Gazetari Osman Stafa ka ngritur shqetësimin për rastet e dhunës policore ndaj të rinjve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë, duke deklaruar se ka pasur kontakte të vazhdueshme me protestues që janë goditur me plumba gome në pjesën e sipërme të trupit.
Në News24 Stafa tha se disa prej të rinjve kanë marrë deri në 5-7 plumba gome, ndërsa hezitojnë të denoncojnë ngjarjet për shkak të mungesës së besimit te institucionet dhe frikës se nuk do të gjejnë drejtësi.
Gazetari kritikoi gjithashtu mënyrën se si po funksionon Policia e Shtetit, duke deklaraur se efektivët përballen me urdhra abuzivë nga eprorët për arrestimin dhe goditjen e protestuesve.
“Kanë frikë, kanë pasur zero besim te institucionet se do të kishte ndonjëherë drejtësi. Kanë frikë të përballen me sistemin, sepse shohin çfarë bande kanë përballë”, u shpreh Stafa. “Nuk është policia polici e shtetit, është e një kryeministri që po përdor forcën për të trembur protestuesit”, deklaroi gazetari.
Stafa u ndal edhe te kufizimet ndaj protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa theksoi se kufizimet janë shtuar pasi autoritetet i frikësohen protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin.
Osman Stafa: Ka pasur një numër shumë të madh. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me të rinj që kanë marrë plumba gome në pjesën e sipërme të trupit, 5-7 plumba. Kanë frikë, kanë pasur zero besim te institucionet se do të kishte ndonjëherë drejtësi. Kanë frikë të përballen me sistemin, sepse shohin çfarë bande kanë përballë.
Mua më vjen keq për shumë policë që kanë hyrë në atë detyrë për të respektuar dhe nderuar flamurin dhe vendin, por ata vetë e kanë kuptuar se në çfarë situate janë, me shefat që japin urdhra abuzivë për të përcaktuar kë duhet të arrestojnë, kë të rrahin, kujt t’i gjuajnë me plumba gome, kë të godasin me shkopin e gomës.
Nuk është policia polici e shtetit, është e një kryeministri që po përdor forcën për të trembur protestuesit. Po ndodh aktualisht diçka që nuk ka ndodhur në asnjë moment. Lidhet me protestën, për të cilën është bërë njoftimi në Policinë e Shtetit, që qytetarët kërkojnë të protestojnë dhe nuk lejohen të rrinë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Deri para dy ditësh i identifikonin dhe u vinin gjoba teksa protestonin, ndërkohë që ata nuk “po merrnin vesh” nga gjobat, sepse nuk u interesonte. Ka persona që kanë marrë 7 gjoba dhe prapë vinin. Këta duan të ndryshojnë taktikë. I frikësohen datës 28 Nëntor, sepse i është dhënë një rëndësi që lidhet me historinë e kombit shqiptar.