Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar dhunën ndaj protestuesit të ri Enea Gjodedja, i cili gjatë ditës së sotme, me shenja të dukshme në fytyrë, bëri publike dhunën që i është ushtruar ndaj tij në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.
Sipas Shehajt, Enea është dhunuar në mënyrë brutale në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1, nga vetë shefi i komisariatit dhe shefi i krimeve.
Por, siç thekson Shehaj, situata është përshkallëzuar edhe më tej, pasi i riu është përballur me presion dhe kërcënime edhe në ambientet e spitalit, ku kishte shkuar për të marrë ndihmë mjekësore pasi bëri denoncimin në media.
“Ndërkohë që ishte në spital dhe po priste të mjekohej, e kanë marrë zvarrë, e kanë futur në atë dhomë që duket edhe në videon që unë kam bërë dhe kanë larguar me dhunë avokatin. Kanë kërkuar ta intimidojnë dhe t’i thonë që duhet të tërheqë dëshminë që ka dhënë, denoncimin që ka bërë“, tha ai në News24.
Kreu i Partisë Mundësia pretendoi gjithashtu se oficeri gjyqësor i kishte marrë telefonin protestuesit, në shkelje të ligjit, ndërsa të dy punonjësit e policisë kishin qenë të pranishëm edhe gjatë shoqërimit të tij një ditë më parë.
“Ai, për fat të mirë, është në gjendje të mirë shëndetësore, sa mund të jesh pasi je dhunuar, i tronditur edhe psikologjikisht, sepse është dhunuar nga shteti. Nuk di ku të shkojë, ku të ankohet. Sepse dhunohet në komisariat dhe kërcënohet po nga të njëjtët në spital”, u shpreh deputeti.
Agron Shehaj: Enea është një djalë i ri që sot në mëngjes na tregoi historinë se çfarë kishte ndodhur në Komisariatin Nr.1. E denoncuam këtë rast, i thamë ta bënte publike nëpërmjet mediave. E patë se çfarë ka ndodhur? Është dhunuar në mënyrë brutale në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1, nga shefi i komisariatit dhe nga shefi i krimeve të po atij komisariati.
Pasi bëri deklaratën për mediat, e ftuam dhe e shoqëroi një avokat i Partisë Mundësia dhe një nga përfaqësuesit e partisë në spital dhe në urgjencë, për t’u mjekuar, sepse akoma nuk kishte shkuar në spital. Kur, ndërkohë që ishte në spital dhe po priste të mjekohej, e kanë marrë zvarrë, e kanë futur në atë dhomë që duket edhe në videon që unë kam bërë dhe kanë larguar me dhunë avokatin. Kanë kërkuar ta intimidojnë dhe t’i thonë që duhet të tërheqë dëshminë që ka dhënë, denoncimin që ka bërë.
Por kush e ka bërë këtë? Zvarrë e kanë marrë vartësit e personave që ky ka denoncuar. Kjo është çmenduria! Personi që ishte aty është ky zotëria, shefi i seksionit i Komisariatit Numër 1, dhe ky ka qenë në zyrën e shefit të Komisariatit Nr.1, ndërkohë që Enea dhunohej. Ky ishte në spital dhe donte të detyronte Enean të tërhiqte denoncimin dhe e kërcënonte.
Tjetri, oficeri gjyqësor, edhe ky i Komisariatit Nr.1, ka qenë i pranishëm në shoqërimin e djeshëm. I ka marrë edhe telefonin, në shkelje të ligjit. Këta kanë vajtur të merrnin dëshminë se si Enea ishte dhunuar në prezencën e tyre nga shefat e këtyre.
Ai, për fat të mirë, është në gjendje të mirë shëndetësore, sa mund të jesh pasi je dhunuar, i tronditur edhe psikologjikisht, sepse është dhunuar nga shteti. Nuk di ku të shkojë, ku të ankohet. Sepse dhunohet në komisariat dhe kërcënohet po nga të njëjtët në spital.
Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, duhet të jemi të vetëdijshëm. Janë me qindra të rinj dhe të reja që po dhunohen që të hiqen nga protesta, të mbyllin gojën, të mos shprehin pakënaqësinë e tyre.