Autoritetet e Serbisë thonë se po zhvillojnë hetime pasi dy raketa të prodhimit amerikan, të tipit Hellfire, janë gjetur në një fluturim nga Libani.
Zyra e prokurorit publik të Serbisë ka njoftuar sot se po zhvillon hetime nëse në këto pako ka materiale eksplozive.
Në deklaratën e dërguar me email për agjencinë Associated Press, theksohet se hetimet, po ashtu, janë të fokusuara në çështjen se prej nga kanë ardhur raketat dhe cili ishte destinacioni i tyre final.
Zyrtarët thanë se ekipet me qen të specializuar i kanë gjetur raketat që ishin adresuar për në Shtetet e Bashkuara, në aeroplanin e kompanisë Air Serbia, në aeroportin e Beogradit, më 12 mars.
Ushtria e Libanit ka thënë se raketat ishin për qëllime trajnuese dhe se nuk përmbajnë eksploziv. Po ashtu, ushtria libaneze tha se ka vendosur t’i dërgojë ato prapa te kompania amerikane që i ka prodhuar.
Raketa me udhëheqje laserike e tipit AGM-114 Hellfire mund të shkrepet nga ajri, deti dhe toka.
Komentet