Një i ri ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit, pasi mori pjesë në protestën kundër kryeministrit Edi Rama, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
I riu deklaroi se pas shpërndarjes së protestuesve është shoqëruar së bashku me një shokun e tij në Komisariatin Nr. 1, ku fillimisht është dërguar në paraburgim dhe më pas është thirrur në një zyrë, ku sipas tij, është dhunuar nga Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.
Ai ka rrëfyer gjithashtu se gjatë dhunës është kërcënuar me fjalët: “Mos harro se e ke personale. Mos harro se këto pllaka kishe për t’i larë në gjak”. I riu deklaroi se do ta denoncojë ngjarjen dhe do të ndjekë çështjen deri në fund.
“Kur po shpërndaheshim, vjen një makinë. Isha me një shok dhe na shoqërojnë tek komisariati nr. 1. Në fillim më çojnë në paraburgim. Më pas vjen njëri dhe më thotë “të kërkon shefi sipër”. Ishte Roki Pepa, filloi direkt me fjalë banale bashkë me Ervin Hasramën që më kanë goditur pa pushim. Roki Pepa tha “mos harro se e ke personale. Mos harro se këto pllaka kishe për t’i larë në gjak”. Tani nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do ta denoncoj dhe do t’i shkoj deri në fund. Nuk e fal.
Thjesht hajde pa këtu sipër, pse proteston dhe shan. Më çuan sipër tek zyra dhe më kanë goditur. Ishte vetë Roki Pepa dhe Ervin Hasrama. Pas kësaj dhune, më nxjerrin një djalë në telefon. Kam pasur disa probleme me anën e shëndetësisë sepse kisha vëllain e vogël e kisha sëmurë dhe shteti nuk më është përgjigjur. Më tha do t’i rregullojmë ne. Ne presim që të dhunohemi dhe më pas të na ndihmojnë këta.”, deklaroi i riu.
Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri theksuan se përgjegjësit do të vihen përpara drejtësisë. Shehaj theksoi gjithashtu se do të bëjnë kallëzim në SPAK kundër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo.
“Këtë çështje do ta ndjekim deri në fund dhe gjithë këto shefa komisariati nr 1 do të përgjigjen para ligjit. Nuk e meritojnë të jenë me uniformë shteti sepse janë banditë të Edi Ramës dhe paguhen me taksat e shqiptarëve”, theksoi Kapri.
“Këta kriminelë dhe banditë me uniformë e bëjnë se kanë urdhër nga ministri i brendshëm dhe Edi Rama për të ndaluar protestën me çdo kusht, edhe duke përdorur dhunën dhe kërcënuar. Do të mbajnë përgjegjësi.
I kanë thënë “do të të çojmë tek mali i Dajtit”. Dhe më pas e marrin në telefon se e dinë që ka një vëlla të sëmurë që ka nevojë për ndihmë. Pasi e rrahën, i thonë me të mirë se “atë djalin do ta ndihmojnë”. Sillen si banditë dhe kriminelë, por nuk kanë për t’ia dalë. “, u shpreh Shehaj. Panorama