VOAL

VOAL

Nga Tolstoi te Trump Nga Chris PATTEN

March 19, 2016

Komentet

Me çfarë dëgjojmë lum si ne, me arsimin e lartë që kemi mjerë ne!- Nga IRENA BEQIRAJ

Znj. Manastirliu dje na njoftoi që me anë të procesit të ndërkombëtarizimit “synojmë që deri në 2030, Shqipëria të jetë pikë reference në rajon për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”.

Ndërsa sot jemi:

1) vendi i fundit në rajon në indeksin që mat krijimin edhe shpërndarjen e dijes: Serbia është në vendin 55, Mali i Zi është në vendin 60, Maqedonia e Veriut në vendin 66, Bosnje Hercegovina në vendin 70, dhe Shqipëria në vendin e 84.

2) Ndërkohë që Universiteti i Tiranës renditet i 667-i, pra në fund të rankimit ndërkombëtar, 3 fakultetet më të mira në rajon ndodhen në Serbi,

3) Është pikërisht atrofizimi i dhimbshëm i arsimin e lartë, një nga shtysat kryesore të emigracionit të të rinjve , ku 79% e maturantëve duan të studiojnë jashtë. Që prej 2013 është dyfishuar numri i studentëve shqiptarë që kanë braktisur universitetet shqiptare.

Në katastrofën aktuale të arsimit të lartë vështirë ose thuajse e pamundur që në 2030 të ndodhë që të jemi pikë reference. Për më tepër dikush duhet t’i shpjegojë ministres që cilësia e arsimit të lartë edhe aq më tepër shëndrimi në pike reference për kërkimin shkencor nuk është çështje kurrikulash që mund të përmirësohen me anë të ndërkombëtarizimit, madje nuk do ngurroja të thoja nuk është as vetëm çështje fondesh. Kjo është një çështje me komplekse që ka lidhje me ngritjen edhe funksionimin e sistemeve kombëtare të krijimit edhe shpërndarjes së dijes.

Sisteme këto që për fatin e keq të ministres është e pamundur të importohen, apo të merren “copy paste” nga ndërkombëtarët.

Po nuk mësoi këtë ministrja e Arsimit, shqiptarëve të zënë tanimë nën thundrën e rëndë të paditurisë, është e destinuar t’ju ofrojë vetëm gënjeshtra të dobishme që qetësojnë si morfina dhimbjet e padijes.

E pra e nderuar ministre kur dëgjojmë ty lum si ne, me arsimin e lartë që kemi mjerë ne!

(BalkanWeb)

Tjetër VIDEO- Momenti kur avokati Sokol Mëngjesi bie pa ndjenja në tokë dhe goditet në kokë me shkelma

Një tjetër video është siguruar nga SYRI ku dokumentohet dhuna barbare e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Në videon e parë të publikuar dallohej avokati Mëngjesi, i cili po qëndronte në këmbë në hyrjen e kopshtit, pasi kishte lënë djalin kur është sulmuar nga tre personat të cilët e kanë goditur.

Ai është goditur në kokë me dorezë hekuri dhe ka rënë për tokë pa ndjenja.

Nga pamjet e siguruara në videon e dytë dallohet avokati Mëngjesi i cili është goditur me shkelma e sende të tjera gjatë momentit që ka qënë pa ndjenja dhe autorët janë larguar me vrap.

Gjithashtu dallohet edhe një grua e cila është tmerruar nga sulmi barbar ndaj avokatit Mëngjesi dhe është larguar me vrap brenda kopshtit.

KOMUNIZMI I MBARUAR SIMBAS ROSSANDËS- Nga DACIA MARAINI- Përktheu Eugjen Merlika

 

Pak ditë më parë Rossana Rossanda do të kishte mbushur 100 vite. Po të mbyll sytë mund të dëgjoj zërin e saj të qetë e të arsyeshëm, qeshjen e saj të lehtë dhe ironike. Jam e kënaqur që e pata njohur, siç mund të jesh i kënaqur kur ke njohur më të mirën e Vendit. Rossana kishte një kokë të hapur plot ajër e dritë e gjithmonë të përshkuar nga erëra të zhdërvjellta e të rrjedhshme. Nuk mjaftohej me mendime të përcaktuar por kërkonte gjithmonë diçka të re. Aftësia e saj për të arsyetuar ishte gjithmonë aty, syhapët për të vëzhguar e përimtuar realitetin. E kam njohur në një takim feministesh. E dinja se, si komuniste e orëve të para, kishte mosbesim në lëvizjen e grave, që simbas biblës në latinisht, ishte një shprehje e kapitalizmit borgjez. Por kërshëria e zgjuarsia e saj kanë  fituar mbi paragjykimet e shpejt u ndjeva pranë si shqyrtimeve që bënim mbi historinë, si mbi vullnetin për të krijuar vlera të reja që lindnin nga vetëdija femërore e jo nga tradita e çmuar e Etërve. Nga ana tjetër ishte aftësia e saj për të kuptuar zhvillimin e historisë  që e kishte shpënë në dënimin e e mësymjes së Hungarisë në 1956.

Diçka që i shëmbëllen mësymjes së Ukrainës sot. Veçse atëherë Evropa dhe Amerika nuk kanë lëvizur as edhe një gisht dhe kryengritja e guximëshme hungareze kundërsovjetike u shtyp mizorisht dhe demokrati Nagy u vra si një armik. Mënyra në të cilën Rossana përsijaste kuptimin e të qënit komunist besoj se i jepte bezdi atyre që  besonin se besnikëria ishte më e rëndësishme se sa qartësia. Por komunizmi, nga një ideal i barazisë e i lirisë, ishte kthyer me Stalinin në një kapitalizëm kokëtrashë e të dhunshëm të Shtetit. Një regjim burokratik e totalitar që nuk lejonte mendimin kritik. Gjykimin e Rossandës, që sot e gjej profetik, mund t’a gjejmë në librin “Një rrugëtim i kotë”, në të cilin shpjegon se si komunizmi ka “mbaruar keq”. Kur idealet fashiten , popujt mund të hyjnë në një gjëndje plogështie dhe inercie që krijon paraliza politike e shoqërore. Pason një gjumë që pjell përbindësha, siç tregon Goya, një zbrazësirë që mbushet nga sjelljet më të vjetruara e mizore të njerëzve. Do të ftonja këdo që dëshëron të kuptojë më mirë atë që ndodh sot në botë të lexonte e të rilexonte “Vajza e shekullit të shkuar” dhe “Ky trup që më banon”, një përsiatje e thellë mbi raportin mes trupit dhe mendimit në kohë konsumesh e narçiçizmash. Trupi për mua , shkruan Rossana, “është ngjala e ndërgjegjes sime”. Nuk mund të thuhej më mirë se kështu.

“Corriere della Sera”, 27 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika

PD: Denoncojmë publikisht një “organizatë” fantazmë që gjoja mbron gazetarët

“Jam këtu sot për të denoncuar publikisht një organizatë të vetëquajtur “jofitimprurëse”, që pretendon të ketë në fokus mbrojtjen e gazetarëve, por në të vërtetë është në shërbim total të mbrojtjes së hajdutëve të inceneratorit të Tiranës.”  Me këto fakte dhe emra doli sot para mediave, znj. Silvi Bardhi, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, e cila theksoi se dokumentet do t’i dërgohen SPAK-ut. 

“Protesta e qytetarëve të lirë kundër korrupsionit dhe vjedhjes përballë bashkisë Tiranë, me sa duket ka tronditur thellësisht Grupin e Strukturuar Kriminal të Inceneratorit Tiranë dhe bandës 5D. – vërejti znj. Bardhi. – Ky fakt u vu re më së shumti pas protestës së 9 të organizuar ditën e djeshme. Nuk përbën aspak habi, që dje pati dy reagime qesharake në mbrojtje të bandës së Inceneratorit të Tiranës dhe bandës “5D”, duke kërkuar arrestimin e protestuesve dhe jo të hajdutëve.

Jam këtu sot për të denoncuar publikisht një organizatë të vetëquajtur jo fitimprurëse që pretendon të ketë në fokus mbrojtjen e gazetarëve, por në të vërtetë është në shërbim total të mbrojtjes së hajdutëve të inceneratorit të Tiranës.

Image

Shoqata e gazetarëve “AEJ Albania”, drejtohet nga Arbër Hitaj. Ky i fundit ka dy arsye madhore për të ofruar këtë shërbim.

E para, ky reagim bëhet për të mbrojtur interesat korruptive dhe klienteliste të punëdhënësit Karlo Bollino, i kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike për grabitjen e truallit mbi të cilin ka ngritur televizionin e tij dhe faktin se financohet me paratë e inceneratorit Tiranë.

Arsyeja e dytë është se Abedin Hitaj, babai i Arbër Hitajt, rezulton i punësuar pranë Inceneratorit të Tiranës dhe njëkohësisht është ortaku i vetëm i kompanisë “Hawk Security”, duke shërbyer si prestanome për Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.

Image

Nga të dhënat që Partia Demokratike disponon, në një e-mail të datës 25 qershor 2021, Denisa Tollkuçi informon Stela Gugallen dhe Klodian Zoton, për të gjitha veprimet e ndjekura për kompanitë e tyre, ku bën pjesë edhe kompania “Hawk Security”, siç e shihni dhe në foton në ekran.

Kjo kompani, referuar të dhënave zyrtare të QKB, rezulton se është themeluar fiktivisht në emër të Abedin Hitajt. Ndërkohë “pronari” Abedin Hitaj, është njëkohësisht dhe roje objekti pranë Inceneratorit Tiranë, ku merr rrogën e 9-të më të lartë në këtë konçension, plot 1 mijë e 600 euro në muaj.

Të nderuar qytetarë. Partia Demokratike ka një pyetje të thjeshtë për ju. Çfare objekti ruan shtetasi Abedin Hitaj, i cili paguhet plot 1 mijë e 600 euro në muaj???

Image

Image

Dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi, ja autorët

Mëngjesin e sotëm është dhunuar me mjete të forta avokati Sokol Mëngjesi. Ai u sulmua në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, sapo kishte çuar djalin në kopsht.

Dhunuesit e avokatit ishin të veshur me rroba të zeza dhe mbanin kapele në kokë, ndërsa BalkanWeb ka siguruar pamjet e dy prej autorëve të dyshuar.

Ata shfaqen duke u larguar me vrap pasi kanë goditur me doreza hekuri avokatin, i cili ndodhet në intubim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia, disa orë pas ngjarjes ka shoqëruar dy persona, që po merren në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë.

HARKIV, KIEV: LUFTA NUK ËSHTË E HUMBUR- Nga BARBARA STEFANELLI- Përktheu Eugjen Merlika

 

Të kaluar 825 ditë mësyemje, është në kufirin verilindor të Ukrainës që duhet të shohim se ç’po ndodh, se çfarë mund të ndodhë. Harta e kësaj zone përvijëzon gjithshka. Ndoshta gjithshka që nuk do të donim të shihnim. Vladimir Putini ka grumbulluar këtu trupa, armë, furnizime. E që këtu nisen sulmet që shënjestrojnë gjithë provincën e Harkivit, ish kryeqytetit, që është kthyer në simbolin e qëndresës, i stërmbushur me refugjatë. Një pallat e një supermerkat janë të goditurit e fundit, të vrarë e të plagosur, vetëm civilë.

Ndalimi që i është imponuar Volodimir Zelenskit për të mos përdorur armët e aleatëve – amerikane së pari – për të gjuajtur objektivë rusë përtej kufirit, në fakt ka krijuar mbas shpatullave të Harkivit një zonë jastëk, të pasulmueshme: është në brëndësi të asaj rezerve që Moska ka përqëndruar një rrip bazash ushtarake e paraushtarake, të kthyera drejt për drejt nga armiku, një lloj “faltoreje”, të barabartë me gjysmën e Valle d’Aosta, të përsosur për të goditur lehtësisht nga larg. Për shumë vëzhgues, është zemra e një shkallëzimi të pashpallur nga Moska e shpjegon përparimin, fshat mbas fshati, të javëve të fundit.

Për Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, është arsyeja që duhet të shtyjë Shtetet antarë të njohin të drejtën ukraine “të godasë objektivë ushtarakë të ligjëruar jashtë territorit të saj”, duke pezulluar shtrëngesat që kufizojnë përdorimet e sistemeve perëndimorë të raketave me rreze të gjatë veprimi. Stoltenbergu ka thënë: “Mesazhi im është se besoj se ka ardhur çasti të shohim përsëri atë çështje”. Përndryshe e detyrojmë atë që duhet të mbrohet “ të luftojë me një krah të palosur mbas shpine”.

Menjëherë shpërtheu alarmi diplomatik. E kështu ankthi i atij që, natyrisht, do të donte të shpejtonte fundin e kësaj lufte, jo fillimin e një faze të re. “T’i zgjidhej” krahu ukrainasve, t’i lejohej Kievit të përgjigjej me armë jo pa majë – që kalojnë kufijtë kombëtarë dhe vijat e kuqe mbi marrëveshjet ushtarake – do të thotë t’i nënështrohemi rrëshqitjes, të gjithë së bashku, drejtuar një skenari të pakontrollueshëm me horizontin skajor të Luftës së Tretë Botërore, të ndjellur që në agimin e parë?

Ka një tjetër hipotezë, sfilitëse, por që i thërret të gjithë – nga Brukseli në Washington – të japin përsëri provë të bashkësisë, të seriozitetit, ndoshta edhe kujdesit, si në atë dimër 2022. Çështja, duhet thënë qartë, nuk është të goditet Rusia “në thellësi”. Askush nuk do të mendonte e do të donte të vinte Moskën në shënjestër. Zgjedhja është një rrugë e hapur e kërkuar nga Zelenski, në çdo etapë të udhëtimeve të tij, pa e marrë kurrë, për t’u lënë ukrainasve mundësinë për të inkuadruar e goditur ata pozicione të përparuar – siç janë, pikërisht, bazat ajrore gjatë kufirit – që po i sigurojnë Putinit një epërsi në rritje. Sigurisht nuk do të mund t’a bëjnë duke zhveshur shpatën e droneve “made in Ukraina”.

Nëse (e si) të ndërhyhet për Kievin dhe Harkivin është një çështje në qendër të një lëmshi konsideratash ushtarake e gjeopolitike, vërejtjesh e kundërvërejtjesh që mund të mbërtheheshin deri në përjetësi. Vendimi i përket aleatëve, veçmas, një për një, mbasi disponueshmëria e armëve i përket qeverive, jo drejtuesve të Aleancës. Stoltenbergu e ka përsëritur dhe nënvizuar, duke i drejtuar “mesazhin” e tij kujtdo që po vozit me sy të lirë, – i kushtëzuar nga fushata zgjedhore e miratimet n’atdhe – me qëllim që secili të bregëzohet në ndonjë strategji që mund të jetë e bashkëndarë, e diskutuar, e bashkërenduar. Por jo e shmangur, e bishtnuar. E përsëri Evropa – të cilën po e përtërijmë, ndoshta pa e ditur mirë se çfarë duam të jetë – do të duhej të përpiqej të përfytyronte e të ndërtonte një lidership të vetin , qoftë edhe duke vepruar brënda NATO-s, apo nga NATO e mbrapa.

Koha, në terren e rreth tavolinave, është e pakët. Mund të jemi në prag të një presidence të dytë Trump me një shkëputje pasuese (të mundëshme) të Shteteve të Bashkuar nga frontet e jashtme.

Putini që tani vë bast mbi zbrazësirën që mund të lindë në Perëndim dhe mospajtimet që do të shpërthejnë në Kontinentin e vjetër. Kremlini ngujohet në refrenet e propagandës (zëdhënësi Dmitri Peshkov ka thënë: “Jo, nuk jeni duke u afruar përplasjes së drejtpërdrejtë, jeni brënda”) e mbi të gjitha llogarit mbi aleanca më pak të ndërlikuara. “Boshti i Kundërshtarëve” – e ka përkufizuar gjenerali Chris Cavoli, komandant i përgjithshëm i Forcave SHBA në Evropë, i laureuar në Jale në studime ruse e të Evropës lindore duke i shtuar Moskës Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Kujtesa fatzezë bushiane e Boshtit të së Keqes, në 2002, e bën përcaktimin të papërdorëshëm – ka komentuar Gideon Rachman në Financial Times – por sigurisht na këshillon të mos harrojmë se Ukraina është vija e parë e një lufte shumë më të madhe. Lufta me Putinin, që është ende edhe e jona, nuk është e humbur.
Ukrainasit kanë mbaruar municionet, jo guximin.

“Corriere della Sera”, 28 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Nga Athina në Milano: A po bën Rama fushatë për PS-në me paratë e shtetit?- Nga GENC BURIMI

Pas dy mitingjeve të kryeministrit Edi Rama me diasporen shqiptare ne Greqi dhe Itali, përtej komenteve dhe analizave nga me te ndryshmet dhe të nevojshmet ne nje demokraci, përtej komplimentave dhe kritikave, një fakt rezulton kokëfortë: foli Kryeministri por foli gjithashtu dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Para nisjes së këtij turneu, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi duke e ndjerë kurthin ku mund t’i zhytej shefi e gjeti të nevojshëm të bëjë këtë sqarim me gazetarët: “Nuk ka asnjë tendencë politike. Nuk janë aktivitete nën logon e PS. Por aktivitete të kryeministrit me Diasporën”.

Me siguri që Klosi nuk do ta kish bërë atë deklaratë të parakohshme nëse Rama do ja kish dhënë të lexonte fjalimet që do mbante. Edhe në Athinë ashtu edhe në Milano ato qenë fjalime thellësisht politike ndryshe nga ç’pretendoi Klosi i cili vetë hipi në tribunë dhe foli ndërkohë që nuk ka status ministri por partiaku. Ato qenë fjalime siç e pamë të gjithë të mbushura me propagandë për partinë ne fuqi dhe anatemime për Opozitën e “non gratas” siç e quan Rama. Në çdo vend tjetër në Perëndim ky skandal i përdorimit të parave të të gjithë kombit për të lavdëruar partinë e një pjese të kombit dhe sharë partinë e pjesës tjetër, do t’i kushtonte tepër shtrenjtë financiarisht dhe politikisht Kryeministrit.

Jo shumë kohë më parë, kjo metodë e shëmtuar dhe hileqare e përdorimit nga i gjithëpushtetshmi të parasë publike për interes partiak, i kushtoi ish-Kryeministrit të Bosnje-Hercegovinës futjen nga SHBA-të në listën non grata. Denoncimi i kësaj metode dhe ndërgjegjësimi i opinionit se në demokraci ka limite, është objekt i ketij shkrimi.

Përvoja ndërkombëtare
Në titulin e këtij shkrimi emri i Edi Ramës mund të zëvendësohej me atë të një udhëheqësi tjetër në Europë për të nënvizuar rëndësinë që mbart kjo pyetje në çdo demokraci: ku është kufiri ndarës kur një udhëheqës përzien aktivitetin shtetëror me atë partiak? Sigurisht, asnjë udhëheqës në demokraci nuk e ka të ndaluar që të bëjë propagandë, politikë dhe fushatë për partinë e tij.

Fundi i fundit, kjo është mënyra e vetme për t’u zgjedhur dhe rizgjedhur. Por një kufi ndarës ekziston në funksion të financimit që përdoret. Kur është aktivitet partiak paguan partia, kur është aktivitet shtetëror paguan shteti. Në Shqipëri, çuditërisht kjo çështje themelore për demokracinë nuk është ngritur në rangun e një prioriteti kombëtar nga institucionet e pavarura si KQZ dhe KLSH, apo nga mediat, biles as dhe nga opinioni publik apo nga partitë e Opozitës. Kjo heshtje, kjo tabu, apo ky kompleks me këtë çështje nëse a duhet të paguajë Shteti që Kryeministri të bëjë propagandë për partinë e tij tregon një mendësi kombëtare ku kolektivisht na duket normale që udhëheqesi ta përdorë pushtetin për të ruajtur pushtetin. Eshtë e njëjta mendësi e cila toleron që një media shtetërore si RTSH të menaxhohet si të ishte një media partiake.

Por kjo çështje e mosfinancimit të një partie me paratë e të gjithëve nuk lihet aspak në heshtje në Perëndim dhe mbetet gjithnjë aktuale megjithë sundimin e gjatë aty të demokracisë që mund të krijonte iluzionin e rremë se këto gjëra s’ka sesi ndodhin më. Në Perëndim nuk ka tabu nëse ekziston dyshimi se një shtetar e përdor Shtetin e tij për Pushtetin e tij. Shembulli më i freskët dhe më i spikatur është ai në Francën e “Lumierave” në këto ditë të ethshme të fushatës elektorale për zgjedhjet europiane. Ja një titull midis shumë të tjerësh marrë nga e përditshmja me reputacion le Figaro e datës 24 prill: “Zgjedhjet Europiane: Macron në zonën gri të përdorimit të mjeteve shtetërore për llogari të fushatës”.

Me pak fjalë, Figaro, ashtu si dhe opozita e kritikon presidentin francez për një mpleksje të veprimtarisë së tij si President që duhet të jetë në shërbim të të gjithë francezëve me atë si “shef” shpirtëror i partisë në pushtet të cilën e ka themeluar vetë. Mjaftoi një fotografi e publikuar nga Elizeja ku shfaqej Macroni me kandidaten e partisë së tij për fushaten e europianeve, Valeria Hayer, që të ndizej polemika përse taksapaguesi duhet të përballoje rroga për nëpunës të Presidencës që kalojnë kohën duke botuar fotografi fushate në favor të partisë në fuqi. Aq e ndjeshme është në demokracitë perëndimore kjo çështje e mospërdorimit të mjeteve publike për nevoja partiake sa nuk hezitohet të hapen edhe proçese gjyqësore pénale për të dekurajuar manovra të tilla. Shembull domethënës janë procese kundra një sërë eurodeputetësh që përdorin mjetet e Parlamentit Europian, për shembull sekretarët që ata kanë në dispozicion në Bruksel a Strasburg, të paguar nga taksapaguesi europian, por që shfrytëzohen për veprimtari politike në vendet e tyre të origjinës.

Dy nga politikanët më të lartë francezë kanë patur ose janë ende në procese të tilla gjyqësore, siç është rasti i Marina Le Pen që udhëheq forcën më të madhe politike opozitare në Francë, apo i Fransua Bajru që udhëheq partinë më të madhe aleate në koalicion qeveritar me atë të Makronit. Vetë Presidenti francez u pa pak si me dyshim edhe gjatë fjalimit të fundit historik mbi Europën në Strasburg duke shkaktuar një fillim polemike nëse ky fjalim kishte për qëllim aneks t’i shtonte disa pikë në sondazhe partisë së tij për zgjedhjet europiane.

Përballe kësaj tablloje kaq të rreptë që Europa nuk bën shaka kur bëhet fjalë nëse paratë e taksapaguesit mund të përdoren në interes të partisë në fuqi, Shqipëria shfaqet si e “shturrur”. Një pikë kulminante në këtë përbuzje të parimit të mos ngatërrimit të taksapaguesit me militantin partiak u arrit siç u pa në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale. Kërcënimi i Ramës ndaj popullit të Shkodrës se po mos të votonte për PS-në qyteti nuk do të merrte investime nga qeveria u gjend biles dhe në qendër të raportit të OSBE/ODIHR si një ngjarje shokuese. Në Perëndim ajo deklaratë e Kryeministrit do të ishte kthyer në një skandal politik dhe do të kishte hyre edhe në manualet e të drejtes publike si ilustrim për një shkarje që nuk duhet toleruar nëse duam një demokraci imune.

Propagandë qeveritare në diasporë në favor të PS-së, por fondet s’dalin nga arka e PS-së…
Zgjedhje të reja po afrojnë në Shqipëri dhe Kryeministri po tregon se ai jo vetëm që nuk ka nxjerrë mësim nga ai sulm ndaj demokracisë në Shkodër vitin e kaluar, por ai po thyen rekorde të reja në abuzimin me mjetet publike në favor të partisë së tij në pushtet. A mund të perdoren taksat e të gjithë shqiptarëve për interes të një grupi të vetëm , atë tij të partisë socialiste të Kryeministrit ? Kjo shfaqje e trishtë e porozitetit gjigand midis arkës së Rilindjes dhe asaj të Shtetit u pa në mitingun me diasporën në Athinë në 12 maj. E njëjta shfaqje u ripërsërit edhe në mitingun me diasporën në Milano këtë 26 maj. Që Edi Rama të mburrë në këto mitingje me superlativa arritjet e PS-së që i cilëson si madhështore kjo nuk është shokuese sepse kush më mirë se kryetari i PS-së mund ta mbrojë PS-në.

Që në këto mitingje ai të anatemojë me fjalorin më agresiv apo denigrues Opozitën shqiptare, dhe kjo është e pritshme sepse në luftën darviniane për egzistencë në politike pak vend ka për elegancë verbale. Por ajo që nuk mund të pranohet është fjalimi partiak i Ramës nën petkun e Kryeminstrit. Ajo që nuk mund të tolerohet është marrja me qira e sallës në Athinë, apo Milano, apo Londër me paratë e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që votojnë për PD-në. Pse taksapaguesi simpatizant i opozitës duhet të durojë që nga xhepi i tij t’i mundësohet kryeministrit të bëjë propagandë nga tribuna e Athinës dhe e Milanos për partinë në pushtet? Pse ky taksapagues “pëdëist” duhet të durojë që me taksën e tij të shahet në vend të huaj partia e tij? Askush në Perëndim nuk do ta kishte toleruar një gjë të tillë. Pse një taksapagues që nuk voton për partinë në pushtet duhet të përballojë shpenzime për karburantin, biletat e avionit, hotelet, drekat, darkat e kryeministrit dhe shpurës së tij duke përfshirë ministra dhe administratë që zhvendosen si një masë e vetme metropoleve europiane me paratë e të gjthë shqiptarëve për të bërë propagandë për një parti që përfaqëson vetëm një pjesë të shqiptarëve?

Në këto harxhe nuk llogaritet po ashtu as koha e konsumuar nga shtetarët dhe nëpunësit e administratës në organizimin e këtyre mitingjeve marrë nga koha e tyre normale e punës që u paguhet nga taksapaguesit për punë shtetërore dhe jo partiake. Sikur një ministër i vetëm në Perëndim të kish bëre këtë mpleksje perverse midis harxheve shtetërore dhe atyre partiake, do të ishte bërë “nami”. Ashtu siç u bë nami për një ish – ministre gjermane që guxoi dhe shkoi me makinën shtetërore në vendin e pushimeve në Spanjë pa rimbursuar harxhet. Ndërsa në Shqipëri kur bëhet fjala jo për një, por për batalione ministrash me Kryeministrin në krye, që nisen për fushatë me paratë e Shtetit, shoqëruar për më tepër nga batalione nëpunësish, problemi kryesor pikërisht aty qëndron se nuk bëhet fjalë fare për këtë dhe se nuk I kërkohet llpogari qeverisë nga parlamenti.

Në fund, të mos habitemi kur konstatojmë se zgjedhjet në Shqipëri nuk ngjasojnë me asnjë palë zgjedhje në vendet e tjera të kontintentit, përveç Serbisë. Zgjedhjet në Shqipëri fitohen dhe padrejtësisht ose me paratë e taksapaguesve siç kuptojmë nga raportet e OSBE/ODIHR, ose me paratë e “drogës” siç kuptojmë nga përgjimet e shërbimeve të huaja në Sky Ecc. Dhe së fundmi një mesazh për zotin Celibashi dhe institucionin e KQZ-së që ai drejton: të jesh i pavarur nuk do të thotë të jesh pa sy dhe pa vesh.

A mban shënime të vlefshme ai mbi këto shtrembërime të vazhdueshme të demokracisë për shkak të financimit të tërthortë dhe të padrejtë të partisë në fuqi nga Shteti ? Nëse Edi Rama do e mundësojë më në fund votën e diasporës, a do t’i llogarisë KQZ-ja kostet e këtyre mitingjeve të qeverisë shqiptare në Europë si pjese e buxhetit të PS-se dhe t’ja zvogëlojë si pasojë financimin publik PS-së? Përgjigjen lapidare mbi këtë heshtje fajtore të organeve kompetente në Shqipëri e gjejmë tek ky koment marrë nga raporti i fundit i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri: “Ligji parashikon një gamë të gjerë sanksionesh për shkeljet e financimit politik, duke përfshirë gjoba nga 50,000 deri në 5,000,000 lekë, konfiskim të fondeve publike dhe pezullim të financimit publik deri në pesë vjet. Asnjë bashkëbisedues konsultuar nga ODIHR nuk ngriti shqetësim sesa forcë reale kanë këto sanksione dhe sa efektive janë”.

Përkthyer në shqip, duhen masa më të rrepta që t’a dekurajojnë politikanin shqiptar të sillet me fondet publike si ai kapadaiu që “korr dhe shin sikur të ishte në mall të babait”...

Ndaj, votë për diasporë po, por në frymën e vlerave të atyre demokracive ku diaspora jeton, punon dhe krijon. Në asnjë nga këto vende nuk tolerohet që një shtetar të bëjë propagandë për partinë e tij me fondet e shtetit të tij.

(BalkanWeb)

‘Filloi t’i rridhte gjaku nga poshtë kokës…’- SYRI TV flet me dëshmitaren e parë të dhunës mbi avokatin Mëngjesi

SYRI TV siguron dëshminë e parë, të personit të parë që e pa avokatin Sokol Mëngjesi të dhunuar në derën e një kopshti, ku sapo kishte lënë fëmijën e tij.

Dëshmitarja: Ishte ora tetë e gjysmë e mëngjesit. Zotëria solli djalin në kopsht dhe kur po dilte nga kopshti (djali ishte futur brenda) te dera – nuk e pashë fiks kur e qëlluan, por zotëria u shtri te dera e kopshtit. Kam parë momentin që zotëria ishte i shtrirë.Një nga tre personat që ishin, që ishin bashkë, ishte afër zotërisë. Nuk e di a i foli apo s’i foli se e pa nga sipër dhe iku.

 

Pyetje: Kur dolët ju, e gjetët të shtrirë, a përmendej, fliste?

Dëshmitarja: Absolutisht. Ishte pa ndjenja. Kam qenë e para që e kam parë nga sipër. Filloi gjaku t’i rridhte nga poshtë kokës. Shumë pak ishte në fytyrë, por jo i dëmtuar. Nuk kishte fare. Pika gjaku, u gjakos poshtë. Njoftuan njerëzit Policinë. Policia erdhi para ambulancës. Pak minuta pas policëve erdhi edhe ambulanca. Në kohën që erdhi ambulanca filloi të përmendej.

Pyetje: Tha diçka?

Dëshmitarja: Absolutisht.

Pyetje: Dëgjuat nga autorët, personat që ushtruan dhunë, diçka që të artikulohej?

Dëshmitarja: Jo jo, fare.

Pyetje: Kishte fëmijë të pranishëm në momentin që ndodhi ngjarja?

Dëshmitarja: Po, kishte. Jo afër fëmijë. Filluan njerëzit u larguan, fëmijët brenda, rrinin në perimetër, një çikë larg. Kishte njerëz plot. Plot. Prindër, njerëz, makina që lëviznin shpejt.

Pyetje: zotëria që u dhunua, e kishte lënë djalin në kopsht?

Dëshmitarja: Djali ishte futur. Ishte futur në kopsht. Djali nuk pa gjë për mendimin tim. Nuk kishte kalama në oborr të kopshtit. Ai po dilte nga kopshti që të ikte. Më duket se me motorr ishte zotëria, më thanë, por që nuk jam 100% e sigurtë.

Sulmi me sende të forta ndaj avokatit të Berishës dhe ngutja e mediave të pushtetit për dizinformim

Mëngjesin e sotëm, avokati i liderit të opozitës, Sokol Mëngjesi është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur teksa ka qenë duke çuar të birin në kopësht.

Autorët nuk janë kapur nga policia dhe nuk ka ende asnjë të dhënë zyrtare për sulmin çnjerëzor ndaj Mëngjesit.

Ajo që bie në sy është nguti i mediave të pushtetit për të dhënë versione përfundimtare të sulmit duke dalë me tituj se sulmi nuk është për shkak të çështjes që ka në mbrojtje.

Ende pa patur autorë të arrestuar, ende pa patur zbardhje të ngjarjes, mediat e pushtetit, si gjithmonë, japin versionin përfundimtar.

Kujtojmë se lideri i opozitës është sulmuar fizikish në dhjetor të 2022 gjatë një proteste paqësore në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Mësohet se avokat Sokol Mëngjesi së bashku me avokat Klodian Skënderaj zotërojnë një studio ligjore dhe aktualisht ata janë avokatët mbrojtës të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe tre inceneratorëve.

Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh dhe konsiderohet si një prej avokatëve më me integritet në vend.

Prej shtatorit 2020 ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe mban titullin akademik “Profesor” prej vitit 2016.

Image

‘Ma mori dritën e syve’

Ftohtësia e mureve të dhomës, që dikur ushtonte prej të qeshurave, zbardh dhe terron ditët e Milihate Coklit. Në secilën qoshe të saj sheh ëndrra që u humbën dhe dëgjon fjalë që s’u thanë.

Dhimbja që e shtrëngon në gjoks, i bëhet e padurueshme kur prek fytyrën e saj të ngrirë në fotografi. “Unë vazhdoj t’i them çdo ditë ‘mirëmëngjesi’ dhe ‘natën e mirë’ Eronës”, thotë me zërin që i dridhet Milihatja.

Vajza e saj 20 vjeçe u vra më 12 prill në Ferizaj – qytet në pjesën juglindore të Kosovës, njofton Radio Evropa e Lirë. Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin Erona kishte një djalë një vjeç e dy muaj.

Çifti ishte i divorcuar për gati një vit dhe Erona e kishte obligim ligjor që ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Në takimin që do të bëhej i fundit për ta, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.

“Në ato momente, sikur më theri diçka në zemër”, kujton Milihatja kohën kur kolegët në punë i thanë se “qenka vrarë një grua”.

“Nuk e dija se ishte vajza ime. Isha në kuzhinë duke punuar dhe thashë me vete ‘si janë prishur kështu njerëzit’”.

Ende pa e kuptuar, ankthi e kishte ngërthyer. Nuk e kujton se sa kohë kishte kaluar, kur kunati ishte shfaqur në restorantin ku punonte – pak kilometra larg shtëpisë në fshatin Bablak të Ferizajt.

“Mendova se po shkonim në shtëpi… Kur e mori rrugën nga qyteti, e pyeta: përse po shkojmë në Ferizaj? Më tha: janë plagosur Erona e Driloni”.

Aty, brenga për ta e kishte ngufatur. Por, një fije shprese se do t’i gjente të gjallë, e mbante.

“Kur e pashë Drilonin e plagosur në spital, e dija që do të shërohej… dhe nisa të bërtas: ku e kam çikën”.

Nga ai moment, thotë se nuk mban në mend asgjë, përveçse të jetë rrethuar nga mjekët dhe stafi tjetër.

“Sa shumë dhimbje… Dritën e syve që kisha, ma mori”.

Milihatja beson se bashkëshorti i Eronës ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj saj me vite, ndonëse Erona mundohej ta mbante fshehur.

Ata ishin lidhur kur vajza ishte 16 vjeçe dhe, shumë shpejt pas, “nisi të ndrydhej, nuk hante njësoj, nuk qeshte njësoj”.

“Vinte në shtëpi e më thoshte se nuk do të kthehej më tek ai… por diçka ndodhte dhe prapë shkonte”.

Milihatja kujton se, njëherë, kishte vënë re edhe shenja dhune në trupin e së bijës, por se ajo i kishte thënë se ishte rrëzuar në banjë.

Përkundër insistimit të prindërve, ajo ishte kthyer prapë tek ai.

“Isha e bindur se e kërcënonte me neve… Dhe Erona bënte gjithçka për qejfin e tij, vetëm që të mos na dëmtonte”.

Motivet e kësaj sjelljeje thotë se nuk i di, por frika iu provua kur ish-bashkëshorti i Eronës “nisi ta kërcënonte” vëllain e madh të saj, se gjoja do të pësonte, nëse Erona largohej prej tij.

Erona, ndërkohë, mbeti shtatzënë dhe gjatë asaj periudhe, e ëma thotë se ajo i ndërpreu kontaktet me familjen.

Edhe pse vetëm disa kilometra larg me shtëpi, ajo thotë se nuk dinte asgjë për të bijën.

“Djalin e madh, Rinorin, e larguam nga Kosova që të mos ndodhte më e keqja… dhe rastin e raportuam në polici”.

“Disa herë iu drejtuam policisë rajonale në Ferizaj… u thosha se më mungon vajza… por më thoshin se janë në kontakt me të dhe se ajo nuk pranon të flasë me familjen”.

Meraku, frika e ankthi i familjes zgjatën me muaj, derisa Erona, gjashtë javë pas lindjes së djalit, u kthye bashkë me të te prindërit – “e lodhur, e dobësuar, e traumatizuar”.

Me mbështetjen e tyre kishte vendosur ta riniste jetën nga fillimi, duke parë tek i vogli i saj motiv e shpresë.

Milihatja thotë se bashkë me bashkëshortin e saj ishin gati të bënin gjithçka, vetëm që atyre të mos u mungonte gjë.

Teksa kujton zërat dhe zvarritjet e nipit për tokë, vaji ia ndal rrëfimin.

“Është dhurata më e shtrenjtë që më ka lënë Erona”, thotë Milihatja dhe nis e shpalos rrobat e tij.

“I ka ngjarë asaj…”, thotë nëpër dhëmbë.

Pas vrasjes së Eronës, djali kaloi nën kujdestarinë e nënës së ish-bashkëshortit të saj dhe familja e Eronës e takon “çdo dy javë, nga tri orë”.

Milihatja thotë se do të përpiqet ta rikthejë nipin nën kujdestarinë e vet. Teksa rrëfen e përpëlitet nëpër dhomë, bashkëshorti i saj, Gazmendi, qëndron i heshtur e i pllakosur nga dhimbja.

“Ishte jashtëzakonisht e lidhur me të atin”, thotë Milihatja për Eronën. Babai nuk dëshiron të flasë shumë, por thotë se ka vetëm një peng: “Pse nuk i qëndrova më afër, në çdo hap…”.

Image

Image

Image

Image

Image

Skema- Si përvetësoi grupi italo-shqiptar 31 restorante në Firence

Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja nga rrjeti italo-shqiptar që kishte mundur “të shtinte në dorë”, 31 restorante dhe 2 hotele në një nga zonat më të pasura të Firences. Ata akuzohen për krijimin e një skeme të pastrimit të parave.

Në pranga janë vënë sipërmarrësi Alessandro Bigi, president i ekipit të futbollit Ischia, ish-portieri i Napolit dhe Fiorentinës, Pino Taglialatela, nga i cili Bigi bleu aksionet e klubit me para që besohet të jenë si rezultat i të ardhurave të paligjshme.

Nën akuzë janë vënë edhe shqiptari Elouert Kamani dhe bashkëkombës të tjerë të tij si Albiona Ziaj, Redon Marku, Musa Kakuli, Samir Houjeiri, Eros Giona, Orkes Kamani, etj. Klubi i futbollit u ble zyrtarisht për 9 mijë euro, por në fakt u paguan 100 mijë euro të fshehura si donacione apo të justifikuara me fatura false.

Qendra e rrjetit italo shqiptar ndodhej në restorantin “Il Cavallino” ku kishin mundur të riciklonin mbi 10 milionë euro, të cilat ishin riinvestuar në blerje të furishme të bizneseve dhe restoranteve në qendër të Firences. Një kamera e fshehur nga hetuesit e Guardia di Finanza ka regjistruar prej kohësh praktikën e dorëzimit të parave “nën tavolinë”. Rrjeti pastronte para me bizneset që kishte dhe me ato blinte biznese të tjera.

Operacioni është shtrirë edhe në Shqipëri ku janë kryer kontrolle në Vlorë, Elbasan dhe Durrës në bashkëpunim me SPAK dhe BKH. Synimi i hetuesve është të gjurmojnë origjinën e lumit të parave. Përveç 31 restoranteve, 2 hoteleve dhe një klubi futbolli ata kishin blerë edhe një fabrikë birre dhe një biznes të makinave me qira./ lapsi.al/

Gjykata iraniane e dënon gazetaren me 21 vjet burgim për “propagandë kundër regjimit”

Gazetarja Zina Modares Gorji. (Fotografi nga arkivi)

Gjykata Revolucionare Islamike në perëndim të Iranit e ka dënuar gazetaren Zina Modares Gorji me 21 vjet burgim, për shkak se ajo i ka mbështetur publikisht të drejtat e grave.

Organizata kurde për të drejtat e njeriut, Kurdpa, raportoi se gjykatësi Mohammad Karami ia shqiptoi Gorjit një aktgjykim të kombinuar me burgim. Ajo u dënua me 10 vjet burgim për “krijimin e një grupi të jashtëligjshëm, me qëllim për ta rrëzuar nga pushteti regjimin”, si dhe me 10 vjet të tjera burgim për “bashkëpunim me grupe dhe qeveri armiqësore”.

Gorji u dënua edhe me një vjet shtesë burgim për “propagandë kundër regjimit”.

Sipas ligjit iranian, kur një i pandehur merr dënime të shumëfishta në rastin kundër tij, atëherë zbatohet dënimi më i gjatë, që nënkupton se ajo do t’i vuajë 10 vjet burgim. Megjithatë, gjykata tha se ajo duhet ta vuajë edhe një dënim me 10 vjet mërgim më pas.

Mbështetësit e saj thanë se ajo u njoftua për dënimin zyrtarisht më 23 maj dhe se ekipi i saj ligjor bëri ankesë ndaj aktvendimit të gjykatës.

Avokatët e saj kanë kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe e kanë sfiduar aktvendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të ashpër dhe të nxitur politikisht.

Dënimi me mërgim, thonë analistët, tregon se sa larg janë në gjendje të shkojnë autoritetet iraniane për t’ua mbyllur gojën kundërshtuesve, pas trazirave gjithëkombëtare për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim policor, për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit, apo shamisë së kokës, në shtator 2022.

Gorji ishte arrestuar për herë të parë gjatë protestave të frymëzuara nga Amini.

Pasi i kaloi 40 ditë në paraburgim, Gorji u lirua me kusht përkohësisht.

Ajo u arrestua përsëri në prill 2023 dhe e kaloi rreth një muaj në qeli të mbyllur, para se të transferohej në një burg të përgjithshëm.

Muajin e kaluar, ajo njoftoi në Instagram se libraria e saj në Sanandaj u mbyll me forcë për disa ditë nga autoritetet vendore, sepse gjoja nuk i ishte përmbajtur ligjeve detyruese për hixhabin. REL


Send this to a friend