VOAL

VOAL

Gabriel: Gjermania “dhe askush tjetër” përgjegjëse për Holokaustin

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, foto nga arkivi

Nuk vihet në pyetje se Gjermania është përgegjësja e vetme për Holokaustin, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, pas reagimeve me të cilat po përballet Polonia fqinje për legjislacionin e saj kontradiktor për Holokaustin.

“Nuk ekziston as dyshimi më i vogël për atë se kush ka qenë përgjegjës për kampet e përqendrimit, kush ka vepruar aty dhe ka vrarë miliona hebrenj evropianë, ata janë gjermanët”, ka thënë Gabrial, sipas ministrisë së Jashtme të këtij vendi.

“Këto vrasje masive të organizuara, janë kryer nga shteti jonë dhe askush tjetër”, ka thënë ai.

“Bashkëpunëtorët individual nuk e ndryshojnë atë fakt”.

Senati polak ka miratuar më 1 shkurt amendamentet legjislative për të rregulluar fjalorin lidhur me Holokaustin dhe krime të tjera të periudhës naziste.

Ky projekligj duhet të nënshkruhet nga presidenti, Andrzej Duda, i cili ka paralajmëruar mbështetje.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Ukraina dhe shtete tjera kanë kritikuar ashpër këtë projektligj, sipas së cilit çdokush që akuzon Poloninë apo qytetarët e saj për bashkëpunim në krimet naziste, mund të ndëshkohet me burgim deri në tri vjet.

Kritikët kanë thënë se kjo mund t’i lejojë qeverisë të kundërshtojë raste në të cilat bashkëpunimi i polakëve kanë qenë i vërtetur dhe kjo do të frenonte fjalën e lirë apo studimet që janë të lidhura me Holokaustin.

Polakët kanë luftuar me vite kundër përdorimit të frazës “Kampet polake të vdekjes”, pasi konsiderohet se Polonia ka qenë më së paku përgjegjëse për vdekjet e personave aty.

Këto kampe janë ndërtuar nga nazistët kur kanë marrë kontrollin mbi Poloninë më 1939.

Një 28 vjeçar italian plagosi me armë zjarri gjashtë emigrantë afrikanë

Një 28 vjeçar italian goditi me armë dhe plagosi gjashtë emigrantë afrikanë të shtunën në një incident që zgjati dy orë, duke terrorizuar një qytet të vogël në Italinë qendrore, ku një nigerian u arrestua disa ditë më parë për vrasjen e tmerrshme të një të riu.

I dyshuari i sulmit, me lidhjet politike të krahut të djathtë, kishte një flamur italian të lidhur rreth qafës së tij pasi u arrestua disa orë më pas në qytetin e Maceratit. Autoritetet e identifikuan atë si Luca Traini, një 28 vjeçar, pa precedent të mëparshëm.

Traini kishte garuar për këshillin e qytetit me partinë Liga Veriore që ka pikëpamje anti-emigracionit, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Corridonia, konfirmoi partia, por kandidati i saj për kryetar komune humbi garën. Agjencia e lajmeve ANSA citoi miqtë e tij të thoshin se Traini kishte qenë më parë i lidhur me partitë ekstremiste italiane, si partia neo-fashiste Forza Nuova dhe CasaPound.

Ndërsa sulmi i dhunshëm po ndodhte në Macerata në rajonin qendror Marche të Italisë, policia u tha banorëve të qëndronin brenda dhe urdhëroi ndalimin e transportit publik për të kufizuar numrin e viktimave. Të shtënat e tilla të dhunshme janë të rralla në Itali dhe zakonisht lidhen me mafian jugore italiane.

Spanja ekstradon në SHBA qytetarin rus të akuzuar për krime kiberbetike

Pyotr Levashov gjatë seance gjyqësore në Spanjë, foto nga arkivi

Spanja ka ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara një qytetar rus, i cili është akuzuar nga autoritetet amerikane për zhvillimin e fushatave të krimeve kibernetike, duke përfshirë përdorimin e viruseve dhe aktivitete tjera të ngjashme.

Pyotr Levashov, 37 vjeçar ishte arrestuar në muajin prill, derisa ishte në pushime me familjen e tij në Barcelonë, ndërsa më vonë është paraqitur para një gjykate federale në Connecticut, duke u deklaruar i pafajshëm për akuzat e krimeve kibernetike, duke përfshirë vjedhjen e identitetit dhe konspiracinë.

Policia Kombëtare në Spanjë ka thënë se zyrtarët i kanë dorëzuar Lavashovin marshallëve amerikanë më 2 shkurt.

Prokurorët kanë thënë se ai ka vepruar përmes rrjetit, “Kelihos,” për infektimin e kompjuterëve, dhe instalimin e viruseve të ndryshme në këto pajisje.

Avokatët e të akuzuarit kanë thënë se ai është i pafajshëm dhe rasti është i motivuar politikisht.

Rusia ka luftuar në mënyrë agresive për të kthyer Levashov në vendlindje.

Moska është ankuar vazhdimisht për ndalimin e qytetarëve rusë jashtë vendit, duke akuzuar zyrtarët amerikanë për “kidnapimin e tyre”.

Autoritetet amerikane kanë thënë se duke kërkuar ndalimin në vendet e tjera kanë vepruar në mënyrë ligjore duke dërguar kriminelët e dyshuar para drejtësisë.

Ekstradimi është miratuar në muajin tetor nga Gjykata Kombëtare e Spanjës pasi ka kundërshtuar kërkesën e ekstradimit nga Moska.

Ambasada ruse në Uashington nuk është përgjigjur në kërkesat për të komentuar këtë rast.

Poloni: Senati e miratoi legjislacionin kundërthënës për Holokaustin

Pamje nga një senacë e parlamentit polak

Senati i Polonisë e ka miratuar legjislacionin kundërthënës, me të cilin rregullohet të shprehurit për Holokaustin, i cili ka për qëllim ta mbrojë imazhin e Polonisë. Ky legjislacion u miratua përkundër vërejtjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe zemërimit nga ana e Izraelit.

Ky legjislacion, i miratuar mbrëmë vonë me 57 vota për dhe 23 kundër, e dy abstenime, parasheh dënim me burg deri në tri vjet, për çdokend që kampeve të koncentrimit të Gjermanisë naziste u referohet si “kampet polake të vdekjes” ose e akuzon Poloninë për bashkëpunim me krimet e nazistëve.

Ky legjislacion tash pritet të nënshkruhet nga presidenti i Polonisë, i cili e ka mbështetur atë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kërkuar nga Varshava që të hidhet poshtë ky legjislacion, duke thënë se ai e kufizon lirinë e të shprehurit dhe kërkimet shkencore.

Izraeli, po ashtu, ka thënë se legjslacioni paraqet përpjekje për mohimin e involvimit polak në vrasjet e hebrejve nga nazistët gjermanë.

Jolie: NATO-ja të luftojë kundër krimeve ndaj femrave në zonat e luftës

Angelina Jolie dhe Jens Stoltenberg gjatë konferencës së sotme për shtyp në Bruksel

Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie, njëherësh e dërguar speciale e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, ka thënë se shfrytëzimi i dhunimit si “mjet lufte” nuk duhet të pranohet dhe ka kërkuar që NATO-ja ta merr udhëheqjen në zmbrapsjen e krimeve kundër grave në zonat e konflikteve.

Aktorja Jolie ka folur së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas bisedimeve të sotme me të në selinë e aleancës perëndimore ushtarake në Bruksel.

“Ne sot kemi folur për rolin potencial të NATO-s në ndihmën e krijimit të përgjegjësisë më të madhe globale dhe zmbrapjes nga krimet kundër femrave në zonat e luftës, për ta shtuar përfaqësimin e grave në ushtritë dhe për ta forcuar stërvitjen dhe doktrinën për ta bërë NATO-n lider global ushtarak në këtë fushë”, tha Angelina Jolie.

“Dhuna kundër grave dhe fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një veçori në rritje e konfliktit dhe e pasigurisë në gjithë botën”, tha Jolie dhe ka shtuar se “akoma, përdorimi i dhunimit si mjet lufte ishte shikuar si një ngjarje e paevitueshme e konfliktit dhe si krim më i vogël dhe problem shumë i vështirë ose shumë i dhimbshëm për shoqëritë për ta diskutuar”.

Jolie dhe Stoltenberg thanë se ata mund ta vizitojnë Afganistanin për të diskutuar për çështjen e abuzimit seksual të vajzave dhe djemve në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

VW, BMW dhe Mercedes Benz në telashe, pranojnë testin e bërë me njerëzit dhe majmunët

Pas skandalit të përhapur në Gjermani, për mënyrën e testimeve të gazrave të automjeteve me naftë tek njerëzit dhe kafshët, Volkswagen ka marrë përgjegjësinë e plotë .

Shefi ekzekutiv i VW, Matthias Mueller, tha se prodhuesi gjerman i makinave kishte “marrë pasojat e para” për testet.

Ai tha se testimi i kafshëve ishte “i gabuar … joetik dhe i pështirë”, raportoi “Spiegel Online”.

VW ka pezulluar lobuesin e saj kryesor Thomas Steg, i cili pranoi se kishte dijeni për eksperimentin e bërë me majmunët, i cili u zhvillua në Neë Meksiko më 2014-ën.

Steg u shpreh se: “Ajo që ndodhi, kurrë nuk duhet të ketë ndodhur, më vjen shumë keq ” dhe mori “përgjegjësi të plotë”.

Mediat gjermane raportojnë se prodhuesit gjermanë të automjeteve kishin financuar një kompani të quajtur EUGT, për të studiuar ndikimin e tymrave të makinave në shëndetin e njeriut.

EUGT është financuar nga Volkswagen, Daimler (prodhuesi i Mercedes-Benz) dhe BMW për të kryer këtë studim.

Mirëpo, sipas shtypit gjerman, kompania EUGT ka përdorur njerëz dhe majmunë për të testuar ndikimin negativ të tymrave të automjeteve në shëndet.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë dënuar mënyrën e këtij studimi, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni të metodave që kishte përdorur EUGT.

Gjermani, policia në kërkim të hajdutëve që vodhën 44 tonë çokollatë

Policia të hënën njoftoi se dy kamionë me çokollata janë vjedhur në një park industrial në Freiberg

BERLIN – Policia gjermane është vënë në ndjekje të hajdutëve të cilët vodhën 44 tonë çokollatë në jug të vendit të premten e kaluar.

Policia të hënën njoftoi se dy kamionë me çokollata janë vjedhur në një park industrial në Freiberg. Vlera e çokollatës vlerësohet në 400 mijë euro.

Një kamion me rimorkio me targa polake u gjet të shtunën pranë kufirit gjermano-francez. Shoferi u arratis në këmbë kurse rimorkio mbeti me ngarkesën e sasisë të madhe të çokollatës.

Kamioni tjetër u gjet në qytetin Lahr, gjithashtu pranë kufirit me Francën. Dy të tretat e çokollatës janë ndërsa hajduti është arratisur.

Policia është vënë në kërkim të hajdutëve dhe u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë nëse posedojnë çfarëdo informacioni.

Rusia e studion propozimin e ri amerikan për Ukrainën

Kurt Volker (djathtas) dhe Vladislav Surkov

 

 

Sugjerimet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e një misioni të Kombeve të Bashkuara në pjesën lindore të Ukrainës, që është përfshirë nga lufta, duket se është i zbatueshëm dhe Rusia do ta studiojë atë me kujdes, është cituar nga mediat ruse, këshilltari i Kremlinit, Vladislav Surkov, pas takimit me kolegun amerikan, Kurt Volker.

Surkov dhe Volker janë takuar dje në Dubai.

Volker deri tash nuk ka bërë komente për këtë takim, por është paralajmëruar se do ta ketë një bisedë telefonike me media për ditën e hënë.

Prej prillit të vitit 2014, nga lufta ndërmjet forcave të qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët i kanë nën kontroll pjesë të rajoneve lindore, Luhansk dhe Donjeck, janë vrarë më se 10,300 vetë.

Marrëveshjet e armëpushimt të shpallura si pjesë e Marrëveshjeve të Minskut, pajtueshmëritë e shtatorit të vitit 2014 dhe shkurt të vitit 2015 për zgjidhje të konfliktit, kanë dështuar të respektohen.

Çeki: Milos Zeman është zgjedhur edhe për një mandat presidencial

Presidenti prorus, Milos Zeman, është rizgjedhur president i Çekisë edhe për një mandat pesëvjeçar.

Rezultatet zyrtare pas numërimit të 96.87% të fletëvotimeve tregojnë se Zeman ka fituar me 51.95% të votave, ndërsa rivali i tij proevropian, Jiri Drahos, i ka fituar 48.04%. Zoti Drahos e ka pranuar disfatën.

Zeman, 73 vjeçar, prej vitit 2013 është president i Çekisë, që është në masë të madhe funksion ceremonial.

Ai ka shkaktuar kundërthënie duke shprehur pikëpamje kundër migrantëve, pastaj me denigrim të myslimanëve dhe përmirësim të raporteve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në kohën kur shumë në Evropë kanë shprehur shqetësim për përzierjen e Moskës në punët dhe në zgjedhjet perëndimore.

Zeman, po ashtu, synon marrëdhënie më të afërta me Kinën.

“Dëshiroj ta uroj fituesin e zgjedhjeve, Milos Zeman”, i tha Jiri Drahos, 68 vjeçar, masës së mbështetësve të vet.

Drahos dikur ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekisë.

Poloni, kremtimi i ditëlindjes së Hitlerit nga neo-nazistët shkakton debate

Liderët e vendit kanë dënuar ashpër ekstremistët, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim i cili deri më tani, ka çuar në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e pajisjeve

VARSHAVË – Një video incizim i neo-nazistëve në Poloni, i xhiruar fshehurazi, ka shkaktuar këtë javë kritika të ashpra dhe debate në Poloni, në shtetin ku regjimi i Adolf Hitlerit vrau miliona njerëz në kampet e përqendrimit dhe gjatë bombardimit të qyteteve.

Liderët e vendit kanë dënuar ashpër ekstremistët, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim i cili deri më tani, ka çuar në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe një sasie municioni.

Opinioni është i shqetësuar se polakët e rinj, paraardhësit e të cilëve kanë qenë viktima gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund të përqafojnë një ideologji të tillë.

Presidenti i vendit, Andrzej Duda, tha se “sjellja e neo-nazistëve duhet të çrrënjoset”.

Debati mbarëkombëtar u nxit nga një raport i publikuar në televizionin TVN24, në të cilin u shfaqën pjesëtarët e një grupi neo-nazist polak, duke kremtuar ditëlindjen e 128-të të Adolf Hitlerit.

Rruga më e ngushtë në Bagdad, e gjerë 30 centimetra dhe e gjatë 70 metra

Rruga ndodhet mes shtëpive të vjetra rreth nëntë dekada, në lagjen Kesr të Bagdadit

BAGDAD – Në pjesën e vjetër të kryeqendrës së Irakut, Bagdad, ndodhet një rrugë e ngushtë, më e ngushta në Irak me vetëm 30 centimetra gjerësi.

Rruga ndodhet mes shtëpive të vjetra rreth nëntë dekada, në lagjen Kesr të Bagdadit. Banorët lokal rrugën e quajnë “derbune”, që në përkthim i bie “rruga e ngushtë”.

E njëjta është e gjatë 70 metra, dhe në shtrirjen e saj, janë të vendosura tetë shtëpi. Të njëjtat janë të vjetra, të lëna pas dore dhe të vogla, që në mënyrë shtesë vështirëson jetën e personave që jetojnë në to.

Njëra nga vështirësitë me të cilët përballen banorët në këtë rrugë, është se nga shkaku i ngushtësisë së saj, nuk mund të futen me vetura, prandaj produktet për nevojat shtëpiake ata i bartin me biçikleta ose në dorë.

Pronari i njërës prej shtëpive në “rrugën më të ngushtë”, Yasir Mutassar, për AA tha se nuk janë në gjendje të blejnë mobilie të reja sepse nuk kanë si ti fusin brenda shtëpisë.

“Njëherë bleva një lavatriçe, por nuk munda ta vendos në shtëpi. Tentova për disa orë, dhe më në fund u detyrova ta shes”, tha ai. Përskaj vështirësive, ai ka 35 vjet që jeton në këtë shtëpi.

Ebu Abdullah, një tjetër banor në rrugën më të ngushtë në Bagdad, thotë se kanë vështirësi edhe në rastet kur ndonjë banor ndërron jetë.

“Nëse vdes dikush, arkivolin e nxjerrim nga kulmet e shtëpive tek rruga tjetër, dhe nga atje e dërgojmë te varrezat”, rrëfen Ebu Abdullah, sipas të cilit shtëpitë e kësaj rruge janë të banuara me arab. sunitë dhe shiitë.

Përmbytjet kërcënojnë Parisin, mbyllen rrugët dhe tunelet

Zyrtarët francezë bënë të ditur se në Paris janë regjistruar reshje dyfish më të mëdha se zakonisht

PARIS – Autoritetet e Parisit kanë mbyllur disa rrugë, tunele, parqe dhe katin e poshtëm të Muzeut Louvre për shkak të rritjes së nivelit të lumit Sene.

Reshjet e mëdha të shiut sollën evakuimin edhe në zonat e tjera përgjatë lumit Sene, pasi edhe edhe lumenjtë tjerë dolën nga shtrati.

Seine të enjten mbrëma arriti nivelin prej 4.53 metra në urën Austerlitz në lindje të Parisit.

Pritet që niveli i ujit të rritet edhe gjatë fundjavës. Zyrtarët francezë bënë të ditur se në Paris janë regjistruar reshje dyfish më të mëdha se zakonisht.

Kati i poshtëm i Muzeut Louvre do të mbyllet për publikun deri të dielën, por në muzeu nuk planifikojnë zhvendosjen e veprave artistike. aa

Tre të vdekur në një aksident hekurudhor pranë Milanos

Një tren i mbushur me udhëtarë ka dalë nga binarët pranë qytetit Milano në Itali, duke lënë së paku tre njerëz të vdekur dhe dhjetë të plagosur rëndë.

Autoritetet thanë se disa njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e vagonëve që kanë dalë nga binarët pranë stacionit Pioltello Limito.

Policia tha se një problem gjatë ndërrimit të udhës po hetohet si shkak i mundshëm i fatkeqësisë.

Dëshmitarët thanë se treni është dridhur për disa minuta përpara aksidentit.

Gjermani, një politikan i AfD-së djathtiste konvertohet në Islam

Zëdhënësi i partisë Daniel Friese njoftoi sot se konvertimin e Wagner-it e mësuan madje pas dhënies së dorëheqjes

BERLIN – Një anëtar shumëvjeçar i të djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka braktisur pozitën udhëheqëse në këtë organizatë politike pas kalimit në Islam, raportojnë mediat gjermane.

Këtë lajm e konfirmoi edhe zyra rajonale e partisë në Brandenburg. Siç theksuan, Arthur Wagner para dy javësh “për arsye personale” braktisi pozitën udhëheqëse në këshillin rajonal të partisë.

Zëdhënësi i partisë Daniel Friese njoftoi sot se konvertimin e Wagner-it e mësuan madje pas dhënies së dorëheqjes.

Gazeta e përditshme gjermane “Tagesspiegel” lajmëron se Wagner, i cili partisë nacionaliste iu bashkua në vitin 2013, menjëherë pas themelimit të saj, paraprakisht ka qenë aktiv në grupet që ndihmojnë refugjatët.

Partia AfD është e njohur për retorikën anti-islame dhe programin e saj të bazuar në fushatën e parandalimit të “Islamizimit të Gjermanisë”, sidomos pas vitit 2015 kur pothuajse një milion refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Iraku, arritën në këtë vend.

Lajmet e rreme Papa Françesku i cilëson djallëzore

Papa Françesku i ka cilësuar lajmet e rreme si djallëzore, duke u thënë gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të nxjerrin në pah “taktikat gjarpërore” manipulative, të cilat po krijojnë ndasi në interesat politike dhe ekonomike, transmeton Reuters.

“Lajmet e rreme janë shenjë e qasjeje jotolerante dhe janë aty për të shpërndarë arrogancë dhe urrejtje”, ka thënë ndër të tjera Papa.

Ky dokument është publikuar pas disa mujsh debate në atë, se sa kanë ndikuar lajmet e rreme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe zgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Shpërndarja e lajmeve të rreme mund të avancojë qëllime specifike, të ndikojë në vendimet politike dhe t’iu shërbejë interesave ekonomike”, është thënë në deklaratën e Papa Françeskut.

Puigdemont kandidat për president të Katalonjës

VOAL – Presidenti i Parlamentit katalan, Roger Torrent, shpalli se do të paraqesë emrin e Carles Puigdemont si kandidat për president të Katalonjës.

Emri i Puigdemont, i mbështetur nga fronti indipendentist që e ka shumicën absolute, është emri i vetëm që është lakuar gjatë konsultimeve mes grupeve politike ditëve të fundit, ka saktësuar Torrent. Sesioni i zgjedhjes së presidentit të ri katalan është parashikuar brenda 31 janarit.

Presidenti i deritanishëm, në azil në Bruksel, ka arritur të hënën në Kopenaghen për  të marrë pjesë në një debat në Universitet. Gjykata Supreme spanjolle ka refuzuar kërkesën për të riaktivizuar mandatin e arrestit evropian ndaj politikanit. Kryeministri Mariano Rajoy ka kërcënuar se do të vazhdojë ta zgjasë mbikqyrjen e Kataonjës nëse Puigdemont do të jetë në mërgim.

Lideri indipendentist, i cili duhet ta formojë qeverinë e re katalane, ka thënëse do të “qeverise nga Brukseli, por jo nga burgu”.

Politikani italian Nicoletti, kryetari i ri i APKE-së

Sesioni dimëror i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës të vitit 2018 (APKE) u mblodh me kryesimin e letonezit Boriss Cilevics si anëtari më i moshuar, ku u zgjodh kryetari i ri i APKE-së

STRASBURG – Anëtari i Partisë Demokratike Italiane (PD), Michele Nicoletti, është zgjedhur kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Sesioni dimëror i Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2018 të APKE-së u mblodh me kryesimin e letonezit Boriss Cilevics si anëtari më i moshuar, ku u zgjodh kryetari i APKE-së.

Parlamentari italian Nicoletti i cili ishte kandidati i vetëm u shpall kryetar pa asnjë votim. Ai në fjalimin e parë të tij si kryetar i APKE-së shprehu falënderimet për gjithë ata që kanë mbështetur kandidimin e tij.

Kryetari i ri 61 vjeçar i APKE-së gjithashtu njihet edhe me profesionin e tij si profesor i filozofisë politike. aa

Austri, mbahet vallëzimi tradicional i luleve në Vjenë

Fillimisht për dekorim u përdorën orhidetë në ngjyra të ndryshme si dhe tulipanë, trëndafila, karafilë dhe zambakë

VJENË – Në praninë e një numri të madh të qytetarëve në sallën Rathaus të kryeqytetit austriak Vjenë, u mbajt vallëzimi i 96-të i luleve.

Vallëzimi i sivjemë u mbajt nën moton “loja e ngjyrave”, kurse brendia e bashkisë së qytetit ishte dekoruar me lule të llojllojshme.

Ngjyrat kryesore të luleve janë e verdhë e çelët, e bardhë, kaltër e çelët dhe rozë. Fillimisht për dekorim u përdorën orhidetë me ngjyra të ndryshme si dhe tulipanë, trëndafila, karafilë dhe zambakë. aa

Evropë: Nëntë vetë kanë humbur jetën nga stuhia Friederike

Nëntë vetë, përfshirë dy zjarrfikës, janë vrarë nga stuhia e djeshme në pjesën veriore të Evropës, e cila e ka bllokuar edhe trafikun ajror dhe hekurudhor.
Nga stuhia kanë vdekur gjashtë vetë në Gjermani, dy holandezë dhe një person në Blegjikë.
Kjo stuhi me emrin, Friederike, i ka dëmtuar edhe shkollat dhe objektet e tjera në shtetin lindor gjerman, Thueringia, raporton agjencia AFP.
Policia gjermane tha se shpejtësia e erës në disa rajone, kishte arritur edhe 203 kilometra në orë.

Moti me stuhi dhe reshje shkakton 6 viktima dhe shumë dëme në Evropën Veriore

VOAL – Moti me stuhi, që po mbretëron nga e mërkura në shtete të ndryshme të Evropës Veriore, ka shkaktuar deri tani dy viktima në Hollandë, tre në Gjermani dhe një në Belgjikë. Shumë dëme kanë pasur transportet dhe popullsia.

Në Gjermani, për shkak të uraganit “Friederike”, trafiku hekurudhor i linjave të largëta është ndërprerë në gjithë territori. Ndërkohë janë të ndaluar të gjithë trenat në Vestfalinë e Sipërme Renane dhe në Saksoninë e Ulët.

Në gjendje alarmi është edhe Belgjika, Irlanda e Veriut, Skocia, Anglia Veriore transportet janë vështirësuar për shkak të borës. Shkollat janë mbyllur në shumë zona.

Stuhi të fuqishme në Holandë, shikoni si i përplas era njerëzit në tokë (VIDEO)

AMSTERDAM – Stuhi të fuqishme kanë mbërthyer Holandën këto ditë duke shkaktuar kaos në shumë qytete.

Madje edhe aeroporti i Amsterdamit ka pezulluar të gjitha fluturimet, po ashtu edhe shërbimi hekurudhor është jashtë funksionit.

Instituti Mbretëror i Meteorologjisë Holandeze lëshoi një kod të kuq, paralajmërimi më i ashpër i motit, për pjesë të mëdha të vendit të enjten dhe tha se fuqia e erës arriti në 140kph.

Gjithashtu zyrtarët u kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë nëpër shtëpi. Videot e mëposhtme tregojnë se si i ka marrë era njerëzit në rrugë.

Juncker: Të gjitha kontestet kufitare në Ballkan duhet të zgjidhen

“Pranimi në Bashkimin Evropian nuk është gjë e lehtë”, ka thënë sot presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Zoti Juncker, duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, theksoi se “dëshiron tu tregojë shteteve në Ballkan se cilat janë pritjet” e Bashkimit Evropian nga vendet e Balkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër ai theksoi:
“Hyrja në Bashkimin Evropian nuk është gjë e lehtë. Ajo nuk bie nga qielli. Duhet të punohet për këtë gjë. Po ashtu, dëshiroj të them në mënyrën më miqësore: të gjitha kontestet kufitare, të cilat ekzistojnë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të zgjidhen para anëtarësimit”, tha Jean-Claude Juncker, i cili në fund të muajit shkurt dhe fillim të marsit e viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mogherini bisedë telefonike me presidentët Thaçi dhe Vuçiç

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje si dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë për të marrë rrugën e saj

PRISHTINË – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zv/presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, pas vrasjes së liderit të serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç.

Përmes një deklarate në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Mogherini fuqishëm ka dënuar vrasjen dhe se shpreh ngushëllimet e saj për familjen dhe miqtë e Ivanoviçit.

“Ajo theksoi shpresën se autoritetet kompetente të sundimit të ligjit të Kosovës nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur autorët dhe për të sjell ato para drejtësisë pa u vonuar. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, do të mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje si dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë për të marrë rrugën e saj.

Kujtojmë se Ivanoviç u vra sot me armë para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

“Misionet ndërkombëtare në Kosovë dënojnë vrasjen e Oliver Ivanoviçit”

Lidhur me vrasjen e liderin të serbëve të veriut kanë reaguar edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja në Kosovë, duke e dënuar të njëjtin.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, është shprehur se është i tronditur dhe thellë i pikëlluar pas lajmit për vrasjen e Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut.

“Ai ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës për pothuajse dy dekada. Ka treguar angazhim të palodhshëm në të mirë të komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i vlerësuar në Kosovë,” ka thënë Braathu, njofton misioni i OSBE-së në Kosovë.

Sipas Braathu-t, vrasja e Ivanoviçit është thellësisht shqetësuese.

“E kam pasur privilegjin që ta njoh personalisht për vite dhe gjithmonë e kam admiruar intelektin, qetësinë dhe përkushtimin e tij. Të shohësh vrasjen e një politikani me gjakftohtësi në vitin 2018 në Kosovë është mendim shqetësues. E dënoj në mënyrën më të fuqishme këtë akt mizor dhe i ftoj zbatuesit e ligjit, por edhe akterët tjerë, që të bëjnë gjithçka që munden për t’i sjellë kryerësit para drejtësisë. Ky do të jetë test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka theksuar Braathu.

Ndërkaq edhe përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut (Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë), Zahir Tanin, dënon ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Në një komunikatë nga zyra për media e UNMIK-ut thuhet se “Ai beson që organet hetuese do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe ato të gjithë familjes së OKB-së, familjes dhe miqëve të Ivanoviç”.

Gjithashtu edhe ambasadori SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka dënuar në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen e Ivanoviçit mëngjesin e sotëm.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara, të hetojnë këtë incident shpejtë dhe në mënyrë profesionale dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme, të jenë të qetë në këtë kohë të ndjeshme dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, ka porositur Delawie, njofton ambasada e SHBA-ve në Kosovë. aa

Vitin e kaluar mbi 15 mijë fëmijë të pashoqëruar arritën në Itali

Në kumtesën e organizatës “Save the Children” thuhet se kjo shifër në vitin 2016 ishte 25.840

ROMË – Më shumë se 15.730 fëmijë të pashoqëruar vitin e kaluar kanë mbërritur në Itali përmes detit, bën të ditur organizata “Save the Children”.

Nga organizata thonë se fëmijët kanë ardhur në Itali të vetëm, pa shoqërues të anëtarëve të familjes ose mbikëqyrjen e një të rrituri.

Më tej theksohet se kjo shifër në vitin 2016 ishte 25.840.

Po ashtu në deklaratë thuhet se më shumë se 380 fëmijë presin për strehim në Itali dhe se për 79 prej tyre nuk është gjetur strehim, pavarësisht se kërkesat e tyre u miratuan.

Ndërkaq, 151 fëmijë presin për miratim nuk dihet identiteti i 154 fëmijëve të tjerë.

 

Më shumë se 80 vende të botës të prekura nga virusi salmonela

Logoja e kompanisë franceze, Lactalis, foto nga arkivi

Kompania franceze e qumështit, Lactalis, ka deklaruar që më shumë se 12 milionë kuti të qumështit për foshnje janë tërhequr nga tregu në 83 vende të botës, pas shqetësimeve se mund të jenë prishur nga bakteria salmonella.

Shefi ekzektutiv i kompanisë, Lactalis, Emmanuel Besnier, ka konfirmuar për skandalin e kontaminimit për një media franceze.

Produktet janë tërhequr nga tregu prej muajit dhjetor, që kur bakteria është identifikuar në një fabrikë në veriperëndim të Francës.

Revista e përjavshme, Le Journal du Dimanche, ka thënë se 35 foshnje janë diagnostikuar me bakterien salmonella në Francë, një në Spanjë dhe një rast i mundshëm në Greqi.

Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire, ka thënë se çdo produkt që ende ka mbetur nëpër dyqane duhet të largohet menjëherë.

Thirrja për largim vlen për produktet e kompanive, Picot, Milumel, dhe Taranis.

Bakteria salmonella mund të shkaktojë barkqitje, të vjella dhe dehidrim.

Mund të jetë shumë e rrezikshme për foshnjat.

Lactalis, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të qumështit.

Portugali, të paktën 8 të vdekur nga zjarri në një ndërtesë

Zjarri në ndërtesën dy katëshe u shkaktua pas shpërthimit të një shporeti me dru, kurse sipas Mbrojtjes civile së paku 50 persona janë plagosur

LISBONË – Të paktën tetë persona e kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në zjarrin që shpërtheu në një ndërtesë në qendër të qytetit portugez Tondel, 250 kilometra në veri të Lisbonës, njoftuan autoritetet lokale.

Zjarri në ndërtesën dy katëshe u shkaktua pas shpërthimit të një shporeti me dru, kurse sipas Mbrojtjes civile së paku 50 persona janë plagosur, disa prej të cilëve kanë pësuar plagë të rënda.

Dëshmitarë okularë thonë se zjarri shkaktoi panik në mesin e rreth 60 njerëzve të cilët ndodheshin në ndërtesë ku merrnin pjesë në një turne të popullarizuar të lojës me letra.

Deri tek paniku erdh edhe si pasojë e tymit të dendur që përfshiu hapësirat e ndërtesës. Dhjetra zjarrfikës dhe dy helikopterë shpëtimi me shpejtësi arritën në vendin e aksidentit për të evakuuar të lënduarit.

Protestuesja e quan presidentin çek “prostitutë të Putinit”

Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman, është sulmuar nga një protestuese gjysmë e zhveshur me fjalët “Zeman, prostitutë e Putinit”, derisa ai ka qenë duke votuar në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Duke thirrur disa herë të njëjtin slogan, gruaja ka vrapuar drejt Zemanit në një qendër votimi në Pragë, përpara se të largohej nga rojet e tij.

Femen, një grup ndërkombëtar i feministeve, tha në ueb-faqen e tij se gruaja është Angelina Diash, shtetase e Ukrainës.

Zeman fillimisht është nxjerrë jashtë nga qendra e votimit, por është kthyer shpejt për të votuar.

Ai garon për mandatin e dytë presidencial.

Zeman ka shkaktuar polemika duke shprehur pikëpamje anti-migrante, duke nënçmuar myslimanët dhe duke ngrohur marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, në kohën kur shumë në Evropë druajnë se Moska po ndërhyn në zgjedhjet dhe çështjet e tjera në Perëndim.

Kandidatët e tjerë për president të Çekisë përfshijnë tekstshkruesin Michal Horacek, ish-kryeministrin e krahut të djathtë, Mirek Topolanek, dhe Vratislav Kulhanekun, ish-shef i fabrikës çeke të makinave, Skoda Auto.

Arrihet marrëveshja për koalicion të madh në Gjermani

Pas një takimi maratonik prej gati 24 orësh u kumtua vendimi për marrëveshjen. Kancelarja Merkel mbetet në këtë post.

Liderët e partive të Unionit CDU/CSU Angela Merkel dhe Horst Seehofer, si dhe ai i socialdemokratëve Martin Schulz, siç njoftojnë agjencitë gjermane të lajmeve, kanë arritur marrëveshje gjatë një takimi prej gati 24 orësh, që të vazhdojnë koalicionin e madh në Gjermani. Përfaqësuesit e partive kanë hartuar një dokument prej 28 faqesh, i cili është dakorduar gjatë këtyre bisedimeve në nivelin më të lartë, thotë qarqet e afërta me negociatorët. Angela Merkel, Horst Seehofer dhe Martin Schulz do ta paraqesin gjatë ditës këtë marrëveshje para gazetarëve, transmeton DW.

Bisedimet përfundimtare mes këtyre partive për vazhdimin e koalicionit, i cili edhe tani është në pushtet, kanë filluar para një jave. Gjatë bisedimeve ka pasur mosmarrëveshje dhe tendosje për shumë çështje: refugjatët, ekonominë, financat… por thuhet se ato janë harmonizuar. Gjatë ditës do të dihet më shumë për marrëveshjet e arritura. Këtë marrëveshje duhet ta miratojnë edhe organet e partive që do të futen në koalicion.

Një miliard euro për supërkompjuterat

Bashkimi Evropian kërkon të ngushtojë dallimin me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Edhe Zvicra do të marrë pjesë në këtë projekt

VOAL – Bashkimi Evropian synon të investojë një miliard euro brenda vitit 2020 për të krijuar supërkompjutera më të përkryr, me qëllim që të kapërcejë vonesën e krijuar në këtë fushë në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. “Do të marrim pjesë në një maratonë,” ka dekluar Komisari evropian për kërkimin Carlos Moedas, “e na duhet të vrapojmë më shpejt.”

Një supërllogaritës lejon të trajtohen vëllime të mëdha të dhënash duke mundësuar llogaritje më komplekse, dhe mund të jetë e dobishme, mes të tjerash, për parashikime meteorologjike dhe për të zbuluar ilaçe të reja.

Paris: Gjenden disa nga stolitë e vjedhura në hotel Ritz

VOAL – Nje pjesë e mirë e vjedhjes së mbrëmshme me grabitje të stlive me vlerë “mbi 4 milionë euro” në hôtel Ritz in Place Vendôme në Paris është kapur nga forcar e rendit. Një burim i polcië franceze ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e tyre janë kapur në çastin e ndalimit të tre prej pesë grabitësve.

Gjithnjë sipas policisë, njëri prej keqbërësve ende në ikje, ka humbur një çantë me stolira dhe me orë të vejdhura të mërkurën në mbrëmje.

Ikja e grabitësve ishte më e ndërlikuar se parashikohej. Ata kishin hyrë në hotel nga ana e prapme, kishin mbetur të bllokuar pas grabitjes, pastaj janë detyruar t’ua kalojnë objektet dy personave të jashtëm, të cilët kanë ikur pastaj me një veturë, duke i marrë me vete stolitë e vjedhura.

 

Norvegjia thirrje emigrantëve për punësim: 4 mijë euro rrogë për këto profesione!

E cilësuar si një nga vendet me standartet më të larta të jetesës, Norvegjia ka hartuar një plan të ri masash ku ofron mundësi punësimi për emigrantët që duan të punojnë në këtë shtet për disa profesione të caktuara.

Sipas një postimi të Zyrës Europiane për Punësim, Norvegjia po kërkon inxhinierë, mësues, mjekë, infermierë, shoferë autobusësh, kuzhinierë e kamerierë, me një pagë të mirë e cila varion nga 4 mijë euro në 5 mijë euro në muaj.

 

Norvegjia është një shtet i pasur me naftë, ka jetëgjatësi të banorëve, që kap moshën e 81 viteve dhe një të ardhur mesatare vjetore për banorët prej 58.810 dollarësh.

Për më tepër informacion shikoni në liknun: https://www.nav.no/workinnorway/en/Home

Kryeministri hungarez: Refugjatët në Europë janë thjesht pushtues myslimanë

BUDAPEST – “Refugjatët në Evropë janë thjesht pushtues myslimanë dhe emigrantë ekonomikë që kërkojnë jetë më të mirë”, është shprehur kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban teksa ka shtuar se numri i madh i myslimanëve në Bashkimin Evropian na çojnë në shfaqjen e shoqërive paralele.

I pyetur në një intervistë për gazetën gjermane “Bild” se për çfarë arsye Budapesti nuk pranon refugjatë, Orban tha se nuk i konsiderojnë si refugjatë myslimanë por si pushtues myslimanë.

“Azilkërkuesit nga Siria duhet të kalojnë katër vende që të mbërrijnë në Hungari, vende të cilat nuk janë të pasura si Gjermania por kanë ekonomi të qëndrueshme”, tha kryeministri i Hungarisë.

Megjithatë, ai theksoi se mund të flasë vetëm për hungarezët dhe se ata nuk e dëshirojnë emigracionin, kështu që qeveria nuk mund të veprojë kundër dëshirës së popullit. Më tej, ai vuri në dukje se asnjë refugjat nuk dëshiron të shkojë në Portugali për shembull, por pjesa më e madhe e tyre dëshirojnë të jetojnë në Gjermaninë e begatë.

Orban vuri në shënjestër politikën e dyerve të hapura të kancelares gjermane Angela Merkel sa i përket azil kërkuesve.

“Asnjëherë nuk e kam kuptuar sesi kaosi, anarkia, kalimi i paligjshëm i kufijve shihen si diçka e mirë në një vend si Gjermania, të cilën e shohim si shembullin më të mirë. Nëse dikush dëshiron të vijë në shtëpinë tënde, ai i bie derës dhe pyet: A mund të futem brenda? Ndërsa azil kërkuesit nuk veprojnë kështu, por i kalojnë kufijtë ilegalisht”.

Kryeministri hungarez u shpreh më tej se multikulturalizmi është thjesht një iluzion, pasi shoqëria krishtere me atë myslimane nuk do bashkohen kurrë.

Macron i përkujton viktimat e sulmit në Charlie Hebdo

Emmanuel Macron gjatë nderimit të viktimave të sulmit në redaksinë e revistës Charlie Hebdo në Paris

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka vendosur kurorë lulesh para ish-zyrës së revistës satirike, Charlie Hebdo, në trevjetorin e vrasjes së pjesëtarëve të kësaj redaksie nga militantët islamikë.

Sipas kërkesës së familjes së viktimave, ceremonia e sotme e vendosjes së kurorës, ishte e një niveli modest.

Macron shoqërohej nga gazetarët, që e kishin mbijetuar sulmin, dhe nga anëtarja e qeverisë së tij dhe kryetare e Parisit, Anne Hidalgo.

Dy islamistë francezë, të cilin kishin shprehur lojalitet ndaj rrjetit terrorist, Al -Kaida, i patën vrarë 11 vetë në zyrat e revistës, Charlie Hebdo, më 7 janar të vitit 2015.

Austri, fëmija i parë i 2018-ës një myslimane, plasin komentet raciste në internet

VJENE – Vogëlushja Asel, e cila erdhi në jetë 47 minuta pas mesnatës së Vitit të Ri, është foshnja e parë e vitit 2018 në Vjenë të Austrisë. Por në vend të urimeve për ardhjen e saj në jëtë, fëmija është pritur nga një valë deklaratash raciste, urrejtjeje dhe fyerjesh, vetëm sepse është vajza e një çifti myslimanësh, Naime dhe Alper Tamga.

Në foton e bërë nga spitali, që është publikuar nga mediat kryesore austriake, Asel mbahet në krahë nga nëna, e cila është e mbuluar me shami raporton Tg.com. Në faqet sociale të gazetave lokale, janë vërejtur komente të panumërta raciste.

“Shpresoj që të vdesë”, – është një nga komentet e shkruar nga dikush në “Facebook”. “Dëbojeni këtë familje menjëherë”, – ka shkruar një tjetër. E vogla Asel madje, akuzohet se do të jetë një “terroriste e ardhshme”. Shoqatat që punojnë për mbrojtjen e emigrantëve dhe refugjatëve dhe për të drejtat në web, thonë se nuk e kanë parë asnjëherë një gjë të tillë.

Mes çudisë dhe shqetësimit, operatorët që punojnë me emigrantët e huaj, komentojnë valën e urrejtjes drejt një të sapolindure në Austri, shtet që drejtohet nga një qeveri me prirje të djathta ekstremiste.

Sekretari i Përgjithshëm i filialit vjenez të Caritas-it, Klaus Schwertner, shkruan në “Facebook”: “Në orët e para të lindjes, ky fëmijë i ëmbël është shenjëstruar nga një valë komentesh të dhunshme, plot urrejtje. Është një dimension totalisht i ri i urrejtjes ‘online’, që shënjestron një të sapolindur të pafajshëm”.

Funksionari i Caritas-it, ka lëshuar një apel, ku të dërgohen dhe publikohen mesazhe mbështetjeje për beben e parë të 2108-ës në Austri, një ftesë e ndarë prej disa ditësh nga 10 mijë persona.

Erdogani nesër tek Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron përshëndet homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. 25 maj, 2017

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po përpiqet që të përmirësojë raportet e vendit të tij me shtetet evropiane, pas përkeqësimit të marrëdhënieve më 2017, kur Erdogan kishte akuzuar liderët evropianë për sjelle naziste.

Erdogan do të vizitojë Francën të premten, ku do të takohet me homologun e tij Emmanuel Macron, përderisa ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu të shtunën do të takohet në Gjermani, me homologun e tij, Sigmar Gabriel, raporton AP.

Vizita e Erdoganit në Francë, vjen një javë pasi ai kishte thënë se Turqia shpreson që të përmirësojë raportet me disa shtete evropiane, duke thënë se vendi i tij “duhet të ulë numrin e armiqve dhe të rrisë atë të miqve”.

Itali, vidhet stoli e familjes mbretërore Al Thani

Kryeshefi i policisë së Venecias, Vito Gagliardi, konfirmoi se nga pallati Dukler është vjedhur karficë dhe një palë vathë nga koleksioni i familjes mbretërore të Katarit

ROMË – Është vjedhur stolia e familjes mbretërore të Katarit, Al Thani, e ekspozuar në një pallat në Venecia të Italisë.

Kryeshefi i policisë së Venecias, Vito Gagliardi, konfirmoi se nga pallati Dukler është vjedhur një karficë dhe një palë vathë nga koleksioni i familjes mbretërore të Katarit.

Sipas tij polica ka reaguar menjëherë pas aktivizimit të alarmit, por autorët e ngjarjes arritën të ikin.

Supozohet se stolia e vjedhur vlen miliona euro. aa

Vidhet shishja e vodkës ruse, kishte vlerë 1.3 milion dollarë

Shishja e vjedhur në Danimarkë

Një pronar i një lokali danez ka thënë se i është vjedhur një shishe e veçantë e vodkës ruse, e cila kishte vlerë 1.3 milion dollarë.

Policia në Kopenhagë ka konfirmuar se më 3 janar, një hajn ka hyrë në lokalin, Café 33 dhe ka vjedhur nga nga shishet e koleksionit.

Shishja ishte e krijuar nga tre kilogramë ari dhe tre të tjerë argjend.

“Atë shishe e kam siguruar nga fabrika Dartz, e cila krijon veturat dhe vodkat më të shtrenjta. Ajo ka qenë pjesë e koleksionit tim për gjashtë muaj, mirëpo jo më”, ka thënë pronari, Brian Ingberg.

“Natyrisht jam shumë i shqetësuar. Ajo ka qenë kremi mbi tortë në koleksionin tim. Nga 1,200 shishet që posedoj, ajo ka qenë shumë e veçantë për mua”, ka thënë Ingberg.

Shishja ka fituar vëmendje pasi është shfaqur në serinë televizive amerikane “House of Cards”.

Stuhia në shumë pjesë të Evropës perëndimore shkakton rrëmujë

Stuhia që ka përfshirë shumë pjesë të Evropës perëndimore, ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike në vende të shumta, probleme në trafikun rrugor dhe ajror.

Në Francë, nga era e fuqishme që ka kapluar vendin kanë mbetur 9 persona të lënduar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Francës sot bëri të ditur se nëntë persona janë lënduar gjatë erës së stuhishme që goditi vendin.

Më tej theksuan se katër persona janë në gjendje të rëndë pas një aksidenti të shkaktuar nga era, e cila sot arriti shpejtësinë mbi 160 kilometra në orë.

Nga ministria në fjalë theksojnë se në rajonin e Parisit një pemë ka rënë mbi një automjet duke lënduar seriozisht një person, ndërsa një tjetër u lëndua kur u rrëzua nga ndërtesa.

Në Eure-et-Loire një motoçiklist goditi një pemë e cila ishte çrrënjosur dhe shembur në rrugë. Në lindje të vendit, një grua u lëndua rëndë kur një objekt e goditi në kokë.

Stuhia ndikon negativisht edhe në Gjermani

Ndërsa stuhia në jug dhe perëndim të Gjermanisë gjithashtu ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.

Pemët e shembura në provincat Rhine-Westphalia Veriore, Rheinland Pfalz, Baden-Württemberg dhe Bavyera, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë e cila ka arritur shpejtësinë deri në 120 kilometra në orë, shkaktuan ndërprerje në autostrada dhe nisjen e trenave.

Në lajmet e mediave gjermane thuhet se disa rrugë në qytetet Essen dhe Mülheim janë përmbytur dhe se në të paktën 3 vendbanime të provincës Rheinland-Pflalz ka patur ndërprerje në furnizimin me energji elektrike.

Kopshtet zoologjike në disa rajone po mbahen të mbyllura për shkak të stuhisë.

Reshjet e dendura kanë rritur nivelin e ujit në lumin Ren, ndërkaq edhe udhëtimet me anije janë kufizuar. Po ashtu bëhet e ditur se janë reduktuar nisjet dhe uljet e avionëve nga aeroporti i Frankfurtit.

Hekurudhat gjermane (Deutsche Bahn) njoftojnë se një tren me pasagjerë në afërsi të qytetit Selm ka goditur pemën, e cila kishte rënë në binarët e hekurudhës.

Në anën tjetër u bëhet thirrje edhe shoferëve të automjeteve që të jenë më të kujdesshëm.

Departamenti Meteorologjik i Gjermanisë kërkon nga qytetarët që të qëndrojnë larg rajoneve pyjore, ku paralajmëroi se stuhia mund të vazhdojë deri në mbrëmje dhe se mund të përhapet edhe në pjesën veriore të shtetit.

Zvicër, mungesë e energjisë elektrike

Stuhia ka përfshirë gjithashtu dhe Zvicrën ku ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike, anulimi i fluturimeve në Zyrih dhe Bazel si dhe deri tek përmbysja e kamionëve në autostradë.

Mediat lokale lajmëruan se janë anuluar së paku 11 fluturime, ndërsa disa të tjera janë ridestinuar në aeroporte tjera, mes të cilave edhe dy fluturime të Turkish Airlines nga Stambolli për në Zyrih dhe Bazel. Të dyja fluturimet janë ridestinuar në aeroportin në Milano.

Mijëra familje në liqenin e Zyrihut kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë, ndërsa zjarrfikësit kanë marrë shumë telefonata për ndihmë për shkak të pemëve të shembura që kanë bllokuar rrugët dhe përmbytjet që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.

Në raportet e mediave po ashtu theksohet përmbysja e kamionëve në pjesën e autostradës pranë Emmenit.

Stuhia “Eleanor” godet Britaninë, mijëra banorë pa energji elektrike

Stuhia “Eleanor”, e cila solli erëra, reshje dhe valë të mëdha, sot në gjithë Mbretërinë e Bashkuar shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme në komunikacion.

Instituti Meteorologjik njoftoi se shpejtësia e stuhisë e cila në disa vende ka arritur në 162 kilometra në orë pritet të ulet sot pasdite.

Instituti u bën thirrje Anglisë, Uellsit, Irlandës së Veriut dhe rajoneve jugore të Skocisë që “të jenë të gatshëm” për kushtet e vështira atmosferike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet në gjithë ishulin për shkak të reshjeve të dendura.

Për shkak të erërave dhe reshjeve të dendura, Instituti Meteorologjik ka dhënë alarm të verdhë dhe portokalli në shumë rajone.

Stuhia shkakton dëme në Holandë

Instituti Meteorologjik i Mbretërisë së Holandës (KNMI), si pasojë e stuhisë së fuqishme që lëviz me shpejtësi 130 kilometra në orë, në pjesën veriperëndimore të vendit ka dhënë alarm portokalli, ndërsa në rajonet e tjera alarm të verdhë.

Për shkak të stuhisë, në vend po përjetohen vështirësi në komunikacionin tokësor, ajror dhe hekurudhor. Stuhia e cila nisi në mbrëmje dhe u përshpejtua në orët e mesditës së sotme, dëmtoi disa shtëpi dhe ndërtesa, ndërkaq me pemët e thyera u dëmtuan automjetet përreth.

Për shkak të stuhisë dhe ngritjes së nivelit të ujërave, për herë të parë në shtet, për shkak të sigurisë janë mbyllur 5 pendat më të mëdha në vend.

Në Schiphol, aeroportin më të madh në vend ka vështirësi fluturimi, ndërsa janë anuluar mbi 250 fluturime. Zyrtarët u bënë thirrje shoferëve të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

Letonia nuk e lejoi hyrjen e gazetarit nga Rusia

Pamje e një pjese të kryeqytetit Riga në Letoni

Ministri i brendshëm i Letonisë, Rihards Kozlovskis, tha sot se autoritetet nuk e kanë lejuar reporterin televiziv nga Rusia, Anatoly Kurlayev, për të hyrë në këtë vend “për një periudhë të pacaktuar kohore”.

Në deklaratën e tij, ky ministër nuk i ka dhënë arsyet e ndalesës së tillë.

Kozlovskis tha se Letonia në vitin 2007 e kishte përpiluar një listë të zezë me afro 100 emra për shkaqe të ndryshme, përfshirë “qasjen jomiqësore” ndaj Letonisë dhe popullit të vet.

Kurlayev është arrestuar dhe dëbuar nga Letonia, pasi më 1 janar kishte hyrë në Letoni.

Kurlayev më vonë i ka thënë televizionit rus, Channel One, se autoritetet e Letonisë ia kanë paraqitur atij një dokument të nënshkruar nga ministri i brendshëm, me të cilin shpallet se atij i është ndaluar hyrja në Letoni prej vitit 2015.

Raportohet se tensionet ndërmjet Rusisë dhe ish-republikave sovjetike baltike, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, janë shtuar prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014.

Të tri këto shtete baltike aktualisht janë anëtare të NATO-s.


Send this to a friend