Mos prisni që t’ju tregoj për heronj. Është një histori e zakonshme nga përditshmëria.
Sot dolëm herët nga shtëpia, edhe për të bërë shëtitjen e mëngjesit, edhe për blerjet e ditës sepse do të jetë një ditë e nxehtë. Në Zvicër ngjan sikur ka ndryshuar klima, për mirë natyrisht, por ne jemi ende të pamësuar me diellin që duket sikur ka ardhur nga Ballkani.
Kur po nxitonim të ktheheshim, me një ecje pak a shumë sportive, duke iu krenuar njëri-tjetrit se dikur mund të kishim qenë edhe kampionë të ecjes sportive, posa kishim kaluar vizat e verdha dhe i ishim afruar një rruge që ndahet me një bllok pallatesh nga një mur i padepërtueshëm gëmushash të larta rreth dy metra, një vajzë na bëri me dorë të ndaleshim. E ndalëm hovin dhe e pyetëm si ishte puna. Ajo na tregoi me gisht diçka dhe kur i ulëm sytë pamë një zogth të vogël sa një grusht bebeje, me ca pupla të vockla të verdha në kreshtë e rrotull qafës deri në bisht, që i ngjante një kolibri. Dukej kishte rënë nga pema e kish mbetur jashtë murit prej gëmushash nga ku dukeshin pemë molle dhe nuk po ngrihej dot të fluturonte.
Mos kishte lënduar krahkat. Nuk kaloi pak dhe rreth zogthit u mblodhën disa kalimtarë. Nuk dinim se çfarë të bënim. Disa prej tyre u larguan, duke na kërkuar ndjesë se u duhej të nxitoheshin. Sikur na e lanë ne amanet zokthin me pendka të verdhë meqë ndofta u dukeshim si pak më të ngeshëm.
Mbetëm ne të katërt. Vajza, ne dhe zogthi i pamundur për të marrë fluturimin ose ndofta nga që nuk kishte mësuar ende të fluturonte.
Duke e studjuar vendin, i thashë vajzës që ta merrte në dorë dhe të futeshim brenda murit të gjelbër në oborrin me pemë molle, nëpër degët e të cilave vareshin frutat e panumurta pothuaj të pjekura duke na lajmëruar se vjeshta ishte shumë afër nesh.
Iu afruam pemës ku menduam nga duhej të kishte rënë zokthi i vogël. I thashë vajzës që ta vendoste në degën më të lartë nga nuk mund ta arrinin macet. Në Zvicër disa kohë më parë u dha alarmi për rrezikun e zogjve prej maceve gjahtare që nuk i linin aspak të qetë.
Unë e mata lartësinë me sy duke patur parasysh dy macet tona Sushin dhe Norin kur kërcejnë e hidhen përpjetë si susta llastiku.
U lehtësuam se na u duk se e rehatuam dhe të dyja nxorëm celularët për ta fotografuar, duke i qarë hallin e lëndimit të krahkave për deri sa kishte mbetur ashtu i vetëm i pamundur në mes të rrugës.
E fiksuam në celular dhe ndërsa po bëheshim gati që t’i shkrepnim disa rresht, kur fap, sa hap e mbyll sytë, zokthi hapi krahët dhe u ngrit lart në fluturim aq shpejt sa na shpëtoi e nuk mundëm ta fotografonim dot.
Filluam të qeshnim me të madhe, të lumtura që tashmë zogu i vogël nuk kishte më nevojën e askujt, megjithëse krahkat i kishte aq të vockla, ai ndihej i sigurt dhe i trimëruar.
Dukej se zokthi kishte rënë nga foleja dhe nuk ishte orientuar dot në asfaltin gri, që ishte krejt ndryshe nga degët e pemës.
Fluturim të mbarë trimosh i vogël, i thashë në shqip. Vajza qeshi pa kuptuar, por duke marrë me mend se i thashë diçka të bukur.
Të dy me Skënderin vazhduam rrugën, ritmin e kishim ulur, duke menduar secili me kokën e vet, empatia na bën që mendimet të na përputhen shpesh, se sa herë do të na bjerë rruga ku e pamë zokthin sa një kolibër, ne do t’i ngrejmë vështrimin drejt pemës ku e vendosëm se mos ndeshemi sy më sy me mikun tonë të vogël, kur ai ndalet në degë apo në folezëne tij për t’u shplodhur apo për t’ia marrë cicërimës.


Komentet