Deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shprehur qëndrimin se kërkesa e partisë së tyre është që të kenë postin e presidentit.
Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku Sadriu artikuluan këtë kërkesë, një ditë pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk arritën ndonjë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Lushaku Sadriu tha se LDK gjithmonë ka kërkuar që institucionet e vendit të sigurojnë një balancë mes fuqive politike.
“Pra edhe në këtë kuptim, domethënë kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së, në kuptimin që të diskutojmë së bashku për gjithë pushtetin edhe pastaj të bëhet ndarja në mënyrë proporcionale. Ky ka qenë qëndrimi”, tha Lushaku-Sadriu për mediat para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ndërkaq Bajrami tha për mediat se nuk i di detajet e takimit të djeshëm, por iu duk se Abdixhiku po insiston “me të drejtë” po insiston që partia e tij të ketë postin e presidentit.
“Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Bajrami.
Sipas saj, ofrimi i posteve ministrore nga LVV-ja nuk ofron garanci.
Pas takimit të tyre, që zgjati mbi tri orë, Kurti dhe Abdixhiku shprehën qëndrime të ndryshme sa i përket presidentit – moskonsensusi për të cilin muaj më parë mes partive nxiti zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti insistoi se Kosovës i duhet një president konsensual, jopartiak, ndërkaq Abdixhiku tha se president konsensual është kushdo që i merr 80 vota të deputetëve.
Në zgjedhjet e qershorit, LDK-ja garoi me Vjosa Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit.
“President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta”, tha Abdixhiku mbrëmjen e 4 gushtit.
Osmani, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, ishin të pranishëm po ashtu në takimin me Kurtin.
Teksa LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve, më 6 gusht pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Me konstituimin e organit ligjvënës, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë, por edhe të presidentit. Deputetët më pas do të ketë kohë 60 ditë për të zgjedhur një president, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje – të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.
LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Hetues pranë vendit ku po kryhen gërmime në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut. 1 gusht 2026.
Radio Evropa e Lirë
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se po kryhen hetime për një lokacion të tretë për varrezë masive, teksa në dy lokacione në Zubin Potok autoritetet kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Sipas një njoftimi, gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë të Zubin Potokut “janë gjetur mbetje”, të cilat, sipas Prokurorisë, do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila shtoi se hetimet për krimeve të luftës në Zubin Potok, po vazhdojnë në mënyrë intensive.
Gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në Kalludër të Zubin Potokut nisën në fund të korrikut, ndërkaq disa ditë më parë, nisën gërmime edhe në Jakubë, të po kësaj komune në veri të Kosovës.
Njoftimi i Prokurorisë Speciale vjen në kohën kur kryenegociatori i Kosovës për dialogun teknik, Agron Bajrami, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të sigurohet që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Përmes një postimi në X, Bajrami tha se ka kërkuar nga BE-ja që Serbia të ofrojë qasje të pakufizuar në arkiva dhe mbrojtje për ata që ofrojnë informacione.
“Si kryenegociator i Kosovës i kam përcjell zyrtarisht të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, shqetësimet tona lidhur me zhvillimet e fundit për personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998-99”, shkroi Bajrami.
Ai tha se familjarët e personave të zhdukur kanë pritur “shumë gjatë për të vërtetën”.
Ditë më parë, Prokuroria Speciale konfirmoi se në fshatin Kalludër e Vogël janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore. Ndërkaq, më 3 gusht, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në Jakubë janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën katër personave.
Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2 maj të vitit 2023 arritën pajtim për Deklaratën për të Zhdukurit.
Kjo deklaratë parasheh zotimin e të dyja palëve për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 personave të zhdukur gjatë luftës më 1998-99. Në të nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, po aty përmendet fjala “dokumente konfidenciale”.
Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por takimi përfundoi pa ndonjë rezultat.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas nisjes së gërmimeve në Zubin Potok, ka përsëritur thirrjen që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake dhe të zbatojë Deklaratën e Brukselit.
“Andaj e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë, që mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri më 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave në mënyrë që të kemi informaciuone për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, deklaroi Kurtimë 29 korrik.
Sipas kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, arkivat ushtarake të Serbisë kanë raporte luftarake, të dhëna për veprimet e njësive dhe regjistra të transferimeve që mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive.
Ndërkaq, arkivat e shërbimeve të sigurisë shtetërore, siç tha Biserko për Radion Evropa e Lirë, kanë raporte të inteligjencës për operacionet në Kosovë dhe tregojnë për ndalimet dhe bashkërendimin mes Ministrisë së Brendshme serbe dhe ushtrisë.
Ndërkaq, të rëndësishme vlerësohen edhe arkivat e institucioneve të tjera të Serbisë, veçmas të atyre që ishin përgjegjës për bartjen dhe varrosjen e kufomave, “siç janë kompanitë e shërbimeve komunale dhe organizatave të ngjashme”, deklaroi Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Lidhur me dyshimet për varreza masive, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tre persona. Ndërkaq, në Serbi më 30 korrik u arrestua një person për spiunazh.
Në Kosovë, megjithatë, disa burime thanë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi lidhet me dyshimet se R.T – i arrestuar në Serbi – kishte dhënë informacione që çuan te lokacioni ku po zhvillohen gërmimet për mbetje mortore në Zubin Potok.
Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka vlerësuar arrestimin e personit, për të cilin pretendon se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive të dyshuar në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.
Sipas një raporti të publikuar më 29 korrik, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës tha se bazuar në të dhënat preliminare, janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për takim.
Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ua dërgoi këto ftesa udhëheqësve partiakë vetëm tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë.
“Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.
Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik.
Në ftesën që i ishte dërguar Aleancës, Kurti kishte propozuar që takimet të mund të mbaheshin të martën ose të mërkurën, pa ndonjë orë të caktuar.
Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.
Në mesin e kushteve të paraqitura nga Aleanca është pranimi i menjëhershëm i projektit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të gazit të lëngshëm natyror, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, lehtësime për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për sektorin e bujqësisë e disa të tjera.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse kanë pranuar ftesë për takim nga Kurti dhe si do t’i përgjigjeshin asaj.
Më 10 korrik, Kurti ishte takuar ndaras me udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.
LDK-ja, pas një kuvendi partiak të mbajtur ditë më parë, po ashtu konfirmoi se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit.
Partia e Abdixhikut kishte pezulluar bisedimet, pasi disa delegatë kishin iniciuar një mocion për shkarkimin e kreut të partisë. Megjithatë, Abdixhiku i mbijetoi këtij mocioni.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Megjithatë, çështja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit për presidentit nxiti zgjedhjet e qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.
Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Një ditë më parë, Kurti tha se ka vullnet dhe gatishmëri për marrëveshje me LDK-në.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.
Dorëzania prej 50,000 eurosh nuk ka mjaftuar që gjyqtari i vetëm në gjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për tentim pengimi të drejtësisë, ta jap dritën e gjelbër për lirim me kusht të Thaçit nën 14 kushte që ka ofruar mbrojtja e tij në korrik të këtij viti, raporton ekskluzivisht Klan Kosova.
Gosnell ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin Thaçit edhe për dy muaj të tjerë, ndonëse e komenton si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miq të tij.
“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”
Për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar të arsyetojë mundësinë reale të arratisjes, Gosnell e rrëzon këtë arsyetim për vazhdimin e paraburgimit, raporton Klan Kosova.
Megjithatë nën arsyetimin se Hashim Thaçi mund të pengojë proceset gjyqësore në zhvillim në Dhomat e Specializuara dhe mund të kryejë krime tjera të ngjashme, paraburgimi do të vazhdojë së paku deri në tetor 2026.
Thaçi është i vetmi i akuzuar në këtë rast që vazhdon të qëndrojë në Qendrën e Paraburgimit në Shevningen. Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ishin liruar me kusht nën 14 kushte përfshirë dorëzaninë, ndërkaq Hajredin Kuqi ishte lënë të mbrohet i lirë që nga fillimi i procesit. /Klankosova.tv
Fshati Kalludër e Vogël i Zubin Potokut në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv nga lufta e viteve 1998-’99.
Radio Evropa e Lirë
Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.
Në një njoftim për media të dielën, Policia e Kosovës tha se pas urdhrit nga prokurorët e ka arrestuar një të dyshuar me inicialet J.R.
“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.
Policia nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit, por shtoi se ai u kap pas një pune intensive hetimore në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.
Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me rastin e Zubin Potokut, pasi dy burra të tjerë po mbahen tashmë në paraburgim, po ashtu, nën dyshimin për krime lufte.
Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë.
Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.
Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.
Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.
Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.
Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.
Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.
Por, Kurti e përsëriti të shtunën se mbetjet e dyshuara njerëzore në këtë fshat mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.
“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.
Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.
Sipas tij, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.
Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka “vullnet dhe gatishmëri” mes partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme.
LVV-ja dhe LDK-ja pritet t’i rifillojnë bisedimet që ishin pezulluar muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi brendapartiak të cilit i mbijetoi këtë javë lideri i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku.
I pyetur të shtunën vonë se kur do të rinisin takimet me Abdixhikun teksa po afron seanca konstituive e Kuvendit e 6 gushtit, Kurti tha: “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”.
“Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti për Ekonomia Online, pas një ngjarjeje të partisë së tij në Prishtine për mikpritjen e mërgimtarëve.
Ndërkohë, të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë një kuvendi partiak të enjten ishte arritur pajtueshmëri që partia të bashkëpunojë me partinë në pushtet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
LDK-ja tashmë ka caktuar disa parime si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në, përfshirë: marrëveshje për të gjitha institucionet, pra Kuvendin, Qeverinë, Presidencën, ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.
“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, tha Haziri për REL-in.
Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Partia e tij i mori 53 mandate dhe, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.
A do të mjaftonte një marrëveshje LVV-LDK?
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet e fundit në LDK, por edhe pozicionimi i partive politike në përgjithësi, nuk japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.
Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit për dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut për kryetar, rikonfirmon se brenda LDK-së ekzistojnë çarje të thella ndërmjet dy taborëve.
Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se ajo ia respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.
“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve”, shtoi Paçarizi.
Ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur me të brenda kësaj partie, për të krijuar qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në.
Analisti Artan Muhaxhiri gjithashtu tha se, pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet brenda LDK-së tregojnë se çfarëdo marrëveshje me LVV-në nuk do të marrë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të kësaj partie në Kuvend.
“Minimumi i ka gjashtë ose shtatë deputetë më pak se sa numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu që Abdixhiku e ka vetëm një detyrë, ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët e kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij”, theksoi Muhaxhiri.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, viziton vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël në veri të Kosovës, u janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.
Radio Evropa e Lirë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se gërmimet në një vend ku janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99, mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së tyre dhe terrenit të vështirë.
Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël në veri të vendit, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.
Gërmimet në fshatin e Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve nga autoritetet kosovare.
Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.
Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.
“Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”, tha Kurti të shtunën teksa vëzhgoi gërmimet.
Kurti e akuzoi Serbinë se, përveç se nuk dëshiron të bashkëpunojë, po ndalon njerëz që po japin të dhëna për vendndodhjen e mundshme të varreve masive.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia po arreston serbë të cilët para më shumë se dy dekadash na i paskan treguar UNMIK-ut e organizatave ndërkombëtare për krimet e Serbisë, dhe këtë po e bën nën akuzën për spiunazh”, tha Kurti.
Ai tha se, Serbia në vend se t’i hapë arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake që kanë kryer krime të luftës në Kosovë, “ajo të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni i akuzon, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh”.
Megjithëse çështja e të zhdukurve me dhunë shihet kryesisht si çështje humanitare, Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.
Kurti po i referohej arrestimit të një 46-vjeçari me inicialet R.T., në Kralevë, në Serbinë qendrore.
Agjencia serbe Tanjug, tha se ai u arrestua nën dyshimin për spiunazh dhe shfaqi pamje nga ndalimi e tij.
Ministria serbe e Punëve të Brendshme (MPB), Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Prokuroria e Lartë në Kralevë nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me arrestimin e R.T., dhe as nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht informacionin.
Sipas raportimeve të mediave, R.T. dyshohet se për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me shërbimin informativ në Kosovë.
Po ashtu thuhet se i arrestuari kishte mbledhur dhe dorëzuar të dhëna mbi veprimtarinë e pjesëtarëve të dikurshëm dhe të tanishëm të Ushtrisë së Serbisë, MPB-së të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së shtetit serb.
Por, ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, pretendoi se R.T – nga Istogu – u arrestua në Serbi pasi ndihmoi në zbulimin e një varreze masive në Kosovë.
Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Serbisë kanë bërë të ditur se verifikimi i informacionit për varrin masiv në Zubin Potok ka zgjatur më shumë se dy dekada.
Në njoftimet e tyre thuhet se informacioni për një varr të mundshëm masiv në Kalludër të Vogël ishte bërë publik më 7 janar 2013, kur e përditshmja Zëri publikoi deklaratën e R.T.-së për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël.
Thuhet se R.T. u kishte dhënë deklaratë hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës më 7 shkurt 2003.
Ndërkohë, Kurti e përsëriti se mbetjet e dyshuara njerëzore në fshatin e Zubin Potokut mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.
“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.
Mbi 1.500 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.
Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.
Takimi i 10 korrikut mes kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Bekim Bislimi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja. Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 30 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.
“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, thekson Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.
Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Krijimi i unitetit në LDK rreth një vendimi të përbashkët të 18 deputetëve të saj lidhur me një marrëveshje eventuale me LVV-në, mbetet sfidë. Në mesin e tyre ka edhe persona që votuan për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të premten, në një konferencë për media e cilësoi lajm të mirë paralajmërimin e Abdixhikut për heqjen e pezullimit për bisedimet për krijimin e institucioneve.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
“Pra, ato [takimet] të thirren dhe të mbahen dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.
Por, një marrëveshje e mundshme ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ende nuk duket në horizont, ndonëse kanë mbetur më pak se një javë deri në seancën konstituive të Kosovës, të caktuar më 6 gusht.
Me konstituimin e Kuvendit, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por edhe zgjedhjen e presidentit. Për këtë të fundit, deputetët e legjislaturës së re do të kenë kohë 60 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit që ta votojnë kreun e ri të shtetit.
Haziri: Për 24 orë, LDK-ja i mbyllë të gjitha çështjet parimore
Kuvendi i LDK-së, ku delegatët i dhanë besimin Abdixhikut që të vazhdojë në krye të partisë, shpërfaqi qartë dallimet përbrenda kësaj partie.
Për vazhdimin e mandatit të kryetarit Lumir Abdixhiku votuan 170 delegatë, 152 ishin kundër dhe 5 abstenuan.
Haziri thekson se me gjithë dallimet e dukshme përbrenda LDK-së, ajo tash gjendet përballë ofertës nga partia e parë fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për bashkëpunim.
Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje tëmundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.
“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, thekson Haziri.
Ai shton se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara mes Kurtit, Abdixhikut dhe ish-presidentes Vjosa Osmani më 10 korrik, LVV-ja është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme.
Sipas tij, tani i takon LVV-së, që në bisedimet e ardhshme, të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.
Haziri thotë se në rast se arrihet pajtimi, uniteti i Grupit parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.
“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, thekson Haziri.
Ai shprehu besimin në pjekurinë politike të Grupit Parlamentar të LDK-së, për një unitet rreth vendimeve të kreut të partisë.
Mundësitë për një marrëveshje dhe skepticizmi për numrat
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet e fundit në LDK, por edhe pozicionimi i partive politike në përgjithësi, nuk japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.
Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit për dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut për kryetar, rikonfirmon se brenda LDK-së ekzistojnë çarje të thella ndërmjet dy taborëve.
Çarjet e tilla, vlerësojnë ata, e vështirësojnë ose e pamundësojnë fare funksionimin normal të kësaj partie dhe secilën strategji që mund ta planifikojë Abdixhiku për negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, për një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se ajo ia respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.
“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve”, thotë Paçarizi.
Ai shton se ky veprim i LDK-së del si i kushtëzuar, për shkak se partitë politike në vend, përfshirë edhe LVV-në, ende ushqejnë ndërtimin e rrëfimeve për fajtorët e mosformimit të institucioneve.
Paçarizi shpreh mendimin se as LDK-ja dhe as partitë tjera, nuk do të deklarohen kundër ndërtimit të institucioneve.
Por, ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur me të brenda kësaj partie, për të krijuar qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje eventuale me LVV-në.
Paçarizi thekson se mundësitë për një marrëveshje ende nuk janë të shteruara tërësisht, por marrëveshja do të varet edhe nga vullneti dhe serioziteti i liderit të LVV-së, Albin Kurti, me të cilat do t’i qaset ndërtimit të institucioneve.
Megjithatë, Paçarizi shprehet skeptik lidhur me formimin e institucioneve edhe në rast se arrihet një marrëveshje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.
Nyja e gjithë problemit për ndërtimin e institucioneve, sipas tij, mbetet zgjedhja e presidentit të vendit.
Në dy rundet e para të votimit për zgjedhjen e presidentit, kërkohen votat e 80 deputetëve. Në rast se zgjedhja e presidentit dështon në dy runde, atëherë, në rundin e tretë të votimit, kandidati që merr 61 vota në Kuvendin me 120 vende, zgjidhet president.
Paçarizi thekson se duhet pasur parasysh faktin se LVV-ja ka 53 deputetë, të cilëve në votim mund t’u bashkëngjiten edhe nëntë ose dhjetë deputetë nga komunitetet joshumicë.
“Kur i shtojmë kësaj edhe 18 deputetë të LDK-së, atëherë mund të bëhet një numër prej 80 deputetësh. Por, është tepër e vështirë të sigurohen të 18 votat e LDK-së për një zgjidhje, e cila nuk do të ishte maksimale për këtë parti. Mendoj që as zgjidhjet më optimale nuk mendoj se do të kryejnë punë këtu”, thekson Paçarizi.
Analisti Artan Muhaxhiri gjithashtu thotë se pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet brenda LDK-së tregojnë se çfarëdo marrëveshje me LVV-në nuk do të marrë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të kësaj partie në Kuvend.
“Minimumi i ka gjashtë ose shtatë deputetë më pak se sa numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu që Abdixhiku e ka vetëm një detyrë, ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët e kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij”, thekson Muhaxhiri.
Ai shton se megjithatë, nuk pret që qasja e Abdixhikut të ndryshojë dhe ai të jetë më fleksibil ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë.
“Prandaj, marrë parasysh edhe një numër faktesh tjera, duket që opsioni i vetëm do të jenë zgjedhjet e reja. Me këtë klimë politike është krejtësisht e pamundur të arrihet numri i 80 deputetëve, që është çelësi i zgjidhjes së problemeve dhe parandalimit të një procesi të ri zgjedhor”, përfundon Muhaxhiri.
Në rast se partitë nuk arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, atëherë vendi do të shkonte sërish në zgjedhje. Ato do të ishin votimet e dyta që do të mbaheshin për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.
Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.
Radio Evropa e Lirë
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe ajo opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë të gatshme për t’i rifilluar pa vonesa bisedimet për një marrëveshje për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, thanë zyrtarë nga të dyja partitë të premten.
Bisedimet ishin pezulluar javë më parë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përballej me shkarkim të mundshëm nga partia, por arriti t’i mbijetojë votëbesimit të enjten për herë të dytë këtë vit.
Tani që ai vazhdon ta drejtojë partinë, të dyja palët thonë se bisedimet mund të rifillojnë pa humbur kohë për një marrëveshje, pasi seanca për konstituimin e Kuvendit të ri do të mbahet më 6 gusht.
Partia e kryeministrit në detyrë i rifitoi zgjedhjet, por ajo ka nevojë për një partner koalicioni për ta zgjedhur edhe presidentin e ri të vendit, që është vendimtar në shmangien e atyre që do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy vjetësh.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, mbajti takim me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare për përgatitjen e agjendës së seancës së javës së ardhshme.
Haxhiu tha se palët u pajtuan për agjendën për konstituimin e Kuvendit, i cili i hap rrugë formimin të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri, mes frikës së vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Së pari, është lajm i mirë që tashmë, pati mbledhje të LDK-së dje. Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet”, tha Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushte.
Ajo shtoi se, edhe nuk është në mandatin e saj si ushtruese e detyrës së presidentit të flasë për atë çështje, “por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë”.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj pret nga LDK-ja rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje, “sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë punën në të gjitha institucionet me mandatet e përcaktuara”.
Ndërkohë, në natën që i shpëtoi shkarkimit, lideri i LDK-së Abdixhiku tha se pezullimi i bisedimeve me LVV është hequr tashmë.
“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heq atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur të premten pas takimit për seancën konstituive, shprehu gatishmërinë e partisë për vazhdimin e bisedimeve , por shtoi se për momentin nuk kanë ndonjë ftesë për takim nga lideri i LVV-së.
“Në fakt nuk ka ndonjë ftesë tani meqë janë të lidhura proceset për çka ne i kishim ndërprerë dialogun tonë me vendimmarrësit sa i përket këtij institucioni. Sapo të kemi një takim, do të kemi dialog edhe marrëveshje eventuale nëse do të ketë hapësirë për marrëveshje të tillë”, tha ajo.
Kurti dhe Abdixhiku kanë mbajtur vetëm një takim para se ky i fundit të detyrohej t’i pezullonte bisedimet.
Pas atij takimi në fillim të këtij muaji, të dy liderët kishin thënë se kishin shpresa për një marrëveshje dhe vullnet për vazhdimin e bisedimeve deri në arritjen e saj.
Ndërkohë, Nagavci i mohoi të premten raportimet se ata ishin arritur marrëveshje në parim.
“S’ka marrëveshje në parim. Ka pasur një takim të parë ka qenë në mënyrë konstruktive e shpresëdhënëse. S’ka pasur pajtueshmëri për pozita të caktuara”, tha ajo.
Formimi i institucioneve
Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Prandaj çështja e presidentit pritet të jeë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
Buqeta lulesh të vendosura pranë memorialit kushtuar të vrarëve në masakrën në Reçak të Shtimes.
Bekim Bislimi
Ramë Shabani, 60-vjeçar nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, e ka kuptuar nga mediat se në Kosovë se do të niste një proces gjyqësor ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte për masakrën e kryer në fshatin e tij.
Ai është një nga të mbijetuarit e Masakrës së Reçakut, ku forcat serbe në janar të vitit 1999, vranë 45 civilë shqiptarë.
“Nuk më ka informuar askush nga institucionet [për procesin gjyqësor] dhe nuk kam marrë ftesë për të qenë dëshmitar”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për këtë rast nisi të premten, më 31 korrik. Shabani dyshon se ky lloj gjykimi do të sjellë drejtësi.
“Arrita të ik, të tjerët i vranë”
Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, Ramë Shabanin, atëherë 33-vjeçar, e zgjuan nga gjumi krismat e armëve.
Ramë Shabani në Reçak, gjatë një rrëfimi të mëhershëm për REL-in.
Siç rrëfen ai, krismat ishin bërë të zakonshme në atë kohë lufte, por, rreth orës 7 të mëngjesit, e gjithë familja e tij e kuptoi se në fshat po ndodhte diçka e pazakontë.
Forca të mëdha policore serbe kishin goditur fshatin dhe po depërtonin përbrenda lagjeve.
Ai dhe familjarët e tij u strehuan në bodrumin e shtëpisë së një fqinji, për të shmangur të shtënave që vinin nga armët e forcave serbe.
Megjithatë, siç rrëfen Shabani, shtëpia u qëllua me armë dhe më pas aty depërtuan edhe forcat serbe.
“Na e kanë granatuar shtëpinë, na kanë nxjerrë jashtë, na kanë rrahur dhe na kanë marrë krejt çka kishim në xhepa. Pastaj na kanë çuar te vendi i masakrës”, tregon Shabani.
Ai rrëfen se, pasi kishin arritur në vendin e quajtur Kodra e Bebushit, në periferi të fshatit Reçak, filloi ploja ndaj civilëve shqiptarë nga ana e forcave serbe.
“Na shanë serbisht… dhe unë kam ikur në një teposhte. Shtatë apo tetë të tjerë që ishin pas meje janë vrarë”, rrëfen Shabani.
Pas tërheqjes së forcave serbe, Shabani u kthye sërish në vendngjarje. Aty kuptoi se vëllai i tij, Bajrush Shabani, ishte vrarë së bashku me 11 kushërinj dhe me më shumë se 30 bashkëfshatarë të tjerë.
Fotografia e Bajrush Shabanit e vendosur në memorialin kushtuar viktimave të masakrës në Reçak.
A do të sjellë gjykimi drejtësi?
Masakra e Reçakut, 27 vjet më parë, shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar dhe rriti presionin ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në negociata ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.
Mosarritja e një marrëveshjeje u pasua nga ndërhyrja e NATO-s përmes sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë. Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.
Por, 27 vjet pas ngjarjeve në Reçak, Shabani shprehet skeptik lidhur me nisjen e gjykimit në mungesë të premten ndaj 21 të akuzuarve.
Sipas tij, edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen, drejtësia do të mungojë.
“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë… Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, thotë ai dhe shton:
“Megjithatë, është si një lloj flladi… Për mua, është vetëm një lloj njohjeje nga institucionet tona, me atë që ka ndodhur në Reçak dhe se ato duan të bëjnë diçka, por jo më shumë”.
Ngjarjet e Reçakut nën llupën e institucioneve të drejtësisë
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë, me propozimin për gjykim në mungesë ndaj 21 personave, për vrasjen e 42 civilëve, gjatë një operacioni të forcave policore serbe në Reçak, më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R.M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A. dhe Z.J., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”. Asnjëri prej tyre nuk është i qasshëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Gjykimi në mungesë ndaj këtyre të akuzuarve nuk arriti të nisë më 20 korrik në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të kushteve ligjore.
Për katër prej të akuzuarve nuk dihej se cilët ishin avokatët mbrojtës, të cilët duhet të caktohen sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve e Kosovës.
Në procesin gjyqësor, që nisi të premten, Prokuroria Speciale do të shpaloste aktakuzën e cila i ngarkon ata se si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-1999 kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.
Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.
Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me Masakrën e Reçakut.
Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.
Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.
Por, sipas Shabanit, çfarëdo përfundimesh që do të kenë proceset që ndërlidhen me ngjarjet në Reçak, një gjë mbetet peng i rrethanave:
“Gati shumica e prindërve [të viktimave] kanë vdekur. Ata nuk kanë parë drejtësi. Kanë vdekur me sytë hapur”, përfundon ai.
Pamje nga seanca fillestare në gjyqin në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut në Kosovë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prishtinë, 31 korrik 2026.
Radio Evropa e Lirë
Një gjykim në mungesë ka nisur të premten në gjykatën e Prishtinës kundër 21 personave të akuzuar për Masakrën në Reçak – një ngjarje që ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.
Në fjalët hyrëse, prokurori Ilir Morina tha se gjykimi duhet të zhvillohet pasi janë plotësuar “të gjitha kushtet”, gjë që u pranua nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Gjyqtarja theksoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për njoftimin e të akuzuarve, pasi, sipas saj, të dhënat tregojnë se ata ndodhen në Serbi.
Të pandehurit – Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq – akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
Prokurorët i akuzojnë ata se gjatë një operacioni të forcave policore serbe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, i vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.
Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, duke thënë ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.
Gjykimi ndaj tyre duhej të niste më 20 korrik por Gjykata Themelore në Prishtinë e shtyu atë për këtë të premte në mungesë të kushteve ligjore.
Ramë Shabani, një 60-vjeçar që i mbijetoi Masakrës së Reçakut, tha për Radion Evropa e Lirë para fillimit të gjykimit se – edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen – drejtësia do të mungojë.
“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë… Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, tha ai.
Gjykimi në mungesë
Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, nëse arrestohen më vonë.
Ndërkohë, gjatë gjykimit në mungesë në rastin e Masakrës së Reçakut, prokurorët pritet të shpalosin para Gjykatës aktakuzën e plotë.
Aktakuza i ngarkon 21 të dyshuarit se, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-’99 kryen trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.
Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.
Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me Masakrën e Reçakut.
Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.
Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Kjo masakër shkaktoi reagim të fuqishëm ndërkombëtar dhe e rriti trysninë ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në bisedime mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.
Mosarritja e marrëveshjes e shtyu NATO-n të kryejë bombardime ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë.
Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.
Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nga sot e heq pezullimin për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.
“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.
Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku kishte pezulluar bisedimet me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e qershorit.
Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.
Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie.
Ai tha se partia e tij është për një marrëveshje të mirë, e cila sipas tij nënkupton që të “ketë balancë institucionale mes palëve që duan të jenë pjesë e saj. E rëndësishme është që të shmangen zgjedhjet. Populli nuk do më zgjedhje të reja. Do stabilitet institucional”.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.
Abdixhiku tha se janë vetëm edhe 60 ditë që të arrihet një marrëveshje, dhe nëse nuk arrihet, sipas tij, do të ishte “fatkeqësi”.
Sipas tij, në kuvendin partiak u miratua edhe një deklaratë politike, e cila kërkon nga deputetët e LDK-së që të respektojnë vullnetin e shumicës në parti. Megjithatë, Abdixhiku tha se nuk mund të kërkojë votën e 18 deputetëve të partisë për një marrëveshje, e cila ende nuk është arritur.
Sipas Kushtetutës, për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
LVV-ja, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për zgjedhjen e presidentin nevojitet një marrëveshje politike, pasi kërkohet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Gjatë konferencës për media, Abdixhiku po ashtu foli edhe për mocionin për shkarkimin e tij, që u iniciua me nënshkrimin e mbi 100 delegatëve të LDK-së. Mocioni u ngrit nga disa delegatë të LDK-së për shkak të pakënaqësive me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Ai i mbijetoi këtij mocioni pasi 170 vota ishin kundër shkarkimit, ndërsa 152 votuan për shkarkimin e tij, e pesë abstenuan.
Kreu i LDK-së premtoi se nuk do të ketë hakmarrje për ata që ndërmorën këtë nismë, “por rrugën s’mund ta bësh me ata që nuk besojnë”.
Ai tha se do të përpiqet ta bashkojë partinë, por jo duke bërë kompromis mbi vlerat, teksa e konsideroi kuvendin e 30 korrikut si pikën “më pak krenare” në historinë e LDK-së.
Pas lajmit se Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së.
“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!”, shkroi ajo në Facebook.
Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, – i cili kishte dorëzuar nënshkrimet për mocionin – tha pas mbylljes së punimeve të kuvendit se procesi ishte demokratik, duke pranuar vullnetin e delegatëve.
“Ky është rezultati. Gjithçka ishte demokratike dhe partia doli e bashkuar”, tha ai.
Çfarë tha Abdixhiku gjatë fjalës para delegatëve të LDK-së?
Në nisje të punimeve të kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, Abdixhiku mbajti një fjalë para delegatëve, ku e kundërshtoi nismën për shkarkim, të cilën e cilësoi si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për shkarkimin e tij.
“E konsideroj të gabuar, vjen në mënyrë të njënashme, në një kohë të ndjeshme për vendin dhe kohë përcaktuese për partinë tonë”, tha ai.
Ai argumentoi se brenda pak muajsh ishte paraparë që të mbahej procesi i rregullt zgjedhor në parti, duke thënë se nuk do të kishte nevojë për rrëzim, por për zgjedhjen e udhëheqjes së re.
Abdixhiku tha se ky kuvend po mbahej në periudhën kur Kosova po përballet me një prej krizave më të mëdha institucionale në dekadat e fundit, dhe sipas tij, “zgjedhjet e reja që na rrinë mbi qafë sërish”.
Ai kujtoi se më 31 janar kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen, ndonëse theksoi se kuvendi atëbotë ishte thirrur pasi partia kishte shënuar rezultat më të keq në zgjedhjet e shkurtit, sesa shënoi në qershor.
“Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, përgjegjësinë për punën i jep aktivistëve që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore dhe që e mbrojtën partinë, e jo atyre, që sipas Abdixhikut, refuzuan të merrnin pjesë në organet e partisë e në betejat politike.
Abdixhiku tha se së voni delegatët janë përballur me presione dhe kërcënime për nënshkrimet për nismën kundër tij, duke argumentuar se kjo nuk është mendësia rugoviane.
“Unë sot e vendosi fatin tim në duart tuaj, edhe njëherë. Ju, ju lutem vendoseni fatin e Kosovës dhe LDK-së, mbi fatin tim”, tha Abdixhiku, duke shtuar se do të pranojë rezultatin e këtij kuvendi.
Abdixhiku e thirri kuvendin e jashtëzakonshëm më 27 korrik, pasi qindra delegatë dorëzuan nismën për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli fuqia e tretë politike me 18 deputetë, në Kuvendin me 120 mandate.
Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i partisë, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Nisma për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së erdhi pas përplasjeve brenda LDK-së dhe pakënaqësive me udhëheqjen e Abdixhikut.
Si erdhi situata deri këtu?
Pasi LDK-ja, që garoi me ish-presidenten Osmani si bartëse të listës zgjedhore, doli e treta në zgjedhjet e qershorit, brenda partisë filluan pakënaqësitë.
Në fund të muajit qershor, dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh, publikisht kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme në vota.
Abdixhiku u kundërpërgjigj, duke u bërë thirrje kritikëve që të jepnin dorëheqje.
Kjo s’është hera e parë që Abdixhiku përballet me thirrje për dorëheqje. Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e partisë dhe në kuvend mori mbështetjen e delegatëve.
Megjithatë, disa figura partiake që kërkuan dorëheqjen e tij, që nuk u pajtuan me votëbesimin dhanë dorëheqje nga pozitat partiake – në mesin e tyre edhe Hykmete Bajrami, që u dorëhoq nga posti i nënkryetares së partisë.
LDK është formuar më 1989 nga Ibrahim Rugova. Partia ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Shiriti i Policisë i vendosur afër vendit ku po kryhen gërmimet në Zubin Potok.
Radio Evropa e Lirë
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, konfirmoi se mbetjet mortore në varrezën e dyshuar masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë me origjinë njerëzore, teksa bëri thirrje që komuniteti të mos deklarohet shumë për rastin me qëllim që të mos dëmtohen hetimet.
Thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve bëri edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Nga mbetjet mortore deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë, nuk mund të themi se kur mund të përfundojë”, tha Isufaj teksa vizitoi vendin ku po zhvillohen gërmimet që nga e marta.
Sipas tij, identifikimi i viktimave do të marrë kohë, pasi eshtrat do t’iu nënshtrohen identifikimit përmes ADN-së.
Ai u zotua se institucioni që udhëheq do të zbatojë procedura profesionale, të paanshme dhe të pavarura me qëllim respektin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.
“I bëj thirrje gjithë komunitetit në përgjithësi, është që të mos deklarohemi shumë për rastin sepse ende gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final. Është faza preliminare që është duke u punuar, punimet kanë filluar me intensitetin e duhur”, u shpreh Isufaj.
Haxhiu, e cila po ashtu vizitoi vendin ku po kryhen gërmimet, tha se duhet të ruhet integriteti i hetimeve, pasi sipas saj, kjo është çështje shumë e ndjeshme.
“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vjet nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë nga Vuçiq, qoftë nga Bërnabiq”, tha Haxhiu.
Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë, duke theksuar se mes dy shteteve nuk mund të ketë paqe “për sa kohë kemi varre të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë”.
Thirrje për hapjen e arkivave të ushtrisë më herët ka bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Teksa hetimet në Zubin Potok po vazhdojnë, institucionet e Kosovës kanë thënë se dyshojnë se varri i dyshuar masiv mund të lidhet me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.
Në prill të vitit 1999 ishin zhdukur 23 civilë shqiptarë, në mesin e tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Lutfije Ademi – Vokshi, motra e Adem Ademit – kirurgut të zhdukur – tha se i vëllai u zhduk në fshatin Drenë, 3 kilometra larg në vijë ajrore me Kalludrën e Vogël.
Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se beson që në vendin ku po gërmohet mund të jetë grupi i vëllait të saj.
“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha ajo.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë më 29 korrik publikoi një raport preliminar, ku tha se janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.
Autoritetet kosovare janë duke kryer gërmime të martën në një fshat në veri të vendit pas dyshimeve për një varrezë me mbetje mortore që mund t’u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimet po zhvillohen me kërkesë të Prokurorisë dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, tha ajo.
Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth rastit, duke thënë se është herët pasi gërmimet janë duke u zhvilluar në këtë kohë.
Më vonë, Prokuroria tha në një njoftim se dy burrat e arrestuar po të martën në rajonin e Mitrovicës për krime lufte, me inicialet M.J dhe M.B., dyshohen pikërisht për këtë rast.
“Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës”, thuhet në njoftim.
Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë luftës së viteve 1998-’99 u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.
Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në mesin e zotimeve të bëra ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, meqë asnjëra pikë nuk është zbatuar.
Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia e mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, i cili nuk dha ndonjë rezultat.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.
“Nën dyshimin e bazuar, M.J. dhe M.B., gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shton se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi – deklaroi se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.
Sipas saj, arrestimet janë “vazhdim i presionit” të autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi po ashtu, duke thënë se arrestimi në Zubin Potok është “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” i pjesëtarëve të komunitetit serb.
Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Kërkimet për rreth 1.600 persona të zhdukur – shumica prej tyre shqiptarë – vazhdojnë ende.
Kohëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa persona të dyshuar dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte.
Nga viti 2000 deri më 2008, hetimet për krimet e luftës në Kosovë janë zhvilluar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK, ndërsa prej vitit 2008 ato janë marrë përsipër nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.
Në vitin 2018, EULEX-i ua ka kaluar rastet e krimeve të luftës institucioneve vendore të drejtësisë në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në takim me admiralin George Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, në Prishtinë, 28 korrik 2026.
Radio Evropa e Lirë
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim me komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin George Wikoff, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë në vend dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës.
Sipas Haxhiut, në takim u vlerësua roli i KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ajo tha se e falënderoi admiralin Wikoff për angazhimin e tij dhe ritheksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pandryshueshëm.
“Anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, shkroi Haxhiu në Facebook, duke shtuar se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara për forcimin e partneritetit me Aleancën.
Gjatë vizitës në Prishtinë, admirali Wikoff u prit edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Kurtit, në takim u diskutua për zhvillimet e sigurisë dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, ndërsa ai shprehu mirënjohje për kontributin e KFOR-it në paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO-ja udhëheq misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Aktualisht, KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Në qershor, NATO-ja njoftoi se do të nisë një rregullim gradual të pranisë së KFOR-it përgjatë rreth një viti, duke argumentuar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar.
Aleanca siguroi se nuk bëhet fjalë për tërheqje të misionit, por për optimizim të pranisë ushtarake.
Ajo theksoi se çdo reduktim do të varet nga gjendja në terren dhe se mund të zhbëhet nëse situata përkeqësohet.
Pas tensioneve në veri në vitin 2023, NATO-ja dërgoi trupa shtesë në Kosovë.
Aktualisht, në mision shërbejnë mbi 4.600 trupa nga 31 vende të botës.
Numri më i madh i tyre vjen nga Italia: 907.
Shtetet e Bashkuara janë të pranishme me 590 ushtarë.
Kosova e ka synim anëtarësimin në NATO, por katër vende të Aleancës – Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania – nuk e njohin ende pavarësinë e saj.
Në muajt e fundit, Kongresi amerikan ka shtuar mbështetjen për Kosovën, përmes rezolutave dypartiake që kërkojnë avancimin e rrugës së saj drejt NATO-s dhe riafirmojnë rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në vend, por vendimi për anëtarësim kërkon mbështetjen unanime të 32 anëtarëve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për 30 korrik, ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Zyra e LDK-së njoftoi të hënën në Facebook se takimi është thirrur për të enjten e 30 korrikut në orën 18:00.
Vendimi vjen pasi javë më parë, zyrtarë të partisë dorëzuan rreth 150 nënshkrime të nevojshme të delegatëve të partisë për ta thirrur kuvendin.
“Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, tha LDK-ja të hënën.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Nisma për shkarkimin e kryetarit vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Zhvillimet në LDK gjithashtu kanë ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Abdixhiku nisi javë më parë bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Por, ai më pas njoftoi se do t’i pezullonte bisedimet me Kurtin për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht, kur do të nisë edhe rrjedhja e procesit për themelimin e institucioneve të reja dhe pritet të shihet nëse Abdixhiku do të mbetet në krye të LDK-së dhe nëse do të ketë vazhdim të bisedimeve LDK-LVV.
Çfarë ndodhi?
Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.
Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Por, tani ai do të përballet me kërkesën e anëtarëve të partisë së vet për shkarkimin e tij në kuvendin e 30 korrikut.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Profesori i asociuar në Programin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin Georgetown, David L. Phillips, vlerëson se përgjegjësia kryesore për ngërçin politik dhe institucional në Kosovë bie mbi vetë shoqërinë, e cila sipas tij, nuk kërkon mjaftueshëm llogari nga udhëheqësit politikë.
Në një intervistë me shkrim, politologu amerikan ka folur për bllokadën institucionale në Kosovë, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe projektet strategjike energjetike.
Duke komentuar krizën aktuale institucionale dhe pamundësinë për funksionalizimin e plotë të institucioneve, ai tha se përgjegjësia nuk është vetëm e klasës politike.
“Shoqëria e Kosovës është përgjegjëse, sepse nuk kërkon më shumë nga udhëheqja e saj politike”- tha Phillips për Kallxo.com.
Sa i përket mundësisë së nisjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Phillips, i cili ka punuar si këshilltar i lartë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara dhe si ekspert i politikës së jashtme dhe këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, sugjeroi që Prishtina të kërkojë emërimin e një të dërguari të posaçëm amerikan.
“Kërkoni një të dërguar të posaçëm të SHBA-së që të punojë përkrah një homologu të Bashkimit Evropian”- u shpreh ai, kur u pyet se çfarë duhet të bëj Kosova për të nisur Dialogun Strategjik.
Phillips u tregua kritik edhe ndaj kapacitetit të Kosovës për të ndërtuar një partneritet strategjik me Uashingtonin, sidomos në një kohë kur Serbia tashmë ka nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në.
“Kosovës i mungon pjekuria politike për të qenë partnere strategjike”- deklaroi ai.
I pyetur për pasojat që mund të ketë refuzimi ose vonesa në realizimin e projektit të gazit amerikan, Phillips tha se administrata amerikane, veçanërisht nën presidentin Donald Trump, i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare edhe përmes interesit ekonomik.
“Trump është shumë transaksional. Kosova duhet ta paraqesë veten si një aset ekonomik”- tha ai.
Ndërsa, në pyetjen nëse Kosova rrezikon ta humbasë përfundimisht këtë mundësi strategjike në sektorin e energjisë, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Po.”
SHBA-ja ka deklaruar se pret të zhvillojë dialog strategjik me Kosovën “kur të krijohen kushtet e duhura”, dhe kërkon “hapa konkretë nga qeveria e Kosovës për të çuar përpara zotimet në lidhje me serbët e Kosovës.”
“Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, ne duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit, si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës në lidhje me serbët e Kosovës”- tha zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë për Kallxo.com.
Në kuadër të Dialogut strategjik, sipas tij, ekziston një mundësi e madhe për të zgjeruar marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-SHBA në fusha të shumta, që nga energjia dhe siguria kibernetike e deri te bashkëpunimi në mbrojtje, zhvillimi i infrastrukturës dhe sektori i teknologjisë.
Një bashkëpunim i tillë i thelluar, sipas Ambasadës amerikane, kërkon që të gjitha institucionet qeverisëse të jenë plotësisht të konstituuara dhe funksionale.
“Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, ne duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës në lidhje me serbët e Kosovës”- u përgjigj Ambasada.
Ambasada theksoi se Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA-Kosovë në shtator të vitit 2025, “për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria në detyrë.”
Ndërkohë, Serbia ka nisur raundin e parë të dialogut strategjik me SHBA-në më 17 korrik.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se vendimi për nisjen e Dialogut Strategjik mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara është një nga zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit.
Gjuriq tha se vendimi i administratës së presidentit amerikan Donald Trump përbën një sinjal të fuqishëm politik jo vetëm për Serbinë dhe institucionet e saj, por edhe për opinionin publik amerikan dhe institucionet shtetërore të SHBA-së.
Serbia ka pranuar bashkëpunimin me SHBA-në për gazin e lëngshëm natyror dhe diversifikimin e furnizimit me gaz.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte deklaruar se nuk bëhet fjalë për pezullim të një dialogu të nisur më parë, por të një dialogu të planifikuar dhe se, sipas tij, marrëdhëniet me Amerikën nuk ishin prishur.
“Duam të qartësojmë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialogun strategjik e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 19.09.2025.
Në anën tjetër, në lidhje me çështjen e gazit amerikan, më 05.06.2026, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.
Në një opinion, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Ajo ka thënë se Kosova nuk e ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike ose para gazit amerikan.
Zgjedhja e Kosovës, sipas saj, ka qenë thëngjilli, burimet e ripërtëritshme si era dhe dielli, koogjenerimi për ngrohje dhe efiçienca e energjisë.
Të pavërteta i ka quajtur pretendimet që Qeveria është kundër gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka thënë se në vitin 2022 është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë për bashkëpunim në termocentralin e Vlorës për një gaz të tillë. kallxo.com
Gjykata Themelore në Prishtinë e gjeti fajtor ish-kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë.
Dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërkaq gjoba duhet të paguhet brenda tre muajsh pasi vendimi të jetë i plotfuqishëm, tha kreu i trupit gjykues, Leon Perllaska, raporton Betimi për Drejtësi.
Megjithatë, Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172.600 eurosh.
Një ditë më parë para Gjykatës Themelore, Ahmeti u deklarua i pafajshëm dhe tha se shuma prej 172.600 eurosh ishte ndihmë financiare nga familja e tij, duke theksuar se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Ahmetit për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës, Ahmeti, i cili shërbeu si kryetar i Prishtinës për dy mandate, nga viti 2013 deri më 2021, kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi sipas Prokurorisë se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshme nga 2018 deri në vitin 2022.
“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172.600.00 euro”, tha më 23 dhjetor 2025.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Në Kosovë, që nga viti 2007 zyrtarët publikë duhet të deklarojnë çdo vit pasurinë.
Më pas, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.
Deri më tani, asnjë zyrtarë nuk ishte dënuar me burgim për mosdeklarim të pasurisë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që të mos bjerë pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje vite më parë.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Albulena Haxhiu tha se KGJK-ja, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka kompetencë që të kthejë gjyqtarët serbë në punë, pasi ata ofruan dorëheqje më 2022, duke këshilluar që KGJK-ja të ndjekë shembullin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që i kërkoi asaj të lirojë nga detyra prokurorët dhe stafin administrativë serbë.
“Imagjinoni të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i bindet urdhrat e një shtetin tjetër”, tha Haxhiu.
Ajo kërkoi nga KGJK-ja që gjatë mbledhjes së sotme të respektojë ligjet dhe t’i dërgojë asaj propozimin për lirim nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje më 2022.
Ajo po ashtu kritikoi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po bën “presion” mbi KGJK-në dhe KPK-në për çështjen e dorëheqjeve.
Një ditë më parë, Bashkimi Evropian kërkoi që partitë politike të mos i bëjnë presion KGJK-së në vendimarrje, pasi disa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan që këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.
“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtarë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër”, tha Haxhiu, duke pyetur po ashtu se kush nga ndërkombëtarët do të kërkonte nga këshillat që të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Haxhiu tha se pas aktit të dorëheqjes, nuk është në vullnetin politik e as në vendimet e këshillave që të zhbëhet ky vendim.
“Dorëheqja është akt juridik që sjellë përfundimin e mandatit dhe pasi ky efekt është prodhuar, ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëtin mandat. Legjislacioni në fuqi nuk i jep asnjë kompetencë ligjore as KPK-së, as KGJK-së që të anulojë pasojat e dorëheqjes apo të rivendosë një mandat që ka përfunduar”, tha Haxhiu.
Rreth 130 prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ky veprim – i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.
Por, çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, Haxhiu kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Në qershor, Haxhiu iu drejtua KGJK-së dhe KPK-së që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Sipas saj, këshillat e kanë obligim ligjor që t’ia dorëzojnë asaj emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje, me qëllim që ajo, përmes dekreteve t’i lirojë nga detyra.
Më 21 korrik, Haxhiu liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Vendimi i saj u mor pasi KPK refuzoi kërkesat e pesë prokurorëve dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.
Vendimi u kritikua nga BE-ja.
Gjatë konferencës për media, Haxhiu tha po ashtu se ka informacione që disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë që kanë dhënë dorëheqje janë paguar nga Serbia, duke pretenduar se disa ende vazhdojnë të paguhen.
Ajo mandje pretendoi se ka dyshime që ata të jenë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe janë ndikuar nga Serbia gjatë administrimit të drejtësisë.
“Ka shumë raste, ku disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve” në Kosovë, tha Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentit tha se uron që KGJK-ja të mos marrë vendim, që sipas saj nuk është në përputhje me ligjin, pasi shtoi se do të ishte një “precedent i rrezikshëm”. Megjithatë, ajo tha se sapo t’i ketë emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, do të dekretojë lirimin e tyre.
Haxhiu tha se dyert e institucioneve të Kosovës janë të hapura për serbët që nuk ndikohen nga Serbia, duke shtuar se KPK veçse ka njoftuar për hapjen e një konkursi të ri dhe KGJK duhet të veprojë po njësoj.
Më herët, Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga data e seancës konstituive nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor – të tretat brenda një viti e gjysmë.
Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë.
Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Përderisa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve.
LDK-ja ende nuk ka njoftuar se kur do të mund të mbahej Kuvendi i partisë ku do të diskutohej për nismën për shkarkimin e Abdixhikut. Vetë Abdixhiku e ka kritikuar këtë nismë duke thënë se rrezikon që ta lërë vendin pa institucione dhe mund të nxisë zgjedhje të reja në vjeshtë.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin kërkohet një marrëveshje politike, pasi duhet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë në dy raundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoimë herët këtë javë kërkesën e prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Ky vendim u mor me propozimin e nënkryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Dardan Vuniqi, ndërsa për të hyrë në fuqi kërkohej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu tha se “askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve” dhe “as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”.
Sipas saj, Republika e Kosovës “do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”.
Qindra zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi – u bëri thirrje përfaqësuesve serbë të largoheshin nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Largimi kolektiv ishte një formë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë më 20 korrik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve.
Ai siguroi se opinioni do të njoftohet me kohë, por nuk dha detaje se sa gjyqtarë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb në veri kanë kërkuar rikthimin në detyrë.
Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.
Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.
Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq.
Gorazhdev, afër Pejës.
Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.
Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.
Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën në këtë qeveri, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, si dhe ministritë përgjegjëse për institucionet shtetërore shëndetësore nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhurat e Paunoviqit dhe funksionin e saj në një institucion që ka pushuar së ekzistuari.
Përgjigje nuk dha as kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.
E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.
Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj.
Sa fitoi Paunoviq si drejtoreshë?
Në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave për vitin 2025, Paunoviq ka deklaruar se për 11 vjet ka qenë në krye të Institucionit Farmaceutik të Pejës.
Sipas deklarimit, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.
Një ditë më vonë, ajo u emërua ministre për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Me marrjen e postit ministror, asaj i pushuan automatikisht funksionet e tjera, në përputhje me ligjin.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, gjatë 11 vjetëve sa drejtoi, sipas dokumenteve zyrtare, Institucionin Farmaceutik të Pejës, Paunoviq ka marrë rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.
Raporti i të ardhurave i Paunoviqit nga viti 2025.
Regjistri i Serbisë nuk tregon nëse ky institucion farmaceutik kishte të punësuar dhe sa ishte numri i tyre.
Po ashtu, nuk janë të qasshme publikisht as raportet financiare që do të tregonin mënyrën se si ka funksionuar ky institucion.
Selia e tij zyrtare nuk ishte në Pejë, por në Gorazhdec – një fshat me shumicë serbe pranë Pejës.
Sot, ai institucion nuk ekziston më.
Qendra e Gorazhdecit.
Gazetari i Radios Gorazhdeci, Damjan Portiq, thotë se farmacia ka funksionuar deri para disa vitesh, por nuk ka qenë asnjëherë e furnizuar mirë.
“Ishin në dispozicion vetëm barnat më bazike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se drejtuesit e Institucionit Farmaceutik, për vite me radhë, nuk bënë pothuajse asgjë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në barna.
Sipas tij, sot në Gorazhdec funksionon vetëm një farmaci në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit.
Pas luftës së vitit 1999, kur humbi kontrollin faktik mbi Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdoi të mbajë nën administrimin e tij një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh publike, duke i zhvendosur ato në Serbi ose në komunat e Kosovës me shumicë serbe.
Po ashtu, u krijuan institucione të reja lokale dhe organe komunale brenda sistemit serb, të cilat autoritetet në Prishtinë, me arsyetimin se ishin të paligjshme, nisën t’i mbyllnin në vitin 2024.
Ndërkohë, institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në mjediset me shumicë serbe, vazhdojnë të operojnë në Kosovë si pjesë e sistemit paralel.
Serbia i themelon, i financon dhe i mbyll këto institucione sipas legjislacionit të saj, si dhe emëron drejtuesit e tyre.
Kështu, Institucioni Farmaceutik i Pejës ekzistoi deri më 7 tetor 2021.
Atë ditë, Paunoviq, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, dorëzoi kërkesën për shuarjen e institucionit.
Në kërkesë thuhej se Institucioni Farmaceutik është fshirë nga regjistri në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, të miratuar disa muaj më herët, në shkurt të vitit 2021.
Në dokument sqarohej se ishte themeluar Institucioni Farmaceutik në Mitrovicën e Veriut.
Si rezultat, pushuan së ekzistuari institucionet farmaceutike të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës.
Ndonëse institucioni në Pejë është shuar zyrtarisht, Paunoviq vazhdoi ta deklaronte pagën e drejtoreshës si të ardhur të saj.
Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi për vitet 2023 dhe 2024, ajo deklaroi se, si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, merr një pagë mujore prej 131 mijë dinarësh, ose rreth 1.100 euro.
“Kjo nuk është hera e vetme që disa persona mbajnë pozita pa kryer asnjë punë, por vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Serbisë, ndërkohë që shumë njerëz që jetojnë në Kosovë nuk kanë mundur të punësohen”, thotë Portiq.
Vetë Paunoviq ka deklaruar më herët për mediat në Beograd se nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2022, pasi pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk e lejojnë të hyjë në territorin e Kosovës.
Deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si ka mundur të drejtojë një institucion farmaceutik në Kosovë, nëse nuk ka mundur ta kalojë kufirin.
Në fund të vitit 2023, Qeveria e Serbisë miratoi një vendim për riorganizimin e institucioneve farmaceutike në Kosovë.
Sipas këtij vendimi, do të rithemeloheshin barnatore në Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës.
“Nga dita e regjistrimit në regjistrin përkatës, institucioni farmaceutik fillon punën”, thuhet në vendim.
Megjithatë, deri më sot, këto institucione nuk janë regjistruar.
Gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave
Deri më tani, Snezhana Paunoviq ka dorëzuar gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.
Në deklarimin e parë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, ajo raportoi se mbante dy funksione: deputete në Kuvendin e Serbisë dhe kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Aeroportit “Nikolla Teslla” në Beograd.
Paunoviq u bë deputete për herë të parë në tetor të vitit 2013, ndërsa në Bordin Mbikëqyrës të aeroportit ishte emëruar në korrik të po atij viti.
Ajo i mori këto poste në një periudhë kur Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, po forconte pushtetin së bashku me partneren e saj të koalicionit, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku Paunoviq është zyrtare e lartë.
Sipas deklarimit të saj, në atë kohë merrte dy paga, me një vlerë totale prej mbi 1.200 eurosh në muaj.
Si deputete paguhej rreth 710 euro, ndërsa për postin e kryetares së Bordit Mbikëqyrës të aeroportit merrte edhe rreth 560 euro.
Mandati i saj si deputete përfundoi në vitin 2014, kur Kuvendi u shpërnda për shkak të zgjedhjeve.
Po atë vit, ajo mori drejtimin e Institucionit Farmaceutik në Pejë – post në të cilin do të qëndronte për 11 vjet.
Qeveria e Serbisë miratoi vendimin për emërimin e saj si ushtruese detyre e drejtoreshës më 7 mars 2014.
Dokumenti është nënshkruar nga Ivica Daçiq, kryeministër i atëhershëm dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë.
Vendimi për të emëruar Paunoviqin në krye të institucionit farmaceutik të Pejës.
Pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare, Paunoviq u rikthye në Kuvendin e Serbisë në vitin 2016. Ajo u rizgjodh deputete edhe pas zgjedhjeve të viteve 2020 dhe 2022.
Gjatë kësaj periudhe, krahas pagës si drejtoreshë, ajo merrte kompensim edhe si deputete.
Ky kompensim u takon deputetëve që, njëkohësisht, ushtrojnë edhe një funksion tjetër publik për të cilin marrin pagë.
Nga gushti i vitit 2022 deri në prill të vitit 2025, Paunoviq ishte edhe nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, para se të emërohej ministre.
Çfarë tjetër ka Paunoviq?
Në deklarimin e parë të pasurisë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, Paunoviq raportoi se ishte pronare e një shtëpie prej 90 metrash katrorë.
Në deklarim nuk specifikohej se ku ndodhej ajo shtëpi dhe as vlera e saj.
Aty thuhej vetëm se ishte blerë me hua financiare, pa u bërë e ditur shuma.
Katër vjet më vonë, në deklarimin e radhës, kjo shtëpi nuk figuronte më në listën e pasurisë.
As në deklarimet e mëvonshme të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Paunoviq nuk raportoi se kishte ndonjë pronë të paluajtshme në emrin e saj.
Se ku jeton aktualisht, nuk dihet.
Në një deklaratë për mediat, ajo ka thënë se posedon dokumente personale serbe me adresë në Pejë.
Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto dokumente të paligjshme.
Konflikti i interesit
Në vitin 2018, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi konstatoi se Paunoviq kishte shkelur legjislacionin kundër korrupsionit.
Në vendimin e saj thuhej se, si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, ajo kishte nisur njëkohësisht të ushtronte edhe funksionin e deputetes në Kuvendin e Serbisë, pa marrë më parë pëlqimin e Agjencisë për të vlerësuar nëse ekzistonte konflikt interesi.
Për këtë shkelje, Agjencia i shqiptoi masën e publikimit të vendimit për shkelje të ligjit.
Vendimi i Agjencisë kundër korrupsionit për shkeljet e rregullave dhe konfliktit të interesit.
Sipas një analize të Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS), të publikuar në vitin 2020, Paunoviq ishte deputetja e Partisë Socialiste që kishte shkelur më së shumti Ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit.
Ajo kishte vonuar në dy raste dorëzimin e deklarimeve të pasurisë dhe të ardhurave.
Shpenzimet e udhëtimit nga Peja
Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS) kishte raportuar më herët se Snezhana Paunoviq kishte përfituar rreth 22 mijë euro nga Kuvendi i Serbisë si kompensim për shpenzimet e udhëtimit në relacionin Beograd-Pejë.
Këto shpenzime ishin rimbursuar gjatë mandatit të saj si deputete, nga viti 2016 deri më 2020.
Megjithatë, sipas hulumtimit të CINS-it, gjatë asaj periudhe, Paunoviq jetonte me familjen e saj në Beograd, e jo në Kosovë.
Në një deklaratë për mediat më 16 korrik, ministrja tha se lidhur me shpenzimet e saj të udhëtimit, “po gënjehet në mënyrë kolektive”, por nuk dha sqarime për shumën e përfituar dhe as për mënyrën se si ishin krijuar këto shpenzime.
Në Partinë Socialiste që nga vitet ‘90
Snezhana Paunoviq ka lindur në Pejë.
Në biografinë e publikuar në faqen e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ajo thotë se është ekonomiste, por nuk specifikon se në cilin fakultet ka diplomuar.
Sipas biografisë, ajo është anëtare e SPS-së që nga viti 1992.
Ishte periudha e luftërave në territorin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, kur si partinë, ashtu edhe shtetin, e udhëhiqte Sllobodan Millosheviq.
Më vonë, ai u akuzua nga Tribunali i Hagës, ndër të tjera, për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Deklaratën për “spastrimin etnik” të shqiptarëve, Paunoviq e bëri për televizionin serb, Kurir, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të kishte bërë ndryshe në vitin 1998, po të ishte në vend të Millosheviqit.
“Ndoshta termi nuk ishte i duhuri. Ndoshta do të duhej të thosha dëbim, vetëm që të mos më kryqëzojnë nga të gjitha anët”, deklaroi Paunoviq disa ditë më vonë.
Duke folur për jetën në Kosovë, Paunoviq tha se gjatë luftës ka qenë “viktimë e spastrimit etnik” nga shqiptarët.
Me këtë vlerësim “u pajtua” edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, megjithatë, tha se kjo nuk e zbeh nevojën për “një paraqitje të përgjegjshme publike”.
“Vetë Snezhana është viktimë e spastrimit etnik, por kjo porosi duhet të jetë krejtësisht e qartë. Politika jonë është paqja, stabiliteti dhe nuk ka vend për spastrim etnik”, tha Vuçiq.
Çfarë ndodhi gjatë luftës në Kosovë?
Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, shumica prej tyre shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, përfshirë drejtuesit e forcave të sigurisë, u cilësuan nga Tribunali i Hagës si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për synim dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor 1999.
Ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, u dënua me 22 vjet burg për dëbim, zhvendosje të detyrueshme, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgimin e Tribunalit të Hagës para se të përfundonte gjykimi, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Paunoviq në biografinë e saj deklaron gjithashtu se, nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë koordinatore në komunat e Gjakovës dhe Deçanit në Kosovë.
Në këto poste ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë.
Gjatë karrierës së saj ka mbajtur edhe funksione të tjera në Partinë Socialiste të Serbisë, ndërsa që nga viti 2024 është edhe nënkryetare e partisë.
Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq; përgatiti Valona Tela
Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e 20 korrikut, refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve që kishin paraqitur në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në atë kohë, përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të pushtetit lokal, dorëheqje kanë dhënë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Dorëheqjet janë nxitur nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi – në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.
Vendimin përfundimtar për shkarkimin e prokurorëve serbë duhet ta marrë ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo, në mes të qershorit, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial që t’i përfundojnë “pa vonesë” të gjitha procedurat, duke vlerësuar se zvarritja ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Vendimi i Këshillit Prokurorial për refuzimin e kërkesave u mor me propozimin e nënkryetarit të këtij institucioni, Dardan Vuniqi.
Kryesuesi i Këshillit, Arian Gashi, kishte propozuar që çështja të shqyrtohej në një mbledhje të ardhshme, me arsyetimin se paraprakisht duhej të konsultohej edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë marrë vendim lidhur me kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve.
Ata shtuan se opinioni do të njoftohet me kohë, por nuk dhanë detaje se sa gjyqtarë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb në veri kanë kërkuar rikthimin në detyrë.
Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje në mes të qershorit.
Bashkimi Evropian deklaroi më 15 korrik për Radion Evropa e Lirë se ajo është duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet, siç tha, të pabazuara, të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për “presion, diskriminim apo frikësim të serbëve dhe Kishës” serbe.
“Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit”, tha Policia e Kosovës.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmes një reagimi më 17 korrik denoncoi ato që i cilësoi si shkelje të bëra nga Policia e Kosovës ndaj serbëve dhe Kishës serbe, duke thënë se Policia është bërë “instrument i presionit që synon t’ua bëjë më të vështirë jetën njerëzve dhe Kishës sonë”.
“Me keqardhje të madhe, ne duhet të themi që raportet mes komunitetit serb dhe Kishës sonë në njërën anë, dhe institucioneve të Kosovës në anën tjetër, veçmas të Policisë së Kosovës, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ky përfundim nuk bazohet në një rast të vetëm të izoluar, por në një varg të gjatë veprimesh që nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë si dështime individuale dhe që, dita-ditës, po marrin gjithnjë e më shumë karakteristikat e diskriminimit sistematik”, tha Dioqeza, sipas të cilës, gjithnjë e më shumë serbë më nuk e shohin Policinë e Kosovës si një urë të besimit, por si “instrument të presionit, kontrolleve selektive dhe frikësimit sistematik”.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmendi ndalimin e 37 personave gjatë shënimit të Vidovdanit më 28 qershor. Sipas saj, Policia i keqtrajtoi disa nga të ndaluarit, duke përmendur se për këto pretendime Avokati i Popullit i Kosovës ka nisur hetime.
Policia u kundërpërgjigj se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.
Duke përmendur rastin e Vidovdanit, që u shënua në Gazimestan afër Prishtinës, Policia tha se ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje e pa pengesa nga ana e saj.
“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.
Pas ndalimit të 37 personave më 28 qershor, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.
Policia e Kosovës tha se akuzat e ngritura nga Dioqeza për diskriminim dhe frikësim të serbëve nuk qëndrojnë, duke përmendur se në përbërjen e saj ka pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”, u tha në reagimin e Policisë.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u ankua se vitin e fundit ka pasur rritje të incidenteve dhe shkelje të zonave të mbrojtura përreth objekteve fetare.
Sipas këtij institucioni, ka pasur sulme, hyrje me forcë, grabitje dhe akte të përdhosjes ndaj kishave ortodokse serbe, dhe pothuajse “pa përjashtim ato nuk kanë marrë përgjigje efektive nga organet gjyqësore apo policore”.
“Vëmë në pah praktikën shqetësuese të Policisë së Kosovës, e cila është vërejtur edhe në raporte ndërkombëtare, që sulmet ndaj Kishës t’i trajtojë thjesht si dëmtim prone ose vandalizëm, duke fshehur kështu përmasat e dhunës ndërfetare dhe ndëretnike që vazhdon të jetë e pranishme dhe e toleruar në Kosovë”, tha Dioqeza.
Por, Policia u kundërpërgjigj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një “nga përgjegjësitë më të rëndësishme” të saj.
Sipas saj, pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-it, ajo ka përgjegjësinë për të ofruar siguri për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke shtuar se janë 24 objekte që ruhen 24/7 nga zyrtarët policorë.
Duke iu përgjigjur akuzave për sulmet dhe aktet e tjera në objektet fetare ortodokse, Policia tha se më 2024, kanë qenë 53 raste dhe vetëm 16 prej tyre apo 30 për qind janë evidentuar në objektet ortodokse. Ndërkaq, më 2025 janë evidentuar 10 raste në objekte ortodokse të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë evidentuar 34 raste në: 27 raste ose 79 për qind kanë ndodhur ne objektet myslimane, 5 rast ose 15 për qind në ato ortodokse dhe 2 rast ose 6 për qind ne ato katolike”, tha Policia, duke shtuar se incidentet ndaj objekteve fetare dhe kulturore në pjesën dërrmuese kanë të bëjnë me vjedhje.
Kisha Ortodokse e Kosovës dhe pronat e saj kanë mbrojtje ligjore bazuar në Kosovë, bazuar në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb.
Në reagimin e saj, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos zvogëlojë praninë diplomatike dhe të sigurisë në Kosovës, pasi tha se për komunitetin serb kjo prani është kyç.
Dioqeza po ashtu tha se çdo reduktim i trupave ndërkombëtare “do të inkurajonte qarqet ekstremiste që të vazhdojnë presionin ndaj popullit serb dhe Kishës”.
NATO ka paralajmëruar se për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë nga viti i ardhshëm do të reduktohet numri i pjesëtarëve të KFOR-it.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, njoftoi se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë serbë të kësaj ministrie, për shkak të “mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës”.
Pacolli tha se vendimi për shkëputje të kontratave për këta zyrtarë, që u inkuadruan në ministri më 2016 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, është në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Audidimit.
“Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës”, tha Pacolli në një postim në rrjetet sociale.
Njëzet zyrtarët, sipas Pacollit, ishin pjesë e “Mbrojtjes Civile”, të cilët u punësuan në ministri në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Qindra pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” – që fillimisht ishte shfaqur më 2012 në veriun e banuar me shumicë serbe dhe funksiononte në kuadër të komunave paralele serbe – më pas ishin integruar.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, për Ministrinë e Mjedisit, thuhet se në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, në total janë 61 punonjës që janë punësuar.
“Gjatë vitit 2025, për këta punonjës janë realizuar pagesa në vlerë prej 469.885 euro. Megjithatë, nuk janë ofruar dëshmi për vijueshmërinë në punë apo për angazhimin e tyre. Kjo çështje është evidentuar edhe në vitet e kaluara, por nuk janë ndërmarrë masa për ta zgjidhur”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA tha se pagesat e realizuara në mungesë të të dhënave për vijueshmëri në punë janë “shpenzime të paarsyetuara” dhe ato ndikojnë negativisht në transparencë dhe llogaridhënie.
Sipas ligjeve në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) së voni ka pranuar afër njëzetënjoftime nga prokurorë dhe anëtarë të stafit mbështetës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve të paralajmëruara më parë.
Nga KPK-ja i thanë Radios Evropa e Lirë se emailet i janë dërguar kryesuesit të Këshillit, Arian Gashi, nga prokurorë dhe stafi mbështetës nga radhët e komunitetit serb, përmes së cilave e kanë informuar atë për tërheqjen e dorëheqjeve.
“Lidhur me këto njoftime janë njoftuar anëtarët e KPK-së dhe kjo çështje do të diskutohet dhe trajtohet në një takimet e ardhshme të KPK-së”, u tha në përgjigjen e dërguar nga KPK-ja për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësuesit e komunitetit serb ishin larguar në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë më 17 korrik se do të shqyrtojnë me kujdes kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu për këtë çështje. REL-i ka pyetur Këshillin Gjyqësor nëse ka pranuar ndonjë njoftim për tërheqje të dorëheqjeve dhe është në pritje të përgjigjes.
Ditë më parë, një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se çështja e kthimit në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë po shqyrtohet në kuadër të dialogut për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku.
“Bashkimi Evropian i ka bërë vazhdimisht thirrje Serbisë për inkurajim, ndërsa Kosovës për ta mundësuar riintegrimin e personelit të drejtësisë nga komuniteti serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog dhe me ligjet e Kosovës”, tha zëdhënësi,.
Zëdhënësi shtoi se BE-ja vazhdimisht u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të krijojnë kushtet e nevojshme për zbatimin e këtyre detyrimeve dhe të “përmbahen nga veprime që mund ta ndërlikojnë më tej këtë proces”.
Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e autoriteteve në Beograd.
Punonjësit që dhanë dorëheqje, morën kontrata të përkohshme dhe vazhduan të paguhen nga buxheti i Serbisë.
Por, me kalimin e kohës, disa prej atyre që nuk mbështesnin Listën Serbe, mbetën pa këto paga dhe njëkohësisht humbën mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.
Pas krizave të shumta në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që kulmuan me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023 nga një grup i serbëve të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rikthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.
Edhe Lista Serbe, para zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2015, e pranoi se largimi nga institucionet e Kosovës kishte qenë gabim.
Ndërkaq, autoritetet e Kosovës kanë thënë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.
Ushtruesja e detyrë së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se seanca për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, do të mbahet në fillim të gushtit.
Gjatë një prononcimi për gazetarë, Haxhiu u shpreh se për shkak që pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, ka vlerësuar që t’u japë kohë partive për diskutime për çështjen e presidentit.
Pikërisht, mosarritja e konsensusit muaj më parë mes partive për një president të ri të vendit nxiti mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, tha Haxhiu për gazetarët.
Më 10 korrik, dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi takime me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, Aleanca refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë, Kurti.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin tha se partia e tij do të mbetej në opozitë.
Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku paralajmëroi vazhdimin e diskutimeve.
Megjithatë, më 15 korrik Abdixhiku, tha se është i detyruar që të pezullojë diskutimet për formimin e institucioneve të reja me Kurtin, për shkak të një nisme partiake për shkarkimin e tij nga kreu i LDK-së.
Abdixhiku paralajmëroi se vendi rrezikon që potencialisht të mbesë pa institucione dhe të ketë zgjedhje të reja në vjeshtë.
Haxhiu e vlerësoi si serioze përpjekjen e Kurtit për formimin e institucioneve të reja, e cila, sipas saj, po vazhdon.
“Kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për këtë qëllim, por LDK-ja i ka pezulluar negociatat, ndërsa PDK-ja ka pasur qëndrimin e vet dhe Aleanca nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Nuk mund të ketë detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje. Askush nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, tha Haxhiu.
Votimet e 7 qershorit ishin të tretat parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin nevojitet një marrëveshje politike, pasi kërkohet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
Pastori Mark Burns, këshilltar joformal i presidentit amerikan, Donald Trump, për çështje shpirtërore, gjatë vizitës së tij në Kosovë, 5 korrik 2026.
Sandra Cvetkoviq
Pastori i shquar, Mark Burns, i cili nganjëherë përshkruhet si “këshilltari shpirtëror” jozyrtar i presidentit amerikan, Donald Trump, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, nuk ishte në cilësinë e një përfaqësuesi zyrtar të Shteteve të Bashkuara, negociatori apo të dërguari për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, ose për ndonjë çështje tjetër politike.
Megjithatë, thotë se vërejtjet e tij për pozitën e Kishës Ortodokse Serbe dhe liritë fetare në vend do t’ia përcjellë Departamentit amerikan të Shtetit.
Ai sqaron se vizita e tij në Kosovë dhe në objektet e trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe, nuk ishte e koordinuar me administratën amerikane.
Sipas tij, roli i tij si këshilltar shpirtëror i presidentit Trump është “një nismë e pavarur fetare, e përkushtuar për promovimin e paqes, mbrojtjen e lirive fetare dhe nxitjen e dialogut përtej ndarjeve kulturore, politike dhe fetare”.
“Kam udhëtuar si pastor i krishterë dhe themelues i lëvizjes ‘Spiritual Diplomats’ (Diplomatët Shpirtërorë)”, thotë ai, duke shtuar se kjo nismë jozyrtare diplomatike buron nga bindja se “ka vende ku vetëm politika nuk mund t’i shërojë plagët”.
Në fillim të korrikut, Burns, i shoqëruar nga patriarku serb Porfirije, vizitoi manastiret mesjetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë – Deçanin, Patriarkanën e Pejës dhe Graçanicën – të cilat janë të përfshira edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se gjatë vizitës, Burns u njoh me historinë e këtyre manastireve.
Vetë Burns deklaroi se në Kosovë nuk kishte udhëtuar për të thelluar ndarjet, por për të dëgjuar dhe për të mbështetur paqen, pajtimin dhe shërimin – në Kosovë dhe në Ballkan.
Të njëjtin qëndrim ai e përsërit edhe për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se, gjatë angazhimeve të tij në Ukrainë, Moldavi, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Izrael dhe zona të tjera të prekura nga konfliktet, mesazhi i tij ka qenë i pandryshuar:
“Çdo jetë njerëzore është e shenjtë, liritë fetare duhet të mbrohen dhe paqja e qëndrueshme kërkon që të dëgjohen ata, zërat e të cilëve shumë shpesh mbeten të padëgjuar”.
“Në Kosovë, po ashtu, kam ardhur për të kuptuar më mirë shqetësimet historike, shpirtërore dhe humanitare të njerëzve me të cilët jam takuar, duke besuar se udhëheqja e përgjegjshme fillon me dëgjimin pëprara se të flasësh”, thotë Burns.
Çfarë u diskutua në takimet me udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe?
Dioqeza e Rashkës-Prizrenit në Kosovë nuk dha detaje nëse udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe diskutuan me pastorin Burns për pozicionin ose statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe çështje të tjera.
Vetë Burns thotë se gjatë vizitës së tij në Kosovë, udhëheqësit e Kishës e informuan atë për shqetësimet, përvojat dhe perspektivën e tyre historike.
“Siç është zakon në takimet me udhëheqësit fetarë në mbarë botën, mora informacione që kishin për qëllim të më ndihmonin që të kuptoja më mirë komunitetin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen. Marrja e informacionit nuk duhet të ngatërrohet kurrë me mbështetjen e çdo qëndrimi të shprehur. Si diplomat shpirtëror, përgjegjësia ime është të dëgjoj me kujdes, të kërkoj të vërtetën dhe të flas me respekt për të gjithë njerëzit”, thotë Burns.
Liritë fetare përmenden në Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e njohur më mirë si Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.
“Të dyja palët zotohen t’i respektojnë liritë fetare, duke përfshirë ripërtëritjen e dialogut ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe”, thuhet, mes tjerash, në atë marrëveshje.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së miratuar më parë për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila përmend formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht se “Kosova duhet të ofrojë një nivel shtesë mbrojtjeje për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se ajo është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.
“Do t’i ndaj vërejtjet mia me Departamentin e Shtetit”
Pastori Burns thotë se ajo që ka parë dhe dëgjuar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, “meriton vëmendje serioze”.
“Ashtu siç kam bërë në pjesë të tjera të botës, kam ndërmend t’i ndaj vërejtjet e mia me zyrtarët përkatës të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe politikëbërës të tjerë përkatës, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për shqetësimet që më janë përcjellë në lidhje me lirinë fetare, pozicionin e bashkësive fetare dhe çështjet më të gjera humanitare”, thotë Burns.
Ai shton se synon të përdorë platformën e vet publike “për të nxitur ndërgjegjësim më të madh për këto çështje, për të promovuar dialog të informuar dhe për të avokuar për zgjidhje paqësore që mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtën themelore të çdo personi për të shprehur lirisht besimin e tij”.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e pastorit Burns në Kosovë përfaqëson “një shembull të mirë të diplomacisë joformale”.
“Burns erdhi si pastor i Kishës Ungjillore – është e pamohueshme që ai është një nga këshilltarët shpirtërorë të presidentit Trump. Ai nuk erdhi, as nuk mundi të vinte në një vizitë zyrtare, por është mirë që erdhi [në Kosovë]”, thotë Janjiq.
Ai shton se statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të zgjidhet në nivelin e kishave, pa përfshirjen e autoriteteve në Beograd ose në Prishtinë.
“Kisha nuk mund të organizohet përgjatë kufijve shtetërorë, por përgjatë metropoliteve që janë të pavarura. Për lexuesit modernë, Kisha duhet të marrë një status të ngjashëm me atë të universiteteve – me autonomi të garantuar ose një formë ekstraterritorialiteti”, thotë Janjiq.
Po sipas tij, një marrëveshje e mundshme për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë mund të arrihet vetëm me pëlqimin e kishave të tjera të krishtera, përfshirë Papën.
Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i mohoi në gusht të vitit të kaluar pretendimet se po zhvilloheshin negociata me institucionet e Kosovës për një “marrëveshje themelore”.
Janjiq shton se roli i pastorit Burns është ende i panjohur, por beson se vizita e tij në Kosovë është një hap i rëndësishëm, sepse “do të përshpejtojë interesin e administratës amerikane”.
Sa është e mbrojtur Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë?
Në vitin 2007, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, i cili ishte përgjegjës për çështjen e statusit të Kosovës në emër të Kombeve të Bashkuara, hartoi një dokument – i njohur për publikun si Plani i Ahtisaarit – në bazë të të cilit komunitetit serb i jepen garanci të forta.
Plani rregullon çështje të ndryshme – nga kultura, gjuha, feja dhe tradita, tek arsimi, shëndetësia, çështjet ekonomike dhe të pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe përmes procesit të decentralizimit.
Plani i Ahtisaarit mbron, gjithashtu, Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe pronën e saj, dhe në vitin 2008, bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb.
Megjithatë, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka ndërprerë komunikimin me autoritetet aktuale, për shkak të, siç ka thënë, “deklaratave joprofesionale dhe politikisht nxitëse nga zyrtarët më të lartë të Kosovës”.
Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ishte e përfshirë në një mosmarrëveshje gjyqësore për 16 vjet për çështjen se kush i zotëron 24 hektarë tokë dhe pyje pranë Manastirit të Deçanit.
Më pas, në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të Manastirit të Deçanit, por autoritetet lokale refuzuan për vite me radhë ta zbatonin vendimin, duke argumentuar se ai legjitimonte një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili ia kishte dhuruar pronën Manastirit.
Vendimi u zbatua vetëm në mars të vitit 2024, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas trysnisë së vazhdueshme ndërkombëtare.
Kurti tha se qëndrimi i tij ndaj këtij vendimi nuk kishte ndryshuar, por se zbatimi ishte bërë për të mos rrezikuar përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Manastiri i Deçanit ka një tjetër mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, që është ndërtimi i rrugës kryesore Deçan – Plavë.
Punimet e ndërtimit në këtë rrugë po zhvillohen përmes Zonës së Mbrojtur dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.
Një tjetër kontest lidhet me Kishën e Krishtit Shpëtimtar në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Universiteti pretendon se objekti është ndërtuar në mënyrë të paligjshme gjatë viteve ‘90, në tokë universitare, në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Për këtë çështje, procesi gjyqësor vazhdon ende në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se detyrohet që të ndërpresë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se ka autorizuar sekretariatin e partisë që të nisë procedurat për mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm partiak, pasi gjatë ditës 148 delegatë të Kuvendit të LDK-së dorëzuan nënshkrimet për mbajtjen e tij me kërkesën për shkarkimin e kreut partiak.
Pas verifikimit të nënshkrimeve, Abdixhiku tha se do të cakohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme që ai të vazhdojë të negociojë në emër të LDK-së, “ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”.
“Ndjej keqardhje që sot jam i detyruar ta kthejmë vëmendjen sërish nga vetja tek një proces që mund të na dëmtojë pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se nuk beson që bisedimet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të kenë qenë arsyeja për thirrjen e Kuvendit partiak nga 148 anëtarë të LDK-së.
Sipas tij, në historinë 37-vjeçare nuk ka pasur praktikë në LDK që kreu i saj të shkarkohet pak muaj para zgjedhjeve të rregullta partiake dhe pak muaj pas konfirmimit të mandatit të tij.
Më 10 korrik, Abdixhiku së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, zhvilluan diskutime me Kurtin, për çështjen e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit.
Ndonëse palët pas takimit nuk raportuan për ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja.
Ndërkaq, pak para se Abdixhiku të dilte me njoftimin për ndërprerjen e angazhimit për krijimin e institucioneve të reja, mediat lokale në Kosovë raportuan se mes LDK-së dhe LVV-së ishte arritur në parim një marrëveshje për ndarjen e posteve kyç shtetërore, por zyrtarizimi i saj nuk ishte bërë për shkak të situatës së brendshme në partinë e Abdixhikut.
Burime brenda LDK-së i thanë Radios Evropa e Lirë se këto raportime nuk qëndrojnë.
“Nuk ka ndonjë marrëveshje”, thanë për REL burime brenda LDK-së.
REL i është drejtuar edhe LVV-së për koment për këtë çështje, por ende nuk ka marr ndonjë përgjigje.
Dorëzimi i nënshkrimeve
Më herët gjatë së mërkurës, deputeti i zgjedhur i LDK-sç, Armend Zemaj, ka tha se janë mbledhur dhe dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për ta thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë.
Derisa po dilte nga zyra e LDK-së në Prishtinë së bashku me kryetarin e degës së dytë , Florian Dushi, Zemaj tha se numri i nënshkrimeve të dorëzuara ishte i njëjtë me atë që kishte deklaruar ditë më parë, mbi 150.
Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret me kërkesën e të paktën 1/3 së delegatëve të Kuvendit.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Grumbullimi i nënshkrimeve të nevojshme vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Po ashtu, ky zhvillim po ndodh në një kohë kur Abdixhiku nisi javën e kaluar bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Çfarë ndodhi?
Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.
Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se vendi po e shqyrton mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen, mes thirrjeve të vazhdueshme për t’iu bashkuar projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.
Kurti i bëri këto komente gjatë vendosjes së gur themelit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 105 megavatesh në Rahovec, në jugperëndim të vendit.
“Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë më të përgjegjshme me theks të veçantë të gazifikimi i tij, dhe po e shqyrtojmë mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha Kurti.
Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.
Në fund të qershorit, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nguli këmbë se Kosova nuk është kundër gazit të lëngëzuar amerikan, dhe shtoi se vendi do ta trajtonte këtë çështje “me shumë seriozitet”.
Ngjashëm sikurse Kurti të mërkurën, edhe Rizvanolli kishte thënë se Qeveria në detyrë e sheh gazifikimin e thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.
Megjithatë, kjo është hera që Kurti apo kushdo qoftë nga qeveria e tij thonë se po e shqyrtojnë thirrjen e aleatit kryesor të Kosovës për t’u furnizuar me LGN-në amerikane.
Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga thëngjilli, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli.
Por, vendi varet nga importi gjithashtu, posaçërisht në kohët e pikut të dimrit dhe verës.
Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan rishtazi se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Në disa raste, Oda Ekonomike Amerikane ka argumentuar se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të projektit amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të diversifikonte burimet e furnizimit dhe do ta bënte vendin më tërheqës për investime.
Debati është intensifikuar edhe pasi e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka publikuar në fillim të qershorit një opinion, ku i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes gazit amerikan.
Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.
Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
“E papërgjegjshme dhe provokuese” – kështu e komentojnë disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë deklaratën e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila foli për “spastrimin etnik” në Kosovë.
Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Për shkak të kësaj deklarate, e cila nxiti reagime dhe dënime të shumta, Kosova, më 14 korrik, e shpalli person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit.
Bilanci i luftës në Kosovë dhe vendimet e Tribunalit të Hagës
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.
Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, bashkë me ata të institucioneve të sigurisë, u identifikuan nga Tribunali i Hagës si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në periudhën mars-qershor 1999.
Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, në cilësinë e komandantit të Armatës së Tretë, u dënua përfundimisht me 22 vjet burg nga Tribunali i Hagës për dëbim, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq gjatë paraburgimit në Hagë, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se deklarata e Snezhana Paunoviqit merr peshë edhe më të madhe, për shkak të pozitës së saj si ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tij, është e qartë se njerëz si ajo “kanë mbetur të bllokuar në vitet ‘90 dhe në traumat” që, siç thotë, “shoqëria jonë ka përjetuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Milliqeviq thotë se deklarata e Paunoviqit “nxit urrejtje ndëretnike” dhe se është e rrezikshme, sepse i vendos serbët e Kosovës në një pozitë edhe më të vështirë.
“Kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndonjë armiqësi ndaj dikujt, dhe aq më pak në kontekstin e asaj që po përjetojnë sot serbët në Kosovë”, thotë ai.
Edhe Tatjana Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, thotë se deklarata e Paunoviqit për “spastrimin etnik” është “një shembull tipik i papërgjegjshmërisë”.
Sipas saj, ajo ka pasoja në tri nivele: njerëzor, institucional-politik dhe historik.
Ajo thotë se dikush që mbron vlerat humaniste, nuk duhet as ta mendojë, e lëre më ta thotë publikisht, një deklaratë për spastrimin etnik.
Sipas saj, një gjë e tillë është veçanërisht e papranueshme kur vjen nga një përfaqësuese e Qeverisë së Serbisë.
“Si dikush që vjen nga Kosova, ajo do të duhej të kishte ndjeshmëri të veçantë, si në gjuhën që përdor, ashtu edhe në qëndrimet që mban, pikërisht për shkak të përvojës së rëndë që kanë kaluar për dekada si shqiptarët, ashtu edhe serbët”, thotë Llazareviq për Radion Evropa e Lirë.
Deklaratën e Paunoviqit e dënoi edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se ajo “është në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, përgjegjësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”.
Çfarë thonë qytetarët?
Jellena nga Mitrovica e Veriut thotë se deklarata e ministres serbe për “spastrimin etnik” është “problematike dhe provokuese”.
Sipas saj, ajo vetëm se i dëmton serbët që jetojnë në Kosovë.
“Është veçanërisht problematike, sepse vjen nga një ministre me prejardhje nga Peja, e cila nuk jeton më në Kosovë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Aleksandri nga Graçanica ndan të njëjtin qëndrim.
“Një deklaratë e tillë e pamenduar nuk u shkon aspak në favor serbëve që kanë mbetur të jetojnë në Kosovë, sepse mund të keqpërdoret. Ajo tregon edhe një herë se sa pak mendon pushteti në Serbi për njerëzit që kanë mbetur të jetojnë këtu”, thotë ai.
Millena nga Shtërpca vlerëson se është “tejet destruktive” që një zyrtare e lartë shtetërore të flasë për spastrim etnik, sidomos duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë.
“Ajo që më frikëson është i ashtuquajturi ‘efekti flutur’, pra pasojat negative që kjo deklaratë – pothuajse me siguri – do t’i shkaktojë”, thotë ajo.
Kush e paguan çmimin e deklaratave të politikanëve nga Beogradi?
Disa organizata joqeveritare serbe reaguan më 15 korrik me një deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar deklaratën e ministres Paunoviq për “spastrimin etnik” të Kosovës si “gjuhë urrejtjeje, retorikë çnjerëzore dhe përpjekje e rrezikshme për ta normalizuar idenë e spastrimit etnik në hapësirën publike”.
Sipas tyre, pasojat e deklaratave të tilla nuk i bartin politikanët që i bëjnë, por serbët që jetojnë në Kosovë.
“Këta narrativë thellojnë mosbesimin ndërmjet komuniteteve, e rëndojnë edhe më tej pozitën e serbëve të Kosovës dhe shpesh shërbejnë si justifikim për politika dhe masa që kufizojnë të drejtat dhe hapësirën e veprimit të komunitetit tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Qendrës për Veprime Shoqërore Afirmative, Nismës së Re Shoqërore, Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial dhe organizatës Aktiv.
Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, thotë se serbët në Kosovë tashmë janë duke i përjetuar pasojat e politikave të Beogradit zyrtar dhe se deklarata e Paunoviqit është “ideale për instrumentalizim të mëtejshëm në përplasjet verbale mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Edhe Milliqeviq nga organizata Aktiv thotë se autoritetet në Kosovë i përdorin deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve serbë për të “arsyetuar” qasjen e tyre ndaj komunitetit serb dhe beson se edhe kësaj radhe do të ndodhë e njëjta gjë.
A do të përballet Paunoviq me përgjegjësi politike?
Studentët protestues në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe Partia Serbia Qendra (SRCE) e dënuan deklaratën e Paunoviqit dhe kërkuan që ajo të mbajë përgjegjësi politike.
Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, anëtare e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e ka udhëhequr Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që ka bërë sakrifica të mëdha dhe emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratën e Paunoviqit, ndërsa ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe bashkëpartiak i saj, i cilësoi reagimet ndaj deklaratës për “spastrimin etnik” si “të turpshme dhe hipokrite”.
Milliqeviq thotë se Paunoviq duhet të japë dorëheqje të parevokueshme dhe të kërkojë falje.
Llazareviq, në anën tjetër, beson se ministrja mund të përballet me pasoja politike, por “jo sepse Qeverisë së Serbisë i është zgjuar ndërgjegjja”, por për shkak të presionit të opinionit publik dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë të mërkurën se janë mbledhur dhe dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për ta thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, në një kohë kur ka pasur thirrje për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Derisa po dilte nga zyra e LDK-së në Prishtinë së bashku me kryetarin e degës së dytë , Florian Dushi, Zemaj tha se numri i nënshkrimeve të dorëzuara ishte i njëjtë me atë që kishte deklaruar ditë më parë, mbi 150.
Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret me kërkesën e të paktën 1/3 së delegatëve të Kuvendit.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Grumbullimi i nënshkrimeve të nevojshme vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Po ashtu, ky zhvillim po ndodh në një kohë kur Abdixhiku nisi javën e kaluar bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Çfarë ndodhi?
Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.
Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Por disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Kosova e ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë më parë se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, njoftoi të martën ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sveçla njoftoi vonë të martën në Facebook se e ka nënshkruar vendimin për t’ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë apo kalimin nëpër të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.
Ai tha se me deklaratat e saj, Paunoviq e ka “ritheksuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”.
“Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Sllobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, shkroi Sveçla.
Ai shtoi se “çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – duke nxitur reagime dhe dënime në Kosovë dhe më gjerë.
Millosheviq ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.
“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.
Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Në një reagim tjetër të martën, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Deklaratat e saj u dënuan si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Kosovë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Ngjashëm reagoi edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq.
Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë.
“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”, tha Kos në një konferencë për media.
Zëvendëskryeministri në detyrë dhe njëherësh ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, shkroi në X se “një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është plotësisht në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane”.
“Heshtja nuk është opsion. As përgjigjet e dobëta”, shtoi ai.
Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e ministres Paunoviq tregon mungesën e një përballjeje të mirëfilltë me të kaluarën dhe, njëkohësisht, flet për politikën aktuale, e “madje ndoshta edhe për synimet e saj në të ardhmen”.
“Kur spastrimi etnik paraqitet si një zgjidhje politike legjitime ose e dëshirueshme, atëherë nuk bëhet më fjalë vetëm për interpretimin e së kaluarës, por për një sistem vlerash dhe një ideologji politike”, thotë ai.
Kamberi vlerëson se, nëse Paunoviq nuk shkarkohet nga detyra, pushteti në Serbi dëshmon se nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin me Kosovën.
Edhe drejtori i Qendrës për Politikë Praktike në Serbi, Dragan Popoviq, vlerëson se deklarata e Paunoviqit vetëm se ka “shpërfaqur” realitetin.
Sipas tij, autoritetet në Serbi nuk kanë hequr dorë nga politikat e viteve ’90.
“Pushteti feston gjeneralët e dënuar nga Gjykata e Hagës dhe i shpall ata heronj”, thotë Popoviq për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.
Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.
Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav.
Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.
Dirk Schubel
Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).
Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në dy vjetët e fundit – nga 2024-ta deri në fund të marsit – në këtë funksion ishte Aivo Orav.
Në një nga deklaratat e fundit për mediat në Kosovë, Orav tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “nuk do të zhduket”.
“Dialog do të thotë gjithashtu Asociacion”, tha ai.
Pas largimit të tij, ushtrimin e detyrës e mori përsipër zëvendësshefja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Në një shkrimtë publikuar javën e kaluar, Palatova tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, por theksoi se përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës u takon udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës.
Me atë rast, ajo bëri thirrje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke thënë se partia fituese – në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje – ka përgjegjësi të veçantë që të angazhohet me partitë e tjera politike për të arritur kompromis.
Kosova nuk ka institucione të qëndrueshme tash e më shumë se një vit e gjysmë, pasi tri palë zgjedhje të mbajtura brenda kësaj periudhe nuk kanë arritur t’i japin vendit një shumicë funksionale.
“Konkurrenca politike është një tipar normal dhe i shëndetshëm i demokracisë. Avancimi i së ardhmes evropiane të Kosovës duhet të jetë një objektiv i përbashkët”, shkroi Palatova.
KOSOVË- Dy ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit, kryeministri në detyrë, që njëherësh është edhe kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje, Albin Kurti, nisi takimet me udhëheqësit politikë të partive të tjera në përpjekje për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Kurti, tashmë nuk ka nevojë për bashkëpunim me partitë shqiptare për formimin e qeverisë që kërkon së paku 61 vota nga 120 deputetë sa i ka parlamenti, por, i duhet bashkëpunim për zgjedhjen e Presidentes/it, çështje kjo që e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në qershor të këtij viti.
Për zgjedhjen e Presidentes/it nevojitet kuorumi në sallë i të paktën 80 deputetëve. Pas një takimi që zhvilloi të premten (10.07.2026) me kryetarin e partisë së dytë që doli në zgjedhje, Bedri Hamza, nga Partia Demokratike e Kosovës, Albin Kurti, tha se beson se ekziston vullneti për konstituimin e institucioneve, por nuk njoftoi të ketë një marrëveshje me PDK-në. Për zgjedhjen e qeverisë, Kurti tha se përgjegjësia bie mbi të, por për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia, sipas tij, bie mbi të gjitha partitë.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikush i asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit. Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit të gjithë kemi përgjegjësi”, tha Kurti, duke shtuar se që të jenë të sigurt me zgjedhjen e Presidentes/it, duhet të jetë siguruar prania e mbi 80 deputetëve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Bedri Hamza, nga ana e tij, ishte i prerë në qëndrimin. Ai tha se PDK në këtë mandat ka vendosur të qëndrojë në opozitë, duke mos saktësuar, nëse deputetët e PDK-së do të qëndrojnë në sallë për ta bërë kuorumin për zgjedhjen e Presidentes/it. PDK ka 22 deputetë. “Kemi thënë se s’kemi vija të kuqe dhe se jemi të hapur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, duke i përfshirë të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses z. Kurti dhe të gjithë atyre që takohen e bisedojnë”, tha Bedri Hamza.
Raportet VV – LDK
Një takim më të gjatë, rreth tri orësh, Kurti në mbrëmjen e premtes zhvilloi edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku. Kurti theksoi se bisedimet me LDK, që edhe më herët preferonte ta kishte në qeveri, “po zhvillohen rreth koncepteve, parimeve, afateve dhe funksioneve”.
Me këtë Kurti, synon një marrëveshje më të gjerë politike. “Diskutojmë koncepte, parime, gjithashtu orare e funksione. Është një ndërmarrje e madhe e gjerë që kërkon besim e mirëbesim, e cila kërkon kohë për realizim. Do të jemi transparentë karshi jush sa i përket procesit në të cilin ndodhemi, e kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave, të cilat duhet të rezultojnë me të arritura konkrete që të kemi çka të bëjmë publike”, deklaroi Kurti, pas takimit me Abdixhikun.
Ky i fundit në takim me Kurtin shoqërohej edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani,të cilën Kurti nuk deshi ta bëjë presidente muaj më parë. Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku, bisedat me Albin Kurtin i cilësoi si një hap të mirë dhe të mbarë për të hapur, siç tha, “kapitujt tjerë takues e diskutues”, ndërsa, theksoi domosdoshmërinë për stabilitet institucional. “LDK-ja kërkon stabilitet institucional dhe patjetër balancë demokratike, në të cilën të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”, tha ai.
BE bën thirrje për institucione funksionuese
Albin Kurti, kryeministër në detyrë, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, e ka të domosdoshme një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që Kosova do të ketë president të ri, dhe kështu vendi të kthehet në binarët e stabilitetit institucional. Autoritetet ndërkombëtare i kanë bërë thirrje klasës politike kosovare që të jenë konstruktivë në biseda, të gjejnë mënyra bashkëpunimi dhe t’i japin Kosovës institucione të qëndrueshme.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në një editorial të saj, u rikujtoi udhëheqësve politikë kosovarë se vendi zhvilloi tri palë zgjedhje brenda një viti e gjysmë, dhe tash qytetarët e lodhur nga zgjedhjet, presin institucione funksionale. “Në mbarë Bashkimin Evropian, partitë politike garojnë fuqishëm gjatë zgjedhjeve, por pritet të bashkëpunojnë më pas në interes të stabilitetit institucional. Kompromisi nuk është shenjë dobësie. Ai është një aftësi thelbësore demokratike dhe qëndron në zemër të vendimmarrjes së përditshme të Bashkimit Evropian.
Ndërsa qytetarët e Kosovës synojnë anëtarësimin në BE, arritja e një kompromisi politik sot do të dërgonte një sinjal të qartë dhe konkret se udhëheqësit politikë të Kosovës janë të gatshëm ta përqafojnë kulturën politike mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian”, shkroi Palatova. Sipas saj, duke cituar Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, “Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i bëjë detyrat e saj. Përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës u takon në fund të fundit udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës”.
Afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve
Në bazë të rezultatit përfundimtar tashmë të certifikuar dy ditë më parë të zgjedhjeve të 8 qershorit, ka filluar të rrjedhë afati kushtetues për themelimin e institucioneve të reja. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka siguruar 53 mandate në Kuvend. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka fituar 22 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë deputetë.
Lista Srpska siguroi 9 ulëse, ndërsa pakicat tjera 11. Tashmë pas certifikimit të rezultateve, Ligji për Zgjedhjet parasheh që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duhet të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit, e cila duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve. Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur.
Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, tre nga të cilët propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK, një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe pesë nënkryetarët. Pas konstituimit të plotë të Kuvendit sipas Ligjit për Zgjedhjet, hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Monitoruesit e zgjedhjeve thonë se këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit./DW
Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë të premten pas një takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, se nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri mes tyre për një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Ai, megjithatë, u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje në bisedimet e ardhshme.
Takimi i tyre vjen pasi partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), thanë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve me Kurtin mes një krize institucionale pothuajse dyvjeçare.
Duke folur për gazetarë rrugës për të hyrë në takimin në Prishtinë, Kurti tha se ndihej “optimist” për arritjen e një marrëveshjeje me LDK-në.
Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila garoi në një listë të përbashkët me Osmanin, duke i fituar 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Tërheqja e PDK-së dhe AAK-së
Kurti zhvilloi takim fillimisht me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, të premten në mëngjes. Ndërsa, kreu i Aleancës, Ardian Gjini, e hodhi poshtë ftesën e tij për takim.
Bisedimet mes Kurtit dhe Hamzës dështuan, dhe ky i fundit tha se partia e tij do të tërhiqet nga bisedimet pasi do të qëndrojë në opozitë.
“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.
Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.
Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale dhe jo partiake për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.
Ndërkohë, Gjini i Aleancës tha pasi e refuzoi takimin se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.
Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.
Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.
Bisedimet vijnë pasi këtë javë u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kryeparlamentarja dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Albulena Haxhiut, pritet ta thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.
Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re.
Pas konstituimit të Kuvendit, Haxhiu e nominon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje.
Haxhiu shkroi në Facebook pas certifikimit të rezultateve se do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, pa treguar kur saktësisht.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se biseda ishte konstruktive, por nuk prodhoi një rezultat konkret për formimin e institucioneve të reja. Hamza, nga ana tjetër, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke shtuar se LVV-ja e ka përgjegjësinë për formimin e institucioneve.
“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.
Kurti tha se takimi u zhvillua në mënyrë konstruktive dhe në atmosferë të vullnetit dhe “interesimit për t’i dhënë Kosovës institucione të reja”.
“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me ju”, tha Kurti, duke shtuar se takimet kanë për qëllim që vendi të ketë Kuvend, Qeveri dhe president brenda afateve kushtetuese.
Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.
Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.
“Ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Pra, dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë. Kjo është jo ideja jonë dhe kërkesa jonë, por kjo është fryma dhe germa e Kushtetutës”, tha Kurti.
Sipas tij, LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numrin e mjaftushëm që t’i konstituojnë të gjitha institucionet.
Por, Hamza gjatë deklarimit pas takimit tha se përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon LVV-së, duke theksuar se të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin kreun e ri të shtetit pa partinë e Kurtit.
“LVV-ja duhet të gjejë partnerë, sipas nevojave dhe kritereve të saj dhe interesave të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, u shpreh Hamza për gazetarët.
Ndërkaq, Kurti u shpreh se me 53 mandate të LVV-së, dhe ato të partive të komuniteteve pakicë joserbe, ai ka mbi 61 votat e nevojshme për Qeverinë, por nuk tregoi nëse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me votimin e ekzekutivit të ri.
“Ne jemi të interesuar që t’i japim kohë diskutimeve, konsultimeve, që legjislatrua të ketë jo vetëm kryetar dhe qeveri, por edhe president”, tha Kurti.
Në orën 18:00 është paraparë takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kurtit.
Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për presidentin e ri të vendit.
Kurti e ka ftuar në takim edhe kreun e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.
Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.
Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.
Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.
Pas certifikimit të rezultateve, deputetët e legjislaturës së re kanë përpara detyrën e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Për dy të parat kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Partia e Kurtit i ka votat për dy proceset e para, pasi llogarit në votat e partive pakicë joserbe – që kanë dhjetë mandate.
Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.
Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.
Qëndrimet e partive
Ditë më parë, zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se subjekti i saj politik i ka votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.
Kjo parti kërkon që presidenti të jetë një figurë konsensuale, jopartiake, teksa muaj më parë propozoi dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha për postin e presidentit. Por, LVV-ja nuk arriti marrëveshje me partitë opozitare dhe këto kandidatura nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.
Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunimin e mundshëm me partinë e Kurtit.
Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me LVV-në.
Për LDK-në, “parakusht i ekzistencës politike”, sipas Abdixhikut, janë orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan.
Ndërkaq, ndër gjashtë kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha kërkesat e partive opozitare janë në interes të Kosovës dhe sipas tij, ato kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe thellimin e “partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.
Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
Dy ditë më parë, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.
Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi kosovar nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.
Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim të dërguar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Por ftesa është refuzuar nga Aleanca.
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, e vlerëson si pozitive dërgimin e ftesave nga Kurti për udhëheqësit politikë, por thotë se tani Kurti, Bedri Hamza i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së e kanë përgjegjësinë që sa më shpejt t’i japin shtetit të qëndrueshme.
Vendi shkoi në zgjedhje në qershor pasi muaj më parë partitë s’arritën konsensus lidhur me kandidatin për presidentin e ri të shtetit.
“I përket tre individëve që kanë peshë politike që të gjejnë zgjidhje dhe të mos të hyjmë në cikël të takimeve të shpeshta, të shkurtra, të cilat nuk japin rezultat. Unë besoj që është kohë e fundit që me një apo dy takime maksimum, të japin përgjigje për krijim të institucioneve”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.
Deda e vlerëson si të gabuar vendimin e kreut të Aleancës, Ardian Gjini, që të mos i shkojë në takim Kurtit, megjithëse i vlerëson si korrekte dhe të mira gjashtë kushtet e kësaj partie në këmbim të përkrahjes së themelimit të institucioneve.
“Në demokraci politike, liderët politikë komunikojnë njëri me tjetrin përtej rivalitetit politik”, thotë ai, duke shtuar se pa Gjinin, tani tre krerët partiakë duhet tani të japin përgjigje nëse janë “të aftë që së bashku të vijnë deri te një marrëveshje e cila do t’i jepte fund kësaj krize institucionale në vendin tonë”.
Ndonëse nuk ka informacione nëse Kurti i ka ftuar takimet vetëm për çështjen e presidentit, apo për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, Deda vlerëson se udhëheqësit duhet të tregojnë pas takimeve se cilat ishin kërkesat e tyre, a janë pranuar nga pala tjetër dhe nëse vendi do të ketë institucione.
“Unë mendoj që zgjedhjet e reja do të ishin shumë të dëmshme dhe që Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”, shprehet Deda.
Lidhur me formatin e takimit, Deda tha se formati i kaluar – i takimeve kokë më kokë të liderëve – nuk dha rezultat, andaj nëse kësaj radhe mbahen takimet në formatin 2+2 “ndoshta do të jetë më rezultativ”.
Ai thotë se e përkrah idenë e një presidenti “politik, por jo partiak”, duke shtuar se Kosova ka figura të tilla që “do të ishin shumë pozitiv” për vendin.
LVV-ja kërkon që presidenti të jetë një figurë jopartiake, konsensuale, teksa LDK-ja në zgjedhje garoi me emrin e ish-presidentes Vjosa Osmani për këtë post.
Edhe ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta shqyrtonte nëse emri i tij do të propozohej si kandidat i përbashkët i opozitës për postin e presidentit. Megjithatë, një ide e tillë është kundërshtuar nga partia e Kurtit.
LVV-ja e Kurtit muaj më parë propozoi dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha për postin e presidentit. Por, për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me partitë opozitare, kandidaturat e LVV-së për president nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.
Çfarë thanë Hamza, Abdixhiku e Gjini?
Më herët gjatë ditës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ka propozuar që të takohet me Kurtin të premten në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Kurti, që është udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, mëngjesin e 9 korrikut u dërgoi ftesë për takim kreut të PDK-së, Bedri Hamza, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës, Ardian Gjini.
Letra dërguar krerëve partiakë vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.
Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Hamza tha se Kurti në letrën e tij kishte propozuar që takimi të mbaj sot në orën 17:00 apo nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00.
“Unë ja ktheva shkresën që PDK është e gatshme të takohet nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit”, tha Hamza.
Ai tha se vendi po përballet me vakum institucional dhe të gjithë duket të sillen në mënyrë të përgjegjshme.
“Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat, e kam thënë dhe po e përsëris, janë tepër të rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.
Ndërkaq, në një komunikatë të lëshuar, PDK tha se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon LVV-së, si parti fituese e zgjedhjeve.
“Për këtë arsye, presim që Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme”, u tha në njoftim.
Pas mbledhjes së kryesisë partiake, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, duke theksuar se ky ishte komunikimi i parë mes LVV-së dhe LDK-së.
“Besoj që kohën e takimeve do ta aranzhojnë ekipet tona. Por, ky le të jetë një takim i parë. Do të provoj të takohem edhe me liderët e partive politike”, tha Abdixhiku, duke shtuar se dëshiron trajtim gjithpërfshirës për krijimin e të gjitha institucioneve.
Abdixhiku tha se takimi me Kurtin është propozuar që të jetë i formatit 1+1, por shtoi se dëshiron që të jetë 2+2.
I pyetur nëse LDK-ja do të insistojë që ta ketë presidentin, pasi partia garoi me ish-presidenten Vjosa Osmani për këtë post, Abdixhiku tha:
“Në këtë fazë nuk do të flasim për emra. Do të dëgjojmë edhe palën tjetër”, duke shtuar se është e rëndësishme të tentohet të shmangen zgjedhjet e reja.
Ndërkaq, udhëheqësi i Aleancës Ardian Gjini, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se e ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin, duke përmendur se ai veçse ka shprehur qëndrimin e partisë më 26 qershor, kur i shpalosi gjashtë kushtet e partisë në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve.
“Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në shkresën që Gjini i ka dërguar Kurtit.
Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, ajo që pritet të ndodhë tani është konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës.
Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.
Meqë LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa, pasi për të dyja këto kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Për këto dy procese, Kurti llogarit në votat e partive pakicë joserbe – që kanë dhjetë mandate.
Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.
Cilat janë qëndrimet e partive?
Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunim të mundshëm me LVV-në e Kurtit.
Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.
Abdixhiku, ndërkaq, ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.
Ndërkaq, Gjini ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja. Ndër kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.
Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
Deda beson se të gjitha kërkesat e partive opozitare janë në interes të Kosovës dhe sipas tij, ato kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe thellimin e “partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.
“Këtu nuk ka asgjë të keqe. Edhe tek e fundit, për një projekt strategjik siç është gazi amerikan, asnjë parti politike e vetme nuk mund të marrë përgjigje në emër të shtetit të Kosovës. Kjo duhet të jetë pjesë e diskutimit të marrëveshjes së të gjitha partive politike. Kështu veprohet në vendet e tjera, të cilat e kanë, sidomos ato të cilat e kanë të qarta çfarë të ardhme duan të ndërtojnë”, thotë ai.
Më 8 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.
Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.
Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.