërtohet baza e dytë ruse, nuk ka asgjë kundër kësaj ideje, pasi aeroporti tash e një kohë të gjatë është i braktisur por thotë se tash për tash e gjitha është vetëm në fillim.

Dorëhiqet zëvendëskryeministri kroat për shkak të konfliktit të interesit

Tomislav Karamarko ishte në konflikt interesi për shkak të marrëdhënieve të biznesit me Josip Petroviç

ZAGREB  – Komisioni për përcaktimin e Konfliktit të Interesit do të nis procedurë kundër Tomislav Karamarkos për shkak të konfliktit të interesit për rastin “konsulentja”.

Më parë Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ) njoftoi se Karamarko sot do të jap dorëheqje nga qeveria.

Komisioni për Konflikt të interesit sot ka vendosur se Karamarko ishte në konflikt interesi për paraqitjen e pikëpamjeve personale për tërheqjen e procedurës së arbitrazhit kroat me MOL-in.

Karamarko duhet të përjashtohet nga të gjitha aktivitetet në qeveri rreth INA-s për shkak të konfliktit të interesit, thotë Komisioni, dhe konsideron se Karamarko me aktivitetet e tij ka realizuar konflikt interesi.

Karamarko ka shkelur detyrën për shkak se nuk ka informuar opinionin në lidhje me biznesin e tij dhe marrëdhëniet miqësore me Josip Petroviçin, u vendos sot.

Beograd: Protestë kundër projektit të Emirateve të Bashkuara Arabe

Protesta në Serbi me sloganin: ‘Mos e mbysni Beogradin’

Mijëra serbë kanë protestuar mbrëmë në Beograd kundër shkatërrimeve në një zonë të njohur të qytetit e cila është përzgjedhur për një projekt të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Protestuesit kanë kërkuar që kryetari i Beogradit, Sinisha Mali të dorëhiqet dhe ndëshkimin e atyre që vendosen të shkatërrojnë shtëpi gjatë një nate prilli.

Shkatërrimet e 24 prillit në Savamala, zonën e artit dhe jetës së natës u kryen nga persona të panjohur me maska.

Disa protestuesë kishin vendosur maska të ngjajshme për të tallur shkatërruesit e objekteve në Savamala, derisa në panot që protestuesit i mbanin shkruante, “Maskat kanë rënë, kur do të bie qeveria?” apo edhe “Beogradi është qyteti jonë”.

Kryeministri i zgjedhur, Aleksandar Vuciq e ka quajtur protestën një cirk i organizuar nga partitë opozitare.

Kryetari i Beogradit, një aleat i Vuciqit, ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëveshjen prej 3 miliardë dollarëve me investorët e Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar objekte në stilin e Dubait si dhe objekte banimi në zonën afër Lumit Sava.

Kritikët thonë se projekti është i papërshtatshëm për Beogradin, ndërsa kanë dyshime edhe për korrupsion.

Turqi – Sulm me autobombë kundër një rajoni policie, disa të plagosur

ANKARA- Një sulm me veturë bombë goditi sot selinë e policisë në Midyat, në juglindje të Turqisë që është me maxhorancë kurde, një ditë pas një sulmi të ngjashëm në Stamboll ku u vranë 11 persona. Lajmi u bë i ditur nga agjencia zyrtare e lajmeve “Anadoll”. Sipas kanalit televiziv NTV raportohet për disa të plagosur nga ky sulm.

“Një shpërthim i fuqishëm ndodhi para godinës së policisë në këtë qytet të provincës Mardin ndërkohë që ambulancat mbërritën menjëherë në vendngjarje”, theksoi agjencia që ia atribuon këtë sulm rebelëve kurdë.

Sulm vdekjeprurës në qendër të Stambollit

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim me bombë në qendër të Stambollit.

Guvernatori i qytetit, Vasip Sahin, ka thënë se shtatë policë gjenden në mesin e të vdekurve.

Sipas raporteve, një pajisje e telekomanduar ka shpërthyer derisa një autobus i policisë ka kaluar pranë Universitetit të Stambollit.

Pamjet televizive kanë treguar autobusin e shkatërruar dhe fasadat e ndërtesave pranë të dëmtuara. Sipas disa njoftimeve, të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në zonë, edhe pas shpërthimit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia “do t’i luftojë terroristët deri në fund”.

“Sulmet po kryhen kundër njerëzve që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e popullit tonë. Ato nuk mund të tolerohen apo falen. Duhet të vazhdojmë luftën tonë kundër terroristëve, pa pushim, deri në fund”, ka thënë Erdogan derisa ka vizituar disa të plagosur në spital.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se sulmuesit janë aq zemërftohtë saqë shpërthejnë bomba gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë kanë kryer sulme të përgjakshme në Turqi, në muajt e fundit.

Turqia është pjesë e koalicionit që udhëheq SHBA-ja kundër Shtetit Islamik dhe u lejon avionëve të këtij koalicioni të përdorin bazën e saj ajrore Incirlik për sulme në Irak dhe Siri.

Armëpushimi dyvjeçar midis Turqisë dhe militantëve kurdë u prish verën e kaluar.

Që atëherë, forcat turke janë duke e luftuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon më shumë autonomi në zonat në juglindje të Turqisë. (v.t)

Festim Lato: Greqia së shpejti duhet të përballet për gjenocidin grek mbi çamët etnikë

VOAL – DORTMUND, 6 QERSHOR – Në një reagim të nënshkruar nga Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë thuhet se Greqia po tronditet nga „Dosja Çame, mbi gjenocidin grek mbi çamët etnik“ e dorëzuar në Hagë, nga Shoqata Demokratike „Çamëria“ në Hollandë, më 11 shkurt, 2016, nga kryetari i saj, z. Festim Lato. Dosja e dorëzuar në tre gjuhë, anglisht, gjermanisht, frengjisht, përshkruan gjenocidin grek mbi çamët, prej vitit i 1913 deri në vitin 1945. Greqia së shpejti duhet të përballet për gjenocidin grek mbi çamët etnik, thekson kryetari i Shoqatës Demokratike „Çamëria“ në Hollandë, z. Festim Lato. Festim Lato thekson s´e miratimi i Rezolutës në Parlemntin Gjerman për Gjenocidin e Turqisë mbi Armenët, hap udhë edhe për Gjenocidin grek mbi çamët etnik. Unë kujtoj shprehet Lato, se Ministri i Jashtëm Grek, Kotzias, duhet të jetë më serioz, dhe ta heq të ashtuquajturin Ligj të Luftës për Shqipërinë, dhe çamët e ndjekur të kthehen në tokën e tyre dhe të shpërblehen, përmbyllet reagimi i nënshkruar nga Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë dhe i shpërndarë për mediat.

Turqia paralajmëron masa të mëtejshme ndaj Gjermanisë

Turqia është zotuar se do të ndërmarrë masa të mëtejshme pasi parlamenti gjerman e miratoi një rezolutë që vrasjen masive të para një shkeulli të armenëve nga Perandoria Osmane e konsideron gjenocid.

Turqia tashmë e ka kthyer në Ankara për konsultime ambasadorin e saj në Berlin, pas votimit të djeshëm në Bundestagun gjerman.

Kryeministri turk, Binali Yildirim ka thënë sot se Gjermania e ka bërë një “gabim historik, të cilin duhet ta korrigjojë”.

Megjithatë, ai nuk e ka treguar konkretisht se çfarë masash tjera mund të ndërmarr Ankaraja, ndonëse ka shtuar se askush nuk duhet të pres që marrëdhëniet bilaterale të “përkeqësohen tërësisht”.

Historianët vlerësojnë se deri në 1.5 milionë armenë janë vrarë nga turqit osmanë gjatë Luftës së Parë Botërore, një ngjarje që nga dijetarët shikohet si gjenocidi i parë i shekullit të 20-të.

Turqia nuk pajtohet me këtë vlerësim.

Ata thonë se numri i viktimave është fryrë ndërsa të vrarët i konsideron si viktima të një lufte civile.

Biserko: Regjimi i Millosheviçit ka bërë gjenocid në Ballkan – kisha dhe religjioni e kanë mbështetur

Në kuadër të konferencës ndërfetare që po mbahet në Prishtinë sot është organizuar tryeza me temën “Identiteti gjinor në kohën e diskursit radikal gjinor”.

Drejtoresh e komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko nga Serbia ka thënë se kjo shoqëri ka bërë shumë në avancimin e femrës përveç regjimit të Millosheviçit që ka qenë i tmerrshëm në këtë segment, përcjell “zeri.info”.

“Duke folur nga konteksti jugosllav pasi jam rritur këtu mund te them se kjo shoqëri ka bërë shumë në avancimin e femrës përveç regjimit të Milloshevicit që ka qenë i tmerrshëm në këtë segment. Millosheviçi duke u kyçur në politikën nacionale ka margjinalizuar popullatën në këtë politik. Madje edhe kisha dhe religjioni ka mbështetur këtë politikë. Kisha pra ka qenë në funksion të regjimit të Millosheviçit. Kemi pasur një luftë rëndë që ka pasuar me gjenocid dhe humbje të tmerrshme gjatë regjimit të Millosheviçit”, ka thënë Biserko.

Ajo ka thënë se në veçanti për gratë ka qenë e vështirë për shkak se u është dashur të rrisin familje në shoqëri patriarkale dhe të margjinalizuara. Ku sipas saj, fatkeqësisht edhe sot në Serbi kisha ka ndikim të madh.

Turqia – Gjermanisë: Mos e njihni “gjenocidin” ndaj armenëve

Numan Kurtulmus

Turqia sot i ka tërhequr vërejtjen Gjermanisë kundër miratimit të rezolutës për njohjen e masakrës së Perandorisë Osmane kundër armenëve si “gjenocid”.

Lidhur me këtë çështje pritet të votohet këtë javë.

Vrasja e 1.5 milionë armenëve nga Perandoria Osmane, në periudhën 1915 – 1917, nga historianët gjërësisht shihet si gjenocidi i parë në shekullin e 20-të.

Më se 20 vende tashmë e kanë njohur këtë gjenocid.

Gjermania ende nuk e ka bërë këtë, por koalicioni qeverisës aktual e ka paraqitur propozimin për ta bërë njohjen.

“Gjermania duhet të jetë e kujdesshme sa u përketë marrëdhënieve me Turqinë”, ka thënë zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus.

Turqia e akuzon Rusinë për armatim të PKK-së

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar Rusinë se u jep armatim kunderajror dhe raketa militantëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), që është e ndaluar në Turqi.

Rusia ka transferuar armatim për PPK-në nëpërmjet Irakut dhe Sirisë, ka thënë Erdogan, raportojnë sot mediat proqeveritare.

Zyrtarët qeveritarë të Turqisë i kanë konfirmuar komentet e presidentit Erdogan.

Duke u përgjigjur ndaj akuzave turke, zëvendësministri i jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, tha se “kur dikush thotë diçka duhet t’i tregoj provat”.

Raportet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë janë përkeqësuar dukshëm pasi Turqia e rrëzoi një aeroplan luftarak të Rusisë në nëntor të vitit 21015, përgjatë kufirit të Sirisë me Turqinë.

Nikoliçi: Serbia mund të jetë mbështetëse e Kinës në Evropë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliçi, tha sot se vendi i tij mund të bëhet mbështetëse e Kinës në Evropë dhe partnere e saj i rëndësishëm për të ardhmen.

Këto komente ai i ka bërë në bisedë me udhëheqësin e Qendrës për hulumtime të zhvillimit të qeverisë së Kinës, Li Vei, në Beograd.

Siç është kumtuar pas këtij takimi, Nikolliq i ka thënë zyrtarit kinez se e ka gëzuar mbështetja e Kinës për kandidatin e Serbisë për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq.

Zoti Li tha se shpreson se do të ketë angazhim maksimal në mënyrë që potencialet e dy vendeve në tërësi të shfrytëzohen.

Gruevski heq dorë nga posti i kryeministrit, do amnisti për vete dhe kushëririn

Ish-kryeministri maqedonas, lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski ka pasur të paktën dy takime me liderin e opozitës Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e diplomatëve të huaj, ku ka kërkuar vetëm një – amnisti, por vetëm për vete dhe për kushëririn e tij, ish-shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov, thonë burime të mirinformuara të gazetës “Sloboden peçat”.

Këtë, siç shkruan në numrin e nesërm gazeta maqedonase, Gruevski e ka kërkuar për shkak se, siç po zhvillohen punët, faljen nga ana e presidentit Gjorge Ivanov nuk e ka më opsion të sigurt.

Burimet e njëjta thonë se kryeministri në dorëheqje ka ofruar që të tërhiqet nga politika, si kompensim për amnistimin e tij dhe kushëririt.

Tash për tash, shkruan gazeta, oferta e Gruevskit është refuzuar me indinjatë.

Sarajevë: Rëndësia e Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian

Sarajevë – Liderët e biznesit në Evropën Juglindore pas bisedës me presidentët e vendeve të rajonit

Nën organizimin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, takimi i Presidentëve në kuadër të procesit të Bërdo-Brioni, në Sarajevë, do të hap një numër çështjesh të zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe adresimit të sfidave e çështjeve të hapura ndërmjet tyre.

Në Samit po marrin pjesë presidentët e Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë si dhe mikpritësit Bosnjë e Hercegovinës. Nisma e Bërdo Brionit ishte ide kroato-sllovene dhe ajo synon që ta përafrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Pjesëmarrësit e procesit Bërdo Brioni, fillimisht të shtunën kanë adresuar çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë në kuadër të Samitit 100, që mbledhë afaristët nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe të cilët kanë shtruar kërkesat për heqjen “e barrierave politike” në kuadër të fuqizimit ekonomik.

Borut Pahor, presidenti i Sllovenisë, ka thënë se hapi më i rëndësishëm i vendeve të rajonit është integrimi euro-atlantik por tërhoqi vërejtjen se procesi i anëtarësimit në BE dhe në NATO, mund të ngadalësohet që sipas tij do të jetë e rëndë.

“Duhet që të mbahet procesi i zgjerimit të BE-së përkundër krizës institucionale në vetë BE-në. Procesi Bërdo Brioni prandaj është i rëndësishëm, për shkak të çdo bashkëpunimi, që të mos rrënohet paqja dhe siguria në rajon, dhe çdo bashkëpunim është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet çdo gjë që ekonomia të zhvillohet”, tha Pahor.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, ka theksuar se çështja e mirëbesimit të ndërsjellë është më e rëndësishmja por ajo, sipas tij, nuk po ecën me “shpejtësinë e duhur”. Ai tha se ende ekzistojnë probleme me dallimet ndërmjet vete dhe me të kaluarën në gjithë rajonin.

“Nuk është guxim ajo që liderët e Ballkanit bëjnë, të cilët mbyllen në botën e tyre virtuale dhe nuk pranojnë gabimet e tyre. Kjo nuk është rruga. Dhe të pranojmë dhe të ecim përpara”, tha Izetbegoviq.

Përparimi pas krizës së viteve të 90 megjithatë është arritur, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe sipas tij ka ardhur deri tek një pikë kur kanë filluar bisedat për zhvillimin e rajonit në fushën e ekonomisë.

“Ka shumë standarde dhe kritere të reja që janë të pakuptueshme dhe të pazbatueshme në rajon nëse nuk përmirësohet situata. Të gjithë e ndjejnë krizën në rajon, të gjitha vendet, të gjithë ne jemi vende shumëkombëshe dhe të gjithë i ndjejmë pasojat e asaj që po ndodh. Por më e rëndësishmja është që kemi filluar të bisedojmë”, tha Thaçi.

Për presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq, mbijetesa e BE-së është jetike për gjithë rajonin, por vlerësoi se hyrja e Serbisë në BE nuk do të thotë asgjë pa anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit. Sfida më e madhe për Serbinë, tha Nikoliq, është kapitulli 35 (normalizimi i plotë me Kosovën), por edhe çështjet e tjera.

“Të gjitha do t’i përmbushim, përveç një kushti të cilin nuk mund të na e hapin dhe dyshoj se do të na e hapin ndonjëherë”, tha Nikoliq duke “kritikuar” presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, që po përmbyllë marrëveshje të kufirit me Kosovën. Por, ai tha se e respekton vendimin e Malit të Zi, megjithëse u bëri thirrje vendeve që këtë rrugë drejt BE-së të mos e bëjnë më të vështirë për ato vende që më ngadalë përparojnë.

Çështjes së mirëbesimit iu kthye presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Me rëndësi është ndërtimi i mirëbesimit dhe për këtë nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti. Duhet të ndërtojmë mekanizma. Në rajon tani mund të shohim një situatë më të mirë politike. Ky tani është rajon i së ardhmes, të gjitha vendet janë të përqendruara në integrimet evropiane. Tani duhet të përqendrohemi në korridorin Adriatik-Jon”, tha Nishani.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, tha se shembulli më “i keq”, është ai i marrëdhënieve mes BE-së dhe Maqedonisë dhe rrugës së bllokuar të kësaj të fundit.

Në takimin e presidentëve të rajonit në kuadër të procesit Bërdo-Brioni, do të marrë pjesë edhe mysafiri i veçantë, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i cili gjatë ditës së shtunës ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës. (REL)

Putini në Greqi: Mali Athos ka një rol të veçantë për ortodoksët rusë

ATHINË – Presidenti rus, Vladimir Putin, mbylli vizitën e tij dy ditore në Greqi duke vajtur në malin Athos, një nga vendet më të rëndësishme të besimit ortodoks ku ai theksoi rolin jashtëzakonisht të veçantë që ka për besimtarët rusë.

Putini, që zhvilloi një vizitë private në këtë komunitet murgjish që janë vetëm meshkuj, me rastin e përvjetorit të mijtë të pranisë ruse në malin Athos, mbërriti në Selanik me anije në portin e vogël të Daphne, pranë manastirit rus të “Saint Panteleimon”, në brigjet perëndimore të gadishullit Halkidiki.

I shoqëruar nga patriarku i kishës ortodokse, Kirill, presidenti rus më pas morri pjesë në një ceremoni në nder të tij në Protaton, kisha më antike e Karies, kryeqyteti administrativ i malit Athos ku u prit nën tingujt e këmbanave.

Thaçi dhe Nikoliçi në Samitin e Sarajevës

Në Sarajevë ka filluar punimet Samiti 100, një nismë që mbledhë afaristë nga rajoni, dhe që i paraprin Samitit të Bërdo-Brionit, të Presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Sarajevë për herë të parë në këtë nivel merr pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.

Në Sarajevë të Bosnjë Hercegovinës, ka filluar punimet Samiti 100, një nismë për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit. Moto e Samitit 100, që zhvillon punimet prej 27 deri më 29 maj dhe që mbledhë afaristë nga të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit, “Marrëveshja për një Epokë të re” është tejkalimi i dallimeve dhe përkushtimi për projektet që integrojnë ekonomitë e vendeve të rajonit.

Samiti 100 është nismë që përpara 5 vjetësh u nis nga Asociacioni i Menaxherëve të Serbisë, Lidhja e Punëdhënësve të Kroacisë dhe Lidhja e Menaxherëve të Sllovenisë si dhe Fondacioni Atllas nga Mali i Zi. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe afaristë nga vendet e tjera përfshirë edhe Kosovën.

Në punimet e Samitit u tha se “ka ardhur koha që vendet e rajonit ta kuptojnë se janë mundësi e mirë për njëra tjetrën dhe jo rrezik”. Gjatë ditës së shtunë në punimet e këtij Samiti morën pjesë edhe presidentët e vendeve të rajonit, që do të zhvillojnë takimin e tyre në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit.

Mikpritësi i sivjetëm i nismës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe të nxitjes së dialogut të vendeve të rajonit me BE-në, është Presidenca e Bosnjë Hercegovinës ndërkohë që është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Presidentes së Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviç dhe i Sllovenisë Borut Pahor, dy vende anëtare të BE-së që kanë nisur edhe gjithë procesin e Bërdo-Brioni.

Pjesëmarrjen e tij e ka konfirmuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë që organizatorët kanë thënë se edhe President ii Serbisë, Tomisllav Nikoliç, e ka konfirmuar ardhjen e tij në Sarajevë. Ndryshe thuhet se Presidenti serb, Nikoliç, do të qëndrojë për herë të parë në Sarajevë që prej marrjes së mandatit të presidentit.

Në Samit merr pjesë edhe president ii Shqipërisë Bujar Nishani, i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe ai i Malit të Zi Filip Vujanoviç.

Këtë vit mysafir nderi është Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Në margjina të Samitit janë paraparë edhe takime të presidentëve të cilët do të bisedojnë për çështjet e hapura ndërmjet vendeve të tyre kurse vetë Samiti do të trajtojë temat e bashkëpunimit rajonal integrimeve euroatlantike dhe normalizimit të marrëdhënieve. (REL)

Presidenti i Rusisë vizitë zyrtare Greqisë

Putini gjatë vizitës së tij zyrtare dyditore në Greqi është takuar me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Pas takimit Putini dhe Tsiprasi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp

ATHINË- Presidenti rus Vladimir Putin në lidhje me marrëdhënit Rusi-Turqi tha se “Në lidhje me këtë çështje kemi marrë deklarata por asnjëherë nuk kanë kërkuar falje. Ne dëshirojmë të rregullojmë marrëdhëniet”.

Putin gjatë vizitës së tij zyrtare dyditore në Greqi është takuar me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Pas takimit Putin dhe Tsipras kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Pas një pyetjeje në lidhje me rrëzimin e avionit luftarak rus nga avionët turq pas shkeljes së hapësirës ajrore turke, Putin ka mbrojtur idenë e tij se Forcat Ajrore të Rusisë nuk luftojnë me ushtri të rregullta, por se ato kanë në objektiv organizatat terroriste.

Putin duke shpjeguar se asnjëherë nuk kanë menduar të luftojnë kundër Turqisë, është shprehur: “Unë shpresoj se kurrë nuk do të arrijmë në një pikë të tillë. Ajo që ndodhi ndodhi. Nuk u rrëzua vetëm avioni, por u vra edhe piloti i avionit. Gjë e cila sipas ligjeve ndërkombëtare është një krim lufte. Në lidhje me këtë çështje kemi marrë deklarata por asnjëherë nuk kanë kërkuar falje. Ne dëshirojmë të rregullojmë marrëdhëniet. Nuk ishim ne ato që prishëm këto marrëdhënie. Fjalët nuk janë të mjaftueshme, duhet të bëjnë diçka. Ka shumë rrugë për të mbajtur komunikimin. Presim hapa më konkrete. Por deri tani nuk ka asnjë hap”.

Ndërsa në lidhje me mundësinë e formimit të një shteti kurd në veri të Sirisë Putin ka komentuar se “Ne nuk interesohemi për çështjen e shtetit kurd nuk është punë e jona. Kjo është një çështje që i mbetet kurdëve në rajon dhe qeverive. Në lidhje me këtë çështje jemi në një marrëdhënie me homologët tanë. Duhet të mundësojmë fillimin e një procesi të paqes dhe të arrihet në rezultate të arsyeshme. Do të bëjmë ç ‘është e mundur për zgjidhjen politike”.

Për aneksimin e Krimesë nga Rusia, Putin ka theksuar se “Çështja e Krimesë është mbyllur kategorikisht. Ky është një vendim i njerëzve që jetojnë në Krime. Rusia nuk do të negociojë me askënd për këtë çështje”.

Pas një pyetjeje në lidhje me vendosjen e sistemeve të mbrojtjes raketore nga SHBA-ja në Rumani dhe në Poloni presidenti Putin ka shprehur si më tej:

“Kjo ishte një lëvizje që dëmtoi infrastrukturën e mbrojtjes. Që prej 20 vitesh e themi se është një përgjigje. Askush nuk na dëgjon. Askush nuk dëshiron të neogociojë me ne. Shprehen se kjo nuk është kundër Rusisë. Në fillim u shprehën se këto sisteme raketore dëshironin ti përdornin kundër programit bërthamor të Iranit. Ku mbeti kjo? SHBA-ja me Iranin arritën një marrëveshje. Nuk ka një kërcënim bërthamor nga Irani. Por SHBA-ja ende vazhdon të ndërtojë sisteme të mbrojtjes raketore në Europë. Ne këtë e mendojmë se është një kërcënim dhe do ti përgjigjemi. Rumania në fillim nuk ndodhej nën kërcënim. Por jemi të detyruar të marrim disa masa. Çdo veprim që ne mund të bëjmë mund të jetë në cilësinë e kundërpërgjigjes. E njejta situatë vlen edhe për Poloninë. Këto çështje duhet të negociohen.”

Fushata e Trumpit përfshihet sërish nga dhuna (video)

Fushata e kandidatit republikan Donald Trump është përfshirë sërish nga dhuna, teksa mbështetësit dhe kundërshtarët e tij janë përplasur në prag të një takimi që miliarderi zhvilloi në San Diego të Kalifornisë.

Situata nuk u përshkallëzua falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë, të cilët shoqëruan edhe 35 persona në ambientet policore. Protestuesit ishin kryesisht me origjinë meksikane dhe kundërshtojnë premtimin e Trump për të ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën.

Mbështetësit dhe kundërshtuesit e kandidatit republikan në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, janë përplasur sërish në prag një takimit elektoral që miliarderi zhvilloi në San Diego të Kalifornisë. Dy grupimet qëlluan fillimisht me gurë dhe sende të forta në drejtim të njëri-tjetrit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë gjithçka u neutralizua.

Në bazë të një komunikimi zyrtar, efektivët shoqëruan edhe 35 persona në ambientet policore. Protestuesit ishin kryesisht me origjinë meksikane dhe kundërshtojnë premtimin e Trump për të ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën, me qëllim parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm.

Miliarderi kontrovers zhvilloi një takim me mbështetësit ku sulmoi edhe njëherë rivalen e tij kryesore nga kampi demokrat, Hilari Clinton. Ai u shpreh se kjo e fundit nuk ka një pamje presidenciale dhe se mezi pret që të përballet me të.

Nga ana tjetër, kandidati demokrat Bernie Sanders, zhvilloi një takim elektoral në Kaliforni, në përpjekje për të mbajtur gjallë garën e tij. Senatori i Vermontit, ka shumë pak shpresa për të qënë përfaqësuesi i demokratëve në garën presidenciale, e megjithatë, ka deklaraur se nuk do të dorëzohet deri në fund.

Kalifornia, e cila ka në total 546 delegatë gjithsej, mund të jetë mundësia e tij përfundimtare për të kthyer rezultatin, pavarësisht se një gjë e tillë duket thuajse e pamundur. Ish-sekretares së Shtetit, Clinton, i duhen vetëm 73 delegatë për t’u nominuar, ndërkohë që Sanders ka nevojë për plot 841 të tillë.

Presidenti Ivanov i shfuqizon faljet për 22 politikanë

Ivanov ka shfuqizuar sot vendimin për falje të 22 personave për të cilët thotë se janë “persona të ekspozuar politikisht”

SHKUP – Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka shfuqizuar sot vendimin për falje të 22 personave për të cilët thotë se janë “persona të ekspozuar politikisht”.

Në paraqitjen e tij publike për opinionin në vend, Ivanov tha se vendimi është në përputhje me ligjin për plotësimin e ligjit për Falje. “Solla vendim për shfuqizimin e vendimit për falje-lirim nga ndjekja pa pasur procedurë (gjyqësore) për të gjithë personat të ekspozuar politikisht, gjithsej 22”, tha Ivanov në paraqitjen e tij publike.

Ivanov në fjalimin e tij tha se dëshiron të largojë dyshimet sepse siç tha, asnjë politikan nuk është mbi ligjin. “Përkundrazi, secili do të përgjigjet për veprimet e veta” tha Ivanov i cili ripërsëriti qëndrimin se falja ishte mundësia më e mirë për dalje nga kriza politike.

Rikujtojmë se Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov më 12 prill solli vendim të përgjithshëm me të cilin ndërpriten të gjitha procedurat penale kundër pushtetit dhe opozitës, për siç tha, të ruajë interesin shtetëror dhe kombëtar, të cilën e vlerëson si mundësi për dalje nga kriza politike.

Në vendimin për faljen u përfshinë 56 politikanë. aa

Vuçiçi gjatë vizitës private në Rusi takon Putinin

Vuçiçi falënderoi presidentin rus për mbështetjen politike që Rusia ofron për të ruajtur integritetin territorial të Serbisë

BEOGRAD – Gjatë qëndrimit të tij në Moskë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiçi u takua me presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin për të diskutuar çështjet kryesore dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis Serbisë dhe Rusisë.

Sipas deklaratës së shërbimit për media të kryeministrit të Serbisë, Vuçiçi dhe Putini “konkluduan se me miqësinë e sinqertë dhe të vërtetë të popullit serb dhe rus në të ardhmen duhet të konfirmohet me bashkëpunim edhe më konkret dhe më të suksesshëm në të gjitha sferat e jetës shoqërore”.

Vuçiçi falënderoi presidentin rus për mbështetjen politike që Rusia ofron për të ruajtur integritetin territorial të Serbisë.

Aleksandër Vuçiçi po qëndron për një vizitë private në Moskë, për të cilën nuk kishte ndonjë njoftim paraprak dhe për qëndrimin e tij në këtë vend bëri të ditur sekretari për media i Kremlinit Dimitrij Peskov.

Vuçiçi në Moskë pritet të takohet me Putinin

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, sot po qëndron në Moskë, ku pritet që më vonë gjatë ditës të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, tha zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov.

“Kryeministri Vuçiç i Serbisë është në Moskë në vizitë private, dhe brenda kornizës së qëndrimit të tij në Moskë, ai do të takohet me presidentin Putin”, tha Dmitry Peskov, transmeton agjencia TASS nga Moska.

E përditshmja beogradase, Blic, ka raportuar se kabineti i zotit Vuçiq ka vërtetuar se kryeministri i Serbisë është në Moskë për kontrolle mjekësore.


Send this to a friend