Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dyshohet se fshehën proceset gjyqësore dhe problemet financiare të biznesmenit izraelit, duke e certifikuar si partner të sigurt të shtetit shqiptar…
Sipas dokumenteve zyrtare, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhanë urdhrin politik dhe firmosën procedurat që i hapën rrugë izraelitit Ron Yeffet të merrte kontrollin mbi industrinë e armatimeve, automjeteve dhe pajisjeve ushtarake.
Veprimet e para hetimore të Byrosë Kombëtare të Hetimit për çështjen “Kayo-Timak Defence” kanë zbuluar se, me urdhër të ish-ministrit Pirro Vengu, katër struktura të Ministrisë së Mbrojtjes firmosën relacionet paraprake që legjitimuan marrëveshjen. Sipas të dhënave të dosjes, këto relacione përmbajnë informacione të pavërteta ose të paplota.
Drejtuesit e strukturave nuk verifikuan të dhënat për figurën dhe aktivitetin e Ron Yeffet, garancitë e tij ekonomike dhe financiare, burimet e furnizimit me lëndë të para, si dhe shtetet apo kompanitë ndërkombëtare partnere të NATO-s nga të cilat ai do të siguronte armatimet, automjetet, dronët dhe pajisjet ushtarake.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, raport i rremë për figurën e Ron Yeffet
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, shërbimi informativ i ushtrisë, hartoi raportin për figurën e Ron Yeffet. Në këtë dokument, agjencia e paraqiti atë si person pa probleme me drejtësinë në shtetet ku kishte zhvilluar kontrata shtetërore dhe private.
Raporti nuk pasqyroi të dhënat për problemet ligjore të Ron Yeffet në Senegal, ku ai është përballur me akuza për mashtrim financiar dhe falsifikim dokumentesh në kontrata investimesh shtetërore dhe private.
Agjencia nuk përfshiu as padinë e paraqitur më 6 mars 2026 nga shtetasi amerikan Mark Faist kundër Ron Yeffet. Paditësi pretendon se Yeffet e mashtroi në shumën 8.6 milionë dollarë, duke i premtuar kontrata shtetërore në Shqipëri dhe duke përdorur si garanci lidhjen e tij me kryeministrin Edi Rama.
Në vitin 2013, “Signature Bank” në New York e paditi Ron Yeffet për një detyrim që lidhej me një hua prej 250 mijë dollarësh. Palët e zgjidhën çështjen më pas. Në vitin 2025, një kantier për riparimin e anijeve në Florida ngriti një tjetër padi ndaj tij për një konflikt financiar. Kjo çështje vazhdon të shqyrtohet nga gjykata.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes nuk i pasqyroi këto të dhëna në relacionin e saj. Më pas, ajo firmosi procedurën për pajisjen e Ron Yeffet me “Certifikatën e Sigurisë për Aktivitetin Industrial Ushtarak”, dokument që i hapte rrugë ushtrimit të aktivitetit në Shqipëri dhe kryerjes së importeve e eksporteve në emër të ushtrisë shqiptare.
Relacione të ngjashme për figurën e Ron Yeffet dhe aktivitetin e kompanive të tij, “Timak” dhe “UNO 18”, hartuan edhe struktura të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, mes tyre Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Mbrojtjes, e cila ka në varësi Drejtorinë e Politikave të NATO-s dhe BE-së.
Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ka për detyrë të rregullojë dhe mbikëqyrë prodhimin, tregtimin, transportin, magazinimin dhe zhvillimin e armatimeve ushtarake. Ajo duhet të verifikojë nëse subjektet plotësojnë kriteret e legjislacionit shqiptar për sigurinë kombëtare dhe standardet e NATO-s.
Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes e paraqitën Ron Yeffet si person të përshtatshëm dhe të sigurt për t’u përfshirë në industrinë ushtarake shqiptare, megjithëse dokumentacioni ndërkombëtar tregonte ekzistencën e disa konflikteve dhe proceseve gjyqësore ndaj tij.
Sipas materialeve të përgjimit të administruara në dosje, Ron Yeffet dyshohet se planifikonte të sillte armatime nga Afrika në Shqipëri dhe më pas t’i dërgonte drejt Ukrainës nëpërmjet kompanisë “Timak Defence”, duke përdorur dokumente dhe etiketime të falsifikuara.
SPAK dhe BKH duhet të përcaktojnë nëse strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dështuan të kryenin verifikimet ligjore apo fshehën qëllimisht të dhënat për Ron Yeffet, për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës dhe Pirro Vengut./Pamfleti