VOAL

VOAL

Gjermania dënon “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian

Një demonstrues mban një fotografi të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, me mbishkrimin “Liro Jamshid” gjatë një demonstrate për lirimin e tij përpara Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin, korrik 2023.

 

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e dënoi të hënën “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, i cili ishte dënuar për akuza të kontestuara në lidhje me terrorizmin.

Mizan, agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, raportoi se dënimi me vdekje për Sharmahdin u zbatua më 28 tetor “pasi Gjykata e Supreme e mbajti në fuqi vendimin e gjykatës”.

Baerbock e dënoi ashpër regjimin iranian për ekzekutimin e 69-vjeçarit Sharmahd, duke deklaruar se kjo “tregon edhe një herë se çfarë lloj regjimi çnjerëzor sundon në Teheran: një regjim që përdor vdekjen kundër të rinjve, popullsisë së vet dhe shtetasve të huaj”.

Ajo shtoi se Berlini e ka bërë të qartë vazhdimisht se “ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda”.

Sharmahd, i cili kishte gjithashtu lejeqëndrimi në SHBA, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.

Katërmbëdhjetë iranianë dhe 210 të tjerë u plagosën në sulmin në xhaminë Sayyid al-Shuhada Husseiniya në Shiraz, gjatë një ceremonie për ta nderuar imamin Hussein, imamin e tretë të myslimanëve shiitë.

Ministria e Inteligjencës e Iranit akuzoi Sharmahdin për planifikimin e sulmit, një akuzë të cilën familja e tij e hodhi poshtë si “qesharake”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së e cilësoi trajtimin e Sharmahdit nga Irani si “të gabueshëm” dhe përshkroi si “farsë” gjykimin ndaj tij.

“Ne e kemi bërë prej kohësh të qartë se kundërshtojmë mënyrën se si Irani kryen ekzekutimet, shpesh në një mënyrë që shkel të drejtat themelore të njeriut”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, më 28 tetor.

Sharmahd u arrestua në rrethana të paqarta dhe u akuzua nga Ministria e Inteligjencës e Iranit si i përkiste grupit opozitar iranian Asambleja Mbretërore e Iranit, ose Tondar.

Me seli në Los Angeles, Tondar deklaron se synon ta rrëzojë republikën islamike dhe ta rivendosë një monarki të ngjashme me atë të Kirit të Madh. Ky grup drejton kanale televizive dhe radioje të opozitës proiraniane jashtë vendit, si dhe kanale në rrjetet sociale. REL

Marrëdhëniet me Rusinë e Kinën, ndër pikat kryesore të Raportit të Progresit për Serbinë

Radio Evropa e Lirë

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dialogu me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme janë aspektet kryesore të kapitujve politikë në Raportin e Progresit për Serbinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian.

Ky raport vjetor, me të cilin vlerësohet përparimi i vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pritet të publikohet më 30 tetor.

Por, burime të afërta me Radion Evropa e Lirë kanë pasur tashmë qasje në draftin e tij.

Sipas tyre, Serbia, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ka vepruar vetëm pjesërisht në përputhje me qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thuhet se Serbia ka vazhduar të bashkëpunojë me BE-në në ofrimin e mbështetjes financiare dhe humanitare për Ukrainën, por vihet në pah se ajo nuk ka respektuar asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë.

Dokumenti thekson se Serbia ka mbajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve me Federatën Ruse dhe se ka intensifikuar marrëdhëniet me Kinën – gjë që “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik” të saj.

Në raport, Komisioni Evropian rikujton se nga Serbia pritet që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj me qëndrimet e miratuara nga BE-ja, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Dialogu është kyç

Draft-raporti, po ashtu, thekson se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet në masë të madhe nga progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Aty thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në shkurt të vitit 2023, si dhe Aneksi për zbatimin e saj, janë dokumente ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

“Asnjë formalitet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin e tij, nuk duhet ta pengojë progresin në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në draftin e dokumentit, për të cilin është njoftuar REL-i.

Marrëveshja e as aneksi i lartpërmendur nuk janë nënshkruar, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

Në draftin e Raportit të Progresit thuhet se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.

Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të asaj që ato zbatojnë, thekson draft-raporti, duke kujtuar se normalizimi mbetet kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Nga Serbia pritet t’i ndjekë autorët e sulmit në Banjskë

Në draft-raport vlerësohet se gjatë periudhës që mbulon ai, ka pasur tensione të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Aty theksohet se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën vazhdon të ndikohet negativisht nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për t’i ndjekur përgjegjësit për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë.

Ky sulm, siç vlerësohet në raport, ishte “përshkallëzimi më i madh i viteve të fundit”.

Sipas draft-dokumentit, BE-ja pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i marrë masat e nevojshme për arrestimin dhe nxjerrjen e shpejtë para drejtësisë të autorëve të sulmit.

Gjithashtu, konsiderohet se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në prill të vitit 2023, ndikojnë keq në obligimet e Serbisë në dialog.

Draft-raporti kritikon edhe veprimet e autoriteteve të Kosovës në zonat e banuara me shumicë serbe, si: ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros, mbylljen e Postës së Kursimeve të Serbisë dhe mbylljen e zyrave të institucioneve tjera serbe.

Vlerësohet se këto veprime janë në kundërshtim me zotimet e marra në dialog.

Në draft-dokument thuhet se BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësime për mungesën e vazhdueshme të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ të veprimeve të saj te njerëzit në terren.

Fatkeqësisht, thekson dokumenti, nuk është arritur të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme reciprokisht për njerëzit më të prekur nga këto veprime.

Ngecje në reforma për shkak të zgjedhjeve të parakohshme

Burimet e Radios Evropa e Lirë, të informuara për përmbajtjen e dokumentit, thonë se raporti i këtij viti thekson se zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe, për pasojë, ndërprerja e funksionimit të Qeverisë dhe Parlamentit “e kanë ngadalësuar progresin e reformave” në këtë vend.

Sipas tyre, raporti thekson nevojën për vullnet të fortë politik, planifikim efikas dhe koordinim të planeve, si dhe burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që Serbia ta përshpejtojë punën në përmbushjen e objektivave në negociatat e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve serbe do t’u kërkohet, po ashtu, ta kenë prioritet komunikimin proaktiv dhe objektiv për procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe shtypjen e dezinformatave në mediat kombëtare.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti i Progresit pritet t’u kërkojë Kosovës e Serbisë zbatimin urgjent të marrëveshjeve

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.

Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.

Radio Evropa e Lirë u informua për tekstet e tyre, në të cilat të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet.

Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.

Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.

Aty kërkohet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve.

Në raport vlerësohet se tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, mbeten të larta dhe përsëriten kritikat ndaj autoriteteve të Kosovës për ato që cilësohen si “veprime të pakoordinuara”, të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.

Vazhdimi i bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve konsiderohet si “prapakthim serioz i Serbisë në zbatimin e obligimeve nga dialogu”.

Komisioni Evropian kërkon që palët në dialog ta respektojnë Marrëveshjen për vizitat zyrtare, t’i mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve në territorin e vendeve të njëra-tjetrës, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Bëhet thirrje, po ashtu, që funksionimi i nismave rajonale të mos ndikohet nga mospajtimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë.

Komisioni Evropian edhe me këtë dokument vjetor i bën thirrje Kosovës që ta nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aty kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023.

Ky propozim, thuhet në raport, është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkaq, për propozimin që është dorëzuar nga ana e ekipit menaxhues, i përbërë nga serbët e Kosovës, thuhet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, ndaj kërkohet që si bazë të merret pikërisht ai që quhet “propozimi evropian”.

Në draft-raportin për Serbinë thuhet se obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35.

Kështu që për Serbinë, kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe normalizimi i raporteve me Kosovën do të kushtëzojnë dinamikën e tërë procesit të integrimit të saj në BE.

Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.

Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga kjo përbërje e Komisionit Evropian, pasi, së shpejti, mandatin e ri pesëvjeçar do ta nisë Komisioni me përbërje të re. REL

Përvjetori i ‘Marshimit në Romë’ tërheq qindra njerëz në kriptin e Musolinit

Rreth gjashtëqind njerëz, të veshur me të zeza, u mblodhën në qytetin verior italian të Predappio të shtunën për të përkujtuar 102 vjetorin e Marshimit në Romë, një ngjarje kyçe në ngritjen e fashizmit.

Procesioni u zhvendos nëpër qytet, duke përfunduar në varrezat San Cassiano, ku shtrihet kripti i familjes Mussolini. Mes të pranishmëve ishin Orsola dhe Vittoria Musolini, stërmbesa të Benito Musolinit.

Përshëndetje private për të shmangur çështjet ligjore

Orsola Mussolini iu drejtua turmës, duke shprehur mirënjohje dhe duke kërkuar një minutë heshtje. Ajo kërkoi që pjesëmarrësit të përmbahen nga bërja publike e përshëndetjes romake për të parandaluar pasojat ligjore. Në vend të kësaj, përshëndetja u krye privatisht, duke respektuar ligjet lokale për rendin publik.

Gjatë ceremonisë, u recituan lutjet e lidhura me traditat e ndihmës dhe legjionarëve, pas së cilës të pranishmit u lejuan të hynin në kripte.

Gazeta e përditshme Il Resto del Carlino raportoi se disa të pranishëm shprehën zhgënjim për përmbajtjen publike, duke shpjeguar se përshëndetja romake ishte e kufizuar në mjedise private për të ‘shmangur ankesat dhe çështjet gjyqësore’. Të tjerë thuhet se e panë atë si një masë të nevojshme.

Pas ceremonisë, pjesëmarrësit vizituan dyqanet lokale të suvenireve në qytet, të vendosura në provincën Forlì-Cesena të Emilia-Romagna, sipas raporteve nga agjencia e lajmeve Ansa .

Marshimi në Romë

Marshi në Romë ishte një ngjarje kyçe në historinë italiane, që u zhvillua nga 27 deri më 29 tetor 1922. Organizuar nga Musolini dhe Partia Nacional Fashiste, marshimi pa mijëra mbështetës fashistë me këmisha të zeza nga e gjithë Italia që u mblodhën në kryeqytetin italian.

Duke u përballur me presionin dhe një konflikt të mundshëm, Mbreti Victor Emmanuel III zgjodhi të shmangte trazirat civile duke ftuar Musolinin të formonte një qeveri, duke shënuar fillimin e sundimit fashist në Itali.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e ngritjes së autoritarizmit në Evropë, duke krijuar skenën për diktaturën e Musolinit, e cila do të zgjaste deri në rënien e tij në 1943.

Debatet për fashizmin

Marshi në përvjetorin e Romës vjen ndërsa në Itali zhvillohen debate më të gjera mbi qasjen e qeverisë ndaj të kaluarës fashiste të vendit.

Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Italisë u zemërua duke shënuar 82-vjetorin e Betejës së El Alamein, ku forcat italiane që luftonin përkrah nazistëve u mundën nga aleatët.

Nderimi i ministrisë për ushtarët italianë që “dhunë jetën për lirinë tonë” u sulmua nga liderët e opozitës, të cilët thanë se ishte mashtruese të quash veprimet e forcave fashiste luftë për liri.

Qeveria e ekstremit të djathtë të kryeministrit Giorgia Meloni është përballur me thirrje të vazhdueshme për t’u distancuar nga shoqatat neofashiste, me figurat e opozitës që deklarojnë se Italia duhet të jetë më e qartë për ndikimin e fashizmit.

Meloni, kreu i partisë Vëllezërit e Italisë, e cila ka rrënjë në lëvizjet neofashiste të pasluftës, ka dënuar totalitarizmin, por nuk ka komentuar ende për këtë polemikë të fundit./ Euronews – Syri.Net

Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

VOA/Marrë nga Reuters

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili tha të dielën se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të shtunën në Gjeorgji. Ajo tha se vendi ka qenë viktimë e një operacioni special rus.

Po kështu vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

“Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit”, tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane kishte siguruar më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare të së shtunës, por rezultati u kundërshtua nga opozita.

Të dielën udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.

“Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do t’i pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për t’u konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet”, tha udhëheqësja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare për Unitet, Tina Bokuchava.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe udhëheqësi i partisë Ndërtimi i Straegjive, Giorgi Vashdze.

“Qëndrimi ynë është se duhen patjetër protesta, duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se ata”, tha ai.

Zonja Bokuchava dhe zoti Vashadze i bënë komentet pas një takimi me presidenten e vendit, Salome Zourabishvili.

Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.

ISFED, një grup monitorues vendas tha se kishte regjistruar shkelje në proces, përfshirë mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime, dhënie ryshfeti dhe frikësim të votuesve, që mund të ketë ndikuar siç tha, tek rezultati.

Përfaqësuesit e grupit thanë se nuk kishte vënë re shkelje thelbësore në procesin e numërimit të votave, shumica e të cilave u numëruan në mënyrë elektronike.

Komisioni Zgjedhor dhe partia Ëndrra Gjeorgjiane thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi akuzat e opozitës.

“Fakti që e njëjta parti mund të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, thatë shtunën miliarderi dhe themeluesi i partisë Ëndra Gjeorgjiane Bidzina Ivanishvili.

Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar përçarje mes gjeorgjianëve.

“Nuk jam plotësisht i kënaqur që disa parti, fituan mandate parlamentare. Megjithatë nuk besoj se situata do të përkeqësohet edhe më shumë nga çfarë është aktualisht”, thotë banori i Tbilisit Vahtang Magradze.

“Do të doja që votat mes partisë në pushtet dhe opozitës të ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë, do të ishte më mirë për ne. Por, duket se gjërat do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë. Nuk pres asgjë të mirë”, thotë një tjetër banor i Tbilisit Vazha Pophadze.

“Kryesorja është që të ketë paqe dhe nuk ka nevojë të luftojmë me njëri-tjetrin. Është e nevojshme që kombi të bashkohet dhe të gjithë të jenë të lumtur. Nuk ka nevojë të shajmë njëri-tjetrin”, thotë ky banor i Tbilisit që u identifikua vetëm me emrin e tij Mamuka.

“Opozita sillet sikur nuk beson në vetvete. Mendoj se nuk ka humbur çdo shpresë ose se ne do të zgjohemi nesër si rusë. Deri në zgjedhjet e ardhshme do të ketë ndryshuar shumë”,thotë Saba Prunidze, banor i Tbilisit.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.

Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, të gjitha palët pretendojnë fitoren! Procesi, vendimtar për të ardhmen e vendit

VOA

 

Në Gjeorgji, partia që qeveris vendin si dhe ato në opozitë pretenduan fitoren në zgjedhjet parlamentare të së shtunës. Procesi shihen si vendimtar lidhur me të ardhmen e vendit, nëse ish-republika sovjetike do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit apo do të anojë nga Rusia.

Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56% të votave.

Por sondazhet e kryera nga kanalet pro-opozitës ‘Formula’ dhe ‘Mtavari Arkhi’ treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar sëbashku 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.

Por katër blloqet kryesore opozitare janë thellësisht të përçara dhe është e paqartë nëse ata do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i partisë në pushtet, pretendoi fitoren.

“Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë – ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, tha ai vetëm pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit.

“U siguroj se vendi ynë do të arrijë sukses të madh në katër vitet e ardhshme”, shtoi zoti Ivanishvili.

Në dy vitet e fundit Ëndrra Gjeorgjiane, që qëndron në pushtet që nga viti 2012, i ka dhënë zë retorikës pro-ruse, duke nxitur zemërimin e aleatëve të saj perëndimorë, rreth asaj që ata e konsiderojnë si prirje gjithnjë e më autoritare.

Vëzhguesit e pavarur si dhe Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili – një aleate e dikurshme e partisë në pushtet, shndërruar tashmë në një nga kritiket më të ashpra të saj, akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për blerje masive të votave si dhe forma të tjera të abuzimit me zgjedhjet.

Ëndrra Gjeorgjiane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment lidhur me akuzat.

Opozita pretendoi fitoren dhe tha se ishte në rrugën e duhur për të fituar shumicën.

“Gjeorgjia evropiane po fiton me 52% të votave pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet dhe pa votat e diasporës”, shkruante zonja Zourabichvili në rrjetin social X

Arrestohet mafiozi i rrezikshëm italian, e ‘tradhtoi’ fotoja në varrin e Pablo Escobarit

Falë një fotoje që ka realizuar pranë varrit të bosit famëkeq të drogës Pablo Escobar, një i arratisur nga mafia italiane është kapur nga autoritetet.

 

32-vjeçari Luigi Belvedere punonte si ndërmjetës me bandat kolumbiane të drogës dhe u arrestua pas gati katër vitesh kërkim në Amerikën e Jugut.

Në fakt, sipas BBC, ai është një nga njerëzit më të kërkuar në Itali dhe ishte në listën e qeverisë së vendit për të arratisurit më të rrezikshëm.

Policia italiane publikoi një imazh të Belvedere duke pozuar pranë varrit të Escobar kur njoftoi arrestimin e tij.

Pavarësisht se u arratis nga Evropa për të shmangur akuzat e trafikimit, ai vazhdoi të ishte “aktiv në organizimin e dërgesave të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë”.

Ai vjen nga Caserta, një zonë në veri të Napolit dhe “i specializuar në importimin e paligjshëm të kokainës” dhe shërbeu si një pikë kyçe kontakti midis klaneve mafioze dhe prodhuesve kolumbianë të kokainës.

Në Itali ka bashkëpunuar me “Casalesi”, të cilët janë pjesë e organizatës mafioze Camorra.

Belvedere ishte në kërkim që nga dhjetori 2020, kur u dënua me gati 19 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Europol punoi me hetuesit kolumbianë për të gjetur Belventerin në rajonin Medellín, ku ai u gjet përfundimisht. Një zonë që ka një histori të gjatë me bandat e kokainës, duke shërbyer si bazë për kartelin me të njëjtin emër që formoi biznesin e drogës së Pablo Escobar. Panorama

Piktura që mund t’i kushtojë Vittorio Sgarbi 4 deri në 12 vjet burg

VOAL- Mendimi i ekspertit për pikturën është i qartë, rrëfimi i falsifikatorit është i plotë. Gjithashtu, Sgarbi-n në pikturën e vjedhur e gozhdon edhe “pistoleta tymosëse”: një tub 250 ml me tempera vaji white cremnitz i blerë në fabrikën historike të bojrave “Poggi” në Via del Gesù, fare pranë nga Collegio Romano ku Vittorio Sgarbi punonte si Nënsekretar i Shtetit për Kulturën.  Karbonat plumbi dhe vaj liri, markë Michael Harding. Kushton 79.20 euro. Sgarbit mund t’i kushtojë 4 deri në 12 vjet burg.

Më 3 tetorin e kaluar, Prokuroria e Macerata mbylli hetimet për aferën Manetti, një hetim gazetaresk i Fatto Quotidiano dhe Report – i cili do të na rikthehet me një raport të transmetuar të dielën e ardhshme – që më pas u bë gjyqësor. Ish-nënsekretari i shtetit u betua se e kishte gjetur pikturën ashtu siç ishte në papafingo të vilës së tij në provincën e Viterbos. Ai tashmë akuzohet për pastrim parash, vetëpastrim dhe falsifikim të veprave të artit dhe rrezikon një dënim të rëndë për këtë. Il Fatto Quotidiano

 

‘Kampet në Shqipëri si Guantanamo’- Eurodeputeti: Qentë në Europë trajtohen më mirë se ai rezervuar…

Një tjetër eurodeputet italian është deklaruar kundër paktit Rama-Meloni për kampet e emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri.

Duke folur me tone të ashpra kundër kësaj marrëveshje, eurodeputeti i Verdi , Ignazio Marino, gjatë një seance plenare në Strazburg, i ka quajtur kampet në Shqipëri si kampe përqëndrimi dhe se ngjasojnë identike me bazën amerikane të Guantanamos në Kubë.

‘Kampi për azilkërkuesit e krijuar nga Italia në Shqipëri është “një kamp përqendrimi ” i cili ka një precedent të fundit, burgun në bazën amerikane të “ Guantanamos ” në Kubë’.

Kështu u shpreh eurodeputeti i Verdi , Ignazio Marino, duke folur në seancën plenare në Strasburg.

“Ndershmëria intelektuale – nis ai – mungon në atë pjesë të kësaj dhome që dy ditë më parë hodhi poshtë diskutimin për dëbimin dhe ndalimin, në një kamp përqendrimi jashtë kufijve evropianë, të emigrantëve që ikin për t’i shpëtuar dhunës, urisë, varfërisë. . “ Marrëveshja e qeverisë Meloni me Shqipërinë – vazhdon ai – ka një precedent: bazën e Guantanamos, ku të burgosurit mund të trajtohen jashtë ligjit. Por në rastin e Guantanamos kemi të bëjmë me dyshime për terrorizëm. Bëhet fjalë për trajtimin ‘holistik’ të njerëzve të dëshpëruar ”, thotë ai, me ironi për titullin e debatit, i cili flet për një mënyrë ‘holistike’ drejt një politike efektive riatdhesimi.

“Imagjinoj – vazhdon ai – që secili prej jush mbrëmë, duke përfshirë të nderuarin Nicola Procaccini , të cilin e falënderoj për dëgjimin, kishte një darkë të shkëlqyer dhe këtë mëngjes një dush të nxehtë gjallërues. Ja pra, vizioni holistik me fjalët e kryeministrit italian: ‘Kufijtë janë të shenjtë dhe qentë dhe derrat mbërrijnë në Evropë’. Nuk di për derrat – përfundon ai – por qentë tanë të dashur shtëpiak në Evropë marrin një trajtim shumë më holistik “se ai i rezervuar për emigrantët e sjellë në Shqipëri. sn

Kthyen në Itali emigrantët që ishin vendosur në qendrën e Gjadrit, kërcënohet me jetë një nga gjyqtarët që mori vendimin

Gjyqtarja Silvia Albano, një nga gjashtë gjyqtarët e gjykatës së Romës që vendosi për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri, është kërcënuar me jetë.

 

Agjencia e lajmeve Ansa bën me dije se Albano, e cila është edhe kryetare e Magjistratit Demokratik, ka bërë kallëzim.

“Fushata e diskreditimit që u zhvillua kundër magjistratëve romakë dhe në veçanti kundër Silvia Albanos, kontribuoi në ndërtimin e një klime opozitare, urrejtjeje, e cila përfundimisht kaloi në kërcënime serioze për sigurinë dhe jetën e saj. Për shkak të kërcënimeve të rënda të marra, Silvia Albano ka paraqitur sot një ankesë të detajuar në Prokurorinë Publike të Romës”, nënvizon Magjistrati Demokratik në deklaratën e tij.

Duke iu referuar ngjarjeve të brendshme të Këshillit të Europës, Magjistrati Demokratik nënvizon se “përballë klimës së kësaj faze, të intimidimit real të magjistratëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, mendojmë se është e një rëndësie të jashtëzakonshme që këshilltarët e të pavarurit. Gjyqësori ka shmangur nënshkrimin e kërkesës për hapjen e çështjes për mbrojtje ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Romës”.

Venecia, hyrja në qytet do të kushtojë deri në 10 euro

Qyteti lagunor dyfishon çmimin e biletës ditore për ta vizituar, por duke prenotuar paraprakisht do të paguani gjysmën. Klientët e hoteleve dhe të miturit nën 14 vjeç janë ende të përjashtuar

VOAL- Këtë vit Venecia u bë qyteti i parë në botë ku paguhet një tarifë hyrje për vizita të shkurtra: deri tani ishte pesë euro, por në vitin 2025 turistët do të duhet të paguajnë deri në dhjetë euro për të hyrë në qytetin lagunor në Adriatik.

Taksa do të aplikohet më shpesh vitin e ardhshëm, për një total prej 54 ditësh nga mesi i prillit deri në fund të korrikut. Këtë vit ishin vetëm 29. Ata që qëndrojnë natën nuk do ta paguajnë këtë taksë. Venecia u kërkon vizitorëve ditor të paguajnë pesë euro nga ora 08:30 deri në orën 16:00. Midis prillit dhe korrikut, u regjistruan 485 000 vizitorë që paguanin, duke gjeneruar të ardhura mbi 2.4 milionë euro.

Në të ardhmen, ata që rezervojnë paraprakisht do të mund të hyjnë në qytet për pesë euro. Ata që presin deri në tre ditët e fundit të vizitës do të duhet të paguajnë dyfish. Përjashtohen klientët e hoteleve, fëmijët nën 14 vjeç dhe banorët e qytetit venecian. RSI

Reuten: Qeveria e Serbisë është problematike, situata në Kosovë nuk duhet të destabilizohet më tej

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten thotë se Serbinë aktualisht po e udhëheq një qeveri problematike.

Ai thotë se asnjë ndërkombëtar që përkrah vlerat evropiane nuk pret që Beogradi të vazhdojë me mashtrime.

Eurodeputeti ka thënë se janë mediat që kontrollohen nga qeveria serbe me narrativat e tyre, që po ndikojnë edhe tek qytetarët e serbisë.

“Jemi përballë një qeverie problematike. Unë nuk jam kundër Serbisë apo popullit serb, por ne kemi problem me qeverinë. Ne duhet t’u themi qartë autoriteteve serbe se çfarë presim prej tyre dhe çfarë jo. Ne nuk duam që ata të vijnë në Bruksel dhe të thonë se qëllimi i Serbisë është të bëhet anëtare dhe pastaj kur të kthehen në Beograd të mos thonë fjalë kaq të bukura për rrugën evropiane. Ndonjëherë ata madje vendosin të hipin në një aeroplan dhe të shkojnë në Moskë në vend që të marrin pjesë në bisedime në nivel evropian”, tha Reuten

“Duhet të jemi më të vendosur ndaj qeverisë serbe edhe kur bëhet fjalë për kërkesat që situata në Kosovë të mos destabilizohet më tej. Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për këto gjëra”, tha ai.

I pyetur se si i interpreton sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat kanë treguar se mbështetja për BE-në dhe integrimin europian ka rënë, ai mendon se “duhet parë nga këndvështrimi se janë informacione që ju serviren”.

“Mediat janë nën kontroll të qeverisë dhe ndjek narrativën që imponon qeveria. Unë jam në dispozicion edhe për këtë lloj debati, sepse është një debat për të ardhmen evropiane të qytetarëve të thjeshtë. Ata mund të fitojnë shumë në rrugën e euros dhe të humbasin shumë nëse Serbia është një faktor destabilizues në rajon,” tha ai.

I pyetur nëse mesazhi i tij mund të arrijë tek qytetarët e Serbisë, ai shprehet se shpreson.

“Edhe pse Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, mendoj se është në interes të qytetarëve serbë dhe në interesin tonë të kërkojmë mbrojtjen e mjedisit kur bëhet fjalë për këto projekte. Ky është parimi bazë kur ndërtohet një biznes me mirëbesim dhe transparent. Besoj se është në interesin e njerëzve, por duhet ta vendosim në një kontekst ku po ndihmojmë kompanitë dhe aktorët nga të dyja palët që të zbatojnë rregullat. Është mirë që bashkëpunojmë, por bashkëpunimi duhet të jetë sipas ligjit”, thekson ai. sn

Pretendime për lidhje të saj me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, kush është Marta Kos, kandidatja për komisionere të Zgjerimit

Nga 4 deri më 12 nëntor do të mbahen seancat dëgjimore për 26 kandidatë për komisionarë të Bashkimit Evropian. Çdo kandidat përgjatë tri orëve do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në komitetet që përkojnë me detyrat që ata duan të marrin. Më 2019, tre kandidatë nuk e kishin kaluar këtë proces, dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Një kandidate për komisionare që pritet ta kalojë këtë proces, është Kaja Kallas, e cila synon postin e shefes së diplomacisë të Bashkimit Evropian. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Dhe, përderisa Kallasi pritet ta kalojë me lehtësi procesin e pyetjeve të anëtarëve, kandidatja për komisionare të Zgjerimit, sllovenia Marta Kos, me gjasë do të përballet me një seancë më të stuhishme më 7 nëntor. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

Si fillim, ajo anon nga e majta, në PE-në që gjithnjë e më shumë po anon nga e djathta. Më pas janë edhe disa deklarata që ajo i ka bërë një muaj pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, kur ajo tha se Rusisë nuk duhet t’i mbyllen dyert.

Po ashtu, ka pasur pretendime për lidhje të saj me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, pretendime që ajo i ka hedhur poshtë, si dhe ka pasur ankesa nga ish-punonjësit e saj lidhur me mënyrën se si ajo e kishte menaxhuar punën derisa shërbente si ambasadore e Sllovenisë në Gjermani.

Përderisa shumica e pyetjeve pritet të përqendrohen në mënyrën se si ajo do të sigurohet që shtetet aspiruese, si në Ballkanin Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), ashtu edhe ato në lindje (Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina), të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, ka edhe çështje të tjera që eurodeputetët do të ngrenë në seancën e 7 nëntorit.

Një çështje kyç është nëse Kosi do të zotohet për ndonjë datë për zgjerimin e ardhshëm gjatë mandatit të saj, që nëse emërohet në këtë post, do t’i përfundonte më 2029. Për shembull, Mali i Zi dëshiron të bëhet anëtar deri më 2028, por a mendon ajo se kjo është e realizueshme? Moldavia dhe Ukraina synojnë të jenë pjesë e bllokut evropian deri më 2030, por a mendon Kosi se kjo është e realizueshme?

Sigurisht, afatet kohore janë të ndërlikuara dhe nuk varen vetëm nga ajo. Ajo, po ashtu, është vetëm udhëheqëse dhe nuk është vendimmarrëse. Dhe, fakti mbetet që asnjë shtet nuk i është bashkuar BE-së që kur Kroacia u anëtarësua më 2013 dhe çdo shtet aktual mund të vendosë veto ndaj hapjes apo mbylljes të kapitujve të anëtarësimit në BE.

Për më tepër, në letrën e misionit që Von der Leyen i ka dërguar Kosit, ajo po ashtu nuk zotohet për zgjerim. Në letër vetëm thuhet që “ju do të punoni në integrimin gradual të shteteve kandidate, teksa ata punojnë për t’iu bashkuar BE-së”.

Edhe pse, nëse miratohet, ajo mund të mos shohë ndonjë shtet të ri duke iu bashkuar BE-së gjatë mandatit të saj, Kos me gjasë do t’i shohë shumë prej tyre duke bërë përparim drejt bllokut. Në pjesën e parë të vitit 2025, Moldavia dhe Ukraina pritet të hapin kapitujt e parë për anëtarësim në BE dhe në mënyrë de facto të nisin procesin e negociatave.

Deri më tani duket se ka pak rezistencë lidhur me anëtarësimin e Moldavisë në bllok, dhe do të jetë interesante të shihet se si Kosi do të merret me shtetet anëtare, veçmas me Hungarinë, dhe ndoshta edhe Sllovakinë, shtete që kanë shprehur rezerva për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës. Për shembull, a do të ishte ajo në favor të ndarjes së kandidaturave të Ukrainës dhe Moldavisë?

Përderisa Bosnjë e Hercegovina po shpreson të nisë hapjen e kapitujve, Sarajeva duhet të plotësojë kushte, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mund të ndodhë që Marta Kos të jetë komisionarja që do ta tërheqë Malin e Zi drejt vijës së finishit, apo të paktën ta afrojë. Podgorica i ka hapur negociatat në 33 kapituj politikë të pranimit, por ka arritur t’i mbyllë vetëm tre prej tyre. Në këtë pikë, Mali i Zi është më afër që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së dhe ka pasur një ndjesi në mesin e diplomatëve që e përkrahin zgjerimin dhe politikanëve në Bruksel se blloku duhet t’u tregojë edhe anëtarëve të tjerë të mundshëm se zgjerimi, në të vërtetë, është i mundshëm.

Por, nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Përderisa Shqipëria së fundi hapi kapitujt e parë dhe bëri përparim të mirë, procesi i anëtarësimit të Serbisë mund të vazhdojë të pengohet nga kundërshtarët e Rusisë në mesin e shteteve lindore të BE-së, që kundërshtojnë lidhjet e ngushta të Beogradit me Moskën.

Qeveria e re centriste e Maqedonisë së Veriut ka pak të ngjarë ta plotësojë kërkesën bullgare që ta ndryshojë Kushtetutën e shtetit në mënyrë që Shkupit t’i hapet rruga për nisjen e bisedimeve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, po ashtu, i referohet shtetit me emrin “Maqedoni”, duke e zemëruar fqinjin jugor, Greqinë, që për dekada kishte mospajtime me Shkupin lidhur me çështjen e emrit të shtetit.

Gjetja e mënyrave që Maqedonia e Veriut të ketë raporte më të mira fqinjësore si me Bullgarinë, ashtu edhe me Greqinë, do të jetë një çështje për të cilën Kosi do të pyetet nga eurodeputetët. Nëse ajo emërohet në postin e komisionares për Zgjerim, ajo do të kalojë shumë kohë duke u marrë me këto çështje të ndjeshme.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është bllokuar në Këshillin Evropian, ku marrin pjesë të gjitha shtetet anëtare, pasi shtetet mosnjohëse të Prishtinës, sikurse Spanja, nuk kanë vullnet që ta dërgojnë aplikimin për vlerësim në Komisionin Evropian, që ndodhet matanë rrugës. Me shumë gjasa, Kosi do të thotë se ajo është e gatshme që ta autorizojë vlerësimin, por përfundimisht, kjo çështje nuk do të jetë në duart e saj.

Më pas është çështja e Gjeorgjisë, rruga evropiane e së cilës është ndërprerë për shkak të disa ligjeve kundërthënëse të miratuara nga Qeveria aktuale. Seanca dëgjimore e Kosit do të mbahet pas zgjedhjeve parlamentare të Gjeorgjisë më 26 tetor që kanë rol kyç. Prandaj, përfundimisht pritet që ajo të përballet me disa pyetje për këtë shtet.

Gjeorgjia, tash për tash, nuk përmendet me emër në letrën e misionit, në të cilën thuhet se “ju duhet të zhvilloni një qasje të koordinuar për të mbështetur shtetet në Kaukazin Jugor, përfshirë për lidhjet rajonale”.

Përfshirja e Gjeorgjisë me një grup me Azerbajxhanin, që është një shtet jodemokratik i cili nuk ka interes që t’i bashkohet BE-së, dhe me Armeninë, që mund të ketë interes të anëtarësohet, por ngurron nga frika se nëse aplikon për anëtarësim në BE, Moska mund të zemërohet, është diçka e çuditshme. REL

Një ish-ushtarak, tashmë eurodeputet pritet të jetë raportues për Kosovën në PE

Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Për emërimin e tij në këtë post duhet të pajohet grupi i PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme. Por, burime të Radios Evropa e Lirë në PE thanë se Terras pritet të emërohet nga ky grup.

Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani i takon secilit grup që nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.

Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti dhe kësaj radhe ky grup do të ketë postin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut.

Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.

Raportues për Serbinë në PE do të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula. Ai veçse e ka bërë publike emërimin e tij në këtë post.

Ndërkaq, për Shqipërinë, raportues pritet të jetë Andreas Schieder nga socialdemokratët. Për Maqedoninë e Veriut pritet të jetë deputeti i të Gjelbërve, Thomas Waitz, nga Austria si dhe deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, pritet të jetë raportues për Malin e Zi.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm për Bosnjë e Hercegovinën nuk dihet se kush do të jetë raportues në PE.

Raportuesit e rinj për pesë vjetët e ardhshëm do të ndjekin nga afër zhvillimet në vendet përkatëse dhe do të përpilojnë raportet vjetore. Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre shteteve në procesin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për integrim në BE./REL/

Kandidatët e KE-së në seanca dëgjimore – pyetje edhe për Kosovën

Kaja Kallas duke folur për mediat gjatë pjesëmarrjes në një samit të BE-së në Bruksel në dhjetor të vitit 2023.

 

Rikard Jozwiak

Derisa pjesa më e madhe e botës pritet të përqendrohet në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe rezultatet e tyre, Bashkimi Evropian do të jetë i zënë me krejt diçka tjetër: seancat dëgjimore për 26 komisionarët, të cilat janë caktuar nga data 4 deri më 12 nëntor.

Secili kandidat, për tri orë, do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në një komitet që lidhet me portofolat e tyre.

Herën e fundit, më 2019, tre kandidatë nuk kanë kaluar. Diçka e ngjashme mund të ndodhë përsëri dhe të çojë në seanca shtesë dëgjimore, gjatë nëntorit.

Ajo që pritet të kalojë, është shefja e pritshme e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo që do të jetë interesante në seancën e saj të 12 nëntorit, është të shihet se nëse dhe sa do ta zbusë retorikën e saj të ashpër ndaj Kinës dhe Rusisë, për t’iu përshtatur postit të ri, ku diplomacia dhe gjetja e konsensusit për çështjet e politikës së jashtme janë shumë të rëndësishme.

Gjykuar nga letra e misionit të Von der Leyenit drejtuar Kallasit, pjesa më e madhe e pyetjeve do të jetë për Ukrainën.

Në letrën e misionit – e cila është një dokument publik që përshkruan atë që presidentja pret nga një komisionar gjatë pesë vjetëve të ardhshëm – thuhet: “Ne do të punojmë ngushtë së bashku, për të siguruar se Evropa qëndron me Ukrainën për aq kohë sa i duhet – ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht – dhe mbështet integritetin e saj territorial”.

A mund të ofrojë Kallas diçka të re këtu?

Kievi pritet t’i hapë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm dhe mbështetja financiare e BE-së për Ukrainën, për vitin 2025, është siguruar.

Deri më tani, BE-ja ka ndërmarrë 14 runde sanksionesh kundër Rusisë, por, sipas diplomatëve në Bruksel, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që vendet anëtare të binden për të miratuar masa shtesë kundër Moskës.

Ndaj, do të jetë interesante të shihet nëse Kallas do të marrë një qëndrim më të ashpër – për shembull duke parandaluar anashkalimin e sanksioneve me shtimin e kompanive të vendeve të treta apo edhe vende të treta në listën e zezë të BE-së.

BE-ja ka mekanizma për ta bërë këtë, por listat, deri më tani, kanë mbetur bosh.

Nëse miratohet – dhe çështja është kur dhe jo nëse – Kallas ka të ngjarë të paraqesë një regjim të ri sanksionesh, që do t’i ketë në shënjestër kërcënimet hibride ndaj BE-së.

Një regjim i ri që merret me veprimet subversive ruse ndaj bllokut, është miratuar së voni, por Kallas pritet të shtyjë përpara një mekanizëm global.

Shumë eurodeputetë sigurisht se do ta nxisin Kallasin që ta përfshijë korrupsionin si një vepër të sanksionueshme në “Aktin Magnitsky” të BE-së, i cili përcakton sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut në Rusi.

Kjo është diçka që është shmangur nga shefat e mëparshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe ata që e mbështesin një masë të tillë, shpresojnë se ajo do të nënkuptojë shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në BE, për të paguar rindërtimin e Ukrainës.

Të dyja këto lëvizje kërkojnë unanimitet dhe do të jetë detyrë e Kallasit për ta realizuar atë.

Si Von der Leyen, ashtu edhe Parlamenti Evropian do të duan që Kallas të përpiqet të marrë më shumë vendime të politikës së jashtme të BE-së, me votim nga shumica.

Ndoshta aspekti më kurioz i letrës së misionit të Von der Leyenit është se ajo nuk përmend Ballkanin Perëndimor apo Kinën. Por, eurodeputetët me siguri se do ta pyesin atë për të dyja.

Ka gjasa që ajo të njoftojë në seancë dëgjimore se udhëtimi i saj i parë si komisionare do të jetë në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket këtij rajoni, ajo me siguri se do të pyetet se si synon ta ringjallë dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Paraardhësit e saj, Federica Mogherini dhe Josep Borrell, nuk arritën shumë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

A do të ketë Kallas një qasje më praktike me takime të rregullta me udhëheqësit e dy vendeve, apo do t’ia delegojë bisedimet ndonjë përfaqësuesi të posaçëm, siç ka bërë Borrell?!

BE-ja ka vendosur së voni tarifa për automjetet elektrike kineze dhe Kallas ka të ngjarë të pyetet nëse ajo ka sektorë të tjerë në planet e saj. Ajo, gjithashtu, do të jetë nën presion për të treguar nëse do ta përndjekë Kinën, po qe se ajo vazhdon ta ndihmojë luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Pasi që seanca dëgjimore zhvillohet një javë pas zgjedhjeve në SHBA, pritet të ketë pyetje edhe për marrëdhëniet e ardhshme me Uashingtonin, sidomos nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Kallas, sipas njerëzve që e njohin, i mbështet fuqishëm marrëdhëniet transatlantike, por ajo do të pyetet për nevojën që BE-ja të zhvillojë një lloj “autonomie strategjike” – një koncept ky që shumë në pjesën lindore të bllokut e shohin si një plan të Francës për të zvogëluar ndikimin e SHBA-së dhe për të ngritur të vetin.

Një nga detyrat e saj kryesore, së bashku me portofolin e sapokrijuar të mbrojtjes – që i është dhënë ish-kryeministrit lituanez, Andrius Kubilius – do të jetë hartimi i një ‘letre të bardhë’ për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, në 100 ditët e para të mandatit të saj.

Si gjithmonë, pyetja prej një milion dollarësh është se sa para duhet të jepen për të ndërtuar një industri evropiane të mbrojtjes – plus, nëse BE-ja do të punojë me kontraktorë të mbrojtjes jashtë BE-së?!

Dhe pastaj, natyrisht, është kriza në Lindjen e Mesme. Me shtetet anëtare të ndara sa i përket Izraelit, është e qartë se BE-ja nuk ka shumë dëshirë që ta formësojë situatën tani.

Por, sapo të qetësohet pluhuri, ka thirrje për një plan të fortë. Siç thuhet në letrën e misionit: “Ju do të çoni përpara një strategji gjithëpërfshirëse të BE-së për Lindjen e Mesme, me plane pas luftës në Gazë, duke u fokusuar në promovimin e të gjithë hapave të nevojshëm për zgjidhjen me dy shtete dhe forcimin e partneriteteve me aktorët kryesorë rajonalë”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Ish-kryeministri italian Renzi: Ju e patë si e nxorën me forcë nga makina ish-presidentin shqiptar, imagjino si mund t’i shohin këto pamje emigrantët

Ish-kryeministri Italian, Matteo Renzi ka risjellë snë vëmendje çështjen e migrantëve dhe marrëveshjen Rama-Meloni, për t’i transferuar ata në Shqipëri dhe tentativat e  pasardhëses së tij që të hedhë poshtë vendimin e gjykatës së Romës përmes një dekreti ligjor.

Gjatë një interviste për telesvizioni  La7, në Itali, Renzi thotë se Shqipëria nuk është një vend i sigurtë, siç pretendon kryeministerja Giorgia Meloni, teksa iu referua pamjeve të arrestimit të ish-presidentet të Shqipërisë, Ilir Meta.

Vetë ish-kryeministri Italian, Mateo Renzi e pranon se përmes këtyre pamjeve, autoridetet shqiptare kanë dy standadre, sa i përket sigurisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

‘Ne e dimë që autoritetet shqiptare kanë standarde të ndryshme. Ju e patë në Shqipëri, se çfarë ndodhi me arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë. Ju i patë pamjet duke e nxjerrë me forcë nga makina ish-Presidentin e Republikës. Emigrantët bengalezë ndoshta mund t’i shohin këto pamje dhe imagjinojnë këtë, dhe se çfarë mund të ndodhë me ta’.

Sipas Renzit është e pamundur që miliona euro të taksapaguesve italianë të shkojnë dëm, në një kohë kur ato fare mirë mund të adresoheshin për problemtaikat në fusha të ndryshme të jetës socio-ekonomike atje.

VIDEO (Komenti, minuta 05:05)

Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE-në, duhet ta njohë Kosovën

Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, e cilëson procesin e Berlinit një sukses të madh, teksa falënderon Kosovën që zhbllokoi marrëveshjen e CEFTA-s.

Sa i përket dialogut, Hacker vlerëson se duhet një qasje e re dhe se Lajçak nuk ka qenë i drejtë. Sipas tij, masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe duhet të hiqen menjëherë.

Duke kritikuar ato që i sheh si veprime jo demokratike e të dëmshme të Serbisë, deputeti gjerman thotë se për të hyrë në BE, vendi duhet të njohë Kosovën.bw

Italia Viva dërgon të hënën Melonin në Gjykatë: Shpërdoroi paratë e italianëve me kampin e emigrantëve në Shqipëri

Deputeti italian Francesco Bonifazi, ka deklaruar se të hënën partia e tij do të dërgojë në Gjykatën e Audituesve kryeministren Georgia Meloni.

Qëllimi pas këtij veprimi ligjor është bërë pikërisht kampi i emigrantëve në Shqipëri.

Bonifazi shkruan në rrjetet sociale se paratë e përdorura për ndërtimin e kampit, mund të përdoreshin për familjet italiane.

“Të hënën e ardhshme ne do të paraqesim një ankesë formale në Gjykatën e Audituesve duke denoncuar Giorgia Melonin si përgjegjëse për shpërdorimin e parave publike të lidhura me skandalin e qendrës së emigrantëve në Shqipëri.

Ajo që po shohim është një skandal për familjet italiane: paratë duhet të shkonin për karabinierët, shëndetësinë, të rinjtë”, shkruan ai.bw

“Mollë sherri” mes Melonit dhe Gjykatës së Romës- U nis sot nga Shëngjini, mbërrin në Bari anija me 12 emigrantët

Ka mbërritur në Bari anija me emigrantët e kthyer nga Shqipëria, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Romës, se emigrantët i përkisnin vendeve të origjinës jo të sigurta.

Lajmi raportohet nga La Repubblica, ndërsa theksohet se kjo po ndodh mes “përplasjeve” të kryeministres së Italisë Georgia Meloni dhe gjykatës në lidhje me vendimin.

12 emigrantët ishin akomoduar prej 3 ditësh në kampin e Gjadrit, ndërsa ishte një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit ajo që kreu transportimin e tyre.

Më pas emigrantët do të akomodohen në një qendër pritjeje, ku do të kenë një afat 14 ditor për të apeluar vendimin që refuzon azilin e tyre.

Më herët gjatë ditës, gazetari Elidon Ndreka ka raportuar se pavarësisht largimit të emigrantëve, kampi i Gjadrit do të vazhdojë të jetë funksional dhe aty do të akomodohen vetëm emigrantët që konsiderohen se mbërrijnë nga vendet e sigurta, sipas Qeverisë italiane.bw

Franca premton mbështetje për planin e Ukrainës për t’i dhënë fund pushtimit rus

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, është zotuar se vendi i tij do ta mbështesë planin e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare e gjysmë me Rusinë, duke thënë në Kiev të shtunën se do të punojë me zyrtarë ukrainas për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera për këtë plan.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shpalosi këtë javë para liderëve perëndimorë “planin e fitores” së Kievit, përmes të cilit shpreson se do ta detyrojë Rusinë t’i japë fund pushtimit të Ukrainës përmes bisedimeve.

Ky plan është duke u shqyrtuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, mbështetja nga të cilët ka qenë jetik në përpjekjet e Kievit për t’i bërë ballë fqinjit të vet të madh.

Një pikë kyçe në plan është kërkesa për ftesë formale për Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s, të cilët mbështetësit perëndimorë kanë ngurruar ta shqyrtojnë pa përfunduar lufta.

“Një fitore e Rusisë do të ishte përulje para ligjit të të fortit dhe do ta shtynte rendin ndërkombëtar drejt kaosit”, tha Barrot në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha.

“Kjo është arsyeja pse shkëmbimet tona duhet të na mundësojnë të shënojmë përparim në planin e fitores së presidentit Zelensky dhe t’i bindim sa shumë vende ta mbështesim atë”, shtoi ai.

Prej kur nisi pushtimi më 2022, Franca ka qenë një nga mbështetëset më të fuqishme ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Ukrainës në Evropë.

Ajo është duke e stërvitur pajisur një brigadë të re të ushtarëve ukrainas për dislokim në vijën e parë të frontit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu ka bërë thirrje më parë për një ndryshim të politikës nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, që mund të ndryshojë natyrën e luftës – duke e lejuar Kievin të godasë bazat ushtarake brenda Rusisë me armë të sofistikuara me rreze të gjatë veprimi të siguruara nga partnerët perëndimorë, që përfshijnë edhe raketat nga Franca.

Armët me rreze të gjatë veprimi janë pjesë kyçe e planit të Zelenskyt me pesë pika, por deri tani aleatët e Kievit kanë ngurruar t’ia japin atij dritën jeshile.

Barrot gjithashtu njoftoi se Franca do ta kryejë dërgesën e parë të avionëve luftarakë Mirage 2000 në Ukrainë në tre muajt e parë të vitit 2025. Pilotët dhe mekanikët ukrainas janë stërvitur për t’i drejtuar dhe mirëmbajtur ata.

“Duke i bërë ballë pushtuesit me guxim të jashtëzakonshëm, ju nuk po luftoni vetëm për integritetin territorial të Ukrainës, por gjithashtu po mbani një vijë të frontit që ndan Evropën nga Rusia e Vladimir Putinit, që ndan lirinë nga shtypja”, tha ministri francez në Kiev. rel

Me raportet e progresit, Komisioni Evropian synon përshpejtimin e zgjerimit

Ndërtesa e Komisionit Evropian në Bruksel.

 

Radio Evropa e Lirë

Vetëm pak javë para përfundimit të mandatit pesëvjeçar, Komisioni Evropian (KE) do të miratojë dhe bëjë publike paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga përbërja e tashme e Komisionit, i cili është në largim e sipër.

Sipas planit, kjo pritet të ndodhë në takimin e Kolegjit të KE-së, më 30 tetor në Bruksel.

Plani i mëhershëm ishte që këto dokumente të miratoheshin më 16 tetor, por u shty për dy javë, për shkak të disa rrethanave.

Kur ishte përmendur 16 tetori për miratimin e paketës së zgjerimit, besohej se Komisioni i ri Evropian do të ishte i gatshëm ta niste mandatin që më 1 nëntor.

Por, ndërkohë, seancat për dëgjimin dhe votimin e kandidatëve për komisionarë të rinj u shtynë për dy javët e para të nëntorit, ndaj Komisioni i ri nuk do të jetë gati para 1 dhjetorit.

Sipas burimeve nga BE-ja, të cilat kanë pasur mundësi t’i shohin raportet e progresit në versionet e tyre të punës, pra si drafte, kësaj radhe pritet që ato të theksojnë një lloj përparimi për të gjitha vendet kandidate dhe për Kosovën si të vetmen “kandidate potenciale”.

Qëllimi i Komisionit është që, në njërën anë, të jetë objektiv në vlerësimin e gjendjes reale të vendeve nga procesi i zgjerimit, por, në anën tjetër, të mos jetë shumë kritik ndaj tyre, me qëllim që ta evitojë mundësinë që ndonjë vend anëtar i BE-së t’i përdorë pikërisht këto raporte për ta penguar avancimin e procesit.

Në pjesën politike të dokumentit strategjik për zgjerimin do të nënvizohen të arriturat kryesore gjatë vitit të fundit.

Në mesin e tyre pritet të përmendet vendimi i Këshillit Evropian nga dhjetori i vitit 2023 për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pastaj vendimi me kusht për t’i hapur negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë.

Mali i Zi, gjithashtu, shënoi një hap përpara me miratimin e raportit kalimtar për përmbushjen e kritereve nga kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit.

Shqipëria, vetëm disa ditë para miratimit të Raportit të ri të Progresit për të, e hapi grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE.

Të gjitha këto dhe të tjera do të përfshihen si të arritura në raportet e progresit për këto vende dhe në dokumentin për strategjinë e zgjerimit.

I vetmi vend për të cilin nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim, është Kosova.

Ajo e ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 aplikacionin për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë nuk është shqyrtuar ende.

Kështu, Kosova mbetet e vetmja nga dhjetë vendet e procesit të zgjerimit, që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Por, edhe për Kosovën, Raporti i Progresit pritet të jetë voluminoz dhe të analizojë reformat dhe performancën në të gjitha fushat, sikurse për të gjitha vendet tjera nga ky proces.

Raporti i Progresit për Kosovën dhe ai për Serbinë pritet të përmbajnë kritika për të dyja këto vende për mungesë të gatishmërisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu i tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja.

Kjo nuk do të jetë ndonjë befasi, pasi pakënaqësinë për mungesën e përparimit në dialog, në BE e kanë shprehur tashmë edhe publikisht.

BE-ja vazhdimisht rikujton Kosovën dhe Serbinë se rrugëtimi i tyre evropian varet edhe nga dialogu për normalizimin e raporteve mes tyre.

Një e arritur në raportet mes BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Planit për Rritje dhe Reforma.

Fjala është për një paketë prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër është në formën e kredive të favorshme.

Me këtë paketë synohet t’u ndihmohet vendeve të rajonit që të përgatiten për përparimin drejt integrimit në BE.

Pjesa që do të kërkojë më shumë nga vendet e rajonit në këto raporte të progresit, ka të bëjë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat e administratës publike.

Ndonëse ka dallime mes vendeve kandidate sa i përket nivelit të progresit në këto fusha, të gjitha janë ende larg nga arritja e nivelit që kërkon BE-ja.

Komisioni Evropian pritet që, në veçanti, të bëjë ftesë për më shumë progres në sigurimin e një gjyqësori të pavarur, për respektimin e lirisë së shprehjes dhe për depolitizimin e administratës publike.

Nga vendet e rajonit edhe me këto dokumente pritet të kërkohet që të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e migrimit, përfshirë përshtatjen me politiken e azilit dhe të vizave të BE-së.

Pasi të miratohen nga Komisioni Evropian, këto raporte të progresit dhe paketa e zgjerimit do të shqyrtohen në muajin dhjetor edhe në Këshill nga vendet anëtare.

Në bazë të tyre, pritet edhe të merren vendime për hapjen apo mbylljen e kapitujve në procesin e negociatave të anëtarësimit për disa vende kandidate, sidomos për Malin e Zi dhe për Serbinë.

Gjithashtu, gjatë muajit dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i përbashkët i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë javën e ardhshme gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.

Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Von der Leyen do ta nisë turneun e saj në rajon të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.

Më 24 tetor, ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.

Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.

Vetëm disa ditë pas vizitës së saj, Komisioni Evropian do t’i miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Fokusin e veçantë Von der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.

Të premten e kaluar, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. REL

Paralajmërimi i Lagarde: Trumpi paraqet kërcënim për eurozonën

Christine Lagarde ka paralajmëruar se një presidencë e dytë e Donald Trump do të ishte një rrezik për ekonominë e eurozonës pasi BQE uli normat e interesit për herë të tretë këtë vit.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane paralajmëroi për një “dështim” të mundshëm nëse kandidati republikan fiton zgjedhjet në SHBA në nëntor, ndërsa njoftoi një ulje të kostove të huamarrjes.

Politikëbërësit e BQE-së ulën normën e depozitave nga 3.5 për qind në 3.25 për qind sot, pasi thanë se ekonomia e eurozonës është goditur nga “surprizat e fundit në rënie” në aktivitetin ekonomik.

Qeveria gjermane këtë muaj parashikoi se ekonomia më e madhe e Evropës do të përballet me recesionin e parë dyvjeçar në dy dekada.

Ulja e normës së BQE-së vjen pasi Trump tha se planifikon të vendosë tarifa për mallrat jo-amerikane nëse ai merr detyrën.

Bashkimi Evropian ka përgatitur një listë të mallrave amerikane që mund të synojë me tarifa në rast të fitores së ish-presidentit, raportoi Bloomberg këtë javë, pasi blloku u kap në befasi nga taksat mbi eksportet e tij të çelikut dhe aluminit në vitin 2018.

Zonja Lagarde u pyet nëse mendonte se një rikthim i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe plani i tij për të vendosur tarifa do të ndryshonte perspektivën për rritjen dhe inflacionin në zonën e euros.

Ajo tha se “tregtia është padyshim një element i rëndësishëm dhe si pjesë e shtytësve të aktivitetit në vijim, padyshim që kemi konsum dhe investime, por kemi edhe tregti”.

“Çdo kufizim, çdo pasiguri, çdo pengesë për tregtinë ka rëndësi për një ekonomi si ekonomia evropiane, e cila është shumë e hapur. Tregtia brenda vetes, natyrisht, por edhe tregtinë me pjesën tjetër të botës.

Çdo forcim i barrierave, tarifave, pengesave shtesë në këtë mundësi për të tregtuar me pjesën tjetër të botës është padyshim një dobësi”, tha ajo.bw

Gazeta gjermane: Integrimin e Shqipërisë e bllokon korrupsioni dhe krimi i organizuar

Gazeta e njohur gjermane, Zeit, shkruan se Shqipëria ka nisur negociatat me Bashkimin Europian. Por gazeta thekson se integrimin e Shqipërisë e pengon korrupsioni dhe krimi i organizuar. Më poshtë shkrimi i gazetës gjermane

Kanë nisur negociatat thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Më shumë se dy vjet pas fillimit të bisedimeve të pranimit, përfaqësues nga BE dhe Shqipëria u takuan në kuadër të një takimi të 27 ministrave evropianë në Luksemburg. Aty u hapën kapitujt e parë të negociatave, të cilat ndër të tjera kanë të bëjnë me institucionet demokratike në Shqipëri.

“Ne do ta përgatisim Shqipërinë për BE-në deri në vitin 2030”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama. Vendi i tij është “shumë i përkushtuar për të filluar përfundimisht pjesën më të vështirë të punës”. Sipas Ramës, lufta ruse kundër Ukrainës tregoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor kontribuon në forcimin e Bashkimit Evropian – “prandaj Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009. Shteti i Ballkanit Perëndimor kishte aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në të njëjtin vit. Megjithatë, konferenca e parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit nuk u zhvillua deri në korrik 2022. Për vite me radhë, përparimi i Shqipërisë ishte i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut fqinje.

Pengesat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në të njëjtën kohë, vendi po punon me BE-në për politikën e emigracionit. Shqipëria ka lidhur një marrëveshje emigracioni me Italinë, sipas së cilës do të pranojë çdo vit deri në 40 mijë persona dhe do të përpunojë kërkesat për azil përpara kufirit të BE-së.

Edhe Italia ka dërguar për herë të parë refugjatë në qendrat e diskutueshme të pritjes shqiptare. Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, 16 persona u dërguan nga Lampedusa në Shqipëri me një anije të marinës. sn

Zelensky prezanton “Planin e fitores” që përfshin kërkesën për anëtarësim në NATO

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, para Parlamentit të Ukrainës.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka prezantuar një plan, që ai beson se do të ndryshonte kahen e luftës në të mirë të Kievit, dhe do të mund t’i jepte fund konfliktit me Rusinë, jo më larg se vitin e ardhshëm.

Në një fjalim të mbajtur para Parlamentit ukrainas, më 16 tetor, Zelensky ka bërë thirrje që “partnerët t’i heqin kufizimet për përdorim të armëve me rreze të gjatë në gjithë territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia, në territorin rus dhe në infrastrukturën ushtarake të armikut”, dhe të ofrohet ndihmë në “furnizim të brigadave rezervë”.

Në “Planin e fitores” të përbërë prej pesë pikave, ai ka e ka hedhur poshtë mundësinë e copëtimit të territorit ukrainas, dhe ka bërë thirrje që Kievit të ftohet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, dhe që Kievi të pajisjet me një paketë strategjike parandaluese jobërthamore.

Lideri ukrainas ka thënë se do të prezantojë hollësitë e planit të enjten në një samit të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në Bruksel.

Ai ka thënë se planin e ka diskutuar me liderë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Ukraina duhet të “kthjellet”, dhe e ka akuzuar Zelenskyn se vetëm e ka “kamufluar” një plan amerikan.

Moska kundërshton hapur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe një mundësi të tillë e përdor si pretekst pse e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kievi ka pritur të marrë një përgjigje për planin, në një takim që ishte planifikuar të mbahet në bazën Ramstein javën e kaluar në Gjermani, mirëpo takimi është shtyrë për shkak se presidenti amerikan, Joe Biden e ka anuluar udhëtimin, për shkak të uraganit Milton.

Zelensky ka thënë se pret përgjigje për planin para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara – vendin që ofron përkrahjen më të madhe financiare dhe ushtarake për Kievin – meqë një fitore e kandidatit republikan, Donald Trump mund të zbehë përkrahjen e Uashingtonit.

Prezantimi i Zelenskyt vjen teksa Rusia vazhdon të rrisë presionin në qytetet dhe infrastrukturën ukrainase, dhe derisa ushtria ruse avancon në qytezën e rëndësishme Pokrovsk.

Më 16 tetor, Rusia e ka sulmuar Ukrainën me 136 dronë dhe dy raketa.

Forca ajrore ukrainase ka thënë se shumica e raketave janë rrëzuar prej sistemit për mbrojtje ajrore. REL

Inteligjenca gjermane: Rusia po përgatitet për një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n

Shefat e inteligjencës gjermane lëshuan paralajmërime të rrepta për spiunazhin rus dhe përgatitjet për konflikt ushtarak me NATO-n, në një seancë parlamentare të hënën, shkruan Politico.

Gatishmëria e Moskës për të përdorur masa hibride dhe të fshehta ka arritur një “nivel të paparë më parë”, tha Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, ose BND, ndërsa paralajmëroi gjithashtu se “konfrontimi i drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n është bërë një opsion për Moskën”.

Qëllimi i Kremlinit është të ndajë Perëndimin në mënyrë që të pengojë aftësinë e Evropës për t’u mbrojtur duke, forcuar ushtrinë ruse në përgatitje për një sulm të mundshëm, u tha Kahl parlamentarëve.

“Putini do të vazhdojë të testojë linjat e kuqe të Perëndimit dhe do të përshkallëzojë më tej konfrontimin”, tha ai.

“Forcat e armatosura ruse ndoshta do të jenë në një pozicion, në aspektin e personelit dhe materialit, për të nisur një sulm kundër NATO-s më së voni deri në fund të kësaj dekade”, shtoi ai.sn

BE-ja miraton agjendat e reformave të Kosovës dhe katër shteteve tjera për Planin e Rritjes

Vendet e Bashkimit Evropian i kanë miratuar të premten agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) i BE-së dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë.

I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Për ketë ka njoftuar presidenca hungareze e Bashkimit Evropian.

Tani, vendet e Ballkanit janë një hap larg pranimit të pagesave të para nga ky plan miliardësh.

Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin përfundimtar për zbatimin e pagesave dhe në këtë mënyrë do të jetë i gatshëm që t’i kryejë edhe pagesat e para nga kjo paketa për këto vende.

Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.

Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe, në këtë mënyrë, ta përshpejtojë procesin e integrimit të tyre evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.

Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. REL

Nga sistemet IRIS-T te dronët, Scholz i premton Ukrainës miliarda të tjera ndihmë ushtarake

Ukraina do të marrë një tjetër paketë miliarda dollarësh ndihmë! Gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania “qëndron e vendosur në anën e Ukrainës”.

Gjermania sapo i kishte dorëzuar Ukrainës një paketë të re mbështetjeje ushtarake me vlerë më shumë se 600 milionë euro. Kjo përfshin, ndër të tjera, sistemin e pestë të mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM, mjetet luftarake të këmbësorisë, tanket kryesore të betejës, obusët vetëlëvizës, municionet e artilerisë dhe dronët.

“Deri në fund të vitit, me mbështetjen e partnerëve tanë, Belgjikës, Danimarkës dhe Norvegjisë, ne do të dorëzojmë gjithashtu një paketë të mëtejshme mbështetjeje ushtarake me vlerë rreth 1.4 miliardë euro për Ukrainën”, tha Scholz.

Paketa më pas përfshin sistemet e mbrojtjes ajrore të llojeve IRIS-T dhe Skynex, tankun anti-ajror Gepard, tanket obus me rrota, tanket kryesore të betejës, automjetet e blinduara, dronët luftarakë, radarët dhe municionet e artilerisë.

Të gjitha sistemet e shpallura nga Scholz ishin premtuar dhe miratuar tashmë vitin e kaluar. “Nuk kishte njoftime të reja, asnjë ndihmë të re”, ishte verdikti shkatërrues i blogerit të luftës “Ndihma gjermane për Ukrainën “, i cili dokumenton të gjithë ndihmën ushtarake gjermane për Ukrainën.

Scholz iu referua gjithashtu ndihmës ushtarake dypalëshe me vlerë 4 miliardë euro vitin e ardhshëm. Ai gjithashtu i bëri thirrje Parlamentit Evropian që të hapë shpejt rrugën për pjesën evropiane të huasë prej 50 miliardë dollarësh të shteteve të G-7 për Ukrainën.

“Mund të mbështeteni edhe te G7”, i tha Scholz, Zelenskyt.

Zelenskyj tashmë ka vizituar Kroacinë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë në udhëtimin e tij evropian. Ai në fakt donte të merrte pjesë në një samit të Ukrainës me 50 vende aleate të shtunën në bazën e forcave ajrore amerikane në Ramstein, Rheinland-Pfalz. Megjithatë, samiti u shty pasi presidenti amerikan Joe Biden (80) u anulua për shkak të uraganit Milton.

Kjo është vizita e dytë e presidentit ukrainas në Gjermani brenda pesë javësh dhe biseda e tretë personale me Scholz gjatë kësaj periudhe. Në fillim të shtatorit, Zelensky mori pjesë në një takim ministror të mbrojtjes të aleatëve në Ramstein dhe u takua me Scholz në Frankfurt.

Vetëm tre javë më vonë, të dy u takuan përsëri pak përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork për një bisedë.bw

Gjenerali polak: Varshava duhet ta forcojë ushtrinë dhe ta përgatisë për luftë

Gjenerali Wieslaw Kukula

 

VOA/Marrë nga Reuters

Polonia do të ketë nevojë për një ushtri shumë më të madhe, nëse kërkon të mbrohet nga ajo që duket të jetë një luftë e pashmangshme për këtë gjeneratë, citohet të ketë thënë një gjeneral i lartë polak.

Agjencia shtetërore e lajmeve PAP, citoi shefin e shtabit të forcave të armatosura, Gjeneralin Wieslaw Kukula, të ketë thënë se mplakja e popullsisë e bën të vështirë rekrutimin e ushtarëve të rinj.

“Gjithçka tregon se ne jemi brezi që duhet të luftojmë për ta mbrojtur vendin tonë. Unë dhe askush nga ju nuk kemi ndërmend ta humbasim këtë luftë”, tha Gjenerali Kulula gjatë një fjalimi përpara akademisë ushtarake të vendin në Universitetin e Forcave Tokësore në Wroclaw.

“Ne do ta fitojmë luftën dhe do të vazhdojmë ta ndërtojmë Poloninë, por diçka duhet të ndodhë. Ne duhet ta shtojmë rrethin e forcave të armatosura dhe t’i përgatisim për këtë lloj beteje”.

Gjenerali Kukula tha se kriza demografike do të ulë ritmin e rekrutimit.

“Fuqia e kundërshtarit është kaq e madhe sa duhet të krijojmë një ushtri shumë më të madhe, çka nënkupton aktivizimin e shërbimit të detyruar ushtarak”, citohet të ketë thënë zoti Kukula.

Aktualisht shërbimi ushtarak në Poloni nuk është i detyrueshëm.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë, deri në fund të këtij viti Polonia do të ketë rreth 207,500 ushtarë, shifër që e bën atë ushtrinë e tretë më të madhe të vendeve të NATO-s, sa i përket personelit. Në vend të parë renditen Shtetet e Bashkuara dhe pas saj Turqia.

Gjenerali Kukula tha në muajin korrik se Polonia duhet t’i përgatisë forcat e saj ushtarake për një konflikt në shkallë të gjerë. Marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Moska filloi agresionin kundër Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022.

Bashkimi Evropian: të gjitha gratë afgane kanë të drejtën e azilit

Gjykata Evropiane e Drejtësisë e ka vendosur – Statusi i refugjatit mund të njihet vetëm në bazë të seksit për shkak të diskriminimit të shkaktuar nga talebanët

VOAL- Të gjitha gratë afgane kanë të drejtën e azilit “vetëm” në bazë të gjinisë dhe kombësisë së tyre, për shkak të diskriminimit ndaj tyre nga talebanët: Gjykata Evropiane e Drejtësisë e vendosi këtë të premten, duke vendosur mbi një rast austriak. “Sipas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), autoritetet kompetente të Shteteve Anëtare mund të konsiderojnë se nuk është e nevojshme të përcaktohet se aplikantja përballet me një rrezik real dhe specifik për t’iu nënshtruar akteve të persekutimit nëse kthehet në vendin e saj të origjinës. “Mjafton vetëm marrja në konsideratë e kombësisë dhe seksit të aplikantes,” shton vendimi.

Gjykata e Luksemburgut iu përgjigj një kërkese nga Gjykata Administrative austriake pasi autoritetet refuzuan t’i jepnin statusin e refugjatit dy grave afgane.

Duhet shënuar se në Zvicër praktika për këtë kategori është bërë më pak e ngurtë që nga vera e vitit 2023. RSI

Dënim të përjetshëm për organizatorin e sulmeve në Charlie Hebdo

Paris: Peter Cherif u shpall fajtor se kishte shtyrë mikun e tij të fëmijërisë Cherif Kouachi të sulmonte, bashkë me vëllain e tij, redaksinë e të përjavshmes satirike në 2015

VOAL- Në përfundim të gjyqit, dënimi, më i rëndë: burgim të përjetshëm. Të gjitha akuzat kundër Peter Cherif u njohën. Jo vetëm për pjesëmarrjen në rrëmbimin e tre francezëve nga një OJQ në Jemen në vitin 2011, duke iu bashkuar degës arabe të Al Kaedës deri në vitin 2018, kur më pas u arrestua, por mbi të gjitha për shkak se kishte shtyrë shokun e tij të fëmijërisë Cherif Kouachi të godiste, me vëllain e tij, redaksinë e së përjavshmes satirike Charlie Hebdo, të shfarosur më 2015.

Prandaj, Gjykata Speciale e Assizes e Parisit të enjten pranoi argumentet e prokurorisë dhe të palëve civile të cilat gjatë tre javëve të seancave dëgjimore përcaktuan rolin e tij si xhihadist fondamentalist dhe si gur themeli në përgatitjen e sulmit ndaj Charlie Hebdo 7 janar 2015 u kushtoi jetën 12 personave. Cherif kundërshtoi me një mur heshtjeje ndaj pyetjeve të gjyqtarit, gjithashtu i pandjeshëm ndaj thirrjes së nënës së tij për të folur dhe për të dhënë një shpjegim. 42-vjeçari pranoi vetëm se kishte marrë pjesë në rrëmbimin e bashkatdhetarëve të tij, por vetëm në rolin e përkthyesit dhe mohoi të kishte lidhje me sulmin ndaj të përjavshmes satirike.

Në një nga deklaratat e rralla, i akuzuari dënoi sulmin ndaj Charlie Hebdo dhe të gjitha sulmet xhihadiste, duke rezervuar disa deklarata për familjet e viktimave, ose duke evokuar “fatin” përpara dëshmisë së një të mbijetuari të Charlie Hebdo.

I lindur dhe i rritur në Paris, Cherif u konvertua në ekstremizëm fetar pasi dështoi në provimin pranues të parashutistëve të ushtrisë. Në fillim të viteve 2000, ai shkoi në mënyrë klandestine në Irak për të luftuar në radhët e milicive xhihadiste dhe ku u burgos në Falluxha. Pas arratisjes nga burgu, pariziani u arrestua nga shërbimet franceze në Siri dhe u gjykua në Paris në vitin 2011, nga ku u arratis, para dënimit, në Jemen, ku u ngjit në radhët e Al Kaedës në Gadishullin Arabik. Dhe ku, sipas hetuesve, miku i tij Kouachi iu bashkua për një periudhë stërvitore dhe më pas u ngarkua të shkatërronte ekipin editorial të Charlie Hebdo. Sherif ka afat deri në javën e ardhshme për të apeluar dënimin me burg të përjetshëm.RSI

PD rikthehet me të drejta të plota në PPE, Bylykbashi: Kryetari i opozitës mbahet në arrest pa asnjë provë

Partia Demokratike është rikthyer më të drejta të plotë në PPE. Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi dhe deputetja Albana Vokshi kanë marrë pjesë në tryezën politike të PPE-së, të zhvilluar një ditë më parë.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë tryezë politike, Bylykbashi është shprehur se, kryetari i PD-së, Sali Berisha mbahet nën arrest pa asnjë provë dhe fakt, Ervin Salianji u dënua me dëshmitar të rremë dhe eurodeputeti, kandidati fitues i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u arrestua dhe dënua, po me dëshmitar të rremë.

Fjala e Oerd Bylykbashit në tryezën politike të PPE-së:

I nderuar President Weber, Të nderuar nënkryetarë dhe Sekretar i Përgjithshëm i PPE.

Të nderuar përfaqësues të partive simotra në PPE-së. Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë që jemi përsëri pjesë e Forumet e familjes sonë politike.

Falenderojmë të gjithë ata që na mbështetën dhe bënë të mundur rikthimin tonë këtu. Pjesëmarrja jonë në këtë takim vjen në një moment vendimtar për ne. Pas gjashtë muajsh Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme.

Kryeministri i korruptuar socialist, Rama, kërkon të mbajë pushtetin për një mandat të katërt, me çdo kusht, përmes blerjes së votave me paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe presionit të shtetit. Tre vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për PDSH-në, nën sulmet e vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama.

Rama ka përdorur të gjitha mjetet, përfshirë drejtësinë e kapur politikisht për të rrënuar PDSH-në dhe opozitën dhe për ta nxjerrë jashtë sistemit politik. Ky sulm vazhdon edhe aktualisht. Ne e kuptojmë se ndonjëherë është e vështirë të kuptosh dhe të besosh atë që po ndodh në Shqipëri.

Propaganda dhe lobimi i paguar me miliona euro nga korrupsioni, pikturojnë një fasadë vezulluese. Por, përtej lajmeve për lulëzimin e turizmit dhe gjesteve pompoze të kryeministrit Rama me liderët europianë, ekziston një realitet i ashpër i bashkëpunimit të pushtetit shtetëror, politikës dhe krimit të organizuar.

-Vendimet e Gjykatës Kushtetuese po injorohen hapur. Institucionet e pavarura kontrollohen nga shumica qeverisëse.

-Mediat kapen apo ushtrohet presion dhe ka raste kur gazetarë gjithashtu janë kontrolluar dhe arrestuar pa urdhër gjykate.

-Gjyqësori është nën kontrollin politik ndërsa ekonomia është e centralizuar në duart e miqve të kryeministrit dhe oligarkëve. Për momentin, tre figura politike të opozitës janë në arrest politik ose në burg; Dy janë deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

1. Kreu i PD-së dhe opozitës, Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej një viti. Asnjëherë nuk është marrë në pyetje nga prokurorët. Arrestimi i tij është antikushtetues pasi Parlamentit nuk iu kërkua heqja e imunitetit që kërkohet përpara kufizimit të lirisë së një deputeti.

2. Kryetari i Bashkisë së Himarës, i zgjedhur nga opozita, Fredi Bejleri, nga minoriteti grek, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ai fitoi zgjedhjet, por u bllokua nga prokurorët dhe gjykatat për të bërë betimin me urdhër të kryeministrit Rama.

3. Katër ditë më parë, deputeti tjetër i PDSH-së Ervin Salianji u dënua me një vit burg. Gjithçka që bëri ishte denoncimi publikisht se vëllai i ministrit të Brendshëm ishte dënuar në Itali me 7.5 vjet për trafik droge. Ministri dha dorëheqjen, vëllai i tij u ekstradua brenda pak ditësh, por deputeti ynë është në burg sot që flasim, vetëm për hakmarrje politike.

Të tre rastet janë të bazuara në prova të fabrikuara. Këto janë fakte të pastra. Nuk është çudi nëse ne që përfaqësojmë sot PDSH-në këtu në këtë Asamble Politike, mund të arrestohemi për denoncimin e kryeministrit Rama.

Kjo është arsyeja pse kthimi i PDSH-së në forumet e PPE-së është kaq i rëndësishëm në këto muaj para zgjedhjeve. Ne sot bëjmë thirrje për mbështetjen e fortë dhe të zëshme të PPE-së dhe partive simotra, në përpjekjet tona për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për të bërë të mundur rotacionin demokratik të pushtetit.

Faleminderit sn

Kroati Davor Stier bëhet shef i delegacionit të PE-së për raportet me Kosovën dhe Bosnjën

Kryetar i ri i delegacionit të Parlamentit Evropian për Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë eurodeputeti nga Kroacia, Davor Stier. Zëvendës të tij do të jenë Laurence Trochu dhe Tineke Strik.

Lajmin se është zgjedhur në krye të këtij delegacioni për raportet me të dyja vendet ai e bëri përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook..

“Delegacionet do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën dhe përmbushjes së agjendës së reformave. Perspektiva evropiane e Kosovës me mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe zbatimin e rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sfidat gjeopolitike me të cilat përballet BE-ja kërkojnë një angazhim më të fortë në Evropën Juglindore. Nga ky këndvështrim, stabiliteti dhe siguria në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë janë të një rëndësie vendimtare”.

Stier ka lindur më 6 janar 1972 në Buenos Aires. Ka përfunduar studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Katolik Papnor të Argjentinës.

Stier është ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë në periudhën 2016-2017. Ai u zgjodh në Parlamentin Evropian në vitin 2024 dhe ishte gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian midis 2013 dhe 2016.

Ai është pasardhës i emigracionit politik kroat që shkoi në Argjentinë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi i tij nga babai, Ivan Stier, ishte kolonel ustash dhe bashkëpunëtor i Maks Luburiqit, transmeton Klankosova.tv.

NATO dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut: Mbajmë në nivel të lartë gatishmërinë!

Pothuajse 200 trupa nga Forcat e reja Aleate të Reagimit (ARF) do të dislokohen në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga 30 shtatori deri më 16 tetor, për stërvitje që synojnë “gatishmërinë e tyre dhe mbështetje për KFOR-in”.

Kështu njoftoi NATO-ja më 30 shtator, duke thënë se kjo është hera e parë që forca të ARF-së do të dislokohen, që kur kjo forcë u krijua në korrik të vitit 2024.

Në Kosovë do të dislokohen 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit (OLRT) të ARF-së, ndërkaq 150 të tjerë në Maqedoninë e Veriut.

“Personeli i dislokuar do të performojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë dhe për të testuar aftësitë e tyre dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it dhe do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore dhe operacione për KFOR-in në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it”, u tha në njoftim.

Sipas NATO-s, ARF-ja është një forcë strategjike, e gatishmërisë së lartë me aftësi të shumë fusha. Kjo forcë mund të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme.

NATO tha se dislokimi i fundit, së bashku me dislokimet e bëra më herët gjatë këtij muaji në Kosovë të Forcave Strategjike Rezervë (SRF), dërgojnë “mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur”.

Së fundi, Kosovë janë dislokuar trupa të Britanisë për të marrë pjesë në stërvitje me trupat e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës./REL

Fitoi zgjedhjet, por do të qeveriset Austria nga ekstremi i djathtë?

Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e udhëhequr nga Herbert Kickl, ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Austri të dielën, sipas projeksioneve fillestare. Rezultati zgjedhor potencialisht e vendos këtë parti në vendin e parë për të formuar Qeverinë, për herë të parë në historinë e pasluftës.

 

Sipas projeksioneve, FPO-ja ka dalë e para, por nuk ka fituar shumicën absolute. Kjo nënkupton se partisë i duhet të gjejë një partner koalicioni në Parlament për të formuar një Qeveri stabile, nëse presidenti Alexander Van der Bellen e fton këtë parti për të formuar ekzekutivin e ri.

Cilat janë opsionet e udhëheqësit të partisë?

E vetmja parti e ka lënë mundësinë e hapur për koalicion me FPO-në është partia konservatore në pushtet, Partia Popullore Austriake (OVP). Por, udhëheqësi i OVP-së, kancelari Karl Nehammer, e ka përjashtuar mundësinë e formimit të një ekzekutivi ku do të merrte pjesë edhe Kickl.

Përveç kësaj, janë edhe rezervat e Van der Bellen lidhur me Kickl. Të gjitha këto kanë shtuar pikëpyetjet lidhur me atë nëse Kickl do të largohet dhe do të lë ndonjë anëtar tjetër të partisë së tij që të bëhet kancelar.

Duke pasur parasysh se sa ashpër ai dhe partia e tij kanë bërë fushatë me idenë që Kickl duhet të bëhet “volkskanzler” apo kancelari i popullit, ky opsion aktualisht duket i pamundur.

FPO-OVP

Nëse FPO-ja ftohet që të formojë një koalicion qeverisës, e vetmja parti me të cilën mund të formojë një shumicë është OVP-ja.

Dy partitë kanë qëndrime të ndryshme në shumë fusha kyçe, veçmas sa i përket vendosjes së rregullave më të ashpra për imigrimin.

Por, këto dy subjekte mbështesin shkurtimin e taksave për të rritur ekonominë, e cila po tkurret qe dy vjet radhazi.

Negociatat, megjithatë, do të mund të ndërlikoheshin për shkak të raportit jo të mirë mes Kickl dhe Nehammer. Gjatë fushatës, Nehammer e ka përshkruar Kickl si person që merret me teori konspirative dhe si një person që nuk është i kualifikuar që të qeverisë.

Roli i OVP-së

OVP-ja është partia në pushtet. Ka qenë në çdo qeveri, përveç në ekzekutivin jetëshkurtër në detyrë që ishte Qeveria e parë e përbërë nga tri parti në 37 vjetët e fundit.

Përderisa shumë mendojnë se OVP-ja është partia më e afërt me FPO-në në aspektin ideologjik, OVP-ja të paktën në parim duhet të ketë një alternativë sa i përket një koalicioni me FPO-në: një aleancë trepalëshe me partinë që ka dalë e treta në zgjedhje, Partia Socialdemokrate dhe me një nga dy partitë që kanë marrë më pak se 10 për qind të votave, liberalët e Neos apo të Gjelbërit e krahut të majtë.

Në një skenar të tillë, OVP-ja do të ishte partia më e madhe, që nënkupton se Nehammer do të mund të vazhdonte të mbante postin e kancelarit. Një skenar i tillë do të ishte më i lakmueshëm sesa një ku OVP-ja do të ishte partnerja më e vogël e koalicionit qeverisës.

Pengesa presidenciale

Presidenti Van der Bellen, ish-udhëheqës i të Gjelbërve, kishte bërë betimin së bashku me ministrat nga FPO-ja, përfshirë Kickl, kur partia e tij formoi një koalicion me OVP-në më 2017. Koalicioni kolapsoi pas një skandali më 2019.

Van der Bellen po ashtu kishte miratuar vendimin për shkarkimin e Kickl nga Qeveria me kërkesën e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz, nga OVP-ja, disa ditë para se Parlamenti të rrëzonte ekzekutivin.

Presidenti austriak ka shprehur rezerva lidhur me Kickl, duke lënë të kuptohet se ai ose nuk do ta lejojë atë që të bëhet kancelar, ose nuk do t’i kërkojë FPO-së që të tentojë të formojë Qeverinë nëse del partia e parë.

Megjithatë, margjina e fitores së FPO-së është paraparë që të jetë më e madhe sesa projeksionet e para, duke e vendosur në një pozicion më të mirë Kickl.

Edhe pse është një praktikë që presidenti t’i kërkojë partisë së parë që të formojë Qeverinë, Van der Bellen nuk është i obliguar të veprojë kështu.

“Kjo është një praktikë, por me sa e di ky rregull nuk është në Kushtetutë”, tha Van der Bellen vitin e kaluar.

“Ajo çfarë është në Kushtetutë është se unë e emëroj kancelarin… Është një nga pikat e pakta ku presidenti i ka duart plotësisht të lira”.

Pra, Van der Bellen mund të vendosë që të ndërmarrë një qasje krejtësisht të re. /REL

Ambasadori Silvio Gonzato: Ja pengesat që duhet të kapërcejë Shqipëria para se të hyjë në BE

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato thotë se Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore si korrupsioni apo krimi i organizuar, para se të hyjë në BE. 

Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore para se të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, veçanërisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në një takim në Tiranë me gazetarë europianë që mbulojnë çështjet e BE-së,  ambasadori Silvio Gonzato, i kushtoi vëmendje të veçantë reformës në drejtësi. Një ndër temat ku ai vuri theksin, ishte dhe çështja e të drejtës së pronës në vend.

“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit” – tha Gonzato.

Ligji i investimeve strategjike është një ndër ligjet më të debatueshme në Shqipëri. Ndër rastet e hetuara është ai i investitorit strategjik Artan Gaçi, bashkëshortit të deputetes dhe njëkohësisht ish-ministres së Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Gaçi, gjithashtu ish-deputet socialist, u shpall investitor strategjik nga qeveria për ndërtimin e një kompleksi turistik në Himarë, në vlerën rreth 5.5 milionë euro.

Reformat, të domosdoshme

Bashkimi Europian është një ndër investitorët më të mëdhenj të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Duke folur për prioritetet që çojnë drejt anëtarësimit, ambasadori Gonzato u ndal edhe tek rezultatet e SPAK, strukturë të cilën e përshkroi si të ngjashme me “Anti-mafian” italiane.

“Reforma e vitit 2016 ka filluar të japë frytet e saj por në të njëjtën kohë ka krijuar dhe tensione mes palëve, pasi opozita e konsideron SPAK si të njëanshëm dhe si një mjet në duart e qeverisë që përdoret për t’i mbyllur gojën opozitës”. Kjo sipas Gonzatos, çon në rritjen e polarizimit të situatës politike në vend.

Duke folur për reformat në tërësi në të cilat po kalon vendi, ambasadori Gonzato vuri në dukje përmirësimet që po ndodhin brenda një kohe shumë të shkurtër, pavarësisht “trajektores jo-lineare, por me zigzage”. “Ekzistojnë grupe interesi që nuk kanë interes për të parë reformat e ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në vend, të cilat po përparojnë shumë shpejt. Prandaj ne jemi këtu në Tiranë, dhe së bashku me Brukselin i mbajmë këto zigzage brenda kufijve”.

“Shqipëria nuk ka plan B”

Delegacioni i BE-së në Shqipëri është shumë optimist kur vjen puna tek rruga e mbetur për vendin, deri në hapjen përfundimtare të derës së Unionit. Gonzato tha se “Shqipëria nuk ka plan B, dhe rruga Euro-Atlantike është e vetmja që shqiptarët kanë zgjedhur”.

Deklarata e tij u bë dy ditë pasi Shqipëria u nda zyrtarisht nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së. Gonzato deklaroi para gazetarëve se vendi ka kapacitetin e nevojshëm për t’iu bashkuar Malit të Zi në radhën e anëtarësimit.

Në datën 15 tetor, Bashkimi Europian dhe Shqipëria do të mbajnë Konferëncën e dytë Ndërqeveritare në Luksemburg për të diskutuar “grupin e parë të kapitujve”. /DW

Scholz thotë se Gjermania s’do t’i japë leje Ukrainës për armët me rreze të gjatë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka ngulur këmbë se vendi i tij nuk do t’i heqë kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve gjermane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, pavarësisht lutjeve të Kievit.

Qeveria i ka marrë “disa vendime” në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, të cilat “janë shumë të qarta për mua”, tha Scholz të hënën mbrëma në Nju Jork, ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Scholz theksoi se në mesin e atyre vendimeve janë edhe kufizimet që ia ndalojnë Ukrainës të hedhë raketa gjermane thellë brenda territorit të Rusisë.

“Kjo nuk është në përputhje me qëndrimin tim personal… Ne nuk do ta bëjmë këtë dhe kemi arsye të mirë për këtë”, shtoi Scholz, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zelensky u është lutur vazhdimisht partnerëve perëndimorë ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për t’i goditur shënjestrat thellë brenda tokës ruse, përfshirë fushat ajrore dhe depot e naftës të përdorura nga ushtria.

Arma me rreze më të gjatë veprimi që Gjermania ia ka dhuruar deri tani Kievit është raketahedhësi MARS II, i cili mund ta godasë shënjestrën 84 kilometra larg.

Berlini i ka dhënë leje Kievit ta përdorë këtë raketahedhës vetëm në hapësirë të kufizuar brenda tokës ruse, në afërsi të qytetit kufitar ukrainas, Harkiv.

Scholz nuk ka pranuar ta furnizojë Kievin me armë precize me rreze të gjatë veprimi, pavarësisht vendimeve të aleatëve të Gjermanisë në NATO.

Gjermania nuk dëshiron t’i japë Ukrainës raketa lundruese Taurus, e cila mund të godasë rreth 500 kilometra larg, duke argumentuar se “kjo do ta rriste dukshëm rrezikun për përshkallëzimin e luftës”.

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë furnizuar Kievin me raketa lundruese të cilat mund ta godasin shënjestrën deri në 300 kilometra larg. Ato janë duke shqyrtuar vendimin se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i përdorë këto raketa për sulme ndaj shënjestrave thellë brenda Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. REL

Planet për “Vatikanin e Tiranës”, bektashinjtë e Turqisë kundër

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB dy ditë më parë, prezantoi idenë e një shteti bektashi brenda territorit shqiptar, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Vatikanit në Itali.

Por mesa duket, kjo ide nuk është përkrahur nga bektashinjtë e Turqisë, të cilët janë shprehur kundër krijimit të një shteti të tillë.

Përfaqësuesit e Federatës Alevi-Bektash nga Turqia në deklaratat e publikuara në rrjetin turk Haber Global në pronësi të Azerbajxhanit, thonë se bektashizmi dhe “shteti fetar” janë koncepte të papajtueshme me njëri-tjetrin.

Kryetari i Federatës Alevi Bektashiane të Turqisë, Zeynel Abedin Koç, tha: “Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë nga Turqia. Megjithatë, në Shqipëri rreth 115.000 besimtarë bektashianë, dhe kjo përfaqëson 5% të popullsisë se Shqipërisë. Sekti bektashi alevi jeton prej shekujsh në këto anë. Më vonë Perandoria Osmane u zgjerua në Ballkan duke arritur deri në Hungari dhe Shqipëria u bë vendi më i rëndësishëm për ta. Filozofia alevi-bektash, 72 kombet i konsideron si Një, këshillon të gjithë të jenë sovran në veprimet e tyre, të duan fjalët e tyre dhe të qëndrojnë në anën e heroi Ali“.

Nga ana e tij, presidenti aktual i Federatës Alevi Bektashiane në Turqi, Husein Güzelgül, thuhet se ka deklaruar se ndërsa i konsideron hapat e ndryshëm të ndërmarrë nga vendet për të njohur besimin e sektit bektashi në mbarë botën në përgjithësi pozitive, ai gjithashtu mbështet pikëpamjen se besimi bektashinjve dhe shteti fetar nuk mund të shkojnë paralelisht.

Ne nuk e konsiderojmë të drejtë shtetin e bazuar në fe. Një gjë e tillë nuk mund të ekzistojë aty ku ka paqe, harmoni e dashuri”, thotë ai.

Bektashi Turqi
Bektashi Turqi

bw

Mbizotërojnë konservatorët dhe centristët! Franca shpall përbërjen e qeverisë së re dy muaj pas zgjedhjeve

Pallati presidencial francez bëri publike përbërjen e një qeverie të re ku mbizotërojnë konservatorët dhe centristët, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve që thelluan ndasitë politike, ndërsa Franca përballet me sfida financiare dhe diplomatike në rritje.

Një koalicion i krahut të majtë siguroi numrin më të madhe të vendeve në zgjedhjet parlamentare në qershor dhe korrik, por nuk arriti të fitonte një shumicë.

Grupet studentore dhe aktivistët e së majtës mbajtën protesta në mbarë vendin të shtunën kundër një qeverie që ata thonë se refuzon vullnetin e votuesve.

Presidenti Emmanuel Macron emëroi konservatorin Michel Barnier si kryeministër në fillim të këtij muaji, edhe pse partia republikane e tij pati një paraqitje të dobët në zgjedhje. Zoti Barnier e formoi qeverinë pas negociatave të vështira. Zoti Macron e dekretoi atël.

Partia e ekstremit të djathtë kundër imigracionit Bashkimi Kombëtar i politikanes Marine Le Pen nuk ka ministra në qeverinë e zotit Barnier, por ka vota të mjaftueshme në parlament për ta rrëzuar atë. Kjo parti siguroi një fitore jo të drejtpërdrejtë me emërimin e konservatorit të Bruno Retailleau si ministër të ri të brendshëm, detyra e të cilit përfshin çështje kritike të brendshme si siguria kombëtare, imigracioni dhe zbatimi i ligjit.

Përbërja dhe orientimi i qeverisë së Francës është i rëndësishëm sepse ky vend është një zë udhëheqës në politikën e BE-së, ndër ekonomitë më të mëdha të botës dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ka armë bërthamore dhe të drejtën e vetos.

Kabineti prej 39 anëtarësh përfshin kryesisht ministra nga aleanca qendrore e zotit Macron dhe republikanët konservatorë. Jean-Noël Barrot, një politikan centrist i njohur për punën e tij në transformimin dixhital dhe çështjet evropiane, është ministri i ri i Jashtëm.
Ai sjell përvojë të gjerë në çështjet komplekse ndërkombëtare, veçanërisht brenda BE-së.

Ministri i ri i financave është Antoine Armand, një figurë gjithjë e më e njohur në politikën franceze që tani ka për detyrë të drejtojë politikat fiskale të Francës dhe të menaxhojë buxhetin e ardhshëm të vitit 2025, mes presionit nga Brukseli për të trajtuar borxhin në rritje të Francës.

Sébastien Lecornu do të vazhdojë të mbajë postin e tij si ministër i mbrojtjes. Ai ka qenë i rëndësishëm në forcimin e aftësive ushtarake të Francës, përfshirë modernizimin e sistemeve të mbrojtjes dhe menaxhimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Udhëheqja e tij në mbrojtje do të jetë vendimtare për rolin e Francës brenda NATO-s dhe tensionet gjeopolitike në rritje nga luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Aftësia e zotit Barnier për të qeverisur në mënyrë efektive është tashmë nën vëzhgim. Kundërshtarët e tij politikë nga e majta zotohen ta sfidojnë atë në çdo hap, ndërsa e djathta ekstreme thotë se do të monitorojë nga afër qeverinë.

Sprova e parë e madhe politike për Kryeministrin Barnier do të vijë më 1 tetor, kur ai të mbajë fjalimin për politikat e tij në Asamblenë Kombëtare.


Send this to a friend