Ndër punët e mëdha të Vatrës në shërbim të çështjes Kombëtare mbetet si gur i çmuar organizimi i Diplomacisë së munguar në mungesë të Shtetit të vdekur Shqiptar, barrë që u mor përsipër nga Vatra. Drejtuesit e Vatrës u kapën fort pas Deklaratës të Presidentit Wilson për vetëvendosjen e e kombeve.
Ndodhi çasti ftalum i 4 korrikut 1918, kur Noli, kryepari i Vatrës u takua me Presidentin Wilson. Në atë që është quajtur pelegrinazhi historik, i organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, në vendvarrimin e presidentit të Parë të Amerikës, George Washington, “Vatra” kishte dërguar dërguar kryetarin e saj, Imzot Nolin, për të përfaqësuar Shqipërinë, dhe ia doli mbarë.
Noli shkoi me mision që të përcjellë tek Presidenti me Wilson, e vetmja shpresë për shpëtim, shqetësimin e Shqiptarëve për ruajtjen e pavarësisë të pasluftës. Noli ia arriti t’ia përcillte presidentit problemin shqiptar të kërcënuar nga fqinjët dhe Traktatet e fshehta të Evropës. Pas dy takimeve që realizoi me presidentin Amerikan, Noli i entuziazmuar i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” mesazhin shpresëdhënës nga Washingtoni: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”
Vatra e nisi organizimin e Diplomacisë së munguar që më 1916, kur caktoi me rrogë mujore diplomatin dhe patriotin e sprovuar Mehmet Konica, në Zvicër dr. Mihal Turtulli e Mithat Frashëri, ndërsa në Washington- Kostë Cekrezi dhe Erikson.
Vatra luftoi me të gjitha armët për të siguruar Pavarësinë e dalë në ankand nga traktetet e fshehta të Europës dhe shkelja e tokës shqiptare nga ushtritë e shteteve fqinjë, Greqi, Serbi, Mali i Zi. Fushata e Vatres e 3 prillit 1917, ishte një triumf për të siguruar fonde për lobimin e miqëve amerikan dhe Europianë në Konferencën e Paqes në Paris, por edhe për t’i dalë zot vendit me mjete të tjera të Paqës dhe të Luftës. Që në vitin 1916, degët e Vatrës kishin nisë të krijonin pranë vetes së tyre në qendrat ku e ushtronin aktivitetin,në shtra e qyteza, ato që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës. Më pas këto trupa u unifikuan dhe stërviteshin në New England në drejtimin e patriotit Aqif Përmeti në, i cili e finalizoi punën e madhe kombtare duke u nisë vetë në krye të 200 Trupave me djemtë e vatranëve drejt Shqipërisë në fund të Shkurtit 1920 dhe mbeti atje për të organizuar Ushtrinë Kombëtare Shqiptare..
Po ashtu Vatra dërgoi bashkë me Trupat Vullnetare edhe Bandën Muzikore të saj, që i ra Shqipërisë kryq e tërthor nga Shqipëria e Mesme në atë të Jugut, duke i përshkuar viset shqiptare në këmbë që nga Durrësi, Elbasani, Korça, Gjirokastra, Tepelena e deri në Vlorë, ku u bënë pjesë e Luftës së Vlorës, dhe lanë si gjurmë këngën e njohur-Hymn”Vlora-Vlora” me muzikë të vatranit dhe kreut te Bandes muzikore Thoma Nasi.
Vatra ia arriti që të mposht propagandën e shfrenuar greke në Washington dhe Kryeqendrat e Europës se çdo ortodoks ishte grek dhe se viset e Jugut të Shqipërisë: Korça- Gjirokastar ishin vise greke! Në gazetat e zëshme të Amerikës dhe Europës, Vatra financoi botimin e shkrimeve që përcillnin të vërtetën dhe demaskonin propagandën shpifse greke dhe sllave.
Vatra i ka ndihë Kombit në të gjitha format, ishte ajo që i siguroi Shtetit Shqiptar një Hua Kombëtare rreth 200 mijë dollarë në kohë të vështira, ishte Vatra ajo që dërgoi vatranët e shkolluar e me kulturë për t’i shërbyer Atdheut, duke çuar atje frymën e Perëndimit, paçka se gati të gjithë ata diktatura komuniste i pushkatoi, burgosi, internoi.Vatranët e sotëm ndjehen krenarë për paraadhësit e tyre, që i bënë aq shumë shërbime të vyera Kombit.
* Në Diellin e printuar gabimisht si autor është venë prej dizajnerit emri i nënkryetarit Bushati….
Foto- Vatra arkiv- 28 Prill 2012. Komisioni themelues i Vatrës. Nga e majta; Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Elia Tromara, At Fan S. Noli, Llambi Chikozi, V. Dhimitri dhe Faik Konica.




Komentet