VOAL

VOAL

Vojisllav Shesheli do të kandidojë për president

May 16, 2016

Komentet

Ditmir Bushati: Protestat kundër korrupsionit s’e pengojnë integrimin, revolta u nxit nga skandalet dhe vazhdimësia e të njëjtëve udhëheqës

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thekson se protestat dhe rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, qytetarët janë ngritur kundër personalizimit të pushtetit, korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, si dhe pabarazive ekonomike e polarizimit shoqëror. Bushati nënvizon se ndryshimi i këtyre fenomeneve është thelbësor për përparimin e vendit drejt BE-së.

Duke iu referuar deklaratës së kancelarit gjerman Friedrich Merz, Bushati shprehet se ai tha “një të vërtetë të thjeshtë”, që sipas tij rrëzon argumentet që shmangin thelbin e shkaqeve të krizës në Shqipëri.

Nga Ditmir Bushati
Kancelari gjerman Merz na tha një të vërtetë të thjeshtë, që rrëzon shumë prej dokrrave të hedhura në opinionin publik, duke i bishtnuar thelbit të shkaqeve të krizës ku ndodhemi.

I. Protestat ndihmojnë rrugën për në BE
Protestat dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, protestat synojnë të ndryshojnë atë që procesi i anëtarësimit në BE, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve, ende nuk ka arritur ta ndryshojë: personalizimin e tejskajshëm të pushtetit, normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, pabarazitë ekonomike dhe polarizimin shoqëror.

Protestat janë më shumë se një çështje e brendshme e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është përqendruar te shqetësimet e njohura: shteti i së drejtës, korrupsioni, kapja oligarkike e shtetit, krimi i organizuar dhe dobësia institucionale. Protestuesit kërkojnë ndryshim pikërisht në këto fusha. Kërkesat për llogaridhënie janë kërkesa që e shtyjnë përpara rrugën europiane të vendit.

II. Dhuna nuk është zgjidhje
As dhuna dhe as brutaliteti i policisë nuk janë zgjidhje për të tejkaluar situatën. Aktet e dhunës dhe veprimet e forcave të sigurisë duhet të hetohen në mënyrë të pavarur nga drejtësia. Respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE.

III. Pse protestat në Shqipëri nuk ngjajnë me ato në Europë?
Një pjesë e Europës është përfshirë nga protestat studentore. Zymtësia e protestuesve pasqyron gjendjen e një kontinenti që po përpiqet të gjejë një rrugë përpara, teksa popullsia po plaket, borxhi po rritet dhe politikat e mirëqenies po tkurren, si pasojë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

Emigracioni po polarizon gjithnjë e më shumë Europën. Ndërkohë, kontinenti nuk po arrin të ecë me ritmin e transformimeve teknologjike që pritet të përcaktojnë të ardhmen. Qeveritë nuk kanë përgjigje bindëse për të rinjtë që ndihen të humbur në këtë situatë.

Në Shqipëri, shkaqet e revoltës janë të ndryshme. Ato lidhen me zemërimin e një brezi që është rritur mes skandaleve të shumta, vështirësive të panumërta dhe të njëjtëve udhëheqës. Një brez që ka lindur dhe është rritur duke parë të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to. Ndaj, duan të hapin një rrugë të re për Shqipërinë.

JOQ: Dritare TV e çiftit mavi Rudina Xhunga dhe Hila, medias socialiste që mbahet gjallë me fondet e Partisë Socialiste, është djegur

Sot, çifti mavi Rudina Xhunga dhe Hila i kanë dërguar një lajm të zi banorit të Surrelit, Edi Ramës.

Regjia e transmetimit të Dritare TV, medias socialiste që mbahet gjallë me fondet e Partisë Socialiste, është djegur dhe fatkeqësisht elozhet për qeverinë do të ndërpriten për disa kohë, deri sa të marrë një dorë të mirë lekësh nga partia rozë.

Ky është një lajm i hidhur vetëm për kryeministrin i cili ishte ndjekësi i vetëm i këtij “tv” që e përdorte ditët e fundit për të hequr stresin e protestave.

Çudia është se edhe media tjetër pranë qeverisë, Top Albania Radio, mori flakë nga regjia. Dy media pro PS dhe dy zjarre në regji, a fshihet më shumë se sa një incident?

Duket se regjitë e mediave pranë pushteti po kalojnë një periudhë të vështirë, aq sa edhe kabllot nuk po e durojnë më tensionin politik. Tani mbetet të shohim nëse në skenë do të dalë edhe ndonjë fond nga Partia Socialiste

Se kur digjet një regji, nuk digjen vetëm kamerat e pajisjet, por rrezikon të mbetet pa sinjal edhe propaganda e përditshme.

 

Shifra dhe analizë: Pse Shqipëria nuk zhvillohet pa rininë- Nga Fatos Fico

Toka e copëtuar dhe fermerët e plakur e kanë lënë vendin pa sovranitet ushqimor, ndërsa zbrazja nga njerëzit dhe ekonomia e betonit po na çojnë drejt një rritjeje ekonomike minimale. Për ta kaluar krizën duhet rishkruar kontrata ekonomike, e sociale me të rinjtë.

Shqipëria po tregon prej kohësh dy “sëmundje” strukturore. Në fshat, toka bujqësore po lihet djerrë. E copëtuar që nga viti 1991 në ferma familjare prej mesatarisht 1.2 hektarësh, të ndara edhe këto në tri a katër ngastra, ajo nuk arrin të mekanizohet dhe të krijojë ekonomi shkalle. Rreth 65% deri në 75% e punës në arë dhe serra kryhet ende me krahë. Kjo bujqësi e mbetur në epokën e shatës nuk e ushqen më vendin: në tremujorin e dytë të vitit 2026, pikërisht kur miliona turistë të huaj mbushën restorantet e tregjet, prodhimi bujqësor ra me 2.29%.

Në Tiranë, ku sot jeton 31.6% e popullsisë së vendit, ose 758,513 banorë, vinçat krijojnë përshtypjen e një ekonomie që po rritet drejt lartësive. Zyrtarisht, ajo u rrit me 3.71% në tremujorin e parë dhe 3.61% në të dytin, ndërsa FMN-ja parashikon një rritje prej 3.5% për vitin 2026 dhe 3.2% për vitin 2027.

Por, nëse e ngremë pak kapakun e motorit të makinës, shfaqet një e vërtetë po aq e hidhur sa ajo e tokës bujqësore. Si toka e copëtuar e puna manuale që nuk na japin dot sovranitet ushqimor, ashtu edhe fuqia punëtore e tkurrur dhe struktura e cekët e bizneseve nuk na japin dot sovranitet ekonomik. Me numrin e punonjësve që i kanë mbetur dhe me plakjen e shpejtë të popullsisë, Shqipëria nuk ka kapacitet të mbajë në mënyrë të qëndrueshme as një rritje modeste prej 3% në vit. Pa ndryshuar kursin ekonomik, dhe pa u dhënë arsye ekonomike e sociale të rinjve për të qëndruar, vendi do të plaket e zbrazet përpara se të bëhet prodhues dhe i mirëqenë.

Iluzioni i shifrës 3.6%, rritja me taksa çmimesh dhe rroga shteti

Për një qytetar që nuk di shumë nga ekonomia, shifra 3.61% duket si lajm i mirë. Por në ekonominë reale, ajo çfarë ka rëndësi është se nga vjen kjo rritje. Në një vend që zhvillohet shëndetshëm, ekonomia rritet sepse hapen fabrika e biznese të reja, toka prodhon më shumë dhe kompanitë shesin mallra e teknologji edhe jashtë kufijve (eksportojnë). Në Shqipërinë e vitit 2026, gati dy të tretat e rritjes ekonomike vijnë nga dy burime që nuk prodhojnë asnjë gozhdë dhe asnjë kokërr domate.

Burimi i parë janë çmimet e larta: 1.13%, ose një e treta e gjithë rritjes prej 3.61%, vjen nga “taksat neto mbi produktet”.Më thjesht, kur shtrenjtohen ushqimet e mallrat e importuara dhe kur importet e karburanteve rriten me 12.4%, shteti arkëton më shumë TVSH dhe akcizë për çdo blerje tonën. Të quash rritje ekonomike faktin që familjet paguajnë më shumë taksa prej çmimeve të fryra është njësoj si të hipësh mbi karrige dhe të thuash se je zgjatur.

Burimi i dytë është vetë shteti. Sektori që dha kontributin më të madh në rritjen e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit 2026 nuk ishte as turizmi, as ndërtimi, por Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia. Edhe pse popullsia u tkurr me 15.2% midis dy censeve dhe shërbimet kaluan në e-Albania, numri i rrogëtarëve të shtetit arriti rekordin 23-vjeçar prej 186,581 punonjësish në fund të vitit 2025, me një kosto buxhetore prej 125.7 miliardë lekësh në vit. Për shkak të rregullave kontabël të PBB-së, sa herë që qeveria rrit rrogat e administratës me paratë e taksave, kjo regjistrohet statistikisht si “rritje e ekonomisë”.

Nëse nga rritja zyrtare prej 3.61% zbresim taksat mbi konsumin (1.13%) dhe efektin kontabël të rrogave të shtetit (rreth 0.75–0.85%), del se rritja reale organike e ekonomisë private shqiptare në vitin 2026 është vetëm 1.6% deri në 1.75% në vit. Ndërkohë, dy sektorët që prodhojnë mallra fizikë dhe mbajnë në punë 476 mijë shqiptarë — pra 45% të gjithë krahut të punës në vend — po fundosen: bujqësia ra me -2.29%, ndërsa industria dhe energjia shënuan -0.47% në tremujorin e dytë 2026, pasi kishin humbur edhe 13.1% të punëtorëve industrialë një vit më parë.

Largimi i njerëzve rrezikon pensionet dhe buxhetin

Sa herë që flitet për shpopullimin, përgjigjja zyrtare është se pjesëmarrja në forcën e punës arriti rekordin historik prej 76.70% në tremujorin e parë 2025 dhe papunësia zbriti në 8.7%. Përqindja e punësimit u rrit sepse u pakësua numri i krahëve të punës dhe i banorëve; po ashtu, nga ana tjetër, kjo shifër është këmbanë alarmi, pasi ajo tregon se në Shqipëri nuk ka mbetur më rezervë njerëzish që mund të futen në punë. Si pasojë, bizneset po detyrohen ta kërkojnë zgjidhjen te punëtorët e huaj, në vend që ekonomia të mbajë të punësuar të rinjtë vendas. Midis viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria ka humbur rreth 430 mijë banorë, duke zbritur në 2.4 milionë, ndërsa popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) u tkurr me 350 mijë njerëz. Mosha mesatare kaloi nga 35.3 vjeç në 42.5 vjeç, dhe sot gati një në pesë shqiptarë (20%) është mbi 65 vjeç.

Kur shohim llogaritë e buxhetit të shtetit — 823 miliardë lekë të ardhura kundrejt 887 miliardë lekëve shpenzime në vitin 2026, me një deficit prej 64 miliardë lekësh — barra mbi punonjësit shqiptarë në sektorin privat duket në tërë dramaticitetin e saj:

Në Censin e vitit 2023, 1,243,085 persona (15–64 vjeç) deklaruan se janë në punë. Por në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, gjatë vitit 2025, derdhën kontribute vetëm 871 mijë persona. Kjo do të thotë se rreth 372 mijë njerëz punojnë në të zezë ose në ekonomi familjare pa paguar sigurime.

Edhe brenda 871 mijë kontribuesve ligjorë, 185 mijë janë punonjës të shtetit, ku rreth 40 mijë punojnë në 61 bashkitë e vendit, të cilat do të marrin 47 miliardë lekë transfertë nga buxheti qendror në vitin 2026. Rreth 100 mijë janë fermerë (11.6%) që paguajnë kuota minimale vjetore, dhe 25 mijë janë kontribues vullnetarë — ku 64% e tyre paguajnë thjesht për të blerë vitet e munguara në prag të pensionit.

Në fund mbeten vetëm 560 mijë punonjës të sektorit privat jo-bujqësor. Këta 560 mijë punonjës privatë mbajnë mbi shpinë gjithë shtetin: ata financojnë 755 mijë pensionistë dhe 187 mijë rrogëtarë publikë. Sot kemi vetëm 1.18 kontribues për çdo pensionist, e për më tepër, në vitin 2025 fluksi i pensionistëve të rinj (+33,518 pensione pleqërie) ishte 23.6% më i lartë se kontribuesit e rinj. Për shkak të viteve në të zezë, 57.1% e pensionistëve urbanë të pleqërisë (322 mijë të moshuar) marrin pension të pjesshëm, duke e lënë pensionin mesatar në qytet në 20,123 lekë dhe në fshat në 12,313 lekë.Kontributet e mbledhura prej 185.5 miliardë lekësh nuk mbulojnë shpenzimet e skemës së detyrueshme prej 195.7 miliardë lekësh, që janë sa 7.72% e PBB-së, duke detyruar buxhetin të shtojë 10.2 miliardë lekë nga taksat.

Pesha e betonit dhe e euros me 90 Lekë: Pse u shkatërrua prodhimi dhe u shtrenjtuan ushqimet me 40%

Pse ekonomia aktuale nuk prodhon rritje të qëndrueshme? Përgjigjja gjendet te kapitali i derdhur në beton dhe efektet e kursit të këmbimit.

Në vitin 2025, Investimet e Huaja Direkte arritën rekordin prej 1.84 miliardë dollarësh, por 34% e tyre shkuan në pasuri të paluajtshme, 18% në banka dhe 10% në industri nxjerrëse. Ky lumë i valutës në beton, bashkë me turizmin dhe flukset informale, e rrëzoi euron ne 21 tetor 2026 në 90.7 Lekë — rreth 25.5% më poshtë se pesë vite më parë, ndonëse Banka e Shqipërisë bleu 826 milionë euro në 9-mujorin e vitit 2025.

Zyrtarisht thuhet se euroja e lirë uli borxhin e jashtëm, duke zbritur borxhin publik në 53.6% të PBB-së më 2026, dhe na mbrojti disi nga inflacioni i importuar, me një inflacion zyrtar prej 3.2%. Por, këto “të mira” rrëzohen përballë dy fakteve:kolapsit të prodhimit vendas dhe shtrenjtimit drastik të çmimeve të ushqimit.

Së pari, euroja e këmbyer me pak me shumë se 90 lekë veproi si taksë ndëshkuese prej 25% mbi çdo prodhues dhe eksportues shqiptar, të cilët paguajnë rrogat e taksat në lekë të mbiçmuar dhe shesin në euro të zhvlerësuar. Eksportet e mallrave ranë me 10% deri në 14% në vit (2023–2025), duke i kushtuar industrisë 600 deri në 800 milionë euro humbje kumulative në fasoneri,minerale dhe agro-përpunim. Ky deindustrializim duket qartë në regjistrin e INSTAT-it, i cili numëron 250 mijë njësi aktive me NIPT, të ndara në dy realitete krejt të ndryshme: nga njëra anë janë 112 mijë fermerë individualë, të cilët prodhojnë në ngastra të vogla familjare kryesisht për vetëkonsum dhe tregun lokal pa arritur dot përmasat e një kompanie; nga ana tjetër janë 138 mijë ndërmarrjet ekonomike (bizneset) e vendit, ku 85.9% merren me tregti e shërbime dhe vetëm 14.1% (rreth 19 mijë kompani) janë biznese të mirëfillta që prodhojnë mallra në industri, ndërtim apo agrobiznes të organizuar. Madje, edhe brenda këtyre 138 mijë bizneseve, 98.5% janë mikrobiznese dhe biznese nën 50 punonjës, ndërsa vetëm 1.5% e kompanive (~2 mijë biznese të mëdha) japin 48.6% të punësimit dhe 44.8% të xhiros në ekonomi.

Së dyti, euroja 25% më e lirë nuk i uli çmimet, por përkundrazi, çmimet e ushqimeve bazë (bulmet, mish, bukë, vaj,perime) pësuan një inflacion kumulativ prej gati 40% ose më shumë (38%–45% që prej vitit 2021). Kjo për dy shkaqe kryesore:

Rritja e kostove të prodhimit vendas: Fermeri shqiptar u godit nga mungesa e krahut të punës (mëditja në fshat u dyfishua), shtrenjtimi me 40%–60% i inputeve, plehrave kimike, ushqimit për bagëtinë e naftës, dhe pamundësia për të mekanizuar ngastrat e vogla. Mijëra fermerë therën bagëtinë dhe lanë tokën djerrë, duke tkurrur prodhimin vendas.
Oligopolet e importit: Kur prodhuesi vendas u mbyt nga kostot dhe euroja e lirë, importuesit e mëdhenj mbetën pa konkurrencë. Ata blenë ushqime më lirë në euro jashtë, futën në xhep fitimin prej 25% të kursit dhe i rritën çmimet në dyqane me 40%, ndërsa qeveria arkëtoi më shumë TVSH (+1.13% në PBB).
Çfarë duhet bërë — dhe pse çelësi janë të rinjtë?

Pse e gjithë llogaria ekonomike varet nga të rinjtë? Së pari, me daljen në pension të brezit të viteve 1960-të dhe emigracionin, forca e punës tkurret me -0.5% deri në -0.8% në vit. E më tej, kur ke një popullsi me moshë mesatare 43 vjeç, nuk mund t’i kërkosh një 60-vjeçari në fshat e qytet të bëhet inxhinier automatizimi apo programues. Kur një 20 vjeçar hipën në avion në Rinas, Shqipëria nuk humbet thjesht një punëtor sot; humbet mbi 40 vite kontribute të ardhshme në skemën e pensioneve, që me kontributet aktuale janë rreth 85,000–100,000 euro sigurime të humbura për person , humbet 350,000–400,000 euro prodhim të brendshëm gjatë jetës së tij aktive dhe humbet fëmijët që ai do të lindë në Gjermani e jo në Shqipëri.

Paradoksi shqiptar është se të rinjtë nuk po ikin më për shkak të papunësisë, por për shkak të punës pa të ardhme. Në Tiranë, ku janë rreth 400 mijë banorë në moshë pune, një i ri mund të gjejë punë si kamarier, korrier apo operator telefonik brenda 2 deri në 4 javësh, me pagë 45,000 deri në 65,000 lekë në muaj. Por, kjo është një “skllavëri” ekonomike:edhe me 600 euro rrogë, me ushqime që kushtojnë sa gjysma e të ardhurave mujore e të shtrenjtuara me 40%, kundrejt apartamenteve në Tiranë që kushtojnë 2,000–3,000 euro metri katror për shkak të parave të investitorëve, një i ri duhet të punojë 35 vjet, pa shpenzuar për asgjë, vetëm për të blerë një shtëpi 70 metra katrorë. Ndërkohë, fshati i ofron punë me shatë në 1.2 hektarë dhe një pension prej 12 mijë lekësh. Kur një vend i mohon të riut banesën, pronën dhe ngjitjen sociale, emigracioni mbetet e vetmja zgjedhje racionale.

Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë rrotën; vende të tjera evropiane që u përballën me të njëjtën hemorragji demografike kanë vepruar me skema të ndryshme:

Polonia, Kroacia dhe Portugalia – Zero tatim mbi rrogën e të rinjve: Për të ndalur eksodin drejt Gjermanisë,Polonia vendosi në vitin 2019 programin PIT Zero — 0% tatim mbi të ardhurat personale për çdo punonjës nën 26 vjeç, duke mbajtur mbi 2 milionë të rinj në tregun vendas të punës. Kroacia shkoi më tej: heqje 100% të tatimit mbi pagën deri në 25 vjeç dhe 50% për moshat 26–30 vjeç, shoqëruar me programin “Biram Hrvatsku” (Zgjedh Kroacinë) që i jep deri në 27,000 euro grant çdo të riu emigrant që kthehet dhe hap biznes prodhues ose rural në vendlindje. Portugalia miratoi regjimin IRS Jovem, duke ulur drastikisht tatimin mbi pagat e profesionistëve të rinj deri në moshën 35 vjeç që të punojnë brenda vendit.

Franca nuk e drejtoi bujqësinë te të rinjtë me lëmosha për naftë, por me anë të agjencisë shtetërore-private SAFER,e cila ka të drejtën ligjore të parablerjes së tokave të braktisura ose të copëtuara, i bashkon ato në ferma moderne dhe ua jep me qira ose kredi të butë vetëm fermerëve të rinj nën 40 vjeç, bashkë me një grant instalimi (Dotation Jeunes Agriculteurs) prej 20,000 deri në 50,000 eurosh.

Estonia dhe Vjena – Kapitali në teknologji dhe banesa për familjet: Estonia e ktheu vendin në kryeqendrën teknologjike të Evropës duke vendosur 0% tatim mbi fitimin e korporatave nëse fitimi riinvestohet në makineri,softuer dhe rroga të larta, ndërsa Vjena, e më tej Singapori, e mposhtën spekulimin e kullave duke ndërtuar me fonde publike banesa me kosto reale për çiftet e reja që punojnë dhe kontribuojnë në vend.
Bazuar në këto modele që kanë funksionuar, Shqipëria mund të integrojë të rinjtë në ekonomi me anë të katër politikave të mundshme. Por, kuptohet që politikat janë shumë më të gjera — si industrializimi, elektrifikimi, turizmi cilësor dhe gjatë gjithë vitit etj. — dhe të gjitha ato duhet të jenë pjesë e debatit dhe e vendimmarrjes si profesionale, ashtu edhe publike.

Zero tatim rroge deri në 30 vjeç dhe 0% tatim për kompanitë që riinvestojnë. Shqipëria duhet të aplikojë menjëherë modelin polak e kroat: 0% tatim mbi pagën (TAP) për çdo të ri deri në 30 vjeç që punësohet në prodhim,agrobiznes, inxhinieri dhe IT deri në pagën 200,000 lekë në muaj, si dhe 0% tatim fitimi (modeli estonez) për çdo kompani që nuk i nxjerr fitimet në banka apo pallate, por i riinveston në makineri dhe trajnimin e të rinjve, duke përdorur edhe 900 milionë euro të Planit të Rritjes të BE-së, nga të cilat 213 milionë euro janë lëvruar deri në qershor 2026. Kjo do të krijonte mundësi për mbi 150,000 të rinj nga ushtria prej 372,000 punonjësish që sot punojnë ende në të zezë.

Taksë p.sh. 3% mbi apartamentet bosh për të financuar shtëpinë e parë të çifteve të reja. Për të ndalur derdhjen e investimeve të huaja në beton spekulativ, qeveria duhet të vendosë një taksë vjetore prej 3% të vlerës së tregut mbi çdo apartament të dytë apo të tretë që mbahet bosh në Tiranë dhe bregdet. Të ardhurat e kësaj takse duhet të krijojnë Fondin Sovran të Banesave sipas modelit vjenez: çiftet e reja nën 35 vjeç që punojnë të siguruar në Shqipëri marrin apartamentin pa paradhënie, me një këst mujor fiks prej 25,000–30,000 lekësh (Rent-to-Own), ku shteti garanton kredinë në këmbim të qëndrimit dhe kontributit të tyre 15-vjeçar në vend.
Blloqe toke disahektarëshe, energji diellore dhe 30,000 euro grant për fermerët e agronomët e rinj. Shteti duhet të krijojë Agjencinë Kombëtare të Tokës sipas modelit francez, e cila merr me qira afatgjatë tokat djerrë të emigrantëve (duke garantuar së pari tapinë e tyre) dhe ua jep në blloqe të bashkuara prej dhjetëra hektarësh të rinjve agronomë dhe veterinerë. Kjo paketë duhet të shoqërohet me 30,000 euro grant instalimi për mekanizim, njohuri,serra diellore e panele diellore.

Ndarja e 25% të tenderave publikë për sipërmarrësit nën 35 vjeç dhe ngrirja e administratës shtetërore.Shteti transferon te privati 180–220 miliardë lekë në vit përmes tenderave dhe PPP-ve, duke mbajtur në punë 70,000–90,000 punonjës privatë (12.5%–16% të punësimit privat jo-bujqësor). Por, nga 110 miliardë lekë tendera të APP-së në vitin 2025, plus 139 milionë euro për 11 PPP-të më 2025 dhe 120 milionë euro më 2026, 90.7% e fondeve shkuan në tenderat e mëdhenj të oligopoleve, ndërsa bashkitë gjatë 6-mujorit të parë 2026 rreth 30% të procedurave (ose gati 10 miliardë lekë) i kishin me “flamuj të kuq”, d.m.th. pa konkurrencë. Rezervimi me ligj i 25% të kontratave publike të digjitalizimit, projektimit dhe shërbimeve për kompanitë e reja të themeluara nga profesionistë nën 35 vjeç — bashkë me ngrirjen e punësimeve në administratën prej 187 mije vetash — do t’u tregonte të rinjve se në Shqipëri mund të pasurohesh me dije dhe garë, e jo vetëm me patronazhim.

Pa një kontratë të re me rininë, Shqipëria do të mbetet një ekonomi që ngre kulla të larta betoni mbi themele demografike e ekonomike që po shemben.

“Në punë futen njerëz të korruptuar” Fjalimi prekës i nxënëses: Nuk e shoh të ardhmen në Shqipëri për shkak të qeverisë. S’janë të aftë të pranojnë gabimet e tyre

Studentët prej më shumë se 10 ditësh protestojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pedagogët kanë dalë në mbështetje të të rinjve, duke njoftuar edhe bojkot të mësimit.

Një nxënëse e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë ka shprehur me lot në sy shqetësimin për të ardhmen e saj në Shqipëri, duke deklaruar se nuk ndihet e sigurt për mundësitë që e presin pas përfundimit të shkollës.

E reja thotë se po mendon të vazhdojë studimet jashtë vendit, edhe pse kjo do të sillte një barrë të konsiderueshme financiare për prindërit e saj.

Sipas saj, pasiguria për të gjetur një vend pune dhe shqetësimet për korrupsionin janë ndër arsyet kryesore që e bëjnë të dyshojë nëse mund ta ndërtojë të ardhmen në Shqipëri.

Deklarata e saj pasqyron shqetësimet e saj për mundësitë e punësimit, korrupsionin dhe perspektivën e të rinjve në vend, ndërsa dëshira për të studiuar jashtë Shqipërisë lidhet me kërkimin e më shumë sigurisë dhe mundësive për të ardhmen.

“Jam nxënëse në gjimnazin “Qemal Stafa”, Unë personalisht nuk jam e sigurt ta vazhdoj jetën time në Shqipëri. Po i detyroj prindërit nga ana monetare që të vazhdoj shkollën jashtë Shqipërisë sepse nuk e kam të sigurt vendin e punës këtu. Nuk jam e sigurt të gjej vend punë sepse në Shqipëri futen në punë njerëz të korruptuar. S’mundem të jetoj në këtë vend për shkak të qeverisë ,ata nuk kanë fytyrë të pranojnë gabimet e tyre”, shprehet me lot në sy e reja, e cila rendit arsyet përse nuk e sheh të ardhmen në Shqipëri. bw

BIRN: Policia kritikohet për kontrollin e telefonave të protestuesve në shkelje të ligjit

Në fund të shtatorit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se telefoni celular nuk mund të trajtohej më si një derë e hapur për shtetin drejt jetës private të qytetarëve.

Ai e quajti atë “arkivin e jetës së një njeriu” dhe premtoi garanci të reja ligjore për ta mbrojtur nga kontrollet arbitrare.

Tre javë më vonë, ndërsa policia përpiqej të shtypte trazirat që shoqëruan protestat kundër qeverisë së tij, disa prej të rinjve të ndaluar, përfshirë të mitur, treguan se efektivët u kishin kërkuar të zhbllokonin telefonat dhe të ekspozonin përmbajtjen e tyre personale, pa vendim gjykate.

Dëshmitë, të raportuara nga Avokati i Popullit, kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e veprimeve të policisë dhe kanë nxjerrë në pah hendekun mes garancive për privatësinë që qeveria premton të sanksionojë në ligj – të cilat, sipas kritikëve, synojnë të mbrojnë zyrtarët e lartë nën hetim nga SPAK – dhe mënyrës se si autoritetet ushtrojnë pushtetin e tyre mbi qytetarët në rrugë.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë tregojnë efektivë të policisë që u marrin telefonat celularë personave të ndaluar, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtyre veprimeve dhe kufijtë e kompetencave të policisë.

Këto episode vijnë në një kontekst kritikash për përdorimin joproporcional të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të miturit, dhe për mënyrën se si policia ndërhyn gjatë ndalimeve.

Raportimet se protestuesve u është kërkuar të zhbllokojnë pajisjet e tyre pa një autorizim të qartë ligjor ngrenë çështjen nëse policia ka vepruar brenda kompetencave të përcaktuara nga ligji.

Gjatë një raportimi të martën për situatën e respektimit të të drejtave të njeriut nga policia gjatë protestave, Avokati i Popullit tha se një nga shkeljet e pretenduara lidhej edhe me përpjekjet e policisë për të kontrolluar telefonat e protestuesve të ndaluar.

“Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria”, tha Ahmet Prençi, komisioner dhe drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.

Institucioni vë në dukje se e drejta për jetën private dhe korrespondencën mbrohet nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se ndërhyrjet në këtë të drejtë duhet të kenë bazë ligjore, të jenë të domosdoshme dhe proporcionale.

Edhe procedurat penale parashikojnë kushte për kontrollin dhe marrjen e të dhënave elektronike, duke vendosur kufij për mënyrën se si autoritetet mund të hyjnë në përmbajtjen e pajisjeve personale.

Ligjshmëria e një veprimi të tillë varet nga rrethanat konkrete, kompetencat e organit procedues dhe autorizimet që kërkon ligji. Nëse këto kushte nuk janë përmbushur, kontrolli mund të përbëjë ndërhyrje të paligjshme në jetën private.

Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se kontrolli i telefonave celularë të protestuesve nga policia, pa autorizimin e nevojshëm ligjor, mund të përbëjë ndërhyrje të paligjshme në privatësi dhe shkelje të procedurave penale.

Avokati Gent Serjani, drejtues i Qendrës për Drejtësi Sociale, vë në dukje se ligjshmëria e këtyre veprimeve varet nga baza ligjore dhe respektimi i procedurave.

“Marrja e telefonit celular dhe kontrollimi i fotografive, videove apo përmbajtjeve të tjera private që gjenden në të, pa autorizimin përkatës ligjor dhe pa respektuar procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, mund të përbëjnë ndërhyrje të paligjshme në jetën private”, tha ai për BIRN, duke shtuar se ligjshmëria e këtyre veprimeve duhet të vlerësohet në bazë të rrethanave konkrete, kompetencave ligjore të organeve proceduese dhe autorizimeve të kërkuara nga ligji.

Sipas Serjanit, e drejta për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale garantohet nga legjislacioni shqiptar dhe nga aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e autoriteteve publike në këtë të drejtë duhet të ketë një bazë ligjore, të ndjekë një qëllim të ligjshëm dhe të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, theksoi ai.

Për Rigels Xhemollarin, nga qendra Qëndresa Qytetare, këto veprime përbëjnë haptazi tejkalim të kompetencave nga policia dhe një çështje që kërkon hetim nga prokuroria dhe përgjegjësi për veprimet e kryera.

“Shkelje e procedurës penale dhe duhet të ketë hetim zinxhir nga prokuroria pasi kanë tejkaluar kompetencat e veta policia pa vendim gjykate”, tha ai.

“Policia ka dalë nga binarët e ligjit, po funksionon me urdhra politike dhe vetëm me vendime gjyqësore dhe shembuj ndëshkimi mund të kthehet tek shteti i së drejtës”, përfundoi Xhemollari./BIRN/

Në ditën kur Vuçiçi e merr në mbrojtje, Rama në postimin e tij retushon në foton e samitin e Berlinit, Albin Kurtin

Edi Rama dhe qeveria e tij ndodhen në mes protestave të mëdha të studentëve dhe të rinjve si dhe akuzave nga të gjitha anët, për korrupsion, bashkëpunim me kartelet e drogës, pastrim parash.

Në kohën kur shumë kongresmenë e senatorë amerikanë, si dhe europarlamentarë e politikanë të ndryshëm të Europës i kanë dalë kundër, duke i kërkuar dorëheqjen dhe mos ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve, vetëm një politikan i ka dalë në krah.

Dhe ai është Aleksandër Vuçiç, i presidenti i Serbisë, që ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se, Edi Rama është sjellë shumë butë me protestuesit dhe tani do të humbë zgjedhjet.

E në mes të gjithë kësaj situate, Edi Rama ka vendosur të zhdukë Albin Kurtin nga fotoja që ai ka hedhur në rrjetet sociale, nga pjesëmarrja në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Mal të Zi.

Image0

Reagimet ndaj tij kanë qenë të shumta, ndërsa njerëzit i shkruajnë se, Rama është i mërzitur se, nuk ka aty vëllain e tij, Vuçiç. sn

Bamir Topi: Kryeministri dhe kryetari i opozitës në 2008 bën rregullat e lojës dhe bën një situatë dizastër! Jemi në këtë gjendje sepse pushteti çmontoi shtetin e demokracinë

Ish-presidenti Bamir Topi ishte sot në News24 për të folur mbi protestën e studentëve prej më shumë se 10 ditësh në Tiranë dhe në disa qytete të tjera.

Topi thekson edhe një herë se kjo situatë konflikti të shoqërisë me shtetin dhe mazhorancën vjen si pasojë e sëmundjes së hershme që lindi me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008.

Sipas tij, sot nuk ka një shtet apo institucion moral që të ndërmjetësojë mes palëve, sepse pushteti zhbëri shtetin në 2008 me marrëveshjen Rama-Berisha.

Bamir Topi: Për gjërat e një ndjeshmërie të lartë publike që kanë të bëjnë me fatet e vendit, unë nuk mund ti bëj kryq karrierës time politike 30 e ca vjeçare, 5 viteve si kryetar shteti. Njeriu duhet të jetë i pranishëm. Përderisa shohim nga prezenca e njerëzve vanitozë, pse mos të jenë ata që kanë çfarë të thonë. Kam respektuar jo ftesë të presidentit, por të institucionit.

Kjo i ngjan dekursit të një sëmundje kronike, për ata që kanë një kulturë shëndetësore ka raste që këto sëmundje shpërthejnë diku japin një pasojë. Nuk besoj në dijeninë time që kjo shpërthen papritur. Ata që nuk e kuptojnë situatën thonë si ndodhi. E kam fjalën për të gjithë ata që kanë qenë ose miopë ose bashkëpunëtorë të realizimit të çmontimit të shtetit në vitin 2008. E them duke ripërsëritur. Kam dëgjuar edhe politikanë ish politikanë që paturpësisht kanë qenë në mbështetje të ndryshimit të kushtetutës.

Nga ky virus është prekur masivisht media. Këtu nuk ka një supervizor mediatik që ti nxjerrë zbuluar këto. Persona të caktuar në një kohë janë sjellur ndryshe sot ndryshe duke qenë duarlarë. Ka pasur një simbiozë. E pushtetit, e biznesit të madh dhe medias. Akoma flasim për bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, e paekspozuar ende. Shoqëria nga ata kanë vuajtur. Nga politika, nga biznesi që ushqen politikën. Dhe media, një pjesë. Jemi në këtë gjendje sepse pushteti çmontoi shtetin, demokracinë.

Historia që sot ky kryeministër dhe kryetari i opozitës në 2008 bën rregullat e lojës dhe bën një situatë dizastër. Cili është mekanizmi kushtetues që çmonton sot Edi Ramën?! Nuk vlen më. Jo vetëm arkitekt i shkatërrimit të shtetit, e pashë dhe me takimin me presidentin. Shikoj një president, me gjithë respektin individual që është totalisht i pafuqishëm. Këto gjëra i kam komunikuar dhe kam pritur. E di që presidenti nuk ka instrumente kushtetuese. Por në këto kushte kur shoqëria studentët po nuk janë vetëm studentët, ka shumë familje, që dalin prej 4 muajsh. Është shoqëri. Në këto raste shoqëria kërkon një interlokutor moral institucional nga një institucion politik. Më shumë se sa të jetë mbi palët duhet të ketë një lloj dominimi me qenë me njerëzit.

Që nga mënyra si është zgjedhur presidenti Edi Rama nuk ka patur respekt. As grupi socialist nuk e ka ditur. Kjo nuk është normale. Kur ke me kushtetutë ke monopolin e zgjedhjeve, alternohet me monopolin e vjedhjeve. Jo vetëm zgjedh parlamentin, edhe në momentin që kryeministri mund të luajë mendsh nuk ka mekanizëm sepse është hequr mocioni i mosbesimit. Është lënë vetëm mocioni i besimit. Zarar i madh si funksionon shteti.

‘Poshtë narko-shteti’ Radio publike franceze: Edi Rama akuzohet për lidhje me rrjetet mafioze

Në Shqipëri, protestat kundër kryeministrit Edi Rama nuk po dobësohen. Që nga fundi i majit, protestuesit kërkojnë largimin e tij, në sfondin e skandaleve të korrupsionit, ndërsa përleshjet me policinë janë shtuar ditët e fundit në Tiranë. Në qendër të zemërimit është një pushtet që ata e akuzojnë për bashkëpunim me krimin e organizuar.

RADIO FRANCE INTERNATIONALE

“Poshtë narko-shteti”!

Kjo parullë është përsëritur prej muajsh në protestat në Tiranë. Ajo i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës, i akuzuar për lidhje me rrjetet mafioze.

Arben Kola është një nga figurat e lëvizjes: “Kryeministri është plotësisht nën kontrollin e grupeve mafioze. Dhe të gjitha këto organizata janë zhvilluar falë trafikut të narkotikëve dhe drogës”.

Për të mbështetur akuzat e tyre, protestuesit përmendin skandalet dhe hetimet kundër korrupsionit që synojnë disa zyrtarë të Partisë Socialiste.

Për Albinin, 27 vjeç, rrjetet kriminale kanë fituar terren nën drejtimin e Edi Ramës. “Më parë, grupet kriminale, sigurisht, ekzistonin, por ishin jashtë jetës politike. Sot, disa prej tyre madje ulen në parlament. Kjo është vërtet shumë e rrezikshme”, thotë ai.

“Ndërtimi i financuar nga trafiku i drogës”

Në Tiranë dhe përgjatë bregdetit, kantieret e ndërtimit po shtohen.

Për Hanën, ky bum i pasurive të paluajtshme ilustron pastrimin e parave të drogës përmes sektorit të ndërtimit. “Nuk është aspak zbulim i ndonjë sekreti të thuash se sektori i ndërtimit financohet nga trafiku i drogës. Kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë të bërtasim: Poshtë narko-shtetit,” vlerëson ajo.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i qeverisë shqiptare, por Brukseli kërkon më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. sn

‘Rama e ka kthyer vendin në diktaturë’ Gazeta franceze: Shqiptarët, të revoltuar nga terrori policor

Pas muajsh mobilizimi paqësor qytetar, protesta kaloi javën e kaluar, në Tiranë, në përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policëve. Studentët denoncojnë përçmimin e kryeministrit, Edi Rama, dhe tani kërkojnë largimin e tij.

Nga Louis Seiller, LIBERATION

“Mos na shkatërroni: ne jemi në protestë”.

Në Rrugën e Durrësit, arteria kryesore që të çon drejt sheshit qendror të Tiranës, pothuajse të gjithë tregtarët i kanë ulur qepenat e tyre prej hekuri, duke ngjitur mbi ta afishe të improvizuara për t’u lutur protestuesve që t’i kursejnë dyqanet e tyre.

Në lagje, të gjithë semaforët janë shkatërruar dhe trotuaret janë zhveshur pjesërisht nga pllakat e gurit. Ditët e fundit, shumë prej tyre kanë fluturuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit, që ndodhet fare pranë. Xhama të thyer, kabinë roje e djegur, mure të njollosura me bojë të kuqe: ndërtesa është riemërtuar “Ministria e Arsimit dhe e Emigracionit” nga një mbishkrim grafiti.

Prej tetë ditësh, një turmë të rinjsh mblidhet çdo mëngjes para kangjellave të saj. Tensioni rritet shpejt me mbërritjen e forcave të rendit kundër trazirave dhe të autobotëve me ujë. Maskat dhe syzet mbrojtëse janë bërë aksesorët e Gjeneratës Z shqiptare që zbret në rrugë.

Pas gati pesë muajsh protestash të përditshme, krejtësisht paqësore, të nxitura nga një projekt kompleksi turistik i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, hyrja masive në skenë e studentëve javën e kaluar shënoi një pikë kthese. Ata denoncojnë kushtet e mjerueshme të mësimdhënies dhe mungesën e perspektivave, por mbi të gjitha përçmimin e kryeministrit, Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, dorëheqjen e të cilit kërkojnë.

“Edi Rama e ka shndërruar këtë vend në një diktaturë”

Gjatë ditës, dhe akoma më shumë në mbrëmje, grumbullimet degjenerojnë rregullisht në përleshje. Forcat e rendit u përgjigjen hedhjeve të gurëve me përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe të autobotëve me ujë.

“Edi Rama e ka shndërruar këtë vend në një diktaturë, gjykon Ana, 28 vjeçe, një e diplomuar në arkitekturë, e cila po rivendos maskën e saj të zhytjes, pasi sapo kishte vrapuar për t’i shpëtuar një sulmi të policisë.

“Sot jetojmë në një oligarki, ku njerëzit që janë pranë kryeministrit janë bërë miliarderë, ndërsa populli nuk arrin ta çojë muajin deri në fund. Është kaq e vështirë të bësh një jetë normale në këtë vend, saqë zgjidhja e vetme kur je i ri është të largohesh dhe ta braktisësh vendin tonë…”

E reja tregon me gisht rrokaqiejt që po ngrihen në qendër të Tiranës. Për një pjesë të rinisë shqiptare, këto kantiere mishërojnë devijimet e një sistemi politik dypartiak, i akuzuar se është i gërryer nga interesat mafioze. Prokuroria e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK-u, po heton disa figura të Partisë Socialiste në pushtet, të dyshuara për lidhje me kriminalitetin e organizuar.

Ndërsa shumë ndërtesa zyrtare janë vënë në shënjestër prej një jave, Edi Rama është përpjekur të luajë kartën e hapjes. Të martën, më 20 tetor, në mëngjes, ai doli për herë të parë para zyrave të tij, në të njëjtin bulevard që tani po merr pamjen e një fushe beteje.

Por videoja që publikoi, në të cilën shihet duke vendosur vetë karrige për t’i ftuar studentët në dialog, përjetohet si provokim nga protestuesit.

“Kanë kaluar trembëdhjetë vjet që ai nuk na dëgjon dhe ne sapo kemi protestuar në mënyrë paqësore për njëqind e dyzet ditë, shprehet me keqardhje Albin, 27 vjeç, pranë një kioske të kthyer në hi.

“Dialogu duhej të kishte ndodhur shumë më herët. Tani, është më mirë që ai të largohet dhe të vazhdojë monologët e tij i vetëm në shtëpi… Ai e ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, asgjë nuk funksionon. Jo vetëm për studentët: për të gjithë, është katastrofë”.

“E revoltuar nga ky terror policor”

Thirrja për dialog e kryeministrit socialist pritet edhe më keq nga të rinjtë, pasi ai i cilëson rregullisht disa studentë si “ekstremistë”, të manipuluar nga “duar të huaja”. Ndërsa gjithnjë e më shumë video të dhunës policore janë bërë virale, ai gjithashtu u ka dhënë mbështetje të palëkundur forcave të rendit të angazhuara në këto protesta. Ai u ka premtuar atyre një shpërblim prej 2 500 eurosh, si dhe rritje të pagave duke filluar nga janari. Sipas shifrave të bëra publike nga Ministria e Brendshme, rreth 200 policë thuhet se janë plagosur në përleshje dhe qindra persona janë ndaluar.

Por imazhet e të rinjve që goditen me shkopinj gome ose rrihen brutalisht shkaktojnë zemërim të madh në Shqipëri.

“Jam e revoltuar nga ky terror policor,” shprehet me indinjatë Eni, një nënë 45-vjeçare, e ardhur për të shprehur mbështetjen e saj për studentët. “Fëmijët tanë kanë frikë të dalin në rrugë, sepse konsiderohen terroristë! Ministria e Shëndetësisë nuk jep informacion për numrin e vërtetë të të rinjve të shtruar në spital. Dhe me këta policë civilë që ndalojnë fëmijët në rrugë, nuk e dimë më nëse mund t’u besojmë institucioneve tona.”

Ndërsa protesta po përfshin edhe qytete të tjera të vendit, qindra mësues kanë shprehur mbështetjen e tyre për studentët viktima të dhunës policore dhe kanë bërë thirrje për bojkotimin e mësimit. Por Edi Rama mbetet i palëkundur: pavarësisht presionit të protestuesve në rrugë, ai vazhdon ta përjashtojë mundësinë e dorëheqjes. sn

DEUTSCHE WELLE: Protestat kundër qeverisë në Shqipëri nuk kanë lidhje me ANTIFA-n

Media publike gjermane, DEUTSCHE WELLE, në një analizë për protestat rinore në Shqipëri, thekson se ato nuk kanë lidhje me lëvizjen ANTIFA, siç pretendon Edi Rama.

Më poshtë pjesë nga analiza e DW:

Që nga fillimi i protestave fillimisht paqësore kundër qeverisë gati pesë muaj më parë, Rama është përpjekur vazhdimisht të ekspozojë publikisht organizatorët “e vërtetë” pas protestave. Në muajt e fundit, ai ka akuzuar vende si Greqia, Rusia dhe Irani për ndërhyrje në protesta.

Kohët e fundit, ai shpalli një fajtor të ri: ANTIFA-n, lëvizje botërore, e decentralizuar e së majtës radikale, e cila nuk ka udhëheqës. “Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA-n” – deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Redion Qirjazi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe radikalizmin, nuk është dakord. “Kjo është një akuzë serioze, e cila kërkon prova po aq serioze. Deri më sot, nuk janë paraqitur publikisht prova të verifikueshme që dokumentojnë ekzistencën e një strukture të organizuar ANTIFA në Shqipëri, aq më pak përfshirjen e saj në koordinimin e protestave”, analizon Qirjazi.

Referenca e Ramës ndaj vendimit të presidentit të SHBA, Donald Trump, për ta klasifikuar ANIFA-n si një organizatë terroriste është gjithashtu problematike, sipas ekspertit Qirjazi. “ANTIFA nuk është një organizatë e vetme ndërkombëtare me strukturë dhe komande të centralizuar, por një emër që përfshin lëvizje dhe grupe të ndryshme, në thelb antifashiste”.

Studentja Sara gjithashtu e hedh poshtë me vendosmëri akuzën për struktura ‘terroriste’. “Ka grupe që përdorin dhunë, kjo është e vërtetë, por unë nuk kam të bëj fare me ta. Sapo shoh dhunë, largohem. Jam kundër saj”. sn

…Tani mund të ulërasim deri në kupë të qiellit Nga Florian Vlashi

“Natën e parë ata afrohen

dhe këpusin një lule nga kopshti ynë,

por ne nuk themi asgjë.

Natën e dytë, ata nuk fshihen më,

shkelin lulet, na vrasin qenin,

por ne nuk themi asgjë.

Deri sa një ditë,

më i dobti ndër ta,

hyn i vetëm në shtëpinë tonë,

na vjedh hënën dhe, duke e njohur frikën tonë,

na e shkul zërin nga gryka.

Dhe ngaqë nuk thamë asgjë,

….tani nuk mund të themi më asgjë.”

Këtë poezi që mendohet se është e Majakovskit e pata përkthyer në kohën kur po shembej Teatri Kombëtar. Më sillej ndërmend gjithmonë edhe kur shikoja betonizimin e qytetit tim, mbulimin e arkeologjisë, shitjen e bregdetit, mjerimin e bibliotekave, plagët e korrupsionit apo “vjedhjen e hënës” së ëndrrave.

Por, ajo që po ndodh tani në Shqipëri me revoltën e studentëve dhe të qytetarëve, ndryshon fatalizmin e vargut të fundit të poezisë duke i dhënë tjetër dritë:

…tani mund të ulërasim deri në kupë të qiellit, “en së dashtunit botës sanë” (Buzuku)

 

Eurodeputeti Thomas Waitz: Nëse je duke protestuar kundër korrupsionit, kjo është në të mirë të Evropës

Shumë personalitete ndërkombëtare kanë reaguar një ditë më parë për protestën e studentëve, duke theksuar kërkesat e të rinjve për llogaridhënie, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtës për të protestuar paqësisht.

Ndërkohë që sot ka qene i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv në një bisedë më moderatorin Flavio Qarri eurodeputeti austriak Thomas Waitz, pjesë e grupit të të Gjelbërve Europianë.

Flavio Qarri: Cili është mendimi juaj për rrugën e Ramës drejt diktaturës dhe mbi të gjitha, janë mendime te çuditshme, kundërdhënse që na vijnë në Evropa sa i takon qëndrimeve të tyre në raport me protestën e të rinjve dhe studentëve shqiptarë.

Thomas Waitz: Në fakt sa i takon qasjes që Evropa ka ndaj Ramës lidhet me faktin se përgjatë viteve qeveria e tij ka bërë detyrat që Evropa i ka caktuar dhe ka barë punë në përfarimin e Shqipërisë me Evropën. Mirëpo kjo nuk është një histori bardh e zi dhe mbi të gjithë nëse qytetarët kanë një shqetësim qoftë edhe për trashëgiminë e tyre historike apo mjedisore, do të duhet të dëgjohen dhe nëse qytetarët zbresin në shesh për tu dëgjuar dhe një qeveri refuzon ti dëgjojë ata, sigurisht që do të vijojë momenti që të rrëzohet me votë.

Flavio Qarri: Tani meqë përmende votën, le ta themi mes nesh. Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, apo nuk e themi dot.

Thomas Waitz: Do të bëjmë gjithçka që mundemi si Evropë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë nëse ka ndërmend që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo me çdo kusht do të duhet të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E shikojmë qeverinë shqiptare që kalon shumë legjislacion ligje plotë sa të duash e megjithatë është çështja e implementimit të tyre ajo që ka rëndësi vërtetë. Sa i takon çështjes së zgjedhjeve nuk mund të ketë kurrsesi jo vetëm thjesht zgjedhje të lira por mbi të gjitha do të duhet një atmosferë konkurruese dhe pluralizmi që duhet të jetë e forcuar dhe e institucionalizuar. Pra sa më shumë bindje dhe këndvështrime të ndryshme të përfaqësuara këto nëpërmjet partive dhe rrymave politike, do të duhet të jenë të përfaqësuara edhe në zgjedhje. Dhe siç e thashë Evropa do të duhet të bëjë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Flavio Qarri: Ndërkohë që kryeministri Edi Rama në dy ditët e fundit ka paralajmëruar, në rrugën e tij drejt pluralizmit dhe demokracisë, që do i zhveshë njerëzit që marrin pjesë në protestë nga të drjtat e tyre themelore të njeriut.

Thomas Waitz: Kjo është absolutisht a pa palejueshme për Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë mundësi qeveria e tij ti heqë të drejtat, ti zhveshë qytetarët nga të drejtat themelore, të drejtat civile, ndërkohë që i ka etiketuar ata edhe si antievropianë sikur kanë venë në rrezik integrimin. Ajo që dua të them është se nëse je duke protestuar për institucione jo të korruptuara. Nëse je duke protestuar kundër korrupsionit, nëse je duke protestuar për një arsim më cilësor dhe më të drjtë. Nëse je duke protestuar mbi të gjithë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore këto janë në linjë me BE. Këto janë të gjithë proevropiane dhe kushdo qeë proteston për këtë gjëra është duke protestuar në të mirë të Evropës.

Flavio Qarri: Cila është linja e kuqe që Rama nuk duhet të shkelë. Shqiptarët më shumë ndjehen të harruar nga Evropa, më shumë se ndjehen të harruar nga ajo.

Thomas Waitz: Një ndërhyrje evropiane nuk do të ketë për aq kohë sa Shqipëria është një vend i pavaruar dhe sovran. Por ka një mënyrë opër qytetarët shqiptarë veçanërisht nëse duan të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian dhe është pikërisht demonstrata, protesta që duhet të vazhdojnë. E mira do të ishte dhe sigurisht brutaliteti policor nuk do të jetë i lejuar nga Evropa. Do të jetë edhe një luftë propagandistike se kush e ka bërë dhe se kush e ka shkaktuar dhunën. Evropa pati një imazh shumë të mirë për protestën e mbrojtjes së deltës së lumit Vjosa. Do të mbetet në vullnetin e qytetarëve shqiptarë se i ata do të shfaqin në vijimësi qëndrimet dhe opinionet e tyre.


Send this to a friend