Incidenti i ndodhur në qershor të vitit 1992 me çarterin e Qeverisë italiane, me të cilin udhëtonte ishkryeministri Aleksandër Meksi dhe ish-ministri i Financave, Genc Ruli, për të gjithë protagonistët ka qenë i rastësishëm
Hedhja në publik e një versioni tjetër për këtë ngjarje nga Izet Haxhia, ish-truproja personal i presidentit të kohës, Sali Berisha, ka përfshirë në debat të gjithë protagonistët e atij udhëtimi. Haxhia pretendon se mungesa e dritave në pistën e aeroportit të Rinasit, në qershor të vitit 1992, teksa mbi të ulej avioni që mbante në bord kryeministrin e kohës, Aleksandër Meksi, ka qenë e qëllimshme.
Sipas tij, dritat në pistën e Rinasit janë prerë pak përpara se avioni i vogël tetëvendësh të ulej në pistë, me qëllimin e vetëm eliminimin fizik të Aleksandër Meksit. Për këtë histori, Haxhia akuzon shefin e tij, presidentin e kohës, Sali Berisha, i cili sipas tij e ndërmori këtë akt për të vendosur në krye të qeverisë së djathtë, ministrin e Rendit Publik në atë kohë, Bashkim Koplikun.
Një nga protagonistët kryesorë të atij udhëtimi Romë-Tiranë, ishministri i Financave, Genc Ruli, në një intervistë për “Panorama”, shpjegon se e gjithë ajo që ka ndodhur në Rinas ka qenë një rastësi.
Sipas Rulit, vendimi për të udhëtuar nga Roma drejt Tiranës ishte marrë me insistimin e tij dhe shkak për këtë ishin takimet zyrtare që ata do të duhej të zhvillonin në Tiranë.
Z. Ruli, ju keni qenë pjesë e pasagjerëve në bordin e çarterit të vogël të Qeverisë italiane, që ulej në pistën pa drita të Rinasit, në vitin 1992. Ishit në dijeni që në nisje të fluturimit se pilotët do të përballeshin me këtë situatë në Tiranë, dritat janë fikur kur ju po zbrisnit?
Po, të gjithë jemi vënë në dijeni që në nisje se gjatë zbritjes në aeroportin e Rinasit do të përballeshim me mungesën e dritave. Për këtë na njoftuan përpara se të niseshim nga Roma. Por të them të vërtetën, besuam se e gjitha kjo histori ishte një nga ato skuzimet apo pretekstet e vazhdueshme që drejtoria që administronte aeroportin jepte vazhdimisht. Por incidenti që ndodhi gjatë uljes së avionit tonë atë natë në Rinas nuk ka qenë i vetmi në ato kohë. Dua t’ju kujtoj se vetëm një ditë përpara uljes sonë në aeroportin e Rinasit, kishte ndodhur një incident me “Luftansën”. Një avioni të kësaj kompanie, teksa ulej në pistën e Rinasit, i kishte dalë një lopë përpara duke rrezikuar jetën e pasagjerëve që kishte në bord. Pra, flasim për një kohë që problemet që shoqëronin pistën e Rinasit, po sillnin edhe anullimin e udhëtimeve ndërkombëtare.
Në dëshminë e tij, Fidel Ylli, ish-truproja personal i kryeministrit Aleksandër Meksi, ka sqaruar se ishte këmbëngulja juaj për të ardhur pikërisht atë natë në Rinas. Si është e vërteta për këtë bisedë që keni zhvilluar me kreun e qeverisë në atë kohë?
Po, është e vërtetë. Ka qenë këmbëngulja ime që ne atë natë të udhëtonim nga Italia drejt Shqipërisë. Unë komunikova me kryeministrin Meksi dhe kërkova që të niseshim pavarësisht problemeve me të cilat na kishin lajmëruar se do të përballeshim në zbritje. Kryeministri Meksi nuk bëri rezistencë përballë këmbënguljes sime, por thjesht e pranoi faktin që do të zbrisnim në një aeroport pa drita, por këmbëngulja ka qenë kryesisht e imja. E vërteta është se në ato rrethana në të cilën është realizuar ajo ulje në Rinas, sigurisht që ai udhëtim nuk duhej të ishte kryer, por atëherë ishim revolucionarë dhe të tilla vendime merrnim.
Po pse këmbëngulët ju që të ishit pikërisht atë natë në Tiranë? Kishte ndonjë emergjencë?
Kishte faktikisht një urgjencë që më shtyu të këmbëngul të nisemi atë natë nga Roma drejt Tiranës dhe të rrezikonim të gjithë jetët tona në Rinas. Ne duhej të vinim në Tiranë, pasi ishte vizita e Gensherit, një personalitet i cili vinte për herë të parë në Shqipëri. Ndërkohë që kryeministri Meksi kishte për të zhvilluar takime, unë gjithashtu kisha për të zhvilluar takime të cilat e bënin prezencën tonë në Tiranë të domosdoshme. Sigurisht duhet ta pranojmë që në thelb ishte një këmbëngulje kokëforte dhe naive, por ashtu ishim në ato kohëra.
Ju keni qenë pjesë e avionit të vogël, i cili theu edhe rrotën gjatë uljes së tij në pistë. Besoni se ka pasur një komplot të qëllimshëm që e shkaktoi mungesën e dritave në Rinas atë natë?
Absolutisht jo. Jua thashë edhe më herët që në ato rrethana në të cilën u krye ajo ulje në Rinas, ai udhëtim nuk duhej të ishte kryer, por vizita e Gensherit dhe axhenda që kishim në Tiranë na detyroi të merrnim vendimin për ta realizuar atë udhëtim.
JUXHIN MUSTAFARAJ
Komentet